ATV

Blog

  • 1477 gjoba ndaj shoferëve në rajonin e Ferizajt për kundërvajtje në trafik

    1477 gjoba ndaj shoferëve në rajonin e Ferizajt për kundërvajtje në trafik

    Policia Rajonale e Ferizajt gjatë javës nga 4 deri më 10 maj tha se ka intensifikuar kontrollet në trafik me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

    Si rezultat i këtyre kontrolleve, policia tha se janë shqiptuar gjithsej 1477 gjoba ndaj shoferëve të cilët janë kapur duke qarkulluar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.

    Llojet e kundërvajtjeve:

    Tejkalim i shpejtësisë – 338 gjoba

    Parking i parregullt – 215 gjoba

    Xhama të errësuar – 146 gjoba

    Mosrespektim i shenjave të komunikacionit – 92 gjoba

    Mosmbajtje e distancës mes automjeteve – 75 gjoba

    Përdorim i telefonit gjatë vozitjes – 70 gjoba

    Mospërdorim i dritave – 66 gjoba

    Kalim i afatit të regjistrimit – 54 gjoba

    Kundërvajtje të tjera – 421 gjoba

    Policia pati edhe një apel për qytetarët.

    “Ngasja e papërshtatshme dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e drejtuesve të automjeteve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe tregoni kujdes maksimal gjatë vozitjes. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën. Policia njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Ftohen qytetarët të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo shkelje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406”.

    Policia shtoi se të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • “Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe”, Sindikata kërkon kushte për minatorët

    “Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe”, Sindikata kërkon kushte për minatorët

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas takimit me Bordin Mbikëqyrës të ndërmarrjes, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e rëndë të minatorëve, kushtet e punës dhe mungesën e investimeve në Trepçë.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se kërkesa për takim kishte për qëllim informimin e bordit lidhur me situatën aktuale të minatorëve, largimet e shumta nga puna pa procedura ligjore, mungesën e pagesës së trustit pensional si dhe draft-rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

    “Si fillim, si sindikatë pas gatishmërisë për të zhvilluar takimin e vlerësuam këtë takim, por është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënja atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e Trepçës. Tashmë të gjithë e dimë se si po përballemi në mungesë të mjeteve të punës, në një mikroklimë ku çdo ditë po na grryen shëndetin nga brenda. Kurse këta të gjithë po vijnë e po shkojnë me premtime për ringritje, e minatorët po mbesin pa ju ndryshuar gjendja, vetëm duke ju rënduar situata”, thuhet në njoftim.

    Për më shumë lexoni postimin e plotë të Sindikatës:

    Pas kërkesave tona si sindikatë për t’u takuar me bordin mbikëqyrës për të informuar mbi situatën aktuale të minatorëve dhe gjendjen shumë të rëndë të kushteve të punës, largimet e shumta që po ndodhin nga puna pa procedura ligjore, për shkak të dështimit të administratës së ndërmarrjes, për të cilë nuk po merr askush përgjegjësi.

    Mungesën e pagesës së trustit pensional si dhe draft rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës.

    Si fillim, si sindikatë pas gatishmërisë për të zhvilluar takimin e vlerësuam këtë takim, por është e dhimbshme dhe zhgënjyese se si nuk ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje për minatorët dhe po u ngarkohet barra e keqmenaxhimit të ndërmarrjes tash e 26 vite. Kjo sipas logjikës së tashme, përgjegjësinë dhe pasojat po i bartin minatorët, por pa u ngarkuar përgjegjësia dhe llogaridhënja atyre që keqmenaxhuan, ndërsa nga minatorët po kërkohet ringritja e Trepçës.

    Tashmë të gjithë e dimë se si po përballemi në mungesë të mjeteve të punës, në një mikroklimë ku çdo ditë po na grryen shëndetin nga brenda. Kurse këta të gjithë po vijnë e po shkojnë me premtime për ringritje, e minatorët po mbesin pa ju ndryshuar gjendja, vetëm duke ju rënduar situata.

    Në mungesë të përmirësimit të kushteve të punës, largime pa proceduar në mënyrë burokratike, në show në faqe të facebook dhe mos pagesën e trustit pensional që nga viti 2019, duke paguar vetëm disa periudha të shkurta.

    Trepça pa investime nga dora e shtetit nuk ringritet në gjendjen që është, e dimë dhe e dinë të gjithë, por të gjithë po heshtin. Si arsyetim gjithmonë po thonë se ju duke punuar pa mjete, pa kushte, duhet ta ngritni, duke paguar kosto jetësore, duke na shkatërruar shëndetin.

    Kërkohet nga minatorët të zhvillohet Trepça. Jo, Trepça nuk zhvillohet pa investime dhe me borxhe milionëshe. Duke mos krijuar kushte pune të sigurta dhe mbrojtje të shëndetit, si dhe pa furnizim me mjete pune.

    Bordi, kur ne kërkonim për temat, të gjitha përgjigjet ishin: “s’kemi mjete financiare”. Kur kërkonim trajtim të drejtë për minatorët, thirreshin në ligj. Kur ne kërkonim respektim të ligjit ku na mbrohen të drejtat, arsyetimi ishte sërish “s’kemi mjete”.

    Kjo është pra drejtësia.

    Për trustin pensional, kryesuesi i bordit mori zotim se do ta diskutojë në mbledhjen e bordit.

    Ndërsa në draft rregulloren e pagave, e cila është duke u finalizuar, por duke lënë anash sindikatën, dhe në shumicën 90% të punës së kësaj rregullore sindikata nuk është përfshirë dhe na kanë pamundësuar për të dhënë kontributin tonë.

    Ku ne njoftuam kryesuesin e bordit se në këtë rregullore të pagave pritja e minatorëve është që të ketë ngritje të pagave, si dhe në diskutime të brendshme gjithmonë është përfolur se me këtë rregullore do të rregullohen edhe koeficientët e pagës.

    Por kjo ka qenë edhe kërkesa e minatorëve për ngritje të pagave, sepse paga e minatorit ka mbetur shumë e ulët për një punë shumë të rëndë dhe të vështirë, pagesë qesharake.

    Përgjigjja e bordit ishte se nuk janë të informuar se në rregullore do të përfshihen edhe pikat e pagave.

    Dhe arsyetimi është se kemi mungesë financiare.

    E duhet ta ngrisim njëherë të hyrat financiare.

    Por të hyrat financiare nuk ngriten me minatorë të cilët që nga paslufta me ngulm kërkojnë ligjin për minatorë, e jo të ngritet Trepça me minatorë deri në moshën 65 vjeçare.

    Miniera të hargjuara, s’ka energji njeriu ta përballojë punën në minierë deri në 65 vjet.

    Trepça nuk ngritet në gjysmë kacie, me gjysmë bager, me gjysmë kamioni, me flotacion të hargjuar, me depo të zbrazura, në mungesë të fuqisë punëtore.

    Me liftin në përdorim, që shumë herë mbesim të mbyllur, i cili është mbi 100 vite i vjetër.

    Për me zhvillu Trepçën.

    Për fund, të nderuar minatorë,

    Sapo ta kemi draftin final në dorë, sindikata do të mbajë një tubim bashkë me ju për t’ju informuar dhe sqaruar se çka përmban ajo rregullore dhe a është e pranueshme për ne.

    Andaj si kryetar i sindikatës dhe si kryesi, do të qëndrojmë të bashkuar për të realizuar atë që e meritoni.

  • Dallaveret me patentë-shoferë në Pejë, aktakuzë ndaj 12 personave

    Dallaveret me patentë-shoferë në Pejë, aktakuzë ndaj 12 personave

    Një skandal i madh korrupsioni që dyshohet se ka funksionuar për vite me radhë në Qendrën për Patentë Shoferë në Pejë ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze voluminoze nga Prokuroria Themelore në Pejë. Në bankën e të akuzuarve janë përfshirë 12 persona, të cilët dyshohen se përmes ryshfetit, manipulimeve dhe shkeljeve të ligjit u kanë mundësuar kandidatëve pajisjen e kundërligjshme me patentë-shoferë.

    Sipas Prokurorisë, aktakuza prej 391 faqesh është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda dhe përfshin veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”.

    Në qendër të rastit është i pandehuri A.Sh., i cili në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë dyshohet se, nga viti 2021 deri më 23 korrik 2024, ka organizuar dhe mundësuar mbajtjen e provimeve teorike në mënyrë të kundërligjshme. Sipas aktakuzës, kandidatëve u është lejuar testimi edhe kur nuk figuronin në listat zyrtare apo nuk kishin dokumentacion të plotë.

    Prokuroria pretendon se në këtë skemë ka qenë i përfshirë edhe i pandehuri R.S., i cili dyshohet se ka ndërmjetësuar ryshfete nga përfaqësues të auto-shkollave në vlera prej 300 deri në 1 mijë euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në testet teorike dhe praktike.

    Në aktakuzë përmendet edhe manipulimi me prova, ku A.Sh., T.Sh. dhe R.S. dyshohet se më 17 nëntor 2023 kanë vepruar në bashkëkryerje në zyrën e koordinatorit të Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë.

    E pandehura T.Sh., si pyetëse e pjesës teorike, akuzohet se u ka ndihmuar kandidatëve duke iu treguar përgjigjet e sakta gjatë testimit dhe duke lejuar hyrjen në provim edhe pa dokumentacion të kompletuar. Veprime të ngjashme, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë kryer edhe nga M.Sh, transmeton Klankosova.tv.

    Pjesë e hetimeve është edhe zyrtari administrativ L.G., i cili dyshohet se ka lejuar kandidatë të hyjnë në provime me dosje të pakompletuara dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat zyrtarë. Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur edhe dosje të mbajtura jashtë institucionit në mënyrë të kundërligjshme.

    Ndërkohë, ekzaminuesit e pjesës praktike B.K. dhe N.D. akuzohen se kanë organizuar testime jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me procedurat administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa plotësuar kriteret ligjore.

    Sipas Prokurorisë, përfitime nga kjo skemë dyshohet se kanë pasur edhe disa auto-shkolla, të cilat kanë fituar avantazh të padrejtë në treg duke regjistruar shumë më tepër kandidatë sesa konkurrentët.

    Në mesin e të akuzuarve janë edhe përfaqësues të auto-shkollave, të cilët ngarkohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit të provave, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, duke theksuar se mbetet e vendosur në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve që cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike.

  • Zafir Berisha nuk është kandidat në këto zgjedhje, parashikon zgjedhje të reja pas tre muajsh

    Zafir Berisha nuk është kandidat në këto zgjedhje, parashikon zgjedhje të reja pas tre muajsh

    Ish-deputeti i disa legjislaturave në Kuvendin e Kosovës, Zafir Berisha ka njoftuar se nuk do të jetë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

    Berisha ka thënë se ka pasur disa shqetësime shëndetësore dhe në këto zgjedhje nuk do të jetë kandidat për deputet.

    Megjithatë, ai parasheh se pas tre muajve vendi do të shkoj sërish në zgjedhje të parakohshme.

    “Edhe pse kam pasur oferta s’kam pranu sepse këto zgjedhje i shoh zgjedhje koti. Pas tre muajve do të shkojmë sërish në zgjedhje, sepse numri i analfabetëve politik vazhdon të dominoj ende në Kosovë”, ka thënë ai për IndeksOnline.

    Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ishte kandidat nga radhët e AAK-së.

  • Hasani: Jam propozuar nga dega e Prizrenit që të jem në listën e deputetëve për zgjedhjet e 7 qershorit

    Hasani: Jam propozuar nga dega e Prizrenit që të jem në listën e deputetëve për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasani, ka konfirmuar se është propozuar nga dega e Prizrenit për të qenë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Hasani tha se kandidatura e tij ka ardhur si propozim nga struktura e degës në Prizren, ndërsa shtoi se beson që do të jetë pjesë e listës zyrtare të subjektit politik për këto zgjedhje.

    Ai po ashtu tha se nga dega e Prizrenit i janë dërguar qendrës 7 kandidatë.

    “Jam propozuar nga dega e Prizrenit dhe besoj se do të jem pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit”, ka deklaruar Hasani. /Indeksionline

  • Xhinset ju janë ngushtuar pas larjes? Pesë gabime që ua prishin formën, ngjyrën dhe butësinë

    Xhinset ju janë ngushtuar pas larjes? Pesë gabime që ua prishin formën, ngjyrën dhe butësinë

    Kujdesi i duhur nis nga etiketa: temperatura, centrifuga dhe mënyra e tharjes janë vendimtare nëse dëshironi që xhinset tuaja të preferuara të zgjasin më shumë

    Xhinset nuk janë vetëm pjesë e domosdoshme e stilit tonë, e përditshmërisë dhe e gardërobës që i veshim në pothuajse çdo rast, pavarësisht moshës, stinës apo vendit. Ato janë shumë më tepër se një rrobë e zakonshme.

    I duam, i veshim shpesh dhe, megjithatë, sa herë vjen koha për t’i larë, shumë prej nesh shqetësohen nëse do të dalin nga rrobalarësja me të njëjtën formë, ngjyrë dhe butësi.

    Xhinsi është material i fortë dhe i qëndrueshëm, por jo i përjetshëm. Herët a vonë, do të vijë momenti kur duhet të ndahemi nga ato pantallona që na kanë shoqëruar më gjatë se shumë gjëra të tjera në jetë. Megjithatë, ekspertët thonë se xhinset nuk dëmtohen aq shumë nga vjetërsia, sa nga kujdesi i gabuar, sidomos nga larja e papërshtatshme.

    Arsyeja është e thjeshtë: uji i nxehtë shkakton tkurrje, centrifuga me shpejtësi të lartë e prish formën, tharja mbi radiator e bën materialin të fortë, ndërsa ngjyra gradualisht shpëlahet dhe zbehet. Kjo vërehet sidomos te xhinset e errëta dhe modelet elastike, ku rëndësi nuk ka vetëm nuanca, por edhe prerja.

    Lexoni gjithmonë etiketën

    Disa xhinse mund të lahen në rrobalarëse, disa kërkojnë kujdes më të butë, ndërsa xhinsi i papërpunuar kërkon trajtim edhe më të kujdesshëm.

    Prandaj, rregulli i parë është i thjeshtë: lexoni mirë udhëzimet në etiketë. Aty zakonisht tregohet temperatura më e lartë e lejuar, mënyra e tharjes, intensiteti i centrifugës dhe kushtet e tjera të mirëmbajtjes.

    Nëse prodhuesi ka shënuar larje në 30 gradë, larja në 60 gradë nuk do t’i pastrojë më mirë xhinset, por mund t’i ngushtojë, t’ua zbehë ngjyrën dhe t’ua dëmtojë strukturën.

    Zgjidhni ujë më të ftohtë dhe centrifugë më të butë

    Për xhinset e zakonshme, uji më i ftohtë dhe centrifuga më e butë janë zgjedhje më e sigurt. Xhinset e errëta dhe ato me elastan nuk e durojnë mirë ujin e nxehtë.

    Nëse e harroni këtë rregull, pas disa larjeve mund të vëreni se materiali është bërë më i ashpër, ndërsa forma nuk është më e njëjta.

    Centrifuga duhet të përdoret sa më pak, ose të shmanget krejtësisht kur është e mundur, në mënyrë që të ruhen ngjyra, forma dhe materiali.

    Lajini të kthyera mbrapsht

    Rregulli i dytë është që xhinset të lahen gjithmonë të kthyera mbrapsht. Para se t’i fusni në rrobalarëse, mbyllni zinxhirin, pullat dhe kapëset.

    Kjo ndihmon që pjesa e jashtme të fërkohet më pak gjatë larjes dhe që ngjyra të ruhet më gjatë.

    Mos i përzieni xhinset e errëta me rroba të çelëta

    Rregulli i tretë është të shmangni larjen e xhinseve të errëta me rroba të çelëta, sidomos në larjen e parë.

    Xhinsi i errët mund të lëshojë ngjyrë dhe t’ju krijojë problem me rrobat e tjera.

    Sa shpesh duhet të lahen xhinset?

    Kjo është një pyetje për të cilën diskutohet prej vitesh. Natyrisht, higjiena personale është më e rëndësishmja. Si çdo rrobë tjetër, edhe xhinset mbledhin baktere, qeliza të vdekura të lëkurës, djersë dhe aroma të pakëndshme.

    Nëse i vishni çdo ditë, këshillohet të lahen së paku një herë në javë. Megjithatë, eksperti i larjes së rrobave, Patrick Richardson, thotë se idealisht xhinset mund të lahen pas nëntë ose dhjetë veshjeve, mundësisht me dorë dhe në ujë të vakët.

    Sigurisht, kjo varet edhe nga koha që keni në dispozicion dhe nga mënyra se si i përdorni.

    Mos i thani në radiator ose në diell të fortë

    Rregulli i pestë lidhet me tharjen. Shmangni tharjen e xhinseve mbi radiator, në diell të drejtpërdrejtë ose në tharëse, përveç rasteve kur etiketa e lejon qartë.

    Temperaturat e larta rrisin rrezikun e tkurrjes dhe deformimit të materialit. Prandaj, kur është e mundur, tharja në ajër të pastër mbetet zgjidhja më e mirë.

    Me pak kujdes, xhinset tuaja të preferuara mund ta ruajnë më gjatë ngjyrën, formën dhe butësinë, pa u shndërruar pas disa larjeve në një rrobë të ngushtuar, të zbehur dhe të ashpër.

  • Hoti: Më 7 qershor, qytetarët do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-të

    Hoti: Më 7 qershor, qytetarët do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-të

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se më 7 qershor qytetarët e Kosovës do të votojnë për partneritetin strategjik të Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.

    Ai ka vlerësuar se ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës.

    Në profilin e tij në Facbook, Hoti ka shkruar se është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

    “Më 7 qershor, qytetarët e Kosovës do të votojnë PËR partneritetin strategjik të Kosovës me BE dhe SHBA. Ky partneritet nuk është vetëm përcaktim ekonomik dhe politik i Kosovës, është ekzistencial për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Hoti.

    Në statusin e tij të gjatë, ai ka treguar për marrëveshjet e rëndësishme që qeveritë e mëhershme kanë nënshkruar me BE-në dhe SHBA-të.

    “Pas shpalljes së pavarësisë më 2008, qeveritë e njëpasnjëshme kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik të Kosovës me aleatët perëndimorë. Në këto marrëveshje hyjnë partneritetet bilaterale, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe FMN, dhe marrëveshjet e borxhit shtetëror për projekte strategjike etj. Në mesin e këtyre marrëveshjeve, dy janë kryesoret, që mund të konsiderohen marrëveshje historike pasi e kanë përcaktuar partneritetin afatgjatë të Kosovës me aleatët euro-atlantikë, e para me BE-në dhe e dyta me SHBA-në”, ka shkruar ai.

  • Ramush Haradinaj përkujton Agron Rrahmanin: Hero që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut

    Ramush Haradinaj përkujton Agron Rrahmanin: Hero që jetën ia kushtoi lirisë së atdheut

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar Agron Rrahmanin në përvjetorin e rënies së tij heroike.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i Aleancës thotë se Rrahmani jetën e tij ia kushtoi lirisë së atdheut dhe mbeti përjetësisht simbol i sakrificës dhe atdhedashurisë.

    “Më 12 maj 1998, pushkët e luftëtarëve të lirisë kumbuan në Anadrini. Betejat në Ratkoc, Vrajakë, Bratotin dhe Malësi të Vogël shënuan një kapitull të ri të Luftës Çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut. Jo rastësisht, 12 Maji shënohet si Dita e Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai përkujtoi edhe Milaim Krasniqin, Elmi Morinën e Bedrush Gashin.

    “Atë ditë ranë heroikisht Milaim Krasniqi dhe Elmi Morina. Një vit më pas, ra dëshmor edhe një nga luftëtarët më të dalluar të Anadrinisë, Bedrush Gashi. Lavdi të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës ndër breza”.

  • Starmer përballet me ditën e tij më të vështirë

    Starmer përballet me ditën e tij më të vështirë

    Këtë mëngjes, kabineti i kryeministrit anglez,Keir Starmer është i ndarë në çështjen më themelore politike me të cilën mund të përballet ndonjëherë grupi më i lartë i ministrave të qeverisë: nëse ai duhet të vazhdojë mandatin.

    Është e qartë se një kabinet i ndarë në këtë drejtim është i paqëndrueshëm. Ose ministrat e kabinetit duhet të japin dorëheqjen apo të shkarkohen, ose vetë kryeministri duhet të largohet, shkruan BBC.

    Mbrëmë, ministrat shkuan për të takuar Starmer dhe ai u prit me një sërë këshillash. Disa thanë se ai duhet të vazhdojë të luftojë. Disa thanë se ai duhet të caktojë një afat kohor për largimin e tij. Dhe të tjerë, ndërsa ai peshonte mundësitë e tij, u përpoqën ta ndihmonin të mendonte se si mund të përballonte skenarin me të cilin përballet tani.

    Një digë duket se është thyer, me deputetët laburistë që deklarojnë publikisht humbjen e besimit të tyre tek kryeministri me aq shpesh sa ndonjëherë mund të jetë e vështirë t’i numërosh.

  • Trump ‘po e shqyrton seriozisht bërjen e Venezuelës shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara’

    Trump ‘po e shqyrton seriozisht bërjen e Venezuelës shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara’

    Presidenti Donald Trump i tha Fox News të hënën se ai “po e shqyrton seriozisht bërjen e Venezuelës shtetin e 51-të” pasi rrëmbeu presidentin e vendit Nicolas Maduro.

    Korrespondenti i Fox News për Kongres, Bill Melugin, raportoi të hënën në mëngjes se Trump kishte folur me prezantuesin e Fox News, John Roberts dhe kishte thënë se ai “po e shqyrton seriozisht bërjen e Venezuelës shtetin e 51-të të SHBA-së”.

    Presidenti thuhet gjithashtu se i tha Roberts se “Venezuela e do Trumpin”, përpara se të vinte në dukje se vendi kishte 40 trilionë dollarë naftë, transmeton Telegrafi.

    Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u rrëmbye nga forcat amerikane dhe u dërgua në New York, ku aktualisht është i burgosur, gjatë një operacioni ushtarak në janar.

    Venezuela aktualisht drejtohet nga presidentja në detyrë Delcy Rodriguez, e cila më parë kishte shërbyer si zëvendëspresidente e Venezuelës deri në rrëmbimin e Maduros.

    Pas operacionit ushtarak, Trump bëri një postim tallës në mediat sociale duke e deklaruar veten si presidenti i ri i Venezuelës.

    Trump njoftoi gjithashtu se do të shiste naftën e Venezuelës dhe se paratë do të kontrolloheshin personalisht prej tij.

    “Jam i kënaqur të njoftoj se Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do t’i dorëzojnë Shteteve të Bashkuara të Amerikës midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar me cilësi të lartë”, u mburr ai.

    “Kjo naftë do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe ato para do të kontrollohen nga unë, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që përdoren në dobi të popullit të Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

    Në shkurt, Trump vlerësoi Rodriguezin, duke përgëzuar presidentin në detyrë të Venezuelës për “një punë të shkëlqyer” në dorëzimin e naftës së vendit te SHBA-të.

    “Delcy ka bërë një punë shumë, shumë të mirë dhe marrëdhënia është e fortë. Nafta po del dhe shumë para po paguhen për naftë nga kombe të tjera”, tha ai.