ATV

Blog

  • Njollë kafe në lëkurë? Shenjat që tregojnë se duhet marrë seriozisht

    Njollë kafe në lëkurë? Shenjat që tregojnë se duhet marrë seriozisht

    Shumica e njollave kafe lidhen me diellin, moshën ose ndryshimet hormonale, por ndryshimi i formës, madhësisë, ngjyrës apo gjakderdhja kërkon kontroll dermatologjik

    Njollat kafe në lëkurë janë shumë të zakonshme. Pothuajse çdo njeri, në një moment të jetës, mund të zhvillojë ndonjë formë të tyre. Në shumicën e rasteve ato janë shenja të padëmshme të ekspozimit në diell dhe të plakjes së lëkurës, por ndonjëherë mund të tregojnë edhe gjendje më serioze shëndetësore.

    Kjo hiperpigmentim ndodh kur trupi prodhon më shumë melaninë, gjë që shkakton paraqitjen e njollave ose zonave më të errëta në lëkurë.

    “Çdo ditë shoh njolla kafe në praktikë dhe pothuajse te çdo pacient. Gati çdo person ka ndonjë lloj njolle kafe, zakonisht nishane ose njolla nga dielli”, thotë dr. William Kwan, dermatolog i certifikuar në Golden State Dermatology në Kaliforni.

    Dr. Elizabeth Rubin, mjeke e certifikuar e mjekësisë emergjente në një spital në Los Angeles, thekson se çelësi është dallimi ndërmjet njollave të qëndrueshme, me ngjyrë të njëtrajtshme, dhe atyre që me kalimin e kohës ndryshojnë ngjyrë, madhësi ose formë. Këto të fundit kërkojnë vlerësim mjekësor.

    Shkaqet e njollave kafe në lëkurë

    Njollat kafe mund të paraqiten në disa forma, secila me karakteristika të veçanta. Dermatologët më shpesh shohin këto lloje:

    Njollat e moshës ose njollat nga dielli

    Shkaku më i zakonshëm i njollave kafe është ekspozimi në diell. “Ekspozimi i grumbulluar në diell dhe rrezitja çojnë në shumë njolla kafe në pjesët e lëkurës që janë të ekspozuara”, thotë dr. Kwan.

    Këto njolla të sheshta zhvillohen pas ekspozimit në diell dhe mund të kenë nuanca të ndryshme kafeje, të nxira ose të zeza. Zakonisht shfaqen në fytyrë, duar, shpatulla dhe pjesën e sipërme të krahëve.

    “Rrezatimi UV nxit prodhimin e tepërt të melaninës në zona të caktuara, duke krijuar ato njolla karakteristike të errëta. Edhe plakja luan rol të rëndësishëm, sepse mekanizmat natyrorë të riparimit të lëkurës dhe shpërndarja e pigmentit bëhen më pak efikasë me kalimin e kohës”, shpjegon dr. Elizabeth Rubin.

    Nishanet

    Pothuajse të gjithë kanë nishane, njolla kafe, shpesh pak të ngritura, që mund të shfaqen kudo në trup.

    Dr. Kwan thotë se nishanet janë ndër llojet më të shpeshta të njollave kafe që kanë njerëzit.

    Edhe pse shumica e nishaneve janë plotësisht beninje, çdo nishan që ndryshon madhësi, formë ose ngjyrë duhet të kontrollohet nga dermatologu.

    Pikat e diellit dhe qukat

    Qukat janë njolla të vogla kafe, me prirje trashëgimore, të cilat bëhen më të dukshme pas ekspozimit në diell.

    Ato janë të sheshta, zakonisht kafe të çelëta, dhe shfaqen shpesh në pjesët e trupit që preken më shumë nga dielli, si fytyra, shpatullat dhe duart.

    Më shpesh vërehen te njerëzit me lëkurë të çelët dhe me flokë më të hapur.

    Melasma

    Edhe luhatjet hormonale mund të shkaktojnë një lloj të veçantë pigmentimi kafe, që quhet melasma.

    “Shtatzënia, menopauza ose përdorimi i pilulave kontraceptive mund të çojnë në melasmë, një lloj pigmentimi kafe që shpesh shfaqet në faqe ose në ballë”, shpjegon dr. Rubin.

    Kjo formë hormonale e hiperpigmentimit prek shumë gra dhe mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

    Hiperpigmentimi pas inflamacionit

    Ky lloj hiperpigmentimi shfaqet kur lëkura errësohet pas një dëmtimi ose inflamacioni.

    “Aknet janë shkak i shpeshtë i hiperpigmentimit, ashtu si çdo lloj dëmtimi i lëkurës”, thotë dr. Rubin.

    Këto njolla të errëta mund të mbeten edhe pasi lëkura të jetë shëruar nga djegiet, prerjet, gërvishtjet, ekzema ose irritime të tjera.

    Ndryshimi i ngjyrës i lidhur me barnat

    Disa barna mund ta rrisin ndjeshmërinë ndaj diellit dhe të ndikojnë në ndryshime të pigmentimit.

    Sipas dr. Rubin, barnat antiinflamatore josteroide, disa antibiotikë dhe disa barna kimioterapie mund të çojnë në shfaqjen e njollave kafe.

    “Këto lloje barnash mund edhe t’i përkeqësojnë njollat kafe. Faktorët e stilit të jetesës, si pirja e duhanit, ekspozimi i tepërt në diell dhe mbrojtja e pamjaftueshme nga dielli, e përshpejtojnë zhvillimin e njollave kafe në të gjitha kategoritë”, shton dr. Kwan për Healthy.

    Shkaqe të rralla, por serioze të njollave kafe

    Edhe pse shumica e njollave kafe janë të padëmshme, ekzistojnë edhe disa shkaqe më të rralla që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.

    “Sëmundja Addison, çrregullim i gjëndrave mbiveshkore, mund të shkaktojë errësim të lëkurës, sidomos në palosjet e lëkurës ose në pikat e presionit. Kjo lidhet me faktin se gjëndrat mbiveshkore nuk prodhojnë mjaftueshëm hormone”, shpjegon dr. Kwan.

    Hemokromatoza, gjendje që lidhet me grumbullimin e tepërt të hekurit në organizëm, mund t’i japë lëkurës pamje bronzi.

    Edhe disa gjendje gjenetike, si sindroma Peutz-Jeghers, shkaktojnë njolla karakteristike kafe ose të ngjashme me quka rreth gojës ose në mukozë.

    Problemet metabolike po ashtu mund të shfaqen përmes ndryshimeve në lëkurë.

    “Diabeti mund të shkaktojë acanthosis nigricans, që është errësim i lëkurës me pamje të butë, si kadife, zakonisht në qafë, sqetulla dhe ije”, thotë dr. Rubin.

    Insuficienca akute dhe kronike e mëlçisë gjithashtu mund të çojë në hiperpigmentim.

    “Këta janë vetëm disa shembuj, prandaj nëse dikush fillon të vërejë shenja të njollave të reja kafe në moshë të rritur, do të ishte e mençur të konsultohej me dermatolog të certifikuar”, thotë dr. Kwan.

    Kur njollat kafe mund të sinjalizojnë kancer të lëkurës

    Çdo nishan që ka ndryshuar madhësi, formë ose ngjyrë duhet të kontrollohet nga dermatologu, theksojnë të dy ekspertët.

    “Çdo njollë që rritet shpejt, bëhet e dhimbshme, krijon kore ose gjakos spontanisht duhet të kontrollohet menjëherë nga mjeku ose dermatologu”, paralajmëron dr. Rubin.

  • Sezoni i gjashtë i “La Casa De Papel” po vjen? Paralajmërimi që bëri lëmsh rrjetin

    Sezoni i gjashtë i “La Casa De Papel” po vjen? Paralajmërimi që bëri lëmsh rrjetin

    Interesimi për një vazhdim të “La Casa de Papel” (“Money Heist”) është rritur sërish në ditët e fundit, pas diskutimeve online dhe një “teaser”-i të Netflix-it që ka ndezur spekulimet se universi i serialit mund të rikthehet me një kapitull të ri.

    Fansat po pyesin hapur: a do të ketë “Money Heist” sezoni i gjashtë, apo Netflix do ta çojë françizën në një drejtim tjetër me histori të reja dhe personazhe të rinj?

    Çfarë dihet për sezonin e gjashtë?

    Netflix ka bërë të qartë se po zgjeron universin “Money Heist”, por jo në formën e një sezoni të gjashtë të drejtpërdrejtë që vazhdon rrëfimin origjinal ashtu siç përfundoi në vitin 2021.

    Platforma flet për një ‘fazë të re’ të françizës, duke lënë të kuptohet se mund të kemi projekte të tjera ose kapituj të rinj që mbajnë të njëjtin ‘shpirt revolucionar’, por jo domosdoshmërisht të njëjtën strukturë si seriali i parë.

    Netflix publikoi një paralajmërim ku shfaqen pamje të njohura nga grabitjet ikonike në Royal Mint dhe Bankën e Spanjës, i shoqëruar me mesazhin “the revolution never ends” (“revolucioni nuk mbaron kurrë”).

    Edhe pse videoja nuk konfirmon qartë një sezon të ri, ajo mbyllet me një moment që ka bërë fansat të flasin shumë: një skenë ku sugjerohet se zbulohet/zbërthehet një shufër ari e fshehur.

    Ky detaj i vogël ka ndezur teori se historia mund të rikthehet në periudhën pas grabitjes së arit, duke hapur rrugë për një vazhdim apo një tjetër grabitje të madhe.

    A do të rikthehet Profesori dhe ekipi origjinal?

    Thuhet se nuk ka ende një listë zyrtare kasti për një sezon të mundshëm të gjashtë.

    Fansat, natyrisht, shpresojnë që nëse do të ketë vazhdim direkt, të rikthehet edhe Alvaro Morte në rolin e Profesorit, sepse ai është figura qendrore e gjithë rrëfimit.

    Megjithatë, paralajmërimi lë të kuptohet se ‘fryma e revolucionit’ mund të vazhdojë edhe nëse françiza ecën përpara me personazhe të rinj, duke ruajtur tensionin, rebelimin dhe dinamika të ndërlikuara marrëdhëniesh – elementë që e kanë bërë serialin aq të suksesshëm.

    Në kast përmenden edhe Michelle Jenner, Tristan Ulloa dhe Begona Vargas.

    Sipas përshkrimit, sezoni i dytë do të lidhet me grabitjen e quajtur “Lady with an Ermine” (Zonja me hermelinë), e cila paraqitet si një episod kyç që mund të shërbejë si urë drejt zhvillimeve të reja në universin “Money Heist”, duke shfaqur një anë më të rrezikshme dhe më hakmarrëse të botës së grabitjeve.

    Kur dhe ku shfaqet?

    Sipas informacionit të dhënë, “Berlin” Season 2 pritet të shfaqet globalisht më 15 maj 2026, dhe do të jetë i disponueshëm në Netflix, si pjesa tjetër e projekteve të kësaj.

    Detaje të tjera për ‘fazën e ardhshme’ të “Money Heist” pritet të bëhen më të qarta pas premierës së “Berlin”.

     

  • “Takimi Kurti – Mickoski”, Bimo: Kjo nuk e ndihmon faktorin shqiptar

    “Takimi Kurti – Mickoski”, Bimo: Kjo nuk e ndihmon faktorin shqiptar

    Ish-ambasadori Roland Bimo ka deklaruar se pozicionimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pranë kryeministrit të Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, nuk ndihmon në uljen e tensioneve etnike në vend.

    Duke folur në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bimo tha se ekuilibrat etnikë në Maqedoninë e Veriut janë shumë të ndjeshëm dhe se veprime të tilla mund të kenë pasoja negative për faktorin shqiptar në këtë shtet.

    “Në RMV ekuilibrat etnikë janë shumë të brishtë dhe ka një frikë të jashtëzakonshme, sepse ata mendojnë se të gjitha minoritetet kanë shtete pas tyre dhe minoriteti real janë ata. Këto lloj manovrash më shumë bëjnë dëm se mirë dhe do t’ia ndiejmë pasojat negative”, është shprehur Bimo.

    Ai vlerësoi se kjo situatë mund të ndikojë në thellimin e ndarjeve etnike dhe të krijojë tensione të reja politike në vend.

    “Do të shkojë duke u theksuar një çarje etnike. RMV është vendi ideal për të krijuar probleme për këdo që do të donte t’i krijonte. Kjo që pamë nuk ndihmon në sheshimin e kontradiktave mes etnive”, tha ai.

    Sipas Bimos, faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka më pak përfaqësim politik krahasuar me periudhat e mëhershme.

  • Shqipëria e treta për të ardhurat për frymë në rajon, Kosova e fundit

    Shqipëria e treta për të ardhurat për frymë në rajon, Kosova e fundit

    Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po hyjnë në një fazë të re zhvillimi, me rritje të vazhdueshme të të ardhurave për frymë dhe afrimin gradual me standardet ekonomike të Bashkimit Evropian.

    Sipas projeksioneve të fundit ndërkombëtare, Serbia dhe Mali i Zi vazhdojnë të mbajnë vendet e para në rajon për nivelin e të ardhurave për frymë, ndërsa Shqipëria renditet e treta në rajon për të ardhurat për frymë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.

    Rritja ekonomike në Shqipëri lidhet kryesisht me stabilitetin fiskal, zgjerimin e sektorit të turizmit dhe rritjen e investimeve.

    Ndërkohë, siç raporton Tv.Klan.al, Kosova mbetet ekonomia me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon, por parashikohet të ketë ritmin më të shpejtë të rritjes në vitet e ardhshme, sidomos nëse vazhdojnë investimet në teknologji, arsim dhe klimën e biznesit.

  • Sa të shqetësuar duhet të jemi për hantavirusin?

    Sa të shqetësuar duhet të jemi për hantavirusin?

    Pasagjerët nga anija turistike e goditur nga një shpërthim i hantavirusit po evakuohen dhe po dërgohen në vendet e tyre të origjinës për t’u izoluar dhe për të marrë trajtim mjekësor nëse është e nevojshme.

    Disa pasagjerë të tjerë nga MV Hondius u nisën në fluturime ose lidhje të mëparshme, dhe kontaktet e tyre tani po gjurmohen si masë paraprake.

    Zyrtarët thonë se rreziku i përhapjes së infeksionit në publikun e gjerë mbetet i ulët.

    Ekuipazhi dhe pasagjerët tani përballen me vetëizolimin për më shumë se një muaj për të shmangur çdo përhapje të mundshme.

    Tre vdiqën ose në bord ose pasi udhëtuan në anije, e cila u nis nga Argjentina një muaj më parë. Katër të tjerë u evakuuan nga anija për trajtim mjekësor. Pra, sa të shqetësuar duhet të jemi?

    ‘Ky nuk është Covid’

    Në një përditësim të enjten, Dr. Maria Van Kerkhove nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi se nuk ishte fillimi i një pandemie, duke thënë: “Ky nuk është Covid, ky nuk është grip, përhapet shumë, shumë ndryshe”.

    Ndryshe nga sëmundje të tilla si fruthi, të cilat janë shumë ngjitëse dhe përhapen lehtë, lloji i hantavirusit të Andeve që qëndron pas shpërthimit nuk është aq ngjitës.

    Përhapja nga njeriu te njeriu është e mundur, por rreziku i infeksioneve në nivel global mbetet i ulët, thotë OBSH-ja.

    Në një përditësim të fundit, thuhet se nëntë raste – shtatë të konfirmuara nga testet – janë identifikuar tek njerëzit që ishin në anije. Ende nuk është e qartë se si filloi shpërthimi.

    Hantavirusi zakonisht përhapet nga brejtësit, me njerëz të infektuar duke thithur ajër të kontaminuar me grimca virusi nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e brejtësve.

    Anija turistike kishte vizituar zona të largëta të jetës së egër, kështu që një pasagjer mund të ketë rënë në kontakt me virusin atëherë, ose para se të hipte në anije.

    Ekspertët kanë vëzhguar përhapjen e llojit të Andeve midis pacientëve njerëzorë në shpërthimet e mëparshme, përmes kontaktit shumë të ngushtë, dhe ekspertët e shëndetit besojnë se disa nga infeksionet në bordin e MV Hondius mund të jenë kaluar midis njerëzve.

    Edhe anijet luksoze turistike kanë kushte jetese relativisht të ngushta ose të kufizuara, me njerëz që ndajnë kabina dhe zona ngrënieje – vende ku infeksionet mund të përhapen.

    Njerëzit mund ta marrin atë nga dikush me të cilin kalojnë kohë të gjatë në afërsi fizike.

    Tre vdekjet përfshijnë një grua holandeze që la anijen MV Hondius kur ajo ndaloi në ishullin e Shën Helenës më 24 prill. Ajo kishte ndarë një kabinë me bashkëshortin e saj, i cili më parë vdiq në bord më 11 prill – megjithëse aktualisht nuk dihet nëse ai është një nga rastet e konfirmuara të hantavirusit.

    Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) thotë se Hantavirusi nuk përhapet në botën e jashtme përmes kontaktit të përditshëm shoqëror si ecja në hapësira publike, dyqane, vende pune ose shkolla.

    Simptomat zakonisht shfaqen midis dy dhe katër javëve pas ekspozimit ndaj virusit, por mund të ndodhin më shumë se një muaj më vonë, prandaj periudha e rekomanduar e izolimit për pasagjerët është kaq e gjatë.

    Njerëzit ose “kontaktet” që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj infeksionit – duke përfshirë në anije, në spital ose në ndonjë nga fluturimet që udhëtarët kanë ndërmarrë – do të monitorohen.

    Puna e gjurmimit të kontakteve që është duke u zhvilluar ka qenë “një përpjekje mjaft gjigante”, tha për BBC-në profesoresha Robin May, drejtoreshë shkencore në UKHSA, dhe një “ne do të vazhdojmë ta bëjmë… për ca kohë”.

    Pasagjerëve që kthehen nga anija turistike do t’u kërkohet të vetëizolohen si masë paraprake.

    Katërmbëdhjetë shtetas spanjollë përballen me karantinë të detyrueshme në një spital ushtarak në kryeqytetin spanjoll.

    Njëzet britanikë janë të izoluar në Spitalin Arrowe Park në Merseyside, pasi fluturimi i tyre me çarter nga Tenerife zbarkoi në Aeroportin e Mançesterit të dielën. Ata do të qëndrojnë atje për 72 orë, përpara se t’u kërkohet të vetëizolohen për 42 ditë të tjera në shtëpi.

    May tha se të gjithë të evakuuarit britanikë ishin “të shëndetshëm dhe asimptomatikë”.

    Duke folur për BBC Breakfast të hënën në mëngjes, ai tha se “mund të na duhet të përditësojmë” periudhën e izolimit “në varësi të asaj që na tregon shkenca”.

    Ai përsëriti se rreziku për ata që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me udhëtimin turistik është “jashtëzakonisht i ulët”.

    Ndërkohë, një pasagjer francez ka shfaqur simptoma të sëmundjes ndërsa po riatdhesohej në Francë.

    Një pasagjer amerikan që udhëtonte për në SHBA ka filluar të shfaqë simptoma të lehta të hantavirusit dhe një tjetër ka rezultuar paksa pozitiv për llojin e Andeve të virusit.

    Të dy pasagjerët “udhëtonin në njësitë e bio-kontrollimit të aeroplanit për shkak të masave të shumta paraprake”, tha Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.

    Njerëzit e sëmurë me llojin e Andeve mund të kenë simptoma të ngjashme me gripin – ethe, lodhje, dhimbje muskujsh. Ata gjithashtu mund të kenë gulçim, dhimbje stomaku, të përziera dhe të vjella ose diarre.

    Ekzistojnë teste për të diagnostikuar infeksionin, por nuk ka trajtim specifik, megjithëse mbështetja e hershme mjekësore në spital mund të përmirësojë mbijetesën. Trajtimi është për simptomat e shfaqura.

  • Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta edhe pak më lirë

    Publikohen çmimet e derivateve për sot, nafta edhe pak më lirë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur përcaktimin e ri të çmimeve të derivateve në vend.

    Sipas njoftimit, një litër naftë sot do të shitet me çmimin 1.60 euro, një cent më lirë se dje.

    Ndërkaq, benzina do të tregtohet me çmim prej 1.50 euro për litër, ndërsa gasi do të kushtojë 0.78 euro për litër.

    Këto çmime vlejnë për ditën e sotme dhe janë përcaktuar nga autoritetet kompetente në kuadër të monitorimit të tregut të derivateve.

  • 47 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, një me fatalitet

    47 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, një me fatalitet

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 20 aksidente me të lënduar dhe 26 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2027 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 11 persona, 6 i ka dërguar në mbajtje dhe tre në vuajtje të dënimit.

  • Eurovision 2026 nis sonte – bojkotohet nga pesë vende për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

    Eurovision 2026 nis sonte – bojkotohet nga pesë vende për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit

    Eurovision 2026 nis ditën e sotme (e martë).

    Gjysmëfinalja e parë e Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte në Vjenë.

    Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda po e bojkotojnë Festivalin e Këngës në Eurovision të këtij viti në shenjë proteste për shkak se organizatorët lejuan Izraelin të merrte pjesë.

    Gjatë kësaj jave, në kryeqytetin austriak janë planifikuar disa demonstrata pro-palestineze dhe masat e sigurisë janë rritur.

    Oficerë policie nga e gjithë Austria janë vendosur në Vjenë, me mbështetjen e forcave nga Gjermania fqinje.

    Shqetësim shtesë u shkaktua nga rasti i një austriaku 21-vjeçar i cili u deklarua fajtor për planifikimin e një sulmi në koncertin e Taylor Swift në Vjenë në vitin 2024.35 vende po luftojnë për fitoren.

    Në gjysmëfinalen e parë në sallën ‘Wiener Stadthalle’, do të performojnë 15 interpretues, ndër ta edhe këngëtari izraelit Noam Bettan, i cili po përpiqet të sigurojë një vend në finale me këngën “Michelle”.

    10 më të mirët e së martës dhe 10 të tjerë nga gjysmëfinalja e dytë, e cila do të mbahet të enjten, më 14 maj, kalojnë në finale.

    Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia kanë siguruar tashmë një vend në finale si financuesit më të mëdhenj të garës, ndërsa Austria është direkt në finale si fituese dhe pritëse e vitit të kaluar.

    Ndër favoritët për një renditje të lartë, spikat Finlanda me këngën “Liekinheitin”, ndërsa po tërheqin vëmendjen edhe përfaqësuesi grek Akylas, grupi portugez Bandidos do Cante dhe Senhit nga San Marino.

    Unioni Evropian i Transmetimeve, pas akuzave të vitit të kaluar për manipulim votash, ndryshoi rregullat e votimit dhe e përgjysmoi numrin maksimal të votave për person në 10, me masa shtesë kundër votimit të dyshimtë ose të koordinuar.

  • Kapen materiale me mbishkrime nxitëse në veturën e një shtetasi të Serbisë në Merdarë

    Kapen materiale me mbishkrime nxitëse në veturën e një shtetasi të Serbisë në Merdarë

    Një shtetasi të Serbisë në Merdarë i janë gjetur materiale me mbishkrime nxitëse.

    Policia bën të ditur në raportin 24-orësh, se rasti është raportuar pasditen e së hënës dhe mbishkrimet janë gjetur në veturën e tij.

    “Gjatë kontrollit në veture janë gjetur dhe konfiskuar materiale me mbishkrim nxitës. Me vendim të prokurorit pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është kthyer në drejtim të Serbisë.

  • Dëmtohet vetura zyrtare e gjykatëses në Prishtinë, policia nis hetimet

    Dëmtohet vetura zyrtare e gjykatëses në Prishtinë, policia nis hetimet

    Një rast i dëmtimit të pronës është raportuar të hënën mbrëma në Prishtinë, ku cak i sulmit ka qenë vetura zyrtare e një gjykatëseje.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 20:00. Viktima, një femër kosovare me profesion gjykatëse, ka raportuar se një person i panjohur i ka vendosur një gur mbi veturën zyrtare, duke shkaktuar dëme materiale.

    Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti është iniciuar dhe po hetohet.

    “Prishtinë 11.05.2026-20:00. Viktima femër kosovare (gjykatëse), ka raportuar se një person i panjohur, në veturën zyrtare i ka vendosur një guri mbi veturë duke ia dëmtuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”.