ATV

Blog

  • Rama për ndalimin e muralit të Nënë Terezës: Kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit?

    Rama për ndalimin e muralit të Nënë Terezës: Kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit?

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka folur lidhur me ndalimin e vendosjes së muralit për Nënë Terezën, i cili ishte planifikuar të realizohej sot në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Rama ka deklaruar se projekti ka marrë lejen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe ka kaluar të gjitha fazat ligjore, ndërsa ka akuzuar se po tentohet të pengohet në mënyrë joligjore instalimi i muralit.

    Ai tha se punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin e Nënë Terezës në objektin e Ministrisë së Ekonomisë dhe se kjo duhet të bëhet.

    “Punëtorët e kanë urdhrin për ta instaluar muralin e nëse provojnë jashtëligjshëm, atëherë normal që do të ballafaqohemi me ta”, tha Rama.

    “Kjo është e papranueshme, është e patolerueshme. Pra kemi një proces diktatorial të kësaj qeverie që e kemi parë tash e sa vite bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit, duke filluar me sheshin, me rrugën A, Xhym Xhema, duke vazhduar me nënkalimin Agim Ramadani, me ishullin urban e me shumë e shumë projekte të tjera pra me të cilat jemi ballafaquar edhe bulevardin Xhorxh Bush, e tash vazhdojnë me bllokada të jashtëzakonshme. Pra kush janë këta njerëz që lëshojnë urdhra kundër vullnetit të popullit, kundër vendimit të asamblesë, të cilët janë reprezentues të qytetarëve të kryeqytetit, të popullit tonë, e dikush nga lart qenka këtu që po jep urdhër me e ndal këtë projekt madhor për kryeqytetin”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka deklaruar se për vendosjen e muralit janë marrë pesë vendime zyrtare nga institucionet e nivelit lokal.

    Retkoceri ka thënë se Komuna e Prishtinës ka dhënë të gjitha pëlqimet për realizimin e projektit dhe se do të prezantojë dokumentacionin përkatës.

    “Ani pse këtu do të duhej të ishim me shpalosjen e mozaikut të Nënës Terezë ashtu siç ka qenë e njoFtuar nga autori i cili e ka bashkëngjit një projekt ku ka kërkuar nga komuna e Prishtinës mbështetje dhe këtu do tu prezantojë të gjitha faktet dhe dokumentet që janë plot pesë vendime zyrtare nga insittucionet e nivelit local të cilat i kanë marrë të gjitha pëlqimet për vendosjen e këtij murali. Të jemi të qartë Komuna e Prishtinës administron dhe jep pëlqime dhe lejet për të gjitha fasadat e objekteve në kryeqytet në bazë të rregullores dhe legjislacionit në fuqi”, ka thënë ai.

  • Shiroka-Pula: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës, historia nuk mund të shkëputet nga e drejta për liri

    Shiroka-Pula: UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës, historia nuk mund të shkëputet nga e drejta për liri

    Presidentja Justina Shiroka Pula ka përcjellë një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, duke përkujtuar ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Në mesazhin e saj, ajo e cilësoi 28 Nëntorin si ditë të kujtesës, krenarisë dhe nderimit për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

    Presidentja theksoi se dalja e parë publike e UÇK-së shënoi një kapitull të ri në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë.

    Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Shiroka Pula tha se duhet të ruhet thelbi i historisë, duke theksuar se UÇK-ja luftoi për lirinë e Kosovës.

    “Përpjekja e një populli për të jetuar i lirë nuk mund të trajtohet si krim. Historia e një populli nuk mund të shkëputet nga e drejta e tij për liri”, thuhet në mesazhin e saj.

    Në fund, ajo përkujtoi Adem Jasharin dhe të gjithë ata që u flijuan për Kosovën, duke i cilësuar si pjesë të përhershme të kujtesës kombëtare.

    “Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim luftës për liri!”, përfundoi mesazhin presidentja.

  • Festa e Pavarësisë, Rama: Me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar

    Festa e Pavarësisë, Rama: Me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar

    Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që urimin për këtë 28 nëntor, në ditën e Pavarësisë së 114, ta lidhë me aspiratën për anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendit.

    Në një postim të bërë mëngjesin e sotëm në Facebook, Rama thotë se ky është 28 Nëntori më të afërt me Europën e Bashkuar.

    “MIRËMËNGJES, dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, shkruan Rama.

  • Rubio uron Shqipërinë për 28 Nëntorin: ShBA-ja synon forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe politikë të jashtme

    Rubio uron Shqipërinë për 28 Nëntorin: ShBA-ja synon forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe politikë të jashtme

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë një mesazh urimi për popullin shqiptar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në mesazhin e tij, Rubio nënvizon rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve, të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet mes qytetarëve. Ai thekson se Uashingtoni mirëpret zgjerimin e bashkëpunimit me Tiranën në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

    Një pjesë të rëndësishme të mesazhit, sekretari amerikan ia kushton luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës, duke vlerësuar përpjekjet e përbashkëta për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.

    Rubio ndalet edhe te siguria kibernetike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e kërcënimeve në këtë fushë dhe forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë, transmeton GazetaExpress.

    Në përfundim, kreu i diplomacisë amerikane shpreh gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të thelluar më tej marrëdhëniet me Shqipërinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

    “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë.

    Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie të fortë të ndërtuar mbi sigurinë kolektive, prosperitetin ekonomik dhe lidhjet midis njerëzve. Ne mirëpresim thellimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara në çështje kyçe të mbrojtjes dhe politikës së jashtme.

    Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt, duke përfshirë edhe përpjekjet e përbashkëta për t’u përballur me kërcënimet që paraqesin grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to. Ne gjithashtu i vlerësojmë përpjekjet tona të përbashkëta për t’iu përgjigjur kërcënimeve kibernetike, ndërsa Shqipëria rrit aftësitë e saj të sigurisë kibernetike.

    Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të thellojmë të gjitha aspektet e marrëdhënies sonë të dobishme reciprokisht”, shprehet ai.

  • Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë

    Shqipëria feston 114-vjetorin e Pavarësisë

    Shqipëria feston këtë 28 nëntor 114- vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.

    Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Ndërkohë po më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.

    469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë. Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.

    Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.

    Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.

    Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. 28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës./Shqiptarja/

  • Shiroka-Pula uron 28 Nëntorin: Flamuri kuq e zi na bashkon përtej kufijve

    Shiroka-Pula uron 28 Nëntorin: Flamuri kuq e zi na bashkon përtej kufijve

    Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka përcjellë urimet e saj me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

    Në mesazhin e saj, ajo ka rikujtuar rëndësinë historike të kësaj date, duke theksuar se më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur.

    Shiroka-Pula ka vënë në pah se flamuri kombëtar simbolizon bashkimin e shqiptarëve kudo që jetojnë, përtej kufijve shtetërorë, duke ruajtur gjuhën, historinë dhe identitetin e përbashkët.

    Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për nderimin e atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e atdheut, si dhe për ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm.

    Në fund të mesazhit, presidentja ka uruar të gjithë shqiptarët:

    “Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”

  • Ukshini: Kur ne në mëngjes e shajmë UÇK-në, mos të çuditemi kur në Kosovë zbarkojnë ushtarë serbë

    Ukshini: Kur ne në mëngjes e shajmë UÇK-në, mos të çuditemi kur në Kosovë zbarkojnë ushtarë serbë

    Ish ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, ka thënë se derisa ne që në mëngjes zgjohemi dhe e shajmë UÇK-në, në Kosovë zbarkojnë ushtarët serbë.

    Ai ka thënë se ata që kanë kryer krime jetojnë të lirë, ndërsa ata që luftuan për liri gjenden në Hagë.

  • Ndalimi i muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, Ministria e Ekonomisë thotë se u bë me urdhër të Prokurorisë

    Ndalimi i muralit të Nënës Terezë në Prishtinë, Ministria e Ekonomisë thotë se u bë me urdhër të Prokurorisë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës lidhur me ndalimin e vendosjes së muralit kushtuar Nënë Terezës në kryeqytet, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka reaguar duke thënë se ndërhyrjet në murin e jashtëm të objektit të saj janë bërë pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin.

    Rama, në një reagim publik, kishte thënë se Komuna e Prishtinës kishte dhënë leje për vendosjen e muralit dhe kishte kërkuar nga Policia të bëjë të ditur se kush e dha urdhrin për ndalimin e punimeve, pasi, sipas tij, policët kishin deklaruar se urdhri kishte ardhur “nga lart”.

    Ai kishte kërkuar gjithashtu sqarime për bazën ligjore të ndërhyrjes dhe nëse kishte pasur presion politik mbi Policinë.

    Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë, në një reagim ndaj asaj që i cilësoi si informata të pasakta të publikuara në media, ka dhënë versionin e saj për zhvillimet.

    Sipas Ministrisë, Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim më 28 shtator 2026 për realizimin e projektit në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa konsultuar apo njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.

    Ministria pretendon se ky pëlqim është i kundërligjshëm dhe nuk është nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës.

    Ajo thekson se më 20 nëntor, përfaqësues të Komunës, përmes një kontraktori privat, kanë ndërhyrë në murin e objektit pa vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve, larguar një baner informues të Ministrisë dhe shkaktuar dëme materiale.

    Ministria bën të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësues të Komunës janë paraqitur sërish të premten, më 27 nëntor, rreth orës 06:00, me makineri ngritëse për të vazhduar punimet.

    Pas njoftimit nga Ministria, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe i ka ndaluar punimet.

    Në reagim, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se nuk e kundërshton realizimin e veprës artistike kushtuar Nënë Terezës, por se kundërshtimi i saj lidhet me mënyrën e ndërhyrjes në objekt, mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe respektimin e vendimit të Prokurorisë.

    “Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

    Në fund, Ministria i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të respektojë vendimin e Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.

  • Pse bëri bujë takimi mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë në Kosovë?

    Pse bëri bujë takimi mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë në Kosovë?

    Një takim mes përfaqësuesve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atyre të Ushtrisë së Serbisë në Prishtinë, nxiti reagime të shumta në Kosovë.

    Megjithatë, takimi i 26 nëntorit nuk është i pari që ushtarakët serbë zhvillojnë në Kosovë me homologët e tyre nga KFOR-i, teksa ato në Serbi janë edhe më të shpeshta dhe zhvillohen që nga viti 2001.

    KFOR-i publikoi fotografi ku u shfaqën ushtarakë serbë në uniforma në kampin e misionit në Prishtinë, teksa misioni tha se me homologët serbë mban raport të bazuar në profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, “duke bërë ndërmjetësim të ndërsjellë dhe komunikim për të gjitha çështjet me vijën administrative kufitare dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake”.

    KFOR-i e përmbylli njoftimin e publikuar në rrjetet sociale me disa hashtag, përfshirë #AsOneTeam (Si ekip i vetëm).

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KFOR tha se ky ishte “takim i rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët të Zbatimit të KFOR-it (JIC) dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF)”.

    Sipas tyre, këto takime janë “rutinë dhe synojnë që palët të mbahen të informuara dhe të komunikojnë në kohë e në mënyrë efektive”. Ata kanë shtuar se gjatë viteve, takimet janë mbajtur në vende të ndryshme, përfshirë edhe selinë e KFOR-it.

    Duke shtuar se KFOR-i mban komunikim të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare, KFOR tha se ky komunikim është “thelbësor për të parandaluar keqkuptimet, për të ulur rrezikun e tensioneve dhe për të trajtuar shqetësimet e mundshme të sigurisë”.

    “Këto marrëveshje prej vitesh shërbejnë si kornizë për mbajtjen e kontakteve, komunikimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe me sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thanë ata.

    Kritika për mënyrën si KFOR-i prezantoi takimin me ushtrinë serbe

    Përderisa vetë takimi, për Jeta Loshajn nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, është pjesë e një procesi normal të komunikimit mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë, mënyra se si u prezantua publikisht, është problematik.

    Ajo thotë se takime të këtij lloji rëndom zhvillohen pa promovim mediatik, sepse sipas saj, dihet “sa e ndjeshme është kjo temë për qytetarët e Kosovës”.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe e konsideron vendin pjesë të territorit të saj.

    Sipas Loshajt, përdorimi i hashtag-ut #AsOneTeam, nuk ishte gjest “as i ndjeshëm e as i përshtatshëm”, duke argumentuar se Ushtria serbe “nuk është pjesë e ‘ekipit’ të Kosovës, por është palë të cilës, në bazë të marrëveshjes së Kumanovës i ndalohet të hyjë në territorin e Kosovës pa leje përkatëse nga KFOR-i”.

    “Dua te besoj se ishte gabim komunikimi dhe jo pjesë e ndonjë qëllimi politik. Megjithatë, një gabim i tillë ka kosto, sepse cenon pikërisht besimin që KFOR-i ka ndërtuar me vite te qytetarët e Kosovës”, thotë ajo për REL.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje qeverisë së Kosovës se a kishin informacione paraprakisht, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

    Megjithatë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, publikisht paraqiti kritika për këtë takim.

    Ndonëse tha se nuk e vë në dyshim rëndësinë e komunikimit mes KFOR-it dhe ushtarakëve serbë për parandalimin e incidenteve, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën “e respektit të ndërsjellë”, dhe, sipas tij, “pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”.

    “Kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe. Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, shkroi ai në rrjetet sociale.

    Bajqinovci, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme. Por, sipas tij, çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën, “duhet të pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”.

    Reagime të shumta pati edhe në rrjetet sociale, ku shumë argumentuan se përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e sheh si territor të saj, ka “zero arsye” që ushtarakët serbë të mirëpriten brenda territorit të Kosovës nga KFOR-i.

    Disa qytetarë e panë si shkelje të sovranitetit të Kosovës, e disa si anashkalim të institucioneve të Kosovës.

    Ndërkaq, Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë argumenton se KFOR-i duhet të jetë i paanshëm dhe shqetësimi real për këtë takim është më shumë te perceptimi dhe besimi ndaj këtij misioni.

    “Por, paanshmëria nuk do të thotë që Ushtria e Serbisë të trajtohet në publik si partner i barabartë në Kosovë. Kjo është ushtria e një shteti që jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por vazhdon të insistojë ndaj aspiratave territoriale ndaj Kosovës, dhe që as sot nuk ka dhënë llogari për Banjskën, e lëre më për krimet kundër njerëzimit gjatë luftës”, thotë ajo, duke shtuar se do të ishte mirë që KFOR-i në të ardhmen të koordinohet më mirë me institucionet e Kosovës.

    Ajo thotë se Kosova duhet të reagojë ndaj takimit me qetësi e pa emocion dhe mesazhi duhet të jetë që komunikimi është i nevojshëm, “por mënyra si promovohet ka rëndësi”.

    “Në Kosovë ka ende kujtesë të freskët për atë që ka bërë kjo ushtri në të kaluarën”, thotë ajo.

    Sipas saj, qytetarët dhe institucionet e Kosovës meritojnë më shumë kujdes dhe që të informohen paraprakisht për takime të tilla.

    “Kjo nuk është çështje lejeje. Është çështje respekti dhe partneriteti. Duhet theksuar edhe se kjo ndodhi vetëm një ditë pasi në Beograd përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë përsëriti qëndrimin se KFOR-i është ‘i vetmi formacion i armatosur legjitim’ në Kosovë. Ky qëndrim synon drejtpërdrejt delegjitimimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë kontekst, një postim me #AsOneTeam rrezikon t’i japë Beogradit material për narrativin e vet”, thotë Loshaj për REL.

    Takimet mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë

    Takimet mes KFOR-it – reaguesit të tretë të sigurisë në Kosovë – dhe Ushtrisë së Serbisë janë të zakonshme. Megjithatë, për dallim nga takimi i 26 nëntorit, takimet e fundit janë mbajtur në Serbi.

    Shembull, më 16 tetor të këtij viti KFOR-i njoftoi se komandanti i misionit, gjeneralmajor Roberto Vergori, ishte takuar me shefin e Ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq. Që atëherë, ky i fundit ka njoftuar për pensionim.

    Ngjashëm, të dy zyrtarët kishin zhvilluar një takim tjetër më 16 nëntor.

    Edhe në këto takime, ajo që bie në sy është përdorimi i hashtag-ut të njëjtë #AsOneTeam.

    Ndërkaq, në një takim të 2 tetorit në Beograd mes Mojsilloviqit dhe komandantit të atëhershëm të KFOR-it, turkut Ozgan Ulutash, ky hashtag nuk ishte përdorur.

    Baza ligjore e këtyre takimeve rrjedh nga Marrëveshje Teknike Ushtarake e arritur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999 dhe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Loshaj kujton se Marrëveshja e Kumanovës përcakton një zonë tokësore sigurie prej 5 kilometrash dhe një zonë ajrore sigurie prej 25 kilometrash. Në këto zona, forcat serbe s’mund të hyjnë pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it, dhe kjo, sipas saj është “pikë e rëndësishme”.

    “Ushtria e Serbisë nuk ka asnjë të drejtë të vijë në Kosovë, përveçse me ftesë dhe me leje të KFOR-it”, thotë Loshaj.

    “Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, takime të rregullta në të gjitha nivelet mbahen që nga viti 2001. Ato zhvillohen sipas parimit të reciprocitetit, me radhë në zonën e përgjegjësisë së secilës palë. Që nga viti 2005 zhvillohen edhe patrullime të njëkohshme në të dy anët e kufirit. Pra, mekanizmi ekziston prej më shumë se dy dekadash dhe ka një funksion konkret, që është kontrolli i kufirit dhe parandalimi i incidenteve”, shton ajo.

    Por, takime mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë vite më parë janë zhvilluar edhe në Kosovë. Loshaj përmend takimet në vitet 2014, 2015 dhe 2016 kur shefi i atëhershëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, ishte takuar me komandantët e KFOR-it në Prishtinë.

    “Në gusht të vitit 2014, komandanti i KFOR-it e priti Dikoviqin në Film City në kuadër të takimeve të nivelit të lartë sipas kësaj marrëveshjeje. Atë ditë u luajt edhe një ndeshje miqësore futbolli mes ekipeve të KFOR-it dhe të ushtrisë serbe në Kampin Bondsteel. Ajo vizitë shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Shkak ishte kryesisht roli i Dikoviqit gjatë luftës në Kosovë”, kujton Loshaj.

    Takime të tjera kishte pasur shembull edhe në një bazë të KFOR-it në Pejë më 2011 dhe 2023.

    Ndër vite, edhe patrullimet e përbashkëta të KFOR-it dhe ushtrisë serbe përgjatë kufirit mes Kosovës dhe Serbisë – që KFOR-i e quan me termin vijë administrative – kanë nxitur reagime të ashpra në Kosovë.

    KFOR-i ka prani ushtarake në Kosovë që nga viti 1999, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që i dha fund luftës së viteve 1998-99.

    Në fillim, në kuadër të misionit të KFOR-it u stacionuan rreth 50.000 trupa, por aktualisht janë 4.659.

    Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.

  • Policia parandalon kontrabandën me ujëmatës mekanikë, dyshohet se po silleshin nga Serbia në Kosovë

    Policia parandalon kontrabandën me ujëmatës mekanikë, dyshohet se po silleshin nga Serbia në Kosovë

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku janë sekuestruar 191 ujëmatës mekanikë, me vlerë mbi 9 mijë euro.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar të premten, më 27 nëntor, kur zyrtarët kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet me targa të Serbisë, për të cilin dyshohet se kishte hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore.

    Gjatë kontrollit të automjetit, i cili drejtohej nga një 38-vjeçar me shtetësi të Kosovës dhe Serbisë, janë gjetur 12 pako me gjithsej 191 ujëmatës mekanikë, të destinuar për matjen e konsumit të ujit të ftohtë.

    Policia bëri të ditur se drejtuesi i automjetit nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen e mallrave, vlera e të cilave, sipas çmimeve të tregut, vlerësohet të jetë mbi 9 mijë euro, pa përfshirë detyrimet doganore të shmangura.

    Automjeti dhe mallrat janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në terminalin doganor, ku do të zhvillohen procedurat e mëtejshme ligjore.