ATV

Blog

  • Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe

    Kryeministri Kurti vizitoi familjet e tre policëve të rrëmbyer dje nga forcat serbe

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

    Në Mitrovicë, Kryeministri u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar. Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën.

    Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri.

    Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. Ata e falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

    Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.

    Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që  posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale.

    Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës.

  • Klan Kosova reagon sërish: Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë përmbi qeverisjet

    Klan Kosova reagon sërish: Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë përmbi qeverisjet

    Reagimi i plotë nga Klan Kosova:

    Dje Qeveria e Kosovës filloi sulmin e paprecedentë ndaj fjalës së lirë dhe me këtë edhe sulmin ndaj mediave të lira e që nuk janë nën kontroll të saj. Jo rastësisht sulmi filloi ndaj mediumit më të madh në Republikën e Kosovës, TV Klan Kosova.

    Qeveria me këtë veprim është duke keqpërdorur mekanizmat e shtetit për ta mbytur fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe mediat e pavarura. Këtë, kjo Qeveri, po e bën me vendime që nuk i përkasin një sistemi demokratik. Ne emër të ligjit e Kushtetutës, po ndërmarrin veprime që janë në kundërshtim me të dyja, e për më keq edhe kundër parimeve të demokracisë.

    Vendimi për pëzullimin e certifikates së biznesit të shoqërisë tregtare “KLAN Kosova” nga ARBK në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili na është kumtuar mbrëmë nga ministrja Rozeta Hajdari, është i paprecendtë.

    Vendimi i kësaj Qeverie i referohet një baze jo-relevante ligjore, i mungon pjesa arsyetuese, dhe është marr nga një department i cili nuk ka asnjë kompetencë ligjore në drejtim te nxjerrjes së vendimeve “pezulluese”. Ligji për Shoqëri Tregtare në asnjërin nga nenet e tij NUK përcakton mundësinë ose konceptin e “pezullimit” të një Certifikate të Biznesi të një kompanie në Kosovë! Për më shumë, ushtrimi i veprimtarisë në fushën e shërbimeve mediale audio-vizuale në Kosovë rregullohet sipas Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave. Pra, vendimi, i tëri edhe si përmbajtje ligjore edhe si procedurë ligjore është një huqje që shpërfaq qartazi motivin dhe tendencën për të ndalur fjalën e lirë dhe median e pavarur.

    Klan Kosova ka ndërmarrë menjëherë masat dhe veprimet që të njoftoj gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes dhe të njejtit që nga mbrëmë pa ndalur kanë dal në përkrahje të fjalës së lirë, pavarësisë së mediave e kundër këtij vendimi arbitrar dhe kërcënues.

    Klan Kosova është medium i Kosovës, ka mbi 200 të punësuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 100 mijë orë transmetimi të lajmeve dhe programeve të tjera që promovojnë dhe angazhohen për shoqëri të lirë e demokratike.

    Secili pushtet që tenton t’i luftojë mediat, luftën e ka të humbur pa e filluar. Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë përmbi qeverisjet. Ato nuk mund t’i cenojnë as politikanët e as partitë që i duan mediat platforma të tyre. Këtë s’do ta pranojmë kurrë e kjo asnjëherë s’do të ndodhë. Klan Kosova është e Kosovës e Kosova s’është e një individi e as e një pushteti. Do të vazhdojmë përpara. Edhe më fuqishëm. Pa u trembur asnjëherë.

  • Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

    Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur këtë të enjte në drekë pune nga ambasadori italian, Antonello De Riu.

    LDK-ja njofton se gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale në vend, me theks të veçantë situatën në veri si dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme.

    “Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, thuhet në njoftimin për media.

    Po ashtu, bëhet e ditur se Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të LDK-së si dhe ka falënderuar shtetin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme e gatishmërinë për të ndihmuar në situatën e krijuar.

    “Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve”, thuhet mes tjerash në njoftimin e partisë.

  • Licencimi për garat evropiane, Prishtina: Ende nuk ka vendim

    Licencimi për garat evropiane, Prishtina: Ende nuk ka vendim

    Raportimet e sotme nga mediat se Prishtina edhe zyrtarisht nuk është licencuar për pjesëmarrje në garat evropiane i ka mohuar vet klubi kryeqytetas.

    Përmes një reagimi në faqen zyrtare, KF Prishtina ka bërë të ditur se ende as nuk ka nisur procesi gjyqësor për këtë çështje, derisa kanë shtuar se ky proces është duke u monitoruar edhe nga UEFA, përcjellë KosovaPress.

    Ky është reagimi i plotë i Prishtinës:

    Duam të ju njoftojmë se ky lajm nuk është i vërtetë.

    KAS-i ende nuk ka caktuar as gjyqtarët e procesit, pra nuk ka filluar ende implementimi i gjyqit dhe këtë gënjeshtër nuk mund të kuptojmë ndryshe vetëm se trysni ndaj gjyqit.

    Po ashtu, iu bëjmë me dije se edhe organet e UEFA-së janë të njoftuara për procesin gjyqësor që do ta kemi.

    FC Prishtina do të informoj opinionin në kohë reale për çdo vendim që do të merret.

  • Osmani takon kryeministrin e Luksemburgut: Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet, sfidat do t’i tejkalojë me aleatë

    Osmani takon kryeministrin e Luksemburgut: Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet, sfidat do t’i tejkalojë me aleatë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg është pritur në takim nga kryeministri Xavier Bettel.

    Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë.

    Më tej, Presidentja Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.

    Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

    Presidentja theksoi nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër.

    Presidentja e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave. Njëkohësisht, Presidentja Osmani shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës.

  • ​QKRMT: Ndërkombëtarët të interesohen për vendndodhjen e policëve të rrëmbyer

    ​QKRMT: Ndërkombëtarët të interesohen për vendndodhjen e policëve të rrëmbyer

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtar që të vizitohen policët të cilat janë rrëmbyer nga forcat serbe si dhe të tregohet se ku po mbahen ata.

    Kjo organizatë ka shprehur shqetësim për mungesën e informacionit rreth vendndodhjes dhe gjendjes së zyrtarëve policor.

    “Duke pasur parasysh raportet me Serbinë si dhe kontekstin politik, QKRMT mbetet e shqetësuar për mungesën e informacionit rreth vendndodhjes dhe statusit të tre zyrtarëve policor, andaj me qëllim të parandalimit të torturës dhe çfarëdo forme të keqtrajtimit ndaj tyre, QKRMT u është drejtuar me kërkesë zyrtare mekanizmave ndërkombëtare që të interesohen për vendndodhjen e tre zyrtarëve policor, dhe të njëjtin të vizitohen nga mekanizmat ndërkombëtar”, është bërë e ditur në komunikatën e QKRMT-së.

    QKRMT i ka shkruar edhe Komitetit të Helsinkit në Serbi që të vizitohen tre policët e rrëmbyer.

    “Kërkesat për vizitë të zyrtarëve policor, QKRMT i ka drejtuar tek: Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) si dhe Nënkomiteti për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese (SPT), – mekanizma ndërkombëtar që kanë për mision vizitat në çdo vend ku mbahen personat e privuar nga liria”, është theksuar në komunikatë.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.

    Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./KosovaPress

  • A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    A përfshihen edhe vizat në masat e BE-së ndaj Kosovës – përgjigjet Stano

    Zëdhënësi i BE-së Peter Stano është pyetur nëse edhe liberalizimi i vizave për Kosovën përfshihet në masat e përgatitura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.

    Ai tha se nuk hyn në detaje, por mohoi se ato masa nënkuptojnë sanksione apo masa kufizuese, por tha se janë të përkohshme dhe reagim i BE-së për mosmarrjen e veprimeve siç kërkon BE nga kryeministri Kurti për të qetësuar situatën në veri të vendit.

    “Nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Ne nuk jemi duke i përdorur këto terme që nënkupojnë se masat që janë të bazuara në legjislacionin për të sanksionuar. Kjo s’po ndodh me Kosovën. Këto masa janë instrumente që po përdoren për të treguar që BE është serioze për shtensionim dhe reagim që shtensionimi s’po ndodh. Ne presim nga kryeministri Kurti që të implementojë hapat e nevojshëm për të shtensionuar situatën”.

    Sipas Stanos, këto masa përfshijnë pezullimin e vizitave zyrtare, komitetet, eventet e planifikuara, si dhe bashkëpunimi financiar me Kosovën.

  • ​Hajdari flet për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën

    ​Hajdari flet për pezullimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosovën

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka komentuar sot pezullimin e cerifikatës për televizionin “Klan Kosova”.

    Ajo ka thënë se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit, meqë siç ka thënë ajo, mashtrimi është shumë i madh.

    Ministrja Hajdari ka deklaruar se pezullimi i certifikatës së biznesit ka ndodhur për shkak të dokumentacioneve me adresë të rreme.

    “Detyra e çdo zyrtari publik është të mbrojë Republikën e Kosovës, duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk ka kompromis. Më vjen keq që ka ndodhur në biznes që ushtron veprimtari të informimit publik, pra kjo e bën edhe më të rëndë. Por, siç e dini ARBK trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medias si të tillë trajtohen nga Komisioni Pavarur i Mediave dhe as MINT as qeveria, nuk hap media e as nuk mbyll media. Dhe për më shumë arsyen pse është pezulluar certifikata e biznesit është që të jemi të qartë edhe një herë se dokumentacioni me adresë të rreme, aq më keq me emërtim Gjakovë-Serbi dhe me emërtim Pejë-Serbi është veprim shumë i rëndë përpara ligjit, përpara Kushtetutës dhe aq më shumë mbi të gjitha është shumë e rëndë përpara vendit tonë, ëahtë shumë e papërgjegjshme kjo situatë”, ka thënë ajo.

    Ajo ka shtuar se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është i madh.

    “Në këtë rast e kemi proceduar në organet e hetimit, sepse mashtrimi është tepër i madh. Unë ftoj të gjithë të interesuarit të respektojnë republikën tonë, emërtimet e republikës tonë dhe vazhdojmë tutje së bashku”, ka shtuar Hajdari.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur ditën e djeshme që ka ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” SHPK. Po ashtu, ka shtuar se ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Klan Kosovës, deri në një vendim tjetër.

  • Samarxhiq: Serbisë i duhet Kosova e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet nga e kaluara

    Samarxhiq: Serbisë i duhet Kosova e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet nga e kaluara

    Serbisë i duhet një Kosovë e pavarur për të dalë nga iluzionet dhe gabimet dhe krimet e së kaluarës dhe për të orientuar zhvillimin e saj në të ardhmen në përgjithësi, dhe nuk e shoh të mundur evropianizimin e Kosovës pa evropianizimin e Serbisë, thotë historiani Nikola Samarxhiq.

    “Në këtë kuptim, unë jam i mendimit se Beogradi dhe Prishtina duhet të ushtrohen presion për të përmbushur nevojën tonë të përgjithshme, që nënkupton një të ardhme të afërt në të cilën Bullgaria dhe Rumania do të hyjnë në zonën Shengen, një të ardhme të afërt që do të thotë, shpresoj, disfata e Rusisë në Ukrainë, dhe që përfshin nevojat tona më specifike që të hyjmë gjithashtu në zonën Shengen, që monedhat tona të jenë plotësisht të euroizuara, që të bëjmë biznes pa probleme, të lëvizim dhe të gëzojmë reciprokisht transformimin e kulturës”, thotë ai në një intervistë për Geopost.

    Profesori në Fakultetin Filozofik në Beograd, thekson se kjo tregon se Serbia nuk ka fuqi të mjaftueshme politike relevante dhe se ajo respekton jo vetëm realitetin në të cilin Mali i Zi dhe Kosova janë shtete të pavarura nga Beogradi, por edhe nevojën që Serbia të përcaktojë kufijtë e saj në mënyrë që ato të zhduken në zonën Shengen dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë në vend të një provizor jo të plotë që i përshtatet elementëve radikalë dhe kriminalë dhe Rusisë, dhe se statusi i paplotësimit të bëhet një gjë e së kaluarës për fqinjët e saj, për Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën.

    “Unë shoh gjithashtu lobim të rrezikshëm, nga Beogradi dhe Moska, dhe në Zagreb, në qarqet e së majtës socialiste, pranë patriarkut serb. Derisa t’i vendosen kufij të qartë, Vuçiq nuk do të tërhiqet nga ato synime, të cilat kanë qenë thelbi i politikës serbe në 120 vitet e fundit, të shkaktojë përkohshmëri, paqëndrueshmëri dhe fatkeqësi”, thotë Samarxhiq.

    Kur bëhet fjalë për “protestat kundër dhunës” në Beograd dhe potencialin e tyre për të çliruar forcat reale të ndryshimit në Serbi, profesori Samarxhiq thekson se protestat aktuale në fakt kanë lindur nga një revoltë kundër dy masakrave në Serbi, e cila është një tragjedi për të cilën asnjë shoqëri nuk është mjaftueshëm e përgatitur, por edhe për shkak të reagimeve joadekuate, shpesh çnjerëzore, të autoriteteve dhe të një pjese të madhe të publikut, referuar medias.

    “Këto protesta janë të drejtuara politikisht kundër burimeve më të rëndësishme të dhunës, përkatësisht mediave dhe atyre zyrtarëve shtetërorë më përgjegjës për inkurajimin dhe tolerimin e dhunës, përkatësisht ministrit të policisë (Bratislav Gashiq) dhe kreut të policisë sekrete dhe shërbimit sekret (Aleksandar Vulin)”.

    Samarxhiq thekson se ne po jetojmë në një kohë të dinamikave ekstreme të ndryshimit, kështu që pozita që kemi sot, ose përshtypja që na rrethon sot, mund të mos jetë më e vlefshme për të ardhmen.

    “Në këtë kuptim, shpresoj që ndryshimet me të cilat ballafaqohen evropianët në përgjithësi do të ndodhin gjithashtu – do t’i reduktoja në përballjen me trashëgiminë e populizmit dhe agresionit rus kundër Ukrainës si sfida me të cilat Europa do të duhet të përballet në secilin prej territoreve të saj dhe në secilën nga periferitë e saj, përfshirë Serbinë dhe Kosovën”.

    Sa i përket qëndrimit të Perëndimit ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, ai thekson se Perëndimi ka filluar të reagojë shumë vonë ndaj problemeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    “Dhe derisa korrupsioni është politik, jo vetëm ekonomik, dhe po i referohem ndikimit rus dhe kinez, janë dy pika të rëndësishme të bastionit ekonomik të Vuçiqit – veriu i Kosovës dhe porti i Tivarit – nga ku transportohen substancat ilegale”.

    Dhe transferimi i substancave të paligjshme është një shpjegim për bumin ekonomik me të cilin, thotë ai, Vuçiq deri vonë ka bërë të lumtur klasën e mesme.

    “Në fakt, në muajin e fundit, ata që kanë qenë përfituesit e tranzicionit të tij, apo ata që nuk janë dëmtuar padrejtësisht në atë tranzicion, janë rebeluar kundër Vuçiqit, por Vuçiqin dhe Daçiqin i kanë përkrahur humbësit e tranzicionit, të cilët kanë premtuar që nga viti 2012 se kjo nuk do të ndodhë më, dhe ata janë ata që janë”.

    Samarxhiq beson se forcat e shtuara të KFOR-it në veri të Kosovës për momentin po kontribuojnë në ndarjen e Kosovës, duke kujtuar deklaratën e fundit të kryetarit të Listës Serbe, në të cilën ai shprehet i kënaqur me përforcimet e miratuara nga KFOR-i në kuptimin që ata respektojnë angazhimet e marra dhe se ai u beson atyre.

    Dhe jo vetëm me këtë rast, ne po vijmë edhe në situatën absurde që Perëndimi po e ndëshkon Kurtin dhe po lejon Vuçiqin dhe miqtë e tij në Bosnje dhe Mal të Zi, dhe gjithnjë e më shumë prej tyre në Zagreb, të bëjnë pothuajse gjithçka”, tha Samarxhiq.

    Kosova, thotë ai, është ende palë e dënuar në marrëdhëniet me BE-në, pasi liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur.

    “Sanksioneve ndaj Kosovës do t’i shtoja edhe qëndrimin diskriminues të BE-së në përgjithësi ndaj myslimanëve të Ballkanit, të cilët kanë të drejtë të jenë evropianë po aq e më shumë se myslimanët në Gjermani apo Francë”.

  • Kaq tifozë romun pritet të jenë nesër në “Fadil Vokrri”

    Kaq tifozë romun pritet të jenë nesër në “Fadil Vokrri”

    Kosova do të ballafaqohet nesër me Rumaninë në një sfidë vendimtare sa i përket rrugës drejt kualifikimit për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Në stadiumin “Fadil Vokrri” të përzgjedhur e Alain Giresses do të luajnë vetëm për fitore, derisa do ta kenë mbështetjen e madhe të tifozëve pasi mësohet se tashmë janë shitur të gjitha biletat që ishin ne dispozicion nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës.

    Por, në tribuna do të ketë edhe tifoz romun. Gazeta romune “GSP” raporton se një numër prej rreth 100 tifozëve do të udhëtojnë në Prishtinë për ta mbështetur skuadrën e tyre.