I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë disa informacione ku po mbahen policët kosovarë.
Tre policisë kosovarë të mërkurën u kidnapuan nga forcat serbe.
Për këtë, Lajçak ka thënë se kanë kontakte me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.
“Ne kemi më shumë nevojë të dimë se çfarë ka ndodhur Kemi disa informacione dhe jemi duke mbajtur kontakte me të dyja palët”, ka thënë shkurtimisht teksa shtoi se po presin që palët të paraqesin provat.
Për këtë çështje ka pasur reagim edhe nga departamenti i shtetit, duke kërkuar që policët të lirohen pa kushte.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se kjo çfarë ka bërë Serbia është rrëmbim.
Institucionet e Kosovës nuk e dinë vendndodhjen e policëve kosovarë, të kidnapuar nga forcat serbe.
Ndërkaq, KFOR’i ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast, poqë kidnapimin nuk e ka njohur si të tillë duke e quajtur “arrestim”.
Në të njëjtën formë e ka quajtur edhe Josep Borrell, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Në anën tjetër, në Kosovë opozita po kërkon më shumë veprime nga pushteti që të ndihmojë në lirimin e policëve kosovarë.
Për këtë rast, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, ka vizituar familjet e policëve të kidnapuar brenda territorit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kërkuar për t’i vizituar tre policët e arrestuar nga forcat serbe, mirëpo kërkesa e tij ende nuk është trajtuar, pasi ende nuk janë bërë 48 orë nga paraburgimi i tyre.
Kurti, duke raportuar para deputetëve në Kuvend, tha se ambasadori Jetish Jashari ka kontaktuar edhe me misionin e BE-së në Beograd, ambasadorët e QUINT-it dhe organizatat për të drejtat e njeriut.
“Ambasadori Jetish Jashari, i cili është shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd ka kontaktuar me misionin e BE-së atje dhe ambasadorët e QUINT-it dhe organizata për të drejtat e njeriut, po ashtu i është drejtuar me kërkesë edhe gjykatës për vizitë, por ajo ende nuk është trajtuar pasi nuk janë bërë 48 orë të qëndrimit nën arrest të policëve tanë. Deri 48 orë ndodhet brenda MPB-së dhe më pas del tek gjyqësori dhe Ministria e Drejtësisë”, tha ai.
Ai foli edhe për situatën në veri të Kosovës dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për deeskalim.
Kurti përsëriti pesë pikeshin e tij për depërshkallëzimin e situatës në veri, derisa tha se kryetarët në veri do të largohen nga zyrat e tyre vetëm me zgjedhje të reja.
“Ndërsa sa i përket kërkesave që na janë bërë neve nga Brukseli. Natyrisht se kur kërkohet largimi i kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre, kjo bëhet pikërisht me zgjedhje të reja. Ne nuk jemi kundër largimit të tyre, por jemi kundër largimit pa zgjedhje. Pas zgjedhjeve të reja pas zgjedhjeve të reja lokale me siguri do të fitojnë kryetarët e tjerë. Nëse pjesëmarrja është e lartë, s’ka dyshim se do të jenë këta kryetarë, por disa të tjerë”, shtoi Kurti.
Pas fjalimin të tij, Kurti lëshoi sallën plenare, siç tha për shkak të angazhimeve të tjera.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.
“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, tha ai.
Miller tha gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja” .
“Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, tha Miller.
Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.”
Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse SHBA po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.
“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”, tha ai.
Ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se veprimi i policisë serbe ndaj zyrtarëve policorë të Kosvës, ka qenë veprim armiqësor dhe i planifikuar.
Sipas tij, shpjegimin që dha presidenti serb Aleksandar Vuçiq ditëve të fundit, tregon qartë për një veprim i paramenduar, i cili ka për qëllim eskalimin e tensionit.
“Veprimi duket qartë që ka qenë i planifikuar. Shpjegimi të cilin presidenti Vuçiq e ka dhënë gjatë këtyre dy ditëve me jashtëzakonisht shumë detaje propagandistike nga ana e tij, goxha tregon për një paramendim të situatës, pra për një veprim të paramenduar, i cili ka qëllim rritjen e tensionit, ka qëllim përshkallëzimin, eskalimin e situatës së sigurisë prapë, sepse eskalimi i situatës së sigurisë po ndodh të territorin tonë. Serbia nuk po eskalon kurrfarë situate as në Nish as në Kralevë, as në Novi Sad as në Beograd. Gjithçka që po ndodh, po ndodh në territorin tonë. Prezenca ndërkombëtare ushtarake është futur në sheshe duke vendosur kordon mes institucioneve të Kosovës dhe protestuesve, duke përfshirë edhe huliganët dhe grupet kriminale dhe si e tillë, Kosova në kuptimin qëllimit të sigurisë kombëtare, nuk po arrin sukses, sepse promovimi i sigurisë kombëtare, normalisht që vendoset përmes objektivave”, tha Ramadani.
Ai thotë se për këtë veprim, Serbia duhet të marrë ndëshkimin e qartë dhe të prerë nga bota demokraike.
“Serbia duhet absolutisht të merr ndëshkim të qartë dhe të prerë nga bota demokratike për këtë veprim. Veprimi është armiqësor. Nëse vërtetohet dhe po flasim nëse vërtetohet nga neutralët, nga KFOR-i, NATO, sepse edhe në bindjen time, kjo është hyrje brenda territorit të Kosovës, por nuk kam kapacitetin institucional për të vërtetu hapësirat gjeografike”, tha Ramadani.
Sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të vërtetohet vendndodhja ku ka noddhur kidnapimi i policëve kosovarë.
“A ka mundësi të vërtetohet, normalisht që ka mundësi të vërtetohet. Vërtetimi besoj se do të bëhet publik në një periudhë pak më të qetë se tash siç është situata në veri të Kosovës. A besoj që ky vlerësim dhe bërja publik i këtij vlerësimi do të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe uljen e retorikës, normalisht që besoj që ky do të jetë qëllimi i NATO-s si garant i sigurisë në Kosovë. Edhe përmes imazheve satelitore mund të qartësohet edhe përmes mënyrave të tjera, teknike, forenzike të cilat janë veç se të konsoliduara edhe në EULEX edhe në KFOR, i ka normalisht edhe në institucionet e Kosovës”, tha Ramadani.
Pa vlerësimit, ai tha se shtetet e konsoliduara duhet të marrë kohën e mjaftueshme që të komunikojë me shtetet e tjera dhe aleatët, në mënyrë që të arrijë të një veprim i përbashkët.
“Shtetet e konsoliduara, edhe në raste të tilla marrin një kohë hapësirë për të komuniku, lobu me shtetet dhe aleatët e vet, në mënyrë që të planifikohet veprimi i përbashkët dhe nëse unë kam dilema për sjelljen mbarëshoqërore e jo vetëm qeveritare, është se nuk po lëmë hapësirë të një planifikimi të përbashkët për veprime ndaj kësaj”, u shpreh Ramadani. /atvlive.tv
Eksperti i sigurisë Agim Musliu, në emisionin DIREKT në ATV, tha se investimi serbo-rus është shumë i madh në veriun e Kosovës dhe në Ballkan në përgjithësi, për shkak se sipas tij, Rusisë i konvenon të ketë një vatër tjetër përveç asaj në Ukrainë për ta tërhequr vëmendjen e perëndimit.
“Tash për tash situata është stabile, por sidomos në veriun e Kosovës është shumë e ndjeshme sepse e dimë që investimi serbo-rus është shumë i madh në veriun e Kosovës dhe në Ballkan në përgjithësi sepse i konvenon që të ketë një vatër tjetër përveç asaj në Ukrainë. Sipas diktatit të Putinit, i cili e komandon Vuçiqin si komandant taktik në Ballkan, për ta destabilizu Ballkanin kudo që të jetë, Bosnja Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, ku do që të jetë, ku do që të mundet të fus pykat e kontrollit për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, nga agresioni që po e humb vazhdimisht terrenin në Ukrainë, por edhe të angazhojë forca shtesë edhe të ballafaqohet Rusia dhe Serbia, apo NATO të ketë angazhim shestë në këtë pjesë të Ballkanit dhe të humbet fokusi disi në atë pjesë të Evropës”, tha Musliu.
Ai tha se Putini shpejt do ta humb luftën dhe do të përfundojë më keq se Millosheviqi.
“Me rëndësi jetike për Putinin që të zhvillojë këto dy operacione për shkak të taktikës së vete në shtetet në rrethim që i ka sepse edhe ato do të rebelohen sidomos nëse shumë shpejtë do të humb luftën, ato do të rebelohen dhe Rusia do të mbetet e vetme dhe Putini do të kalojë më keq se Millosheviqi”, tha Musliu. /atvlive.tv
Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendësin Besnik Bislimi, ftuan sot për një takim informues ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, “temë qendrore e bisedës dhe diskutimit ishte situata e sigurisë në veri të vendit pas agresionit serb të djeshëm ndaj Republikës së Kosovës”.
Kryeministri thuhet se njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që u mbajt sot në mëngjes, dhe me masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.
Kryeministri tha që ky akt është shkelje e kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Ai ritheksoi kërkesën e tij për reagim urgjent e dënues të faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij akti të agresionit ndaj Kosovës, teksa përsëriti po ashtu kërkesën e lirimit të menjëhershëm të tre policëve, familjet e të cilëve kryeministri Kurti i vizitoi sot.
Autoritetet në Serbi nuk kanë ofruar informacione lidhur me tre zyrtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga Serbia, ndërsa Beogradi pretendon se ata janë arrestuar në territorin serb.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë (REL) për vendndodhjen e policëve të arrestuar, nëse ata janë intervistuar nga prokurori dhe për çfarë vepre penale akuzohen.
REL-i i ka kontaktuar edhe prokuroritë në Rashkë, Kralevë dhe Beograd, lidhur me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.
Autoritetet në Serbi kanë bërë të ditur të mërkurën se tre zyrtarë policorë të Kosovës janë arrestuar në zonën afër Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë.
Rashka ndodhet në jugperëndim të Serbisë, afër pikëkalimit me Kosovën.
Policia e Kosovës ka thënë se ata janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në zonën Tresave – Bare, në komunën e Leposaviqit, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
REL-i ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Policinë e Kosovës.
Për momentin, as këto institucione nuk kanë dhënë ndonjë informacion.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 15 qershor se autoritetet serbe u qasen në mënyrë të duhur policëve të Kosovës dhe nuk i keqtrajtojnë.
Në një konferencë për shtyp, pas takimit me presideten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, Vuçiq ka thënë se të arrestuarit kanë deklaruar se “GPS-ja e tyre nuk ka funksionuar dhe kanë qenë në kërkim të kërpudhave”.
Sipas tij, njëri ka deklaruar se nuk e ka ditur ku është saktësisht kufiri.
Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”. /rel
Klubi i futbollit Prishtina ka prezantuar blerjen e dytë brenda ditës së sotme.
Pas transferimit të talentit 19 vjeçar Eridon Malokut, klubi nga kryeqyteti ka zyrtarizuar blerjen e ish-sulmuesit të Llapit, Albion Kurtaj.
Kurtaj, në edicionin e fundit ka zhvilluar 26 ndeshje, jo të gjitha si titullar, duke realizuar dy gola dhe tre asistime.
Ai tha se ëndrra e çdo lojtari është të luaj për Prishtinën.
“Dihet që ëndrra e çdo lojtari është të luaj për skuadrën e Prishtinës, sepse Prishtina është klub me trofe të shumtë dhe gjithmonë garon për pozitat e para në klasifikim. Është sfidë e jashtëzakonshme për mua të jem pjesë e Prishtinës duke besuar se do të korrim suksese së bashku.”, ka thwnw Kurtaj.
Në vendkalimin kufitar në Merdare, dhjetëra maune me mallra serbe janë duke pritur në territorin e Serbisë për t’u futur në Kosovë.
Disa transportues nga Serbia janë njoftuar se nuk u lejohet hyrja në Kosovë dhe janë ndalur afër pikës kufitare për të mos hyrë në Kosovë, raporton KosovaPress.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të enjten se nuk ka masa ekonomike – tregtare ndaj Serbisë, por sipas tij këto janë masa të sigurisë.
Ndërsa, Nenad Nastasieviq vozitës i kamionit me targa të Serbisë ka thënë se është duke pritur në Merdare për të hyrë në Kosovë me mall nga Bullgaria.
Ai ka treguar se disa kamionë nga Serbia nuk kanë pritur për të hyrë në territorin e Kosovës, por janë kthyer mbrapsht.
“Janë rreth 20 kamionë duke pritur në parking, Qeveria e juaj nuk po lejon me kaluar megjithatë unë sjell mall nga Bullgaria dhe nuk kam diçka nga Serbia. Gati 6 orë jam duke pritur, ka pasur kamionë të cilët janë kthyer mbrapsht, por unë mendoj që të pres këtu”, ka thënë Nastasijeviq.
Ndërsa, Esat Mehmeti shofer i një kompanie nga Kosova u shpreh se gjatë kalimit të kufirit ka kontrolle të rrepta nga ana e Policisë së Kosovës.
“Në pjesën tjetër janë duke pritur rreth 200 kamionë me dalë në pjesën e Kosovës. Doganierët dhe policët po sillen keq. Vetëm me targa të Evropës, Zvicrës munden me kalua. Ka kontrolle të rrepta, po kontrollojnë në kabinë, të cilat janë provokime” tha Esat Mehmeti
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë, gjendja nuk është e zakonshme dhe e ka quajtur agresion nga Serbia.
Për këta ai thekson se qeveria e Kosovës ka marrë masa të sigurisë në pikat kufitare me Serbinë.
“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë nuk janë masa ekonomike – tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia, nga njëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalimet kufitare. Prandaj, si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara deri në një vendim tjetër”, theksoi Kurti të enjten në mëngjes.
Aktualisht Serbia po i mban tre zyrtarë policorë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën në veri.
Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur thirrjen e Odës Ekonomike Gjermane për de-eskalim të menjëhershëm të situatës në veri të vendit.
Rodhe në një reagim në twitter ka shkruar se dëmet shqetësuese të përspektivës ekonomike për Kosovën tashmë janë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj përballë komunitetit të biznesit.
“Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për deeskalim të menjëhershëm”, ka shkrua Rohde.
Concerning damage for Kosovo’s economic prospect are already on the horizon, damaging its reputation and potential also vis-à-vis business community. We reiterate this call from the German-Kosovar Association of Businesses for imminent de-escalation. https://t.co/50lQxWlfhP
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) June 15, 2023