ATV

Blog

  • Klan Kosova ushtron kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi

    Klan Kosova ushtron kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi

    Klan Kosova është duke u bërë gati të inicojë kallzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi, për nxjerrjen e vendimi të kundërligjshëm për suspendimin e licencës biznesore të mediumit Klan Kosova.

    Vepra për të cilat pritet të ngarkohen ato, parashohin dënimin deri në 5 vjet burgim, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Për Hajdarin, ky bëhet kallëzimi i dytë penal, pas atij të parit, që ka të bëjë me mosdeklarimin e pasurisë në Agjencionin Antikorrupsion.

  • Aliu thotë se Vuçiq e pranoi se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës

    Aliu thotë se Vuçiq e pranoi se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ka folur rreth kidnapimit të policëve gjatë ditës s djeshme nga njësia speciale e Serbisë.

    Ai tha se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se rrëmbimi i policëve kosovarë u bë brenda vendit e jo në Serbi.

    “Ai deklaron se ata do të duhej të ishin të shoqëruar nga KFOR-in në atë zonë”, tha Aliu.

    I pari i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor deklaroi se ishte e qartë se policët ishin në territorin e Kosovës.

    “Është e qartë se në mandat të KFOR-it është territori i Republikës së Kosovës dhe pavarësisht se a do të duhej të ishin të shoqëruar apo jo nga forcat e KFOR-it, i bie se policët ishin në territor të Republikës së Kosovës në momentin e rrëmbimit”. tha Aliu.

  • Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama: Policët e rrëmbyer duhet të kthehen sa më parë në shtëpi

    Rama thotë se siç duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të ndryshme, duhet që ata të kthehen sa më parë në shtëpi. Dhe për këtë shprehet se që prej dje qeveria shqiptare është fokusuar tek lirimi i tyre.

    “1.Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

    2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!

    3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre”, shkroi Rama në Twitter.

    Sipas kreut të qeverisë, nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe serbit të arrestuar në Mitrovicën e Veriut disa ditë më parë. Prandaj sipas tij, shtensionimi i situatës është prioritet i momentit.

    “4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!

    5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, tha Rama.

  • ​Qytetari i liruar: Policët serbë na kanë thënë se arrestimi jonë është politik

    ​Qytetari i liruar: Policët serbë na kanë thënë se arrestimi jonë është politik

    Janë liruar katër qytetarët e Kosovës të cilët ishin arrestuar të martën nga autoritetet serbe në Merdare. Njëri prej tyre ka deklaruar se nga policia serbe u është thënë se ndalimi i tyre ka ndodhur për shkak të çështjeve politike që lidhen me situatën në veri të vendit.

    Dervish Maliqi ka thënë para gazetarëve se nga kufiri ishin marrë nga dy civilë dhe pastaj janë dërguar në Kurshumli.

    “Përpos këtyre dy civilëve që na kanë marrë këtu jo mirë, tjerët policë si në Kurshumli si në Prokuple na kanë trajtuar shumë mirë për shkak se edhe çuditeshin për këtë rast, dhe secili polic thoshte kjo është vetëm politikë. Akuza ka qenë, janë disa baraka këtu 200 metra më poshtë, kinse ato janë dëmtuar dhe të dyshuar kemi qenë ne, ne dy dhe dy shoferë të tjerë të kamionëve. Ata çka munden me bë është 48 orë mbajtje si i dyshuar, më shumë nuk patën fakte. Sipas Policisë, nuk ka pas të bëjë me baraka, kjo është vetëm politikë, për shkak të tensioneve në veri”, ka thënë ai.

    Ndërsa Esat Musolli ka treguar si ka ndodhur ngjarja të martën.

    “Ne kemi qenë duke shkuar për Gjermani dhe këtu në kufi te ne kaluam mirë, andej si kemi dalë na kanë ndaluar, na i morën dokumentet dhe mandej nuk kemi ditë asgjë veç kanë thonë parko xhipin andej dhe na kanë marrë na kanë shti në një xhip dhe na kanë çuar në Kurshumli. Aty kemi ndejt 2 orë, nuk kemi ditë asgjë njëherë, tani gjëja se e kemi bërë njëfarë dëmi këtu në vitin 2022 me 02.03, kemi bërë njëfarë dëmi këtu të kontejnerëve dhe për shkak të atyre jemi të akuzuar”, ka thënë ai.

    Pas kësaj, Maliqi u ka bërë thirrje mërgimtarëve që mos të shfrytëzojnë rrugën për Serbi për të shkuar në Europë.

    “Asgjë nuk na kanë thënë 3 orë deri në stacionin policor në Kurshumli. Civilët na kanë dorëzuar në stacion policor. Janë liruar edhe dy të tjerët…Do të vazhdojmë (për në Europë) ndoshta por nga rruga Mali i Zi – Kroaci, nuk kisha preferua njëherë me kalu këtë rrugë edhe mërgimtarët, sepse u akuzojnë pa bazë, çka munden me bë janë këto maltretimet dy ditore…Familjarët i kemi lajmëruar tinza derisa na i kanë marrë telefonat”, ka thënë ai.

    Aktualisht Serbia po i mban edhe tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën.

    PK ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale./KP

  • ​BE: Marrja e masave ndaj Kosovës s’ishte e lehtë, palët të de-përshkallëzojnë situatën

    ​BE: Marrja e masave ndaj Kosovës s’ishte e lehtë, palët të de-përshkallëzojnë situatën

    Bashkimi Evropian ka ripërsëritur sot se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese, por masa që i përdorin për të treguar se BE është serioze në pritjen e de-përshkallëzimit. BE ka ripërsëritur thirrjen që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se ende presim që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës.

    Në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ai ka potencuar se masa janë të përkohshme, mund të zvogëlohen dhe mund të hiqen. Sipas tij, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar si dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën.

    “Siç u përpoqa të sqaroja dje, këto nuk janë sanksione apo masa kufizuese. Kur përdorim fjalën sanksion ose masa kufizuese, do të thotë masa të cilat bazohen në kornizën ligjore për sanksionim. Ky nuk është rasti në Kosovë, këto janë masa. Këto janë instrumentet që ne po i përdorim për të treguar se Bashkimi Evropian është serioz në pritjen e de-përshkallëzimit dhe reagimin nëse de-përshkallëzimi nuk ndodh dhe prandaj, kur është fjala për marrëdhëniet me Kosovën, dje përmenda se shtetet anëtare mbështetën një sërë masash në lidhje me Kosovën, pasi ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat e nevojshëm për de-përshkallëzimin e situatës, dhe këto masa, janë të përkohshme, mund të zvogëlohen, mund të hiqen, ato përfshijnë shtyrje të vizitave zyrtare, të komisioneve, apo ngjarjeve që janë planifikuar ose janë në planifikim, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën.”, ka thënë ai.

    Stano ka potencuar se vendimi i ndërmarrë për masa ndaj Kosovës nuk ka qenë i lehtë.

    Ai është shprehur se homologët kosovarë janë në dijeni për pritjet e Bashkimit Evropian.

    “Sërish nuk do të hyj në detaje, homologët tanë kosovarë janë shumë mirë të informuar për mendimin e Bashkimit Evropian, për pritjet e Bashkimit Evropian. Këto masa nuk janë diçka që Bashkimi Evropian do ta merrte lehtë, por këto janë masat që janë reagimi i domosdoshëm i Bashkimit Evropian ndaj faktit se deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap vendimtar kuptimplotë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës.”, ka thënë ai.

    Ai ka bërë të ditur se BE po bën më të mirën për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Zëdhënësi i BE-së ka thënë se qëllimi i përgjithshëm është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i ndihmonte Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt BE-së.

    “Bashkimi Evropian është një ndërmjetës i ndershëm që po bën më të mirën me sasi të mëdha energjie dhe burimesh për të lehtësuar normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bazuar në kërkesat e të dyja palëve, të miratuar nga rezoluta e OKB-së. Pra, ne po bëjmë rolin tonë si lehtësues…Qëllimi i përgjithshëm është të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është qëllimi i përgjithshëm për të mirën e njerëzve si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për rrugën drejt BE-së si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, kështu që për të arritur atje, pritet të japë sjelljen evropiane do të thotë jo përshkallëzimi, por gjetja e zgjidhjeve, de-përshkallëzimi, sjellja evropiane do të thotë konsensus dhe gjetja e kompromiseve duke mos pasur situata konstante kur për shkak të hapave të njëanshëm, kemi krizë pas krize, të cilat Bashkimi Evropian përpiqet t’i zgjidhë.”, ka thënë ai.

    Lidhur marrëveshjen e Ohrit, Stano ka thënë se asnjëherë nuk është hequr dorë dhe se roli i BE-së është të ndihmojë në arritjen e objektivit të përgjithshëm.

    “Lidhur me marrëveshjen e Ohrit ose e ashtuquajtura Marrëveshja e Ohrit për aneksin e zbatimit, ka një deklaratë të qartë të Përfaqësuesit të Lartë të dakorduar qartë nga të dyja palët, është atje, është publikuar. Asnjëherë nuk është hequr dorë, askush nuk ka hequr dorë nga kjo deklaratë dhe është atje. Roli i BE-së është të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë për të arritur objektivin e përgjithshëm. Nëse ata nuk duan, është vendimi i tyre, por nëse duan të përmbushin këtë objektiv dhe përkushtimin e tyre për të ardhmen e BE-së për njerëzit e tyre, atëherë Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë, por në të njëjtën kohë do të presim një sjellje evropiane, dhe sjellje evropiane nuk do të thotë të tregosh vazhdimisht gishtin drejt të tjerëve, por duke parë veten, çfarë mund të bëni veçanërisht nëse partnerët tuaj, aleatët tuaj më të afërt dhe partnerët tuaj po ju tregojnë se cila është rruga përpara.”, ka thënë ai.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian është shprehur se nuk ka dijeni për mbajtjen e një takimi “sekret” në Bruksel, për të cilin dje ka folur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ai ka thënë se kur bëhet fjalë për dialogun gjithçka është transparente.

    “Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të fshehtë për dialogun, gjithçka që bëjmë kur bëhet fjalë për dialogun është plotësisht transparente. Takimet shpallen, komentohen siç duhet. Pra, le të mos e largojmë vëmendjen nga ajo që është vërtet e rëndësishme. Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që ka përshkallëzim, i cili nuk ndalet, ai vazhdon, dhe nuk ka depërshkallëzim siç presin BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë… Nëse nuk arrijmë të kalojmë nga kjo situatë aktuale e përshkallëzimit të vazhdueshëm në depërshkallëzim të menjëhershëm, kjo do të ketë pasoja negative dhe ka filluar të ketë pasoja negative në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.”, ka shtuar ai.

    Stano është pyetur edhe lidhur me rrëmbimin e tre policëve në veri të Kosovës nga Serbia, me ç’rast ka thënë se janë duke e ndjekur ngjarjen nga afër.

    Tutje, zëdhënësi i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në ngritjen e tensioneve. Ai ka ripërsëritur thirrjen që të dy vendet të de-përshkallëzojnë situatën urgjentisht.

    “Epo, kjo është diçka që sigurisht po e ndjekim nga afër dhe jemi, si çështje urgjente, në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, që është shumë e rëndësishme në këtë kontekst për të vërtetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe si ndodhi. Dhe ndërkohë ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve, të cilat tashmë janë goxha të larta, dhe dhe me hapa vendimtarë.”, ka shtuar tutje ai./KP

  • ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    ​Rrëmbimi i tre policëve, Kryeministri Kurti raporton sot në Kuvend

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë sot në Kuvendin Kosovës për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, brenda territorit të vendit.

    Pas kërkesës së opozitës që Kurti të raportojë në Kuvend, i njëjti i është përgjigjur pozitivisht që sot në orën 17:30 të raportojë para të zgjedhurve të popullit.

    Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë seancës së sotme plenare.

    Krahas zhvillimeve të djeshme, opozita ka kërkuar që Kurti të tregojë edhe për raportet me aleatët dhe qëndrimet për sanksione ndaj Kosovës.

  • Kulla, bibliotekë e Junikut!

    Kulla, bibliotekë e Junikut!

    Juniku është njëri ndër vendet në Kosovë ku shumë kulla janë ruajtur si një trashëgimi shqiptare.

    Disa prej tyre janë monumente të mbrojtura. Dikur kanë shërbyer për familje të mëdha junikase të cilët kanë jetuar në to por sot kanë funksion dhe mision tjetër.

    Kjo kullë e ndërtuar 100 vjet më parë, sot është bibliotekë.

    Nëpërmjet projektit “Kosova e Bukur”, kulla është shndërrua në Bibliotekë të Junikut.

    Biblioteka “Din Mehmeti” e Junikut ka rreth 470 lexues dhe një fond prej rreth 7 mijë titujsh nga zhanre dhe autorë të ndryshëm, vendorë dhe të huaj.

    Kjo bibliotekë posedon dy salla të vogla me 15 deri 20 vende për lexues.

    Biblioteka llogaritet të jetë më e veçanta në rajon.

  • Bujar Osmani: Drafti i Ramës, për t’i nxjerrë palët nga ngujimi

    Bujar Osmani: Drafti i Ramës, për t’i nxjerrë palët nga ngujimi

    Maqedonia e Veriut po ndjek me vëmendjen zhvillimet në Kosovë, përfshirë rastin me tre policët, të cilat siç pohojnë autoritetet në Prishtinë, janë rrëmbyer nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës. Shkupi zyrtar u ka bërë thirrje palëve, në veçanti asaj kosovare, që të bashkëpunojë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare.

    Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Strugë, “Prespa Forum” kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian, tha se bashkëpunimi me aleancën euroatlantike, BE-në dhe SHBA-në, është me rëndësi të madhe në kapërcimin e problemeve, bazuar në eksperiencën maqedonase.

    “Unë vetëm mund të ftoj autoritetet e Kosovës që të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin euroatlantik për shkak se eksperienca jonë na tregon se bashkëpunimi me ta, koordinimi me ta, besimi në ta asnjëherë nuk na ka dështuar, nuk na ka tradhtuar. Këshilla më e mirë që mund t’ia japim, jo vetëm Kosovës, por të gjithëve në rajon – që të mbani ngushtë raportet me komunitetin euroatlantik për shkak se kjo është e ardhmja e vetme e rajonit”, deklaroi Osmani.

    Ai foli edhe për draft-propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke theksuar se bëhet fjalë për një “nismë të re” për t’i lëvizur palët nga pozicionet e tyre.

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ua ka propozuar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, veprim ky që është kritikuar në Prishtinë.

    Osmani nuk e komentoi përmbajtjen e propozimit, pasi, siç tha, janë disa tekste që synojnë uljen e tensioneve dhe arritjen e një zgjidhjeje, megjithëse Prishtina është ajo që do të vendosë se cila është më e mira për Kosovën.

    “Pa e komentuar këtë tekst, pasi ka edhe tekste të tjera, të cilat i kemi parë, nuk pretendoj se zoti Rama tenton të imponojë zgjidhje. Ai tenton të krijojë shteg, një dalje nga ky ngujim. Edhe në emër të shtetit [Maqedonisë së Veriut ] dhe në emër të OSBE-së [si shtet kryesues i OSBE-së] përshëndes këtë nismë të kryeministrit të Shqipërisë që mendoj se është shumë qëllimmirë, pa u futur në tekstin konkret për shkak se është një prej teksteve nga të cilat mund të nxirret më e mira. Por, autoritetet kosovare janë ato që vendosin se cila është më e mira për ta”, u shpreh Osmani.

    Ai, gjithashtu, bëri të ditur pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në këtë Forum ditën e premte, duke thënë se deri të enjten nuk ka ndonjë konfirmim për anulimin apo mospjesëmarrjen e tij.

    Ndërkohë, zhvillimet në Kosovë, në veçanti rastin me policët e Kosovës e dënoi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke kërkuar nga autoritetet serbe lirimin e menjëhershëm të tyre, por edhe duke i dhënë mbështetje ruajtjes së integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës.

    “Dënoj ashpër aktin e kidnapimit të policëve të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë dhe pres lirimin e menjëhershëm të tyre. Pala serbe duhet t’i ndalojë provokimet menjëherë dhe të dyja palët të ulen urgjentisht në tavolinën e bisedimeve dhe me ndërmjetësimin e aleatëve tanë, bashkësisë euro-amerikane, t’i japin fund kontestit shumëvjeçar përmes njohjes së ndërsjellë. Integriteti dhe sovraniteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i garantuar nga faktori ndërkombëtar”, tha Ahmeti në një reagim në Facebook.

    Reagime për rastin me policët nga Kosova ka pasur edhe nga partitë tjera politike shqiptare, ndërkohë që zhvillimet në veri janë ndjekur me vëmendje të madhe nga të gjitha mediat në Maqedoninë e Veriut.

    Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

    Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

  • Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, shkaktohen dëme në Dnipropetrovsk dhe Krivi Rih

    Vazhdojnë sulmet ruse në Ukrainë, shkaktohen dëme në Dnipropetrovsk dhe Krivi Rih

    Rusia gjatë natës nisi një seri tjetër sulmesh ajrore në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës, teksa alarmet për sulme ajrore janë lëshuar përsëri në të gjithë vendin.

    Raketat ruse goditën dy objekte industriale në qytetin Dnipropetrovsk, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke plagosur një person, thanë ushtria ukrainase dhe zyrtarët rajonalë mëngjesin e së enjtes.

    Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha më 15 qershor se ka shkatërruar të 20 dronët e prodhuar nga Irani të lëshuar në Dnipropetrovsk, por tre nga katër raketat ruse të lundrimit nuk mund të kapeshin dhe goditën fabrikat në Krivi Rih.

    Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës në javët e fundit, ndërsa Kievi përgatitej të nisë kundërofensivën e shumëpritur për të rimarrë territorin e pushtuar nga forcat ruse.

    Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky javën e kaluar pranoi se operacioni ishte duke u zhvilluar, duke bërë që Moska të përshkallëzojë sulmet e saj duke përdorur raketa lundrimi dhe dronë në qytetet kryesore në të gjithë Ukrainën./atvlive.tv/

     

  • Pezullohet mësimi në shkollat e Vushtrrisë për shkak të vërshimeve

    Pezullohet mësimi në shkollat e Vushtrrisë për shkak të vërshimeve

    Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, Komuna e Vushtrrisë ka shpallur gjendje emergjente.

    Vërshimet në këtë komunë kanë bërë që Drejtoria e Arsimit të merr vendim për pezullimin e mësimit për sot dhe nesër, raporton Ekonomia Online.

    Drejtori i Arsimit në Vushtrri, Dardan Abazi ka konfirmuar se orët e humbura do të kompensohen.

    ”Po, për shkak të gjendjes së vërshimeve është vendosë të pezullohet mësimi për sot dhe nesër”.

    “Orët e humbura do të kompensohen”.