ATV

Blog

  • Donna Dafi e publikon këngën e re “Bajat”

    Donna Dafi e publikon këngën e re “Bajat”

    Këngëtarja Donna Dafi, në këngën “Bajat”, bën thirrje për t’u shkëputur dhe çliruar nga marrëdhëniet toksike dhe për të gjetur e festuar lumturinë e vërtetë shpirtërore.

    Gjatë videoklipit të kësaj kënge, me një kërcim dhe vokal të fuqishëm, i inkurajon dëgjuesit të njohin vetëvlerësimin e tyre, i nxit ata të ecin përpara dhe të shijojnë lirinë që vjen me heqjen dorë nga një marrëdhënie që nuk iu shërben më.

    Për frymëzimin e saj rreth krijimit të këngës “Bajat”, Donna Dafi shprehet se: “Kjo këngë është shumë personale për mua. Ka të bëjë me udhëtimin tim për të zbuluar vetëvlerësimin tim dhe për të kuptuar se meritoj më mirë. Duhet të heqësh dorë nga marrëdhëniet toksike, për të gjetur lumturinë e vërtetë”.

    Ajo shton se: “Ndonjëherë të shohësh fundin e një historie dashurie është fillimi i një kapitulli më të lumtur në jetën tënde”.

    Edhe kjo këngë është në dy gjuhë: gjermanisht dhe shqip. /atvlive.tv

  • Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes, arrestohet një burrë në Ferizaj

    Një person është arrestuar dje në Ferizaj, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

    Policia njoftoi se ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

    “Ferizaj, 15.06.2023 – 15:43. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje./atvlive.tv/

     

     

  • Tri shpërthime rreth mesnatës në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, Policia jep detaje

    Tri shpërthime rreth mesnatës në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, Policia jep detaje

    Tri shpërthime kanë ndodhur rreth mesnatës në veri të vendit, saktësisht në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

    Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani ka thënë se shpërthimi i parë ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë, ku vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok-bombë.

    Shpërthimi tjetër, ka ndodhur në oborrin e stacionit të Policisë në Mitrovicë të Veriut, derisa edhe dy shpërthime të tjera të njëpasnjëshme kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit policor.

    Derisa nga këto shpërthime, nuk raportohet për ndonjë të lënduar.

    “Në intervalin kohor prej orës 23:30 deri në orën 01:30, kanë ndodhur tri shpërthime. Një ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok bombë. Një ka ndodhur në stacion të Policisë në Mitrovicë të veriut, saktësisht në oborr. Shpërthimi tjetër, dy të njëpasnjëshme, kanë ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit të policisë. Nuk ka të lënduar. Te rasti i parë, vetura është dëmtuar nga gjuajtja me gurë, e në dy rastet tjera s’kemi dëme”, ka thënë Elshani

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Sot në vendin tonë do të mbahet mot me reshje shiu.

    Temperaturën minimale do e mbajë Prishtina me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 19 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Prishtinë me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë 20 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot po ashtu me reshje shiu, derisa në disa zona do të ketë kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 12 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 25 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    Zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi, Escobar sot mban konferencë për media

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, sot më 16 qershor, do të mbajë një konferencë online me gazetarë.

    Kjo konferencë pritet të mbahet nga ora 15:00.

    Escobar me gazetarët do të bisedojë rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi.

    Të mërkurën, Policia e Kosovës ka njoftuar se tre pjesëtarë të saj janë kidnapuar nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës.

    Policia në konferencë për media kishte prezantuar edhe një hartë nga vendi ku raportohet se u kidnapuan policët.

    Ndërsa, në anën tjetër, Serbia po pretendon se policët janë arrestuar në territorin e Serbisë, larg kufirit nga Kosova.

    Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

    “Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të shtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka thënë ai.Miller ka deklaruar gjithashtu se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.

  • Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës

    Sot me fillim nga ora 13:00, do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite janë dhjetëra pika që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të re.

    Mbledhja e Kryesisë Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023, si ajo për votimin për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Gjithashtu, pikë e rendit të ditës pritet të jetë edhe pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023, si ajo për votimin e Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    Kryesia e Kuvendit gjithashtu do të debatojë, shqyrtojë e votoj edhe shumë pika të tjera që kanë mbetur nga seancat e kaluara të Kuvendit.

  • Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Kurti merr pjesë në Forumin e Prespës

    Kryeministri Albin Kurti pritet që sot të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog.

    Alsat raporton se ky informacion u është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilët u kanë thënë se Kurti e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

    Ky medium raporton se edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar se me Kurtin sot do të bisedojnë për situatën në Kosovë dhe për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes, me qëllim qetësimin e situatës dhe garantimin e paqes në rajon.

    Kurti dje i bëri thirrje dje KFOR-it të ushtrojë trysni mbi Serbinë që t’i kthejë në Kosovë tre zyrtarët policorë që u rrëmbyen nga forcat serbe të mërkurën.

    Në një seancë të jashtëzakonshme në parlamentin e Kosovës, kryeministri tha se KFOR-i si ushtrues i funksionit të mbrojtjes duhet ta ndëshkojë këtë shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

    “KFOR-i pra nuk do të duhej të jetë i heshtur e as përulur ndaj sulmit kidnapues të cilin edhe e kishte mandat ta parandalonte. Nëse KFOR-i e shndërron këtë heshtje në normë, e njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht, atëherë një gjë të tillë le të na e thotë hapur, dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur të përmbushte efektivisht”, tha kryeministri Kurti.

    Veprimet e Serbisë, tha ai, dëshmojnë për orientimin e udhëheqjes së Serbisë nga verilindja dhe jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

    “Ajo që kemi parë dje është hakmarrje në njërën anë, e agresion në anën tjetër. Krijimi i hakmarrjes si instrument ndaj veprimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, është jo vetëm mendësi barbare, mesjetare por tregues i orientimit të udhëheqjes së Serbisë kah verilindja, nga despotët e verilindjes, e jo nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

  • Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Çështja “Klan Kosova”, KPM-ja vendos sot

    Sot pritet të merret një vendim nga ana e Komisionit të Pavarur për Media lidhur me pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë që në mbledhjen e këtij komision mbrëmë është diskutuar çështja e Klan Kosovës, por deklaroi se qëndrimin e tij për këtë çështje do ta bëjë publik sot në një mbledhje tjetër.

    Shumë personalitete e gazetarë në Kosovë kanë shprehur përkrahjen e tyre për Klan Kosovën pas vendimit të MINT-it, të cilin e kanë dënuar edhe organizata vendore e ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të mediave.

  • Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Konsumoni lulelakra për shëndet të mirë mendor

    Studimet më të fundit kanë treguar se ushqimet që shumë nga ne blejmë çdo ditë kanë po aq shumë përfitime shëndetësore sa ato që njihen si super-ushqime, dhe si duket është koha e lulelakrës që të shkëlqejë.

    Dietologët dhe ekspertët e shëndetit e kanë cilësuar gjithmonë lulelakrën si nga produktet bimore më të mira: një racion i vetëm na siguron 73% të dozës ditore të vitaminës C, përmban thuajse zero gramë yndyra, sodium ose sheqer, dhe vjen me një sërë përfitimesh shëndetësore, nga mbrojtja nga kanceri deri tek përmirësimi i shëndetit mendor.

    Ja cilat janë disa nga arsyet përse duhet të konsumoni më shumë lulelakër:

    Ndihmon për rënien në peshë

    Një studim i vitit 2015 nga Shkolla e Shëndetit Publik T.H. Chan në Universitetin e Harvardit ka zbuluar se konsumi i lulelakrës ndihmon në rënien në peshë. Frutat dhe perimet në përgjithësi ndihmojnë për t’u dobësuar, megjithatë njerëzit që konsumojnë fruta dhe perime pa niseshte, si lulelakër, thjerrëza apo mollës, bien më shpejt në peshë.

    Shkencëtarët thonë se kjo ndodh sepse ushqimet pa niseshte kanë përmbajtje më të ulët të glicemikës, që rrit nivelet e sheqerit në gjak.

    Ul rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve degjenerative të trurit

    Një studim i vitit 2011, i botuar tek revista “Frontiers in Aging Neuroscience”, tregon se ushqimet e pasura me vitaminë E, si lulelakra, ndihmojnë për të ulur rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve neurodegjeneratve, si alcajmeri ose parkinsoni.

    Dozat e larta të ushqimeve të pasura në vitaminë E mund të ulin konsiderueshëm rrezikun e demencës dhe parkinsonit, thonë hulumtuesit shkencorë

    Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2014, tregon se përmbajtja e lartë në antioksidues tek lulelakra, brokoli, lakra e perime të tjera ndihmon për të parandaluar sëmundjet neurodegjenerative.

    Zhbllokon arteriet

    Një studim i vitit 2009 tregon se konsumimi i lulelakrës mund të mbrojë pjesën e brendshme të arterieve. Hulumtuesit shkencorë kanë zbuluar se një proteinë është pasive tek disa pjesë të arterive, duke i cenuar nga sëmundje të ndryshme.

    Pas disa eksperimenteve që kryen tek minjtë, shkencëtarët zbuluan se një përbërës kimik i quajtur ‘sulforafane’, që gjendet në mënyrë natyrale tek perime si lulelakra, mund të stimulojnë këtë proteinë dhe sigurojnë mbrojtje tek arteriet.

    Duke konsumuar lulelakër, ju pastroni njëkohësisht arteriet dhe ulni rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.

    Ul rrezikun e zhvillimit të kancerit

    Një studim i vitit 2007 ka zbuluar se një dietë e pasur në lulelakër dhe brokoli mund të ulë në mënyrë drastike gjasat për zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.

    Ekspertët tek Instituti Kombëtar Amerikan i Kancerit në Maryland monitoruan 29 mijë meshkuj për një periudhë 4-vjeçare, ku vëzhguan mënyrën e ushqyerjes dhe i kontrolluan rregullisht për shenja të kancerit të prostatës. Në fund të sutidmit ata zbuluan se meshkujt që konsumonin lulelakër dy herë në javë ulën rrezikun e zhvillimit të kancerit të prostatës me 52%. Studimi zbuloi gjithashtu se frutat dhe perimet e tjera nuk kanë të njëjtin efekt si lulelakra.

    Mbron shëndetin mendor

    Lulelakra është e pasur në një lëndë ushqyese e quajtur “kholine”, që është shumë e rëndësishme për zhvillimin mendor duke qenë se ndihmon për mbrojtjen e membranave qelizore.

    Një studim i vitit 2014, i publikuar tek revista ‘Neurophysiology’, zbuloi se prezenca e kësaj lënde ushqyese ndikon në zhvillimin mendor dhe njohës gjatë periudhës së shtatzënisë.

  • Sot protestë në Shqipëri në mbështetje të Kosovës: Dje, sot, nesër, përjetë bashkë

    Sot protestë në Shqipëri në mbështetje të Kosovës: Dje, sot, nesër, përjetë bashkë

    “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për të dalë në protestë ditën e premte në orën 19:00 para kryeministrisë, për të protestuar në mbështetje të Kosovës.

    Kjo nismë është nxitur nga situata e krijuar së fundmi në Kosovë, si dhe nga deklarata e kryeministrit Edi Rama për anulimi i mbledhjes së dy qeverive.

    Kujtojmë që qëndrimet e kryeministrit Edi Rama si për propozimin për Asociacionin, por edhe deklarata e tij ku i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë forcat policore nga veriu, nuk janë pritur mirë nga shumë qytetarë shqiptarë.