ATV

Blog

  • DASH: Serbia t’i lirojë pakushte policët, po mbahen me akuza të pabaza

    DASH: Serbia t’i lirojë pakushte policët, po mbahen me akuza të pabaza

    Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, që t’i lirojnë pa kushte dhe menjëherë tre policët e Kosovës, të kidnapuar brenda territorit të Kosovës, më 14 qershor.

    Siç thuhet nw njoftim, policët janë duke u mbajtur në Serbi nën akuza të pabaza.

    “I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pakushte të lirojnë tre policët e Kosovës, të ndaluar më 14 qershor. Arrestimi i tyre dhe vazhdimi i mbajtjes nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën edhe ashtu të tensionuar. Sërish u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që ta ndjekin planin trepikësh të propozuar nga BE-ja dhe t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja, pa vonesa”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të DASH-it, Matthew Miller, të lëshuar të shtunën në uebfaqen e Departamentit Amerikan.

  • Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes”

    Një ditë pas heqjes së barrikadës mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, konkretisht më 18 qershor 2014, serbët e veriut sërish bllokuan urën me barrikadën të quajtur “Parku i Paqes”.

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, pati thënë se këtë veprim për ribllokimin e urës po e merr në koordinim të plotë me qeverinë e Serbisë. I pranishëm gjatë gjithë aksionit ka qenë edhe shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

    Forca të shumta policore as nuk kanë tentuar të parandalojnë bllokimin. Ndërkohë, kryetari i pjesës veriore e ka ftuar atë të pjesës jugore, Agim Bahtirin, që pjesën tjetër të urës së Ibrit ta shndërrojë po ashtu në park.

    “Parku i Paqes”, është hequr dy vite më vonë, konkretisht më 14 gusht të vitit 2016. Heqja është bërë pas implementimit të marrëveshjes nga dialogu Beograd-Prishtinë lidhur me urën në Mitrovicë.

  • Kearns: Mirëpres konfirmimin e SHBA se policët e Kosovës po mbahen me akuza të rreme nga Serbia

    Kearns: Mirëpres konfirmimin e SHBA se policët e Kosovës po mbahen me akuza të rreme nga Serbia

    Deputetja e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns, ka reaguar pas thirrjes së Departamentit Amerikan të Shtetit që Serbia t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte tre policët e Kosovës.

    Kearns thotë se e mirëpret një reagim të tillë të SHBA-së që konfirmon ndalimin e paligjshëm të tre policëve të Kosovës me “akuza të rreme”.

    Ajo tutje thotë se ndryshe nga vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zyrat e kryetarëve, Kearns thotë se vendimi i Serbisë është një akt i kundërligjshëm.

    Ajo ka thënë se pavarësisht kësaj, ndëshikimi i shpejtë u bë vetëm për Kosovën.

  • Avokati serb: Vuçiq duhet t’i lirojë sonte 3 policët, të tregojë që s’jemi Korea e Veriut

    Avokati serb: Vuçiq duhet t’i lirojë sonte 3 policët, të tregojë që s’jemi Korea e Veriut

    Avokati serb, Cedomir Stojkovic, i cili është duke e përcjell me shumë vemëndje rastin e tre policëve të Kosovës të cilëve iu është caktuar masa e pabargurimit në Serbi, ka reaguar pas thirrjes së fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre.

    Stojkovic ka thënë se presdienti serb duke zbatuar nenin 110 të Kodit Penal të Serbisë, me vendim të tij si president mund të marrë vendim për falje, vendim përmes të cilit do të liroheshin të tre policët e Kosovës.

    Avokati serb thotë se çdo vonesë për të marrë një vendim të tillë, është në dorë të presidentit serb.

    Derisa ka sqaruar se afati për ankesë ndaj paraburgimit është tre ditë dhe sakdon të hënën. Për ankesën Stojkovic thotë se vendos e njejta gjykatë në Kralevë.

    Avokati serb ka thënë se Vuçiq nuk duhet që të pres rezultatin e vendimit të gjykatës deri të hënën, por duhet t’i falë ata menjëherë sot, dhe në këtë mënyrë të tregojë që Serbia nuk është Kore e Veriut.

    “Turpi i njerëzimit Aleksandar Vuçiq, nuk duhet të presë rezultatin e atij vendimi, por me vendimin e tij duhet t’i falë ata sot dhe në këtë mënyrë të dërgojë mesazh se Serbia nuk është Kore e Veriut, pavarësisht se ai është president”, ka shkruar Stojkovic.

  • Shqipëria mposht lehtësisht Moldavinë

    Shqipëria mposht lehtësisht Moldavinë

    Shqipëria ka shënuar fitoren e parë në kualifikueset për Euro 2024.

    Kuqezinjtë kanë mposhtur Moldavinë me rezultat 2-0 në ndeshjen e rundit të tretë të Grupit E.

    Të dy golat u shënuan në pjesën e dytë të ndeshjes.

    Fillimisht realizoi Asani në minutën e 52-të.

    Rezultatin e dyfishoi Nedim Bajrami në minutën e 76-të.

    Me këtë fitore, Shqipëria është e treta me 3 pikë aq sa ka edhe Polonia, derisa Çekia është e para me 7 pikë.

  • Presidenca: Vuçiq u përpoq ta largojë vëmendjen nga protestat duke rrëmbyer 3 policët e Kosovës

    Presidenca: Vuçiq u përpoq ta largojë vëmendjen nga protestat duke rrëmbyer 3 policët e Kosovës

    Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se protesta javore në Beograd, ka regjistruar një numër të madh pjesëmarrësish, pavarësisht përpjekjeve të presidentit të Serbisë, Alekasnadar Vuçiq për t’i etiketuar ata si bashkëpunëtorë të Kosovës dhe Kroacisë.

    Vela në një postim në Twitter, ka thënë se rrëmbimi i tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia ka qenë një përpjekje e Vuçiqit për ta larguar vëmendjen nga protestat.

    “Pavarësisht përpjekjes së kotë të Vuçiqit për t’i etiketuar ato si marrëveshje të fshehtë me Kosovën dhe Kroacinë, protestat javore në Beograd patën pjesëmarrje të madhe. Këtë javë, ai iu drejtua nxitjes së retorikës nacionaliste pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, duke u përpjekur të largonte vëmendjen”, ka shkruar Vela.

  • Shënohet 80 vjetori i lindjes së veprimtarit, Ukshin Hoti

    Shënohet 80 vjetori i lindjes së veprimtarit, Ukshin Hoti

    PËRGATITI: NEXHMIE HYSENI

    Për nder të 80 vjetorit të lindjes së veprimtarit Ukshin Hoti janë bërë homazhe tek pllaka e të Pagjeturve në Prishtinë nga drejtues të shtetit. Jeta dhe vepra e ukshin Hotit u çmua lart derisa u kërkua drejtësi për të gjithë të pagjeturit.

    Është i vetmi person i pagjetur i Masakrës së Dubravës. Se çfarë ka ndodhur me fatin e veprimtarit, Ukshin Hoti besohet se fshihet në arkivat e shtetit të Serbisë.

    Në 80 vjetorin e lindjes së Hotit, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i ka shkruar Serbisë me kërkesë për hapjen e arkivave të dokumentacionit të klasifikuar të brigadës të motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash.

    Hapja e arkivave ishte pjesë e deklaratës për të zhdukurit e cila u nënshkrua nga Kosova e Prishtina më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut.

    Përpos nderimit që bëri në Parkun e të Pagjeturve për ditëlindjen e Ukshin Hotit, u shënua edhe ceremoni të organizuar nga Zyra e kryeministrit.

    Ukshin Hoti u lind më 17 qershor 1943 derisa u zhduk nga 16 maji i vitit 99.

    Duke qenë filozof dhe aktivist, profesor së drejtës ndërkombëtare dhe filozofisë Hoti mbetet njëri prej figurave më të shquara të shoqërisë kosovare.

    Për nder të ditëlindjes së tij edhe komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim kulturor e artistik derisa u bë përurimi i kompleksit kulturor-historik “Ukshin Hoti”, në Krushë të Madhe.

  • Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt

    Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, edhe fshati Vranidoll i komunës së Prishtinës u përmbyt. Banorët e këtij fshati thonë se u detyruan të hapin rrugë alternative për qarkullim ndërkaq, nga Komuna e Prishtinës thanë se vlerësimi i dëmeve fillon nga java e ardhshme.

    Rrugën e zakonshme nuk mund ta shfrytëzojnë tash për tash. Andaj banorët e fshatit Vranidoll krijuan rrugë alternative.  Në këtë fshat ka pasur përmbytje për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut këto ditë.

    “Te unë ka shkaktuar dëme në 1 hektar, te djali vëllait 1 hektar e 30 ari, kemi pasë të mbjellura perime, por ato i ka dëmtuar të gjitha. Nuk është hera e parë, nga nëntori është e pesta herë që është në këtë gjendje. Kemi bërë ankesa, e ato asgjë nuk kanë vlerë”.

    Për t’i parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet doli edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

     “Komuna e Prishtinës ka buxhet, tash sa duhet ndoshta nuk kemi sa duhet por normal që do të kemi bashkëpunim me siguri të mirëfilltë edhe me nivelin qendror që tu ndihmojmë banorëve”.

    Ndërkaq, Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave tha se nga java e ardhshme do të bëhet vlerësimi i dëmeve.

    “Sa i përket aspekteve të tjera ne u kemi treguar edhe qytetarëve dje që munden prej të hënës të vijnë dhe të paraqesin kërkesë. Ekipet tona do të dalin dhe do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, ekziston komisioni që është aktiv që bën vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, ne jemi në koordinim me kryetarin ku do të bëjmë vlerësimin e dëmeve, normal duke u varur edhe nga mundësitë buxhetore që i ka kryeqyteti”.

    Përveç kryeqytetit, si pasojë e reshjeve të shiut vërshime pati edhe në Podujevë Mitrovicë e Vushtrri derisa moti pritet të përmirësohet ditët në vazhdim.

     

     

  • Dëmtohet ura në fshatin Plemetin të Obiliqit

    Dëmtohet ura në fshatin Plemetin të Obiliqit

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU 

    Ura që lidh fshatin Plemetin dhe qytetin e Obiliqit, tash e disa muaj është dëmtuar. Derisa qytetarët përdorin rrugë alternative për qarkullim, sipas tyre, qarkullimi është i vështirë. Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës nuk tregoi se kur pritet të rregullohet ky problem.

    “Kjo është rruga alternative e cila po shfrytëzohet nga banorët e fshatit Plemetin, për t’u lidhur me qytetin e Obiliqit, kjo pasi që ura që gjendet në këtë fshat është dëmtuar tash e disa muaj”.

    Përdorimi i rrugës alternative qytetarëve u shkakton telashe, meqë i dëmton veturat.

    “Është shumë problem sepse përmes urës nuk mundemi me kalu dhe shumë gropa dhe veturat po prishen, po bëhen aksidente”.

    “Mu m’u ka prish këtu një herë vetura, gomat e veturës janë dëmtuar, është më mirë me rregullu urën se në këtë pjesë po prishen veturat”.

    Kjo rrugë alternative, po ashtu, po shkakton tollovi në komunikacion.

     “Problem po sjell kjo, sytë janë për me pa. Po e zgjatë kohën për me kalu në këtë rrugë alternative, për shkak se po kemi problem m’u kthy këtu.”

    Kjo urë e cila është dëmtuar tash e disa muaj, është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, por ky institucion nuk është përgjigjur se kur pritet të rregullohet ura.

    Ndërkaq, Komuna e Obiliqit i tha televizionit se do të fillojë vetë të bëjë intervenime në rregullimin e saj.

  • Tensionet në veri, “frikë” për investitorët

    Tensionet në veri, “frikë” për investitorët

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Situata e krijuar javët e fundit në veri të Kosovës mund të ketë efekt të rëndë edhe në fushën ekonomike. Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se ndikimi do të jetë i madh meqë Kosova nuk shihet si shtet për investime.

    Për shkak të situatës së tensionuar politike e të sigurisë, hiç më mirë nuk pritet t’i ketë punët as ekonomia në vend. Sipas anëtarëve të opozitës në komisionet për buxhet dhe ekonomi situata aktuale politike bënë që vendi të mos shihet si opsion për investime.

    “Investitorët serioz, investitorët strategjikë, investitorët e mirëfillte nuk kërkojnë situata të tilla, kërkojnë stabilitet dhe vend normal ku funksionon rendi dhe ligji. Veçanërisht kësaj përkeqësimin e situatës edhe me partnerët tjerë përveç me Serbinë, po ashtu investitorët e jashtëm do ti qetë në dilema të mëdha”

    “Kjo Qeveri e ka pruar situatën në këtë gjendje që nuk dihet si do të dalim nga ko krizë e thellë ekonomike por edhe pasigurisë”

    Por sipas njohësve të ekonomisë jo vetëm për shkak të veriut, ekzekutivi përgjithësisht ka dështuar në aspektin ekonomik.

     “Me veprimet patriotike që është duke I zhvillu po mundohet ta zbeh dështimin që e ka pasur në ekonomi këto 2 vite e gjysmë. Këto po janë më shumë politika popullore që ndikojnë nëpërmjet veprimeve në pjesën e veriut…”

    Qeveria në mes tjerash më 15 qershor mori vendim për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend. Kjo ngjalli shqetësim se çmimet sërish mund të rriten.

    Por, autoritetet përgjegjëse njoftuan se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut.