ATV

Blog

  • Sërish kritika për ndërkombëtarët për rastin e tre policëve

    Sërish kritika për ndërkombëtarët për rastin e tre policëve

    Kryeministri Albin Kurti, nuk dha hollësi, por deklaroi se po punojnë intensivisht që policët që janë në paraburim të Serbi të lirohen sa më parë.

    “Jemi duke bërë gjithçka që ata të lirohen sa më shpejt, të pacenuar. Ndërkaq në anën tjetër ftojmë edhe njëherë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësit i tyre antiterror dhe njësiti i tyre ‘Kobra’ i ushtrisë”, tha Kurti.

    Të tre policëve që me 14 qershor u rrëmbyen nga policia serbe, tashmë nga gjykata në Kralevë u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Sipas njohësve të çështjeve juridike, për vendimin ndaj tyre ata kanë të drejtë ankese në gjykatën e apelit.

    “Palët kanë të drejtë ankese ndaj vendimit për paraburgim në gjykatën e apelit, dhe gjykata e apelit mund të vendosë ta mbajë në fuqi vendimin e gjykatës së Kralevës apo mund të vendos në rigjykim apo të ndërpresë paraburgimin”, tha avokati, Taulant Hodaj.

    “Sa do të ketë efekt kjo ankesë, shumë dyshoj se nuk do të ketë ngase organet serbe dihet me çfarë motivacioni kanë kidnapuar tre policët e Kosovës”, tha avokati Emrush Kastrati.

    Sidoqoftë thonë se janë skeptik nëse ankesa e tyre do të merret parasysh pasi thonë se vendimet me shumë gjasë mund të jenë politike.

    “fatkeqësisht duket se nuk është kjo çështje e domenit juridik por kjo është çështje politike dhe ata janë arrestuar dhe u është vendosur paraburgimi me urdhër politik kështu që politika e ka bërë krejt dhe vetëm kamuflohen proceduralisht në aspektin juridik”, tha Hodaj.

    “Në këtë situatë që gjendemi, dihet se organet janë të ndikuara nga pushteti serb mirëpo në këtë drejtim do të kisha pasur dëshirë që të ketë efekt pozitiv presioni diplomatik”, tha Kastrati.

    Të tre policët që nga e mërkura po mbahen në Serbi, sipas kryeministri Albin Kurti, do të vizitohen nga ambasadori i Kosovës në Beograd Jetish Jashari, në ditët në vazhdim. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjenden tre trupat e pajetë të familjes Pacolli, reagon kryeministri Kurti

    Gjenden tre trupat e pajetë të familjes Pacolli, reagon kryeministri Kurti

    Tre trupat e pajetë të familjes Pacolli nga Kosova janë gjetur në lumin Lepenc të Shkupit gjatë pasditës së sotme.

    Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

    Ai i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të viktimave.

    “Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh. Falënderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”, ka shkruar Kurti.

  • Gjendet një veturë në lumin Lepenc, pritet konfirmimi nëse është e familjes nga Kosova

    Gjendet një veturë në lumin Lepenc, pritet konfirmimi nëse është e familjes nga Kosova

    Është gjetur një veturë në lumin Lepenc, rreth 200 metra larg vendit ku ka ndodhur aksidenti i së shtunës në rrugën Shkup – Bllacë.

    Siç raporton KlanM, pritet të konfirmohet nëse vetura është BMW e familjes Pacolli dhe nëse brenda saj gjenden anëtarët e kësaj familje.

    Përplasja bëri që vetura “BMW” me targa të Kosovës ta humbte drejtimin dhe të përfundonte në lumin Lepenc.

    Paraprakisht, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është arrestuar shoferi i veturës me targa nga Shkupi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin.

  • “Do të bëjë krenar gjithë jetën”, Kreshnik Ibrahimi, me vajzën, viziton varrin e babait të tij dëshmor të kombit

    “Do të bëjë krenar gjithë jetën”, Kreshnik Ibrahimi, me vajzën, viziton varrin e babait të tij dëshmor të kombit

    Aktori kosovar, Kreshnik Ibrahimi ditën e sotme ka vizituar varrin e babait të tij dëshmor i kombit.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Ibrahimni ka publikuar edhe fotografi, teksa shihet se këtë vizitë ai e ka bërë me vajzën e tij të vogël.

    “Do të bej krenar gjith jeten Babi”, ka shkruar aktori kosovar.

    Theksojmë se Kreshniku ka vite që jeton e vepron në Gjermani.

  • Dalin detaje nga aksidenti i rëndë: Vetura me targa të Shkupit dyshohet se tejkaloi kolonën dhe shkaktoi aksidentin

    Dalin detaje nga aksidenti i rëndë: Vetura me targa të Shkupit dyshohet se tejkaloi kolonën dhe shkaktoi aksidentin

    Njësitet speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

    Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) ka thënë se kërkimet po zhvillohen në kushte jashtëzakonisht të vështira.

    “Lumi është i thellë dhe shumë i shpejtë që paraqet rrezik për zhytësit”, tregoi ai.

    Sipas informacioneve fillestare nga Prokuroria Themelore Publike, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura e tipit “folksvagen turan” me targa të Maqedonisë së Veriut ka tejkaluar një kolonë veturash.

    “Në momentin kur ka arritur paralelisht te vetura me targa të Kosovës “BMW” e cila ka lëvizur në të njëjtën kolonë, dy veturat janë afruar dhe janë përplasur njëra me tjetrën, pas së cilës vetura me targa të Kosovës me katër udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thuhet në komunikatën për shtyp.

    Gjithashtu, theksojnë se shkaqet e përplasjes janë ende duke u konstatuar.

  • Becker rrëfen përjetimet e saj gjatë luftës në Kosovë: Zëri i foshnjes më përndjek edhe sot

    Becker rrëfen përjetimet e saj gjatë luftës në Kosovë: Zëri i foshnjes më përndjek edhe sot

    Humanistja britanike, Sally Becker ka ndihmuar gratë dhe fëmijët gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje. Ani pse ishte burgosur, plagosur e rrahur, ajo nuk ishte ndalur së ndihmuari, në veçanti fëmijët refugjatë.

    Becker tregon për KosovaPress rrugën nëpër të cilën ka kaluar, sfidat dhe përjetimet e saj gjatë misionit humanitar në Kosovë.

    Misioni i saj në Kosovë kishte nisur në vitet e 90-ta, kur po sillte ndihma për nënat dhe fëmijët, e kur kufijtë ishin mbyllur, ajo ishte ngjitur në këmbë për të sjellë ilaçe për fëmijë në Junik.

    Ajo tregon për KosovaPress se deputeti Hydajet Hyseni e kishte ndihmuar që t’iu shpëtonte snajperëve.

    Ndonëse me këmbë të lënduar, ajo nuk ishte ndalur dhe sot ende ndjen makth nga ajo që kishte përjetuar në Kosovë, kur regjimi i Millovesheviqit ishte në kulmin e egërsisë së vet.

    Por, kjo situatë qetësie ndonëse në kushte të vështira, nuk kishte zgjatur. Humanistja britanike tregon sesi pas pak kishin dëgjuar zhurmën e mitralozëve dhe granatave që kishin shpërthyer aty pranë.

    Forcat e regjimit serb më pas i kishin dërguar që të gjithë në stacionin policor në Gjakovë, ku Becker i ishte caktuar masa e parabugimit prej 30 ditësh, për t’u liruar dy javë më vonë.

    E kur Becker ishte plagosur nga forcat paramilitare serbe, ishte presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, që i kishte ofruar ndihmë, porse ajo nuk kishte mundur të largohej pa fëmijët.

    Ajo tregon sesi kishte arritur të merrte leje për ta dërguar për shërim vajzën e vogël 3-vjeçare.

    Për të mbetet i paharruar momenti kur kishte gjetur nënat shqiptare nga Kosova tek hanin e pinin në Shqipëri, bashkë me fëmijët e tyre.

    E tash kur në Kosovë erdhi përmes linjave të rregullta ajrore, ajo thotë se ndjeu kënaqësi të madhe.

    Humanistja britanike, Sally Becker ditë më parë mbajti një fjalim në konferencën e 2-të vjetore me temë “Nuk ka paqe pa gra”, të mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe, përveç në Kosovë, ajo ka dhënë kontributin e saj edhe gajtë luftërave e konflikteve në Bosnje e Hercegovinë, Irak, në disa vende të tjera dhe së fundmi në Ukrainë.

  • Kadare rrëfen njohjen me Ukshin Hotin: Besimi i tij te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë

    Kadare rrëfen njohjen me Ukshin Hotin: Besimi i tij te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë

    Komuna e Rahovecit e ka nderuar me titullin “Ukshin Hoti”, shkrimtarit të shquar me famë ndërkombëtare, Ismaili Kadare. Në një ceremoni të veçantë, u kujtua komunikimi i Kadares dhe Ukshin Hotit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë.

    “Unë e ruaj mendimin më të mirë për të. Ajo çka kemi folur dhe biseduar, i kemi shkruajtur njëri-tjetrit nëpër letra, mbetet madhore. Duke i rikujtuar tani, e kuptoj se sa pasuruese ishin këto biseda me të, për atë dhe mua. Natyrisht që ishte një gëzim i madh që i jepnim njëri-tjetrit. Ai e jepte këtë ndjesi me këdo që takohej. Me këtë gëzim që merrej prej tij dhe i kthehej atij, qarkullonte dhe bënte që mendimi për Kosovën, ëndrra për Kosovën të ishte e gjallë gjithmonë dhe të mos shkaktonte lodhje ose mërzi.”, tha Kadare në videomesazhin e tij.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare. Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare, e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht. Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hotit janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.

    Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosovës iu është imponuar lufta dhe shumica e këtyre plagëve nuk njihen nga aleatët tanë e lere më nga ata që i kanë shkaktuar. Mes të tjerash ai tha se qytetarët e Kosovës duhet ta gjejnë fuqinë e pajtimit dhe të jetojnë në paqe, duke mos harruar.

    Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, ‘Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe djali i veprimtarit të Ukshin Hotit, Andin Hotit. Përpara kësaj ceremonie, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, është përuruar kompleksit kulturor-historik në Krushë të Madhe.

  • Buna Perteshoni është fituesja çmimit të GOLDEN IDEA për idenë më të mirë në biznes

    Buna Perteshoni është fituesja çmimit të GOLDEN IDEA për idenë më të mirë në biznes

    Buna Perteshoni është fituesja e sezonit të ri të GOLDEN IDEA, për idenë më të mirë në biznes. Ajo fitoi çmimin prej 10.000 euro eurosh në garën Televizive për idenë më të mirë të të bërit biznes, organizuar nga Televizioni ATV në partneritet me Fondacionin Golden Eagle.

    Ideja e saj ishte nxjerrja online e një platforme të shitblerjes, e cila do të quhet “VESH DESH”. Kjo platformë të jetë qendra e parë online në Kosovë me fokus në shitje dhe blerje, e cila do ta inkurajojë komponentën e riciklimit. Platforma “VESH DESH do të përdoret nga shfrytëzues të shumtë, të cilët përveç shitjeve dhe blerjeve, do ta kenë mundësinë të targetojnë audienca shumë të mëdha, të cilët do të bëjnë shit-blerje online.

    Kjo ide Bunes e bëri jurinë profesionale, në përbërje të: Shaqir Palushi – Drejtor i Frutex, Kaltrina Haziri – Udhëheqëse Kreative në ATV, Teuta Krasniqi – aktore dhe Arian Zeka – Drejtor ekzekutiv i Odës Amerikanë në Kosovë, që ta vlerësojnë më së shumti nga tre kandidatët sa ishin në finale.

    Finalen e plotë mund ta shikoni në videon e më poshtme:

  • Kurti: Po bëjmë gjithçka që tre policët e Kosovës të lirohen sa më shpejt

    Kurti: Po bëjmë gjithçka që tre policët e Kosovës të lirohen sa më shpejt

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti “po bën gjithçka” që tre policët e Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, “të lirohen sa më shpejt të pacenuar”.

    Tre policët e Kosovës, ishin duke patrulluar në Leposaviq më 14 qershor, pranë kufirit me Serbinë, kur sipas autoriteteve në Kosovë, u rrëmbyen nga forcat serbe.

    Serbia thotë se i arrestoi ata “thellë” brenda territorit serb dhe një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    “I ftojmë edhe një herë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake dhe policore rrëmbyen policët tanë, njësiti anti-terror dhe ai ‘Kobra’ i ushtrisë tre policët tanë në Leposaviq të cilët ndodheshin pikërisht te një rrugë e mbyllur ilegale e kontrabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, që është shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, do ta arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti për mediat më 18 qershor.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, më herët gjatë javës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

    Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.

    Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.

    Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.

    Rasti i tre policëve të Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.

    Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët. /REL

  • Aksidenti në Lepenc – arrestohet shoferi nga Shkupi

    Aksidenti në Lepenc – arrestohet shoferi nga Shkupi

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se është arrestuar personi B.B. nga Shkupi, i cili u përfshi në aksidentin e djeshëm në lumin Lepenc, ku si pasojë ende rezultojnë të zhdukur 3 shtetas të Kosovës, të cilët me veturë ranë në lumë.

    “Me datë 17.06.2023 rreth orës 15:20 është raportuar se në rrugën Shkup – VK Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku, me të cilin janë përfshirë automjeti i pasagjerëve ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në mjetin tip BMW, sipas kallëzimit, përveç drejtuesit të mjetit ndodheshin edhe tre pasagjerë M.P (48), Sh.P (21) dhe një i mitur 16-vjeçar”.

    “Pas aksidentit pasagjeri Sh.P është nxjerrë nga lumi dhe është transportuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ku mjeku i ka konstatuar lëndime trupore, ndërsa tre personat e tjerë janë në kërkim nga ekipet e Departamentit të Operacioneve Speciale të Policisë. Prokurori publik dhe ekipi nga SPB Shkup kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit publik drejtuesi i mjetit ‘Volkswagen Touran’ B.B hiqet liria dhe ndalohet për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.