ATV

Blog

  • Aksidenti në Lepenc, Sveçla: Kemi ngritur të gjitha kapacitetet të kemi rezultate sa më të shpejta

    Aksidenti në Lepenc, Sveçla: Kemi ngritur të gjitha kapacitetet të kemi rezultate sa më të shpejta

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka dalë në vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik në lumin Lepenc në Maqedoninë e Veriut.

    Ai ka thënë se në vendngjarje mbrëmë kanë arritur njësitë e Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që kanë filluar operacionin e kërkim-shpëtimit, shkruan Zeri.info.

    Sveçla tha se aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi.

    “Institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident dhe përkundër të gjitha sfidave, kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të kemi rezultate sa më të shpejta”, shkroi ai në Facebook.

  • Vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc

    Vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc

    Njësit speciale të policisë maqedonase dhe të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim po vazhdojnë kërkimet për tre shtetasit e Kosovës të zhdukur në lumin Lepenc afër Shkupit, disa kilometra larg vendkalimit kufitar mes dy shteteve në Bllacë.

    Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, vetura me të cilën po udhëtonin katër persona, shtetas të Kosovës, është aksidenuar me një veturë tjetër me targa të Shkupit, dhe më pas vetura ka rënë në lumë.

    Njëri nga katër personat që ndodhej në veturë ka arritur të dalë prej saj, ndërsa të tjerët së bashku me mjetin janë zhytur në Lepenc.

    “Aksidenti ka ndodhur në rrugën Shkup-vendkalimi kufitar Bllacë, kur në një aksident trafiku janë përfshirë një veturë Volkswagen me targa të Shkupit, e drejtuar nga B.B. nga Shkupi dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, e drejtuar nga H.P. nga Kosova, e cila pas aksidentit ra në lumin Lepenc. Në automjetin BMW, përveç shoferit, ndodheshin edhe tre pasagjerë. Një person është nxjerrë nga lumi dhe është transferuar në spitalin ‘8 Shtatori’, ndërsa për tre të tjerët policia vazhdon kërkimin”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

    Në momentin e aksidentit sipas policisë maqedonase, ka pasur prurje të mëdha të lumit Lepenc për shkak të reshje të rrëmbyeshme të shiut.

    Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Ata i ka shoqëruar zëvendësministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase”, thuhet në njoftim.

    Në operacionin e kërkim-shpëtimit, sipas MPJD-së, po marrin pjesë edhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

  • Shteti pa asnjë helikopter

    Shteti pa asnjë helikopter

    Kosova nuk ka në dispozicion asnjë helikopter në rast të ndonjë krize. Të tillë nuk posedon shteti në fushën e mbrojtjes, të sigurisë e as shëndetësisë. Si pasojë e kësaj, vlerësohet se shumica e shërbimeve janë të nivelit më të dobët dhe se nuk përmbushen nevojat e institucioneve.

    Opozita thotë se sfidë është kosto që përfshin përgatitjen e pilotëve, mirëmbajtësve dhe njësive të tjera. Ndërkaq, me këtë nuk pajtohen nga pushteti, meqë thonë se një gjë e tillë është e thjeshtë. Po ashtu, zotohen se qeveria shpejt do të shohë se në cilat fusha ka nevojë për blerjen e helikopterëve.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni deklaron se disa institucione do të duhej të posedonin helikopterë për shërbime të ndryshme.

    Ish-ministri i Mbrojtjes thekson se mbetet sfidë çështja e përgatitjes së kuadrove, blerjes së helikopterëve dhe mirëmbajtja e tyre.

    Ndërkaq, deputeti i shumicës, Mefail Bajqinovci thekson se trajnimi i personelit që duhet të angazhohet në këtë fushë është i thjeshtë.

    Deputeti i shumicës parlamentare shton se ekzekutivi është i angazhuar për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Madje, thotë se beson se shumë shpejt qeveria do të shohë se në cilën fushë nevojitet blerja e helikopterit.

    Megjithatë, për këtë nuk kthyen përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni deklaron se si pasojë e mungesës së helikopterëve shumica e shërbimeve janë të nivelit më të dobët.

    Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se helikopterët janë shumë të nevojshëm, por nuk është koha për blerjen e tyre.

    Kosova nuk ka kompetencë dhe nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, por edhe ligjeve aktuale, misioni i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

  • Vuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin

    Vuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin me Kurtin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.

    “Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

    Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

    “Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin në një takim që është thënë se do të mbahet javën e ardhshme.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në takimin e Brukselit. Ai të shtunën, më 17 qershor, deklaroi për mediat në Prishtinë, se ekipi i tij do t’i përgjigjet ftesës së Borrellit në fillim të javës së ardhshme.

    Vuçiq tha po ashtu se takimi me kryeministrin e Kosovës ishte kushtëzuar me përmbushjen e kërkesave të Serbisë: tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga komuna e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës dhe lirimin e serbëve të arrestuar.

    Vuçiq u shpreh se Serbia u përpoq, siç tha, që në çdo mënyrë të ruajë paqen dhe progresin.

    “Sidoqoftë, sado që ne u përpoqëm që të jemi një partner serioz i fuqive perëndimore, ne jemi në rrugën evropiane, ua them sinqerisht, ata kurrë nuk na kanë parë ne në atë mënyrë. Nëse ne nuk do të respektonim çdo kërkesë, do të ishim fajtorë, edhe pse nuk jemi fajtorë”, shtoi ai.

    Presidenti serb tha se shteti i tij do të mbetet në rrugën evropiane derisa ai ta udhëheqë Serbinë. Megjithatë, ai vlerësoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia nuk do të bëhet anëtare e BE-së.

    Ftesa nga Brukseli për takimin mes dy liderëve erdhi pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.

    Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

  • Ekipi i Kosovës niset drejt Budapestit, nesër takohet me Bjellorusinë

    Ekipi i Kosovës niset drejt Budapestit, nesër takohet me Bjellorusinë

    Kombëtarja e Kosovës është nisur drejt Budapestit të Hungarisë në mëngjesin e sotëm.

    “Dardanët” të hënën mbrëma do të luajnë ndaj Bjellorusisë, në stadiumin “Ferenc Szusza”.

    Ndeshja i takon kualifikimeve për në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, atje ku Kosova tashmë thuajse nuk ka fare gjasa për të arritur.

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar disa fotografi në faqen zyrtare, duke informuar për nisjen e ekipit kombëtar drejt kryeqytetit hungarez.

  • Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, aktualisht është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Berlin.

    Ajo tha se në kuadër të margjinave të “SOWG Berlin, 2023”, ka takuar edhe presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

    Me homologun e saj, Osmani tha se pati rastin që të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, transmeton Paparaci.

    “Në frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera Kosovë-Gjermani, konfirmuam gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka shkruar ajo në Twitter.

  • MPJD jep detaje për aksidentin tragjik të familjes nga Kosova që ra me veturë në Lepenc

    MPJD jep detaje për aksidentin tragjik të familjes nga Kosova që ra me veturë në Lepenc

    Një aksident tragjik ka ndodhur pasidtën e së shtunës në aksin rrugor Bllacë-Shkup. Sipas informatave zyrtare, një veturë me targa të Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc. Në veturë ndodheshin katër persona të një familje nga Kosova. Njëri nga personat ka arritur të dalë nga lumi, ndërsa tre të tjerë ndodhen në kërkim.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.

    “Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë i ministrisë:

    Dje, me datë 17 qershor 2023, në orët e pasditës, pas një aksidenti në komunikacion, një veturë me targa të Republikës së Kosovës ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc.

    Në veturë ndodheshin katër pjesëtarë të një familjeje nga Kosova. Njëri prej tyre ka arritur që të dalë nga lumi Lepenc, përderisa të tjerët janë në kërkim.

    Në vendngjarje ka dalë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, të shoqëruar nga zëvendësministri i brendshëm i RMV Nazim Bushi.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes procedurave të përshpejtuara ka lehtësuar dhe koordinuar kalimin e njësiteve të specializuara të kërkim-shpëtimit nga Kosova për në territorin e RMV-së, pas kërkesës së autoriteteve maqedonase.

    Krahas ekipeve të specializuara të Maqedonisë së Veriut, që në orët e hershme të mëngjesit pjesë e operacionit të kërkim-shpëtimit janë njësiti relevant nga FSK dhe ai nga Policia e Kosovës.

    Për shkak të rreshjeve të shumta të ditëve të kaluara, operacioni është duke u realizuar me disa vështirësi por pa epilog deri më tani.

    MPJD do t’ju mbajë të informuar rreth zhvillimeve të mëtejme.

  • NATO ia kujton Kosovës dhe Serbisë obligimet nga Marrëveshja e Kumanovës, përfshirë çështjen e FSK-së në veri

    NATO ia kujton Kosovës dhe Serbisë obligimet nga Marrëveshja e Kumanovës, përfshirë çështjen e FSK-së në veri

    Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se aleanca veri-atlantike i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës.

    Sipas saj, KFOR-i po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, “siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

    Në në një postim në Twitter, ajo tha se angazhimi i KFOR-it për ta zbatuar mandatin e tij është i palëkundur, “siç tregohet nga vendosja e fundit shtesë prej 500 trupash”.

    Gjithashtu, NATO-ja u ka rikujtuar edhe njëherë palëve “obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake”, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Kumanovës .

    E njëjta marrëveshje dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

    Me këtë marrëveshje – të nënshkruar më 9 qershor 1999 – Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

    E po kjo marrëveshje, sipas zyrtares së NATO-s, përfshin respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshja e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri.

    “Këto detyrime janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin + ruajtjen e mjedisit të sigurt/të sigurt”, shtoi Lungescu.

    Reagimi i saj vjen pasi tre zyrtarë policorë janë rrëmbyer nga autoritet serbe të mërkurën që lamë pas.

    Serbia ka thënë se tre policët e Kosovës janë arrestuar “thellë brenda territorit” të saj, por Kosova e ka quajtur rrëmbim këtë veprim nga forcat serbe dhe ka thënë se ata ishin në territorin e Kosovës.

    Kurse, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

    Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

    Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar më 16 qershor se ndaj tre policëve një gjykatë në Kralevë të Serbisë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

    Të shtunën, Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverisë serbe që t’i lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës, të arrestuar më 14 qershor.

    “Arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, në një deklarate për media.

  • Kurti e ministri saudit i vlerësojnë të shkëlqyera raportet ndërshtetërore

    Kurti e ministri saudit i vlerësojnë të shkëlqyera raportet ndërshtetërore

    Të shkëlqyera i kanë vlerësuar marrëdhëniet ndërshtetërore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Investimeve të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Khalid Al Falih, në një takim të shtunën në Prishtinë.

    Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim Kurti ka falënderuar ministrin saudit për përkrahjen “e parezervë të Arabisë Saudite përgjatë gjithë këtyre viteve të shtetit të Kosovës”.

    “Ai dhe ministri Al Falih u shprehën të kënaqur për marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve. Ata folën për potencialin dhe mundësitë për thellimin e tyre, nëpërmjet bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, thuhet në njoftim.

    Ky ishte takimi i dytë i sivjetmë i kryeministrit Kurti dhe ministrit saudit të Investimeve, Khalid Al Falih.​

  • Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

    Serbia mohon se po keqtrajton tre policët e Kosovës

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka mohuar akuzat e autoriteteve në Kosovë se Beogradi zyrtar po keqtrajton tre policët e Kosovës.

    “Është absolutisht gënjeshtër se Beogradi po i trajton keq, që atyre nuk po u jepen ilaçe, që po keqtrajtohen. Kur i thotë këto Prishtina, ajo niset prej vetes, sepse po keqtrajton serbët e arrestuar, po i rrah ata dhe nuk po i lë të lirë”, tha Petkoviq.

    Ai shtoi se Serbia “është shtet serioz” dhe vepron në bazë të ligjit.

    Çdo person i arrestuar ka dhomën e tij, ata marrin ilaçe, ushqim dhe pije. Ata nuk janë në hajat, por për dallim nga serbët e arrestuar, këta të tre janë sikur në Katër Stinët [Four seasons]. Mos gënjeni më. Po kërkoni lirimin e atyre që hynë në territorin e Serbisë me pushkë të gjata. Merruni me serbët që janë të arrestuar padrejtësisht, që po keqtrajtohen”, tha Petkoviq.

    Ai shtoi se ishte i “tronditur” nga reagimet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, që kërkuan lirimin e pjesëtarëve të policisë së Kosovës, që Beogradi thotë se i ka arrestuar në Serbinë qendrore.“Askush se përmend që është e nevojshme të lirohen serbët e pafajshëm. Për çfarë hipokrizie po flasim. Ne nuk vendosim sepse procedurat ligjore kanë nisur dhe tani jemi në proces ligjor. Prokuroria dhe gjykata vendosin për këtë çështje e jo ambasadat”, tha Pektoviq.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Radios Evropa e Lirë të premten se tre policëve të Kosovës – që Prishtina thotë se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës – u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet e drejtësisë në Kralevë.

    Ahmeti tha se në bazë të informatave që ka, policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

    Ai tha se i ka siguruar këto të dhëna nga një zyrtar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, i cili, sipas Ahmetit, është në kontakt me avokaten e njërit prej policëve.

    “Qysh dje, përmes Zyrës Ndërlidhëse, kemi kërkuar nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti për Parandalimin e Torturës që të interesohen për policët tanë atje. Kjo çfarë kemi kuptuar sot, është shumë serioze dhe shqetësuese për ne”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, nuk iu pranua kërkesa për t’i vizituar policët.

    Tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë më 16 qershor se mbetet e paqartë se ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin në kohën e arrestimit.

    Ky mision tha se ka inspektuar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka biseduar me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet në Serbi.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve të Kosovës.

    Rasti me tre policët e Kosovës ndodhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

    Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.