ATV

Blog

  • Presidentja shpreson se marrëveshjet me partnerët do të tejkalohen

    Presidentja shpreson se marrëveshjet me partnerët do të tejkalohen

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Gjatë qëndrimit në Berlin, në një takim me gazetarë, presidentja Vjosa Osmani u tregua optimiste se mosmarrëveshjet që ka Kosova me partnerët perëndimorë do të tejkalohen. Sipas saj, kanë mbetur vetëm edhe disa detaje lidhur me mbajtën e zgjedhjeve në veri dhe tërheqjen e policisë nga objektet komunale.

    Mosmarrëveshjet e tanishme të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas presidentes Vjosa Osmani do të tejkalohen se shpejti.

    Gjatë qëndrimit në Berlin me ftesë të presidentit gjerman, Vjosa Osmani theksoi se është koha për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme.

    “Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim”

    Dy nga kërkesat aktuale të faktorit ndërkombëtar për institucionet kosovare janë mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe tërheqja e forcave policore nga objektet komunale në veri. Sipas presidentes Osmani, për përmbushjen e tyre kanë mbetur të sqarohen vetëm disa detaje.

    “Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje. Sa i përket tërheqjes së forcave policore, Kosova tashmë ka propozuar që të bëhet një vlerësim i përbashkët i sigurisë së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in, në bazë të të cilit do të bëhet tërheqja.”

    Presidentja e Kosovës siguroi qytetarët se kriza aktuale në veri nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave.

    “Na janë dhënë garancitë  nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani.  Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët.”

    E para e shtetit udhëtoi në Berlin për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale, për personat me aftësi të veçanta.

     

  • Përparim Rama viziton zonat e prekura nga vërshimet, premton kompensimin e dëmeve

    Përparim Rama viziton zonat e prekura nga vërshimet, premton kompensimin e dëmeve

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë janë zonat më të prekura nga vërshimet.

    Ai sot ka vizituar këto lagje për t’i parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, duke iu premtuar kompensim.

    “Lagjet e familjeve Verbovci dhe Leci në Barilevë të Prishtinës janë ndër zonat që janë prekur nga vërshimet. Sot me drejtorët, Lulzim Fushtica, Plator Gerdovci, dhe komandantin e Brigadës së Zjarrfikësve, Mal Gashi, vizituam këta bujq për të parë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, të cilat janë të konsiderueshme. Gjithashtu, ne shkuam edhe në Prugoc, Drenoc dhe Bërnica e Poshtme.

    Do të zhvillojmë një plan të përgjithshëm për rregullimin e këtyre zonave, në mënyrë që banorët dhe bujqit të mos përballen më me probleme të tilla në të ardhmen. Ne do të merremi gjithashtu me kompensimin e dëmeve, disa prej të cilave do t’u jepen direkt banorëve nga institucionet e Kryeqytetit, ndërsa disa të tjera do të përfshihen edhe institucionet e tjera”, ka shkruar Rama.

    Ai tha se në asnjë rast nuk do t’i lënë këta banorë vetëm me problemet e tyre, dhe gjithmonë do të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë për ta.

  • Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 € për gazetarët e lënduar në veri të Kosovës

    Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 € për gazetarët e lënduar në veri të Kosovës

    Së fundmi në veri të Kosovës janë sulmuar disa gazetarë të mediumeve të ndryshme kosovare andaj Fondacioni Golden Eagle ndanë 5000 euro për gazetarët e lënduar.

    “Nuk ka asnjë çmim që mund të paguaj punën e tyre dhe vlerën e raportimit objektiv rreth ngjarjeve në veri, por kjo më shumë është solidarizim dhe mbështetje për ta. Faleminderit për përkushtimin dhe punën e palodhshme”, thuhet në njoftimin e Fondacionit.

  • Ish-bashkëpunëtori i Oliver Ivanoviqit thotë se u kërcënua me vdekje, Joviq: Largohem nga politika

    Ish-bashkëpunëtori i Oliver Ivanoviqit thotë se u kërcënua me vdekje, Joviq: Largohem nga politika

    Komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, ka njoftuar se për shkak të kërcënimeve më të fundit që ka marrë “nga një vend mëse serioz”, është i detyruar të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politike lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

    Joviq, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut, theksoi se në muajt e fundit ka marrë disa paralajmërime “të ketë kujdes, se mund të eliminohet, arrestohet ose vritet”.
    “Paralajmëroj opinionin publik se në mënyrë më se serioze, nga një burim më se serioz, kam marrë një paralajmërim se nëse vazhdoj çfarëdo aktiviteti politik, siguria ime dhe e të afërmve të mi direkt do të rrezikohen”, theksoi Joviq, pa specifikuar nga kush ka marrë kërcënime.

    Ai shtoi se deri më tani, asnjë kërcënim, “apo humbja e vendit të punës, arrestimi, suspendimi, pasojë e të cilave mund të jenë lëndime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën”, nuk mund ta trembin atë.

    Kujtojmë se Joviq ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq dhe është një nga më meritorët për faktin se serbët nuk u dëbuan nga veriu i Kosovës në vitin 1999.

    Joviq ishte një nga liderët e protestave serbe më 13 qershor, kur M.M u arrestua, duke brohoritur “Tradhti, tradhti” dhe duke fyer presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Ai atë ditë iu drejtua qytetarëve të mbledhur dhe më pas bëri thirrje për protestë të hënën para selisë së Listës Serbe. Kësaj tërheqjeje nga politika i kanë paraprirë edhe raportime të pakonfirmuara për një sulm fizik ndaj tij.

    Në një intervistë për agjencinë Beta më 14 qershor, Joviq deklaroi se Lista Serbe e ka humbur besueshmërinë e saj dhe se nuk mund të përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.

    “Që nga viti 2013 kemi pësuar kërcënime dhe shantazhe nga Beogradi. Pas gjithë barrikadave të organizuara nga lista e Beogradit dhe Srpska dhe pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjendja sa vjen e përkeqësohej për serbët në Kosovë. Të gjitha veprimet e bëra nga Lista Serbe për t’i bërë gjoja rezistencë Prishtinës, rezultuan të kota sepse të gjitha direktivat vinin nga Aleksandar Vuçiq”, tha Joviq.

    Ai ka theksuar se pas barrikadave të para, në veriun e Kosovës erdhën njësitet e policisë speciale të Kosovës, pas të dytës u ndërtuan bazat speciale të policisë dhe pas barrikadave të treta, veriu u morr plotësisht.

    Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës ka shprehur indinjatën për kërcënimet e dërguara ndaj Komisionerit për Kosovë, Nebojsha Joviq.

  • Gazetari i dhunuar rrëfen situatën e sulmit në Kosovë: Fillimisht gjuajtën me shock-bomba

    Gazetari i dhunuar rrëfen situatën e sulmit në Kosovë: Fillimisht gjuajtën me shock-bomba

    Situata në veri të Kosovës ditët e fundit ka qenë mjaft e tensionuar, ku ka pasur dhe sulme të herëpashershme ndaj policisë, gazetarëve dhe jo vetëm.

    Pleurat Salihu është një nga gazetarët e dhunuar në Kosovë. Ai ka treguar për Euronews si ndodhi sulmi ndaj tij dhe kolegëve në Leposaviç.

    Ai tha se fillimisht kanë shkruar në pjesën veriore ku ndodhet dhe stacioni policor sepse bënë një raportim nga aty.

    “Kur kemi shkuar në Leposaviç vazhduam të qetë, pa provokime, pa e kthyer kokën në të djathtë apo në të majtë edhe pse kanë qenë ato ofendimet, sharjet që i kemi përjetuar vazhdimisht dhe kemi shkuar deri te vendi ku është dhe objekti i komunës. Jemi stacionuar aty, ka qenë dhe ekipi i një media tjetër. Ai tregoi se në momentin që u vendosën në një nga çadrat që është vënë për mos t’u lagur nga shiu protestuesit dhe për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Ish-kryetari i Leposaviçit iu ka dhënë urdhër tre qytetarëve serbë që të na largojë nga çadra dhe të dalim ne në shi. Jemi larguar, kemi ndenjur në shi,” – u shpreh Salihu.

    Sipas gazetarit në momentin që Elbert Krasniqi ka dalë nga dera e komunës është dëgjuar shock-bomba e parë drejt ministrit dhe drejt gazetarëve. Ai tregoi se kameramani që ka pasur afër ka pasur probleme me dëgjimin.

    “Në momentin që e ka kaluar portën, ish-kryetari i Leposaviçit ka dhënë urdhër, sulmoni automjetin e ministrit me gjithçka,” – u shpreh Salihu.

    Nga këto incidente, gazetari ka mbetur me krahun e thyer.

  • KFOR-i dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në veri: Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit

    KFOR-i dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në veri: Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR i ka dënuar ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

    Në reagimin e KFOR-it thuhet se liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore, të cilat duhet të respektohen nga të gjithë.

    “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt”, thuhet në komunikatën për media.

    Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë dislokuar rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme.

    “KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    KFOR-i ka thënë tutje se vazhdon të kryejë mandatin e tij në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, dhe se mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja rrugë përpara.

    “Gjithashtu, komandanti i KFOR-it është në kontakt të rregullt me ​​të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së. dhe komunitetit diplomat.

  • Kosova kryen stërvitjen e fundit para nisjes për në Budapest

    Kosova kryen stërvitjen e fundit para nisjes për në Budapest

    Pasi që mbrëmë barazoi 0:0 me Rumaninë, tani Kosova ka kthyer fokusin te përgatitjet për ndeshjen kundër Bjellorusisë.

    “Dardanët” sot vazhduan me përgatitje për ndeshjen ndaj Bjellorusisë, të cilën e zhvillojnë të hënën në stadiumin “Ferenc Szusza” të Budapestit.

    Për të rigjeneruar energjinë dhe fuqinë e tyre, lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen e kaluar si dhe Edon Zhegrova, kanë patur një seancë të veçantë rigjeneruese në palestrën e fitnesit në hotel, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka bërë stërvitje intensive në Kampin Nacional në Hajvali.

    Ekipi i Kombëtares së Kosovës do të udhëtojë drejt Budapestit nesër.

    Përkundër zhgënjimit që solli barazimi kundër Rumanisë, “Dardanët” janë të përgatitur të bëjnë çmos për ta fituar sfidën e radhës ndaj Bjellorusisë.

    Ndeshja e katërt e kualifikimeve për Euro 2024, Bjellorusi – Kosovë, zhvillohet të hënën në stadiumin “Ferenc Szusza”, në orën 20:45.

  • ​Kurti: Në javën e ardhshme do të japim përgjigje për takimin në Bruksel

    ​Kurti: Në javën e ardhshme do të japim përgjigje për takimin në Bruksel

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se në fillim të javës së ardhshme do t’i japin një përgjigje përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell për takimin në Bruksel.

    Ai u shpreh se ka kërkuar takim me urgjencë javën që shkoi, por tha se tani kanë kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme.

    “Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesë-pikësh, mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme. Një herë u tha data 22, pastaj u tha data 23, pastaj sërish data 22. Unë do ta diskutojë me ekipin tim dhe me siguri që do t’ju japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, u shpreh ai.

    Kryeministri potencoi se është i angazhuar në dialog me Serbinë, por tha se mungon sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i ankesit të implementimit.

    Ai tha se janë përkushtuar dhekosntruktiv në dialog.

    “Kurse në këtë dialog unë jam i angazhuar, por ajo çfarë po mungon është sekuencimi për zbatimin e plotë pa vonesa dhe pa kushte i marrëveshjes bazike dhe i ankesit të implementimit. Një sekuencim, i cili do të ishte i balancuar dhe fer e që praktikisht është krejt i ndryshëm prej atij çfarë ne na u patë ofruar me datën 26 prill. Pra jemi të përkushtuar, jemi kosntruktiv, mirëpo, nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë i kuptoj që neni 7 dhe 10 janë nenet të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t’i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, tha Kurti.

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell ka deklaruar më 15 qershir se javën e ardhshme do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë në një takim në Bruksel.

  • DW: Serbia injoroi thirrjet e SHBA-së për lirimin e policëve – rriti më shumë tensionet

    DW: Serbia injoroi thirrjet e SHBA-së për lirimin e policëve – rriti më shumë tensionet

    Edicioni në gjuhën angleze i “Deutsche Welle” ka raportuar për gjykimin që iu bë tre policvëve kosovarë në Serbi, duke thënë se kjo e fundit ka vazhduar me procedurat e gjykimit duke i injoruar kërkesat e ndërkombëtarëve për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte.

    Pas arrestimit të tre oficerëve kosovarë në Serbi, SHBA-të kanë kërkuar vazhdimisht lirimin e tyre. Por prokurorët publikë po ecin përpara me akuza, duke rritur më tej tensionet, shkruan ky medium.

    Një gjykatë serbe të premten urdhëroi vazhdimin e paraburgimit dhe hetimit ndaj tre policëve të Kosovës që u arrestuan në Serbi në fillim të javës.

    Hapja e procedurave ligjore erdhi pasi i dërguari i posaçëm i SHBA për Europën Juglindore, Gabriel Escobar, kërkoi lirimin e oficerëve, në përputhje me kërkesën e Departamentit të Shtetit të SHBA një ditë më parë.

    “Ata ose ishin marrë ose përfunduan në Serbi pa e pasur qëllim,” tha Escobar në një konferencë për shtyp në internet.

    “Ata duhet të lirohen pa kushte”.

    Serbia ecën përpara me hetimin

    Zyra e Prokurorit Publik në qytetin serb të Kralevës tha se i kishte akuzuar tre policët për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paautorizuar të armëve dhe substancave shpërthyese.

    “Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë urdhëroi paraburgimin e të gjithë të dyshuarve”, tha zyra e prokurorit në një deklaratë. Sfondi i arrestimit fillestar është kundërshtuar nga Serbia – e cila thotë se oficerët ishin thellë brenda territorit serb – dhe Kosova – e cila thotë se ata ishin rrëmbyer.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e përshëndeti thirrjen për lirimin e policëve dhe përsëriti anën kosovare të historisë: “Serbia i rrëmbeu ata, në një rrugë në Kosovë të përdorur nga kontrabandistët serbë”.

    Frika nga rikthimi në konflikt të hapur

    Arrestimi i policëve kosovarë është vetëm episodi më i fundit në përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve mes dy fqinjëve.

    Pjesëtarët e pakicës serbe në veri të Kosovës kanë protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave në qytetet e tyre pasi shumica e serbëve etnikë bojkotuan votimin.

    Protestat shpërthyen në dhunë, me serbët e Kosovës që u përplasen me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO, disa prej të cilëve u plagosën në përleshje.

    Serbia më pas urdhëroi që trupat e saj të vendoseshin në përballje dhe të ishin në gatishmëri më të lartë.

    BE-ja, Britania e Madhe dhe SHBA-ja u kanë bërë thirrje të dyja palëve të de-përshkallëzojnë situatën. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008 pas një lufte në fund të viteve 1990 që la mbi 10,000 njerëz të vdekur, shumica e të cilëve ishin nga komuniteti shumicë etnike shqiptare, përfundon artikulli i DW.

  • Sulmet ndaj gazetarëve, Ambasadori Rohde: Pse s’po shoh reagim nga Lista Srpska

    Sulmet ndaj gazetarëve, Ambasadori Rohde: Pse s’po shoh reagim nga Lista Srpska

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka reaguar pas sulmeve brutale të djeshme ndaj gazetarëve nga bandat në Leposaviq.

    Ai tha se këto pamje që erdhën nga atje ishin tronditëse, duke pyetur se ku duhet të përfundojë kjo.

    Rohde ka kritikuar për mosreagim nga Lista Srpska për dhunën ndaj gazetarëve, për të cilën tha se duhet ta bëjë pjesën e saj për t’i ulur tensionet.

    “Brutaliteti i kësaj skene është tronditës. Ku duhet të përfundojë kjo? Shumë e kanë dënuar këtë akt të papranueshëm dhune, por fatkeqësisht deri më tani nuk shoh asnjë reagim nga përfaqësuesit e Listës Srpska mes tyre. Pse? Të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre për të de-përshkallëzuar situatën”. Ka shkruar ai, derisa ka shpërndarë edhe një video që shfaqte sulmet ndaj gazetarëve.