ATV

Blog

  • Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Serbët protestojnë edhe sot në Graçanicë, bllokohet përkohësisht rruga Prishtinë-Gjilan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se përkohësisht do të bllokohet rruga Prishtinë-Gjilan, për shkak të protestës që është paralajmëruar nga serbët sot në Graçanicë.

    Policia njofton se do ta ridrejtojë trafikun në këtë pjesë deri në përfundim të protestës.

    “Me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas. Rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës. Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim e policisë.

    Serbët kanë protestuar edhe gjatë ditës së djeshme në Graçanicë, pas arrestimit të Dragisha Millenkoviq i cili dyshohet për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj Dragisha Millenkoviqin, i cili u arrestua dje në Graçanicë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999.

  • Mbahet orkestra e parë e fëmijëve në Kosovë

    Mbahet orkestra e parë e fëmijëve në Kosovë

    Pas tre muajsh pune e përkushtimi, fëmijët e orkestrës së Prishtinës dhe kori ‘Amadeus’ sollën në jetë koncertin “Një skenë plotë yje”, në sallën e hotelit Swiss Diamond në Prishtinë.

    Mbrëmja filloi me prezantime, fjalime e falënderime për të gjithë mbështetësit e kësaj ëndrre për fëmijët.

    “Për themelimin e orkestrës na ka inkurajua shumë dhe na ka mbështetë Komuna e Prishtinës, dirigjenti Vehbi Shoholli, i cili i ka aranzhuar partet dhe i ka mbajtur të gjitha provat që nga muaji mars, ndërsa për organizimin e koncertit kemi qenë një ekipë e tanë. Ky koncert është planifikuar që nga muaji mars kur kanë filluar provat. Për organizimin e këtij koncerti, përveç dirigjentit që ka punua gjatë gjithë kohës, i gjithë stafi i shkollës së muzikës ‘Amadeus’ jemi angazhuar për organizim”, tha për ATV-në, drejtoresha e Shkollës së Muzikës ‘Amadeus’”, Hana Petrovci.

    Ajo tha se i kanë arritur pritshmëritë nga ky koncert dhe se në të ardhmen presin të organizojnë edhe shumë koncertë të tjera për fëmijët.

    “Jam ndjerë shumë mirë, shumë e emocionuar, sepse është investuar shumë energji, shumë përkushtim, mirëpo në fund fëmijët dolën shumë bukur, tingëlluan shumë bukur dhe i kemi arritur pritshmëritë tona. Në të ardhmen presim të organizojmë edhe shumë koncerte të tjera dhe kemi shumë plane për orkestrën”, tha Petrovci.

    Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, nxënësit interpretuan pika muzikore për herë të parë në një organizim të tillë.

    “Sot ka qenë një test për neve, përvoja e parë në skenë. Kemi përformu dhe unë jam shumë i kënaqur me orgkestrantët, me fëmijët, ka qenë shumë mirë. Është goxha sfidë me punu me këto gjenerata, me këtë moshë, mirëpo kemi arritë pas një punë të gjatë, kemi arritë me përformu me disa pika të përzgjedhura. Kjo ka qenë sfida më e madhe deri si kanë hy në atë mënyrën, lojën e përformimit së bashku në grup, ka qenë mjaft sfiduese dhe na ka marrë më tepër kohë. Mirëpo, kohëve të fundit, muajt e fundit veç se janë ambientu fëmijët dhe si rezultat i kësaj kemi arritë me përformu sot në koncert”, tha dirigjeni Vehbi Shosholli. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Gjendet pa shenja jete një person në Viti

    Gjendet pa shenja jete një person në Viti

    Një person është gjetur pa shenja jete në Viti, të mërkurën e kësaj jave, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se për vdekjen në fjalë ishin lajmëruar nga një familjar i viktimës.

    “Njësitet relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Dhjetëra të lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në Paris

    Dhjetëra të lënduar pas një shpërthimi të fuqishëm në Paris

    Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një ndërtesë në Paris, duke lënduar 24 persona dhe duke shkaktuar zjarr.

    Për shkak të shpërthimit, policia ka evakuuar qytetarët nga ndërtesat përreth.

    Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi këtë shpërthim.

    Prokurorët thanë se dy persona ende janë të zhdukur pas kolapsimit të dy ndërtesave në Paris.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke kryer operacione përmes rrënojave të ndërtesave në qarkun e pestë të kryeqytetit francez, ku gjenden edhe disa nga vendet më të frekuentuara nga turistët.

    Autoritetet bënë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në shkollë private.

    Zjarri është vënë nën kontroll, por ende nuk është shuar plotësisht. Rreth 270 zjarrfikës janë përfshirë në shuarjen e zjarrit dhe 70 makina të emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Sipas autoriteteve, katër nga të lënduarit janë në gjendje kritike dhe 20 kanë plagë më pak të rrezikshme.

    Zyrtarët në qarkun e pestë të Parisit fajësuan rrjedhjen e gazit për shpërthimin, që më pas shkaktoi edhe zjarr.

    Kryetarja e qarkut, Florence Berthout, tha se “shpërthimi ishte shumë i dhunshëm”, duke shtuar se copëza xhami ende po bien nga ndërtesat.

    Prokurorët në Paris po hetojnë nëse shpërthimi është shkaktuar nga ndonjë shkelje eventuale e rregullave të sigurisë.

    Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, tha se hetuesit do të synojnë të përcaktojnë “nëse ka pasur shkelje të rregullave apo ndonjë pakujdesi individuale ka çuar deri te shpërthimi”.

    Në Paris edhe në të kaluarën ka pasur incidente me rrjedhje të gazit që kanë shkaktuar shpërthime. Në janar të vitit 2019 u vranë katër persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë pas një shpërthimi./REL/

  • Limaj për zhvillimet në veri: Unë s’po flej rahat

    Limaj për zhvillimet në veri: Unë s’po flej rahat

    Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pos informimit nga mediat, nuk e ka të qartë se çfarë është duke ndodhur në veri të vendit.

    Ai tha se është i shqetësuar për këtë situatë, sa që nuk po ë bënë gjumin rehat.

    “Kam ndejt këto ditë me do miq që na kanë ndihmu me ardh deri këtu edhe më thanë ‘qysh po fleni rehat”. Unë nuk po flej rehat, por kaq kam kaçik”, u shpreh Limaj.

    Ai tha se opozita duhet të dalë nga kompleksi i të qenit opozitë dhe duhet ta ndihmojë kryeministrin që të mos gabojë. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Nëntë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit

    Nëntë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit

    Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit, njoftoi Policia e Kosovës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë thuhet se rastet kanë ndodhur në Obiliq, Prishtinë, Viti, Drenas, Prizren, Pejë dhe Rahovec.

    Obiliq 21.06.2023 – 09:29. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtuar dhunë ndaj saj. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar për tretman mjekësor psikiatrik. Rasti në procedurë hetimore.

    Prishtinë 21.06.2023-19:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Obiliq 21.06.2023 – 15:55. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gllogoc 21.06.2023 – 21:11. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    Viti 21.06.2023 – 08:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar duke shkaktuar lëndime të lehta trupore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    Prizren 21.06.2023 – 10:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi është duke ushtruar dhunë ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti në procedurë të rregullt hetimore.

    Pejë 19.06.2023 – 00:02. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare e cila si pasojë e dhunës ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë 21.06.2023 – 14:30. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes veti ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është liruar ndërsa i dyshuari tjetër është dërguar në mbajtje.

    Rahovec 21.06.2023 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak të dyshimit se kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari kishte qenë në ndikim të alkoolit, ndërsa me vendim të prokurorit i njejti është dërguar në mbajtje.

     

     

  • ​Prishtina pret që të licencohet dhe të marr vendin e Dukagjinit në garat evropiane

    ​Prishtina pret që të licencohet dhe të marr vendin e Dukagjinit në garat evropiane

    Përkundër se tashmë është hedhur shorti sa i përket rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe Prishtina nuk ishte pjesë e tij për shkak se nuk është licencuar për garat evropiane dhe vendin e tyre e ka zënë Dukagjini, drejtuesit e skuadrës bardh e kaltër janë ende optimistë se do të luajnë në këtë kompeticion.

    Prishtina nuk ka marr licencën për shkak të problemeve financiare dhe borxheve që ka ndaj disa lojtarëve dhe situata e tyre po shqyrtohet nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), nga i cili end nuk është marr ndonjë vendim.

    Por, Drejtori Gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani, thotë se fakti që tashmë është hedhur shorti nuk paraqet ndonjë problem sepse nëse Prishtina e fiton rastin në KAS, atëherë është çështje teknike që Prishtina të marr vendin e Dukagjinit në Ligën e Konferencës.

    “Ankesa është në KAS, janë afatet ligjore, minimale që duhet të respektohen në KAS, dorëzimi i ankesës, zgjedhja e arbitrit, të gjitha ato janë afate që duhet respektuar. Federata do të na ndihmonte nëse do ta kishte caktuar arbitrin në afat më të shkurtër, por besoj që do ta shfrytëzojnë maksimumin kohor. Fakti që është hedhur shorti nuk ndikon në epilogun final. Nëse fitohet në KAS rasti, ose nëse KAS-i vendos që Prishtina është dashur të licencohet në bazë të kritereve dhe kushte me të cilat ka aplikuar në atë kohë federata, atëherë është çështje teknike, zëvendësohet emri dhe vazhdohet”, tha Osmani.

    Osmani më tutje ka bërë të ditur për KosovaPress se kanë kontaktuar me UEFA-në dhe nga ana e tyre iu është konfirmuar se nëse licencohen, do të marrin vendin e Dukagjinit për të luajtur në Ligën e Konferencës.

    “Këtë na e ka konfirmuar edhe UEFA dje, sepse kemi pasur komunikim edhe me UEFA-në, i kemi njoftuar paraprakisht për situatën, kështu që besoj që nëse KAS-i vendosë, atëherë ajo është punë e kryer, zëvendësohet emri…Është hera e parë që kemi përvojë të tillë me KAS, sidomos me zyrën e KAS-it në Kosovë, sepse me KAS-in në Lozanë kemi pasur edhe raste të tjera. Unë mendoj që nëse arbitrat e marrin parasysh situatën, zhvillimet dhe aplikimin e rregullave siç është bërë për të gjitha klubet, unë jam shumë optimistë që do të licencohemi.”, ak thënë Osmani.

    Nga burime brenda Federatës së futbollit të Kosovës, KosovaPress mëson se vendimi që do të merret nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv, çoftë ai edhe për në favor të Prishtinës, nuk nënkupton që direkt rikthimin e Prishtinës në garat evropiane të sezonit të ardhshëm. Sipas këtyre burimeve, kjo pastaj do t’i takojë UEFA-s që të vendosë nëse klubi bardh e kaltër do ta zë vendin e Dukagjinit automatikisht.

    KosovaPress ka dërguar e-mail në UEFA për të kërkuar sqarim rreth kësaj çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje nga ana e tyre.

    Në shortin e tërhequr të martën, është mësuar se Dukagjini do të ballafaqohet me skuadrën Europa nga Gjibraltari në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe nëse Prishtina licencohet, atëherë mund zë vendin e skuadrës nga Klina në këtë kompeticion dhe të luaj pikërisht ndaj këtij kundërshtari.

    Ndryshe, në edicionin 2022/23 të Superligës së Kosovës, Prishtina përfundoi në vendin e pestë, kurse Dukagjini në të katërtin, por meqenëse skuadra nga kryeqyteti e fitoi Kupën e Kosovës, atëherë siguron pjesëmarrjen në garat evropiane duke lënë jashtë skuadrën e vendit të katërt.

  • Intensifikohen kërkimet për nëndetësen e zhdukur

    Intensifikohen kërkimet për nëndetësen e zhdukur

    Një ekip shumëkombësh për kërkim-shpëtim po vazhdon kërkimet nga deti dhe ajri për nëndetësen e zhdukur, Titan.

    Nëndetësja me pesë turistë në bord u nis të dielën drejt rrënojave të Titankut, por humbi kontaktin një orë e 45 minuta pas nisjes. Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën pasi nëndetëses besohet se i kanë mbetur vetëm disa orë furnizime me oksigjen.

    Nëndetësja Titan, që operohet nga kompania me seli në Shtetet e Bashkuara, OceanGate, ishte nisur drejt anijes së fundosur Titanik të dielën në orën 08:00 sipas kohës lokale. Nëndetësja humbi kontaktin me anijen mbështetëse më pak se dy orë pas nisjes drejt Titanikut në Oqeanin Atlantik.

    Titan nisi ekspeditën me 96 orë furnizime me oksigjen, tha kompania OceanGate, që nënkupton se furnizimet mund të harxhohen mëngjesin e së enjtes. Por, ekspertët thanë se sa gjatë mund të zgjasin furnizimet me oksigjen varet nga disa faktorë, sikurse nëse nëndetësja ende ka energji elektrike dhe sa të qetë qëndrojnë pasagjerët në bordin e saj.

    Të mërkurën Rojet Bregdetare amerikane thanë se avionët kanadezë kanë dëgjuar zhurma nën ujë.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë lëshuar nën ujë disa pajisje kërkuese në zonën ku janë detektuar zhurmat, por zyrtarët kanë paralajmëruar se zhurmat e detektuara mund të mos kenë ardhur nga nëndetësja Titan.

    “Kur jeni në mes të ekipeve të kërkim-shpëtimit, ju gjithmonë keni shpresë”, tha kapiteni i Rojeve Bregdetare, Jamie Frederick, gjatë një konferencë për media të mërkurën.

    “Sa i përket zhurmave, ne nuk e dimë se çfarë saktësisht janë ato”.

    Frederick shtoi se analizat e të dhënave të marra nga bovat sonare “janë të paqarta”.

    Pjesët e anijes së fundosur të Titanikut gjenden 3.810 metra në thellësi të detit, mbi 640 kilometra në jug të Njufondland të Kanadasë.

    Pasagjerët në Titan kishin paguar nga 250.000 dollarë secili për këtë ekspeditë.

  • Kurti sot në Vatikan, do të takohet me Papa Françeskun

    Kurti sot në Vatikan, do të takohet me Papa Françeskun

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar gjatë ditës së djeshme në shtetin e Italisë.

    Gjatë vizitës Kurti sot do ta vizitojë Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të ketë takim me Papa Françeskun.

    Po ashtu është bërë e ditur se Kurti do të takohet edhe me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kradinali Pietro Parol.

  • Lista Serbe del me komunikatë kundër Kurtit

    Lista Serbe del me komunikatë kundër Kurtit

    “Synimi i Albin Kurtit për t’i mashtruar serbët e Kosovës me gënjeshtra dhe veprime të këqija është i dënuar paraprakisht të dështojë, sepse serbët e ndjejnë shumë mirë se si e imagjinon Kurti jetën për të gjithë ata në këto hapësira”, kanë pretenduar nga Lista Serbe.

    Albin Kurti i premtoi popullit serb se “gjysma do të jetë në burg dhe gjysma e dëbuar, si pjesë e “skenarit kroat” që ai publikisht e ofroi dhe po e zbaton në Kosovë”, thuhet më tutje në komunikatë të Listës Serbe.

    “Heqja e të drejtave elementare njerëzore, politike dhe ekonomike, rrahja, qëllimi me armë dhe rrëmbimi i serbëve janë fjalë që përshkruajnë jetën e popullit serb nën regjimin e udhëhequr nga Albin Kurti, i cili është qartazi i paaftë për të bërë asgjë të mirë për shqiptarët, kështu që në vend të një jetë më të mirë, u ofroi dëbimin e serbëve dhe zhdukjen e çdo gjëje serbe. Albin Kurti padyshim mendon se populli serb ka harruar që regjimi i tij ia ka mohuar të drejtën e votës në zgjedhje dhe referendum, se ka ndaluar vaksinimin në mes të pandemisë dhe ka kërcënuar se do të arrestojë mjekët tanë, se po grabitë tokat serbe duke mos respektuar as ligjet e veta, se ka ndërtuar baza ilegale parapolicore në tokën serbe dhe ka injoruar të drejtat e serbëve dhe lajmërimet e dorëzuara nga kryetarët tanë, që ka sjellë forcat speciale të armatosura deri te pragu i shtëpive serbe, të cilët që nga fillimi i vitit plagosën rëndë gjashtë persona në jug dhe veri të serbëve, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, se ai organizoi zgjedhjet të paligjshme dhe më pas pushtoi dhunshëm ndërtesat komunale, se ai ka shndërruar ndërtesat komunale në baza”, pretendohen në deklaratë.

    Ata thonë gjithashtu se fakti që Kurti po “shtiret i shurdhër dhe i verbër” nuk do të thotë se populli serb do të pushojë së kërkuari respektimin e të drejtave të tij, lirimin e vëllezërve të tyre dhe ndalimin e persekutimit, si dhe tërheqjen e forcave speciale “ilegale dhe të armatosura deri në dhëmbë” nga komunat serbe.

    Lista Serbe, siç thonë ata, “vendimet e veta i ka marrë gjithmonë sipas kërkesave të popullit serb, e jo sipas dëshirës së Albin Kurtit dhe çdo sulm ndaj nesh është vërtetim i korrektësisë së qëndrimeve tona”.

    “Është i mjerë ai serb të cilin e lavdëron Kurti, dhe ai që e cakton të punojë kundër popullit të vet është edhe më i mjerë”, pretendohet në deklaratën e Listë Serbe.