Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në zgjedhjet e ardhshme, NISMA do të jetë në parlament dhe se për këtë është i sigurt.
“Me masa e administrativit s’kanë me mujt me ndalë vullnetin e popullit. NISMA ko me kanë në parlament, me emër të zotit. A vetë, a me koalicion, ne kemi me qenë në parlament”, tha Limaj.
Ai tha se në zgjedhjet e fundit, kanë qenë 25 mijë vota të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament për shkak të pragut prej 5%.
“Ne edhe LDK, si dy partitë më të mëdha kemi qenë që pragu të jetë 3% për me ua mundësu partive më të vogla, por ka qenë një parti që ka mëndu se ka shumë, nuk e ka kalu pragun, ajo ka insistu që pragu të jetë 5%. Pse e kemi bërë ne këtë, sepse sot janë katër deputetë me votat të NISMA-s në parlament të Kosovës. Katër, tre i ka VV-ja e një e ka PDK-ja, votuesit tanë edhe tash 25 mijë njerëz që kanë votuar, janë të pa përfaqësuar në Parlament të Kosovës dhe nuk është në rregull se Kosova është e vogël. 25 mijë njerëz qato vota, katër deputetë athe ndoshta japin votën dhe i rrahin shuplakë kësaj çka është tu ndodh në veri, e janë votat tona”, tha Limaj, duke shtuar se është mirë që me 10 mijë vota e përpjetë, duhet të ketë përfaqësim në parlament. /atvlive.tv
Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për më shumë se 20 vite, në Kosovë është mbjellë urrejtje ndaj vlerave të luftës së UÇK-së.
“Nga 2000-ta kur e ke nisë me i thanë ushtarëve të UÇK-së po vjedhin banesa, kur ke nisë me fye UÇK-në e lirinë tonë, kur kanë shpifë e kanë thanë çdo banorë ‘mos e prekë sa është UÇK’, lahperat nëpër rrugët e Kosovës nëpër qytete të Kosovës, ata që kurrë si kanë bo shërbim vendin, kur ka nis me u përdhosë vlera. Na shqiptarët veç në fundin e shohim, kjo është e mbjelltë. Pse a mendove që 50 për qind vijnë për një javë a prej se ke folë mirë? 20 vjet është e mbjellne kjo. Kur ju nuk e nderoni, nuk keni ndjeshmëri për atë që ka përjetu ky vend, kur nuk e respektoni viktimën, kur nuk e respektoni dëshmorin, kur nuk ia respektoni familjen, kur nuk e kur e e fyeni i përçmoni veteranin, mësuesin e ai që ka kontribu vazhdimisht deri këtu dhe çka bëni, vlerësoni, kënd e vlerësoni, mashtruesit, kullerët, do më thanë “in’”, u shpreh Limaj.
Ai përmendi rezultatet që ka pasur ky vend në qeverisjet kur ky ishte në pushtet, ndërsa për qeverinë aktuale thotë se nuk kanë bërë asgjë.
“Albini nuk ka ardhë vet, edhe me këta miq kanë ardhë. Kanë kry shkolla, shikoje Prishtinën, me Harvarda, shikoje kaosin. E ke pasë arin para vete, se ke dashtë i ke mshu shqelmë. Ari njerëzit e tu, ata që mbajt vuajtjen në 90-tën, 89’tën. Na kanë dhënë rastin, por ne kemi sjellë rezultate. Secili e ka për veti a e vlerëson apo jo. Shaje për ditë luftën, shama për ditë angazhimin tim në ministri, thuaj ‘hajni, korrupsioni, deri e i biri’, por autostradës ke me e shkelë që e kam bërë unë. Rrethit të Prishtinës ke me i ra, që e kam bërë unë. Ke me hypë në aeroport që e kam bërë unë. E rrehju shuplakë këtyre që në vikend shkojnë në Selanik me fëmijë të vet dhe asgjë nuk bëjnë”, u shpreh Limaj. /atvlive.tv
Ministria e Punëve të Jashtme vazhdimisht u ka bërë apel bashkatdhetarëve që të mos i zgjedhin rrugët përmes Serbisë për të ardhur në vendlindje, për shkak të tensioneve javëve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Profesori i Gjeografisë, Fitim Humolli, shpjegon se mërgimtarët mund të shfrytëzojnë disa pika të tjera, pavarësisht se rruga nëpërmjet tyre është më e gjatë për disa orë më shumë.
Ndërsa, eksperti i komunikacionit, Nol Deda, thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i informojë shoferët më në detaje për rrezikun e kalimit nëpër pikat kufitare me Serbinë.
Ndryshe, vetëm gjatë muajve qershor, korrik, gusht të vitit 2021, sipas policisë, përmes pikave kufitare me Serbinë, kanë hyrë 1.007.997 persona, ndërsa kanë dalë 886.037.
Shifra pak a shumë të njëjta ishin edhe në vitin 2022, kur vetëm brenda 3 muajve të verës, 1.028.408 bashkatdhetarë kishin hyrë nëpërmes pikave kufitare me Serbinë, ndërsa kishin dalë 897.899. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, do të marrin shërbime 20 mijë banorët e lagjes Veternik në kryeqytet.
Ani pse në shikim të parë duket se në investimin gjysmë milionësh të komunës është gjithçka në rregull, komuna nuk ka menduar edhe për personat me aftësi të kufizuara. Në qendrën e cila është dykatëshe, nuk u vendos ashensor.
Për këtë i pari i komunës premton zgjidhje të shpejtë.
“Kemi një defekt të vogël që nuk kemi lift, por edhe kjo do të zgjidhet shpejt, deri në shtator”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në këtë qendër përveç shërbimeve esenciale, qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime edhe mamografike e radiologjike.
“Ne këtu do të japim mamografinë, laboratorin, mjekimin urgjent, realisht do të jetë një ndihmesë për këta banorë, po dhe do ta lirojë shërbimin sidomos në Hajvali e Dardani dhe kjo do t’i plotësojë nevojat e kësaj lagjeje”, tha drejtori i shëndetësisë, Izet Sadiku.
Ani pse një qendër e mjekësisë familjare ishte e nevojshme të ndërtohej në këtë zonë të qytetit, qytetarët kërkojnë edhe objekte shkollore.
S’kemi shkollë na këtu. Këqyre sa shpija e sa banorët janë këtu, s’ka as çerdhe, as shkollë. Me krejt këta banorë u dashtë me pasë edhe shkollë të mesme e jo as fillore”, tha kryetari i Bashkësisë Lokale 5, Deli Avdiu.
Përveç për shkollë e çerdhe, në këtë lagje banorët ankohen edhe për mungesë të rrjetit të kanalizimit e po ashtu edhe për infrastrukturën e dobët rrugore. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet të takohen të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Kështu kanë bërë të ditur burime të televizionit, ndërkohë që nuk është konfirmuar akoma agjenda zyrtare.
Duke theksuar se kanë mbetur edhe dy ditë kohë për takim dhe zgjidhje, në konferencë për media të mërkurën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmendi përsëri për pasojat.
“Mjaftueshëm është thënë. Ne kemi folur shumë për pritjet tona, për pasojat e mundshme dhe atë që pason. Gjëja kryesore tani është ta kemi takimin në Bruksel dhe këtu nuk kam lajm për të dhënë, nuk jam në gjendje të jap asnjë datë ende”, tha Stano.
Të hënën në Luksemburg, takohen ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe në njërën nga pikat diskutojnë për dialogun Kosovë – Serbi.
Nga ky takim, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare presin konfirmim të masave ndaj Kosovës, të përmendura kohëve të fundit.
“Janë përmendur masat: kufizim i qasjes në fonde të BE-së, po ashtu liderëve të Kosovës do t’iu kufizohet qasja në lidhje me takimet e liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, dhe ne takimin e së hënës, pra pres konfirmim të këtyre masave”, tha njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emir Abrashi.
Megjithatë, çdo vendim negativ ndaj Kosovës, vlerësohet i padrejtë.
“Lidhur me mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit të BE-së, ideja e sanksioneve ndaj Kosovës është gjë skandaloze dhe me të vërtetë qesharake që të konsiderohet, sepse çdo vendim i Kosovës ishte i duhuri, dhe ishte Serbia, Aleksander Vuçiqi, ata të cilët u larguan nga marrëveshja e paqes e Ohrit. Të kënaqet Vuçiqi dhe të ndëshkohet Kosova do të ishte tërësisht qesharake. BE-ja nuk duhet ta dënojë Kosovën, sepse çdo veprim i Kosovës në veri të vendit ishte i duhur”, tha eksperti për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Gunther Fehlinger.
Një ditë më parë, ministrja e Jashtme tha se nuk ka asgjë zyrtare sa i përket masave ndaj Kosovës, tashmë është në dijeni që shtetet anëtare të BE-së janë duke diskutuar me njëra-tjetrën në këtë kontekst. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
“Serbia qartazi don ta militarizojë dhe eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Republikës së Kosovës edhe fluturaket e saj, helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve e provokimeve, ku përdoren qytetarë të Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar”.
Këtë paralajmërim e kishte bërë kryeministri Albin Kurti, në shtator 2021.
Që atëherë, në intervista e fjalime, kryesisht media e forume ndërkombëtare, kryeministri ka përsëritur rrezikun për konflikt.
Së fundmi emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabirel Escobar dhe Miroslav Lajcak, u shprehën të shqetësuar për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në veri në një konflikt rajonal.
Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, njoftoi vazhdimin e emergjencës kombëtare lidhur Ballkanin Perëndimor, deri në fund të Qershorit 2024 – me arsyetimin se situata aktuale “paraqet një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së”.
Referuar këtij vendimi, teksa përmend zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se paralajmërimet janë serioze.
“Ka potencial faktik-real që çështja e veriut ta kaplojë komplet Ballkanin Perëndimor. Sepse, nëse do të kemi vetëm një viktimë, nga njëra apo pala tjetër, de facto zjarri do të ndizej dhe askush nuk e di se si do të përfundonte. Sepse, kanë mbetur shumë çështje pezull në rajonin e Ballkanit Perëndimor: sa i përket Republikës Serbe në Bosnjë, sa i përket mos-formimit të Qeverisë në Malin e Zi – ndikimit të subjekteve pro-serbe, pro-ruse në formimin e saj”, tha Shala.
Duke thënë se Serbia po përpiqet të përshkallëzojë situatën deri në konflikt, përmes strukturave të saj ilegale në Kosovë, Shala thekson se java e ardhshme mund të jetë sfiduese për shkak të Vidovdanit.
“Qeveria duhet t’i thërrasë mendjes dhe veprimet e saj të jenë në koordinim me Shtëpinë e Bardhë, SHBA-në, dhe assesi të mos lejohet që çështjet të kalohen në një grup më të ngushtë, ku situata mund të përshkallëzohet më 28 Qershor”, tha Shala.
Teksa flet për pasojat ekonomike nga përmendja e konfliktit në deklarata të nivelit të lartë, opinionisti Zekirja Shabani thekson se tensionet në veri tashmë nuk janë problem vetëm i Kosovës.
“Është problem i Evropës dhe i SHBA-së, në përgjithësi, që tash duhet të zgjidhet në një nivel shumë më të lartë sesa mes Kosovës dhe Serbisë. Por, duke i pasur parasysh reagimet e ndërkombëtarëve në raport me Kosovën dhe paralajmërimet për masa shtrënguese, Kosova do ta pësojë në afatshkurtër, duke nisur prej investimeve, prej fondeve të BE-së që veç janë ngrirë deri diku dhe pjesëmarrjes në forume me potencial zhvillimi për Kosovën”, tha Shabani.
Situata në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, vazhdon të jetë e tensionuar që nga 26 maji, kur fillimisht përmes protestave të dhunshme, serbët kundërshtuan kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 Prillit, që ata i bojkotuan. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Kosova qëndron më keq sesa vendet e rajonit sa i përket Zhvillimit dhe Koordinimit të Politikave dhe Kornizës Strategjike për Reformën në Administratën Publike. Hiç më mirë nuk qëndron as sa i përket transparencës, qartësisë, si dhe disponueshmërisë mbi sistemin e pagave të shërbimit civil, sipas Grupit për studime politike dhe juridike.
Sipas të dhënave të GLPS-së, krahasuar me vendet e rajonit Kosova qëndron më së miri në Transparencën e vendimmarrjes së qeverisë, si dhe në publikimin e informacionit sa i përket performancës së Qeverisë.
Megjithëse, i pranishëm, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, theksoi se nuk ka gjetur kohë ta lexojë raportin të pranuar ditë më parë. Por tha se Qeveria është duke punuar drejt përmirësimit të kushteve, veçanërisht në sektorin e pagave.
“Ne kemi qenë të hapur për diskutime, qëllimi i vetëm është që administratën publike ta riformojmë. Po besoj që gjatë dy viteve të fundit është bërë një progres në fushën e administratës publike, është e natyrshme që s’mund të shihen nganjëherë, por janë marrë hapa të rëndësishëm, kemi ende probleme me rekrutime, në mënyrë që të arrijmë në tërësi objektivin e administratës publike”, tha Dobra.
Ndërsa, për udhëheqësen e ekipit për qeverisje të mirë nga zyra e bashkimit evropian, Mikaela Gronqvist, duhet bërë më shumë përmirësim në këtë fushë.
“Për kontrollin financiar të brendshëm duhet transparencë më e madhe, sepse Bashkimi Evropian e përcjell nga afër, sepse ne shënojmë progresin e Kosovës. Sa i përket llogaridhënies, progresi është i përzier, ka pasur disa ligje që janë kaluar. Ligji për funksionimin shtetëror dhe implementimi i këtij ligji është mjaft mbrapa. Kemi probleme me kapacitete administrative, na duhet më shumë progres, po ka shumë pozita që janë të larta e që kanë mbetur me ushtrues detyre”, tha Gronqvist.
Në këtë tryezë diskutimi për “reformë në administratën publike”, u kritikua mospërfshirja e shoqërisë civile në hartimin e dokumenteve strategjike dhe as në publikimin e informacionit për performancën e Qeverisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
46.3 milionë euro është shuma të cilën komunat e Kosovës kanë borxh për vendimet gjyqësore dhe përmbarimore.
Prej tyre, Komuna e Prishtinës vetëm gjatë vitit 2022, ka grumbulluar rreth 6 milionë euro borxh për përmbaruesit. Sipas të parit të kësaj komune, fajin për borxhet e kanë udhëheqjet e shkuara.
“Të gjitha borxhet e qeverive të kaluara kanë ndikim jo të mirë, por edhe të gjitha ato borxhe i kemi marrë parasysh në planifikim e buxhetit tonë si kontingjenti , si pikë kontingjente që duhet të paguhen në të ardhmen e afërt por në planifikim tonë nuk i kemi lënë të kenë impakt negativ në planifikimin e buxhetit tonë për projektet e radhës”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Hiç më mirë nuk qëndron as Komuna e Ferizajt. Kjo komunë ka rreth 5 milionë euro borxh.
Arsyeje për grumbullimin e këtyre borxheve, sipas Qëndrim Arifit, njohës të qeverisjes lokale, është fakti që komunat marrin më shumë projekte se që kanë buxhet.
“Në të gjitha rastet kemi të bëjë me keq menaxhim, sot komunat iniciojnë projekte pa pasur mbulueshmëri financiare të duhur dhe hasin vështirësi për pagesa ndaj operatorëve ekonomik dhe kështu që ka pak operator të mirë që presin një komunë ti kryej obligimet financiare, por zgjedhin rrugën më të shpejt që prej përmbarimit privat të vijë te financat që thjesht janë detyrim ndaj tyre”, tha Arifi.
Rrjedhimisht sipas tij kur detyrimet financiare janë më të larta se të hyrat e komunës ndodh bllokimi.
“Hiç shumë kohë, komuna e Gjilanit është bllokuar për shkak të borxhit të madh te përmbaruesit”, tha Arifi.
Edhe komuna e Mitrovicës, Prizrenit e Suharekës kanë borxhe milionëshe tek përmbaruesit. Ndërkaq komuna me më së paku borxh është ajo e Istogut, vetëm 1 milion euro. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Gazetarët që ditë më parë u sulmuan gjatë raportimit në Leposaviq, u ftuan për diskutim nga Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media.
Disa prej tyre ende me plagë në trup, treguan për përjetimet e së premtes.
“Ishim përballë rrezikut pa asnjë mbrojtje. Kur e sheh KFOR-in mendon se ke zgjidhje, por nuk ishte ashtu”, tha gazetarja Venera Xhoxhaj.
“Shpresuam që protestuesit e sulmojnë vetëm ministrin, por nuk ndodhi ashtu. Ata u kthyen drejt neve”, tha Bardh Bekteshi, kameraman.
“I kam thënë njësisë speciale nëse mund të na ndihmojë…”, tha gazetari Pleurat Salihu.
Anëtarët e Komisionit deklaruan se ky diskutim u shërben për t’i kuptuar vështirësitë e punëtorëve të mediave.
Ndryshe nga e premtja, tani situata në Veri është e qetë, ndonëse protesta vazhdon.
Ndërsa, Policia që gjithashtu ishte cak i sulmeve, me veturën të cilës iu thyen xhamat në Zveçan, vazhdoi të mërkurën patrullimin në Mitrovicën e Veriut. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:
Konkursi i rihapur më 7 qershor për guvernator të Bankës Qendrore është mbyllur.
Për konkursin i cili u përsërit për shkak të parregullsive, ky institucion nuk ka dhënë detaje, por, siç kupton televizioni, në proces nuk është përfshirë Ambasada e Britanisë së Madhe.
Kjo ambasadë e kishte kritikuar konkursin e parë për parregullsi të shumta.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet shpreson që procesi për zgjedhjen e guvernatorit të përfundojë para se Kuvendi t’i përfundojë punimet e sesionit pranveror.
“Zakonisht kjo procedurë i drejtohet Qeverisë për të dhënë mendimin e vet, e cila ka dy javë kohë për të dhënë një mendim, më pas nëse pajtohet me propozime apo jo, të vazhdohet në Kuvend. Ne jemi të interesuar që kjo të përmbyllet para përfundimit të këtij sesioni”, tha kryetar i Komisionit për Buxhet, Armend Muja.
Ndërkaq, transparencë më të madhe në procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të ri kërkuan edhe anëtarët e Komisionit për Buxhet, para të cilëve në javën e ardhme, pritet të raportojë ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Bashkim Nurboja.
“Është një proces i tejzgjatur, sepse kjo pozitë është më tepër politike, për t’i avancuar njerëzit politikë”, tha anëtari i Komisionit për Buxhet, Pal Lekaj.
Në prill të këtij viti me rekomandim të Komisionit për Buxhet, procesi për përzgjedhjen e guvernatorit u kthye në pikën zero për shkak të parregullsive. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: