Për ditën e sotme në vendin tonë parashikohet të mbajë mot i kthjellët dhe me diell, derisa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu në disa zona të caktuara
Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 31 gradë Celsius.
Dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me kushte të njëjta atmosferike. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 16 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë 32 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Shkodër me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/
Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:
Një grua e moshës 56-vjeçare është gjetur e pajetë mëngjesin e sotëm (e enjte) në liqenin akumulues në Mitrovicë.
Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, deklaroi për KosovaPress se informatën e kanë pranuar rreth orës 7:30.
“Sot rreth orës 07:30 policia ka pranuar informatën, se në zonën e Liqenit Akumulues të lumit Ibër është gjetur trupi i pa jetë i viktimës femër rreth 56-vjeçare”, tha ai.
Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Kuvendi i Kosovës sot nga ora 10:00 mban seancë plenare.
Në rend dite është interpelanca e ministrit të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka konfirmuar se ka ftuar në një takim urgjent kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për të gjetur një zgjidhje për situatën në veri.
Borrell, përmes një psotimi në Twitter, deklaroi se duhet deesklaim të menjëhershëm të situatës dhe zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës.
“Kam ftuar në Bruksel liderët e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe të Kosovës, Albin Kurti, për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi Borrell.
Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti, ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.
“Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaroi po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Megjithatë, Stano shtoi se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, tha se BE-ja është shumë e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.
Ai deklaroi se qëndrimi i të gjithë anëtarëve të komunitetit evropian është që nëse nuk ka de-përshkallëzimin në terren, do të ketë pasoja të rënda.
“BE-ja ka propozuar një plan për de-përshkallëzimin e situatës, i cili përfshin hapa të shumtë. Pezullimi i operacioneve speciale policore në komuna (në veri të Kosovës), kryetarët duhet të punojnë jashtë ndërtesave të atyre komunave, protestat duhet të ndalen dhe në zgjedhjet e reja në të cilat do të marrin pjesë të gjithë duhet të organizohen në mënyrë që qytetarët të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje në fillim të “Javës Evropiane të Mundësive” të organizuar nga delegacioni i BE-së në Serbi.
Ai ka shtuar se zyrtarët evropianë kanë qenë të qartë në deklaratat e tyre dhe se nëse nuk ka deeskalim do të ketë pasoja të rënda, por nuk ka specifikuar se çfarë ka dashur të thotë me këtë.
Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq që ta mbajë kontrollin mbi veriun e Kosovës.
Analisti amerikan dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit, Serwer, në një intervistë për “N1” tha se Albin Kurti po përpiqet kur të vendosë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, që natyrisht është obligim i tij kushtetues.
Ndërsa për Vuçiqin thotë se me destabilizimin e situatës në veri të Kosovës qëllimi i tij [Vuçiqit] dhe i politikës së tij është të ketë një tjetër ‘Republika Srpska’ në Ballkan, që i gjithë rajoni të jetë gjithmonë në prag të destabilizimit.
“Por, Vuçiq është serioz për Serbinë e Madhe, atë që ai e quan bota serbe, dhe është i vendosur të mbajë kontrollin mbi Kosovën veriore”.
I pyetur se pse po ndodh në këtë moment kjo valë e re tensionesh në veri të Kosovës dhe nëse kjo po ndodhë për shkak se një marrëveshje është shumë afër dhe dikush nuk dëshiron që ajo marrëveshje të arrihet apo të nënshkruhet, Serwer thotë se nuk beson se jemi afër një marrëveshjeje dhe nuk dëshiron të merr një qasje që fajëson njërën palë, transmeton Telegrafi.
“Mendoj se ajo që po ndodh është se Serbia definitivisht ka vendosur të vazhdojë kontrollin e saj mbi veriun e Kosovës, pavarësisht kostos. Kjo është ajo. Dhe Kurti i kundërshton. Duke i kundërshtuar jo vetëm me mjeshtëri, por duke u përpjekur të vendosë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, që natyrisht është obligim i tij kushtetues. Por, Vuçiq është serioz për Serbinë e Madhe, atë që ai e quan bota serbe, dhe është i vendosur të mbajë kontrollin mbi Kosovën veriore”.
Serwer thotë se me destabilizimin e situatës në veri të Kosovës qëllimi i Vuçiqit dhe i politikës së tij është të ketë një tjetër ‘Republika Srpska’ në Ballkan, që i gjithë rajoni të jetë gjithmonë në prag të destabilizimit?
“Po, ai po përpiqet të marrë një ‘Republika Srpska’ tjetër. E kanë shkruar dhe e kanë paraqitur si propozim për dialog. Mendoj se është shumë e qartë me shkrim se propozimi serb për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që do të kishte funksione ekzekutive dhe do të qeverisej në mënyrë të pavarur nga Prishtina”, tha ai.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dhënë një intervistë për Der Standard, ku ka thënë se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë”.
Ajo disa diplomatë të Perëndimit i ka quajtur si “problematikë”.
Gjatë kësaj interviste e përmendi emrin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për të cilin tha se “i bën jehonë qëndrimeve të Vuçiqit.
“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë sepse nuk është dakord”, ka thënë ajo.
Gërvalla foli për situatën në Veri, ku tha se është e rrezikshme e që kjo i konvenon Kremlinit.
Ajo tha se Kremlini e dëshiron destabilizimin dhe për këtë Kosova vazhdimisht ia tregon perëndimit.
Me 90 vota pro, delegatet e kuvendit zgjedhor të degës së LDK-së në Podujevë, kanë zgjedhur dje pasdite Ekrem Hysenin kryetar të kësaj dege.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit për besimin që ia kanë dhanë.
Sipas tij, i gjithë procesi u zhvillua konform rregullave të miratuara nga organet e partisë dhe për rrjedhojë në degë nuk kishte asnjë ankesë të vetme.
“Falënderoj strukturat tona për një punë të madhe. Uroj të gjitha strukturat e zgjedhura dhe falënderoj ato që me sukses përfunduan mandatet e tyre”, ka thënë ai.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Huntertowën SHBA-ve në një familje shqiptare.
Mediat amerikane raportojnë se 49-vjeçari Arben Gllafce dhe bashkëshortja e tij 48-vjeçare Arjana Gllafce, janë gjetur të vdekur brenda në shtëpi. Nga hetimet rezulton se 49-vjeçari ka vrarë gruan dhe më pas është vetëvrarë.
Policia mori një telefonatë nga një dëshmitar dhe kur shkoi në vendngjarje gjeti dy trupat e pajetë të çiftit. Ata kishin dy djem një 24 vjeç dhe një tjetër në moshë minorene autik.
Të afërmit e Arjanës bëjnë apel për ndihmë në rrjetet sociale për të ndihmuar fëmijët.
Bashkimi Evropian ka vendosur një paketë sanksionesh të reja ndaj Rusisë, për shkak të luftën në Ukrainë.
Suedia e cila mban presidencën e radhës të BE-së, deklaroi se paketa përfshin masa që synojnë të kundërshtojnë shmangien e sanksioneve. Sakaq ka bërë me dije se detajet do të bëhen publike në një moment të dytë.
Që prej fillimit të pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit të kaluar, BE ka vendosur 10 raunde sanksionesh ndaj Ukrainës.