ATV

Blog

  • “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike, madje as për partnerët”, Gërvalla sqaron deklaratën e saj

    “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike, madje as për partnerët”, Gërvalla sqaron deklaratën e saj

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, ka sqaruar deklaratën e saj se “Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike, madje as për partnerët”, të cilën e ka dhënë gjatë një interviste për “Der Standard”.

    Ajo tha se kjo deklaratë i është dedikuar një publiku gjermano folës, ndërsa është e vetëdijshme se në Kosovë mund të tingëllojë pak e ashpër.

    “Citati është “nuk mund të bëjë vetëvrasje politike, madje as për partnerët”. Është një intervistë e cila i dedikohet një publiku gjermano folës, në mënyrën dhe në gjuhën me të cilën shkruajnë dhe shërbehen mediat gjermano folesë. Unë e kuptojë që një gjuhë e tillë në Kosovë mund të tingëllojë pak e ashpër, por Kosova e ka synimin e forcimit të shtetësisë së saj, e sundimit të ligjit, e demokratizimit të mëtejshëm të vendit, edhe vetëvrasje politike është të heqësh dorë prej njërës prej këtyre tri parimeve”, tha Gërvalla.

    Ajo tha se kjo shprehje nuk i adresohet asnjërit nga partnerët e Kosovës.

    “Ajo është më tepër një shprehje e cila nuk i adresohet asnjërit nga partnerët tanë, por do të thotë që ne jemi të sigurt që ajo çfarë ne kemi synim të arrijmë në gjithë vendin tonë, është shumë e rëndësishme sepse duhet të japi sinjalin që fqinji i ynë verior nuk duhet të guxojë as të mendojë që ka të drejtë të ndërhyjë në vendin tonë në mënyrë agresive në të cilën ka ndërhyrë gjatë muajve të kaluar edhe viteve të kaluara”, sqaroi Gërvalla. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani shpreh keqardhjen që partitë e tjera opozitare refuzuan takimin

    Osmani shpreh keqardhjen që partitë e tjera opozitare refuzuan takimin

    Presidentja Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional, ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

    Përveç takimeve të vazhdueshme me krerët e institucioneve të vendit: Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministren, Ministren e Punëve të Jashtme si dhe ministrat e dikastereve të tjera, Presidentja e ka parë të nevojshme që të mbajë komunikim të rregullt edhe me partitë opozitare, nëpërmjet ftesave të vazhdueshme për takime e ngjarje të ndryshme, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Presidentes.

    “Në këtë kuadër, pas letrës së Kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj dhe diskutimeve me krerët e institucioneve, Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”.

    Në letrën e saj, Presidentja ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE.

    Presidentja Osmani, sot paradite ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin ka biseduar për koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional.

    Ndërkaq pasdite, Presidentja Osmani ka pritur në takim Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

    Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.

    Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.

  • Pyetja e gazetarit që vuri në “siklet” Donika Gërvallën

    Pyetja e gazetarit që vuri në “siklet” Donika Gërvallën

    “Nëse edhe tri katër shtete në Evropë e kanë problem me ua shpjegu popullit dhe parlamenteve të veta, pse djemtë e tyre vinë në Kosovë dhe lëndohen dhe plagosën, pyetja është, a e keni ndërmend, a jeni duke e shqyrtuar me e tërheqë atë Lulzim Hetemin e shkretë prej atje?”.

    Kjo pyetje e moderatorit të emisionit CONTEXT në ATV, Leart Hoxha, duket se e vuri në “siklet” ministren Gërvalla.

    “Nëse ky emision do të ndërtohet në këtë formë, unë shumë me kënaqësi mund t’i bëjë unë pyetjet e mia dhe mund ta ndërrojmë rolin, mund të ju pyes për opinionet tuaja se vërtetë do më interesonte shumë që t’i dëgjoja, por nëse doni të dëgjoni opinionin tim rreth asaj se çfarë ka ndodhur dhe pse janë të shqetësuara shtetet, edhe për dhunën e ushtruar…”, iu drejtua Gërvalla gazetarit Hoxha, deri sa ky i fundit e ndërpreu sërish duke i thënë se dëshiron ta dëgjojë qëndrimin e saj dhe jo opinionin.

    “Nuk po më duhet opinioni i juaj por qëndrimi. Jeni zëvendës kryeministre. Për opinione unë kam tjera kategori të njerëzve që i ftoj”, ishte kërkesa e gazetarit Hoxha për ministren Gërvalla. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Shpallen të vdekur pesë pjesëtarët e ekuipazhit të “Titan”

    Shpallen të vdekur pesë pjesëtarët e ekuipazhit të “Titan”

    Kompania që kishte në pronësi nëndetësen e humbur i ka shpallur të vdekur pesë pjesëtarët e ekuipazhit të “Titan”.

    OceanGate në një deklaratë për mediat ka shprehur ngushëllimet për jetët e humbura në këtë tragjedi.

    Kompania falenderon të gjithë ekuipazhet që morën pjesë në mision kërkim-shpëtimin dhe kërkon nga publiku të respektohet privatësia e familjeve.

    Deklarata e plotë e OceanGate

    CEO ynë Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet, fatkeqësisht kanë humbur jetën.

    Këta njerëz ishin eksplorues të vërtetë që kishin një dëshirë një dhe një pasion të thellë për të eksploruar dhe mbrojtur oqeanet e botës. Zemrat tona janë me të ndjerët dhe çdo pjesëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike. Ne do të kujtojmë me pikëllim dhe gëzim atë çka ata sollën për të gjithë publikun.

    Kjo është një kohë jashtëzakonisht e trishtuar për punonjësit tanë të përkushtuar, të cilët janë të rraskapitur dhe të pikëlluar thellë për këtë humbje. E gjithë familja OceanGate është thellësisht mirënjohëse për burrat dhe gratë e panumërta nga organizata të shumta të komunitetit ndërkombëtar që kanë punuar kaq shumë në këtë mision.

    Ne e vlerësojmë angazhimin e tyre të palodhur për ditë dhe netë me radhë për të gjetur këta pesë eksplorues.

    Kjo është një kohë shumë e trishtuar për të gjithë komunitetin e eksploruesve dhe për secilin nga anëtarët e familjes së atyre që humbën në det.

    Me respekt kërkojmë që të respektohet privatësia e këtyre familjeve në këtë kohë shumë të dhimbshme.

  • Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Gërvalla: Takimi Kurti-Borrell ka prodhuar rezultate të reja pozitive për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se deklarata e përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell pas takimit me Kurtin, është diçka pozitive për Kosovën.

    “Ky takim i sotëm, të paktën në bazë të asaj çfarë dëgjuam nga Borrelli, ka prodhuar rezultate të reja, sepse unë po vij nga një takim tjetër dhe nuk kam pasur mundësi t’i ndjekë në detaje, por deklarata e fundit e Borrellit është e para pak minutash, ku ai kërkon qartë lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer në Kosovë. Kjo është diçka e re, nuk është diçka që është përsëritur në vazhdimësi gjatë këtyre ditëve, dhe aq më tepër që Borrell po mundohet me një gjuhë më të balancuar se sa gjatë 10 ditëshit të kaluar, të gjejë një mënyrë për de-eskalimin e situatës”, tha Gërvalla.

    Ajo thotë se Kosova nuk ka kontribuar në eskalimin e situatës, pasi që sipas saj, vënia e ligjit dhe rendit nuk është esklaim.

    “Vënia e ligjit dhe rendit, nuk është eskalim i situatës. Eskalimi i situatës është të dërgosh nga shteti fqinjë njerëz të cilët sulmojnë me një dhunë të llahtarshme, jo vetëm gazetarët dhe policët e Kosovës, por sulmojnë edhe ushtarët e KFOR-it, të cilët në fund të fundit këtu janë për të mbrojtur sigurinë, jo vetëm për qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Edhe de-eskalimi sigurisht që duhet të vijë nga ata që e kanë eskaluar situatën”, tha Gërvalla. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • 7 kandidatë për guvernator të BQK-së

    7 kandidatë për guvernator të BQK-së

    Edhe pse herën e parë u përjashtua nga gara për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, i cili përfundoi një mandat pesëvjeçar në këtë pozitë, ka konkurruar sërish.

    Siç merr vesh televizioni për pozitë të guvernatorit kanë konkurruar edhe katër kandidatët, të cilët ishin në listën e ngushtë për këtë pozitë në konkursin e parë.

    Bëhet fjalë për Nexhat Kryeziun, i cili kishe qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ahmet Ismailin i cili kishe qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në kohën kur kishte ndodhur zhdukja e 2 milionë eurove, Lulzim Ismajlin dhe Shkendije Himajn të cilët kishin qenë pjesë e BQK-së me pozita të ndryshme.

    Por, pavarësisht kësaj, sërish ka skepticizëm nëse në krye të BQK-së do të përzgjidhet i duhuri.

    “Që nga fillimi ka pasur dyshime që Qeveria po përgatitet që ta vendosë në krye të këtij institucioni personin e parapëlqyer dhe dyshoj që edhe ky konkurs do të jetë i manipuluar ashtu siç ka qenë edhe i pari”, tha gazetari dhe analisti, Zekrija Shabani.

    Për dallim nga konkursi i kaluar ku kishin aplikuar 17 kandidatë për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, në konkursin e dytë kanë aplikuar vetëm 7.

    Ndërkaq, lista do të kualifikohet nga ana e panelit për përzgjedhjen e kandidatëve, e më pas ajo do t’i dërgohet Kuvendit, ku edhe do të votohet vetëm për një individ. Miratimi dhe emërimi përfundimtar i guvernatorit bëhet nga presidentja. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Mbahet seanca ndaj grupit të dytë për përdhunimin e 11 vjeçares

    Mbahet seanca ndaj grupit të dytë për përdhunimin e 11 vjeçares

    Ka dalë para trupit gjykues grupi i dytë i personave që akuzohen për përdhunim dhe trafikim seksual të 11-vjeçares.

    Seanca që zgjati afro tri orë, u mbajt me dyer të mbyllura për media.

    Megjithatë, ATV-ja ka siguruar aktakuzën në të cilën shpjegohet se si ndodhi që tetë persona, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë për shkak të moshës, dyshohet se e përdhunuan dhe e trafikuan viktimën.

    Në deklaratën dhënë në prokurori, të cilën e publikojmë pjesërisht dhe në version të redaktuar, e mitura tregon se gjithçka nisi kur ende i kishte 10 vjet.

    “Takimet që i kam ba, i kam gjetur në Instagram. Një person që më ka thënë se e ka emrin **** më ka kontaktu për herë të parë… Ai e ka ditë për moshën time të re dhe kur kam filluar herën e parë me dalë me të, unë i kam pasë 10 vjet dhe ky ka qenë personi i parë që unë kam pas marrëdhënie seksuale dhe nuk më ka dhënë asnjëherë para”, thuhet në dëshminë e të miturës.

    Pas, këtij rasti, sipas aktakuzës edhe persona të tjerë të cilët njihen mes vete duke qenë shokë e kushërinjtë, kanë shfrytëzuar moshën e saj të re dhe papjekurinë, për të kryer marrëdhënie seksuale dhe për ta trafikuar, kryesisht mes 21 dhe 22 qershorit të 2022-tës.

    “Po atë ditë, **** më ka njoftu me një shok të tij, me emrin ****. Me datë 21.06.2022, kam dalë nga shtëpia rreth orës 07:30, dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Pastaj rreth orës 15:00, një person që e ka emrin **** kemi shkuar në një motel kah Orlloviqi dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Ai e ka ditur moshën time. Më vonë, D*** e ka thirrë në telefon një person dhe i ka thënë hej a po vjen me marrë një cikë-një zemër e kam qitu në kerr. Ai djali ka ardhë pas 4 minutave me veturën e tij dhe kemi shkuar në një motel dhe kemi kryer marrëdhënie seksuale. Kur ai djali më ka lanë te New Born, u nisa për në shtëpi, duke ecur në qytet, një djalë me një veturë ku ishin tre-katër persona, diku kah ora 1 e natës, më është afruar dhe më ka thënë se po i pëlqen shokut tem. Ai i ka lëshuar diku shokun tjetër dhe bashkë me të dhe 19-vjeçarin, kemi kryer marrëdhënie seksuale. Nuk më ka dhënë të holla, por veç një sok”, thuhet në dëshminë e të miturës.

    Po atë natë, e mitura u ndal nga policia kur edhe përfundoi keqtrajtimi për të.

    Ndërkohë, për përdhunimin e të njëjtës vajzë, gjatë gushtit të vitit 2022, muaj më parë Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuar të tjerë, tre prej të cilëve të mitur. Por gjykata nuk ka gjetur që e dëmtuara ka qenë viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz. Ky rast momentalisht është në shqyrtim në gjykatën e apelit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vuçiq pas takimit me Borrellin: Çdo gjë ka shkuar shumë larg

    Vuçiq pas takimit me Borrellin: Çdo gjë ka shkuar shumë larg

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

    Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.

    “Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, tha ai, duke iu referuar bllokimit të qarkullimit të kamionëve me mallra serbe në kufi me Kosovën.

    Lidhur me zgjidhjen e situatës në Kosovë, Vuçiq ka thënë se ka frikë se “çdo gjë ka shkuar shumë larg”.

    “Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta detyrojnë deri në këtë moment”, tha tutje Vuçiq, transmeton REL.

    Ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë zhvilluar të enjten takime të ndara bilaterale, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, Borell dhe Lajçak janë takuar sërish me kryeministrin e Kosovës, Kurtin.

    Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë takim i përbashkët mes Kurtit dhe Vuçiqit.

    Vuçiq gjatë një konference për media ka thënë se nuk do të takohet me Kurtin sepse nuk “sheh arsye për këtë”.

    Më herët, Borell kishte shkruar në Twitter se “idetë konstruktive dhe gatishmëria për kompromis janë ato që nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

    “Nga palët pritet ulja e tensioneve dhe përmbushja e obligimeve të tyre, pa parakushte”, ka shkruar Borrell në rrjetin social Twitter, pas përfundimit të takimit me shefin e ekzekutivit kosovar, dhe në nisje të takimit me udhëheqësin serb.

  • Borrell për takimin me Kurtin: Synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm

    Borrell për takimin me Kurtin: Synojmë të gjejmë zgjidhje për de-eskalim të menjëhershëm

    Përfaqësuesi i lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell informoi për fillimin e takimit me kryeministrin Albin Kurtin, me ç’rast u shpreh se synojnë të gjejnë zgjidhje për de-përshkallëzimin e situatës.

    “Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe për rrugën përpara. Takimi me kryeministrin Albin Kurti ka filluar.”, shkroi Borrell në Twitter.

    Mbrëmjen e së mërkurës, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai është shprehur se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia, transmeton KP.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar po të mërkurën se nuk mund të konfirmojë datën për takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, Stano ka shtuar se nuk ka kohë për të humbur dhe duhen veprime konkrete.

    Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.

    Para ndërtesave komunale janë duke qëndruar protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.

    Protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.

    Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.

    Ndërsa, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët janë duke u mbajtur në Serbi.

  • Edhe Abdixhiku refuzon ftesën e Osmanit

    Edhe Abdixhiku refuzon ftesën e Osmanit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar sot ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim me krerët politikë të partive parlamentare.

    Abdixhiku ka potencuar se kanë përcjellur me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, siç është shprehur ai, qasjen e papërgjegjshme të kryeministrit Kurti në raport me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.

    Abdixhiku ka thënë se LDK nuk mund të pranojë as të tolerojë përplasje të Kosovës me aleatët e saj.

    Ftesën e presidentes e ka refuzuar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai ka bërë të ditur se ka refuzuar një ftesë për takim nga Osmani, derisa ka thënë se pranon një të tillë vetëm në rast se ka pajtueshmëri për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

    Përgjigje për ftesën e presidentes Vjosa Osmani ende nuk ka dhënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.