ATV

Blog

  • Kuvendi mban dy seanca

    Kuvendi mban dy seanca

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do të vazhdojnë një seancë plenare, në të cilën do të hedhen në votim 10 projektligje, si dhe do të shqyrtohen 7 projektligje tjera, vendime dhe rekomandime. Gjithashtu, është paraparë edhe një seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës.

    Sipas njoftimit, seanca do të vazhdojë me votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe shqyrtimin e Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Në seancë do të votohet edhe për propozim rezolutën nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, votimin e projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimin në lexim të dytë i Projektligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, si dhe do të shqyrtohet për herë të parë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme.

    “Shqyrtimi i parë i Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për tekstet shkollore, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë, shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”. Votimi për emërimin e dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

    Ndërkohë, do të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë në Agjencinë kosovare të Akreditimit.

  • Edhe një gazetare nga Ukraina strehohet në Kosovë

    Edhe një gazetare nga Ukraina strehohet në Kosovë

    Programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i është bashkuar gazetarja e radhës nga Ukraina, Liudmyla Lukianchenko.

    Në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, Lukianchenko u mirëprit nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, koordinatori i terrenit, Adem Sylejmani, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

    Journalists in Residence – Kosovo që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF e po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

  • Sveçla: S’jam kundër popullit serb, por kundër projekteve shoviniste të Serbisë

    Sveçla: S’jam kundër popullit serb, por kundër projekteve shoviniste të Serbisë

    Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se ai dhe Qeveria nuk janë kundër popullit serb, por kundër projekteve shoviniste të Serbisë.

    Ai ka dhënë një intervistë për Kossev, ku ka thënë se “Kriminelët nuk kanë kombësi, sepse janë të përzier”.

    “Janë ata që duan të portretizojnë aktivitetet e tyre me ngjyra nacionaliste”, ka dekalruar ai.

    “Tani keni kriminelët më të mëdhenj që janë patriotët më të mëdhenj”. Duhet ta ndalojmë. Ne kemi nevojë për vëmendjen e qytetarëve të thjeshtë, vëmendje për jetë normale, për të mbështetur kategori të tilla dhe për të luftuar kundër këtyre kategorive të tjera”, ka thënë ai.

    Sveçla ka thënë se vazhdimisht është në kontakt me qytetarë serbë në Veri, por thotë se takimet nuk janë publike.

    Ai ka përmendur shtetin ligjor, respektimin e institucioneve dhe luftën kundër ”milicisë fashiste”.

    Në Veri tash e më shumë se një muaj ka tension. Serbët lokalë që shpesh herë protestojnë dhunshëm nuk duan kryetarë shqiptarë në komunat veriore, të cilat erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve të prillit.

  • Joseph: Biden ta bind Ukrainën ta njohë pavarësinë e Kosovës

    Joseph: Biden ta bind Ukrainën ta njohë pavarësinë e Kosovës

    Njohësi i Ballkanit, Edward P. Joseph, vlerëson se është koha që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden që ta inkurajojë Ukrainën të njeh pavarësinë e Kosovës.

    Biden do të jetë për vizitë në Evropë, për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë.

    Sipas Joseph, në këtë samit duhet të shfrytëzohet mundësia që Bideni, të shtyjë Ukrainën ta njeh pavarësinë e Kosovës.

    “Biden e njeh mirë historinë e fundit të Ballkanit. Ai dhe ekipi i tij duhet të mbajnë një perspektivë të gjerë ndërsa diskutojnë komunikatën përfundimtare të Vilniu. Ndër të tjera, ata duhet ta inkurajojnë Ukrainën që ta njeh Kosovën”, shkroi Joseph në rrjetin social Twitter.

    “NATO do të mblidhet në Ukrainë dhe do të hedh vështrimin nga Ukraina në Ballkanin e trazuar. Aleanca duhet të mbajë disa pika në perspektivë, mbi të gjitha, përgjegjësinë e pashmangshme të NATO-s”.

    Ndryshe, në këtë samit do të diskutohet për luftën ruso-ukrainase dhe për rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

    Temë tjetër pritet të jetë edhe pranimi i Suedisë në NATO, që aktualisht është në pritje të ratifikimit nga Hungaria dhe Turqia.

  • 24 vjet vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyçi në Serbi, kush janë të dyshuarit dhe çfarë dihet deri tash për rastin

    24 vjet vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyçi në Serbi, kush janë të dyshuarit dhe çfarë dihet deri tash për rastin

    Kanë kaluar 24 vjet nga vrasja e tre shqiptaro-amerikanëve në Serbi i njohur më shumë si rasti i vëllezërve Bytyçi. Trupat e Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçit u gjetën në një varrezë masive me mbi 70 viktima të tjerë nga lufta në Kosovë në Petrovo Selo të Serbisë, pas hapjes së varrezave masive në Serbi.

    Departamenti amerikan i shtetit dhe zyrtarë të tjerë amerikan i kanë bërë sërish thirrje Serbisë që të hetojë dhe të dënojë personat përgjegjës.

    Kolegu Artan Haraqija, bisedoi me vëllain e viktimave, Fatos Bytyçi dhe aktivisten serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç për të kuptuar pse rasti vazhdon të jetë i hapur dhe kush janë të dyshuarit kryesorë që ata besojnë se dhanë urdhër për rrëmbimin dhe ekzekutimin e tyre.

    Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi nisen drejt Merdares, atëkohë pikë administrative mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kishin shkuar në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara si pjesëtarë të grupit ‘Atlantiku’, me 400 vullnetarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Një familje rome, fqinj të familjes Bytyçi në Prizren, për arsye sigurie u kërkoi vëllezërve shqiptaro amerikan që t’i ndihmojë të udhëtojnë drejt Serbisë.

    “Rasti i vëllezërve Bytyçi është me rëndësi të madhe pasi është rast i tre vëllezërve, që donin të ndihmonin të tjerët, në një kohë shumë të rrezikshme”, thotë aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç.

    Në mungesë të tabelave për të kuptuar se ku ndahen të dy vendet që ishin në luftë deri para pak ditësh, grupi kalon gabimisht në Serbi dhe ndalohen në një pikë kontrolli të policisë serbe. Tre vëllezërit arrestohen dhe më pas dërgohen në Kurshumli, ku një gjykatës i dënon për kundërvajtje, me 15 ditë burg, për hyrje ilegale në ish Jugosllavi. Shtetasit amerikanë në atë kohë duhej të kishin vizë për të hyrë në atë që kishte mbetur nga Federata Jugosllave.

    Tre shqiptaro amerikanët dërgohen në burgun e Prokuples.

    Pak ditë para se të përfundonin dënimin, merret vendim për t’i liruar. Por, të njejtën ditë, një grup i policisë speciale serbe i merr nga Prokupla dhe i dërgon në Petrovo Selo, kampin e trajnimit të policisë së Serbisë.

    “Pasi i kanë marrë në Prokuple, i kanë dërguar në Petrovo Selo. I kanë torturuar për disa ditë”, thotë vëllai i ish ushtarëve të UÇK-së, i cili për mbi dy dekada bën përpjekje që të zbulojë se kush janë fajtorët për vrasjen e tyre.

    Vrasja e tyre u bë në një kohë kur pushteti i Slobodan Millosheviçit në mënyrë aktive bënte përpjekje për të fshehur krimet e kryera në Kosovë, kryesisht duke hapur varreza masive nëpër Serbi. E vërteta, jo vetëm për tre vëllezërit Bytyçi, por edhe për qindra shqiptarë të tjerë u kuptua vetëm pas hapjes së disa prej varrezave masive nga ish kryeministri serb, Zoran Xhinxhiç.

    “Hapja e varrezave masive u bë pasi e urdhëron këtë Xhinxhiç, e hapin Batajnicën fillimisht dhe më pas Petrovo Selon dhe prej Petrovo Selos dalin trupat e vëllezërve të mi”, thotë zoti Bytyçi.

    Trupat e Agronit, Yllit dhe Mehmetit tregojnë shenja torture. Ata janë ekzekutuar me armë zjarri pas shpine, ndërsa duart i kanë pasur të lidhura me tel. Gjetja e trupave të qindra shqiptarëve në varrezat masive në Serbi, të hapura deri tani, megjithatë dështoi të zbulojë të vërtetën e shumë prej këtyre krimeve. Për zotin Bytyçi, edhe vetë hapja e varrezave masive u bë për qëllime politike.

    “Qëllimi ka qenë politik vetëm që Milloseviçi të dorëzohet në Tribunal të Hagës se nuk kanë pasur argument se si ta heqin atë njeri nga Serbia”, thotë Fatos Bytyçi.

    Deri më sot vrasja e tre shqiptaro-amerikanëve ka mbetur pa autor, megjithëse përgjegjësia për këtë krim sipas zonjës Kandiç dhe zotit Bytyçi është e lehtë të kuptohet.

    “Obrad Stevanoviç është njëri. Obrad Stevanoviçi i jep urdhër nga Beogradi Arsijeneviç Milenkos dhe policëve të tjerë, që kanë bërë masakra në Kosovë, të nisen drejtë Prokuples për të kidnapuar tre amerikanë. Goran Radosalvjeviç Guri, thirrë në telefon dhe i jep urdhër Sreten Popoviçit që me shku tre amerikanë me i kidnapu dhe t’i sjellin në Petrovo Selo”, thotë zoti Bytyçi.

    Obrad Stevanoviç ishte gjeneral i policisë së Serbisë.

    Goran Radosavljeviç i njohur me nofkën Guri ishte komandant i njësive speciale të policisë së Serbisë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

    Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në disa prej krimeve më të rënda, përfshirë edhe masakrën e Reçakut më 15 janar 1999 ku u vranë 44 shqiptarë. Guri gjithashtu dyshohet se udhëhoqi operacionin kundër familjes së Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës ku u vranë mbi 100 njerëz.

    Pas luftës, ai ishte udhëheqës i kampit të trajnimit të njësive speciale policore serbe në Petrovo Selo ku vëllezërit Bytyçi u vranë dhe më pas u varrosën me dhjetëra shqiptarë të tjerë.Sipas dijenisë sime vendimi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi erdhi nga Beogradi”

    “Asgjë nuk mund të ndodhte në atë kamp pa dijeninë e tij. Obrad Stevanoviç ishte gjithashtu gjeneral. Ai ishte në krye të policisë speciale në Kosovë dhe Serbi dhe jam e sigurt që pa dijeninë e tij asgjë nuk mund të ndodhte. Sipas pozitës që kishte ai duhej të dinte gjithçka që ndodhte. Sipas dijenisë sime vendimi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi erdhi nga Beogradi”, thotë zonja Kandiç.

    Në vitin 2006 në Serbi është mbajtur një proces kundër dy oficerëve policor që dyshohet se ekzekutuan vendimet nga lart për kapjen dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi, Sreten Popoviç dhe Milosh Stojanoviç. Procesi përfundoi pa asnjë dënim. Goran Radosavljeviç u nderua në qershorin e viti 2021 me medalje nga xhandarmaria serbe duke u bërë e qartë se ai mbetët i paprekshëm.

    Gjenerali serb në pension, një nga të dyshuarit se dha urdhër për rrëmbimin dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, Obrad Stevanoviç, siç konfirmohet në një video të Ministrisë së Brendshme të Serbisë të postuar në rrjetin YouTube, vazhdon të jetë i ftuar në aktivitetet e qeverisë serbe. Në aktivitetin e vitit 2021 ai flet rregullisht për heroizmin e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe që humbën jetën gjatë luftës së vitit 1999.

    “Më së shumti kemi dëgjuar se si mbrojtësit e atdheut tonë janë cilësuar si kriminelë lufte” , vlerëson në videon e Ministrisë së Brendshme të Serbisë Obrad Stevanoviç.

    “Jam shumë krenar për faktin se shteti serb njeh sakrificat e forcave policore që së bashku me ushtrinë dhe qytetarët mbrojtën vendin e tyre kundër 19 vendeve më të fuqishme anëtare të NATO-s”, tha gjenerali serb në pension, Obrad Stevanoviç më 24 mars 2021.

    Mos ndëshkimi për zonjën Kandiç, vjen si pasojë fillimisht e frikës së dëshmitarëve okularë që të flasin hapur, dhe bindja që ekziston tek forcat speciale serbe se vrasja e ish ushtarëve të UÇK-së nuk është një krim për të cilin gjeneralët serbë duhet të mbahen përgjegjës.

    “Ka shumë dyshime se pjesëtarët e njësive speciale serbe kanë kryer shumë krime në Kosovë dhe komploti i heshtjes është pjesë e pozitës së tyre, pra që të jesh i heshtur dhe të mos flasësh për krime”, thotë zonja Kandiç.

    Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti i Shtetit e përcaktoi ish udhëheqësin e njësive speciale të policisë serbe Radosavljevic si person të padëshiruar për të hyrë në SHBA për shkak të dyshimeve të “përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, përfshirë vrasjen e shtetasve amerikanë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

    “Kemi premtime të mëdha prej shtetit amerikan që ky rast do të zbardhet”, thotë zoti Bytyçi.

    Por, për zonjën Kandiç presioni ndërkombëtar është qartë i pa-suskseshëm.

    Familja Bytyçi është e bindur se ekziston një njeri që megjithatë ka informacion që do të çonte deri te kapja e ish gjeneralëve serbë të dyshuar për rastin. Vlastimir Gjorgjeviç, ish Zv/ministër i Brendshëm serb gjatë luftës në Kosovë është dënuar nga Gjykata e Hagës për Krimet në ish Jugosllavi me 27 vjet heqje lirie. Ai ishte përgjegjës për fshehjen e trupave të shqiptarëve që ishin vrarë në Kosovë.

    “Ai di gjithçka, përfshirë edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Por, jam e sigurt që ai nuk është i gatshëm të ndihmojë në këtë rast. Gjatë procesit kundër tij, ai ishte tejet i kujdesshëm duke mbrojtur gjeneralët e tjerë. Ai mbrojti insititucionet serbe dhe nuk është i gatshëm të flasë”, thotë zonja Kandiç. /VOA

  • Auditori gjen shumë parregullsi në Ministrinë për Komunitete

    Auditori gjen shumë parregullsi në Ministrinë për Komunitete

    Ministrisë për Komunitete dhe Kthim i janë gjetur shumë parregullësi nga Zyra Kombëtare e Auditimit, për vitin 2022. Ministrinë në atë kohë e kishte drejtuar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Këtë institucion në situatë kaotike, ka thënë se e ka gjetur edhe ministri i tanishëm, Nenad Rashiq.

    “Ka qenë një situatë tragjikomike”, kështu e përshkruan Nenad Rashiq, gjendjen në të cilën e gjeti Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, drejtimin e së cilës e mori në dhjetor të vitit 2022.

    Para tij, ministrinë e udhëhoqi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

    Shumë parregullsi këtu ka gjetur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

    Ministria përgjatë gjithë vitit 2022 pagoi 20 punonjës në vlerë të mbi 105 mijë eurove, të cilët nuk u paraqitën në punë.

    Situatë e njëjtë është evidentuar edhe në raportin e vitit 2021, si dhe po vazhdon edhe këtë vit.

    Ministri Rashiq thotë se kjo po ndodh për shkak të marrëveshjes së Brukselit për integrimin e serbëve.

    20 zyrtarët, ai thotë se i takoi para dy javësh.

    “Shumica prej tyre kanë kërkuar falje, duke e shpjeguar situatën e cila vërtetë ka qenë komplekse. Unë ju thashë mirë, atëherë e shtyjmë një periudhë relativisht të shkurtër dhe unë po planifikoj prapë t’i ftoj javën e ardhshme ku prapë e bëjmë të njëjtën gjë dhe prapë po pres propozime nga ata”, ka theksuar Nenad Rashiq – ministër për Komunitete dhe Kthim.

    Këtë situatë, Rashiq thotë se nuk do ta tolerojë edhe gjatë.

    “Personat të cilët veprojnë ose punojnë në vendin e tyre janë të mirëseardhur. Ata që eventualisht nuk munden, ndoshta mund të shkojnë në spital, por në veçanti ata që nuk duan me punu, ligji e përcakton mënyrën e komunikimit”, ka deklaruar Nenad Rashiq – ministër për Komunitete dhe Kthim.

    Një problematikë tjetër të cilën e ka evidentuar auditori, është keqpërdorimi i veturave zyrtare.

    Për këtë, ministri ka një shpjegim.

    “Unë me të vërtetë ju kisha lutur për një mirëkuptim të situatës. Sepse, prapë po them nuk mund të krahasohet niveli i gatishmërisë operative të shqiptarëve si një komunitet shumicë dhe komunitetet e tjera të cilët me të vërtetë nuk janë ende në gjendje sa i përket transportit, zonave ku jetojnë. Raporti për përdorimin e derivateve besoj se është shkurtuar 2/3 më pak”, ka shtuar Nenad Rashiq – ministër për Komunitete dhe Kthim.

  • Rregullat në autostradat e Serbisë, mërgimtarët të kenë kujdes

    Rregullat në autostradat e Serbisë, mërgimtarët të kenë kujdes

    Diaspora e Kosovës shfrytëzon Serbinë për të ardhur në vendlindje.

    Meqë rregullat kanë hyrë në fuqi, mërgimtarëve që kalojnë nëpër Serbi u bëhet thirrje të kenë kujdes.

    Do të ketë matje të kohës që kalohet në një segment të rrugës mes dy punkteve ku bëhet pagesa dhe pagesa e dënimit për tejkalim të shpejtësisë bëhet menjëherë në punktin e pagesës për autostradë, përcjell albinfo.ch.

    Shpejtësia e lejuar në autostradat e Serbisë është 130km/h dhe dënimet janë të ashpra.

    Shkojnë nga 25 euro deri mbi 1000 euro ose 15-60 ditë burg, shkruajnë mediat serbe.

    Këto janë rregullat të cilat duhet t’u përmbahen mërgimtarët.

    Suboticë – Nish (423 km); 3 orë e 31 minuta,

    Beograd – Nish (237 km): 1 orë e 58 minuta,

    Beograd – Suboticë (190 km): 1 orë e 34 minuta,

    Beograd – Shid (109 km): 54 minuta.

    130 km/h është shpejtësia maksimale e lejuar në autostradat në Serbi.

    120 km/h është shpejtësia maksimale e lejueshme në autostradat në Serbi me anë të shenjave.

    Dënohen 3,000 dinarë (25 euro) për shpejtësi nga 120 në 140 km/h

    Dënohen prej 10,000 dinarë (85 euro) për shpejtësi nga 151 në 160 km/h

    100,000 dinarë (845), 15 deri në 60 ditë burgim, 15 pika ndëshkuese dhe nëntë deri 12 muaj pa licencë është dënimi për tejkalimin nga 201 deri 220 km/h.

  • Aleatët nuk pajtohen për dërgimin e bombave kasetore në Ukrainë

    Aleatët nuk pajtohen për dërgimin e bombave kasetore në Ukrainë

    Disa aleatë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur shqetësimin e tyre, lidhur me vendimin e Uashingtonit për t’i dërguar bomba kasetore Ukrainës.

    Të premten, SHBA-ja konfirmoi se do t’i dërgojë armët e diskutueshme Ukrainës, derisa presidenti Joe Biden, këtë e cilësoi si “vendim shumë të vështirë”.

    Pas vendimit të qeverisë amerikane, Britania, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja, thanë se kundërshtojnë përdorimin e këtyre armëve.

    Bombat kasetore janë të ndaluara në më shumë se 100 shtete, për shkak të rrezikut që ato paraqesin për civilët.

    Ato zakonisht lirojnë shumë bomba më të vogla që mund të vrasin pa dallim, në një zonë tët gjerë.

    Këto bomba gjithashtu kanë shkaktuar polemika për shkak të shkallës së tyre të dështimit.

    Bombat e pashpërthyera mund të qëndrojnë në tokë për vite dhe më pas të shpërthejnë në mënyrë të pakontrolluar.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një intervistë për “CNN” të premten se ka folur me aleatët lidhur me këtë vendim, që ishte pjesë e një pakoje të ndihmave ushtarake, në vlerë të 800 milionë dollarëve.

    I pari i SHBA-së tha se është dashur të kalojë një kohë që ai të bindet që ta marrë këtë vendim, por veproi për shkak se ukrainasve po u mbaron municioni.

    Vendim i Bidenit është kritikuar edhe nga grupet e të drejtave të njeriut, teksa “Amnesty International” tha se bombat kasetore paraqesin “kërcënim të madh për jetët e civilëve, edhe shumë kohë pasi konflikti të ketë përfunduar”.

    SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia, nuk janë ndër 123 vendet që kanë nënshkruar konventën, nëpërmjet të cilës ndalohet prodhimi apo përdorimi i këtyre bombave. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dodik ngre padi penale kundër Schmidt

    Dodik ngre padi penale kundër Schmidt

    Presidenti i entitetit të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska, Mirolad Dodik, ka intensifikuar mosmarrëveshjen e tij me komunitetin ndërkombëtar, duke paraqitur atë që ai e quajti një “ankesë penale” kundër përfaqësuesit të lartë të emëruar ndërkombëtarisht në Bosnje.

    Dodik tha të shtunën se ka bërë kallëzim penal kundër Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Luka, sepse ai ka kohë që merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim, për të cilin nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Ai pretendoi se “me qëllimin për të shkaktuar dëme në Republikën Srpska, Schmidt paraqitet në mënyrë të rreme si një zyrtar duke e ditur se ai nuk ishte emëruar në përputhje me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.”

    Sipas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, Schmidt ka fuqinë të imponojë ligje si interpretuesi përfundimtar i kushtetutës së shtetit, megjithëse vendimet e tij mund të shqyrtohen dhe vihen në dyshim nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, nëse miraton Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.

    Marrëveshja, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës 1992-95, vendosi një sistem administrativ, sipas të cilit shteti boshnjak mbetet i ndarë midis Republika Srpska, dhe Federatës Muslimane Boshnjako-Kroate, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore.

    Lëvizjet e Dodik, i cili ka udhëhequr një fushatë gjithnjë e më nxitëse për vite me radhë, erdhën një javë pasi Schmidt anuloi disa vendime të diskutueshme që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës civile në vend.

    Schmidt më 1 korrik u tha gazetarëve në Sarajevë se “vendimet e fundit të marra nga Asambleja e Republikës Srpska përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe gjithashtu të marrëveshjes së paqes të Dejtonit.”

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dje akuzoi Dodikun për shkelje të kushtetutës së Bosnjës dhe minim të marrëveshjes së Dejtonit.

    Një javë më parë, Ambasada Britanike tha gjithashtu se mbështet veprimet e Schmidt dhe shprehu mbështetjen e përbashkët të shteteve të Kuintit: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Tragjedia në Kavajë, mbyten në det 3 pushues nga Shqipëria

    Tragjedia në Kavajë, mbyten në det 3 pushues nga Shqipëria

    Mesdita e së dielës, qe fatale për një familje nga Shqipëria, që humbi tre anëtarë të saj pas ata u mbytën në det.

    Siç bënë me dije autoritetet në Shqipëri, një burrë rreth të pesëdhjetave së bashku me dy djemtë e tij të moshave 13 e 15 vjeç, u mbytën në plazhin Vilë-Boshtovë, në Kavajë.

    Sipas disa dëshmitarëve që qenë prezent kur ndodhi tragjedia, viktimat kishin depërtuar në një zonë më të thellë për të notuar, teksa ishin përfshirë nga rrymat detare.

    Një tjetër dëshmitar, fajësoj ambulancën pasi siç tha, nëse do vinte në kohë, do shpëtoheshin të paktën dy nga viktimat.

    Siç raportohet në mediat shqiptare, në atë zonë ka edhe mungesë të rojeve të plazhit, derisa viktimat ishin nxjerrë nga pushuesit e tjerë. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: