ATV

Blog

  • Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria

    Lehonat që kërkojnë ndihmë psikologjike stigmatizohen nga shoqëria

    Kërkimi i ndihmës psikologjike vazhdon të shihet si dobësi në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, theksojnë mjekët psikiatër. Kjo, thonë ata, bën që shumë persona të mos kërkojnë ndihmë profesionale edhe në rastet kur ballafaqohen me probleme psikike.

    Stojan Bajraktarov, mjek psikiatër, thotë se 20 për qind e grave gjatë muajve të shtatzënisë dhe periudhës së lehonisë rrezikojnë të preken nga problemet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Këto shifra , sipas tij, flasin për nevojën e një zgjidhje sistemore për mbështetjen psikologjike të grave gjatë periudhës së shtatzënisë dhe lehonisë, sikurse edhe të atyre që ballafaqohen me ndryshime rrënjësore në jetë veçanërisht kur kanë të bëjnë me problemet shëndetësore.

    Këto reagime pasojnë tentimin për vetëvrasje të një lehone 39-vjeçare, gjatë javës që po lëmë pas (2 gusht), e cila u hodh nga kati i parë i spitalit të gjinekologjisë pas lindjes së foshnjës. Për këtë grua nga Shkupi kjo lindje është e para.

    Autoritet spitalore thanë se ajo është ankuar për shqetësime psikologjike, me ç`rast ka folur dhe me psikiatrin e klinikës. Por, edhe pas tri ditësh ajo sërish është ankuar për shqetësime psikologjike, ndërsa mjekët kujdestarë i kishin dhënë barna për qetësim. Kjo nuk ka qenë e mjaftueshme që ajo të heq dorë nga synimi për vetëvrasje. Aktualisht ajo kurohet nga plagët e rënda që ka marrë gjatë tentimit për vetëvrasje.

    Gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga rrethi

    Rritja e konsumimit të barnave kundër depresionit dhe rasti me lehonën që tentoi të vetëvritet, nxiti debate të shumta në opinionin maqedonas nëse personat që kanë probleme me shëndetin mendor arrijnë të marrin ndihmë profesionale me kohë.

    Psikiatri Stojan Bajraktarov thotë për Radion Evropa e Lirë se gratë që kërkojnë ndihmë psikologjike vazhdojnë të stigmatizohen nga shoqëria. Ato kritikohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre dhe më e keqja, siç shprehet ai, se nuk arrijnë të bëhen nëna të mira.

    “Nga rrethi ku jetojnë, shoqëria, këto gra paragjykohen se nuk dinë të kujdesen për fëmijët e tyre të porsalindur. Kjo bën që gratë të hezitojnë të flasin hapur për problemet që kanë lidhur me shëndetin mendor, veçanërisht ato që vijnë nga viset rurale dhe kjo bën që ato mos kërkojnë ndihmë shëndetësore”, thekson Bajaraktarov. Ai shton se se shumë pak gra bëjnë konsulta në departamentin e klinikës në Shkup, i cili kryesisht merret me shëndetin mendor të grave para dhe pas shtatzënisë.

    Mungesa e mjekëve psikiatër shqiptarë, barrierë për pacientet

    Problem më vete paraqet dhe numri shumë i vogël i mjekëve psikiatër shqiptarë. Në Klinikën e Psikiatrisë në Shkup ka të punësuar 19 mjekë psikiatër nga të cilët vetëm dy janë shqiptarë.

    Edlira Destani, psikologe, thotë për REL-in se me shumë rëndësi është që gratë të trajtohen me kohë dhe në gjuhën që për to është më e njohur.

    “Çdo person është individ më vete. Ndryshim që vjen në momentet e caktuara e nuk janë të përgatitur në mënyrën e duhur – apo ajo se te personi i caktuar mund të kemi pasur problematika të caktuara, të cilat nuk janë trajtuar ose janë trajtuar sipërfaqësisht – këto ndryshimet e përnjëhershme në jetën e tyre mundet të rindezin problematikat që kanë qenë të fjetura te vetja e tyre. Dhe, për këtë arsye këta persona, nëse nuk do të kenë mbështetje psikologjike, pasojat mund të jenë me çrregullime të mëdha psikologjike… Këto problematika mund të zbërthehen më së miri nga specialistë që flasin gjuhën e pacientit”, vlerëson Destani.

    Aktivistet për të drejtat e grave thonë se duhet gjetur zgjidhje sistemore për trajtimin e shëndetit mendor që në fillim të shtatzënisë, nëse tek ato paraqiten shqetësime të caktuara dhe jo siç theksojnë ilaçi të kërkohet në internet.

    Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Viktoria Jovanovska, gjatë prezantimit të rastit me lehonën që tentoi vetëvrasjen, tha se shqyrtohet mundësia që lehonat të vizitohen nga mjekët psikiatër. /REL

  • Rama: Samiti do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-së

    Rama: Samiti do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-së

    Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, si një samit vendimtar i cili do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s

    Kryeministri tha se Shqipëria është e gatshme që të angazhojë trupa shtesë në NATO dhe shtoi se në dekadën e fundit Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.

    “Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor”, tha Kryeministri Rama shkruan A2CNN

    “Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shtoi Rama.

  • Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri britanik: Kurti dhe Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionet në veri

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi për të ulur tensionin dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme.

    Kryeministri Sunak i bërë këto komente gjatë një takimi të komitetit ndërlidhjes në Parlamentin e Britanisë së Madhe, ku tha se pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Ai është pyetur nga deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetare për punë të jashtme, Alicia Kearns për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që sillen nga Serbia në Kosovë dhe të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi.

    Kryeministri Sunak tha se janë të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe pikëpamja e tyre është se duhet të gjendet një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE.

    Kryeministri britanik Sunak është ndalur edhe tek Bosnja dhe Hercevogina, ku ka thënë se Qeveria Britanike mbështet plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe se ata do të vazhdojnë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë.

    “Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim se EUFOR është jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mospjesëmarrjen tonë, dhe kjo nuk reflekton rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne do të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, tha ai.

  • Tragjedia e pushuesve në Kavajë, mësohet emri i babait që humbi jetën bashkë me dy djemtë e tij

    Tragjedia e pushuesve në Kavajë, mësohet emri i babait që humbi jetën bashkë me dy djemtë e tij

    Tragjedi në bregdetin e Kavajës. Tre persona janë mbytur teksa notonin në plazhin Vilë Boshtovë.

    Babai i identifikuar si Elvis Halilaj 50 vjeç, me dy djemtë e mitur nga Tirana 13 dhe 15 vjeç, ishin duke notuar në det teksa ende nuk dihen rrethanat sesi janë mbytur.

    Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për ti shpëtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Ngjarja e rëndë nxjerr në pah pasojat e mungesës së masave të sigurisë, flamujve sinjalizues dhe vrojtuesve të plazheve.

    Trupat e pajetë të familjarëve deklarohet se janë dërguar në spitalin e Kavajës dhe pritet të nisen në atë të Durrësit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie në sezon pushimesh.

    Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /tch

  • Tragjedi në Kavajë: Mbytet në det babai me dy djemtë, 13 dhe 15 vjeçarë

    Tragjedi në Kavajë: Mbytet në det babai me dy djemtë, 13 dhe 15 vjeçarë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Kavajë. Tre pjesëtarë të një familje, babai rreth 55 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç janë mbytur në det.

    Sipas njoftimit të Policisë atje, njësitë përkatëse kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Njoftimi i policisë:

    Më datë 09.07.2023, në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas kosovarë, pjestarë të së njëjtës familje (babai rreth 55 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç).

    Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për ti shpërtuar por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.

    Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët që po futen nga Serbia në Kosovë

    Alicia Kearns, deputete britanike dhe kryetare e ka ngritur në Parlamentin Britanik çështjen e futjes së armëve nga Serbia në Kosovë. Ajo e ka pyetur kryeministrin e vendit, Rishi Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që misioni paqeruajtës i NATO-s të merret edhe me armët ilegale që tha se po futen nga Serbia në Kosovë.

    Ajo foli për një “dështim ndërkombëtar” në parandalimin e situatës në Kosovë. Kearns tha se “kjo reflektohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë”.

    “Si kryeministër, a do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, e pyeti ajo kryeministrin britanik.

    Sunak nuk iu përgjigj konkretisht në këtë çështje, por shprehu shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi në parandalimin e dhunës së mëtejshme.

    “Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.

  • Kryeministri holandez jep dorëheqje

    Kryeministri holandez jep dorëheqje

    Kryeministri holandez Mark Rutte i paraqiti dorëheqjen me shkrim të qeverisë së tij Mbretit Willem-Alexander, i cili u kthye nga pushimet vetëm për të pranuar dorëheqjen e kryeministrit që mbajti postin për katër vjet.

    Ishte qeveria e katërt e Rutte, siç përshkruhet nga Guardian – një koalicion i brishtë, katërpartiak i Partisë së tij Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD), Demokratëve Liberalë 66, Demokristianëve (CDA) dhe ChristenUnia centriste.

    U deshën dhjetë muaj për të rënë dakord për formimin e tij dhe zgjati më pak se 18 muaj, transmeton Telegrafi.

    Një koalicion i pikëpamjeve rrënjësisht të ndryshme është shembur për çështjen e emigracionit. Mes shqetësimeve për krizën e strehimit, çmimet e larta të gazit dhe inflacionin, disa u përpoqën të fajësonin migrantët e huaj – studentët ndërkombëtarë, “emigrantët” më të pasur dhe veçanërisht azilkërkuesit.

    Megjithëse numri i azilkërkuesve pritet të jetë 45,000 këtë vit, pothuajse i njëjtë me vitin 2022, Rutte dhe CDA thuhet se kanë shtyrë për një qëndrim më të ashpër në ligjin e ri, duke kufizuar të drejtat e anëtarëve të familjes për t’u bashkuar me refugjatët nga vendet në luftë.

    Demokratët 66, dhe veçanërisht ChristenUnie, nuk ranë dakord dhe bisedimet e qeverisë u ndërprenë të premten.

    Megjithatë, sipas Guardian, dorëheqja e kryeministrit dhe rënia e koalicionit qeverisës nuk ka gjasa të ndihmojnë Holandën të zgjidhë problemet e saj aktuale.

    Në nëntor priten zgjedhje të reja parlamentare dhe një periudhë tjetër formimi në një sistem të fragmentuar shumëpartiak është përpara.

  • Vdes diplomati amerikan që kontribuoi në ndërtimin e Kosovës

    Vdes diplomati amerikan që kontribuoi në ndërtimin e Kosovës

    Diplomati amerikan, i cili udhëhoqi anën diplomatike të kampanjës së NATO-s në Kosovë në vitin 1999, James F. Dobbins, ka ndërruar jetë të hënën në moshën 81-vjeçare.

    Sipas “New York Times“, ai do të mbahet mend edhe si diplomat që pati role në prapaskenë në disa prej çështjeve më delikate transatlantike të Luftës së Ftohtë duke përfshirë negociatat tregtare dhe lëvizjen e armëve bërthamore në Evropën Perëndimore.

    Ai ka shërbyer si emisar special në Haiti, gjatë intervenimit amerikan më 1994 dhe 1995, kurse më vonë mori rol për ruajtjen e paqes dhe rindërtimin në Bosnje dhe Kosovë.

    Po ashtu, ai do të mbahet mend si praktikuesi kryesor i politikës amerikane për ndërtime të kombeve.

    Familja e tij ka njoftuar se Dobbins ka vdekur në spital, si pasojë e komplikimeve nga sëmundja e Parkinsonit.

    “Secilën herë, Dobbins thellonte përvojën e tij me rindërtimin e shoqërive të shkatërruara nga lufta, duke zhvilluar njohuri në enigmën jashtëzakonisht komplekse të politikës së jashtme. Ai menaxhoi anën diplomatike të fushatës ajrore të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 dhe më pas ndihmoi në menaxhimin e përpjekjeve për ruajtje të paqes dhe rindërtim atje”, shkroi “NYT” të shtunën, teksa publikoi edhe fotografi të Dobbinsit në vitin 1999 në Kosovë, krahas ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

  • Ricky Martin më 20 korrik me koncert në Tiranë

    Ricky Martin më 20 korrik me koncert në Tiranë

    Këngëtari i njohur latin, Ricky Martin, do të jetë për herë të parë para një publiku shqiptar.

    Ai më 20 korrik të këtij viti do të mbajë një megakoncert në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

    Këtë e bëri të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

    “Ricky Martin më 20 korrik në sheshin ‘Skënderbej’”, ka thënë Rama.

  • Deklarata e Gërvallës ndaj BE-së nxiti reagime të emisarëve dhe të opozitës

    Deklarata e Gërvallës ndaj BE-së nxiti reagime të emisarëve dhe të opozitës

    Ministrja e Punëve të Brendshme, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut deklaroi të shtunën se Bashkimi Evropian pa Shtetet en Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është e paaftë që të garantojë siguri.

    Në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, ku ishte me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Gërvalla iu referua BE-së si “tigër prej letre”.

    “Pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme, nukka vullnet politik, ka shumë mospajtime në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një “Tigër prej letre” në aspektin e sigurisë.”, u shpreh Gërvalla.

    Lidhur me këtë deklaratë, mospajtim shprehu emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se gjithçka e mirë që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka ndodhur në Ballkan në gjeneratën e fundit, është arritur në bashkëpunim ShBA-BE.

    “Paper Tiger (Tigër prej letre) është term që i referohet diçkaje apo dikujt që pretendon të jetë i fuqishëm ose kërcënues e që në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.”, tha ai.

    Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u shpreh se Bashkimi Evropian është larg të qenurit i përkryer.

    Ai tha se anëtarësimi në BE është ëndërr për shetet e Ballkanit Perëndimor.

    “Mundt të them që BE është larg të qenurit e përkryer, por megjithkëtë është më e mira që e kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Mendoj që anëtarësimi në BE është arritje e ëndrrave të vendeve, të cilat janë duke trokitur në ëndrrën evropiane”, u shpreh ai.

    Deklaratën e ministres Gërvalla ndaj BE-së e kritikoi opozita.

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e quajti të papërgjegjshme deklaratën e ministers.

    “Evropa tigër prej letre, deklaron Ministrja e Jashtme e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare. Çfarë papërgjegjësie, e përzier me megallomani dhe injorancë. Zatën, këto të trija rëndom shkojnë bashkë. Sa për referencë, “ tigër prej letre” i ka quajtur Mao Zedong SHBA-të.”, shkroi ajo në Facebook.

    Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj i quajti jodiplomatike, skandaloze dhe shumë të dëmshme vlerësimet e Gërvallës për BE-në.

    “Jo vetem jodiplomatike, por skandaloze dhe shume te demshme vleresimet per BE te Ministres se Jashtme Donika Gervalla! Me e pakta qe do te duhej, eshte nje deklarate e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo qe ka thene Ministrja e Jashtme, nuk eshte qendrim zyrtar i Republikes se Kosoves. Pas nje distancimi te tille, edhe zonja Gervalla do ta kete me te lehte ta gjeje rrugen e vet!”, shkroi ai në Facebook.

    Ndërsa, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi e quajti të mjerë gjendjen diplomatike të Kosovës.

    “Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri – qëlloi të mbajë postin e krye diplomates – dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!? Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!”, shkroi ajo në Facebook.