ATV

Blog

  • Aksident trafiku me fatalitet në autostradën “Arbër Xhaferi”, vdes një grua

    Aksident trafiku me fatalitet në autostradën “Arbër Xhaferi”, vdes një grua

    Një grua ka vdekur pas një aksidenti pasditen e djeshme, në Autostradën “Arbër Xhaferi”, aksi Bibaj-Ferizaj.

    “Autostrada Arbër Xhaferi-Bibaj, Ferizaj 09.07.2023-17:40. Një automjet transportues (kamion) dhe një veturë me targa vendore, me drejtues meshkuj kosovar janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë një person femër kosovare (pasagjere në veturë) si dhe lëndime trupore kanë pësuar disa tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia njoftoi se të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësorë në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Po ashtu bëhet e ditur se drejtuesi i automjetit transportues është dërguar në mbajtje.

     

  • Enca na njofton me të dashurin e ri

    Enca na njofton me të dashurin e ri

    Enca prej kohësh përflitet për një lidhje të re.

    Por, nëse deri tash mund të jetë menduar një lojë me opinionin publik, më nuk ka dilema.

    Këngëtarja është shfaqur në pushime krah personit të zemrës.

    Ajo shihet duke shkëmbyer puthje pasionante gjatë pushimeve me të dashurin blogger.

    Ky i fundit e ka postuar kolazhin e videove nga një ditë me këngëtaren.

  • Escobar në HRT: Hapi i parë për zgjedhjet në Veri largimi i njerëzve nga rruga

    Escobar në HRT: Hapi i parë për zgjedhjet në Veri largimi i njerëzve nga rruga

    Emisari i Shteteve të Bashkuara në bisedimet Kosovë-Serbi Gabriel Escobar në një intervistë për Televizionin e Kroacisë (HRT) ka thënë se Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kanë paraqitur tre hapa të thjeshtë për deeskalimin në Veri.

    “Hapi i parë është largimi i njerëzve nga rruga. Kryetari i mbetur i komunës nuk duhet të dalë në zyrë për të krijuar shpërqendrim”.

    “Na duhen zgjedhje të reja me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve. Ne kemi nevojë edhe për një afat kohor që pala serbe ta zbatojë pjesën e saj dhe një draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Bëhet fjalë për barazi, barazi dhe përfitime për të dyja palët” theksoi ai.

    “Nëse këto dy palë nuk e pranojnë planin e BE’së për qetësimin e konfliktit mund të ketë një krizë edhe më të madhe” ka thënë Escobar.

    “Në Ohër bëhej fjalë për një marrëveshje normalizimi për të krijuar kushte paqësore mes dy fqinjëve armiqësorë sipas rregullave evropiane. Jo vetëm që normalizuan marrëdhëniet e tyre, por u harmonizuan edhe me BE-në. Duhet t’i rikthehemi asaj” ka shtuar Escobar.

    Tutje, diplomati amerikan ka theksuar se marrëveshja krijon kushtet e duhura për thellimin e integrimit evropian.

    “Ndërkohë u zhvilluan një sërë veprimesh destabilizuese. Kjo na shpërqendroi nga implementimi i asaj marrëveshjeje. Ne duhet t’i kthehemi asaj”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

  • Clinton publikon video nga vizita në Shqipëri

    Clinton publikon video nga vizita në Shqipëri

    Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka publikuar një video nga vizita e tij në Shqipëri, duke e përmendur edhe Kosovën.

    Clinton ka thënë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, Shqipëria shërbeu si partner jetik për paqen duke pranuar gjysmë milioni refugjatë.

    “Gjatë konfliktit të Kosovës, Shqipëria ndihmoi njerëzimin të triumfonte – duke pranuar gati gjysmë milioni refugjatë dhe duke shërbyer si një partner jetik për paqen”, shkroi Clinton në rrjetin social Twitter.

    “Javën e kaluar, pata nderin të festoja lidhjet e miqësisë midis dy vendeve tona dhe të shihja se çfarë është e mundur kur njerëzit përqafojnë demokracinë”.

  • Gërvalla e quan sërish BE-në tigër prej letre, sfidon ata që e kritikuan

    Gërvalla e quan sërish BE-në tigër prej letre, sfidon ata që e kritikuan

    Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka përsëritur deklaratën e saj se Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre, duke shtuar se ky institucion nuk është në gjendje dhe s’ka kapacitet për të garantuar siguri.

    Gërvalla ka shkruar në Facebook mesnatën e së hënës se BE-ja e di këtë dhe prandaj “vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit”.

    “I sfidoj publikisht ‘specialistët’, që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë. Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme.

    Sipas Gërvallës, fatkeqësi e Kosovës është gjendja e mjerueshme e partive opozitare, pasi shtoi se opozita edhe gjatë qeverisjeve të kaluara, s’ka pasur plan, strategji, pa vizion e pa dinjitet.

    “Opozitë që përveç sulmeve personale, të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron”, shtoi ai.

    Ministrja e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk është e para që dëshiron “ta shohin as fizikisht në Kosovë”.

    “E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. I kam pasur vetëm 8 vjet kur më kanë përzënë për herë të parë nga vendi im. Por ata që për 19 vjet me radhë (1980-1999) më privuan nga e drejta për t’u kthyer në vendin tim, madje as edhe sa për të kthyer eshtrat e babait në tokën e tij, janë ata që nuk kanë më vend në Kosovën e lirë”, ka thënë ajo.

    Ndërsa, për ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gërvalla ka thënë se nuk do të flasë këtë radhë.

    “E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë nga ime do të ishte e tepërt”.

  • Zyrtari i lartë gjerman: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

    Zyrtari i lartë gjerman: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

    Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i NATO-s, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në veri, thotë Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

    Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Niç thotë se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.

    “Mendoj se [Kosova] është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe”, thotë Niç, ekspert për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e NATO-s.

    Duke u ndalur te Serbia, ai thotë se presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, mund ta luajë edhe për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.

  • Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Në seancat e fundit dëshmitari i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë dhënë dëshmi dhe iu përgjigjën pyetjeve të Prokurorisë, Mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe gjykatësve.

    Trupi Gjykues shprehu shqetësimin për ritmin se si po ecin seancat në këtë çështje gjyqësore dhe u kujtoi palëve se është e panevojshme t’i pyesin dëshmitarët me hollësi për aspekte të pakontestuara.

    Ndryshe më 28 qershor, Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë.

  • Zelensky: Forcat ukrainase po përparojnë në jug

    Zelensky: Forcat ukrainase po përparojnë në jug

    Të dielën, forcat ukrainase vazhduan përpjekjet e tyre për të rimarrë rajonet në juglindje të vendit, të cilat aktualisht janë nën kontrollin rus, tha presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky përmes video-transmetimi.

    Sipas raporteve nga burimet ruse, përleshje intensive ndodhën në zonat përreth qytetit të Bahmutit, i cili ishte pushtuar nga forcat mercenare ruse Wagner në muajin maj, pas shumë muajsh luftimesh në këtë qytet.

    Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov njoftoi vendosjen e një prej njësive të tij në këtë rajon.

    E armatosur me armatim të avancuar nga Perëndimi, gjatë mbi 500 ditëve të konfliktit, Ukraina ka filluar një kundërofensivë ndaj ushtrisë ruse. Përpjekjet fillestare të tyre janë përqendruar në rimarrjen e një grupi fshatrash në jugperëndim, teksa në të njëjtën kohë përpiqen të rimarrin kontrollin mbi rajonet përreth qytetit të Bahmutit.

    Hanna Maliar, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, përcolli përmes Telegramit, ku tha se beteja intensive po shpaloseshin në dy zona juglindore.

    “Ne po konsolidojmë fitoret tona në ato fusha”, shkroi ajo.

    Sipas deklaratës së saj, trupat ruse po mbrojnë gjatë gjithë kohës Bahmutin, dhe tha se forcat ukrainase kishin bërë disa përparime në krahun jugor të qytetit.

    Nuk pati ndryshime të dukshme në pozicionet veriore të Bahmutit dhe forcat ukrainase u angazhuan në luftime intensive në perëndim të Bahmutit dhe afër Limanit, i cili ndodhet më në veri në rajonin e Donjeckut.

    Në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan ABC përpara samitit të NATO-s në Lituani, presidenti Zelensky shprehu shpresat e tij në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në aleancën e mbrojtjes perëndimore.

    Zelensky, gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan ABC, përpara samitit të NATO-s të kësaj jave në Lituani, ku Kievi shpreson të marrë indikacione të forta si për anëtarësimin e ardhshëm në aleancën e mbrojtjes perëndimore, ashtu edhe për garancitë për sigurinë e saj, pranoi se përparimet ishin më të ngadalta se sa dëshironin ai dhe gjeneralët e tij, por tha se forcat ukrainase po përparojnë.

    “Të gjithë ne duam ta bëjmë më shpejt [kundërsulmin] sepse çdo ditë do të thotë humbje të reja të ukrainasve. Ne po përparojmë. Nuk kemi ngecur”, tha ai, duke theksuar se ushtria kishte kapërcyer një “lloj stagnimi” në muajt e mëparshëm.

    “Të gjithë do të donim ta shihnim kundërsulmin të realizohej në një periudhë më të shkurtë kohore. Sot, iniciativa është në anën tonë”, tha ai.

    Vëmendje e madhe ditët e fundit është përqendruar te fshati Klishçivka, i shtrirë në jug të Bahmutit.

    Udhëheqësi çeçen Kadyrov, duke shkruar në Telegram, tha se njësia e tij “Akhmat” ishte duke luftuar në krah të Rusisë në qytetin e Bakhmutit. Ai postoi një video të një komandanti në majë të një automjeti të blinduar pranë fshatit Klishçivka.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kishin zmbrapsur përparimet ukrainase pranë Bahmutit, me luftimet e vështira “jo vetëm nga intensiteti ditor i betejave, por edhe nga shtrirja gjeografike”.

    Analisti ushtarak ukrainas Denys Popovych tha se forcat ukrainase kishin marrë “pozicione të rëndësishme pranë Klishçivkës”./REL/

  • Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot

    Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot

    Kryesia e Kuvendit sot do të mbajë mbledhjen e radhës duke filluar nga ora 10:00.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se do të diskutohet dhe trajtohen një mori e pikave nga seancat plenare.

    Rendi i plotë i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 20 prill dhe 29 qershor 2023:

    1. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-184 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,
    4. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 26 prill 2023:

    1. Votimi i Propozim Rezolutës nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
      IV. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 maj 2023:
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-153 për edukimin në fëmijërinë e hershme,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligji nr.08/L-219 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, personat e dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172,
    5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-224 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme,
    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,
    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    8. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/136, datë 22.03.2023 për themelimin e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit (IBCM) me seli në Mitrovicë si Institucion i arsimit të Lartë,
    9. Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

    V. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22 qershor 2023:

    1. Votimi i Projekt-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

    VI. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 15 qershor 2023:

    1. Votimi për emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
    2. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    VII. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 6, 7 prill dhe 7 qershor 2023:

    1. Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

    VIII. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të re:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Pyetjet parlamentare,
    4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    5. Interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti në lidhje me çështjen: ”Përgjegjësia e tij në raport me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kroaci, z. Martin Berishaj”,
    6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-139 për procedurën përmbarimore i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 05/L-118,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-060 për Mjekësinë Ligjore,
    10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-177 për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,
    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,
    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore,
    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-190 për zhvillim rajonal të balancuar,
    14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-200 për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse,
    15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-227 për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme,
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-238 për Fondin sovran të Republikës së Kosovës,
    19. Shqyrtimi i Raportit për mbikëqyrjen e zbatimit t Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim,
    20. Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetrorë të Cilësisë,
    21. Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,
    22. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
    23. Emërimi i anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE,
    24. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media.

    IX. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Gjashtë persona të vrarë nga sulmi me thikë në kopshtin e fëmijëve në Kinë

    Gjashtë persona të vrarë nga sulmi me thikë në kopshtin e fëmijëve në Kinë

    Të paktën gjashtë persona u vranë në një sulm me thikë në një kopsht fëmijësh në Kinë.

    Incidenti ndodhi në qytetin Hengshan të qytetit Lianjiang në provincën jugore të Guangdong, raportoi e përditshmja South China Morning Post.

    Byroja e Sigurisë Publike në Lianjiang e quajti sulmin një “rast sulmi të qëllimshëm” dhe policia ka arrestuar një të dyshuar 25-vjeçar të quajtur Wu.

    Mësohet se ai ka përdorur një thikë në sulm.

    Autoritetet thanë se incidenti ndodhi të dielën rreth orës 7:40 të mëngjesit. (AA)