ATV

Blog

  • Mes dhimbjes dhe lotëve, i jepet lamtumira e fundit 39-vjeçarit që mbeti i vrarë në ‘Bon Vivant’

    Mes dhimbjes dhe lotëve, i jepet lamtumira e fundit 39-vjeçarit që mbeti i vrarë në ‘Bon Vivant’

    Një përleshje e armatosur që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin mbrëmë.

    Të dyshuar për ngjarjen tragjike në lokalin e njohur ‘Bon Vivant’, është Andi Pajaziti, i cili ndodhet në spital dhe ndaj të njëjtit është lëshuar urdhër për ndalim, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti, po ashtu të arrestuar dhe Dukagjin Nikollaj, i cili ka arritur që të arratiset nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

    E sot në fshatin e lindjes, familjarë, miq e të afërm u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani.

    Në media janë publikuar edhe pamjet nga ceremonia mortore.

  • Nënë e bijë nga Kosova humbën jetën në aksidentin e rëndë në Kroaci, babë e bir në gjendje të rëndë

    Nënë e bijë nga Kosova humbën jetën në aksidentin e rëndë në Kroaci, babë e bir në gjendje të rëndë

    Në një aksident në Kroaci kanë humbur jetën dy shtetas të Kosovës ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

    Në aksidentin e ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në dalje të Ravçës, në autostradën A1, kanë mbetur të vdekur nënë e bijë shtetas të Kosovës, ndërsa baba e biri kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transportuar në spitalin e Splitit. Bëhet e ditur se shtetasit e Kosovës vozisnin veturë gjermane, BMW.

    Në aksident ka humbur jetën edhe një 33-vjeçar nga zona e Zarës, i cili drejtonte automjetin Volkswagen T-Roc.

    BMW-ja e shtetasve të Kosovës është rrokullisur nga forca e goditjes, ndërsa VW humbi gjysmën e pjesës së përparme.

    Nuk dihet ende se si ka ndodhur aksidenti që shkaktoi tre viktima, raporton index.hr.

    Autoritetet kroate kanë nisur hetimet dhe gjatë ditës do të japin më shumë informacione.

  • “Të gjithë kanë të kaluar kriminale”, Prokuroria me aktvendim për ndalimin e disa personave për ngjarjen në “Bon Vivant”

    “Të gjithë kanë të kaluar kriminale”, Prokuroria me aktvendim për ndalimin e disa personave për ngjarjen në “Bon Vivant”

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje rreth përleshjes së të premtes që ndodhi lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

    Sipas Prokurorisë, është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

    “Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet tutje.

    Prokurori i rastit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë janë duke punuar në drejtim të identifikimit të personave të implikuar në këtë rast me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, është marr aktvendim mbi ndalim ndaj disa personave.

    “Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës”, thuhet tutje.

    “Ajo që është më rëndësi të ceket se një person gjendet në arrati, ndërsa është konstatuar se gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale”, thekson Prokuroria.

  • Hoxha thotë se njerëzit po merren me pasojën por jo me thelbin e problemit në “Bon Vivant”

    Hoxha thotë se njerëzit po merren me pasojën por jo me thelbin e problemit në “Bon Vivant”

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se derisa njerëz të armatosur sillen lirshëm, ka të tjerë që merren me pasojën e jo me thelbin e problemit.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoxha e ka dënuar incidentin e të premtes i cili rezultoi me një të vrarë në lokalin”Bon Vivant” në Prishtinë, derisa ka shtuar se Prishtina u zgjua e zymtë dhe plot dhimbje.

    “Prishtina sot u zgjua e zymtë dhe plot dhimbje.

    Njerëz të armatosur që sillen lirshëm, jetë njerëzish të humbura, hapësirë publike e cenuar dhe ca vazhdojnë e merren me pasojën por jo edhe me thelbin e problemit”, ka shkruar Hoxha.

  • Arrestohet një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Arrestohet një i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut.

    I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut. I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës.

  • Miftaraj: Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokurorëve

    Miftaraj: Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokurorëve

    Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Mifataraj, lë përgjegjësinë tek drejtuesit e institucioneve të sigurisë për tragjedinë e mbrëmshme në kryeqytet.

    “Përgjegjësia pse ndodhin raste si mbrëmë në Bon Vivant është e ditur. Këto vrasje janë të parandalueshme, nëse policia dhe prokuroria nuk i mbyllin sytë ndaj tyre”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të angazhohet policia për kontrolle në secilën kafiteri.

    “Sot llogari duhet kërkuar shefave të policisë dhe kryeprokuroreve”.

    Ai thekson se ky rast nuk mund të mbulohet me komunikata me shkrim apo me dalje nëpër konferenca.

  • Sveçla për rastin në Bon Vivant: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

    Sveçla për rastin në Bon Vivant: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në lokalin “Bon Vivant”, ku pas të shtënave me armë zjarri u vra një person dhe u lënduan 20 të tjerë.

    Sveçla ka thënë se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale, për të cilët thotë se kanë qenë të lirë për arsye të dështimeve të drejtësisë.

    “Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

    Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla.

  • Takim urgjent, nisin diskutimet për krijimin e policisë së kryeqytetit pas ngjarjes së mbrëmshme

    Takim urgjent, nisin diskutimet për krijimin e policisë së kryeqytetit pas ngjarjes së mbrëmshme

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur sot takim urgjent me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe me drejtorin e Policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, pas të shtënave me armë mbrëmë në lokalin “Bon Vivant”, ku vdiq një person dhe u lënduan 20 të tjerë,.

    Rama ka thënë se me ta ka diksutuar për çështjen e sigurisë në dhe hapat të cilët duhet të ndërmarren për krijimin e policisë së kryeqytetit.

    “🚨Pas ngjarjes së mbrëmshme e cila na shqetësoi të gjithëve, bashkë me drejtorin për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica mbajtëm një takim urgjent me drejtorin e policisë për rajonin e Prishtinës, nënkolonel Basri Shabani, me të cilin diskutuam për çështjen e sigurisë në #kryeqytet dhe hapat të cilët duhet të ndërmarrim bashkërisht për krijimin e policisë së kryeqytetit e cila është urgjentisht e nevojshme dhe do të na ndihmonte në rritjen e nivelit të sigurisë në Prishtinë. Siguria në #kryeqytetin tonë është prioritet i yni.”, ka shkruar Rama.

  • Si nisi përleshja mes grupit të narkotrafikantit Kanadë-Nju Jork dhe grupit të Andit Pajazitit?

    Si nisi përleshja mes grupit të narkotrafikantit Kanadë-Nju Jork dhe grupit të Andit Pajazitit?

    Ftesa për t’u afruar në tavolinë dhe sulmi me një shishe birre e nisi konfliktin që çoi deri në vrasje në lokalin “Bon Vivant” të Prishtinës.

    Gazeta Insajderi mëson nga burime të mirëinformuara se Hysi Geci (pjesëtar i FSK’së) mbrëmë ishte nën shoqërinë e Dukagjin Nikollajt i njohur me nofken “Duka”. Së bashku me ta ishte edhe Kastriot Ramadani i cili më vonë do të vritej.

    Të njëjtit e kishin ftuar Andi Pajazitin i njohur me nofkën “Italiani” në tavolinën e tyre. Për shkak të një konlfikti të mëhershëm ata e sulmuan “Italianin” me një shishe të birrës. Pas kësaj grupet nxorën armët dhe gjuajtën në drejtim të njëri-tjetrit.

    Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur katër persona. 39 vjeçari Kastriot Ramadani nuk iu shpëtoi plagëve të marra dhe humbi jetën në QKUK.

    Të lënduar nga përleshja mbetën 17 persona. Tre djemë dhe 14 vajza.

    Hysi Geci, Gëzim Zakuti dhe Andi Pajaziti ndodhën në ndalim policor ndërkohë janë duke u trajtuar në QKUK.

    Ndërsa Dukagjin Nikollaj ka arritu të ikë nga policia dhe aktualisht ndodhet në arrati.

    Diler droge Kanadë-Nju Jork, i kërkuar nga FBI-ja| Kush është i arratisuri nga Bon Vivant’i?

    Nikollaj është një ndër personat më të kërkuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai dyshohet për trafik droge Kanada-Nju Jork.

    Emër i njohur për organet e drejtësisë është edhe ai i Andi Pajazitit. Ai ishte përfshirë edhe në disa konflikte të mëhershme nëpër kafenetë e Prishtinës për motive të ulëta.

  • Krimi në “Bon Vivant”: Avokati Koci propozon të merret një masë urgjente – të krijohet një njësi “speciale” e policisë

    Krimi në “Bon Vivant”: Avokati Koci propozon të merret një masë urgjente – të krijohet një njësi “speciale” e policisë

    Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci ka kërkuar masa urgjente nga Policia e Kosovës pas të shtënave me armë mbrëmë në qendër të kryeqytetit.

    Një person mbeti i vdekur e 16 të tjerë u lënduan si pasojë e të shtënave me armë brenda lokalit të famshëm në Prishtinë, “Bon Vivant”.

    Avokati Koci ka kërkuar masa urgjente nga Policia e Kosovës, si krijimi i një njësie intervenuse në lokalet e natës në Prishtinë.

    Sipas Kocit, Prishtinë nuk është një qytet i sigurt, andaj siguria duhet të rritet.

    “Një person paska vdekur mbrëmë si pasojë e një përleshjeje me armë zjarri, në qendër të Prishtinës. 4 të plagosur dhe 17 të lënduar! Çmenduri! Kjo statistikë, në gjendje lufte është shqetësuese, e lënë më në një vikend të zakonshëm. 2. Si është e mundur tash verës kur jemi të gjithë me maica, në qendër të kryeqytetit të sillën vërdallë, persona të armatosur?Çka po bën policia? Krimi ka ndodhur 200 metra prej stacionit policor. Po sigurimi i lokalit?3. Urgjentisht duhet të krijohen njësi policore intervenuese, që mision të vetëm e kontrollin e personave-së paku në qendrën e Prishtinës, dhe në afërsi të klubeve të natës. Besoni, po pritoj kur po vjen vikendi, ty ia bajtë gajlën vajzës se ku po del. Prishtina, definitivisht, nuk është qytet i sigurt. Sidomos vikendeve!”, thuhet në postimin e avokatit Koci.

    17 persona kanë mbetur të lënduar mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Njëri nga të plagosurit ka vdekur sot si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

    Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarit, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në arrati.