ATV

Blog

  • Lushtaku: Shfaqja në Dokufest e turpshme – pasqyrë e Qeverisë Kurti

    Lushtaku: Shfaqja në Dokufest e turpshme – pasqyrë e Qeverisë Kurti

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka thënë se ajo çfarë është shfaqur në DokuFest duke iu referuar zhveshjes, sipas tij është shfaqje e turpshme për publikun.

    Ai shton se nuk kishte art e as modernizëm.

    ”Është degjenerim“, ka shkruar Lushtaku në Facebook, të dielën.

    Sipas tij, kjo është pasqyra më e mirë e Qeverisë së Albin Kurtit.

    ”Për shkak të përmbajtjes së papërshtatshme, nuk po i shpërndaj fotografitë e Dokufestit të mbajtur në Prizren”, ka thënë ai.

  • Lista Serbe: S’paragjykojmë për shpërthimin në Ranillugë, por sulmet ndaj serbëve në jug lidhen me retorikën e regjimit në Prishtinë

    Lista Serbe: S’paragjykojmë për shpërthimin në Ranillugë, por sulmet ndaj serbëve në jug lidhen me retorikën e regjimit në Prishtinë

    Subjekti politik, Lista Serbe ka thënë se është sulmuar me një pajise shpërthyese prona e deputetit të kësaj partie, Zoran Maksimoviq.

    Për këtë rast, më parë ka raportuar edhe Polciia e Kosovës, duke njoftuar se nuk ka pasur të lënduar.

    Kjo parti politike ka deklaruar se nuk paragjykojnë shpërthimin në Ranillugë, por pretendojnë se të ashtuquajturat sulmet ndaj serbëve në Kosovë lidhen me retorikën siç propagandon ky subjekt politik “regjimit të Prishtinës”.

    ”Dënojmë ashpër sulmin me një pajisje shpërthyese ndaj pronës së deputetit të Listës Serbe Zoran Maksimoviq në Ranilug dhe kërkojmë që drejtësia përgjegjëse për këtë akt të tmerrshëm që ka mërzitur të gjithë serbët, sidomos në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Lista Serbe thotë se përgjegjësia është e institucioneve vendore si dhe atyre ndërkombëtare.

    ”Duhet urgjentisht të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat e këtij sulmi, sepse është e papranueshme që qytetarët të sulmohen pa asnjë arsye, e sidomos jo përfaqësuesit e popullit serb. Nuk duam të paragjykojmë rrjedhën e hetimit, por seria e sulmeve ndaj serbëve në Kosovë është pasojë e retorikës së regjimit në Prishtinë dhe pandëshkueshmërisë së javëve të mëparshme”, ka propaganduar ky subjekt politik i regjistruar në Republikën e Kosovës.

    ”Ndajmë qëndrimin e qytetarëve se pasiguria e serbëve është pasojë dhe pasivitet i institucioneve kompetente të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve përfshirë edhe serbët në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

  • Dosja e prokurorisë që tregon në detaje se si ndodhi vrasja në Bon Vivant

    Dosja e prokurorisë që tregon në detaje se si ndodhi vrasja në Bon Vivant

    Para se të viheshin në përdorim armët e zjarrit, të premtën mbrëma në “Bon Vivant” kishte pasur rrahje mes të dyshuarve që rezultoi me vrasjen e Kastriot Ramadanit dhe lëndimin e disa personave tjerë, përfshirë klientë të lokalit, ndër ta 14 vajza. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti. Gazeta Express e posedon dosjen e prokurorisë dhe në vijim sjell detaje nga tragjedia që tronditi vendin.

    I dyshuari Dukagjin Nikollaj, ndodhet në arrati. Njëherësh i kërkuar edhe nga FBI.

    Sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Dukagjin Nikollaj dhe një person akoma të paidentifikuar nga prokuroria teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hnyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

    Sipas prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadani dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”, përshkruan prokuroria, transmeton Gazeta Express.

    Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri Ramadani kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.

    “Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

    Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve, të premtën mbrëma.

    “Të dëmtuarve: G.H., A.Z., A.A., dhe N.N., të cilët kanë pësuar lëndime trupore nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit, e po ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe të pandehurit Andi Pajaziti, Hisni Gecaj si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani i cili nga plagët e marra ka vdekur në QKUK. Ndërsa nga xhamat e thyer dhe nga gotat e qelqit dhe gjatë ikjes janë lënduar edhe 14 vajza”, thekson prokuroria.

    “Të pandehurit kanë shkaktuar rrezik të madh të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe më pas të pandehurit kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes dhe t’i fshehin armët”, ka konstatuar prokuroria.

    Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Të pandehurit, Andi Pajaziti, Dukagjin Nikollaj dhe Hisni Gecaj, sipas prokurorisë kanë mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë.

    Prokuroria thekson se Andi Pajaziti dhe Dukagjin Nikollaj armët i kanë përdorë si mjet për kryerjen e veprës penale, ndërsa i pandehuri Hisni Gecaj ka mbajtur në posedim të paautorizuar një thikë duke vepruar në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët.

    Me këtë secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, në kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, pretendon prokuroria.

    Sipas prokurorisë, Dukagjin Nikollaj i cili ndodhet në arrati dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

    Gjithnjë, duke u mbështetur në pohimet e prokurorisë Hisni Gecaj është i dyshuar edhe për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” dhe Gëzim Zakuti për “pjesëmarrje në rrahje”.

    Prokuroria vlerëson se plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, “sepse nëse gjenden në liri do t’i qasen arratisë për t’iu shmangur përgjegjësisë penale”.

    Po ashtu prokuroria e thekson edhe faktin se të pandehurit janë recidivistë të veprave penale.

  • Robin Krasniqi sqaron se përse fitoi ndaj Nadjib Mohammedit

    Robin Krasniqi sqaron se përse fitoi ndaj Nadjib Mohammedit

    Robin Krasniqi është munduar t’iu sqarojë të gjithëve arsyet që çuan në triumfin e tij mbrëmë ndaj Nadjib Mohammedi.

    Boksieri nga Juniku triumfoi në raundin e nëntë ndaj algjerianit që përfaqëson Francën, pasi ky i fundit u diskualifikua për goditje të parregullta.

    Përmes një postimi në Facebook, Robini është munduar t’iu sqarojë të gjithëve se përse u mor vendimi dhe e gjithë situata e krijuar.

    Më poshtë mund ta lexoni reagimin e tij të plotë (pa ndërhyrje):

    Robin Krasniqi fiton në ndeshjen e 60-të peofesionale duke skualifikuar kundërshtarin në raundin e 9-të.

    SHI, BULLIMET dhe VETËTINA:

    Prishtina ishte duke shijuar mot të mrekullueshëm veror disa ditë dhe javë më parë, përveç natës së luftimit të datës 5. Në gusht, retë u rrokullisën mbi qytet dhe pak para fillimit të ngjarjes, shiu i dendur dhe bubullimat filluan pothuajse të anulonin natën e ndeshjes dhe mijëra tifozë nuk mundën të hynin në stadium për shkak të motit.

    Policia dhe forcat e sigurisë pastruan stadiumin me një orë vonesë pasi shumë njerëz po ktheheshin sërish në shtëpi, megjithatë organizatorët nuk u dorëzuan dhe e shfrytëzuan maksimalisht.

    Tifozët që tashmë kishin marshuar, shkuan në zonën e mbuluar dhe për shkak se aty nuk mund të futeshin të gjithë, forcat e sigurisë nuk lanë më tifozë të hynin.

    Luftimet u zhvilluan të gjitha, me gjithë vështirësitë e motit dhe në fund Robin Krasniqi u kurorëzua me fitore. Fitore në betejën e 60-të profesionale. Kundërshtari u skualifikua në raundin e 9-të sepse ishte penalizuar disa herë për goditje të paligjshme me zbritje pikësh, por nuk mësoi asgjë prej saj. Robin lëshoi goditjet e qarta si dhe disa goditje me ndikim në luftë dhe kështu ishte tashmë në krye të tabelës së rezultateve, megjithatë ishte shumë keq që kundërshtari boksoi aq i papastër.

  • Përfundon seanca për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit, flet avokati i “Italianit”

    Përfundon seanca për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit, flet avokati i “Italianit”

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka përmbyllur seancën për të dyshuarit në rastin e Bon Vivantit, ku si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri mbetën të lënduar 17 persona dhe një i vdekur.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar Fanol Krasniqin, avokatin e Andi Pajazitit, të njohur si “Italiani” i cili ka njoftuar se gjykata ende s’ka nxjerrë vendim për klientin e tij. Gjykata pritet të nxjerrë vendim përbrenda 48-orëve.

    “Nuk është marrë kurrfarë vendimi, përpara 20 minutave përfundoi. Gjykata e ka afatin ligjor përbrenda 48 orëve me marrë vendim. Ta shohim a do të merret vendimi sot apo nesër”, ka thënë ai.

  • Ukraina përfshihet në letrën drejtuar SHBA-së e BE-së: Kosova shtet sovran, duhet qasje më e ashpër ndaj Serbisë

    Ukraina përfshihet në letrën drejtuar SHBA-së e BE-së: Kosova shtet sovran, duhet qasje më e ashpër ndaj Serbisë

    Ukraina është përfshirë në një nivel përfaqësimi si bashkëautore e një letre përmes së cilës SHBA-së, BE-së e Mbretërisë së Bashkuar u është kërkuar qasje më e ashpër ndaj Vuçiqit dhe që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara. Në letër theksohet se “Kosova është vend sovran”, ndonëse Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e shtetit Ballkanit.

    Lufta e Rusisë dhe rreshtimi i Kosovës përkrah Ukrainës e bëri së paku të diskutueshme çështjen që Ukraina ta njohë pavarësinë e shtetit më të ri të Ballkanit.

    Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës dhe siç kishin paralajmëruar presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, një deputet ukrainas, Oleksiy Goncharenko pa se situata po e shpallte rrezikun real që kjo pjesë e Ballkanit të tërhiqet në vorbullën e luftës që po zhvillohet në vendin e tij. Më 5 gusht kishte vendosur ta dorëzonte në Parlamentin e Ukrainës një draft-rezolutë për njohjen e Kosovës.

    Befasisht, komiteti i jashtëm i Parlamentit të Ukrainës iu bashkua disa politikanëve të Gjermanisë, SHBA-së e Mbretërisë së Bashkuar në një letër drejtuar krerëve të shteteve të fuqishme Perëndimore dhe vetë Bashkimit Europian, duke kërkuar qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Tendencat e Serbisë për t’i penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë duhet që publikisht të kritikohet si interferim i huaj dhe duhet të ndërmerren masa konkrete për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse, nëse vazhdon t’i rrezikojë zgjedhjet e lira dhe demokratike”, thuhet në letrën drejtuar kryediplomatit europian, Josep Borrell, Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly.

    Sipas Tagesspiegel, letra është nënshkruar nga kryetarët e komiteteve të politikës së jashtme të Bundestagut, Michael Roth (SPD) dhe Senatit të SHBA, Bob Menendez, por edhe kryetarët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Britanike të Komunave dhe parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.

    “Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin në Ballkan”, thuhet në letër, ku bëhet thirrje për kthim në “ekuilibër dhe proporcionalitet” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

    “Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale. Ky fakt duhet të jetë baza e politikës sonë të përbashkët ndaj krizës aktuale”, thuhet ndër tjerash në këtë letër.

    Aty shprehet gjithashtu shqetësimi për afrimin e mundshëm të Beogradit me Moskën, duke theksuar se BE dhe SHBA po ndjekin një politikë të butë në lidhje me Serbinë.

    Qeveria e Vuçiqit nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Moskës. Presidenti rus Vladimir Putin gëzon simpati në mesin e popullatës serbe, ndërsa shumë serbë po refuzojnë anëtarësimin e plotë të vendit të tyre në BE, gjë që nuk është parashikuar deri më tani, shkruan Tagesspiegel.

    Në Ukrainë ka opinione të ndara për çështjen e njohjes së Kosovës, thotë deputeti ukrainas, Goncharenko në një intervistë për Gazetën Express vitin e kaluar. Ai beson se është koha që Ukraina të mos qëndrojë mënjanë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tha se Parlamenti i Ukrainës po punon edhe në kohë lufte dhe se ekziston mundësia e shqyrtimit të një vendimi të tillë. Qëndrimin e presidentit Volodymyr Zelensky kishte thënë se nuk e dinte, por ai vet, si deputet opozitar, është i vetëdijshëm se nevojitet një dialog në përpjekjen që shumica e deputetëve ta mbështesin nismën e tij.

  • AUV-i kryen mijëra inspektime për Ligjin e Duhanit, s’shpëtojnë as sallat e dasmave

    AUV-i kryen mijëra inspektime për Ligjin e Duhanit, s’shpëtojnë as sallat e dasmave

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shtuar inspektimin në restorante e salla të dasmave. Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

    Krahas inspektimit të kuzhinave nëpër sallat e dasmave, inspektorët e AUV-it po arrijnë ta mbikëqyrin edhe Ligjin e Duhanit, me ç’rast janë bërë mijëra inspektime e janë dhënë më shumë se 600 gjoba për lokalet e gastronomisë

    Thaçi thotë se në bazë të inspektimeve, ato i plotësojnë kriteret për gatimin në kuzhinat e tyre.

    “Në bazë të planeve nacionale për kontroll, sigurisht se pjesë e planit të kontrolleve janë edhe restorantet dhe sallat e dasmave dhe sigurisht rritet frekuenca e kontrolleve tek këto. Shumica prej tyre kanë kapacitete mirë të organizuara dhe kanë pajisje në aspektin teknik sanitar dhe higjenik që i plotësojnë kriteret për gatimin në kuzhinat e tyre në bazë të vlerësimeve të inspektorateve, aty ku ka pas nevojë për të dhënë vërejtje janë dhënë nga inspektoratet dhe aty ku është kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i tyre janë dhënë afatet kohore ligjore dhe mbahen të mbikëqyrura, në të njëjtën kohë ne përveç kontrolleve, kohë pas kohe merren edhe mostra për testime laboratorike për të vërtetuar sigurinë e produkteve që shërbehen në të gjitha lokalet e gastronomisë”, thotë Thaçi, teksa mohon të ketë pasur raste që nuk përgjigjet kushteve për konsum.

    “Deri më tani nuk kemi pas ndonjë rezultat që ka dalë që nuk i përgjigjet kushteve për konsum, të gjitha kanë rezultuar brenda parametrave të lejuara por kurdo në çdo moment që do të kemi ndonjë rezultate, atëherë gjithmonë pason shkalla tjetër e vendimit që përcakton të kemi ndalim të përkohshëm të veprimtarisë por edhe kontrolle shtesë për të mbikëqyrë prodhimet e kuzhinës si produkte ushqimore të gatshme për konsum finale dhe pastaj është ekipi inspektues ai që vendos se në cilat hapa do të shkojë për t’i evituar problemet që mund të paraqiten”, thotë tutje ai.

    Në kuadër të inspektimit të sallave të dasmave dhe restoranteve, inspektorët e AUV-it po e mbikëqyrin edhe Ligjin e Duhanit në hapësirat e mbyllura. E për këtë janë shqiptuar edhe gjoba.

    “Prej kohës kur ka dhënë urdhër ministri (Faton Peci) që të kemi një frekuencë të shtuar për kontroll të Ligjit të Duhanit, është rritë frekuenca dhe brenda një periudhe kohore janë mijëra kontrolle zyrtare dhe monitorime që janë kryer për zbatim të këtij ligji. Prej tyre kanë pasuar më shumë se 600 gjoba për lokalet e gastronomisë, kontrollet po vazhdojnë dhe në të gjitha rastet inspektori gjatë kontrolleve të rregullta zyrtare e ka parasysh që duhet të kontrollojë edhe mbikëqyrjen apo zbatueshmërinë e ligjit të duhanit në hapësira të mbyllura”, u shpreh ai.

  • Japonia shënon 78-vjetorin e bombardimit atomik të Hiroshima-s

    Japonia shënon 78-vjetorin e bombardimit atomik të Hiroshima-s

    Japonia sot shënon 78-vjetorin e bombardimit atomik të qytetit Hiroshima që ndodhi disa ditë përpara përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Rreth 140 mijë njerëz vdiqën në Hiroshima më 6 gusht të vitit 1945 dhe 74 mijë në qytetin tjetër Nagasaki tre ditë më vonë, kur SHBA-ja hodhi bomba atomike në dy qytetet japoneze, transmeton Telegrafi.

    SHBA kishte hedhur bombën atomike në Hiroshima me ekuivalentin e 13 mijë tonëve të TNT. Shpërthimi pati shkatërruar 70 për qind të qytetit.

    Të dielën, kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida në përvjetorin e Hiroshima-s ka kritikuar Rusinë për shkak të kërcënimeve që vendi ka bërë për përdorimin e armëve bërthamore.

    “Japonia, si i vetmi komb që ka pësuar bombardime atomike në luftë, do të vazhdojë përpjekjet drejt një bote pa shpërthime bërthamore. Rruga drejt saj po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të thellimit të ndarjeve në komunitetin ndërkombëtar mbi çarmatimin bërthamor dhe kërcënimin bërthamor të Rusisë”, deklaroi Kishida.

    “Duke pasur parasysh këtë situatë, është edhe më e rëndësishme të rikthehet momentumi ndërkombëtar drejt realizimit të një bote pa armë bërthamore. Shkatërrimi në Hiroshima dhe Nagasaki nga armët bërthamore nuk mund të përsëritet kurrë”, shtoi ai.

    Ndryshe, javë më parë doli në kinema filmi “Oppenheimer” që pasqyron zhvillimin dhe krijimin e bombës së parë atomike në botë në krye të J.Robert Oppenheimer gjatë Luftës së Dytë Botërore.

  • Faqja e njohur e boksit pas meçit të Krasniqit: Herën tjetër, thjesht mos ftoni boksierë të huaj nëse nuk i trajtoni me drejtësi

    Faqja e njohur e boksit pas meçit të Krasniqit: Herën tjetër, thjesht mos ftoni boksierë të huaj nëse nuk i trajtoni me drejtësi

    Boksieri shqiptar, Haxhi Robin Krasniqi fitoi dje ndaj Nadjib Mohammedit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Krasniqi mori fitoren, pasi gjyqtari e ndërpreu meçin në raundin e parafundit, si pasojë e shumë shkeljeve të rregullave nga kundërshtari algjerian.

    Deri në momentin e përfundimit, Nadjib Mohammedi ishte mjaft mirë, por në fund fitorja i takoi boksierit shqiptar.

    Ky meç ka sjellë shumë reagime në vendin tonë dhe jo vetëm.

    Faqja e njohur e boksit në ‘Twitter’, Permante ka kritikuar vendimin e gjyqtarit dhe meçet në përgjithësi.

    “Nadjib Mohammedi (45-10) kontrollon kryesisht meçin e peshave të lehta kundër Robin Krasniqit (53-7 në Prishtinë, Kosovë. Herën tjetër, thjesht mos ftoni luftëtarë të huaj nëse nuk keni ndërmend t’i trajtoni me drejtësi”, shkruhet në këtë faqe të boksit.

  • Në gusht pritet të nisin fluturimet në korridorin ajror Kosovë-Shqipëri

    Në gusht pritet të nisin fluturimet në korridorin ajror Kosovë-Shqipëri

    Marrëveshja për korridorin ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk është duke u zbatuar në tërësi. Ujdia ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte firmosur në vitin 2020.

    Por, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu thotë për KosovaPress se zbatimi i marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.

    Në anën tjetër nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

    Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë kanë thënë për KosovaPress se me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti.

    Ministri Aliu ka dhënë më shumë detaje rreth korridorit ajror Kosovë-Shqipëri.

    “Sa i përket korridoreve me Republikën e Shqipërisë, korridoret janë të përcaktuara, tash kanë dalë edhe në ueb faqe. Ende nuk janë, nuk i di këto shprehjet teknike që i kanë ekspertët ajror, por duhet që ato të konfirmohen si të tilla, në mënyrë që të bëhen të planifikueshme në fluturimet ndërkombëtare…Në shumicën e fluturimeve ndërkombëtare që bëhen nga Aeroporti i Prishtinës për në aeroporte të tjera e që është rruga më shkurtër nga ato pikat që janë më Republikën e Shqipërisë realizohen. Në kthim një pjesë e tyre realizohen, një pjesë e tyre nuk realizohen për shkak se shpesh janë të paplanifikuara”, ka thënë Aliu.

    Ministri Aliu ka deklaruar se ka gatishmëri dhe vullnet edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe me autoritetet e Albcontrollit që të gjitha fluturimet të nisin të realizohen nga muaj gusht 2023.

    “Mendoj se në muajin gusht është koha kur ato do të duhej të dilnin në (ueb faqe), ka ekzistuar një afat prej momentit kur është publikuar në ueb faqe dhe është afati kohor kur duhet të zbatohet dhe mendoj që do ta kemi shpejt. Përndryshe vullneti ekziston, edhe me ministren e Transportit në Republikën e Shqipërisë, Belinda Balluku, edhe me autoritetet e Albcontrollit. Pra, gatishmërinë e kanë”, ka thënë Aliu.

    Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress kanë theksuar se “Letër marrëveshja për korridorin ajror në mes Shqipërisë dhe Kosovës është nënshkruar në vitin 2020 dhe nga viti 2021 ka filluar të zbatohet. Këto korridore kanë filluar të shfrytëzohen nga fundi i vitit 2021 në baza taktike. Me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti”.

    Para katër muajsh, Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin ajror që mundëson lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.