ATV

Blog

  • Papunësia në Kosovë bie në 10.8 për qind, më e ulëta që nga paslufta

    Papunësia në Kosovë bie në 10.8 për qind, më e ulëta që nga paslufta

    Papunësia në Kosovë ka rënë në 10.8 për qind, që është më e ulëta gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Të dhënat dalin nga Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin e 3-të të vitit 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019, që është viti i fundit para fillimit të pandemisë COVID-19 dhe ndryshimeve të mëdha politike në vend, shkalla e papunësisë ishte 24.5%. Pra, për 3 vite, shkalla e papunësisë në Kosovë ka rënë nga 24.5% në 10.8% – që i bie një zvogëlim i shkallës së papunësisë për rreth 56%.

    Sipas ekonomistit Edison Jakurti, papunësinë në Kosovë nuk po e zvogëlon punësimi sa po e zvogëlon emigrimi.

    “Si ka ndodhur kjo? Fillimisht, e gjithë analiza mund të bëhet duke supozuar që nuk ka ndodhur ndonjë “inxhiniering” i të dhënave, por ato janë të vërteta. Përderisa në 3 vitet e fundit, gjithnjë sipas ASK-së, numri i të papunësuarve është zvogëluar për mbi 73 mijë, numri i të punësuarve është rritur për rreth 35 mijë. Pra, me parimin ceteris paribus, më pak së gjysma e të papunësuarve mund të jenë punësuar. Çka ka ndodhur me më shumë se gjysmën tjetër? Ose janë bërë joaktiv – pra kanë hequr dorë së kërkuari punë në Kosovë, ose tashmë janë larguar nga Kosova. Kjo shihet qartë te numri i popullsisë joaktive që është rritur për mbi 32 mijë, dhe nga numri i përgjithshëm i popullsisë në moshë pune, i cili për 3 vite është zvogëluar për rreth 6 mijë”, ka thënë Jakurti, në një analizë të tij të raportit të ASK-së.

    Një pasqyrë e ngjashme mund të shihet edhe nga krahasimi nga viti në vit. Vetëm mes vitit 2022 dhe 2021, gjithnjë sipas ASK-së, numri i të papunësuarve ka rënë për mbi 38 mijë, por numri i të punësuarve është rritur për më pak se 3 mijë, ndërkohë që numri i personave joaktiv ka rënë për mbi 2 mijë.

    “Si shpjegohet kjo rënie e madhe e numrit të të punësuarve por rritje e vogël e të punësuarve? Përgjigjja është sërish tek ndryshimi që ka ndodhur tek popullsia në moshë pune. Sipas ASK-së, vetëm mes 2022 dhe 2021, popullsia në moshë pune është zvogëluar për rreth 38 mijë persona. Çfarë ka ndodhur me ta? Disa mund të jenë pensionuar e disa mund të jenë angazhuar në detyra që nuk llogariten si pjesë e tregut të punës, por jo të gjithë, sepse ndërkohë ka pasur 18-vjeçarë që mund t’i kishin zëvendësuar ata e ato. Përgjigjja më racionale është, sërish, emigrimi”, e ka vazhduar analizën e tij Jakurti.

    Sipas Jakurtit, përderisa zvogëlimi i numrit të të papunësuarve është lajm shumë i mirë, rritja e vogël e numrit të të punësuarve dhe sidomos tkurrja drastike e popullsisë në moshë pune në përgjithësi dhe e fuqisë punëtore në veçanti janë zhvillime tejet shqetësuese që kërkojnë adresim urgjent.

  • Mbrojtja e Thaçit kërkon nga trupi gjykues të tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh

    Mbrojtja e Thaçit kërkon nga trupi gjykues të tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

    Kjo pasi që sipas tij, janë botuar disa artikuj rus e që janë pasqyruar në mediet evropiane se të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë marrë me trafikim të organeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Kehoe, kjo është false dhe se përderisa hetimi për trafikim ka përfunduar, dikush duhet të thotë që aktakuza nuk ka diçka që lidhet me trafikim të organeve.

    Ai tha se nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, duke pretenduar se të akuzuarit janë përfshirë në këtë aktakuzë në trafikim të organeve, ndërsa theksoi se kjo nuk është e vërtetë.

    Ndërkaq, çështja e dytë e diskutuar nga ai ishte lidhur me ndikimin në dëshmitarët, duke sqaruar se në disa artikuj është shënuar se Qeveria e Kosovës ka kontaktuar një person shqiptar në Gjermani, sipas të cilit është kërkuar t’i gjejë katër dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër Hashim Thaçit.

    Sipas Keheo, është e kuptueshme që Zyra e Prokurorit të Specializuar të përdorë ndërmjetës, por kjo sipas tij është ndërhyrje në procesin e drejtësisë.

    Këto çështje, i njëjti do i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.

    Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, dëshmia e të cilit pritet të zgjas 4 deri në 5 ditë.

    Pyetjet nga ana e ZPS-së është duke i bërë prokurori Matt Halling, i cili për qëllime identiteti ka kërkuar që seanca të kalohet në sesion privat.

  • Motër e vëlla u lënduan në aksidentin e mbrëmshëm – Kolgeci: Janë në gjendje të mirë

    Motër e vëlla u lënduan në aksidentin e mbrëmshëm – Kolgeci: Janë në gjendje të mirë

    Dy persona, motër e vëlla, të lënduar në aksidentit e mbrëmshëm në rrethrrotullim në lagjen “Lakërishtë”, janë në gjendje të mirë shëndetësore, ka konfirmuar për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

    Kolgeci ka sqaruar se pas trajtimit të Emergjencë të njëjti janë transferuar në këtë Klinkë ku u janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

    Sipas tij, gjendja e tyre në këto momente është e mirë dhe se lëndimet nuk janë të rënda.

    “Në orët e hershme të mëngjesit kemi pranuar dy pacientë, është Albin dhe Yllka Rexha. Lëndimet janë të toraksit me kontuzion torakal dhe hemoteraks minimal. Gjendja momentalisht është e mirë”, tha Kolgeci.

    Përderisa Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre persona janë lënduar në këtë aksident dhe janë dërguar në QKUK për trajtim.

    Policia thotë më tej se ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.

    “Sot rreth orës 03:00, në rrethrrotullimin në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

  • ​Joshua-Wilder, ja kur do të zhvillohet dueli historik

    ​Joshua-Wilder, ja kur do të zhvillohet dueli historik

    Marrëveshja për zhvillimin e super duelit Anthony vs Deontay Wilder në peshën e rëndë duhet të përfundojë në ditët në vijim.

    Një përplasje mes dyshes është diskutuar prej disa vitesh, që daton që nga koha kur të dy ishin kampionët ishin në kërkim të statusit të padiskutueshëm, megjithëse tani duket se do të bëhet më në fund realitet pasi negociatat përparuan në javët dhe muajt e fundit.

    Përballja e madhe do të zhvillohet në Arabinë Saudite në janar të vitit të ardhshëm, ka bërë të ditur promotori Eddie Hearn .

    Data e saktë pritet të bëhet e ditur në ditët e ardhshme.

  • Pas krizës në UBS, stabilizohet sistemi bankar në Zvicër

    Pas krizës në UBS, stabilizohet sistemi bankar në Zvicër

    Zyrtarët e lartë të UBS thanë sot se kanë përfunduar një marrëveshje për mbrojtjen e humbjeve prej 9 miliardë frangash zvicerane (10.27 miliardë dollarë) dhe një obligim për mbrojtjen e likuiditetit publik prej 100 miliardë frangash zvicerane, të vendosur nga qeveria zvicerane kur mori përsipër rivalin Credit Suisse në mars, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch.

    Në mars të vitit 2023, Credit Suisse ishte në një krizë akute besimi. Prandaj, Këshilli Federal, SNB dhe FINMA duhej të ndërhynin në një njoftim shumë të shkurtër në mes të marsit për të mbrojtur ekonominë zvicerane dhe për të shmangur dëmtimin e vendit. Më 19 mars 2023, Këshilli Federal miratoi një paketë masash që i mundësonin UBS të merrte përsipër Credit Suisse.

    Me kombinimin e kësaj marrjeje dhe masave shoqëruese të qeverisë, sistemi financiar arriti të stabilizohej në mënyrë të qëndrueshme. Paketa e masave në lidhje me marrjen e Credit Suisse nga UBS përfshinte, ndër të tjera, një garanci për përthithjen e humbjeve nga Konfederata për UBS në shumën prej 9 miliardë CHF dhe një garanci për SNB për të siguruar kredi për asistencë likuiditeti për Credit Suisse, në shumën 100 miliardë CHF.

    Më 11 gusht 2023, UBS njoftoi se po anulonte garancinë e humbjes së qeverisë federale pa zëvendësim. Në të njëjtën kohë, ajo përfundoi gjithashtu marrëveshjen midis Credit Suisse dhe SNB-së për kreditë e asistencës së likuiditetit të qeverisë federale me garanci të mospagimit pa zëvendësim pasi këto kredi ishin shlyer plotësisht.

    Përfundimi i garancisë së humbjes dhe kreditë federale të asistencës së likuiditetit me një garanci të paracaktuar janë përfundimtare.

    Qeveria federale nuk duhej të merrte asnjë humbje nga këto garanci. Me përfundimin e këtyre garancive, rreziqet shoqëruese zhduken edhe për qeverinë federale dhe taksapaguesit.

  • ​Zjarret në Maui, numri i viktimave shkon në 93

    ​Zjarret në Maui, numri i viktimave shkon në 93

    Ekuipazhet në Mauin perëndimor po vazhdojnë punën tronditëse të shoshitjes së hirit të atyre që dikur ishin shtëpi dhe monumente të cilat tani janë të zhdukura nga zjarri më vdekjeprurës në SHBA në më shumë se 100 vjet – dhe numri i të vdekurve është rritur.

    Deri më tani, të paktën 93 viktima janë konfirmuar nga zjarret dhe ka ende njerëz të pagjetur.

    Shkatërrimi është ajo që ka mbetur pasi zjarret e shumta, të njëkohshme të egra filluan të përhapen në mënyrë të çrregullt të martën, duke përfshirë papritur shtëpitë dhe duke detyruar zhvendosjen e mijëra personave.

    “Kjo është fatkeqësia më e madhe natyrore që kemi përjetuar ndonjëherë,” tha guvernatori i Hawaii-t Josh Green në një konferencë shtypi të shtunën mbrëma. “Do të jetë gjithashtu një fatkeqësi natyrore që do të marrë kohë të pabesueshme për t’u rikuperuar.”

    Ndërsa Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave më herët të shtunën tha se nuk është ende koha të caktohet një shumë e përafërt në dollarë për dëmin e bërë në Maui, mirëpo guvernatori vlerësoi se “humbjet i afrohen 6 miliardë dollarëve”.

    Edhe pse autoritetet vlerësojnë humbjet dhe po punohet për identifikimin e të humburve, lufta me zjarr nuk ka të ndalur.

    Ndërsa zjarrfikësit kanë bërë përparim kundër tre zjarreve më të mëdha, zjarri vdekjeprurës në Lahaina nuk është ende plotësisht nën kontroll, tha shefi i zjarrfikësve të qarkut Maui, Brad Ventura.

  • Shakira “kapet mat” me reperin e njohur

    Shakira “kapet mat” me reperin e njohur

    Shakira dhe Drake ndezën thashethemet për romancë pasi u larguan në mënyrë të fshehtë nga një festë në West Hollywood, Kaliforni.

    Një dëshmitar zbuloi se ylli 46-vjeçar dhe reperi kanadez, 36 vjeç, u panë të dy duke u larguar në orën 3:25 të mëngjesit.

    Dalja e tyre së bashku vjen vetëm disa ditë pasi një burim zbuloi se ajo dhe piloti britanik i Formula 1, Lewis Hamilton, janë ‘më shumë se miq’ pas një udhëtimi ‘të fshehtë’ në Ibiza.

    Burimet në një gazetë katalanase pohuan se dyshja po ecnin përpara me marrëdhënien e tyre.

    Gjatë muajve të fundit, ajo dhe Hamilton, 38 vjeç, u panë në një jaht me miqtë muajin e kaluar, si dhe takime në Çmimin e Madh të Britanisë dhe në një klub nate së bashku.

  • ​Arrihet marrëveshja, Neymar lojtari i Al Hilalit

    ​Arrihet marrëveshja, Neymar lojtari i Al Hilalit

    Neymar nuk do të veshë fanellën e Paris Saint-Germain gjatë këtij sezoni 2023-2024. Sulmuesi brazilian do t’i bashkohet skuadrës arabe Al-Hilal pasi që pronari i klubit francez Nasser Al-Khelaifi ka arritur marrëveshje të hënën me klubin saudit.

    Që nga e diela, e ardhmja pariziane e Neymar ishte errësuar, numri 10 i Seleçaos kishte kuptuar se rikthimi i Kylian Mbappés ishte i lidhur me të ardhmen e tij.

    Media të ndryshme, përfshirë L’Equipe, bëjnë të ditur se nata e kaluar ishte e frytshme në këtë rast, deri në atë pikë sa çoi në një marrëveshje përfundimtare mes Paris Saint-Germain dhe Al-Hilal.

    Me fjalë të tjera, në orët e ardhshme, ose më së voni të martën, Neymar duhet të arrijë në Arabinë Saudite ku kampionati sapo ka nisur.

    Për shërbimet e tij, Al Hilal mësohet se do të paguaj 100 milionë euro.

    Në Al-Hilal, 31-vjeçari do t’i bashkohet një skuadre të drejtuar nga Jorge Jesus dhe atje do të gjejtë lojtarë si Ruben Neves, Sergej Milinkovic-Savic apo edhe Malcom dhe Kalidou Koulibaly.

  • ​Grupi Wagner ka probleme financiare

    ​Grupi Wagner ka probleme financiare

    Grupi Wagner dyshohet nuk po merr më financime nga shteti rus. Kështu supozon shërbimi sekret britanik. Për mercenarët kjo do të thotë: kursime në shpenzimet e personelit.

    Deutsche Welle raporton se, si pasojë e mungesës së parave Wagner do të duhet të zvogëlojë numrin e mercenarëve.

    “Nëse shteti rus ndalon së paguari grupin Wagner, burimi i dytë më i besueshëm i pagave janë autoritetet bjelloruse”, tha Ministria e Mbrojtjes në Londër. Por kjo do të rëndonte burimet e Bjellorusisë. Mercenarët e grupit Wagner aktualisht po trajnojnë atje ushtarë bjellorusë.

    Mercenarët e grupit Wagner ishin për një kohë të gjatë shtyllë e ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.

    Por shefi i mercenarëve Wagner, Jevgeni Prigoshin i ka kritikuar masivisht dhe publikisht udhëheqjen ushtarake ruse dhe ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu duke i akuzuar ata për paaftësi. Në fund të qershorit Prigozhini urdhëroi fillimin e një rebelimi kundër udhëheqësve ushtarakë rusë dhe një marshim drejt Moskës. Pas dy ditësh rebelimi u ndërpre.

    Sipas presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, ai ndërmjetësoi midis Prigozhinit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Pas kësaj Prigozhini shkoi përkohësisht në mërgim në Bjellorusi. Është e paqartë se ku po qëndron ai aktualisht.

    Me kërkesë të qeverisë në Minsk njësitë e mercenarëve të tij, Wagner, po trajnojnë ushtarë bjellorusë në një kamp ushtarak afër kufirit me Poloninë.

    Sipas Prigoshinit grupi Wagner u themelua në vitin 2014. Biznesmeni i pasur, i cili dekadën e fundit të ekzistencës së Bashkimit Sovjetik e kaloi në burg për grabitje dhe mashtrim, ka kontrata ushtarake dhe minerare në Afrikë. Mercenarët e tij janë ndër të tjera aktivë në Mali, Siri dhe Libi.

  • ‘Plisat’ vazhdojnë protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës edhe në ndeshjen e fundit

    ‘Plisat’ vazhdojnë protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës edhe në ndeshjen e fundit

    FC Prishtina të shtunën arriti fitoren e parë të sezonit të ri në Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll, me rezultat 3-1 ndaj skuadrës së FC Feronikelit 74.

    Megjithatë fitorja e kryeqytetasve kaloi në plan të dytë për një moment, kur tifo grupi ‘’Plisat’’ edhe këtë sezon duket se nuk do ta ndalin protestën ndaj kryesisë së FC Prishtinës dhe kryetarit të saj Remzi Ejupi.

    Në ndeshjen e zhvilluar në Hajvali, ‘’Plisat’’ u futën në stadium në minutën e pestë, ani pse pa ndonjë lajmërim paraprak për paraqitjen e tyre, madje duke filluar menjëherë me këngë të krijuara kundër bordit të klubit, teksa nuk munguan as thirrjet në mbështetje të futbollistëve bardhë e kaltër.

    Pas përfundimit të pjesës së parë dhe fillimit të fraksionit të dytë Plisat kësaj herë ndërprenë për disa momente ndeshjen, duke hedhur mjete piroteknike në fushë, dhe më pas lëshuan ndeshjen në mënyrë të qetë.

    Kujtojmë se përçarja e tifozëve të klubit dhe kryesisë së Prishtinës, nisi pasi klubi më i trofeshëm në vend nuk u licencua nga UEFA, për gara evropiane për shkak të vonesave në pagesa ndaj ish-futbollistëve të saj.

    Derisa protesta e së shtunës nga, ‘’Plisat’’ është vazhdimësi e ndeshjes finale të kupës ndaj Gjilanit, edhe pse në fund Prishtina triumfoi, këngët kundër bordit nuk janë ndalur. /atvlive.tv