ATV

Blog

  • ​Arrestohet 43-vjeçari në Mitrovicë, dyshohet për vrasje

    ​Arrestohet 43-vjeçari në Mitrovicë, dyshohet për vrasje

    Pasditen e së shtunës në rrugën e UÇK-së në Mitrovicë është gjetur një person pa shenja jete. Policia e identifikoi si S.M., 65-vjeç.

    Fillimisht rasti është kualifikuar si “vdekje e dyshimtë”, ndërsa prokuroi i rastit kishte urdhëruar që trupit të viktimës t’i bëhet autopsia në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

    Si rrjedhojë e hetimeve intensive nga ana e hetuesve të sektorit rajonal, dje (e diele), mbi dyshime të bazuara për përfshirje në rast është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar Xh. N., 43 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës.

    Lidhur me rastin në cilësi të provës materiale është konfiskuar vetura e viktimës e cila është gjetur në posedim te i dyshuari.

    Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndërsa, rasti nga “vdekje e dyshimtë” është rikualifikuar në veprën penale “vrasje e rëndë”

  • “Shi meteorësh” – Publikohen pamje fantastike nga Shqipëria e Kumanova e Maqedonisë

    “Shi meteorësh” – Publikohen pamje fantastike nga Shqipëria e Kumanova e Maqedonisë

    Shiu vjetor “Perseid” ndriçoi mbrëmë qiejt anembanë botës me meteor, disa të mëdhenj sa një bizele, që godasin atmosferën e Tokës me shpejtësi 134,000 mph (215,000 km/h).

    Ky fenomen ndodh në një kohë të ngjashme në korrik dhe gusht të çdo viti, dhe këtë herë ka arritur kulmin e tij në natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës.

    Për pasojë, një spektakël i jashtëzakonshëm iu është dhuruar qytetarëve në shumë vende të botës, mes tyre edhe në Shqipëri. BBC ka publikuar foto të shkrepura në disa shtete, mes tyre edhe nga Parku Kombëtar i Shebenikut, në vendin tonë.

    Shiu i meteorëve konsiderohet si një nga ngjarjet më të mira dhe më tërheqëse astronomike.

  • Aksidenti i rëndë te rrethrrotullimi në Prishtinë, tre persona të lënduar

    Aksidenti i rëndë te rrethrrotullimi në Prishtinë, tre persona të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në hyrje të Prishtinës rreth orës 03:00 të mëngjesit të së hënës, raporton Ekonomia Online. Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre persona janë lënduar në këtë aksident dhe janë dërguar në QKUK për trajtim.

    Policia thotë më tej se ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.

    “Sot rreth orës 03:00, në rrethrrotullimin në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

  • Parashikimi i motit për Kosovë dhe rajon

    Parashikimi i motit për Kosovë dhe rajon

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët dhe me rreze diell, por gjatë pasdites pritet të ketë edhe vranësira.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Gjakova me 14 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 29 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike, por pritet të ketë ulje të temperaturave.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Pejës me 15 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 29 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 34 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Aksident i rëndë në Prishtinë, një veturë bie nga rrethrrotullimi

    Aksident i rëndë në Prishtinë, një veturë bie nga rrethrrotullimi

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në hyrje të Prishtinës rreth orës 3:00 të mëngjesit të së hënës.

    Një veturë me targa të Gjermanisë ka rënë nga rrethrrotullimi poshtë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë shumë ekipe të policisë, ndihmës së parë dhe të zjarrfikësve.

    Sipas një dëshmitari i cili ka thënë se është familjar i të aksidentuarve, në veturë ishte nipi i tij me nuse.

     

  • Foshnja 22-ditëshe dhe familja e saj humbin jetën nga bombardimet ruse

    Foshnja 22-ditëshe dhe familja e saj humbin jetën nga bombardimet ruse

    Një foshnjë vetëm 22-ditëshe, vëllai i saj 12-vjeçar dhe prindërit e tyre ishin në mesin e shtatë personave të vrarë nga predhat ruse në Ukrainën jugore të dielën.

    Bomba goditën shtëpinë e tyre në fshatin Shyroka Balka në Kherson, tha ministri i Brendshëm ukrainas Igor Klymenko.

    Në mesin e të vdekurve ishte gjithashtu një banor tjetër i fshatit dhe dy burra në fshatin fqinj Stanislav.

    “Terroristët duhet të ndalohen. Ata duhet të ndalohen me forcë. Ata nuk kuptojnë asgjë tjetër” tha Klymenko. “”

    Ministri ndau fotografi të pasojave të sulmit në Shyroka Balka, ku shiheshin trupat e atyre qe humbën jetën.

    “Trembëdhjetë të tjerë u plagosën nga granatimet”, shtoi ai.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit dënoi sulmin “brutal” në Shyroka Balka.

    “Pesë persona u vranë” tha ai. “Midis tyre ishte një vajzë, vetëm 22 ditëshe. Vëllai i saj, vetëm 12 vjeç. Nëna Olesia… vetëm 39 vjeç, vdiq gjithashtu”, tha presidenti.

    Ai shtoi se kishte pasur 17 raportime për granatimet ruse vetëm në Kherson, dhe shumë të tjera më gjerë.

    “Ne nuk do të lëmë asnjë nga krimet e Rusisë pa përgjigje”, shtoi Zelensky.

  • Rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Rifillojnë seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin përsëri sot (e hënë) para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Seancat rikthehen pas një pushimi tre javorë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

    Ky do të jetë dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë me radhë ndërsa ende nuk dihet nëse do të dëshmojë nën masa mbrojtëse të sigurisë apo me identitet të fshehur.

    Deri tani, në këtë proces gjyqësor të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në seanca private, përveç dëshmia e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dhe dëshmia e një oficeri britanik.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./

  • Nis sot Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Nis sot Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

    Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të nisë punimet sot (e hënë). Në edicionin e 41-të të tij, seminari do të ketë temë bosht “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”.

    Drejtori i seminarit, Bardh Rugova tregon për KosovaPress se edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës.

    “Kemi një numër të madh të pjesëmarrësve dhe të të interesuarve për të marrë pjesë sivjet në seminar. Ata i ndajmë në dy grupe kryesore. Në grupin që do të vijnë në seminar për të ndjekur kurset e gjuhës, janë një numër prej 100-120 studentë dhe studiues, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore. Ky mund të themi që është fokusi ynë kryesor, për shkak që themi se numri më i madh i albanologëve të mëdhenj sot në botë janë që kanë kaluar nëpër këtë seminar… Pjesa e dytë e pjesëmarrësve të seminarit, që do të jenë rreth 130 të tjerë, janë studiues të cilët do të paraqiten me ligjërata, referime dhe kumtesa të ndryshme studimore. Kështu që janë dy grupe të ndryshme që kur i bëjmë bashkë janë 200-250”, thotë ai.

    Sivjet në Seminarin 41 të Prishtinës, përveç aktiviteteve tjera, do të mbahen nëntë ligjërata shkencore:

    – Muhamedin Kullashi: Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë, e martë, 15 gusht 2023, ora 11:00

    – Ranko Matasović: Imagining the Illyrian, E MARTË, 15 GUSHT 2023, ora 18:00

    – David Hosaflook: Shqipja në rrezik dhe rreziku i shqipes: vështrime rreth kontekstit të veprimtarisë letrare të protestantëve në viset shqiptare (Ligjërata mbahet në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë), e mërkurë, 16 gusht 2023, ora 11:30

    – Hivzi Islami (me bashkëpunëtorë): Vendbanimet e Kosovës, e enjte, 17 gusht 2023, ora 11:00

    – Oliver Jens Schmitt: Kosova dhe Shqipëria: dy rrugë të historisë shqiptare 1912 – 2023, e premte, 18 gusht 2023, ora 11:00

    – Konrad Cleëing: The basis of state building in Kosovo: from nationality to multiethnicity and back, e premte, 18 gusht 2023, ora 18:00

    – Edlira Macaj: Në poetikën mjedjane (Ligjërata mbahet në ambientet e Fakultetit të Filologjisë në Shkup), e shtunë, 19 gusht 2023, ora 11:00

    – Stefano Canalis: Some remarks on ëord stress in Albanian, e martë, 22 gusht 2023, ora 11:00

    – Michiel de Vaan: Historical phonetics and the dialect split betëeen Geg and Tosk/ e mërkurë, 23 gusht 2023, ora 11:00

    Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studente/ë e studiues/e që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

  • Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Murati: Të moshuarit mbi 80 vjeç që s’mund të lajmërohen në zyret e pensioneve, po vizitohen nga ekipet mobile

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se po vizitohen pensionistët mbi 80 vjeç që s’mund të paraqiten në zyret e shtetit për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të vazhdojnë ta marrin pensionin.

    Murati shkroi në Facebook se ky program prej korrikut është shtrirë në të gjithë vendin.

    “Po vazhdojnë vizitat në shtëpi për pensionistët që janë mbi 80 vjeç apo që për shkaqe shëndetësore nuk mund të paraqiten fizikisht në zyret e pensioneve”, shkroi ministri.

    “Pas pilotimit me sukses të këtij programi, që nga muaji korrik e kemi shtrirë në të gjitha komuant, dhe tani ekipet mobile vizitojnë të gjithë ata që për shkak të moshës së shtyrë apo shëndetit e kanë të vështirë paraqitjen fizike në zyrat përkatëse”, shtoi Murati.

  • Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kurti del në terren, jep detaje për tunelin që do të lidh Prizrenin me Tetovën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.

    Në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.

    Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.

    Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.

    “Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtoj rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova”, tha kryeministri.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se ndihet mirë për një qasje shumë konstruktive dhe shumë pozitive karshi projekteve me interes nacional, derisa theksoi se si Komunë zotohen që për çdo gjë që ka nevojë dhe kanë mundësi të kontribuojnë, do të jenë të gatshëm që të kyçen në mënyrë konstruktive që të lehtësojnë dhe të mundësojnë realizimin e këtij projekti.

    “Unë jam shumë i sigurt që kemi hapësirë shumë të madhe për bashkëpunim në të gjitha lëmitë tjera dhe besoj që nuk do të mungojë gatishmëria nga asnjëra palë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse do të ndikojë në performancë edhe të qeverisë qendrore edhe të qeverisë lokale” tha ai, duke shtuar se përfitimet do të jenë jo vetëm për qytetarët e Komunës së Prizrenit, por edhe më gjerë duke marrë parasysh reputacionin dhe rëndësinë që ka qyteti i Prizrenit për tërë rajonin edhe në këtë rast përafrimi me Komunën e Tetovës është një mundësi.

    Më pas kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministrin Durmishi, dhe me deputetët e LVV, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj vizituan lokacionin në fshatin Struzhë ku pritet të kalojë një pjesë e rrugës Prizren-Tetovë dhe nga ku mund të shihet se ku do të bëhet tuneli që do të lidhë dy anët e rrugës.

    “Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit”, ka deklaruar tutje Kurti.