ATV

Blog

  • Sara Osmani, medaliste e bronztë në Evropianin U21 të xhudos

    Sara Osmani, medaliste e bronztë në Evropianin U21 të xhudos

    Ekipi kosovar i xhudos po vazhdon me paraqitje mbresëlënëse dhe suksese të jashtëzakonshme në garat evropiane.

    Pas Dëbora Gjakovës që fitoi medaljen e argjendtë në Kupën Evropiane U21 të xhudos, medalje sot fitoi edhe Sara Osmani, raporton KosovaPress.

    Osmani fitoi medaljen e bronztë në Evropianin U21 të xhudos që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

    Në xhiron e parë Osmani ishte e lirë, kurse në çerekfinale mposhti me Ippon maqedonen, Tea Nastoska.

    Në gjysmëfinale Sara humbi me dy Wazaari për Ippon nga serbja Ana Cobanovic.

    Sara për të bronztën mposhti me Wazaari në vazhdime, garuesen nga Bosnja e Hercegovina Nika Zovko.

  • Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Detaje nga operacioni “Goditja”, 72 persona u arrestuan, 34 armë u konfiskuan

    Policia e Kosovës, njofton se ka hartuar dhe është në zbatim të operacionit “Goditja”, i cili ka për qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

    Gjatë pesë ditëve (8 deri 12 gusht 2023) të realizimit të detyrave që rrjedhin nga ky urdhër, policia ka shtuar aktivitetet e saja në drejtim të goditjes së personave e grupeve që me veprimet e tyre, mund të bien ndesh me ligjet e vendit.

    “Gjatë kësaj kohe, me qëllim të ofrimit të një ambienti sa më të qetë, në zonat urbane është bërë shtimi i patrullave policore të njësiteve të ndryshme dhe janë shënuar aktivitetet si në vijim:

    • Janë realizuar 2154 Pika Kontrolli për Automjete, 730 prej tyre me radarë dhe alool-test,

    • Janë kontrolluar 12038 vetura,

    • Janë kontrolluar 229 lokale,

    • Janë arrestuar 72 persona, prej tyre 24 me urdhër-arreste nga gjykatat dhe

    • Janë konfiskuar 34 armë”, njofton policia.

    “Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale dhe aktivitet tjera antiligjore të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë”, vijon policia.

    Tutje, policia i fton të gjithë ata që posedojnë, ose janë prezent në situata ku mund të ketë shkelje ligjore, dukuri tjera tëndaluara, ku shfaqen situata ku mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, ta lajmërojnë policinë.

  • Protestë në “mbrojtje” të Kurtit nga opozita dhe analistët

    Protestë në “mbrojtje” të Kurtit nga opozita dhe analistët

    Një protestë e quditshme është mbajtur sot në sheshin “Skenderbeu” të Prishtinës.

    Dhjetëra persona kanë “protestuar” në mbrojtje të Qeverisë Kurti, sikur kanë thënë nga opozita “jokonstruktive” dhe analistat televizivë.

    “Të sillen para gjyqi të gjithë analistët që janë kundër shtetit të Kosovës”, ishte një nga thirrjet, e protestës së thirrur nga një “qytetar nga Drenica” nëpërmes rrjeteve sociale.

  • Moti për pesë ditët në vijim

    Moti për pesë ditët në vijim

    Gjatë pesë ditëve në vijim, në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe më nxehtë.

    Prishtina Weather njofton se orëve të pasditës mund të ketë rrebeshe të shkurta shiu.

    Njoftimi i plotë:

    Kryesisht me diell dhe më nxehtë gjatë javës në vijim. Orëve të pasdites me mundësi për rrebeshe të shkurta shiu.

    13.08.2023 – Mot stabil parashihet gjatë javës vijuese mbi vend, ku do të ketë intervale më të gjata me diell. Ditën e martë, orëve të pasdites priten mundësi për zhvillime të ndonjë rrebeshi shiu me bubullimë. Mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu mbeten edhe nga dita e mërkurë, por se më të lokalizuara përreth viseve malore. Temperaturat gradualisht shënojnë rritje me maksimale që shkojnë deri në 30C e 31C, ndërsa ato minimale zbresin në 14C e 16C.

    Niveli i ndotësve ajror do të jetë me indeks në vlera të pranueshme dhe të mira. Orëve të pasdites vende-vende rritje shënon ozoni sipërfaqësor, që mund të shtyjë indeksin të kaloj edhe në vlera mesatare të ndotjes, mirëpo përkohësisht.

    14.08 – Kryesisht me diell e më nxehtë.

    15.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë dhe mbrëmje mundësi për ndonjë rrebesh shiu me bubullimë.

    16.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë rreth zonave malore mundësi për rrebesh shiu me bubullimë.

    17.08 – Nxehtë e kryesisht me diell.

    18.08 – Kryesisht me diell. Pasdite më vonë mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtë shiu rreth zonave malore.

    Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare 4-9m/s, kryesisht nga veriu e verilindja.

    Shtypja atmosferike mbetet në vlera më të larta mbi normale, me tendencë të rënies graduale.

  • Ahmeti në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit: Jemi më mirë se dje

    Ahmeti në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit: Jemi më mirë se dje

    Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka publikuar një video në Facebook me rasin e përvjetorit të 22-të të Marrëveshjes së Ohrit.

    Ahmeti në këtë video ndër të tjera ka thënë se pozita e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore është më e mirë se më parë.

    “Pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 2001, po tejkalohen edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumëkërkuar dhe të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar, bashkë me të edhe universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare. Sot, shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret, por edhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit ku i demonstrojnë kapacitetet shtetdrejtuese.” – ka thënë Ahmeti.

    “Sot jemi pjesë e aleancës euroamerikane, jemi në NATO, po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë e Kosovën, me rajonin me të cilat edhe po unifikojmë kufijtë. Hapëm negociata për anëtarësim në BE dhe po përfundojmë skriningun”.

    “Prandaj nuk do të ndalemi. Sot në këtë përvjetor kujtojmë të gjithë dëshmorët, invalidët, veteranët, martirët dhe familjet e tyre, me ndërtimet më të larta. Sot padyshim jemi më mirë se dje, po punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja.” – ka thënë ndër të tjera ai.

  • Vizita e Kurtit nxit reagime, nisin hetimet për flamurin “Autochthonous” – Shkupi zyrtar kontakton ambasadorin e Kosovë

    Vizita e Kurtit nxit reagime, nisin hetimet për flamurin “Autochthonous” – Shkupi zyrtar kontakton ambasadorin e Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në dy komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Tetovë e Çair.

    Vizita e Kurtit në dy komunat shqiptare ku takoi vetëm opozitën shqiptare atje, duke anashkaluar kështu zyrtarët qeveritarë nga radhët e shqiptarëve, ka nxitur reagime të shumta. Por reagime ka pasur edhe lidhur me vendosjen e flamujve “Autoctonis”.

    Kabineti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut thekson se, mbi të gjitha, vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte një vizitë private. Siç raportojnë mediat atje, nga zyra e Kovaçevskit kanë njoftuar se MPB po merr masa për zbulimin e autorëve që kanë përdorur simbole të cilat i kanë cilësuar “të palejueshme” gjatë vizitës së Kurtit.

    “Në çdo rast, Zyra e Kryeministrit vlerëson se vendosja e flamujve që nuk janë flamuj kombëtarë është në kundërshtim me protokollet dhe ligjet për organizimin e manifestimeve në prani të shtetarëve të vendeve të huaja. Njëkohësisht, lloji i ikonografisë që vërehet në manifestim në prani të një përfaqësuesi të lartë të një shteti të huaj është i papërshtatshëm dhe i palejueshëm në një shtet anëtar të OKB-së dhe në një vend anëtar të NATO-s, dhe lidhur me këtë ju informojmë se SPB Tetovë po merr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Kryeministrit.

    Po ashtu nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se gjatë ditës ka kontaktuar me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me ikonografinë e përmendur të përdorur gjatë vizitës private të kryeministrit të Kosovës në vend.

    Në të njëjtën kohë, kabineti i kryeministrit thekson se është i dënueshëm fakti që në manifestimin e organizuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është kënduar himni i Maqedonisë dhe nuk është vendosur flamuri kombëtar i Maqedonisë.

  • “Asnjë pikë alkool”, studiuesit italianë: Edhe sasia e vogël dëmton shëndetin

    “Asnjë pikë alkool”, studiuesit italianë: Edhe sasia e vogël dëmton shëndetin

    Sipas një studimi të kryer nga shkencëtarët italianë, një gotë e vogël me verë për çdo natë mund të jetë e mjaftueshme për të rrezikuar në goditje në zemër dhe në tru.

    Hulumtuesit në Universitetin e Modenas dhe Reggio Emilias krahasuan të dhënat e shtypjes së gjakut të më shumë se 20 mijë njerëzve, të cilët ishin bërë pjesë e studimit për katër vite.

    Ekspertët zbuluan se edhe konsumimi i një sasive të vogël të alkoolit përditë është i mjaftueshëm për të rritur në shkallë të konsiderueshme tensionin e gjakut, raporton “Daily Mail”. Vullnetarët, që konsumuan mesatarisht nga 12 gramë alkool në ditë, patën tension të gjakut për 1.25mmHG më të lartë se ata që nuk kishin konsumuar alkool. Kjo sasi e alkoolit është e barabartë me atë që ndodhet në një gotë të vogël me verë ose në një shishe 330-mililitërshe të birrës.

    Ndërkohë, ata të cilët kishin konsumuar katërfishin e sasisë prej 12-gramësh, patën rritje të shtypjes së gjakut për 4,9mmHG.

    Dr. Marco Vinceti, njëri nga hulumtuesit, tha se nuk kishin gjetur efekte dobiprurëse te të rriturit që kishin pirë nivel më të ulët alkooli në krahasim me ata që nuk kishin pirë alkool.”

    Vinceti tha se ekipi i tij ishte “disi i befasuar”, kur kuptoi se edhe niveli i ulët i alkoolit ishte i lidhur me ndryshimin e tensionit të lartë të gjakut. “Alkooli sigurisht nuk është nxitësi i vetëm i rritjes së tensionit të gjakut. Megjithatë, rezultatet tona konfirmojnë se ai kontribuon në një mënyrë kuptimplote”, shtoi hulumtuesi italian.

  • Sot mbushen 22 vjet nga nënshkrimi Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

    Sot mbushen 22 vjet nga nënshkrimi Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

    Sot (13 gusht) mbushen 22 vjet që nga nënshkrimi Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve për raporte të reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të shtetit që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

    Kjo marrëveshje u bë me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare pas një konflikti të armatosur, i cili ndodhi në vitin 2001.

    Kjo marrëveshje kornizë ndër të tjerash u nënshkrua me qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

    Kjo kontratë në mes dy popujve u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi./KP

  • Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar shteti vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, e shpallur organizatë terroriste

    Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar shteti vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, e shpallur organizatë terroriste

    Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar shteti vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë. 129 serbë të kësaj organizate, e cila është shpallur terroriste nga Qeveria, janë paguar për çdo muaj vitin paraprak. Opozita po e konsideron skandaloze këtë gjendje, ndërkaq ekspertë të sigurisë thonë se Qeveria do të duhej të verifikonte listat e punonjësve. Nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje, nëse pagesa të tilla po vazhdojnë edhe gjatë këtij viti.

    Zyra Kombëtare e Auditimit i ka thënë KosovaPress-it se janë 129 persona të punësuar, bazuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

    Në përgjigjen me shkrim bëhet e ditur se të gjithë këta punonjës janë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Po ashtu, thuhet se janë dy ministri të cilat kanë ndërprerë pagesat për këta serbë.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e konsideron skandaloze çështjen e pagesave të serbëve.

    Ndër të tjera, Zemaj thotë se pala kosovare duhet ta rregullojë këtë çështje në tavolinën e bisedimeve.

    Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) konsideron se qeveria duhet të dalë me sqarime, meqë nuk ka logjikë juridike që e pranon financimin e pjesëtarëve terroristë.

    Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi konsideron se Qeveria duhet t’i pastrojë këto lista të punonjësve që bëjnë pjesë në “Mbrojtjen Civile”.

    Pagesat e këtyre punonjësve bëhen në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel në vitin 2013, ku qëllimi ishte për integrimin e pjesëtarëve të komunitetet jo-shumicë.

    Përpos “Mbrojtjes Civile” (Civilna Zasita), Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste edhe organizatën “Brigada e Veriut” (Severna Brigada). /kp

  • Gazetaret ukrainase: Njohja e Kosovës thjesht çështje kohe, ju e kuptoni dhimbjen tonë

    Gazetaret ukrainase: Njohja e Kosovës thjesht çështje kohe, ju e kuptoni dhimbjen tonë

    Në kuadër të programit “Gazetarët në Residencë”, program ky i financuar nga Qeveria, në Kosovë që prej shënimit të fillimit të luftës atje kanë ardhur disa gazetare. Për Ekonomia Online përjetimet e tyre i kanë rrëfyer Liudmyla Lukianchenko dhe Tetiana Kraselnykova.

    Liudmyla Lukianchenko dhe Tetiana Kraselnykova u shprehën tejet falënderues për pritjen që u është bërë në Kosovës, madje dhanë edhe mendimet e tyre se i përket raportimeve të fundit për njohjen e Kosovës nga ana e shtetit ukrainas.

    Sipas Liudmyla Lukianchenko njohja e Kosovës nga Ukraina është thjesht çështje kohe. Sipas saj, kjo nuk po ndodhë tani ngase Ukraina është shumë e zënë duke u marrë me çka e preokupon momentalisht, e që është lufta dhe negociatat me aleatët e saj.

    “Unë vlerësoj se është thjesht çështje e kohës që Ukraina ta njohë Kosovën, sepse dhe Ukraina e ka gjetur veten në një pozitë të tillë. Po përmend rastin e Krimesë e cila u morr nga ne në vitin 2014. Gjithashtu, Plus, mund të rikujtoni se si ishte situata në prag të luftës, kur edhe të gjitha vendet evropiane lejuan në heshtje agresionin e Rusisë në Ukrainë. Aq më tepër që para Ukrainës ishte Gjeorgjia, ishte Ichkeria, ishte Siria, ku kishte një gjurmë agresioni rus dhe bota ishte e heshtur. Prandaj, sot detyra e parë dhe kryesore e Ukrainës është të luftojë për pavarësinë e saj, lirinë dhe të fitojë këtë luftë, duke treguar se sa iluzione dhe e brishtë është kjo botë ruse, e cila u përhap në mënyrë shumë aktive, shumë aktive, falë propagandës së tyre dhe se kjo botë është e brishtë, ndaj do të paguajmë një çmim shumë të shtrenjtë për të me sakrifica shumë të mëdha”.

    “Por mendoj se në fund të fundit, lufta për një liri të tillë është e drejtë dhe do të ketë fitore. Sa i përket njohjes, është çështje kohe kur çdo gjë do të bjerë në vend dhe kur do të funksionojnë lidhjet pak a shumë kulturore. Dhe lidhjet kulturore me Kosovën duhet të zhvillohen. Sepse, për shembull, herën e parë që dëgjova se ishte një program nga Kosova, mendova se dija shumë pak për Kosovën”, u shpreh Lukianchenko.

    Ajo tezën e saj se njohja e Kosovës nga Ukraina është thjesht çështje kohe e bazoi edhe në publikimin e një profesori të shkencave politike e marrëdhënieve ndërkombëtare ukrainas.

    Duke shtura se nëse ndërveprimi kulturor funksionon, pjesa politike është thjesht procedurë formale që s’ka pse të mos realizohet.

    “Dhe, meqë e përmendët ne po punojmë në këtë aspekt. Profesori Kraljuk në një publikim të tijin ku flet për Kosovën, përfundon duke thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është thjesht çështje kohe, dhe është absolutisht e vërtetë. Megjithatë tani jemi në kohë lufte dhe jemi duke u marrë me çështje krejtësisht tjera, kryesisht duke bindur partnerët tanë se nuk jemi ne pala që po e shkakton konfliktin. Kush jemi ne? Ne thjesht kemi zgjedhur lirinë tonë për të zgjedhur, të drejtën për të jetuar”.

    “Prandaj, kjo është çështja kryesore për ne, kjo është çka po na lëndon më së shumti. Por nëse shoqëritë tona bëjnë hapa përpara në të ardhmen, për t’u hapur ndaj njëra-tjetrës atëherë veçse kemi arritur në të bërit diplomaci kulturore. Dhe kur diplomacia kulturore funksionon, politikanët s’kanë zgjedhje tjetër pos të nënshkruajnë”, përfundoi duke thënë gazetarja ukrainase.

    Lukianchenko tha se ka pasur pak informacione për Kosovën, madje pohoi se i është dashur që të pajiset me një rusisht-shqip që ta ketë më të lehtë qasjen e udhëtimin për në Kosovë si dhe komunikimin këtu.

    Këtu ajo bëri thirrje që prioritet të jenë shkëmbimet e hapat kulturorë, sepse sipas saj, kjo është çfarë ka rëndësi momentalisht.

    “Kam bërë transmetime me përfaqësues të ndryshëm të Evropës, me të tillë nga Belgjika, me sllovakët, me turqit dhe me gjeorgjianët, me të gjithë. Dhe unë nuk e kisha bërë me të tillë nga Kosova. Unë as nuk e di nëse universiteti ynë kombëtar ka një fakultet ku merret me mësimin e gjuhës shqipe. Nuk ka për juve materiale të zhvilluara kulturalisht, për shembull, një fjalor të gjuhës shqipe. Mora një fjalor të gjuhës shqipe para se të largohesha. Kjo është kopja e fundit. Ishte kopja e fundit në librarinë e Kievit. Por, për fat të keq, nuk është ukrainase. Kjo nuk është punë ukrainase. Ky botim i vitit dymijë e trembëdhjetë, është botuar në bashkëpunim me Moskën”.

    “Unë jetoj në Moskë, përmes gjuhës që flitet në Moskë e gjeta gjuhën shqipe. E shihni, dikush nën redaksinë e Viola Bashës. Pse nuk ka një libër të tillë nga Ukraina në gjuhën ukrainase? Pra fjalor ukrainisht-shqip. Prandaj, ju lutem, prioriteti i parë është të ndërmerren hapa të tillë kulturorë, të bëhen fjalorë që Kosova të njihet më shumë në Ukrainë, dhe jo siç lexova në fillim se Kosova është vend konflikti i hapur i Evropës. Mendova me vete, o Zot, po kthehem nga lufta në Ukrainë në një ish vend lufte të Evropës”, u shpreh gazetarja me përvojë shumëvjeçare në radio.

    Lukianchenko na tregoi edhe se në Ukrainë, një statujë që daton që nga koha e Neolitit është kaq e ngjashme me simbolin më ikonik të kryeqytetit të Kosovës hyjneshën në fron.

    Të njëjtin krahasim e bëri edhe me ibrikët tonë tradicionale dhe ata të Ukrainës, duke gjetur kështu më shumë se vetëm një ngjashmëri ndërmjet kulturave të dy vendeve shumë të largëta gjeografikisht, raporton EO.

    “Këto konflikte, luftëra duhet të sheshohen në vendet tona, në mënyrë që ne të bëhemi baza e paqes. Kjo duhet të ndodhë si fillim. E më pas të zhvillojmë të gjitha lidhjet kulturore. Po hap faqen e dytë në këtë libër, dhe shikoni se çfarë do t’ju tregoj këtu tani. Dua të bëjë një krahasim. Këtu është simboli juaj, i hyjneshës në fron ndërsa kjo tjera është një perëndeshë, jo në arkivol, por e gjithë hyjnesha e Tripolit. Dhe tani shikoni se sa artefakte tona të asaj epoke, pra të Neolitit janë shumë të ngjashme me tuajat. Ju keni një perëndeshë vallëzuese në fron”.

    “Epo, në vendin tonë është Trypillia, Trypilska, perëndeshë Trypil. Prandaj, është e nevojshme ta kombinoni shumë këtu. Nuk jemi aq larg. Epo, e njëjta gjë, nëse i kujtojmë ibrikët tuaj. Në të njëjtën mënyrë, këto ibrikët e tjerë janë artefakte të kulturës së Tripolit në Moldavi.Pra shkon si lloj kokteli kulturor. Epo, në vendin tonë mban emrin e një fshati në rajonin e Kievit, Trypillya, prandaj në vendin tonë quhet Trypilska. Por ky është neoliti që mund ta shihni në Muzeun tuaj Historik”, tregonte Lukianchenko.

    Përderisa Tetiana Kraselnykova, vëri në theks edhe një ngjashmëri ndërmjet dy shteteve; ngjashmërinë e ngjyrave të flamujve tonë shtetërorë, por edhe për shkak të luftës që populli i Kosovës kishte kaluar pak më shumë se dy dekada më parë.

    Kraselnykova e cila në Kosovë nuk ka ardhur e vetme, duke e sjell edhe djalin e saj të vogël me vete, tha se uron që pushtimi t’i vijë fundi në mënyrë që bashkohet sa më parë me të afërmit saj.

    “Unë pajtohem plotësisht me çka tha kolegia ime. Vetëm koha do të tregojë. Nuk mund ta dimë kurrë çfarë do të ndodh të nesërmen apo edhe pak minuta më vonë. Desha t’i krahasoj ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe të Ukrainës, të dyja kanë të kaltër dhe të verdhë në to. Është mbështetje shumë e madhe kur sheh në rrugë dhe sheh shenja që e mbështesin Ukrainën, që qëndrojnë krah saj. E vetmja gjë që dija ishte se në Kosovë kishte ndodhur një luftë, dhe kur u tregova familjarëve të mi që po lija Ukrainën të vija këtu, tingëllonte si të lija një luftë e të shkoja në një tjetër, se meqë ka pasur luftë këtu, mund të jetë e rrezikshme të qëndroja këtu”.

    “Tani që e shoh e kuptoj se pikërisht fakti që keni pasur luftë këtu ju bënë që të na kuptoni më mirë. Pra na kuptoni sepse keni kaluar nëpër të njëjtën gjë. E dini se ç’ndjenjë është të presësh se çdo gjë do marrë fund një ditë. Ne besojmë shumë sinqerisht që gjendja jonë në luftë të marri fund sa më shpejtë, që pushtimi rus të marrë fund sa më shpejtë, dhe që të jetojmë përsëri në paqe e në harmoni. Që mungesës e mallit që ndjejmë për të dashurit tanë t’i jepet fund sa më parë”, tha Kraselnykova për Ekonomia Online.