ATV

Blog

  • Milani kërkon sërish Armando Brojën

    Milani kërkon sërish Armando Brojën

    Armando Broja ka zgjuar sërish interesimin e Milanit pasi ata po kërkojnë një zëvendësues për Olivier Giroud.

    Nëse Colombo largohet, do të vlerësohet ofrimi i një sulmuesi të ri dhe reprezentuesi shqiptar është në listën e ngushtë të kuqezinjve.

    Operacioni Broja do të ishte pistë ideale për skuadrën e Piolit. Chelsea mund ta lërë Brojën të largohet në formë huazimi.

    Pnegesa që mund ta vështirësojë këtë operacion është fakti se reprezentuesi shqiptar sapo është kthyer nga një lëndim i rëndë që e la atë jashtë fushës edicionin e kaluar, derisa marrdhënjet ndërmjet këtyre dy klubeve janë shumë të mira.

    Për Brojën kalimi në Serie-A do të ishte i mirëpritur pasi që ende nuk dihet nëse trajneri i Chelseat Maurucio Pochettino e sheh atë si alternativë të rëndësishme për fazën ofanzive.

     

  • ​Ky pritet të jetë trajneri i ri i Italisë

    ​Ky pritet të jetë trajneri i ri i Italisë

    Gabriele Gravina, presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, ka nisur punën për të gjetur një trajner të ri pas tërmetit të djeshëm të shkaktuar nga dorëheqja e papritur e Roberto Mancinit.

    Siç raporton “Corriere dello Sport”, i preferuari është Luciano Spalletti. Fituesi i titullit të kampionit në Serie-A me Napolin, i kontaktuar tashmë mbrëmjen e djeshme, ka dhënë disponueshmërinë e tij maksimale për një projekt trevjeçar që përfshin si Europianin e ardhshëm ashtu edhe Botërorin 2026. Megjithatë, mbetet çështja e kontratës me Napolin për t’u zgjidhur, përcjellë KosovaPress.

    Në momentin e ndarjes nga Napoli, Aurelio De Laurentiis futi një klauzolë prej 3 milionë eurosh të vlefshme për të gjitha klubet italiane që dëshirojnë të nënshkruajnë me Spallettin në sezonin 2023-2024.

    Klauzola vlen edhe për kombëtaren italiane dhe pikërisht për këtë, duke qenë se FIGC nuk ka ndërmend ta paguajë, diplomacitë përkatëse kanë nisur punën që prej ditës së djeshme për të mundësuar që Spalletti të lirohet dhe të marr drejtimin e “Azzurëve”.

  • Vdes nëna e Nysret Muqiqit

    Vdes nëna e Nysret Muqiqit

    Këngëtari i njohur kosovar, Nysret Muqiqi ka njoftuar vdekjen e nënës së tij.

    Me një postim në Facebook, këngëtari llapjan ka bërë të ditur se varrimi i nënës bëhet sot në orën 18:00 në varrezat e fshatit Llapashticë e Epërme.

    “Të Zotit jemi dhe te ai do të kthehemi.Ju njoftoj se sot me datë 14.08.2023 ndërroj jetë nëna ime .Varrimi i të ndjeres bëhet ne ora 18:00 në fshatin Llapashtic e Eperme Podujevë” shkruan Nysreti në njoftim.

  • Bankat komerciale në Kosovë shtrenjtojnë normat e interesit për kredi

    Bankat komerciale në Kosovë shtrenjtojnë normat e interesit për kredi

    Bankat komerciale në Kosovë kanë shtrenjtuar normat e interesit për kredi, njëkohësisht bankat vazhdojnë t’i rrisin edhe fitimet e tyre enorme për çdo muaj.

    Sipas Raportit të Sistemit Financiar, për muajin maj 2023 të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), fitimi i pastër i bankave për gjashtë muajt e parë të vitit 2023 ka arrit 82. 6 milionë euro.

    Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), norma e interesit për kredi në muajin qershor 2023 ka arrit në 6.5 për qind, derisa në fillim të vitit kanë qenë 6.1 – 6.2 për qind.

    Depozitat deri në muajin qershor 2023 kanë arrit 5.609 miliardë euro.

    Gjatë vitit 2022, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, sektori bankar ka arritur të siguroi profit të lartë financiar, 140.3 milionë euro apo rreth 23 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

    Në tregun e Kosovës operojnë 12 banka prej të cilave me pronësi të huaj janë 9.

  • Në fushatën zgjedhore në SHBA nuk do të ndalohet përdorimi i inteligjencës artificiale

    Në fushatën zgjedhore në SHBA nuk do të ndalohet përdorimi i inteligjencës artificiale

    Komisioni që mbikëqyr zbatimin e ligjeve elektorale në Shtetet e Bashkuara, nuk pritet të miratojë rregulla për të kufizuar përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e reklamave politike, edhe nëse ato shtrembërojnë realitetin, në prag të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në vitin 2024.

    Papa Françesku nuk kishte veshur pallto të firmës luksoze ‘Balenciaga’.

    As Presidenti Donald Trump nuk është fotografuar duke u përpjekur t’i shpëtojë policisë. Këto fotografi të rreme janë krijuar përmes inteligjencës artificiale.

    Imazhe të pavërteta, tashmë janë bërë pjesë e fushatës presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024. Siç është një montazh, i krijuar nga kundërshtarë të Trumpit, ku ish-presidenti shihet duke përqafuar ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për çështje mjekësore, Antoni Fauçin, me të cilin gjatë pandemisë së COVID-19 shpesh kishin mosmarrëveshje.

    Emisioni “Verify”, apo “Verifiko”, që demaskon keqinformimin, vërtetoi se të tre imazhet ishin të rreme.

    Nëse i shikoni fotografitë me kujdes, do të gjeni më shumë prova se ato janë të krijuara nga inteligjenca artificiale. Në vend që të shkruhet Shtëpia e Bardhë, shkruan Mehthap”.

    Mashtrimet me reklamat politike, kanë alarmuar organizatën për të drejtat e konsumatorit “Publik Citizen”, ku Lisa Gilbert është zëvendëspresidente ekzekutive.

    “Njëra nga gjërat që inteligjenca artificiale mund ta bëjë dhe me lehtësi madje, është të krijojë pamje të paqena. Pra, një video, apo një audio, që në pamje të parë duket krejtësisht e vërtetë dhe që është e pamundur të dallohet nga videoja e vërtetë.”

    Organizata “Public Citizen” kërkon nga Komisioni Federal amerikan i Zgjedhjeve të vendosë rregulla për reklamat elektorale, që përdorin pamje të krijuara nga kompjuteri, por komisioni u përgjigj se kjo çështje nuk bie nën juridiksionin e tij.

    Ekziston shumë pak infrastrukturë ligjore për rregullimin e çështjes së inteligjencës artificiale, sipas Xhejms Grimelman, profesor për ligjin mbi informacionin dhe çështjet digjitale në fakultetin juridik të universitetit Cornell.

    “Gjykata Supreme e ka bërë të qartë, se është mjaft e vështirë për të, të rregullojë çfarëdo aspekti, përpos në rastet kur bëhet fjalë për gjuhën që është krejtësisht e rreme dhe e dëmshme”, ka thënë ai.

    Ai pret që përdorimi i inteligjencës artificiale në fushata politike të shtohet.

  • Avokati i Thaçit hedh dyshime se Rusia po tenton të ndikojë te Gjykata Speciale

    Avokati i Thaçit hedh dyshime se Rusia po tenton të ndikojë te Gjykata Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka kërkuar nga trupi gjykues që tregojë se akuza në këtë çështje nuk ka të bëjë me trafikim organesh.

    Kjo pasi që sipas tij, janë botuar disa artikuj rus e që janë pasqyruar në mediet evropiane se të akuzuarit në këtë çështje gjyqësore janë marrë me trafikim të organeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Kehoe, kjo është false dhe se përderisa hetimi për trafikim ka përfunduar, dikush duhet të thotë që aktakuza nuk ka diçka që lidhet me trafikim të organeve.

    Ai tha se nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë në këtë trup gjykues, duke pretenduar se të akuzuarit janë përfshirë në këtë aktakuzë në trafikim të organeve, ndërsa theksoi se kjo nuk është e vërtetë.

    Ndërkaq, çështja e dytë e diskutuar nga ai ishte lidhur me ndikimin në dëshmitarët, duke sqaruar se në disa artikuj është shënuar se Qeveria e Kosovës ka kontaktuar një person shqiptar në Gjermani, sipas të cilit është kërkuar t’i gjejë katër dëshmitarë katolikë që të dëshmojnë kundër Hashim Thaçit.

    Sipas Keheo, është e kuptueshme që Zyra e Prokurorit të Specializuar të përdorë ndërmjetës, por kjo sipas tij është ndërhyrje në procesin e drejtësisë.

    Këto çështje, i njëjti do i adresojë me shkrim në mënyrë që trupi gjykues të japë udhëzimet e nevojshme.

    Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879, dëshmia e të cilit pritet të zgjas 4 deri në 5 ditë.

    Pyetjet nga ana e ZPS-së është duke i bërë prokurori Matt Halling, i cili për qëllime identiteti ka kërkuar që seanca të kalohet në sesion privat.

  • Pse talibanët nuk lejojnë shkollimin e vajzave pasi Islami këtë nuk e ndalon

    Pse talibanët nuk lejojnë shkollimin e vajzave pasi Islami këtë nuk e ndalon

    Shkollimi i vajzave dhe grave pranohet botërisht nga më shumë se 200 shtete dhe territore, përfshirë edhe nga pothuajse 50 shtete me shumicë myslimane.

    Por, talibanët, sundimtarët e linjës së ashpër të Afganistanit, kanë ndaluar adoleshentet afgane që të ndjekin mësimin pas klasës së gjashtë. Ndalesa është bërë pasi islamistët u kthyen në pushtet dy vjet më parë. Kjo ndalesë u zgjerua në dhjetorin e vitit të kaluar, duke përfshirë edhe gratë që ndiqnin studimet në universitete.

    Protesta të shumta të mbajtura nga afganët brenda shtetit, presioni ndërkombëtar dhe lobimi i studiuesve myslimanë dhe klerikëve kanë dështuar që të bindin liderët fundamentalistë talibanë që të rihapin shkollat.

    Ekspertët janë të ndarë nëse ndalesa është e rrënjosur në mënyrën se si interpretimi i islamit nga talibanët është formësuar nga zakonet dhe praktikat kulturore të fisit konservator pashtun, apo nëse nxitet nga mënyra se si ideologët e lartë talibanë interpretojnë mësimet islame.

    Shumica e liderëve talibanë janë pashtunë etnikë, klerikë myslimanë sunitë. Shumica prej tyre janë shkolluar në medresetë Deobandi në Pakistanin fqinj. Deobandizmi u shfaq si një lëvizje rilindëse islamike puritane në Indinë koloniale britanike në shekullin e 19-të. Bazuar në shkollën sunite të drejtësisë, Hanefi, kjo lëvizje krijon tensionet kryesore mes islamistëve në Afganistan dhe Pakistan.

    Ndikimet fisnore

    Sami Yousafzai, një gazetar afgan dhe komentator, argumentoi se kufizimet e talibanëve ndaj grave janë të lidhura me zakonet shoqërore dhe praktikat kulturore në veri dhe lindje të Afganistanit.

    Shumica e liderëve talibanë vijnë nga komunitete të ndryshme rurale pashtune në rajonet që janë në kufi me Pakistanin.

    “Ata besojnë se vendi i gruas është ose brenda shtëpisë ose në varr”, tha Yousafzai, për besimin themelor taliban të ndikuar nga statusi i grave në familjet e klerikëve dhe udhëheqësve fetarë në këto rajone pashtune.

    “Gratë që jetojnë në shtëpitë e politikbërësve aktualë talibanë nuk janë shkolluar kurrë dhe nuk kanë dalë kurrë nga shtëpia”, tha Yousafzai, i cili ka raportuar për grupin islamik që kur u shfaq si milici në provincën jugore afgane të Kandaharit në fund të vitit 1994. “Këto gra kurrë nuk kanë pasur pozita në Qeveri dhe nuk kanë punuar në ndonjë organizatë joqeveritare”.

    Yousafzai tha se talibanët mbështesin politika të formësuara nga ky botëkuptim që anon kah mësimet islamike që mbështesin këto ide. Ai tha se liderët talibanë mbështeten nga thëniet që i atribuohen profetit Muhamed që dekurajojnë gratë që të dalin nga shtëpitë.

    “Besimi i tyre themelor është se vajzat në pubertet nuk duhet të dalin nga shtëpia në asnjë rrethanë”, tha ai. “Prandaj kjo është arsyeja pse ata i shohin gratë që dalin nga shtëpia për t’u shkolluar ose për të punuar si persona që përfshihen në korrupsion moral”.

    Në Afganistan, shtet mysliman me afër 40 milionë banorë, aktivistët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët se zbatojnë “aparteid gjinor” duke mohuar gratë që të shkollohen, të punojnë, të kenë liri të lëvizjes dhe të vendosin se si të duan të duken në publik.

    Shumica e myslimanëve pajtohen se islami lejon gratë që të shkollohen. Megjithatë, talibanët publikisht thonë se do t’iu lejojnë vajzave qasje në arsim vetëm pasi të sigurohet një ndarje e plotë gjinore dhe kushte të tjera të paspecifikuara.

    Pothuajse të gjitha shkollat e mesme në Afganistan janë të ndara në baza gjinore dhe universitetet vendosën ndarje strikte mes grave dhe burrave pasi talibanët morën pushtetin.

    Yousafzai tha se në shoqëritë konservatore dhe tradicionale myslimane në mbarë botën, disa klerikë po ashtu janë në favor të kufizimeve në shkollimin e grave, në punësim dhe në rolin e tyre në jetën publike. Por, qeveritë në këto shtete zakonisht kundërshtojnë ose kufizojnë ide të tilla.

    Në vitet e fundit, Arabia Saudite – një prej shtete sunite myslimane më konservatore – ka lejuar gratë që të ngasin makina dhe u ka dhënë lirinë e lëvizjes pa përcjelljen e një shoqëruesi. Këto hapa janë pjesë e një reforme dhe modernizimi të nxitur nga Princi i Kurorës, Muhammad bin Salman.

    Ndalesa e shkollimit nga talibanët ka kërkuar dënim universal nga myslimanët në mbarë botën.

    “Ndalesa e talibanëve për shkollimin e grave nuk i ka rrënjët te ligji [islamik] i Sheriatit, por pasqyron paragjykimet kulturore që bien ndesh me mësimet e islamit”, tha Salam al-Marayati, president i Këshillit për Çështje Publike Myslimane në Shtetet e Bashkuara.

    Ai tha se për dallim nga praktikat e talibanëve, “islami thekson rëndësinë e kërkimit të dijes dhe inkurajon të gjithë individët, pavarësisht nga gjinia, që të shkollohen”.

    Konflikti historik

    Por, dijetarët islamikë dhe ata që kanë tentuar të bindin talibanët për rihapjen e shkollave për vajzat japin një shpjegim tjetër.

    John Mohammad Butt, një studiues islamik dhe ish-gazetar në BBC i cili është personi i vetëm nga Perëndimi që ka përfunduar studimet në Darul Uloom Deoband të Indisë, argumentoi se politika e talibanëve ndaj shkollimit të vajzave nuk është çështje fisnore, por është e formësuar nga konflikti shekullor mbi shkollimin modern.

    “Problemi është se shkollimi i vajzave në Afganistan – vërtetë arsimim bashkëkohor në përgjithësi – në këtë shtet përgjithësisht është futur si pjesë e një agjende laike”, tha ai.

    Në vitet 1920 një koalicion i klerikë konservatorë, i fiseve dhe liderët e komuniteteve rrëzuan Mbretin Amanullah Khan. Ai dëshironte të modernizonte Afganistanin në linjë me politikën laike të liderit turk, Kemal Ataturk, që avancoi arsimimin modern dhe të drejtat e grave.

    Ky kundërshtim i modernitetit dhe sekularitetit vazhdoi dhe klerikët konservatorë kundërshtuan shkollimin e grave dhe të drejtën e tyre që të punonin. Ky kundërshtim u bë pjesë kyçe e opozitës islamiste ndaj qeverive pro-sovjetike afgane pasi puçi ushtarak i prillit të vitit 1978 i dha fund monarkisë afgane. Muxhahedinët akuzuan komunistët se po përhapnin imoralitet duke promovuar shkollimin e grave dhe fuqizimin e tyre.

    “Kjo ka çuar në një kujdes të posaçëm nga qarqet konservatore në Afganistan sa i përket shkollimit të vajzave”, tha Butt.

    “Bindje e thellë ideologjike”

    Obaidullah Baheer, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Afganistanit u bë pjesë e përpjekjeve për të shfuqizuar vendimin për ndalimin e shkollimit që talibanët morën vitin e kaluar.

    Por, ai tha se përpjekjet dështuan sepse “ndalesa është çështje e një bindjeje të thellë ideologjike” për liderin aktual suprem të talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada.

    Baheer tha se shumica e liderëve kryesorë talibanë kanë studiuar në medresetë pakistaneze dhe kështu që janë shkëputur nga jeta e fshatit dhe e fiseve.

    “Ata janë të indoktrinuar nga shkolla e mendimit Doebandi dhe ata tani zbatojnë ndaj popullit afgan versionin më strikt të islamit”, tha ai.

    Ai argumentoi se ndalimi i shkollimit të vajzave është një politikë e qëllimshme që përkrahet nga Akhundzada, i cili, siç tha ai, ka miratuar librin në gjuhën arabe, Emirati Islamik dhe Sistemi i tij. Ky libër është shkruar nga shefi afgan i Drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani. Në këtë libër, Haqqani mbështet mendimin ekstrem islamik duke zgjedhur si të preferuarën njërën prej grave të profetit MUhamed, Sawdah Bint Zam’ah, e cila zgjodhi të qëndronte në shtëpi derisa vdiq.

    Baheer tha se Haqqani ka injoruar faktin se gratë dhe shoqërueset e tjera të profetit kanë luajtur rol aktiv në shumë sektorë të shoqërisë dhe se ato ishin studente, por edhe mësuese për burrat.

    “Ky mendim nuk përkrahet nga të gjithë liderët talibanë, por është njëri që ka sovranitetin absolut, emiri taliban, e i cili duket se e përkrah plotësisht”, tha ai.

    Butt tha se edhe Haqqani e ka pranuar parimin se nëse diçka ka që gratë duhet të veprojnë, atëherë gjithashtu ka diçka tjetër që gratë duhet të mësojnë.

    “Shpresoj që autoritetet talibane ta kuptojnë se në një të ardhme jo aq të largët shkollimi i vajzave do t’i bëjë gratë afgane myslimane më të mira”, tha ai. “Do t’iu mundësojë atyre që të japin kontribut më të fuqishëm për mirëqenien e shtetit të tyre”.

    Dy vjet të përballur me këtë çështje, diplomatët perëndimorë duket se kanë inkurajuar afganët konservatorë dhe qarqet e klerikëve që të gjejnë mënyra për t’i dhënë fund ndalesës.

    Tom West, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, së fundi ka shkruar në X se gratë afgane duhet të shkollohen dhe të kontribuojnë në ekonomi, në mënyrë që shteti i tyre të mund të ngrihet në këmbë.

    “Nëse bëhen ndryshime në politike, do të jetë sepse afganët kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen e jo si pasojë e kërkesave të të huajve”, shkroi ai./REL

  • Britania paralajmëron për sulme të mundshme terroriste në Suedi

    Britania paralajmëron për sulme të mundshme terroriste në Suedi

    Britania paralajmëroi të dielën shtetasit e saj që udhëtojnë për në Suedi për sulme të mundshme terroriste pas rasteve të djegies së Kuranit nga aktivistë anti-islamikë, një veprim që ka zemëruar myslimanët.

    Në udhëzimet e përditësuara mbi udhëtimet, ministria e Jashtme e Britanisë tha se autoritetet suedeze kishin parandaluar me sukses disa sulme të planifikuara dhe kishin kryer arrestime.

    “Duhet të tregoni vëmendje dhe kujdes të madh në këtë periudhë,” thuhej në njoftim ndërsa shtohej se ” ka shumë të ngjarë që terroristët të përpiqen të kryejnë sulme në Suedi”, dhe zonat e vizituara nga të huajt janë objektiva të mundshëm.

    Përmes një deklarate, ku pranonte ndryshimin e udhëzimeve për udhëtime nga autoritetet britanike, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Suedisë, Henrik Landerholm përsëriti kërcënimet në rritje ndaj Suedisë që nga rastet e djegies së Kuranit.

    Zoti Landerholm tha se sulmi ndaj ambasadës suedeze në Irak më 19 korrik, një tentativë për sulm ndaj ambasadës së saj në Liban më 9 gusht dhe gjithashtu sulmi me armë zjarri në 1 gusht në konsullatën suedeze në Turqi, ndikuan në vlerësimin e rrezikut.

    Bazuar në ligjet që mbrojnë lirinë e shprehjes, në Suedi djegia e Kuranit është e lejuar, por për myslimanët djegia e librit të tyre të shenjtë është blasfemi.

    Edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara ka paralamëruar shtetasit amerikanë për sulme të mundshme terroriste në Suedi, në deklaratat e saj për udhëtimet jashtë vendit.

  • Kim Jong Un ka urdhëruar rritje drastike të prodhimit të raketave

    Kim Jong Un ka urdhëruar rritje drastike të prodhimit të raketave

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërkuar “rritje drastike” të prodhimit të raketave gjatë vizitave të tij në fabrikat e armëve, raportuan të hënën mediat shtetërore, pak ditë para se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut t’i nisin ushtrimet e përbashkëta ushtarake.

    Kim i vizitoi fabrikat të premten dhe të shtunën, pak pasi kishte bërë thirrje për përshpejtimin e përgatitjeve për luftë gjatë një takimi të rëndësishëm me ushtrinë javën e kaluar.
    Inspektimet dyditore të Kimit u bënë në fabrikat për prodhimin e raketave taktike, hedhësve të raketave dhe predhave të kalibrit të lartë, si dhe për prodhimin e automjeteve të blinduara luftarake, raportoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë (AQLK).

    Gjatë vizitës në fabrikën e raketave taktike, Kim “u shpreh shumë i kënaqur”, pasi fabrika i ka “përsosur çështjet shkencore dhe teknologjike të ngritura gjatë prodhimit”, si dhe kërkoi vazhdimin e modernizimit të armëve.

    “Ai e caktoi një synim të rëndësishëm për rritjen drastike të kapacitetit ekzistues të prodhimit të raketave dhe e nënvizoi rolin e fabrikës për përshpejtimin e përgatitjeve për luftë”, tha QALK.

    Kimi e theksoi nevojën “për të siguruar rritjen e prodhimit të predhave, po ashtu”, si dhe personalisht e voziti një automjet të blinduar luftarak, sipas agjencisë së lajmeve.

    Ushtria e Koresë së Veriut duhet ta ketë një “forcë dërrmuese ushtarake” dhe të jetë “plotësisht e përgatitur për ta përballuar çfarëdo luftë në çfarëdo momenti” kundër armikut, ka thënë Kim, duke shtuar se ushtria e tij duhet “patjetër t’i asgjësojnë ata, nëse ata bëjnë ndonjë sulm”, sipas QALK.

    Kim i bëri këto komente dhe inspektime në një kohë kur Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po përgatiten për ushtrimin vjetor “Ulchi Freedom Shield”, i cili do të mbahet nga 21 gushti deri më 31 gusht.

    Këto stërvitje Koreja Veriore i sheh si përgatitje për pushtim, andaj ka paralajmëruar për hapa të jashtëzakonshëm si kundërpërgjigje.

    Liderët nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do ta mbajnë, po ashtu, një samit trepalësh të premten në Uashington, pasi synojnë ta forcojnë bashkëpunimin për sigurinë, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut.

    Javën e kaluar, Kim e udhëhoqi një takim me zyrtarë të lartë ushtarakë, duke iu bërë thirrje atyre të përgatiten për luftë “në mënyrë ofensive”, si dhe ta rrisin prodhimin e armëve dhe të bëjnë më shumë stërvitje ushtarake.

  • ​Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë të gjitha benefitet

    ​Viktimat e dhunës seksuale nuk i gëzojnë të gjitha benefitet

    Viktimat e dhunës seksuale nuk gëzojnë benefite siç ndodhë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Edhe ato të cilat janë përcaktuar me ligj, nuk po realizohen në mungesë të procedurave që e sigurojnë konfidencialitetin. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës konsideron se përveç pensionit prej 230 eurosh, gratë e burrat e dhunuar gjatë luftës e kanë pothuajse të pamundur të realizojnë të drejtat tjera.

    Sipas drejtoreshës, Feride Rushiti, të mbijetuarit duhet të posedojnë një ID, ku do të identifikohen si viktima civile, procedura të cilat nuk kanë nisur të zbatohen. Veç tjerash, ajo në intervistën për KosovaPress flet edhe për shërbimet shëndetësore falas brenda shtetit, për të cilat thotë se nuk sigurohen me ligjin aktual.

    Rushiti thotë se përkundër kategorive të tjera të dala nga lufta, viktimat e dhunës seksuale ballafaqohen me stigmë dhe paragjykim.

    “Të mbijetuarat e dhunës seksuale deri më sot e gëzojnë vetëm pensionin personal, për faktin që e kanë të vështirë apo pothuajse të pamundur që të realizojnë të drejtat e tjera në nivel lokal, nivel të komunës që ato njihen me emër dhe mbiemër, ju njihen familjarët e tyre. Vetëm e vetëm për të mos shpalosur veten dhe të pësojë jo vetëm ajo, por edhe familja, ato nuk shkojnë për të përfituar të drejtat e tyre ashtu siç parashihen me ligj”, deklaron ajo.

    Rushiti shton se prej vitit 2014 kanë mbështetur dy rregullore, të cilat e rregullojnë kartelizimin e të gjitha kategorive nga Ligji për Vlerat e Luftës.

    “Në periudhën kur është ndërtuar skema e reparacionit apo ndihma e shtetit në raport me këtë grup të ndjeshëm shoqëror, është diskutuar shumë me të mbijetuarit e dhunës seksuale se si munden ato të përfitojnë të drejtat e tjera që ia siguron ligji. Qoftë për përparësi në punësim, qoftë përparësi në strehim social, qoftë për të drejtat e tjera si lirimi nga disa tatime në nivel të komunës dhe mënyra e vetme në atë kohë qysh është adresuar kjo çështje, është menduar që të mbijetuarat e dhunës seksuale me pas një ID ku ato dalin në fund si viktima civile. Pra, mos të shpaloset statusi i tyre si viktimë e dhunës seksuale, për faktin që ende në familje ekziston stigmatizimi edhe në mënyrën se si e trajtojnë këtë plagë të luftës”, shton ajo.

    Në mungesë të kartelizimit, Rushiti shton se gratë e burrat nuk mund të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale që të përfitojnë. Kjo ndodhë për shkak të frikës se do të identifikohen se kush janë.

    “Mund të them me bindje të plotë edhe prej përvojës edhe prej gjitha kërkesave që i kemi këtu në organizatë, që të mbijetuarat e dhunës seksuale në qoftë se nuk kartelizohen dhe nuk fillon ky proces që ne jemi duke avokuar, nuk munden asnjëherë të shkojnë pranë institucioneve apo strukturave lokale për të përfituar”, shprehet ajo.

    Në anën tjetër, gratë e burrat e Kosovës të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës, ajo thekson se nuk gëzojnë shërbime shëndetësore falas brenda vendit.

    “Shërbimet shëndetësore primare, sekondare dhe terciare nuk ju sigurohen me Ligjin aktual për Vlerat e Luftës. Është pak paradoksale të thuhet që ju sigurohet trajtimi jashtë shtetit, në rast se sëmundja si e tillë nuk mund të trajtohet brenda vendit por është e ndërlidhur me torturën apo dhunimin që ato e kanë përjetuar gjatë luftës. Nuk mundet një e mbijetuar e dhunës seksuale të pres të përfitojë jashtë shtetit, kur nuk i përfiton shërbimet shëndetësore brenda shtetit… Dhunimi si i tillë ka qenë shumë i vrazhdë, për shembull ka momente kur gratë që vuajnë prej shpinës sepse unazat i kanë të shkatërruara komplet për shkak të natyrës së dhunimit që është ushtruar në trupin e saj. Pastaj ka momente kur i ka lënduar në sy, ia kanë dëmtuar veshin, ia kanë dëmtuar dorën. Përveç pasojave mendore e psikologjike, ato bartin edhe pasoja fizike që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, shprehet ajo.

    Drejtoresha e QKRMT-së thotë se janë duke punuar që të krijojnë një plan avokues për të drejtat e tjera që u takojnë viktimave të dhunës seksuale.

    Përveç pensionit personal, me ligj janë të parapara edhe beneficionet të tjera si: Shërbime shëndetësore jashtë vendit, përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lirimi nga tatimi në pronë, përkujdesja për banim dhe përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar. /KP