ATV

Blog

  • Operacioni “Goditja” në Mitrovicë, kapen shtatë revole e 12 thika

    Operacioni “Goditja” në Mitrovicë, kapen shtatë revole e 12 thika

    Operacioni “Goditja” i Policisë së Kosovës ka vazhduar edhe në Mitrovicë të Jugut.

    Në një komunikatë për media, policia ka bërë me dije se që nga data 8 gusht e deri sot janë konfiskuar shtatë armë të zjarrit, 12 armë të ftohta si dhe janë arrestuar nëntë persona

    Ky plan i policisë po implementohet pas shtimit të rasteve të vrasjeve nëpër lokale.

    Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:

    Po vazhdon së realizuari plani operativ Goditja

    Mitrovicë, 14 gusht 2023

    Në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, po vazhdon së realizuari plani operativ ‘Goditja’.

    Si rezultat i angazhimeve të shtuara policore në teren, nga data 8 gusht 2023, janë realizuar:

    – 303-patrulla policore

    – 238- pika kontrolli të automjeteve

    – 1397- vetura te kontrolluara

    – 2143 -persona të legjitimuar

    – 66- pika kontrolli me radar

    – 12- pika me alkooltest

    – 08- lokale të kontrolluara

    – 07 -armë zjarri të konfiskuara

    – 12- armë të ftohta (thika)

    – 09- persona të arrestuar

    Angazhimet policore që burojnë nga plani operativ “Goditja” vazhdojnë të mbeten prioritet i ditëve ne vijim.

  • Dëshmitari i 16-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve dëshmon për Zonën e Llapushnikut, thotë se Limaj ishte komandanti kryesor

    Dëshmitari i 16-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe tjerëve dëshmon për Zonën e Llapushnikut, thotë se Limaj ishte komandanti kryesor

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 16-të me radhë në këtë çështje, me kodin 03879 është duke dëshmuar për Zonën e Llapushnikut, komandant kryesor i të cilës zonë tha se ishte Fatmir Limaj.

    Paraprakisht, përmes paraqitjes së një fotografie, dëshmitari identifikoi se numri 2 i duket si objekti i Shtabit të Zonës së Llapushnikut kurse nga këndi i fotografisë së dytë tha se nuk e ka të qartë nëse ishte ajo ndërtesa e Shtabit të kësaj zone, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më tej, me paraqitjen e një videoje ku ishin disa ushtarë të UÇK-së që sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ishte ceremoni e betimit, dëshmitari identifikoi se ishin të pranishëm Musë Jashari, Fatmir Limaj dhe Ismet Jashari.

    Por, kjo video nuk u pranua si provë pasi që sipas gjykatës nuk ka lidhje me këtë dëshmitar, duke thënë se video është e pavlerë.

    Tutje, u diskutua për komunikimin e urdhrave, e që dëshmitari tha se ka pasur rregulla por beson se nuk janë zbatuar tërësisht dhe kryesisht rregullat iu janë thënë gojarisht dhe jo me shkrim.

    Ai foli për zinxhirin komandues të zonës së Llapushnikut, ku tha se Fatmir Limaj ishte komandanti kryesor, më tej përmendi komandantin tjetër Isak Musliu dhe zëvendësit e tij Shefqet Buçi dhe Ymer Alishani.

    Ai tha se urdhrat komunikoheshin përmes komandës dhe se secili raportonte te eprori i tij.

    Ndërkaq, i pyetur lidhur me një dokument në të cilën thuhet se UÇK-ja dhe populli shqiptar po goditen prapa shpinës me elemente kolaboracioniste, dëshmitari tha se nuk e kishte parë këtë dokument gjatë luftës por që kur kishin shkuar në Llapushnik ishte ndjerë njëfarë presioni se pse njerëzit e LDK-së janë kyçur në UÇK.

    Kur u pyet se a thuhej nga ushtarët e UÇK-së se LDK ishte armik, ai tha se kishte dëgjuar se është thënë se janë njerëz të pabesueshëm apo nuk duhet t’i pranojnë.

    Por që për të mësuar bazën e informacioneve për përgjigjet e dhëna të dëshmitarit, është kaluar në seancë private.

    Po ashtu, disa nga përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të pamundura të dëgjohen.

  • Rama nderon ish-ministrin Mehaj me “Çelësin e Qytetit”

    Rama nderon ish-ministrin Mehaj me “Çelësin e Qytetit”

    Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe punën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komunës së Prishtinës, kryetari i kësaj komunë, Përparim Rama i ka dhuruar Çelësin e Qytetit ish-ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Armend Mehaj.

    I pari i kësaj komunë, Rama tha se dhurimi i këtij çelësi është më e pakta që mund të dhurojnë për ministrin.

    “Me keqardhje e zemër tw thyer, përkundër faktit që kemi pas një marrëdhënie fantastike, ke ardhur prej Norvegjie në vendlindje dhe ke bërë një shërbim fantastik. Pra, kemi pas një bashkëpunim të mrekullueshëm. Kemi krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë që janë shembull për të gjithë. E kuptoj vendimin e juaj, mirëpo nuk mund të them se një mik i madh që kam pas këtu, tash nuk do të jetë në institucion, por shpresoj se miq do të mbesim përgjithmonë”, tha Rama.

    Ndërsa ministri Mehaj u shpreh i lumtur për këtë mirënjohje.

    “Me të vërtete pak befasi dhe e papritur, por së pari faleminderit për bashkëpunimin, për punën që po bëni për qytetarët e kryeqytetit. Je shembull për bashkëpunim, i kemi borxh këtij vendi shumë, të përgëzoj për bashkëpunimin, po bënë një punë të mrekullueshme. Pleqtë kanë thënë rri shtrembët e fol drejt, e unë jam prej atyre. Përkushtimi ndaj popullit është shumë i rëndësishëm, të ja kthejmë çdo njëri aq sa kemi vullnet për një bashkëpunim të plotë. Bashkëpunimi sidomos me ty personalisht ka qenë shumë i lehtë, pa shumë filozofi, e kemi gjetur një zgjidhje të përbashkët për të mirën e qytetarëve, me fjalë pak e shumë punë. Është nderim i veçantë, do të më keni prapa në çdo mënyrë në mbështetje të Kosovës”, tha Mehaj.

    Si shenjë mirënjohje pwr bashkëpunim, edhe ministri Mehaj pati një dhuratë, për kryetarin e kryeqytetit. Ai derisa ja dhuroi një emblemë të FSK-së, tha se kjo është si shenjë për përkushtimin që edhe ata që vinë pas tij në MB, e përcjellin të njëjtën frymë për të mirën e vendit.

  • Një person i vdekur nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Parma të Italisë

    Një person i vdekur nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Parma të Italisë

    Një person humbi jetën dhe 11 tjerë u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një shtëpi për të moshuarit dhe njerëzit që vuanin nga sëmundje mendore në qytetin verior të Parmës, herët në mëngjesin e së hënës.

    Viktima është një grua 62-vjeçare mysafire në “Casa di Arianna”, e drejtuar nga kooperativa Avitas.

    Dhjetë të ftuar dhe një punonjës shëndetësor gjithashtu kishin nevojë për trajtim spitalor pasi pësuan helmim nga tymi, raporton ANSA.

    Megjithatë, askush nuk u raportua të ishte në gjendje të rëndë. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, i cili raportohet se shpërtheu rreth orës 5:30 të mëngjesit me orën lokale.

    “Dëshiroj të dërgoj një mesazh ngushëllimi për familjen e viktimës dhe mendimet e mia janë me ata që janë aktualisht në spital për shkak të helmimit nga tymi”, tha kryebashkiaku i Parma, Michele Guerra.

    Ai tha se po punojnë që të vazhdojë ofrimi i mbështetjes për ata që kanë nevojë.

    “Ndërtesa në fjalë është në pronësi dhe udhëheqje private. Ne po punojmë që të vazhdohet ofrimi i mbështetjes për ata që kanë nevojë, ndërsa presim që hetuesit të përcaktojnë natyrën e zjarrit dhe shkaqet e tij,” shtoi ai.

  • Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

    Trupi gjykues refuzon si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse për periudhën e vitit 1998 dhe rreth zonës së Llapushnikut për të cilën ka thënë se komandanti kryesor ishte Fatmir Limaj.

    Në fillim të marrjes në pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një video për të cilën prokurorit Matt Halling ka thënë se është ceremoni betimi e UÇK-së.

    Ai ka kërkuar që njëjta të pranohet si provë materiale, por është refuzuar nga trupi gjykues meqë aty nuk shihej se është kryer betimi.

    Lidhur me këtë video ka reaguar mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe, i cili ka thënë se nuk ka asnjë bazë për shfaqjen e kësaj video meqë dëshmitari në gjykatore nuk ishte pjesë e saj.

    Prokuroi Halling: Këta ishin tre personat e pranishëm në ceremoninë e betimit që diskutuam në seancë private? Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh se është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale shoqëruese për një dëshmitarë tjetër, ne mendojmë që është e përshtatshme që kjo të pranohet si provë materiale.

    Avokati Kehoe: Doni të pranojmë një regjistrim për betim ku nuk ka betim konkretisht, thonë që është e njëjta por nuk është e njëjta, prokuroria thotë se një dëshmitar tjetër mund të verifikojë këtë, në rregull kur të vijë ky dëshmitar ke ta bëjë, por kjo video nuk ka të bëjë fare me këtë dëshmitarë përveç faktit që Musë Jashari, Famtir Limaj, kanë qenë të pranishëm atje, dhe Ismet Jashari. Dhe ju po tregoni si duken ceremonitë e betimit të UÇK-së që ishin shumë efikase por ama betim nuk ka aty.

    Gjykatësi Smith: Pranohet, nuk ka asnjë lidhje në këtë video të na tregojë për betim konkret aty. Kjo video është e pavlerë.

    Pas kësaj, prokuroi ka thënë se do të ketë një tjetër dëshmitar që do të flas për këtë video.

    Ai ka vazhduar me pyetje rreth strukturës së komandës në zonën e Llapushnikut.

    Dëshmitari ka thënë se komandanti kryesor ka qenë Fatmir Limaj.

    Derisa ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmitari ka thënë se në periudhën e vitit 1998 kishte deklarata që pjesëtarët e LDK-së nuk duhej pranuar në UÇK.

    “Një herë pasi kemi shkuar në Llapushnik kanë filluar të deklarohen disa ushtarë pa uniformë, të thjesht kanë qenë, as nuk e njihnin Rugovën, thoshin ta kishim zënë shallin, unë nuk e kuptova kush është shalli, por ne jemi ishim hy me qëllim që me luftu me forcat serbe, pastaj e kuptova që është fjala për Rugovën, pengesë e tyre paska qenë Rugova. Ne kemi qenë pjesë e LDK-së deri shumë vonë pas luftës, atëherë një far lloj presioni që kemi pasur ka qenë edhe ky motiv, njerëzit e LDK-së pse janë kyçur në UÇK, kanë menduar këta njerëzit që kanë qenë në fillim që vetëm këta duhet me e udhëheq luftën dhe vetëm këta duhet me zotërua Kosovën, ashtu diçka”, ka thënë ai.

    Sipas dëshmitarit, në atë kohë thuhej se pjesëtarët e LDK-së nuk janë të besueshëm.

    Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar që të tregohet se kush kishte bërë deklarata të tilla, por prokuroi ka thënë se pyetjet rreth kësaj duhet të bëhen në seancë private.

    Halling e ka pyetur dëshmitarin nëse ishte komanda e UÇK-së ajo që përhapte mesazhe të tilla.

    “Mendoj që prej UÇK-së ka qenë sigurisht se nuk kish mujt me folë dikush, shumica prej luftëtarëve kanë qenë në LDK, atëherë ka pasur kundërshtime këtu, është pa qartë, veprimi i tyre, sjellja e tyre ndaj njerëzve të LDK-së, është parë qartë se ka pasur kundërshtime me thënë jo kjo nuk vazhdon kështu, duhet me ndërpre, nuk kemi të bëjmë me LDK-në, janë dashur të deklarohen ata”, ka thënë ai.

    Pas kësaj, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar që të bëhen pyetjet e përgjithshme në seancë publike dhe të vazhdohet pastaj me pyetje të tjera në seancë private, në mënyrë që të mos krijohen paqartësi dhe ndërprerje.

    Seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

  • Kryeministri Kurti më 28 Nëntor në Preshevë?

    Kryeministri Kurti më 28 Nëntor në Preshevë?

    Pas pushimeve verore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një turne të vizitave në disa vende shqiptare në Ballkan. Ai ka filluar me Tetovën, i cili u prit nga mijëra shqiptare të kësaj Republike ish-Jugosllave.

    Sipas burimeve të gazetës zvicerane në shqip Le Canton27.ch, se kabineti i tij është duke shqyrtuar mundësinë për një vizitë të re në Ulqin (Mal të Zi) si dhe Luginën e Preshevës, rajon ky i banuar me shqiptarë.

    Ndonëse ky informacion nuk është konfirmuar ende nga zyra e kryeministrit, burimet e gazetës zvicerane Le Canton27.ch, mëson se kabineti i Qeverisë pritet të kërkojë leje për vizitë në Luginën e Preshevës më 28 Nëntor, mu në ditën e flamurit kombëtar.

  • Abdixhiku: Qeveria s’ka përmbyllur dot një rrugë të vetme, me ne të gjitha projektet kapitale përfundojnë për 30 muaj

    Abdixhiku: Qeveria s’ka përmbyllur dot një rrugë të vetme, me ne të gjitha projektet kapitale përfundojnë për 30 muaj

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar për projektin e promovuar nga Qeveria të rrugës Prizren-Tetovë.

    Abdixhiku shkroi në Facebook se Qeveria s’e ka përmbyllur anjë rrugë të vetme, ndërsa po e përmbyllin vitin e tretë në qeverisje.

    “Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot”, shkroi ai.

    “Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës”, shtoi ai.

    Në programin e ‘Rrugës së Re’, Abdixhiku shkruan se “të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve”.

    “Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë”.

    Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

    RRUGËT QË S’U BËNË DHE RRUGA E RE

    Po e permbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën.

    As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë.

    Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Kryeqytet; aty ku Qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol.

    Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot.

    Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës.

    Në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë.

  • CNN: Qasja e Perëndimit ndaj Vuçiqit po destabilizon Ballkanin

    CNN: Qasja e Perëndimit ndaj Vuçiqit po destabilizon Ballkanin

    Mediumi gjigant amerikan ka dalë me një analizë sa i përket tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

    CNN shkruan se Serbia ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putini dhe se e njëjta ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me përgjegjshmëri në rënie, “duke nxitur konflikte jashtë vendit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia në vend, e sigurtë në dijeni se nuk do të qortohen në Perëndim”, transmeton Express.

    “Efektet e kësaj janë ndjerë më së shumti në Kosovë, e cila arriti pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në veri të Kosovës – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e tij, duke tensionuar marrëdhëniet mes fqinjëve”, shkruan CNN.

    Gjatë gjithë muajve të fundit të tensioneve, SHBA dhe BE kanë përsëritur vazhdimisht angazhimin e tyre për kauzën e sjelljes së Vuçiqit në anwn e tyre. Por Serbia ka vepruar me braktisje në rritje, duke përfaqësuar atë që Kearns e quajti “një dështim i diplomacisë parandaluese”.

    Një episod i dëmshëm erdhi në Ohër, Maqedoni e Veriut, në mars, kur, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga SHBA dhe BE, Serbia dhe Kosova më në fund pranuan një marrëveshje dypalëshe që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Por, ndërsa kjo u paralajmërua si një përparim, Vuçiq u largua nga negociatat pa e nënshkruar dokumentin, duke pretenduar në një fjalim televiziv se ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë: “Kam dhimbje torturuese në dorën time të djathtë… ajo dhimbje pritet të vazhdojë për katër vjet”.

    Një tjetër erdhi kur autoritetet serbe arrestuan tre oficerë të policisë së Kosovës, të cilët pretendonin se ishin “thellë brenda territorit të Serbisë qendrore” dhe përgatiteshin për të kryer “një akt terrorizmi”. Por Kosova këmbënguli se oficerët ishin “rrëmbyer” brenda kufijve të Kosovës dhe se Serbia kishte kryer edhe “akt agresioni”.

    SHBA dhe BE ishin të ngadalta për t’iu përgjigjur këtij incidenti. KFOR-i, Forca e NATO-s në Kosovë, lëshoi një deklaratë 48 orë pasi oficerët u raportuan të zhdukur. SHBA lëshoi një deklaratë tre ditë më vonë, duke pretenduar se arrestimet u kryen me “akuza të rreme”.

    Joseph i tha CNN se rrëfimi serb i ngjarjeve ishte i vështirë për t’u besuar – dhe se formulimi i deklaratës së SHBA-së sugjeronte që zyrtarët e tyre gjithashtu nuk po e blinin atë. “Nëse SHBA-të ishin vërtet të pasigurta nëse policia e Kosovës ndodhej në Serbi, atëherë pse të përdoret një term kaq kategorik [si “i rremë”]?

    E megjithatë Serbia nuk u dënua për paraburgimet. Lirimi i oficerëve u sigurua dy javë më vonë – jo nga aleatët perëndimorë, por nga Viktor Oban.

    Pas episodeve të tilla, Joseph i tha CNN se qasja “nuk shoh të keqe” ndaj regjimit të Vuçiqit mund të ketë filluar të plasaritet.

    “Pyetja këtu është: Kush në administratën e Bidenit ende beson se Vuçiç është partner? tha ai, duke vënë në dukje sanksionimin e fundit të Aleksandar Vulin, drejtorit të shërbimit inteligjent të Serbisë, si dëshmi se administrata e Bidenit “nuk është më rob i frikës dhe iluzionin për Vuçiqin”.

    Por nëse kjo përkthehet në një ndryshim të politikës është e paqartë.

    Ndërkohë, Vuçiq ka ngritur aksionet. Në përgjigje të sanksionimit të Vulin, Vuçiq ndaloi eksportet e armëve nga Serbia për 30 ditë, duke pretenduar se “gjithçka duhet të përgatitet në rast agresioni kundër Republikës së Serbisë”.

    “Ai në thelb thotë ‘ne do të hyjmë në konflikt, duhet të ndalojmë të gjitha eksportet e armëve tani, sepse na duhen për sigurinë tonë kombëtare’. Ai po kërcënon fjalë për fjalë me luftë. Unë kurrë nuk e kam parë atë kaq të qartë më parë”, tha Ruge nga ECFR.

    Dhe mesazhi i presidentit është pranuar nga disa qytetarë serbë. Në ndeshjen e futbollit të Yllit të Kuq të Beogradit muajin e kaluar, tifozët nacionalistë serbë mbanin një pankartë ku shkruhej “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vuçiq mori pjesë në ndeshje, sipas mediave lokale.

    “Situata është e qartë se kush është ende ngacmuesi i Ballkanit”, tha për CNN Meliza Haradinaj, ish-ministre e Jashtme e Kosovës. Koha do të dëshmojë se ky ‘investim’ për të qetësuar Serbinë do të shkojë kot.

  • Nënshkruhet kontrata për blerjen e biçikletave në Prishtinë

    Nënshkruhet kontrata për blerjen e biçikletave në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka nënshkruar të hënën kontratën për blerjen e biçikletave të qytetit.

    Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj komune, Alban Zogaj, sipas të cilit afati i implementimit të këtij projekti është 60 ditë.

    “Sot u nënshkrua kontrata për blerjen e biçikletave të qytetit! Afati i implementimit të projektit është 60 ditë”, ka shkruar Zogaj në rrjetin social Facebook.

  • Të paktën 24 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indi

    Të paktën 24 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indi

    Të paktën 24 persona kanë vdekur, nëntë prej të cilëve si pasojë e shembjes së një tempulli, dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur gjatë vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut pas shirave të rrebeshtë në Indi, njoftuan zyrtarët të hënën.

    Shirat e vrullshëm prej disa ditësh i kanë rrënuar ndërtesat dhe shkatërruar urat në shtetet veriore, Uttarakhand dhe Himachal Pradesh.

    Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut janë të zakonshme dhe shkaktojnë shkatërrim të madh gjatë sezonit të shirave në Indi, por ekspertët thonë se ndryshimi klimatik është duke e rritur shpeshtësinë dhe ashpërsinë e tyre.

    Sukhvinder Singh Sukhu, shefi i qeverisë së shtetit më të prekur, Himachal Pradesh, tha se të paktën 16 persona humbën jetën në 24 orët e fundit, përfshirë nëntë nga shembja e një tempulli hindu në kryeqytetin e shtetit, Shimla.

    “Administrata lokale është duke punuar me zell për t’i larguar mbetjet, në mënyrë që t’i shpëtojë njerëzit të cilët kanë mbetur të ngecur”, tha Sukhvinder Singh Sukhu.

    Sukhu u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive të veta dhe të mos shkojnë afër lumenjve. Shkollat në këtë shtet janë mbyllur, njoftoi ai.

    Në shtetin Uttarakhand, ekipet e shpëtimit vrapuan për t’i larguar mbetjet, pasi druhet se ka njetëz të ngecur nën to pas rrëshqitjes së dheut si pasojë e shiut të madh.

    Të paktën tetë persona janë vrarë që nga e premtja në këtë shtet, thanë zyrtarët.

    Sezoni i shirave ia sjell Azisë Jugore rreth 80 për qind të shirave vjetore dhe është jetësore për bujqësinë dhe mjetet jetësore të miliona njerëzve. Por, njëkohësisht, sjell edhe shkatërrim çdo vit në formë të vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut.