ATV

Blog

  • Vdes aktori Xhevat Qorraj

    Vdes aktori Xhevat Qorraj

    Është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur, Xhevat Qorraj.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tashmë të ndjerit me anë të një postimi në rrjetin social Facebook.

    Betim Qorraj tregoi për vdekjen e të aktorit kosovar, duke shprehur ngushëllime.

    ”I përjetshëm qoftë kujtimi për ju! Lamtumirë Xhevat Qorraj”, ka thënë Qorraj.

  • Shfaqet rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë, IKShPK-ja tregon masat parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje

    Shfaqet rasti i parë me ethe të minjve në Kosovë, IKShPK-ja tregon masat parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë me dije se është shfaqur rasti i parë sivjet me ethe të minjve në Kosovë.

    Me anë të një njoftimi për media, ky institut ka bërë thirrje për kujdes.

    Siç bën të ditur IKSHPK, burimi i infeksionit janë minjtë dhe sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt.

    “Prindër të nderuar! Kujdesuni për fëmijët tuaj!Ruani ushqimet nga minjtë!Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve!”

    “Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve”.

    “Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjepruese”.

    Gjithashtu, theksohet se shkaktari i sëmundjes depërton në organizmin e njeriut përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

    “Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Po që se të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat”.

    “Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës”.

    Më poshtë, IKSHPK ka treguar se cilat janë masat parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje:

    Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.

    Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.

    Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë.

    Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar.

    Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar.

    Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve.

    Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies.

    Mos hidhni mbeturina kudo.

    Të bëhet klorimi i ujit të pijes.

    Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve.

    Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

  • Vdekja e 35-vjeçares në Malishevë, Ministria e Shëndetësisë thotë se klinika ushtronte veprimtari ilegale

    Vdekja e 35-vjeçares në Malishevë, Ministria e Shëndetësisë thotë se klinika ushtronte veprimtari ilegale

    Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas vdekjes së Leonora Shalës e cila vdiq pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat”.

    Në reagimin e tyre thuhet se aty ushtrohej veprimtari ilegale dhe kjo është e patolerueshme.

    Reagimi i plotë:

    Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoriatit Shëndeësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare.

    Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryerësve të kësaj vepre të rëndë.

    Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.

    Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar.

    Shprehim edhe ngushëllimet për familjen e të ndjerës.

  • Ambasadori britanik takohet me shefin e EULEX-it, flasin për situatën në Veri

    Ambasadori britanik takohet me shefin e EULEX-it, flasin për situatën në Veri

    Ambasadori britanik, Nicholas Abbott ka njofuar se është takuar me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

    Me të, Abbott ka diskutuar për situatën në Veri dhe bashkëpunimin mes ambasadës britanike dhe EULEX-it.

    “Ishte kënaqësi të takohem me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano. Diskutuam për situatën në veri të Kosovës dhe ritheksova mbëshetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar për rolin e EULEX-it dhe bashkëpunimin e mirë të vazhdueshëm mes ambasadës tonë dhe EULEX-it”, ka shkruar Abbott në Twitter.

  • Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër 10 personave për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumentit zyrtar

    Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë kundër 10 personave për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumentit zyrtar

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë personave: B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G.

    Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit e lartcekur në cilësinë e personave zyrtar, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe, me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.

    Prokuroria njofton se të pandehurit B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sanksionuar nga neni 414 paragrafin 2, lidhur 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa e pandehura V.B. akuzohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit zyrtar’’, nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Federata spanjolle heton presidentin e saj pasi puthi futbollisten

    Federata spanjolle heton presidentin e saj pasi puthi futbollisten

    Federata e Futbollit e Spanjës (RFEF) ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm për 25 gusht dhe ka nisur një hetim të brendshëm për një incident gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në finalen e Kupës së Botës, të fituar nga ekipi i vajzave të Spanjës.

    Presidenti i RFEF-së, Luis Rubiales, e kishte puthur në buzë futbollisten spanjolle, Jenni Hermoso, gjatë ceremonisë pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës.

    “Federata dëshiron të informojë se procedurat e brendshme të Federatës lidhur me çështjet e integritetit janë të hapura, si dhe pjesa tjetër e protokolleve të zbatueshme”, thuhet në njoftimin e RFEF-së.

    Incidenti shkaktoi reagime të shumta, me shumë aktivistë të të drejtave të njeriut që e akuzuan Rubiales për keqpërdorim të pozitës së tij si president dhe ngacmim seksual ndaj futbollistes.

    Rubiales më vonë kërkoi falje, por kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se kërkim-falja nuk mjaftonte.

    “Ajo që pamë ishte një gjest i papranueshëm, por faljet e zotit Rubiales gjithashtu nuk janë të mjaftueshme dhe nuk janë as adekuate, dhe për këtë arsye ai duhet të vazhdojë të ndërmarrë hapa për ta sqaruar atë që ne të gjithë pamë në media”, tha Sanchez të martën.

    Victor Francos, ministri i Sportit i Spanjës dhe presidenti i Këshillit Sportiv të vendit (CSD), tha se këshilli do të ndërmerrte veprime nëse një gjë të tillë nuk e bën RFEF-ja, duke e ngritur çështjen në Gjykatën Administrative të Sporteve të Spanjës.

    “Unë mendoj se ajo që njerëzit përgjegjës do të bëjnë është të bisedojnë me dy palët e përfshira dhe ta lëshojnë një raport. Unë personalisht i kam thënë federatës se ky raport duhet të jetë transparent dhe urgjent, sepse, nëse nuk është, padyshim që ne jemi të detyruar t’i marrim masat përkatëse shtesë”, tha Francos për mediumin Cadena Ser.

    Disa tifozë të futbollit dhe zyrtarë i kanë bërë thirrje Rubialesit që të jepte dorëheqje shkaku i incidentit. Por, mediat spanjolle raportuan më 23 gusht se një gjë e tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë.

    Hermoso tha në një postim në rrjetet sociale se “nuk i pëlqeu” puthja, por në një deklaratë të lëshuar më vonë e mbrojti presidentin e Federatës duke thënë se ata kishin një marrëdhënie të mirë dhe se incidenti ishte një “gjest reciprok krejtësisht spontan” gjatë festimit të titullit.

    Spanja e mposhti Anglinë me rezultat 1:0 në finalen e Kupës së Botës, duke u bërë kampione botërore për herë të parë në botë.

    Top Channel

  • Këshilli i Prindërve jep disa propozime për blerjen e teksteve – Dragusha: Presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari

    Këshilli i Prindërve jep disa propozime për blerjen e teksteve – Dragusha: Presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari

    Këshilli i Prindërve të Kosovë të mërkurën është takuar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Gradusha, tha se kanë propozuar disa forma se si do të mund të bliheshin librat nga prindërit pas vendimit të Ministrisë.

    Sipas tij, pritet që vendimi përfundimtar të merret këtë javë, ndonëse pohoi se nuk kanë marrëveshje me Ministrinë.

    Dragusha shtoi se presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari, raporton EO.

    “Vendimi pritet të merret brenda dy ditëve, shpërndarja e librave nuk do të bëhet si vitet e kaluar. Ne nuk jemi pro këtij vendimi, tash jemi në një gjendje kur mësimi fillon edhe një javë dhe ne dëshirojmë që t’i mbrojmë të drejtat që të jemi të pajisur me libra në mënyrë që prindërit të mos shpenzojnë”.

    “Presim që deri në mesin e javës së ardhmes prindërit t’i kenë llogari mjete që t’i blejnë librat. Të hapen pika grumbullimi, secili prind t’i merr librat e Ministria të bëjmë pagesën”.

  • Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

    Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

    Është inauguruar sot në kryeqytet “Muri i Nderit”, në shenjë nderimi për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Në murin që u vendos në Parkun e Qytetit prej sot do të qëndrojnë emrat e 23 familjeve që ndihmuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, tha se ky mur është dëshmi e një miqësie të garantuar të popullit shqiptar dhe atij hebre, derisa e vlerësoi si frymëzim për brezat e ardhshëm.

    Sipas tij, “Muri i nderit” është shtëpia e përbashkët e popullit hebre dhe popullit shqiptar, që i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe prosperitetit.

    “Ngjashëm me Kopshtin e të Drejtëve Ndër Kombe në memorialin e Madh të Holokaustit ‘Yad Vashem’, falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi zbuluar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së dy popujve tanë. E megjithatë, rëndësia e këtij muri shkon përtej individëve që ky mur feston, muri jo vetëm përkujton aktet e tyre, por shërben edhe si monument për vlerat e përbashkëta dhe për miqësinë e garantuar të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë atij shekulli, e dinin se çfarë do të thoshte të privohesh nga shtëpia. Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti, shteti i Izraelit dhe i shtetit të Kosovës, të cilat më në fund u dhanë atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila i kishin privuar më parë. Muri i nderit që ne e dedikojmë sot tregon gjithashtu se populli hebre dhe ai shqiptar ndajnë një shtëpi në një kuptim kohor”, tha Kurti.

    Se ky mur i nderit është dëshmi e guximit për historinë e përbashkët të popullit shqiptar dhe atij hebre tha edhe kryetari i Prishtinës, Përpaim Rama.

    “Sot në zemër të Prishtinës ne zbuluam ‘Murin e nderit’, një dëshmi e guximit dhe dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera që formësojnë historinë tonë të përbashkët. Ky mur i nderit është më shumë se një strukturë, është një monument i zhytyr në histori të jashtëzakonshme. Duke qëndruar përpara tij, zemrat tona mbushen me krenari dhe përjetësojnë një të kaluar që do të frymëzojë breza e breza tjerë me radhë që do të vijnë”, u shpreh Rama.

    “Muri i nderit” është ngritur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael.

    Drejtoresha e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley Cloyes DioGuardi, është shprehur mirënjohëse për tolerancën dhe guximin e popullit shqiptar.

    “Ndërkohë që ne kemi bërë përparime të mëdha në teknologji në shekullin 21, ne jemi mjerisht prapa në botë në përparimin moral dhe dua të citoj Gavra Mandil, i cili u citua nga një çift jugosllav që me familjen e tij u shpëtuan nga shqiptarët dhe tha ‘Shqiptarët mund të mos jenë edukuar në trashëgiminë e Gertës dhe Shilerit, rëndësinë më të madhe për jetën njerëzore, mirëpo ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës i ktheu shpinën shfarosjes së hebrenjve evropianë shqiptarët e Kosovës treguan tolerancë, sakrificë dhe guxim’”, tha Cloyes DioGuardi.

    Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, pjesë e familjes kosovare që strehoi një grup të hebrenjve, sot i pranishëm në ceremoni tha se ndjehet i lumtur që më në fund po njihet kontributi i shumë familjeve kosovare. Ai shtoi se po trashëgon marrëdhëniet me familjet e të mbijetuarve edhe sot.

    “Drejtova sot Shoqatën e Miqësisë Kosova Izrael që është themeluar në vitin 2005 nga gjyshi im i ndjerë, Mustafa Rezniqi dhe studiuesja e ndjerë Gjongyle Ilijazi. Ajo kishte bërë një kërkim të jashtëzakonshëm dhe kaq unik sa edhe unë sot e kam trashëguar punën e saj, pra kjo punë nuk ka filluar me mua, dhe jam shumë i lumtur që pata rastin të bashkëpunoj me të dhe më vjen shumë keq që ajo nuk është sot këtu me ne sepse edhe ajo do të ishte e lumtur dhe krenare për gjithë punën ku edhe ajo ka marrë pjesë. Komunikimi dhe marrëdhënia me familjet e të mbijetuarve po vazhdon, kështu që në të dyja anët po rritemi dhe zhvillohemi edhe më shumë dhe çdo ditë e më shumë miqësia jonë po forcohet”, tha Rezniqi.

    Ndërsa ish-kongresisti amerikan, Joseph J. DioGuardi, theksoi se toka shqiptare është tokë e shenjtë për popullin hebre, dhe se është një shembull i mirë për Amerikën sot. Ai u shpreh i lumtur për rrënjët e tij shqiptare.

    “Kjo tani është tokë e shenjtë, ky memorial do të vazhdojë si tokë e shenjtë për popullin hebre dhe për popullin shqiptar. Dhe ka një shembull të mirë të kësaj në Amerikë sot, dhe quhet Gettysburg, ne kishim një president që dha jetën që ne të mund të shpëtojmë nga skllavëria si një tmerr i plotë i drejtësisë për njerëzimin. Dhe, Shirley dhe unë ecëm në ato terrene dhe në atë pikë u vranë rreth 200.000 ushtarë, dhe më në fund ishte një president që u vra, emri i tij ishte Lincoln. Ne duhet të kujtojmë sakrificën përfundimtare që ai bëri, njësoj si sakrificat përfundimtare që shumë veta bënë deri më sot. Dhe jam shumë i lumtur që jam këtu me ju, jam shumë i lumtur që i njoh rrënjët e mia shqiptare. Nuk është e lehtë t’iu shpjegosh njerëzve se jam shqiptar kur ke emrin DioGuardi. Por ata nuk e dinë se sa e ndërlikuar është bota, sidomos për shqiptarët me të gjitha këto ndarje”, tha DioGuardi.

  • Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi.

    Arsyetimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të Ejupit para kabinetit qeveritar, e ka dhënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Zot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të drejtori të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mosparovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të Ejupit nga ana e Bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë si dhe një varg shkeljesh tjera, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundim të parakohshëm të mandatit të tij”, ka theksuar Durmishi.

    Vendimi për shkarkimin e Ejupit është përshëndetur nga Sindikata e punëtorëve të AAC-së, edhe pse ata e kanë quajtur vendim të vonuar.

    “Vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas vendimit për shkarkim të Ejupit.

  • ​Murati i reagon AKK-së: Hipokrizi dërgimi i Ligjit për tatim në Kushtetuese

    ​Murati i reagon AKK-së: Hipokrizi dërgimi i Ligjit për tatim në Kushtetuese

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur absurde dhe hipokrizi paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

    Ministri Murati pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.

    “Ka një lloj hipokrize sa i përket çështjeve të halleve që i qajnë. Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri në datën e djeshme janë mbledhur 32.3 milionë euro. Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave dhe në këtë rast e AKK-së”, u shpreh ai.

    Gjatë ditë, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se komunat do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.