ATV

Blog

  • Kodi Civil në Kuvend sivjet – Haxhiu: Jemi duke punuar me deputetë që janë kundër

    Kodi Civil në Kuvend sivjet – Haxhiu: Jemi duke punuar me deputetë që janë kundër

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se gjatë këtij viti pritet që në Kuvendin e Kosovës të shkojë për votim Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se vonesat për t’u votuar këto kode kanë duke ndodhur pasi po punohet me deputet që janë kundër.

    Sipas saj, ata janë duke diskutuar edhe me deputete e mazhorancës, por edhe të opozitës që kur ky ligj të shkoj për votim në Kuvend të mos dështojë.

    “Sot u votua edhe dokumenti i Kodit të Procedurës Civile. Planifikojmë që brenda këtij viti të procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile. Ne jemi duke punuar me deputetët që Kodi të mos dështojë kur të shkoj në Kuvend”, tha ajo.

  • Qeveria shtyn regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Qeveria shtyn regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marr vendim për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky proces do të nis me dy muaj vonesë.

    “Procesin nuk mund ta fillojmë para datën 1 nëntor 2023, por dy muaj me vonesë, shkaku i pamundësisë së ASK-së që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga data 1 nëntor 2023”, tha Kurti para ministrave.

  • Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave

    Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave

    Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetje e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investimin në infrastrukturë.

    Këto mjete janë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

    Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Kodin e Procedurës Civile.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në paraqitjen e këtij dokumenti tha se struktura e tij do të përbëhet nga pesë pjesë.

    Po ashtu qeveria ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

    Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, po ashtu i janë propozuar Kuvendit të Kosovës, emrat e dy kandidatëve, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

  • Kryeministri Kurti deklarohet për vizitën në Athinë

    Kryeministri Kurti deklarohet për vizitën në Athinë

    Kryeministri Albin Kurti tha se pjesëmarrja e Kosovës në Athinë përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë.

    “Me ftesë të kryeministrit të Greqisë kishim një darkë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Presidenti I Ukrainës ishte pjesëmarrës në këtë takim, nxorëm një deklaratë të përbashkët. Ku bën thirrje për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ndërkaq, në darkën e përbashkët unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë. Në takimet biletarele me kryeministrin e Greqisë theksova rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë, deeskalimi në katër komunat në veri praktikisht ka ndodhur”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.

    Ai shtoi se Kosova është duke zbatuar dakordimin e arritur në Bratislavë.

  • Detaje nga dosja e Ridvan Muharremit në gjykatë

    Detaje nga dosja e Ridvan Muharremit në gjykatë

    Ridvan Muharremi, një afarist nga Prishtina, po dyshohet se u përfshi në keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

    Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Muharremi, së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, po mbahen në paraburgim për 30 ditë.

    Në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, siç përshkruhet në dosje, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, gjithë procesin ndaj klientit të tij e ka quajtur politik. Ai gjithashtu kishte kërkuar që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj Ridvan Muharremit.

    Mes tjerash, avokati Halimi tha se në rastin ndaj Ridvan Muharremit nuk ka asnjë keqpërdorim e as vjedhje.

    Sipas dosjes, Halimi ka thënë se Ridvan Muharremi vjen nga një familje me traditë patriotike, është një afarist i suksesshëm dhe njeh njerëz nga shumë vende të botës.

    Avokati Mahmut Halimi e ka pranuar se klienti i tij u angazhua për t’i siguruar kontaktet rreth rezervave shtetërore. Ai tha se kontaktin me pronarin e kompanisë “Yafe Turizm” nga Turqia e ka pasur në restorantin e tij në Prishtinë “Bukë e Zemër”, duke i kërkuar atij ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore.

    Kjo, sipas avokatit, u bë për shkak të gjendjes së krijuar në tregun ndërkombëtarë pas agresionit rus mbi Ukrainën.

  • Vazhdon përhapja e zjarreve pranë Athinës për të dytën ditë radhazi

    Vazhdon përhapja e zjarreve pranë Athinës për të dytën ditë radhazi

    Qindra zjarrfikës punuan gjatë natës për ta kontrolluar një zjarr masiv në periferi të Athinës, ku edhe më shumë banorë u detyruan të evakuohen pasi autoritetet paralajmëruan më 23 gusht se rreziku nga zjarret e reja është i lartë në mbarë vendin.

    Njëzet njerëz janë vrarë nga zjarret që shpërthyen në Greqinë veriore më 19 gusht dhe u përhapën shpejt, të nxitura nga erërat e forta në valë e dytë të madhe të zjarreve këtë verë.

    Një zjarr pranë fshatit Fyli, rreth 25 kilometra në veri të Athinës, u përhap në drejtim të qytetit Menidi, ku rreth 150 njerëz u evakuuan nga tre shtëpi për të moshuar, tha një zyrtar lokal.

    “Ne e mbajtëm zjarrin larg shtëpive”, tha nënkryetari i Menidit, Stathis Topalidis, për transmetuesin shtetëror ERT. “Fatkeqësisht era nuk po ndihmon fare”.

    Ai tha se të moshuarit u evakuuan me autobusë drejt hoteleve ose objekteve të tjera të përkujdesit.

    Zjarri ka lënë prapa shumë dëm, duke djegur shtëpi dhe makina në fshatin Fyli dhe duke detyruar banorët të largohen në këmbë, disa duke mbuluar fytyrën me rroba përderisa një re e dendur tymi e mbulonte kryeqytetin.

    Disa vullnetarë ngarkuan dele në bagazhet e makinave për t’i shpëtuar nga flakët.

    Ekipet e shpëtimit zbuluan 18 trupa të djegur më 22 gusht, që besohet të jenë emigrantë, në një zonë rurale pranë pyllit Dadia në rajonin verior të Evros në kufi me Turqinë, një rrugë e zakonshme për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Azia që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.

    Në qytetin grek Alexandroupolis aty pranë, dhjetëra pacientë spitalorë u evakuuan në një traget.

    Një imazh satelitor i transmetuar në televizionin shtetëror tregoi se tymi nga zjarret e Evros ishte përhapur në ishujt e Jonit në veriperëndim, jo shumë larg Italisë.

    Zjarret e verës janë të zakonshme në Greqi, por këtë vit ato janë përkeqësuar nga moti jashtëzakonisht i nxehtë, i thatë dhe me erë, të cilin shkencëtarët e lidhin me ndryshime klimatike.

    Temperatura rekorde në botë: Si ndikon Ballkani Perëndimor në ndryshimet klimatike
    Në korrik, dhjetëra mijëra turistë të huaj u evakuuan nga ishulli i Rodosit, ku një zjarr u dogj për një javë, duke djegur hotele dhe pyje./REL/

  • Maqedonci: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, interes për paqen e sigurinë në rajon

    Maqedonci: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, interes për paqen e sigurinë në rajon

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe atasheun e mbrojtjes, Kolonel Altin Kurti.

    Maqedonci bëri të ditur se ambasadori Minxhozi e ka uruar për detyrën e re para se të diskutojnë në lidhje me realizimin e planit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

    Teksa theksoi se bashkëpunimi i fuqishëm mes dy shteteve është interes edhe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.

    “Bashkëpunimi i fuqishëm në mes dy shteteve tona përveç interes i përbashkët kombëtar, është edhe interes shumë i lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë. Kjo dhe është arsyeja që gjatë vitit 2022 numri i aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes është rritur për 96%, pra pothuajse është dyfishuar në raport me vitin 2019”, tha Maqedonci.

    “Ky bashkëpunim do të thellohet ngase përveçse jemi një komb, mbështesim po të njejtat vlera demokratike perëndimore e synime për të ardhmen”, shtoi ai.

  • Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 26 aktakuza

    Gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 26 aktakuza

    Prokurori i Shtetit njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 26 aktakuza kundër 34 personave, për vepra të ndryshme penale.

    Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar nëntë (9) persona dhe janë paraqitur pesë (5) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj pesë (5) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar katër (4) persona, ka paraqitur tri (3) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave, si dhe ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit për një (1) person, si dhe ka ngritur dhjetë (10) aktakuza kundër dymbëdhjetë (12) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit, ka ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ka ngritur dy (2) aktakuza kundër pesë (5) personave.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit për një (1) person, si dhe ka ngritur dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur dy (2) aktakuza kundër dy (2) personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë, keqpërdorën të dhënat e kartelave bankare

    Arrestohen dy persona në Prishtinë, keqpërdorën të dhënat e kartelave bankare

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorimin e të dhënave të kartelave bankare, duke i përdorur ato në mënyrë të paautorizuar në Prishtinë.

    Sipas policisë gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: Dy shtëpiza të kompjuterit, 4 telefona celular, dhe një kartelë bankare.

    “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë keqpërdorur të dhënat e kartelave bankare, duke i përdorur në mënyrë të paautorizuar. Gjatë kontrollit të shtëpive të të dyshuarve, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: Dy shtëpiza të kompjuterit, 4 telefona celular, dhe një kartelë bankare. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • BSPK-ja thotë se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e minatorëve grevistë

    BSPK-ja thotë se nuk ka bazë ligjore për ndëshkimin e minatorëve grevistë

    Punon tash e 40 vjet si minator në Trepçë, por Rrahman Beqirit asnjëherë nuk i është ndalur mëditja pavarësisht që disa herë ka qenë në mesin e grevistëve gjatë kësaj periudhe.

    Por një gjë e tillë është ndërprerë vetëm deri pak ditë më parë, kur lexoi një njoftim nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Trepçës, Enis Abdurrahmani.

    Greva që kishin mbajtur shkaku i vonesës së pagës gjatë muajit të kaluar u bë shkak që Beqirit e 150 punëtorëve të tjerë t’u ndalet mëditja dhe shujta e asaj dite.

    Rrahman Beqiri, punëtor i minierës Trepça ka thënë se “Në mënyrë tinëzare e ka marr këtë veprim, në kry veti dhe këtu është si në kohën e komunizmit që është vendos, asnjëherë në jetë nuk është janë ndalë paratë për grevë, kurrë as para lufte s’ka ndodhë kështu”.

    Ky vendim i ushtruesit të detyrës së kryeshefit është bërë shkak që gjatë kësaj të martë punëtorët të mbajnë një protestë.

    Bujar Jashari, drejtor i prodhimit në Trepçë, thotë se kanë pranuar njoftim se një gjë e tillë do të ndodhë edhe në pagën e këtij muaji.

    Bujar Jashari, drejtor i prodhimit ka thënë se “Për këtë muaj është bërë njoftimi dje që nuk do të ketë paga për të gjithë ato ditë që nuk është punu dhe ka pas revoltë ku sot ka pas një protestë 15 minutëshe dhe nuk kanë pranu më hy në minierë dhe kanë pranuar masi i kemi kontaktu ne”.

    Për vendimin që është vendosur edhe në hyrje të minierës, ku përmendet edhe muaji gusht sindikata e punëtorëve të Trepçës paralajmërojnë masa.

    Destani Kerrleshi, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të Trepçës ka thënë se “Kemi marr vendimin dhe jemi duke e shqyrtu gjithë mundësinë ligjore që i parasheh ligji në mënyrë që mos të dëmtohen minatorët dhe ky vendim mos të jetë në fuqi”.

    Me shqetësim, vendimin e fundit e kanë parë edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

    Sipas Atdhe Hykollit, punëtorëve u lejohet greva me ligj dhe se vendimi për ndëshkimin e tyre është i paligjshëm.

    Atdhe Hykolli, kryetar i BSPK-së ka thënë se “Nuk ka pasi në ligjin mbi greva të punësuarit kanë drejtë më bo greva, zakonisht ka ndodh nëpër situate por këto gjera janë rregullu dhe po besoj që ata do ti shohin ligjet mirë dhe do të tërhiqen pasi ky vendim më shumë është provokim se sa që ka bazë ligjore”.

    Për këtë rast, Dukagjini ka pyetur ministrinë e Ekonomisë, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.