ATV

Blog

  • Serbia shkel marrëveshjet, lobon kundër Kosovës

    Serbia shkel marrëveshjet, lobon kundër Kosovës

    Zotimet për marrëveshjen bazë dhe atë të Ohrit, nuk paraqesin ndonjë telashe për Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq, që të ndalë lobimin kundër njohjeve të Kosovës. Pas darkës formale në Athinë, ai tha se ka marrë konfirmimin e Greqisë dhe Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës.

    Këto veprime të Vuçiqit, nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, po shihen si përpjekje për bllokimin e mundësive për Kosovën drejtë njohjeve të reja. Arbnor Sadiku thotë për RTV21 se Serbia po i shkel marrëveshjet e arritura deri më tani dhe se ai nuk do të ndalë lobimin kundër.

    “Dihet të agjenda e Serbisë është kundër Kosovës dhe ata vazhdimisht janë përpjekë që ta pengojnë Kosovën që të mos anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe të mos fitojë njohje të reja. Në këtë rast sigurisht që dy shtete që kanë qenë shumë afër… njohjes, kanë qenë Greqia dhe Ukraina. Por kemi parë që ende nuk ka një konstatim direkt nga Zelensky se do ta njohë Kosovën si shtet për vetë faktin se Ukraina e ka të kontestuar shetësinë e saj dhe praktikisht nuk është në situatë të volitshme që ta njohë Kosovën dhe si duket këtë ia ka konfirmuar edhe zotit Vuciq. Natyrisht edhe Vuciq ka lobuar kundër Kosovës se sa ka lobuar Kosova për ti marrë këto njohje.”

    Politologu Albinot Maloku, konsideron se në takime të tilla si ai i darkës formale në Athinë, po shtyhen agjenda kundër Kosovës.

    “Takimet e presidentit Aleksander Vuciq me presidentin Zelensky dhe kryeministrin Mitsotakis të Greqisë, në një formë ose tjetër ishte edhe lobim i presidentit Vuciq për të mos njohur këto dy vende republikën e Kosovës që në një rrethanë osr tjetër ishte prit, që të ketë edhe një cështje qe ndërlidhet me njohjen e republikës së Kosovës. Kjo nuk ndodhi dhe se gjithsesi këtë takim e shoh një formë te lobimit të Serbisë per mosnjohjen e Kosovës nga këto dy vende. Vetë deklarimi i ministrit të puneve te jashtme të Serbisë se Greqia dhe Ukraina nuk guxojnë ta njohin Kosovën për arsye të veta që ndërlidhen me deklaraten e Athinës ku bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës, konsideroj që Serbia po vazhdon të shkelë marrëveshjen e pajtuar dhe se kjo nuk është aspak situatë ku BE të mos kishte një qëndrim për këtë cështje.”

    Për deklarimet lobuese të Vuçiqit kundër Kosovës, zëdhënësi I BE-së Peter Stano ka dhënë një përgjigje të shkurtër për media, ku ka theksuar se se “rregull të përgjithshëm e kanë të mos komentojnë mbi komente”.
    Peter Stano, zëdhënës i BE-së

    “Si rregull e përgjithshëm ne nuk komentojmë mbi komentet. Ne e kemi bërë mjaft të qartë qëndrimin tonë gjatë ditëve e javëve të fundit dhe nuk ka asgjë të re që duam të shtojmë në këtë fazë”, ka thënë Stano.

    Në takimin e Athinës, u tha se kryeminsitri Kurti nuk ka përmendur fare çështjen e njohjes së Kosovës nga Greqia dhe Ukraina.

  • Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

    Sot në vendin tonë do të mbajë mot i kthjellët, derisa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Prishtina me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 31 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me mot të kthjellët dhe intervale me diell.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Prishtinës me 17 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Peja me 33 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Dalin emrat e pasagjerëve në avionin e rrëzuar, përveç Prigozhin ishte edhe numri dy i Wagner

    Dalin emrat e pasagjerëve në avionin e rrëzuar, përveç Prigozhin ishte edhe numri dy i Wagner

    Lideri i mercenarëve të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin është konfirmuar si një prej 10 viktimave që ndodheshin në bordin e avionit privat Embraer-135, sipas Agjencisë Federale të Transportit Ajror në Rusi.

    Agjencia ka konfirmuar po ashtu se nga rrëzimi i avionit të mërkurën në mbrëmje në rajonin Tver, ka humbur jetën edhe numri dy i Wagner, Dmitry Utkin.

    “Dmitry Valeryevich Utkin, Heroi i Rusisë dhe mbajtësi i katër Urdhrave të Guximit, i njohur gjithashtu në të gjithë botën me nofkën Wagner, i cili ishte dhe pas incidentit do të jetë komandanti i përhershëm i grupit Wagner – vdiq si rezultat i veprimeve të tradhtarëve të Rusisë. Por edhe në ferr ai do të jetë më i miri! Lavdi Rusisë!”, thuhet në një reagim të grupit mercenar në Telegram.

    Utkin, i njohur dhe me nofkën Wagner është në listën e pasagjerëve ku bëjnë pjesë edhe Sergei Propustin, Evgeny Makaryan, Alexander Totmin, Valery Chekalov dhe Nikolai Matyuseev.

    “Aeroplani Embraer-135 po fluturonte në bazë të një leje për të përdorur hapësirën ajrore”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Federale të Transportit Ajror ku bashkëngjitur listohen emrat e pasagjerëve.

    Ndërkohë, edhe ministria ruse e Emergjencave ka njoftuar se të 10 personat në bordin e avionit privat kanë vdekur.

    “Aeroplani Embraer po fluturonte nga Sheremetyevo për në Shën Petersburg. Në bord ndodheshin tre anëtarë ekuipazhi dhe shtatë pasagjerë. Të gjithë vdiqën”, tha një zyrtar i ministrisë për TASS.

    Përplasja fatale ndodhi pranë fshatit Kuzhenkino, 60 milje larg Moskës dhe rreth 30 minuta pasi avioni ishte ngritur në ajër.

  • Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia po e heton rastin tragjik në QKUK

    Policia e Kosovës ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të të rrethanave që karakterizojnë rastin e zjarrit në Klinikën e Psikiatrisë, si pasojë e të cilit humbi jetën një pacient ndërsa u helmuan pesë persona.

    Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, derisa ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar në mesnatë.

    “Sot rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë ajo.

    Sipas Ahmetit, aktualisht Policia është e angazhuar në zbardhjen e plotë të rastit.

    “Aktualisht policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, vijoi ajo.

  • Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Zjarri brenda Klinikës Psikiatrike, QKUK-ja jep detaje për rastin ku mbeti i vdekur një pacient

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka dhënë detaje lidhur me rastin e zjarrit në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike, ku një pacient ka mbetur i vdekur. Nga QKUK bëhet e ditur se të helmuar kanë mbetur edhe pesë përsona, një paciente dhe katër punonjës shëndetësor.

    Sipas njoftimit, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngufatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

    Po ashtu bëhet e ditur se një paciente tjetër dhe ekipi kujdestar i përbërë nga dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi, dhe të njëjtit kanë marrë ndihmë mjekësore.

    “Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin. Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në njoftim.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.

  • Pse është ende e paqartë nëse Yevgeny Prigozhin ka vdekur?

    Pse është ende e paqartë nëse Yevgeny Prigozhin ka vdekur?

    10 persona kanë vdekur pas rrëzimit të një aeroplani në Rusi, ku raportohet se në mesin e pasagjerëve ka qenë edhe udhëheqësi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin.

    Por, autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se Prigozhin është në mesin e pasagjerëve të vdekur, shkruan Sky News.

    Keir Giles, ekspert i Rusisë, pjesë e grupit të ekspertëve për çështjet ndërkombëtare “Chatham House”, kërkoi të ketë kujdes në lidhje me raportet për vdekjen e Prigozhin.

    “Shumë individë kanë ndryshuar emrin e tyre në Yevgeniy Prigozhin, si pjesë e përpjekjeve të tij për të ‘errësuar’ udhëtimet e tij. Le të mos habitemi nëse ai shfaqet së shpejti në një video të re nga Afrika”, është shprehur ai.

  • Për çka po akuzohen 10 zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për korrupsion

    Për çka po akuzohen 10 zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për korrupsion

    Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi, në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, kurse Blerim Dina në cilësinë e kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si dhe Nuhi Paçarizi e Goran Milenkoviq, në cilësinë e anëtarëve të OSHP-së, po ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Falsifikim të dokumentit zyrtar”.

    Nga informata të siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se duke filluar nga 10 maji 2019 deri më 4 shtator 2020 në Prishtinë, të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë ligjore.

    Të pandehurit, thuhet se me qëllim që disa operatorë ekonomikë të përfitonin dobi pasurore, fillimisht e ndryshuan vlerën e projektit nga 2,000,000.00 euro sa i dispononin sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2019, në 17,054,508,24 euro, pastaj me pjesëmarrjen në nënshkrim të personit jokompetent, respektivisht të pandehurit Zymer Abdullahu, i cili kishte nënshkruar në vend të njësisë kërkuese, e kishin aprovuar projektin në fjalë duke i përzgjedhur për t’i shpërblyer me kontratë operatorët ekonomikë të cilët ishin të papërgjegjshëm dhe më të shtrenjtë se operatorët ekonomikë tjerë për 2,121,909.91 euro.

    Ndërsa, në momentin e rikonfirmimit të mjeteve financiare, thuhet se falsifikuan nënshkrimin e zyrtarit kryesor financiar, i cili paraprakisht i kishte njoftuar të pandehurit saktësisht me gjendjen financiare të institucionit, kurse për t’i hapur rrugë nënshkrimit të kontratave me operatorët ekonomikë, nxorën vendime në kundërshtim me gjendjen faktike dhe të kundërligjshme, kinse kërkesa për rishqyrtim ishte paraqitur pa pretendime ankimore dhe në fund duke e ditur se operatorët ekonomikë nuk do të ishin në gjendje ta përmbushnin kontratën brenda afatit të paraparë për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndryshuan kushtet materiale të kontratës në dëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe në favor të disa operatorëve duke nënshkruar kontratat me këta operatorë në vlerë të përgjithshme prej 14,493,583.97 euro, me ç’rast në vend të Ministrit duke tejkaluar kompetencat e tij ligjore nënshkruan zëvendësministri, i pandehuri Muhamet Gashi.

    Me veprimet e tyre, të pandehurit sipas Prokurorisë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 12,493,583.97 euro, si dhe dëm material dhe jomaterial operatorëve ekonomikë tjerë të cilët në kushte të barabarta do të mund të aplikonin.

    Ndërkaq, e pandehura Valmira Bllaca thuhet se më 4 tetor 2019 në Prishtinë në dokumentin zyrtar, pra Deklaratën e nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve, duke e ditur se nuk kishte mjete të mjaftueshme për implementimin e këtij projekti pasi që nënshkruan në rubrikën që i dedikohej asaj “Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit”, po ashtu vendos një nënshkrim të ngjashëm me atë të zyrtarit kryesor financiar- Besnik Hajdari tek rubrika për nënshkrim që i dedikohej ZKF-së, në mënyrë që të dukej sikur se aty kishte nënshkruan Besnik Hajdari, me qëllim që t’i hapë rrugë avancimit dhe nënshkrimit të kontratave me operatorë ekonomikë në mungesë të mjeteve buxhetore prej 12,493.589.97 euro, duke u akuzuar se ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”.

  • Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient i vdekur nga zjarri në dhomë në Psikiatrinë e QKUK-së, dy infermiere dhe mjeku të asfiksuar

    Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Një pacient i hospitalizuar në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK ka mbetur i vdekur nga zjarri në njërën nga dhomat e shërbimit emergjent të kësaj klinike, raporton Gazeta Shneta.

    Gazeta ka mësuar se pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë. Ai kishte dal nga klinika në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.

    Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim. Rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në dhomën e pacientit duke u djegur dysheku i shtratit, dhe si pasojë e flakëve pacienti ka ndërruar jetë.

    Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri. Dyshimet e para janë se pacienti mund të ketë pasur shkrepsë me vete.

    Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci. Ai i ka thënë mediumit se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Elvir Azizi.

  • Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti i Shtetit e vlerëson si të papranueshëm presionin ndaj policëve serbë në veri të Kosovës

    Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen” Policisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.

    Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

    Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.

    Beogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.

    Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.

    Rreth 550 policë serbë në veri – në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

    Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.

    Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL/

  • Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Stano: BE-ja dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në Kosovë

    Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar për dorëheqjen e nëntë policëve rinj serbë, ka thënë zëdhënësi Peter Stano, duke theksuar se BE i dënon kërcënimet ndaj pjesëtarëve të Policisë.

    Ai ka thënë se frikësimet dhe kërcënimet janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të ndalen menjëherë.

    “BE-ja është thellësisht e shqetësuar për dorëheqjen e nëntë serbëve të Kosovës të saporekrutuar nga Policia e Kosovës. Përbërja e Policisë së Kosovës duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët joshumicë të Policisë së Kosovës kanë një rol për të luajtur duke kontribuar në sigurinë e komunitetit të tyre përmes policimit të orientuar drejt komunitetit. Ne dënojmë presionin psikologjik, frikësimin dhe kërcënimet për hakmarrje ndaj pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilat thuhet se kanë motivuar dorëheqjen e policëve të saporekrutuar”, ka thënë Stano për KosovaPress.

    Stano ka theksuar se çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    “Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe multietnike dhe BE-ja nënvizon se një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës duhet të gjendet në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.