ATV

Blog

  • Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Rama pretendon se nafta e zbuluar në Shqipëri e ka cilësinë e naftës saudite

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të mërkurën se nafta e zbuluar në Shqipëri është “e një cilësie shumë të lartë, e ngjashme me atë premium të Arabisë Saudite”.

    Duke folur në një konferencë për media më 23 gusht, Rama tha se shpimi ka arritur në 6.000 metra në thellësi të tokës pas një pune 10-vjeçare në zonën e Shpiragut, rreth pesë kilometra larg qytetit qendror të Shqipërisë, Berat.

    “Rezerva është aty, në 6002 metra në thellësi të tokës. Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik”, tha Rama.

    Kryeministri theksoi se ende nuk është ndeshur në ujë, çka do të thotë se, sipas tij, sasia e naftës do të jetë e madhe.

    Edhe pse e pasur me rezerva nafte, Shqipëria nuk ka industri të përpunimit të saj. Nafta që nxirret përpunohet jashtë Shqipërisë dhe më pas importohet dhe shpërndahet në tregun vendas, me një çmim që rezulton të jetë më i shtrenjti në rajon.

  • Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Shqipëri: Vdes i moshuari pasi goditet nga rrufeja, ishte duke kullotur bagëtitë

    Ka mbetur i vdekur një 70 vjeçar me iniciale R.K si pasojë e goditjes nga rrufeja.

    I moshuari po kulloste bagëtitë në momentin tragjik.

    Ngjarja ka ndodhur në bjeshkët e Gramës në Dibër, sot rreth orës 15:30.

    ”Rreth orës 15:30, në bjeshkët e Gramës në Dibër, shtetasi R.K., rreth 70 vjeç, duke kullotur bagëtitë, dyshohet se është goditur nga shkarkesa elektrike (rrufe) dhe për pasojë ka humbur jetën”, ka thënë policia.

    Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë thuhet se është duke vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  • Shefi i Wagner në listën e pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar

    Shefi i Wagner në listën e pasagjerëve të aeroplanit të rrëzuar

    Shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin, ishte në listën e pasagjerëve të një avioni që u rrëzua duke vrarë të gjithë në bord, ka thënë autoriteti i aviacionit civil të Rusisë.

    Më herët, kanali Telegram i lidhur me Wagner, Gray Zone raportoi se avioni Embraer u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës.

    Avioni, i cili po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg, mbante shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

    Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në qershor.

    Zona gri tha se banorët vendas dëgjuan dy zhurma para përplasjes dhe panë dy shtigje avulli.

    Agjencia e lajmeve Tass tha se avioni mori flakë duke u përplasur në tokë, duke shtuar se katër trupa ishin gjetur tashmë.

    Aeroplani kishte qenë në ajër për më pak se gjysmë ore, tha ai./BBC.

  • Tahiri: Qeveria Kurti, më e paafta në histori të Kosovës

    Tahiri: Qeveria Kurti, më e paafta në histori të Kosovës

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti është më e paafta në histori të Kosovës sa i përket udhëheqjes.

    Sipas Tahirit, Qeveria aktuale s’ka kryer asnjë punë të madhe e asnjë investim masiv që do t’ua ndryshonte jetën qytetarëve. Ai shtoi se me Qeverinë Kurti, Kosova po dëmtohet.

    “Në rrethanat që sot është Kosova, shihet se Kosova është dobësuar. Veprimet e Kurtit në vend që ta forcojnë sovranitetin, e kanë dobësuar këtë. Në aspektin ekonomik ka një rënie, s’ka asnjë veprim nga Qeveria për ta zbutur këtë. Asnjë investim kapital, asnjë fabrikë asnjë rrugë që do të ndihmonte Kosovën. Pjesa serioze e menaxhimit është gabim, e tash kanë filluar të dalin edhe skandale korruptive”, ka deklaruar Tahiri të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

    Deputeti i AAK-së theksoi se asnjëherë s’ka ndodhur që një kryeministër të mbrojë afera korruptive, derisa shtoi se ky subjekt politik e ka përkrahur Qeverinë në disa tema.

    “Punën tonë e kemi bërë, AAK-ja nëse e shihni kursin që e kemi pasur, do të thotë aty ku kemi menduar se Kurti po punon mirë, e kemi mbështetur. Në marrëveshje ndërkombëtare, AAK-ja e ka mbështetur edhe me marrëveshjet e Ohrit edhe të Brukselit. E kemi mbështetur edhe për mosmbajtjen e referendumit dhe të zgjedhjet lokale të Serbisë. E kemi mbështetur edhe për marrëveshjen për energjinë. Kur kemi menduar se diçka është mirë, kemi votuar, kur kemi menduar se është gabim kemi qenë shumë të zëshëm”, u shpreh ai.

    Tahiri theksoi se armiku kryesor i kryeministrit Albin Kurti është kabineti i tij qeveritar. Ministrat, sipas deputetit opozitar, janë të dobët dhe të papërvojë.

    “S’po shoh asgjë, është e papranueshme një ministër i financave, një djalë i ri që kurrë një veprim që ka përfituar diçka s’e ka bërë…Qeveria Kurti e ka mbiemrin paaftësi, kjo është qeveria më e paaftë në histori. A bën me m’tregu dikush cilat janë 10 punë që i ka kryer Qeveria Kurti për dy vjet e gjysmë. Nuk e di a do të mund t’i udhëhiqnin shtëpitë e tyre, e lërë më Kosovën”, u shpreh ai.

  • Durmishi: Aktakuza për korrupsion ndaj 10 zyrtarëve, ka të bëjë me rrugën Prizren-Prevallë

    Durmishi: Aktakuza për korrupsion ndaj 10 zyrtarëve, ka të bëjë me rrugën Prizren-Prevallë

    Hysen Durmishi, zëvendësministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka folur lidhur me ngritjen e aktakuzës për korrupsion ndaj 10 zyrtarëve të kësaj ministrie, duke thënë se çështja ka të bëjë me projektin e rrugës Prizren-Prevallë.

    “Po kjo ka të bëjë me një rast të vitit 2019 që ka të bëjë me sa e di unë me rrugën Prizren-Prevallë, domethënë është ish-sekretari, ish-shefja e prokurimit, janë disa të bordit të OSHP-së aty, janë komisioni vlerësues…”, ka thënë Durmishi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.

    I njëjti ka thënë se lidhur me këtë çështje ka diskutuar disa herë në publik, duke e konsideruar si rast flagrant me të cilën është dashur të merret Prokuroria, andaj shtoi se “Ma në fund e paskan ngrit një aktakuzë, e që nuk e kom pa aktakuzën, nuk e di çka ka”.

    Ndërkaq, nga burime të “Betimi për Drejtësi”, bëhet e ditur se të akuzuarit kanë shkaktuar dëm mbi 12 milionë euro.

    Ndërsa, aktakuza sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, është ngritur ndaj zyrtarëve Betim Reçica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviç, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi.

    Sipas PSRK-së, të akuzuarit ngarkohen se me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.

    “Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit e lartcekur në cilësinë e personave zyrtar, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore”, thuhet në njoftim të PSRK-së.

    Me këto veprime, të pandehurit Betim Reqica, Valmira Bllaca, Zymer Abdullahu, Jetmir Alaj, Emir Morina, Blerim Dina, Nuhi Paçarizi, Goran Milenkoviç, Izedin Bytyqi dhe Muhamet Gashi ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafin 2, lidhur 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Ndërkaq, e pandehura Valmira Bllaca akuzohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit zyrtar’’, nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Kujtojmë se Betim Reçica në cilësinë e ushtruesit së detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, akuzohet për korrupsion edhe me aktakuzën e PSRK-së, të ngritur më 15 shkurt 2021.

  • Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj

    Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpehur ngushëllime për familjen, Teatrin Kombëtar të Kosovës, kinematografinë kosovare dhe komunitetin kulturor me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj.

    “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj. Teatri dhe kinematografia humbën një aktor të madh, publiku të adhuruarin e tyre. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

  • Peleshi: Shuhet vatra e zjarrit në Laç

    Peleshi: Shuhet vatra e zjarrit në Laç

    Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se kanë arritur shuarjen përfundimtare të vatrave aktive të zjarrit në fshatin Delbnisht, në Njësinë Administrative Milot, bashkia Kurbin.

    Ai ka shkruar se situata është e qetë dhe po monitorohet nga punonjësit dhe zjarrfikësit.

    “Në kurorën e qytetit të Laçit, afër Kishës së Shën Antonit, aty ku situata ishte tejet kritike qe prej ditës së djeshme, vatrat e zjarrit janë shuar përfundimisht. Momentalisht, situata është e qetë dhe po monitorohet nga punonjësit e zjarrfikëses dhe shërbimit pyjor”, ka shkruar ai.

    Ai ka thënë se “në fshatin Treblovë, në bashkinë e Selenicës të qarkut Vlorë, zjarri është arritur të shuhet plotësisht, Falë ndërhyrjes në kohë me helikopter u bë e mundur shpëtimi i 4 shtëpive”.

  • ​Vitia për vdekjen në Malishevë: Ky rast nuk do të kalojë në heshtje

    ​Vitia për vdekjen në Malishevë: Ky rast nuk do të kalojë në heshtje

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se rasti i vdekjes së 35 vjeçares në Malishevë nuk do të kalojë në heshtje. Ai ka thënë se ndaj përgjegjësve do të ketë masa.

    Vitia ka shkruar se “ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit”.

    Ai ka thënë se në rast të evidentimit të shkeljeve penale, ato do të procedohen menjëherë në organet e drejtësisë.

    “Kam kërkuar me gjithë fuqinë që më jep ligji që të kontrollohet çdo hap e veprim i komisionit vlerësues që i paraprinë licencimit. Dhe çdo procedurë. Ndaj përgjegjësve, do të ketë masa”, ka shkruar ai.

    Ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy punonjës shëndetësorë në Komunën e Malishevës për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, pas vdekjes së një gruaje të martën.

  • Florian Tufallari sapo ka lansuar një super këngë të titulluar M‘kalle

    Florian Tufallari sapo ka lansuar një super këngë të titulluar M‘kalle

    Pas hiteve të një pas njëshme, Florian Tufallari vjen edhe me një tjetër hitë të titulluar M‘kalle, ku si bashkëpunëtorët e tij janë: Music: Sardi Mneri Lyrics: Saia Arrangement: Deyzoh & Sardi Solo: Alsked Rrënja Video: Dardha Studio.

    Floriani në boten e muzikës ka hy fuqishëm gjatë viteve të fundit, i cili me muzikë ka filluar të merret që nga fëmijëria dhe është çun nga Tirana.

    Gjatë karrierës dhjetëvjeçare ka sjell shumë bashkëpunime me këngëtar të skenës muzikore si: Ramadan Krasniqi ,Bardhi, Aida Doçi Landi Roko etj, me këngë ritmike dhe balada të bukura.

    Florian Tufallari është i angazhuar nëpër mbrëmje rinore dhe ahengje të shumta familjare. Ai premton se do të sjellë edhe shumë këngë te reja dhe bashkëpunime.

    Kujtojmë disa nga hitet e fundit te cilat titullohet ‘Ti ke lind për qejf’ në bashkëpunim me Landi Roko dhe Altin Tirona, ku numëron 12 milion klikime, Dilema me 14 milion klikime, Katile me 11 milion klikime etj., ku ende vazhdojnë të dëgjohen këngët e tij gjithë andej ku ka Shqiptar.

    Me poshtë mund te dëgjoni këngën e re.

  • Zelensky i pret dy mysafirë të lartë nga Bosnja, i falënderon për sanksionet ndaj Rusisë

    Zelensky i pret dy mysafirë të lartë nga Bosnja, i falënderon për sanksionet ndaj Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot ka pritur në takim anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, boshnjakun Denis Beqiroviq dhe kroatin Zhelko Komshiq.

    Përveç për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, Zelensky ata i falënderoi edhe për pjesëmarrjen në Platformën Ndërkombëtare të Krimesë.

    “Mirëprita Kryetarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Zheljko Komshiq dhe anëtarin e Presidencës Denis Beqiroviq në Ukrainë. Mirënjohës ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës për mbështetjen e Ukrainës, anëtarësimin në sanksionet e BE-së dhe pjesëmarrjen në Platformën Ndërkombëtare të Krimesë”.

    Sot mbahet Platforma Ndërkombëtare e Krimesë, një samit diplomatik i iniciuar nga Volodymyr Zelensky.

    Presidenti ukrainas gjatë vizitës në Athinë që e pati së fundi është takuar edhe me liderët tjerë nga Ballkani Perëndimor, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, presidentin e Malit të Zi dhe presidentin e Serbisë.