ATV

Blog

  • Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kurti feston Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Ballkonin e Qeverisë, flet për Zelenskyn

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla-Schwarz, mirëpritën sot qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në ballkonin e Qeverisë.

    Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit vlerësuan qëndrueshmërinë, vendosmërinë, por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vite pas shpalljes së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

    Në adresimin e tij, kryeministri tha se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

    “Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, tha kryeministri Kurti. Ai veçoi edhe takimin që pati të hënën në Athinë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa u shpreh me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe interesave të përbashkëta që kemi.

    Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti uroi gjithashtu herën tjetër e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus, ndërkohë tha se “jemi krenarë që ju kemi mirëpritur në vendin tonë dhe të lumtur që Kosova është shtëpia juaj e dytë”.

    Gazetarët ukrainas në këtë takim u shoqëruan edhe nga Kryetari i Associacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues së Qendrës Europiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari.

  • Gërvalla takon gazetarët ukrainas: Do të festojmë bashkë fitoren

    Gërvalla takon gazetarët ukrainas: Do të festojmë bashkë fitoren

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla tha se Kosova e dinë se çfarë nënkupton pavarësia.

    Sipas saj, gjithë qytetarët e Kosovës e kanë ndjerë agresionin dhe luftën.

    “Kjo ditë është histori, qëndresë dhe pavarësi. Ju e keni ndjerë vet, por do të mundohem të shpjegoj se pse ju jeni të veçantë. Unë isha e detyruar ta lë Kosovën, gjithçka që e kishim e lamë prapa. Ne ishim vetëm një familje, në mesin e mijëra familjeve. Ne jemi më të vogël se Ukraina, sa i përket agresionit ne e ndjemë në lëkurën tonë se si është të jesh target i agresionit. E dimë që historia juaj po mohohet”, tha ajo.

    Kështu u shpreh ajo në diskutimin me gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Journalists-in-Residence Kosovo”.

    Gërvalla shtoi se Kosova mbështet Ukrainën dhe është e bindur se do të fitojë.

    “Kosova qëndron me Ukrainën e re, dëshiron të ju mbrojë juve. Ukraina do të gëzojë sovranitetin dhe pavarësinë e plotë. Jam e bindur se do të festojmë bashkë me ju fitoren”, shtoi ajo.

  • Gjykimi për tentim vrasje për 30 euro borxh, njëri i akuzuar lirohet nga akuza, tjetrit i caktohet masë edukative

    Gjykimi për tentim vrasje për 30 euro borxh, njëri i akuzuar lirohet nga akuza, tjetrit i caktohet masë edukative

    Gjykata Themelore në Pejë e ka liruar nga akuza të akuzuarin Bujar Rexhaj për veprat penale të ricilësuara vrajse e mbetur në tentativë e kryer në mbrojtje të nevojshme si dhe lëndim i lehtë trupor. Ndërkaq, ndaj të miturit A.M për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, gjykata ka shqiptuar masën edukative: dërgim në institucionin edukativo-korrektues.

    Sipas aktgjykimit të përpiluar më 11 nëntor 2022, aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve ishte shpallur më 10 tetor 2022 nga gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj.

    Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Rexhaj ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se veprat penale në mbrojtjen e nevojshme nuk paraqesin vepër penale.

    Në aktgjykim, thuhet se masa ndaj të miturit A.M., shqiptohet në kohëzgjatje prej një viti, në të cilën masë llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 18 korriku 2020 deri më 2 qershor 2021.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, thuhet se është plotësuar kushti i parë, ku vërtetohet me faktin se i mituri A.M ka kryer veprën penale të rëndë për të cilën parashihet dënimi me burgim mbi pjesë vjet. Kurse, kushti i dytë ku parashihet dënimi që të miturit më parë i është shqiptuar masa edukative ose dënimi me burgim, nuk është plotësuar, por kjo nuk kishte ndikuar me rastin e marrjes së vendimit.

    Tutje, me arsyetim se kur kanë të bëjnë me të mitur të cilët kanë çrregullime të rënda të edukimit dhe kanë kryer vepër të rëndë penale edhe pa i plotësuar kumulativisht dy kushtet, mund të shqiptojë këtë masë edukative, ku në rastin konkret Gjykata erdhi në përfundim se kohëzgjatja e caktuar e masës së shqiptuar është duke marrë parasysh interesin më të mirë për të njëjtin.

    Shpenzimet e procedurës penale bien në mjete buxhetore të kësaj Gjykate, kurse i dëmtuari Rrahim Shpatollaj për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.

    Ndryshe, vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë është atakuar në Apel, mirëpo kjo e fundit ende nuk ka marrë vendim lidhur me rastin.

    Sipas aktgjykimit të Gjykatës së shkallës së parë, i akuzuari Bujar Rexhaj akuzohej për veprën penale të ricilësuar në vrasje e mbetur në tentativë e kryer në mbrojtje të nevojshme, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 12 të Kodit Penal dhe veprës penale të ricilësuar lëndim i lehtë trupor e kryer në mbrojtjen e nevojshme, nga neni 185, par. 2 lidhur me par.1, pika 14 dhe neni 12 të Kodit Penal.

    Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 15 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë e akuzonte të pandehurin Bujar Rexhaj për shkak të veprës penale të vrasjes të mbetur në tentativë ndaj të miturit A.M.

    Sipas aktakuzës, i akuzuar Rexhaj më 14 korrik 2020 në fshatin Dubravë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të miturin A.M për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një borxhi në vlerë prej afro 30 eurove, të cilin borxh pretendonte se i pandehuri ia kishte i mituri pasi që ia kishte shitur qenin.

    Sipas akuzës, pasi i pandehuri Rexhaj dhe i mituri nxjerrin thikat, i pandehuri e godet të miturin nëntë herë me thikë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Prokuroria e ngarkonte të pandehurin Rexhaj edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, se në përleshje e sipër, në momentin kur dëshmitari Rrahim Shpatollaj kishte ndërhyrë në mes për t’i ndarë, i pandehuri e godet me brisk edhe dëshmitarin Shpatollaj duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

    Prokuroria e Pejës të miturin e ngarkonte po ashtu me veprën penale të vrasjes së mbetur në tentative dhe ndaj tij kishte bërë propozim për shqiptimin e masës institucionale, dërgimin e tij në institucionin edukativo-korrektues.

    Sipas Prokurorisë, gjatë përleshjes e sipër mes të pandehurit Rexhaj dhe të miturit, ky i fundit e godet me thikë të pandehurin Bujar dy herë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

  • Mancini arrin marrëveshje me Arabinë Saudite

    Mancini arrin marrëveshje me Arabinë Saudite

    Roberto Mancini pritet të emërohet si trajner i kombëtares së Arabisë Saudite, duke fituar 30 milionë euro në vit deri në vitin 2026.

    Mancio papritmas dha dorëheqjen nga posti i trajnerit të Italisë vetëm dy javë më parë, duke bërë që FIGC të emërojë Luciano Spallettin si zëvendësues të tij.

    Sipas La Gazzetta dello Sport, Mancini ka arritur një marrëveshje me Federatën Saudite për t’u bërë trajner i kombëtares së tyre deri në Kupën e Botës 2026.

    Gazeta pretendon se Mancini do të fitojë rreth 30 milionë euro në vit për tre vitet e ardhshme dhe se zyrtarizimi pritet të vijë së shpejti, përcjellë KosovaPress.

    Arabia Saudite do të përfshihet në Kupën e Azisë në janar. Ata e kanë fituar trofeun tre herë në histori, por e fundit ishte në vitin 1996.

    Sipas raportit, Mancini së shpejti do të takohet me stafin e tij për t’u përgatitur për kapitullin e ri të karrierës së tyre. Atij mund t’i bashkohet legjenda e Interit , Lele Oriali, i cili ishte menaxher i ekipit të Italisë gjatë kohës së Mancinit në krye të Italisë.

  • Haradinaj uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: E kuptojmë më së miri luftën e popullit ukrainas

    Haradinaj uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: E kuptojmë më së miri luftën e popullit ukrainas

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Ukrainën me rastin e Ditës së Pavarësisë së saj.

    Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj e kuptojnë më së miri luftën e popullit të Ukrainës.

    “Kosova dhe populli i saj e kupton më mirë se kushdo tjetër luftën e popullit të Ukrainës për liri e për mbrojtje të shtetit, prandaj jemi rreshtuar përkrah botës demokratike në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, që sot me aq vendosmëri po i mbron populli ukrainas”, është shprehur Haradinaj.

    Urimi i plotë:

    Ukrainë, gëzuar Dita e Pavarësisë!

    Kosova dhe populli i saj e kupton më mirë se kushdo tjetër luftën e popullit të Ukrainës për liri e për mbrojtje të shtetit, prandaj jemi rreshtuar përkrah botës demokratike në mbrojtje të vlerave universale të lirisë, që sot me aq vendosmëri po i mbron populli ukrainas.

    Kur rrugët e lirisë dhe fatet janë të ngajshme, edhe urimet janë të përzemërta!

    Ukrainë, urime Dita e Pavarësisë e me fitore të reja drejt lirisë së plotë!

  • Begaj mesazh urimi Zelenskyt: Shqipëria qëndron e palëkundur ndaj integritetit territorial të Ukrainës

    Begaj mesazh urimi Zelenskyt: Shqipëria qëndron e palëkundur ndaj integritetit territorial të Ukrainës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka dërguar një telegram urimi homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyt për Ditën së Pavarësisë së Ukrainës.

    Begaj përmend marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe rithekson qëndrimin e palëkundur ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës.

    Ky urim i Begajt vjen në 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, e cila është duke u përballur me pushtimin nga ana e Rusisë.

    Ky është mesazhi i plotë i Begajt:

    “I nderuar Zoti President!

    Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.

    Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.

    Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.

    Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë”.

  • Për shkak të vapës së madhe, nxënësit në Gjenevë sot dhe nesër nuk janë të obliguar të shkojnë në shkollë

    Për shkak të vapës së madhe, nxënësit në Gjenevë sot dhe nesër nuk janë të obliguar të shkojnë në shkollë

    Nxënësit në Zvicër nuk kanë problem me libra as me sindikata, por me vapën. Viti i ri shkollor në Kantonin e Gjenevës ka filluar që nga e hëna e kaluar, por, për shkak të motit të nxehtë me temperatura të larta rreth 40 gradë Celcius, autoritet kantonale kane ndërmarrë masa preventive për të mbrojtur fëmijët nga kjo vapë njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Shkollat ​​do të vendosin rast pas rasti nëse do ta përdorin ose jo këtë masë.

    Për nxënësit e shkollave fillore, nëse nuk ka planifikuar lirim të përgjithshëm të nxënësve, udhëzimet mund të autorizojnë prindërit – veçanërisht nxënësit 1p dhe 2p – që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi “nëse mendojnë se kushtet e pritjes mund të jenë më të përshtatshme në shtëpi “sesa në shkollë. Megjithatë, të gjitha klasat dhe shkollat ​​mbeten të hapura dhe do të mund të strehojnë fëmijët.

    Për sa i përket ciklit të orientimit, departamentet thirren të vlerësojnë situatën e tyre rast pas rasti, veçanërisht në aspektin e infrastrukturës dhe personelit. Nëse e gjykojnë të nevojshme, mund të “vendosin për një lirim të pjesshëm të studentëve të enjten dhe/ose të premten pasdite. Kjo mund të ketë të bëjë me një cikël të tërë, një kat të vetëm apo edhe klasat më të ekspozuara”, specifikon DIP. Duhet të sigurohet një qëndrueshmëri dhe një pritje minimale në ndërmarrje.

  • Greqi/ I biri dhe nipat e rrahën pa mëshirë, 68-vjeçari qëndroi i lidhur dhe i mbuluar me gjak gjithë natën

    Greqi/ I biri dhe nipat e rrahën pa mëshirë, 68-vjeçari qëndroi i lidhur dhe i mbuluar me gjak gjithë natën

    Një 68-vjeçar është torturuar nga i biri 40-vjeç dhe dy nipat 23 dhe 17 vjeç brenda shtëpisë së tij në Amfilochia të Greqisë.

    I moshuari u dhunua nga familja e tij dhe më pas u grabit.

    Pas mosmarrëveshjeve financiare që patën ditën e hënë, të tre hynë në shtëpinë e 68-vjeçarit, e lidhën me litar dhe filluan ta rrihnin pa mëshirë me grushte dhe shkelma. Pasi ai hoqi dorë nga rezistenca, i biri dhe nipat kontrolluan shtëpinë, i morën 1700 euro, celularin e tij dhe u larguan duke i kyçur derën.

    68-vjeçari qëndroi i lidhur me litar gjatë gjithë natës, i mbuluar nga gjaku. Më pas arriti të zgjidhet nga litari dhe u hodh nga dritarja për të shkuar në polici. Pas kërkimeve, i biri dhe dy nipat e tij u arrestuan dhe u dërguan në Prokurorinë e Rrethit të Mesolongut me akuzën e grabitjes, plagosjes trupore, grabitjes dhe dhunës në familje.

    Top Channel

  • Sarandë/ “Vrau” dy turistë italianë me makinë, 17 vjeçari ishte pa patentë

    Sarandë/ “Vrau” dy turistë italianë me makinë, 17 vjeçari ishte pa patentë

    Shkak i aksidentit të rëndë që ka ndodhur në orën 03:00 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, që solli vdekjen e dy turistëve italianë, nga informacionet e para rezulon se ka shkaktar një 17 vjeçar shqiptar i cili drejtonte një Mercedes Benz pa patentë.

    Turistët që gjetën vdekjen po lëviznin me motor nga Ksamili në Sarandë. Shkak i aksidentit është bërë devijimi i korsisë nga mjeti Mercedes Benz që më pas është përplasur me motorin. Benzi po lëvizte nga Saranda drejt Ksamilit, por është gjetur në kahun e kundërt.

    Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë mbetur të shokuar, pasi kanë parë trupat e viktimave të copëtuara.

    “Horror, trupat e të vdekurve janë copëtuar. Aksident shumë i rëndë”, tha një prej tyre.

    Njoftimi i policisë

    Rreth orës 03:00 të datës 24.08.2023, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovor”, automjeti tip “Mercedes Benz”, me drejtues shtetasin E. R., 17 vjeç, është përplasur me një motomjet tip “Honda”.

    Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën shtetasi italian D. G., 24 vjeç dhe një shtetas tjetër, ende i paidentifikuar, që udhëtonin me motomjetin tip “Honda”.

    Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. R. është dërguar në spital, bashkë me shtetasin M. R., pasagjer në automjet.

    Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

  • Mbrojtja e Shalës: Shumë persona ngurruan të flasin me ne

    Mbrojtja e Shalës: Shumë persona ngurruan të flasin me ne

    Mbrojtja e Pjetër Shalës ka deklaruar se derisa kanë mbledhur provat në teren, kanë hasur në persona të cilët kanë ngurruar të flasin me avokatët lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në konferencën përgatitore për mbrojtjen, avokati Mohamed Hedi Aouini ka thënë se shumë individë fillimisht kishin pranuar të takoheshin por pastaj kanë refuzuar diçka të tillë.

    Nga mbrojtja është thënë se shumë takime i kanë zhvilluar të natyrës informale, meqë kjo ishte mënyra e vetme për të marrë përgjigje nga persona të caktuar.

    “Shumë individë fillimisht pranuan të takoheshin me neve pastaj refuzuan të takoheshin me ne dhe kur shkon, udhëton, në një vend tjetër, është goxha nervozuese që ti shkon atje dhe nuk mund të takohesh personat me të cilët ke rënë dakord paraprakisht. Sa herë që ne kemi organizuar takime jo formale duke i pyetur ata për gjërat që dinë dhe nuk dinë, e kemi konstatuar se kur nuk kemi mbajtur shënime kjo na ka bërë që të kishim mundësi të takoheshim edhe herë të tjerë me këta individë dhe që ata të mund të na ndihmonin me dëshmitë, me provat dhe me përvojën e tyre. Kjo është arsyeja se nuk kemi mbajtur shënime”, ka thënë avokati para trupit gjykues.

    Konferenca përgatitore për mbrojtjen po mbahet pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe avokati i viktimave kanë përfunduar paraqitjen e provave kundër Pjetër Shalës.

    Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.

    Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.