ATV

Blog

  • Digjet një “Audi A7” në Prishtinë, vetura ishte në pronësi të shtetases së Shqipërisë

    Digjet një “Audi A7” në Prishtinë, vetura ishte në pronësi të shtetases së Shqipërisë

    Sot në orët e para të mëngjesit të sotëm, në rrugën “C” në kryeqytetet është djegur një veturë e tipit “Audi A7”.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe të Zjarrfikësve, të cilët kanë lokalizuar zjarrin.

    Për këtë rast është deklaruar edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila tha se vetura e përfshirë nga zjarri, është djegur e tëra.

    “Sot rreth orës 04:30, është raportuar se në rrugën “C” në Prishtinë , një veturë është përfshirë nga zjarri, e cila është dëmtuar tërësisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, ka deklaruar Ahmeti.

    Tutje, Ahmeti shtoi se Policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave mbi rastin./ATVLIVE.TV/

    Më poshtë gjeni pamje nga vendi i ngjarjes:

  • Krasniqi: Serbia e përfshirë në sulmin terrorist në veri, të intervenojnë aleatët

    Krasniqi: Serbia e përfshirë në sulmin terrorist në veri, të intervenojnë aleatët

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e Kuvendit, ka thënë se të dielën, Republika e Kosovës u përballë me një sulm terrorist diversant, të orekstruar nga shteti serb, raporton Ekonomia Online.

    Prandaj, sipas tij, para se gjithash, nuk mund të flitet për betejat e brendshme politike sepse kanë një temë më të rëndësishme përpara: Kosovën.

    “Kosova, kolegë të nderuar, sot është nën sulm dhe ne, të gjithë, pa përjashtim, duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona. Mposhtja e grupit terroristë në Banjskë nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës – që është destabilizimi i skajshëm i saj”, ka thënë kryetari i PDK-së.

    Lideri i PDK-së ka thënë se është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd.

    “Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

    Ai ka thënë se sot, para se gjithash, është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve të cilët planifikuan dhe realizuan sulmin terrorist mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt, kërkoj mbështetjen e plotë të aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata.

    “Dorëzimi i terroristëve nga ana e shtetit serb, me në krye kriminelin Millan Radojçiq tek autoritetet kosovare duhet të jetë hapi i parë në rrugën përpara. Ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që kanë realizuar në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku, meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale të sigurojmë që përgjegjësit të përballen me pasojat”, ka thënë Memli Krasniqi.

    Ai ka thënë se në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha.

    “Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë. Objektivi ynë është të mbrojmë atdheun tonë dhe të garantojmë sigurinë e çdo qytetari kosovar – pa dallim feje apo etnie. Prandaj, në këtë periudhë, është thelbësore që të gjithë faktorët politikë, posaçërisht ata shqiptarë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të qëndrojnë së bashku në mbështetje të vendit tonë”, ka thënë lideri i opozitës.

    Memli Krasniqi ka thënë se do të vijë edhe një kohë për beteja të brendshme, por sot është koha për solidaritet.

    “Si parti shtetndërtuese dhe shtetformuese, PDK është e përkushtuar që interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj t’i vë mbi gjithçka”, ka thënë ai.

    Krasniqi u ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nisë një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist mbi Kosovën. Ne tashmë jemi të bindur – por duam që me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare.

    “Pa u zbardhur e vërteta e plotë e këtij rasti dhe Serbia të marrë dënimin e merituar, Serbia nuk mund të jetë palë as e dashur dhe as e besuar për asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që Bashkësia Ndërkombëtare të njohë agresionin e vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenoj integritetin dhe sovranitetin tonë territorial” ka thënë Krasniqi.

    Në fund të fjalimit të tij, Krasniqi ka shprehur respektin e tij për organet e sigurisë së vendit, posaçërisht për Policinë e Kosovës.

  • Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku

    Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën plenare me një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Parlamenti mblidhet për herë të parë pas aktit terrorist të së dielës nga grupet terroriste serbe në veri të vendit.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që të nderojnë heroin Afrim Bunjaku.

    “Në emër të Kuvendit të Kosovës dhe të grupeve parlamentare të kërkoj që ta mbajmë një minutë heshtje për rënien e heroit tonë, Afrim Bunjaku, për rënien e rreshterit të Policisë së Kosovës, në detyrë”, tha ai.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar disa persona. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës, ku terroristët ishin strehuar.

  • Petkoviq: Pse EULEX-i nuk u lejua të marrë pjesë në hetimin në Banjskë?

    Petkoviq: Pse EULEX-i nuk u lejua të marrë pjesë në hetimin në Banjskë?

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka folur sërish për sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    Ai në rrjetin social X (Twitter) ka pyetur se pse siç tha “Policia e Kosovës nuk lejoi pjesëmarrjen e EULEX-it në operacionin hetimor në Banjskë?”

    “Pse Policia e Kosovës nuk e lejoi pjesëmarrjen e EULEX-it në operacionin hetimor të qytetit të Banjskës? Pse ishte e nevojshme që policia e Kosovës ta kryente vetë hetimin, pa praninë e hetuesve të EULEX-it? Çfarë është ajo që duhet të fshihej në hetim?”, tha ai.

    Në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

  • Ndërtohet tribuna e re në stadiumin e Flamurtarit

    Ndërtohet tribuna e re në stadiumin e Flamurtarit

    Klubi i Futbollit Flamurtari është bërë më një tribun të re në stadiumin ku i zhvillon ndeshjet.

    Tribuna e re është ndërtuar me kapacitet pre 1500 ulëseve dhe mundëson akomodim shumë më të rehatshëm për adhuruesit e futbollit.

    Në fotot e publikuara nga Kryetari i Prishtinës Përparim Rama shihet tribuna e re e ndërtuar në këtë stadium.

    Flamurtari është skuadër e cila në këtë edicion garues bënë pjesë në grupin B të Ligës së Parë.

  • Do të lëshohet urdhëresë për shoqërim ndaj Shukri Bujës, shtyhet sërish seanca e rigjykimit në rastin “Veteranët”

    Do të lëshohet urdhëresë për shoqërim ndaj Shukri Bujës, shtyhet sërish seanca e rigjykimit në rastin “Veteranët”

    Në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”. Ndaj tij, do të lëshohet urdhëresë për shoqërim.

    Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Lidhur me mungesën e Bujës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri bëri të ditur se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, mbrojtësi i tij i angazhuar sipas detyrës zyrtare, avokati Fadil Jashari tha se i mbrojturi i tij nuk ka qasje në telefon.

    Në këto rrethana, gjykatësi Bahtiri tha se për Bujën do të lëshohet urdhëresë për shoqërim.

    Po ashtu, i njëjti ka obliguar mbrojtësit sipas detyrës zyrtare që të pajisen me shkresa të lëndës nga të pandehurit, e në rast se ata nuk i posedojnë atëherë të paraqiten në Prokurori në mënyrë që seancat e radhës të mos shtyhen.

    Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua të mbahet më 31 tetor 2023.

    Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.

    Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar.

    Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza.

    “Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit A.Ç., N.L., S.H., Sh.D., Q.G., Sh.B., A.D., Rr.B., F.F., S.E., F.Sh. dhe Xh.J., janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1. lidhur me nenin 31 të KPRK“, thuhej në aktgjykim.

    Ndryshe, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Gjykata e Apelit në arsyetimin e vendimit ka theksuar se ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në rastin ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

  • Kurti: Serbia e përkushtuar të shkatërroj ura, Policia ka treguar vendosmëri për rend e qetësi

    Kurti: Serbia e përkushtuar të shkatërroj ura, Policia ka treguar vendosmëri për rend e qetësi

    Kryeministri Albin Kurti, tha se pas sulmit terrorist në veri është dëshmuar se Seria është e përkushtuar që të shkatërroj ura të bashkëpunimit, e jo të kontribuoj në ndërtimin e tyre, raporton Ekonomia Online.

    Në shënimin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, kreu i Qeverisë, shtoi se Policia e Kosovës ka treguar se ka dashur rend e qetësi duke treguar vendosmëri.

    Sipas tij, rreshteri i vrarë, Afrim Bunjaku, ka rënë në mënyrë heroike, duke treguar se e ka dashur shtetin para se gjithash.

    Kurti në këtë ceremoni pohoi se Qeveria është e vendosur për shtet të së drejtës e të barabartë për të gjithë, për çka e falënderoi komunitetin boshnjak për kontributin.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarave të fundit, sulmi terroristë në veri ka treguar për pohimet tona të para hershme. Kjo tregon përkushtimin e Serisë që të shkatërrojë ura, e jo t’i ndërtojë ato. Policia ka treguar vendosmërinë dhe ka treguar se ka dashur rend e qetësi. Polici ynë Afrim Bunjaku ka rënë në mënyrë heroike ka humbur jetë, duke treguar që dashura për shtetin është para të gjithave”.

    “Mundohemi për jetë të përbashkët e të gjitha komunisteve e barazi për të gjithë. Jemi falënderues ndaj komiteti boshnjak që ka kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë dhe marrin pjesë ne nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme. Qeveria është e përkushtuar në sundimin e ligjit në luftën kundër kriminaliteti. Kjo është tregues që kjo shoqëri mund të arrijë. Nuk mund të ketë demokraci pa të drejta të njeriu, e pa sundim të ligjit. Ne përkujdesemi për të gjithë qytetarët. Kemi ndarë 3 milionë euro për komunitet”.

  • Sulmi terrorist, Vrajolli: Rreziku më i madh që nga paslufta, u ndihmua nga qarqe serbe

    Sulmi terrorist, Vrajolli: Rreziku më i madh që nga paslufta, u ndihmua nga qarqe serbe

    Drejtori ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, vlerëson se ngjarja e rëndë që ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic e të plagosur dy të tjerë, është më e rrezikshmja që ka pasur vendi që nga paslufta e tutje.

    Në një intervistë për KosovaPress, Vrajolli thotë se ka qenë përgjegjësi e KFOR-it të ruajë atë pjesë të vendit, sipas tij ky i fundit ka qenë një ndërmjetësues në këtë rast.

    Derisa thotë se e gjitha ishte organizim nga qarqe të ndryshme serbe, ai thekson se edhe qasja e butë ndaj Perëndimit karshi Serbisë ka ndikuar në këtë mes.

    “Kjo mund të konsiderohet një ndër trazirat që ka pas Kosova edhe pas luftës, ndoshta jo në nivel të njëjtë me atë të 2004-ës për faktin se ka pasur tendencë të hapur dhe të strukturuar për të vënë në risk komplet rendin ligjor, kushtetues të Republikës së Kosovës”, thekson ai.

    Ndonëse, Manastiri i Banjskës u distancua nga aktet e grupit që sulmuan në veri, Vrajolli thotë se një ndihmë në këtë organizim erdhi edhe nga pjesa serbe e kufirit.

    “Kjo që ka ndodhur është ndihmuar nga shumë qarqe të ndryshme. Është çështje e PK-së t’i identifikojë se kush brenda Kosovës i ka mbështetur ato. Sipas të gjitha gjasave një ndihmë e madhe ka ardhur edhe nga ana tjetër e kufirit, në pjesën serbe të kufirit. Kështu, është pak më e vështirë që të mblidhen të dhëna nga PK, megjithatë institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë me vendosmëri që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë një trysni të madhe në raport me Serbinë, që të jetë bashkëpunuese e plotë në zbardhjen e këtij incidenti. Pasi, mendoj që edhe për komunitetin ndërkombëtar është me rëndësi të zbardhet ky incident, për shkak se ka pasur tendencë të pastër për të destabilizuar jo vetëm Kosovën por edhe ndoshta rajonin në përgjithësi”, vijon Vrajolli.

    Me publikimin e disa videove ku shihen terroristët serbë teksa ikin malit nga Manastiri i Banjskës, janë rritur zërat se KFOR-i mund të ketë qenë ndërmjetësues.

    E një gjë të tillë nuk e mohon drejtori i QKSS-së.

    “Si duket ka pasur një negocim të brendshëm me këtë grupin që ka qenë i përfshirë, me gjasë KFOR-i ka qenë një ndër ndërmjetësuesit, nuk është thënë asgjë publike, megjithatë nga prononcimet e këtij grupit të pelegrinëve të cilët kanë qenë të ngujuar gjatë periudhës sa ka zgjatë kjo trazirë. Disa nga ta ishin prononcuar se KFOR-i kishte qenë brenda dhe i kishte identifikuar këta pelegrinët në kohën kur këta pjesëtarë të armatosur edhe më tutje gjendeshin brenda manastirit dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në raport me grupin, por me gjasa ky ka qenë momenti kur është negociuar me këta persona”, thotë Vrajolli.

    Vrajolli thotë se KFOR-i ka përgjegjësinë më të madhe në veri të vendit.

    “Përgjegjësia duhet të gjendet në të gjitha institucionet e sigurisë. Dhe një ndër institucionet e sigurisë që ka një rol më të madh në pjesën veriore është KFOR-i. Policia e Kosovës ka nevojë për asistencë shtesë, sidomos sa i përket ruajtës së kufirit, në këtë rast mendoj KFOR-i këtë përgjegjësi duhet të ushtrojë në mënyrë më të përpiktë”, thotë mes tjerash Vrajolli.

    Sipas tij, qasja e Perëndimit ndaj Serbisë duhet të ndryshojë.

    “Në situatën e fundit është vërejtur qartë se Serbia ka qenë në një pozicion më të favorshëm sesa Kosova në raport me ndërkombëtarët, për faktin se shumë veprime që do duhej të konsideroheshin si të pa tolerueshme, komuniteti ndërkombëtar nuk i ka trajtuar si të tilla”, përfundon ai.

    Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa polici tjetër Alban Rashiti dhe një tjetër kanë mbetur të plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

    Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.

    Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

  • Humb jetën tragjikisht punonjësi i NPL “Higjiena” në Deçan

    Humb jetën tragjikisht punonjësi i NPL “Higjiena” në Deçan

    Punonjësi i Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Higjiena’ në Deçan, Xhavit Alaj, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident.

    Lajmin e ka bërë të ditur kjo ndërmarrje përmes një postimi në rrjetin social Facebook, teksa u kanë shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolgëve.

    Për vdekjen e punëtorit, ka reaguar edhe kryetar i Deçanit.

    “Me keqardhje mora lajmin për vdekjen aksidentale të punëtorit të Ndërmarrjes Publike Lokale “Higjiena“, Xhavit Alaj. Shprehim ngushëllime familjes Alaj, miqve dhe gjithë kolegëve e bashkëpunëtorëve të NPL “Higjiena” në Deçan! I përjetshëm qoftë kujtimi për të” , ka shkruar Ramosaj në Facebook.

  • Parashikimi i motit për Kosovë dhe rajon

    Parashikimi i motit për Kosovë dhe rajon

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht i kthjellët dhe vranësira të herëpashershme gjatë pasdites.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjakova me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 25 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 8 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 25 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 8 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 30 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta gjeni në videon e mëposhtme: