ATV

Blog

  • Bislimi priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Bislimi priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

    Fillimisht, Ambasadori Angılı shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit Afrim Bunjaku, Policinë dhe popullin e Kosovës. Ai tha se Turqia e mbështet Kosovën në këtë moment të vështirë pas këtij sulmi.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Ambasadorin për mbështetjen dhe mesazhin e tij. Ai e informoi atë më tej mbi sulmin terrorist të së dielës, duke thënë se ishte i orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar.

    Tashmë ka prova të mjaftueshme që faktojnë përfshirjen e Serbisë në këtë sulm, nga prezenca e nënkryetarit të Listës Serbe, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë e strehimi i terroristëve në Serbi. Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës.

    Më tej, palët diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

  • BE-ja thotë se po presin hetimet e plota para se të marrin masa ndaj Serbisë

    BE-ja thotë se po presin hetimet e plota para se të marrin masa ndaj Serbisë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Peter Stano, ka deklaruar se qëndrimi i bllokut evropian është i qartë se të dielën në Banjskë u krye sulm terrorist.

    Gjatë një konference për media, Stano ka thënë se BE-ja po pret të kryhen hetimet e plota, para se të ndërmarrë ndonjë masë.

    “Dua ta përsërisë qartë pozitën e BE-së për atë që ndodhi të dielën. Ky ishte sulm terrorist dhe ai duhet të hetohet, e përgjegjësitë duhet të sillen para drejtësisë. Të gjithë që janë të përfshirë apo që mund, janë të obliguar të bashkëpunojnë në mënyrë që të sigurohet që ky sulm të hetohet plotësisht dhe ata që e kanë planifikuar, që e kanë ekzekutuar apo që ishin prapa të sillen para drejtësisë. Këtë pozicion BE-ja e ka përsëritur disa herë”, ka thënë Stano.

    Njëherit, Stano është pyetur se a ka ndonjë marrëveshje ku policëve shqiptarë të Kosovës nuk u lejohet hyrja në veri.

    “Nuk komentojmë çdo deklaratë, çdo interpretim në lidhje me atë çfarë ka ndodhur. Ne kemi një situatë shumë serioze. Por, ne nuk angazhohemi me partnerët në rajon nëpërmjet kanaleve publike. Nëse kemi diçka për të thënë u themi direkt partnerëve tanë. Të gjithë kanë obligime e dinë shumë mirë se se çfarë prejt BE-ja. Kur shtetet anëtare t’i kenë të gjitha informacionet, më pas do të vendosin nëse duan të reagojnë ndan ndonjë deklarate, interpretimi apo se si do të reagojnë në lidhje me ata që zbulohen se ishin fajtorë për sulmin”, ka thënë Stano.

  • Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Kuvendi i Kosovës me 97 vota për ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Pas koordinimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, tekstin e rezolutës e paraqiti kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ku mes tjerash kërkohet nga faktori ndërkombëtar të ballafaqojë Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë këtij grupi.

    Aty i ofrohet mbështetje Policisë së Kosovës për ushtrimin e detyrave të saja në tërë territorin e Kosovës.

    Po ashtu i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që të punojë me aleatët ndërkombëtarë, si dhe kërkohet nevoja për një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë në lidhje me organizimin e aktiviteteve terroriste.

    “Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë që po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin tonë shtetëror për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetin në rajon, të vendosur që Republika e Kosovës që të jetë vend i lirë dhe demokratik dhe atdhe i qytetarëve të saj të cilëve iu garantohen të drejtat, liritë dhe barazia ndaj ligjit. Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje që cenon, rrezikon dhe sulmon rendin kushtetues të Kosovës, Kuvendi i Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist mbi Policinë e Kosovës me datë 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizim dhe mbështetjen e çfarëdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës. Vlerëson punën dhe angazhimin e rezultateve të jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe institucioneve partnere të sigurisë EULEX dhe KFOR për t’i zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia”, tha Konjufca.

    Në këtë rezolutë po ashtu theksohet nevoja për pluralizëm politik në komunitetin serb në Kosovë.

    REZOLUTA E PLOTË:

    – Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

    – Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

    – Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

    – Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

    Kuvendi i Republikës së Kosovës

    1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

    2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

    3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

    5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

    6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

    7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.

  • Kështu ishte planifikuar gjithçka nga terroristët serb, detajet e planit i tregon gazetari Jashari

    Kështu ishte planifikuar gjithçka nga terroristët serb, detajet e planit i tregon gazetari Jashari

    Fshati Banjskë në Komunën e Zveçanit është hapur dje për qarkullim, pas përleshjes së armatosur që ndodhi atje të dielën, më 24 shtator, mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur, terrorist serb, me ç’rast mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe dy pjesëtarë tjerë mbetën të lënduar. 

    Mirëpo, pesë ditë pas këtyre ngjarjeve, situata në veri të Kosovës po raportohet e qetë, ani pse, gjurmë të shumta kanë mbetur pas në këtë fshat. Ishte pikërisht Manastiri Ortodoks i Banjskës dhe objektet përreth tij, që u përdor si vendstrehim nga grupi terrorist, pasi vranë policin Bunjaku.

    Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre. Ato madje e kanë publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar dhe të veshur me uniforma, i cili po ashtu kërkohet nga autoritetet e Kosovës, për disa vepra penale.

    Gazetari i ATV-së Fatlum Jashari në një lidhje direkte për emisionin “A LIVE”, ka treguar detajet e planit të këtij sulmi./atvlive.tv/

    Raportimin e plotë të gazetarit Jashari e gjeni në videon e mëposhtme:

     

  • Eskalon dhuna në Suedi, tre të vrarë nga një shpërthim e dy sulme me armë brenda disa orëve

    Eskalon dhuna në Suedi, tre të vrarë nga një shpërthim e dy sulme me armë brenda disa orëve

    Tre persona u vranë gjatë natës së kaluar në tri incidente të ndara në Suedi, përderisa eskaloi dhuna e ndërlidhur me një përplasje mes bandave kriminale.

    Të mërkurën vonë, një djalë 18-vjeçar u qëllua për vdekje në periferi të Stokholmit. Disa orë më vonë, një burrë u vra dhe një tjetër u plagos nga të shtënat në Jordbro, në jug të kryeqytetit suedez, raporton agjencia “Associated Press”.

    Të enjten herët, një grua në të njëzetat vdiq nga një shpërthim në Uppsala, në perëndim të Stokholmit. Shpërthimi dëmtoi pesë shtëpi dhe po trajtohet nga policia si rast i vrasjes. Mediat suedeze raportuan se gruaja që vdiq me gjasë nuk ishte në shënjestër.

    Televizioni suedez, SVT, theksoi se dy rastet fatale të të shtënave e kanë çuar në 11 numrin e të vdekurve nga dhuna me armë, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës nga të shtënat që nga fillimi i mbajtjes së statistikave nga policia më 2016.

    Nuk qe e ditur nëse të shtënat ose shpërthimi ishin të ndërlidhura mes vete, por mediat suedeze thanë se dy prej tri ngjarjeve ishin disi të lidhura me përplasjen mes grupeve kriminale, problem në rritje në Suedi, ku janë regjistruar shumë të shtëna e shpërthime.

    Tre persona janë ndaluar nën dyshimin për bashkëfajësi në të shtënat fatale në Jordbro. Policia tha se dy persona janë arrestuar për shpërthimin në Uppsala, i cili ishte aq i fortë, saqë fasadat e dy shtëpive kishin rënë në tokë.

    Më herët këtë javë, dy shpërthime të fuqishme ndodhën në ndërtesa banimi në pjesën qendrore të Suedisë, duke lënë të paktën tre të lënduar e duke dëmtuar ndërtesa.

  • ​Superkupa e Femrave në basketboll zhvillohet në Prizren

    ​Superkupa e Femrave në basketboll zhvillohet në Prizren

    Sot është nënshkruar marrëveshja mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe KBF Bashkimit për organizimin e Superkupës së Femrave.

    Marrëveshja është nënshkruar nga Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci dhe Përfaqësuesi i Klubit të Bashkimit femra, Rrahman Përteshi.

    Rraci ka ofruar përkrahjen nga FBK për këtë organizim që të shkojë si është më së miri, ndërsa Përteshi ka premtuar se do të bëjnë çmos, që edhe ky organizim në Prizren të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm.

    Si Rraci, ashtu edhe Përteshi, kanë bërë thirrje për tifozët që të vijnë në numër sa më të madh për të përkrahur klubet e tyre dhe basketbollin e femrave.

    Superkupa e Kosovës në basketboll te femrat do të mbahet më 2-3 Tetor në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Në këtë garë do të luajnë Prishtina me Penzën dhe Bashkimi me Trepçën.

    Finalja do të zhvillohet të mërkurën nga ora 17:00.

     

  • Kurti kërkon ekstradimin e sulmuesve që kanë ikur në Serbi

    Kurti kërkon ekstradimin e sulmuesve që kanë ikur në Serbi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ekstradimin e sulmuesve që kanë ikur në Serbi.

    Përveç tyre, Kurti ka thënë se të gjithë sulmuesit tjerë ose janë vrarë, ose janë arrestuar, raporton Ekonomia Online.

    Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ai ka kërkuar që Serbia të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare, sepse në të kundërt, ajo do të vazhdojë njësoj.

    “Të dielën përjetuam një sulm agresor nga bandat kriminale të Serbisë ndaj shtetit demokratik. Sulmi i organizuar nga bandat terroriste la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Ishte ditë e rëndë për vendin tonë. Policisë do t’i mungojë një pjesëtar e do ti mungojë edhe familjes së tij”, tha Kurti.

    “I vetmi polic që u vra ishte ai që u zu në prit. Ata u vranë ose u arrestuan ose po përndiqen. Kishte sulm terrorist që cenoi sovranitetin dhe sigurinë kombëtare. Sulmuesit që ikën, duhet të ekstradohen. Organizata ‘Mbrojtja Civile’ duhet të shpallet organizatë terroriste edhe nga vendet tjera në rajon, siç vepruam ne”.

    “Serbia duhet të ndëshkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe nëse nuk e bën këtë, ajo mund ta përsëris këtë gjë”.

    Kurti ka përmendur edhe armët që janë gjetur në këtë aksion, duke thënë se të gjitha janë të prodhuara në Serbi.

  • Bislimi takoi shefin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Nuno Queiros

    Bislimi takoi shefin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Nuno Queiros

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim shefin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros.

    Në këtë takim palët diskutuan mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, ku Queiros shprehu vullnetin e gatishmërinë për mbështetje ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e vlerësoi kontributin kyç të misionit të UNDP-së në Kosovë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Ai foli mbi objektivat e programit qeveritar që janë punë dhe drejtësi, si plotësuese të njëra tjetrës, punën e zhvilluar në këtë drejtim dhe mbështetjen në përmbushje të objektivave të agjendës zhvillimore të Kosovës.

    Aspekt i rëndësishëm është dhe vëmendja e veçantë e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit e reforma thelbësore sa i përket sistemit të drejtësisë. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje dhe për rolin e UNDP-së në fuqizimin e grave dhe mbështetjen e iniciativave. Po ashtu shprehu dhe interesin tonë në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të të gjithë minoriteteve në Kosovë, pa dallim, si shtet multietnik e gjithëpërfshirës.

    Queiros përmendi rëndësinë e investimit për trajnime sidomos për të rinjtë, bizneset e sipërmarrësit e rinj dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për punësim, për të kapitalizuar maksimalisht dijen e përvojën e përfituar.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi shefin e UNDP në Kosovë, Nuno Queiros për takimin, bisedën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.

  • Rama për sulmin terrorist në veri: Çfarë hetimi pret BE-ja? Të dënojë sjelljen e Serbisë

    Rama për sulmin terrorist në veri: Çfarë hetimi pret BE-ja? Të dënojë sjelljen e Serbisë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një konference për media në Tiranë tha se për herë të parë në 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi insistoi në një deklaratë të dytë për sjelljen e Beogradit zyrtar pas ngjarjeve në veri ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    “Jemi përpjekur qysh pardje që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike në ditët e fundit. Vrasjen e efektivit dhe shpalljen e zisë kombëtarë të serbëve që shkëmbyen zjarr me policët në veri. Miqtë në Bruksel na thanë se nuk ishte e mundur diçka e tillë, sepse deklarata në fakt që dhanë dje nga unioni pas takimit të dështuar të Vuçiq dhe Kurtit në Bruksel. Ne thamë se s’kemi ndonjë rezervë me deklaratën në vetvete, por njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë, sipas nesh, që ndikimi i kësaj deklarate duhej të bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej pa humbur kohë, nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme në veri të Kosovës. Na u tha se nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë aprovimin e vendeve anëtare dhe pritej të linjëzohej edhe Shqipëria. Përgjigja jonë ishte negative dhe nuk u pëlqye”, tha Rama.

    Sipas tij, qëndrimi nuk ndryshon dhe Shqipëria është gati të linjëzohet sapo të dalë deklarata që presin.

    Rama tha se BE ka thënë se po pret hetime për të lëshuar një deklaratë ndërsa kritikoi Serbinë që shpalli ditë zie për terroristët e vrarë.

    “E dëgjuam me shumë vëmendje edhe prononcimin e djeshëm të zëdhënësit të Brukselit i cili tha se nuk mund të ketë një deklaratë tjetër pa pritur rezultatet e hetimit si ka rrjedhur ngjarja e Banjskës. Serbia duhet të kishte deklaruar hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur. U provokua nga grupi kriminal serb dhe jo nga policia e Kosovës. Çfarë hetimi pret BE-ja. Nuk e dëgjova zëdhënësin e BE-së ta thotë diçka të tillë. Nuk besoj se BE do të pranonte rezultatet e një pale të sulmuar. Ata që e provokuan ngjarjen ishin serbë. Forcat e Kosovës shkuan që mos të përshkallëzohej situata. Duke e dimë nëse BE ka angazhuar ndonjë mekanizëm në këtë drejtim. Ajo që në kërkuam në komunikimin me miqtë në Bruksel nuk është rezultati i një hetimi që është i mirëseardhur, por hetimi i vrasjes së një polici nga një grup kriminal. Dënimi i aktit absurd të ndermit kombëtar të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake”, tha Rama.

  • AAK-ja kërkon hetim ndërkombëtar, e mbështet rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri

    AAK-ja kërkon hetim ndërkombëtar, e mbështet rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri

    Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës ku dënohet sulmi terrorist i së dielës në Kosovë, të përfshihet edhe një hetim ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.

    Ai pati edhe kritika ndaj Qeverisë Albin Kurti për qasje ndaj ndërkombëtareve.

    “Ajo që ndodhi të dielën ishte sulm terrorist i sponzorizuar prej Serbisë. Ky sulm terrorist e morën përgjigjen më të mirë që kishin mundur ta merrnin. Një rezolutë që e dënon sulmin terrorist është mëse e nevojshme dhe kërkoj të përfshihet edhe një hetim ndërkombëtar”.

    “E vërtet që kjo fitore e ka sakrificën e vetë. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Pse ndodhi kështu. Duhet të kthehemi në kohë. Serbia ka sponsoziruar këtë sulm terrorist dhe po mundohet të zvarris çdo proces euroatlantik”.

    “Zhvillimet në dialog kanë shkuar për fajin e këtij njeriu (Albin Kurti). Ata i kanë vrarë edhe fëmijët e vet për t’u lënë fajin shqiptarëve. E keni rastin ‘Panda’”, tha Haradinaj.