ATV

Blog

  • Dështon të fillojë rigjykimi për rastin e “Veteranëve të rrejshëm”

    Dështon të fillojë rigjykimi për rastin e “Veteranëve të rrejshëm”

    Përgatiti: Nora Luta

    Janë përpjekjet e të pranishmëve në sallën e gjykimit për të kuptuar nëse Shukri Buja, njëri prej të akuzuarve në rastin e Veteranëve, do të jetë prezent në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Kryetari i trupit gjykues ofron kohë, por edhe pas më shumë se 20 minutave, Buja, ndryshe nga të akuzuarit Ahmet Daku e Nuredin Lushtaku, nuk paraqitet në sallë, për çka Gjykata detyrohet të marrë një vendim.

    Në mungesë të Bujës, siç edhe e përcakton Kodi i Procedurës Penale, seanca ku pritej të fillojë rigjykimi në këtë rast ku po akuzohen për keqpërdorim me listat e veteranëve, Agim Çeku, Rrustem Berisha, Xhavit Jashari e të tjerë, dështoi.
    Megjithatë, mbrojtja u ankua se nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, por kjo u kundërshtua nga Prokuroria Speciale.

    E vetë Faik Fazliut nuk i kujtohet ku i ka shkresat, të cilat Prokuroria ia ka dorëzuar qysh në vitin 2019. Deklaratat kundërthënëse të tij, e shtynë trupin gjykues për tjetër paralajmërim.

    Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim me listat e veteranëve Çekun e të tjerët, por nga marsi i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk ka arritur të mbahet asnjë seancë.

    Apeli kishte gjetur më shumë se dhjetë vërejtje në aktgjykimin e Themelores, përfshirë se nuk ishin administruar si prova dëshmitë e të akuzuarve në prokurori, dhe ka kërkuar që të administrohen aplikacionet e 19 mijë e 500 personave që pretendohet se përfituan rrejshëm statusin e veteranit.

    Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.

  • ​Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    ​Miratohet rezoluta, Kuvendi dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Seanca e së enjtes e Kuvendit filloi me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunjaku.

    Bunjaku u vra në detyrë pas sulmit të një grupi të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Basnjkë të Zveçanit.

    Duke e dënuar këtë sulm të 24 shtatorit, deputetët miratuan një rezolutë sipas së cilës, përpos që dënohet ky sulm, përmendet edhe nevoja për hetim ndërkombëtar lidhur me rolin e mundshëm të shtetit serb.
    Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Veç kësaj, ndaj Serbisë u kërkua të vendosen sanksione.

    “Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin. Kërkojmë që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës”, tha Kurti.

    Mbështetje të parezervë Rezolutës i dhanë edhe partitë opozitare.

    Rezoluta e votuar u përpilua në bashkëpunim të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend.

    Njëkohësisht sulmin e së dielës ndaj Policisë e ka dënuar edhe bashkësia ndërkombëtare, duke bërë thirrje që fajtorët të përballen me drejtësi.

  • DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

    DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

    Kështu ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller, për REL.

    Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.

    Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.

    Sulmuesit e dyshuar – që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30 – u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.

    Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.

    Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

    Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.

    Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin në veri.

    Radoiçiq – që është nën sanksione amerikane – sipas presidentit serb do të merret në pyetje nga organet kompetente serbe.

  • MPJ: Një shtetas i Kosovës është gjetur i vdekur në territorin e Serbisë

    MPJ: Një shtetas i Kosovës është gjetur i vdekur në territorin e Serbisë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, është njoftuar se një shtetas i Kosovës, është gjetur pa shenja jete në territorin e Serbisë.

    Rrethanat e vdekjes së tij nuk janë sqaruar ende krejtësisht, mirëpo nga informacionet e deritanishme nuk ka indikacion për një vdekje të shkaktuar nga ana e autoriteteve serbe.

    ”Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe veprimet e duhura sa i përket riatdhesimit të trupit të pajetë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e viktimës për t’i ofruar atyre m

    Një 19-vjeçar nga Kosova është therrur me thikë në kufirin Kroaci-Serbi. Pas plagëve të marrë ai ka gjetur vdekjen. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Batrovc.

  • Dy asambleistët e Listës Serbe në Obiliq mbajnë një minutë heshtje për rreshterin Afrim Bunjaku

    Dy asambleistët e Listës Serbe në Obiliq mbajnë një minutë heshtje për rreshterin Afrim Bunjaku

    Dy asambleistët e Listës Serbe Radomir Ristiç dhe Biljana Spasiç, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal në Obiliq, kanë mbajtur një minutë heshtje për rreshterin e rënë në dëtyrë, Afrim Bunjaku, raporton ATV.

  • Vuçiq kërkon tërheqjen e Policisë nga veriu i Kosovës

    Vuçiq kërkon tërheqjen e Policisë nga veriu i Kosovës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës.

    Kjo thirrje e liderit serb vjen në kohën kur autoritetet e sigurisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është rritur prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore.

    Pjesëtarë policorë në Banjskë të Zveçanit më 27 shtator 2023.

    Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen, në Beograd më 28 shtator i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar “lëvizjet e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të Prishtinës” dhe “të mbrojnë popullatën serbe”, njoftoi Presidenca serbe.

    Vuçiq e cilësoi situatën në Kosovë si “më të ndërlikuarën dhe më të rrezikshmen deri më tani” dhe shtoi se ngjarjet e 24 shtatorit janë “treguesi më i qartë i qëllimeve të Prishtinës për të parandaluar çdo marrëveshje me Beogradin”.

    Sipas presidentit serb, shteti i tij “është i gatshëm të punojë në vazhdimin e dialogut e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

    Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

    Grupi i armatosur – që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash – më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

    Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Mitrovicë e Jugut, 25 shtator 2023.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 27 shtator se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe ai do të merret në pyetje nga organet serbe.

    Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

    Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

  • Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm

    Osmani për Reuters: Kosova është nën sulm

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se janë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit të dielën e 24 shtatorit.

    Sulmi më i madh që nga pas lufta e vitit 1999, ka ngjallur reagime të shumta tek komuniteti ndërkombëtar.

    Në një intervistë për Reuters, presidentja Osmani ka akuzuar presidenti serb se ndodhet pas sulmit terrorist, me qëllim që të arrijë krijimin e ‘Krimesë në Republikën e Kosovës’.

    “Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiq është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.

    “Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.”

    Qeveria e Kosovës ka publikuar fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.

    Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

    “Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.

    Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.

    Osmani tha se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

    “Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha ajo.

    Policia e Kosovës ka arritur vrasjen e tre terroristëve serbë, ndërsa ka arrestuar edhe tetë të tjerë si të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist.

    Përpos kësaj, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe armatim, që sipas llogaritjeve arrin vlerën e 5 milionë eurove.

  • Serbia shpalli ditë zie, BE: Nuk mund të barazohen terroristët me viktimat e terrorizmit

    Serbia shpalli ditë zie, BE: Nuk mund të barazohen terroristët me viktimat e terrorizmit

    Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë lidhur me shpalljen e ditës së zisë për sulmuesit e vrarë në veri të Kosovës më 24 shtator.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për gazetarët se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.

    Ai shtoi se në zyrat e BE-së në Prishtinë flamuri u ul në gjysmështizë të hënën – pasi në Kosovë ishte ditë zie – për të nderuar policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, por nuk ka vepruar kështu kur në Serbi u shpall ditë zie.

    “Kemi parë se Serbia dje ka shpallur ditë zie. Të hënën zyra e BE-së në Prishtinë vendosi flamurin në gjysmështizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur, viktima të sulmit qyqar terrorist të dielën. Qëndrimi ynë është i qartë dhe ai është shprehur nga përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit kurrë nuk mund të barazohen me viktimat. Prandaj, delegacioni i BE-së në Serbi nuk e ka vendosur flamurin në gjysmështizë. Në përgjithësi, BE-ja është fundamentalisht kundër madhërimit të kriminelëve dhe terroristëve dhe kundër mbajtjes së zisë për ta”, tha Stano.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk mund t’i konsiderojë “kurrë terroristë” sulmuesit në Banjskë. Duke u përgjigjur në pyetjet për këtë deklaratë, Stano tha se sipas BE-së, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ishte sulm terrorist dhe si i tillë duhet të trajtohet dhe hetohet.

    “Para së gjithash më lejoni të përsëris shumë qartë qëndrimin e Bashkimit Evropian për atë që ndodhi të dielën. Ai ishte një sulm terrorist dhe si sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë. Secili që ka rol duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ky sulm terrorist jo vetëm të hetohet në tërësi, por të ketë përgjigje para drejtësisë për ata që e planifikuan, kryen dhe që qëndrojnë prapa këtij sulmi”, tha Stano.

    Ai shtoi se BE-ja “nuk lëshohet në komente për çdo deklaratë apo secilin interpretim”, por theksoi se “duhet të ketë qartësi për atë që ndodhi të dielën”.

    Më herët BE-ja ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve për të vendosur nëse do të ndërmarrë masa, teksa në bllok disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet për rastin në Banjskë të Zveçanit./REL/

  • Raportohet se një 19-vjeçar kosovar ka vdekur pasi u sulmua me thikë në kufirin Serbi – Kroaci

    Raportohet se një 19-vjeçar kosovar ka vdekur pasi u sulmua me thikë në kufirin Serbi – Kroaci

    Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në kufirin Serbi – Kroaci, saktësisht në hyrje të fshatit Batrovci, ku dy të rinj janë sulmuar me thikë.

    19-vjeçari nga Kosova, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra, transmeton Sinjali.

    Siç raporton mediumi serb Blic.rs, të dyshuarit janë arratisur nga vendi i ngjarjes, teksa Policia është vënë në kërkim të tyre.

    Një shofer kamioni nga Bosnje e Hercegovina ka rrëfyer ngjarjen, duke thënë se ka parë një burrë dhe një grup njerëzisht që ishin në rrugën përballë kufirit.

    “Pashë një burrë dhe një grup njerëzish që u gjendën në rrugën përballë kufirit dhe një burrë duke vrapuar. Pak më vonë, mes kamionëve, pashë një tjetër të ri që kishte rënë. Nuk isha i sigurt se çfarë po ndodhte dhe zakonisht nuk dalim nga kamioni në këtë pjesë të rrugës, veçanërisht natën, sepse ka emigrantë të fshehur në zonë. Policia ka ardhur rreth orës 22:00”, ka thënë dëshmitari.

    Njëri prej të rinjve kosovarë, raportohet të ketë shpëtuar nga sulmi me thikë, ku thuhet se i dyshuari është një migrant nga Afganistani.

  • Osmani në Ditën e Boshnjakëve: Ndajmë historinë e përbashkët të gjenocidit serb

    Osmani në Ditën e Boshnjakëve: Ndajmë historinë e përbashkët të gjenocidit serb

    Në Ditën e Boshnjakëve, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u ka ndarë mirënjohje dhe dekorata disa nga personaliteteve të shquara të këtij komuniteti, për kontributin e dhënë në shtetndërtim.

    Osmani ka thënë se populli i Kosovës është mirënjohës ndaj komunitetit boshnjak, me të cilin ndan “një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve, deri tek gjenocidi i kryer kundër nesh”, raporton EO.

    Ajo ka thënë se synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen ende, por se Kosova nuk do të zmbrapset asnjëherë për vendosjen e rendit dhe ligjit.

    “Është një mundësi e shkëlqyer për t’i vlerësuar edhe një herë të arriturat tuaja, rolin tuaj në procesin e lirisë e të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike në vendin tonë”.

    “Populli i Kosovës ju është mirënjohës për kontributin tuaj historik në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike. Boshnjakët sot janë pjesë e rëndësishme e jetës demokratike të vendit tonë. Ne ndajmë një histori të përbashkët të dhimbjeve, vrasjeve, persekutimeve deri tekë gjenocidi i kryer kundër nesh.

    “Synimet hegjemoniste të Serbisë nuk po ndalen as sot siç ndodhi edhe me sulmin e fundit terrorist, akti agresioni kundër vendit tonë ku u vra rreshteri policor Afrim Bunajku. Për vendosje të rendit e ligjit dhe të mbrojtjes së sovranitetit nuk do të zmbrapsemi asnjëherë. Kosova është shtet përgjithmonë dhe shtëpi e të gjithëve, e tillë do të mbetet për herë”, ka thënë Osmani.

    Me këtë rast ajo për ish-luftëtarin e UCK-së, Nehat Demiri, ndau çmimin post-mortum “Urdhi i lirisë”, për kontributin e tij.

    Me dekorimin post-mortum është dekoruar edhe akademiku Jashar Regjep Agiq, me medalje  presidenciale të meritave, për kontributin në arsimin dhe promovimin e identitetit boshnjak në Kosovë.