ATV

Blog

  • SHBA: Nuk e kemi vërtetuar se Serbia i ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën

    SHBA: Nuk e kemi vërtetuar se Serbia i ka tërhequr trupat nga kufiri me Kosovën

    Sekretari i departamentit amerikan të shtetit, Matthew Miller, ka thënë se ende nuk e kanë konfirmuar vet nëse Serbia ka larguar trupat për rreth kufirit me Kosovën.

    Ai ka thënë se do të ishte një hap i mirë i Serbisë nëse e ka bërë hap.

    “I kemi parë lajmet se Serbia i ka tërhequr trupat, por ne nuk kemi mundur ta vërtetojmë ende në mënyrë të pavarur këtë”, ka deklaruar Miller

    SHBA-ja, kishte alarmuar për vendosjen e trupave serbe afër kufirit me Kosovën, duke i kërkuar Beogradit që t’i largojë ato trupa afër kufirit me Kosovën.

    Veprimi i Serbisë erdhi pas ngjarjeve të 24 shtatorit, ku një grup terrorist sulmoi Policinë e Kosovës që kjo e fundit më pas u detyrua të niste operacion kudnër atij grupi terrorist.

    Për këto zhvillimeve, SHBA-ja kërkoi përmes Miller që dy shtetet t’i kthehen dialogut ndër ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

  • Shpërthim masiv pranë Oxfordit në Britani

    Shpërthim masiv pranë Oxfordit në Britani

    Një shpërthim masiv ka tronditur sonte një zonë të Britanisë së Madhe, dhe video tregon se ai ndriçon qiejt këtë mbrëmje, pak çaste pasi një stuhi kaloi sipër.

    Shpërthimi misterioz u raportua në mediat sociale më herët nga anëtarë të tmerruar nga ky moment.

    Shumë prej tyre raportuan se kishin dëgjuar një zhurmë të fortë, ndërsa një video shqetësuese tregoi flakët që ndriçonin qiellin e natës dhe frynin në natë.

    Të tjerë raportuan se përjetuan një humbje të momentit të energjisë menjëherë pas shpërthimit.

  • “Plani i grupit terrorist për sulmin në 37 pika të ndryshme në veri”

    “Plani i grupit terrorist për sulmin në 37 pika të ndryshme në veri”

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Përveç armëve e veturave të shumta që Policia e Kosovës konfiskoi gjatë aksionit në Banjskë të Zveçanit, ata konfiskuan edhe disa harta.

    Ato, siç tha drejtori i Policisë Gazmend Hoxha, në konferencën e së dielës, ishin përdorur nga terroristët serbë për ta bërë planin për aneksimin e veriut.

    Siç përmendi Hoxha, plani ishte që të sulmoheshin 37 pika brenda veriut, në mënyrë që të jetësohej ky plan.

    Kjo sipas profesorit të lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, do të nënkuptonte sulme ndaj pjesëtarëve policisë në mënyrë që t’i neutralizojnë ata, për të mos e penguar aksionin e tyre.

    Por jo vetëm, sulmet, sipas profesorit të shkencave politike Nexhmedin Spahiu, do mund të ishin edhe në pika kufitare, që më pas të futej edhe ushtria serbe.

    I pyetur nga gazetarët se ku ishte plani që të vendosej kufiri pas sulmit, drejtori Hoxha nuk u përgjigj direkt, por la të kuptohej se qëllimi ishte ta vendosnin atë tek ura e Ibrit.

  • Banjska, dëshmi e nevojë për infrastrukturë dhe bazë policore

    Banjska, dëshmi e nevojë për infrastrukturë dhe bazë policore

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Terreni i vështirë kodrinor-malor dhe infrastruktura e pazhvilluar, krahas mungesës së një baze të Policisë në zonën Banjskë-Izvor, sipas ekspertëve të sigurisë ia lehtësuan veprimin e grupit terrorist të prirë nga Milan Radojicic.

    Ndonëse, operacioni i njësive elite të Policisë rezultoi i suksesshëm, terreni dhe infrastruktura vlerësohen si pengesa në punën e tyre, në favor të grupit terrorist në këtë rast dhe kontrabanduesve në raste të tjera.

    Në këtë kontekst, eksperti Drizan Shala theksoi se për të siguruar mbulueshmëri më të madhe, Qeveria duhet t’i nisë menjëherë investimet në infrastrukturë dhe logjistikë, në rrugën parësore dhe dytësore.

    “Të ndërtohet një bazë e përhershme policore, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit dhe qëndrueshmërisë operacionale. Dhe, raste të tilla të ikjes së personave dhe formacioneve të caktuara do të ishin minimale, sepse tanimë është vërejtur dhe ata e kanë studiuar bukur mirë terrenin dhe relievin, dhe e kanë parë që pikërisht dy rrugët që çojnë në Izvor janë të pambuluara nga Policia, në mënyrë statike, dhe pikërisht e kanë shfrytëzuar këtë element”, tha Shala.

    Krahas vlerësimit se vitin e fundit Policia e ka zgjeruar zonën e kontrollit në veri, edhe profesori i lëndëve të sigurisë, Avni Islami, vlerësoi se gjendja aktuale infrastrukturore iu përshtat grupit terrorist.

    “Të rregullohet infrastruktura rrugore dhe Policia të vendosë baza të përhershme të Policisë, të njësive speciale, në mënyrë që të kontrollohet ajo pjesë më lehtë dhe në mënyrë që të mos u lejohet grupeve terroriste dhe ushtarake të veprojnë në atë pjesë”, tha Islami.

    Shala vlerëson se sulmi terrorist i 24 Shtatorit, duhet të shërbejë si urgjencë për investime.

    “Kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe në afatin rekord prej shtatë ditësh të punës, do të duhej të kishim kontejnerët e parë në atë pjesë”, tha Shala.
    Në dy vjetët e fundit, Policia ka rindërtuar bazat e përhershme në Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe në disa zona të tjera në veri të vendit.

    Por, në zonën kodrinore-malore ndërmjet dy rrugëve nacionale për Jarinjë dhe Bërnjak, ku do të duhej të ishte funksionalizuar pika kufitare e Izvorit, Policia nuk ka asnjë bazë dhe patrullimi është i vështirë dhe i rrezikshëm.

  • Britania shton trupat në Kosovë, tani KFOR i ka rreth 5 mijë ushtarë

    Britania shton trupat në Kosovë, tani KFOR i ka rreth 5 mijë ushtarë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Nga 41 ushtarë sa kishte në Korrik, Britania e Madhe do të ketë më shumë se 600 sish në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

    Këtë e konfirmoi Ministria Britanike e Mbrojtjes, mbrëmjen e së dielës, pas zhvillimeve në veri të vendit.

    “Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit, në ditët në vijim për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash, të cilët tashmë janë në vend si pjesë e një stërvitjeje vjetore”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    “Zgjerimi i mbështetjes tonë për Forcën e Kosovës – KFOR thekson përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha shefi i stafit të Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Tony Radakin.

    Ky kontingjent britanik do ta çojë në më shumë se pesë mijë numrin e përgjithshëm të ushtarëve të KFOR-it.

    Me rreth 700 trupa, kryesisht nga Turqia, të cilët u vendosën në Kosovë në Qershor, vetëm këtë vit KFOR-i ka shtuar kapacitetet për rreth 1300 ushtarë.

    Në misionin e KFOR-it, sipas rezolutës 1244, aktualisht janë të angazhuara 25 vende përfshirë Shqipërinë me 89 ushtarë.

    Në përbërjen aktuale, më së shumti ushtarë kanë Italia, rreth 850; pastaj Turqia, 780 sish; SHBA-ja rreth 680, përcjellë nga Hungaria, Austria, Polonia, Kroacia e me radhë.

    Numri dhe pjesëmarrja më e gjerë në misionin e KFOR-it ishte më 1999, kur kjo forcë paqeruajtëse numëronte rreth 50 mijë ushtarë me 39 shtete anëtare dhe jo-anëtare të NATO-s.

    Më 2008, ky mision kishte rreth 14 mijë ushtarë dhe numri i tyre u reduktua vit pas viti pas shpalljes së pavarësisë.

  • Ish ministri Lutfi Zharku thotë se MI-ja gaboi kur e nënshkroi marrëveshjen e “53 milionëve”

    Ish ministri Lutfi Zharku thotë se MI-ja gaboi kur e nënshkroi marrëveshjen e “53 milionëve”

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas Ramush Haradinajt, në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën është paraqitur ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

    Zharku, gjatë dëshmisë së tij, tha se në bazë të gjendjes si e kishte lënë Ministrinë, nuk ka qenë e nevojshme të bëhet pagesa prej 53 milionë eurosh për përfundimin e punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Arritjen e kësaj marrëveshjeje e quajti gabim.

    Zharku tutje gjatë dëshmisë së tij tha se MI-ja nuk ka pasur të drejtë ta procedojë marrëveshjen pa mendimin e kompanisë.

    Ndërkaq, për ndërhyrjet dhe të qeshurat gjatë dëshmisë së Lutfi Zharkut, i akuzuari Pal Lekaj mori vërejtje.

    Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë edhe të martën.

    Prokuroria Speciale e ngarkon Lekajn dhe të tjerët se kanë fshehur raportin e kompanisë “Hill”, sipas të cilit, Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak, sesa i kërkoheshin në emër të vonesave për konsorciumin “Bechtel-Enka”, i cili e ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

  • Javë e ngarkuar, Kuvendi do t’i mbajë tri seanca

    Javë e ngarkuar, Kuvendi do t’i mbajë tri seanca

    Përgatiti: Armand Hoti

    Java aktuale pritet të jetë e ngarkuar për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata këtë javë do të angazhohen në tri seanca.

    E mërkura do të shfrytëzohet për shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara. Të enjten do të mbahet seanca e radhës plenare, kurse të premten deputetët do të mbajnë seancë të veçantë plenare ku do të bëhen vetëm pyetjet parlamentare.

    Deputeti i partisë në pushtet Armend Muja, theksoi nevojën e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, teksa kritikoi opozitën për mosvotim të këtyre marrëveshjeve.

    “Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nuk e di se si mendojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Tash i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendrore e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in”, tha Muja.

    Megjithatë, partia më e madhe opozitare insiston se nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Në seancën e së enjtes, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, partia e tij do ta propozojë draft-rezolutën, e cila, siç u shpreh ai, synon përmirësimin e kushteve të policëve kosovarë.

    “Me këtë rezolutë, rritet efikasiteti dhe e tregojmë seriozitetin ndaj këtij institucioni si shtet. E pamë se sa e rëndësishme është Policia, nga sulmi terrorist që ndodhi në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që këta njerëz që po na bëjnë krenarë, ta marrin edhe trajtimin e merituar… Nuk ka kuptim t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, kur Kosova është ende nën sanksione e asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet”, tha Tahiri.

    Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur t’i mbledhë 40 nënshkrime, me ç’rast në seancën e jashtëzakonshme pritet të kërkohet rritja e vlerës së koeficientit në Ligjin për Paga nga 105 në 129 euro.

    “AAK-ja ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, për rritjen e koeficientin nga 105 në 129 euro. Kjo do të prekë edhe rritjen e pagave të policëve të Kosovës, që tani të kalojmë prej fjalëve në veprave dhe besoj që do ta kemi edhe mbështetjen e deputetëve të pozitës”, tha kryetari i GP të AAK-së.

    Ndërkaq, AAK-ja nesër do të organizojë tryezë diskutimi në Kuvend, në të cilën do diskutohet për gjendjen e sigurisë në vend.

  • Kanceri i gjirit, lansohet fushata “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”

    Kanceri i gjirit, lansohet fushata “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Numri i rasteve të reja të kancerit në gji në Kosovë ka shënuar rritje. Në bazë të statistikave nga Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, në nëntë muajt e fundit 332 paciente janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

    Gratë që po luftojnë me këtë sëmundje nuk janë vetëm dhe ato do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë, tha kryeministri Albin kurti në hapjen e fushatës, me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”.

    “Ne këtë betejë për jetë, ministria po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kimioterapisë në Spitale Rajonale. Kosova sot ka dy pajisje të teknologjisë së fundit për radioterapi. Në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit. U bëj thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”, tha Kurti.

    Duke folur për rëndësinë e edukimit të grave rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit, për parandalimin e kancerit të gjirit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shtoi se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar qasje sa më të lehtë në shërbimet shëndetësore.
    “Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin për shëndetësinë, të cilën Qeveria jonë e ka bërë duke ngritur buxhetin në 300 milionë euro dhe duke bërë investime onkologjike përmes sigurimit… Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni, po ritheksojmë faktin se edukimi i grave dhe komuniteteve rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit është kyç për parandalimin e kancerit të gjirit”, tha Vitia.

    Nga ana tjetër, Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta Vita”, tha se mungon përkrahja institucionale për gratë e prekura nga kjo sëmundje malinje.

    “Ngarkesat e mëdha dhe të çdoditshme me numër të madh të pacienteve, rreth 200 në ditë, dhe mundësitë e pamjaftueshme me staf, me pak shtretër e salla për trajtim me kimioterapi dhe mungesat e shpeshta me barna janë pengesa serioze për trajtimin më dinjitoz të pacientëve të Klinikes Onkologjike. Me ç’rast po e përmendi edhe kërkesën që gratë e operuara nga kanceri i gjirit, nga institucionet t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha Latifi.

    Menaxhmenti i klinikës së Onkologjisë në QKUK ka paralajmëruar se numri i rasteve të prekura nga kanceri i gjirit, deri në fund të vitit mund të arrijë në 450.
    Ndryshe, onkologët u apelojnë grave dhe vajzave që të bëjnë sa më shumë kontrolle, në mënyrë që edhe zbulimi i sëmundjes të jetë sa më i hershëm.

  • Kurti takon kryetarët e komunave, zotohet për investime pa diskriminim

    Kurti takon kryetarët e komunave, zotohet për investime pa diskriminim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Investime kapitale pa diskriminim për të gjitha komunat, përfshirë ndërtimin e rrugëve, autostradave, shkollave, ka qenë zotimi i kryeministrit Albin Kurti para kryetarëve të komunave të Kosovës.

    Ai në këtë takim tha se granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 është afro 285 milionë euro.

    “Granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë eurove e që paraqet vlerën më të madhe deri më tani, për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, u shpreh ai.

    Kryeministri tha se asnjë komunë e asnjë komunitet nuk do të diskriminohet, duke shtuar se projekte do të përfitohen në bazë të meritave e jo preferencave.

    “Buxheti për komunat në vitin tjetër është 742 milionë euro. Po bëhet viti i dytë me radhë që rritja e buxhetit është në shifër dyshifrore. Investimet kapitale në komuna përfshijnë shumë sfera. Këto investime përfshijnë të gjitha komuna dhe pa diskriminuar asnjë komunitet. Kemi përgatitur legjislacionin që u mundëson komunave të përfitojnë jo sipas preferencave. Jemi të gatshëm që të ofrojmë zgjidhje”, tha Kurti.

    Kryetarëve, Kurti u foli edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, si një mundësi të mirë për të përfituar në rregullimin e infrastrukturës sportive.
    Megjithatë, në këtë takim kryeministri u përball me kritika rreth mënyrës së qasjes ndaj problemeve të komunave.

    Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se Ligji për tatimin në pronë, tregon shembull të mosbashkëpunimit mes komunave dhe nivelit qendror.

    “Ne kryetarët kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja e komunikimit. I tillë ishte edhe Ligji për Vetëqeverisje për të cilin kryetarët e komunave u përjashtuan nga konsultimi. Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore tavanet e caktuara nga Ministria e Financave për vitin 2024 parashihet të ketë shkurtime të buxhetit në investime kapitale që karakterizon vitin 2024 me investime më pak kapitale”, tha Aliu.

    Në këtë takim, në të cilin nuk mori pjesë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, u mbajt një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

  • Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në afërsi të kufirit me Kosovën, Serbia po ndërton një bazë ushtarake.

    Këtë e konfirmoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, pas takimit me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

    Musliu ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend nuk është stabile.

    “Në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake serbe, me mbulesë nga ana e serbëve, kinse në atë ndërtesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës. Mirëpo, pamjet me dron i kanë konfirmuar burimet dhe tashmë është e qartë se atje po bëhet një zonë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë, pra është e tensionuar”, tha Musliu.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është shprehur të hënën se trupat ushtarake të Serbisë, duhet të tërhiqen nga vija kufitare me Kosovën.

    “Gjithashtu, kemi vërejtur pozicionimin e ushtrisë serbe në linjën kufitare me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Krejt kjo duhet të ndalet. Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit për politikë të Jashtme për të dyja vendet, sepse nuk ka vend për armë dhe shtim të forcave të sigurisë në kontinentin evropian”, tha Stano.

    Deputetja Musliu pas takimit të Komisionit që drejton, me të parin e AKI-së, ndau detaje të reja sa i takon rrugës ilegale që sulmuesit ndoqën, për të mbërritur në Banjskë të Zveçanit.

    “Grupi terrorist është nisur pas mesnatës, duke shfrytëzuar rrugën ilegale në afërsi të pikës kufitare në Izvor, pika më e afërt në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Musliu.

    Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se pret që përmes faktorit ndërkombëtar, terroristët që u larguan në Serbi, t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

    “Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin, pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, në fjalën e tij, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është shprehur se institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota ta hetojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, BE-ja për hetimin e rastit pret bashkëpunim pa kushte nga ana e Serbisë.