ATV

Blog

  • Tahiri kërkon nga ShBA-ja ndërtimin e një bazë ushtarake në veri të Kosovës

    Tahiri kërkon nga ShBA-ja ndërtimin e një bazë ushtarake në veri të Kosovës

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndërtojnë bazë ushtarake në veri të Kosovës.

    Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë ndalet lufta gjeopolitike e Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

    “Amerika të ndërtojë bazë ushtarake në veri të Kosovës, vetëm në këtë mënyrë ndalet lufta gjeopolitike e Serbisë dhe Rusisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit! Si rezultat vija gjeopolitike perëndim- lindje vendoset drejt në Ballkan”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

  • Presidenti gjerman është për kufizimin e pranimit të refugjatëve në Gjermani

    Presidenti gjerman është për kufizimin e pranimit të refugjatëve në Gjermani

    Presidenti Frank-Walter Steinmeier është për kufizimin e pranimit të refugjatëve në Gjermani. “Ne duhet ta kufizojmë numrin e hyrjeve, kjo është e qartë”, u shpreh kreu i shtetit.

    Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier u shpreh në edicionin qendror të lajmeve “Tagesthemen” në ARD, se një kufizim i pranimeve mund të arrihet, vetëm nëse Gjermania vendos kontrolle kufitare bashkë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Gjithashtu duhet që të arrihet, që procesi i verifikimit të aplikimeve për azil për personat, që nuk kanë asnjë shans të fitojnë azilim, të realizohen në kufijtë e jashtëm dhe njerëzit të kthehen që atje.

    “Nëse vendoset ky rregull, dhe jemi drejt kësaj rruge, për fat të mirë, atëherë mund të pakësohen edhe shifrat e të mbërriturve në Gjermanu”, tha Steinmeier. “Ky është një proces i mundimshëm.” Në debat duhet hequr dorë prej formulimeve, që sugjerojnë, se ka një mundësi. Steinmeier bën thirrje, që federata, landet dhe komunat të veprojnë bashkarisht. Ndërkohë, sipas tij, politika është ende në modusin e luftës elektorale për shkak të zgjedhjeve parlamentare në landet e Hesenit dhe Bavarisë. “Shpresoj shumë, që kur të kenë kaluar zgjedhjet, sërish do të krijohet një klimë, ku partitë demokratike mes tyre të arrijnë në marrëveshje.”Nëse kjo nuk arrihet atëherë kjo mbetet një çështje debati, prej të cilit përfitojnë të tjerë.

    Edhe kancelari Scholz është për kufizime

    Në fundjavë edhe kancelari Olaf Scholz u shpreh për kufizimin emigracionit në rritje drejt Gjermanisë. “Numri i refugjatëve që synojnë të vijnë në Gjermani, është aktualisht shumë i lartë”, i tha Scholz rrjetit redaksional “Redaktionsnetzwerk Deutschland”.

    Numri i migrantëve të rinj në Gjermani është rritur së fundi. Nga janari deri në gusht 2023, sipas Bundesamt für Migration und Flüchtlinge (Bamf), kanë paraqitur kërkesë për azil 220.116 vetë, shumica nga Siria dhe Afganistani. Sipas anketimeve shumica prej 70 përqind e gjermanëve të pyetur ndihen të mbingarkuar. 27 përqind mendojnë, se Gjermania mund ta përballojë numrin e azilkërkuesve./DW

  • Serwer: ShBA-ja dhe BE-ja po mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, kjo do të ketë pasoja

    Serwer: ShBA-ja dhe BE-ja po mbyllin sytë ndaj veprimeve të Serbisë, kjo do të ketë pasoja

    Përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën për të mos marrë kontrollin e veriut të saj me shumicë serbe duhet të jenë të dukshme për të gjithë sot, thotë Daniel Serwer, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington.

    Server kujton se vitin e kaluar ka pasur tensione të shkaktuara nga vendimi targat, bojkoti i zgjedhjeve komunale në pranverë, trazirat pasuese kundër kryetarëve të zgjedhur joserbë, sulmi ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s në maj, kidnapimi i policëve të Kosovës – të gjitha këto thotë ai ishin preludi i rebelimit të penguar fundjavën e kaluar.

    Por Server thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin përfundimet e nevojshme, transmeton gazeta online Reporteri.

    “Ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog pa asnjë pasojë për Beogradin. Madje, ambasadori amerikan në Beograd (Christopher Hill) mendoi se ishte me vend të sugjeronte që Serbia të anëtarësohej në NATO. Shumica dërrmuese e serbëve e refuzojnë këtë perspektivë. Brenda BE-së, është e vështirë të kërkohet llogari nga Serbia, sepse çdo vendim kërkon unanimitet. Hungaria pro-ruse e Viktor Orbanit është një prishës i zakonshëm. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Sllovaki do ta bëjë Bratislavën e mikun e ardhshëm më të mirë të Moskës.

    Përpjekja e vazhdueshme dhe e pafrytshme e administratës Biden për ta kthyer Serbinë drejt Perëndimit po bllokon çdo rimendim serioz të politikës në Ballkan. Zyrtarët amerikanë thjesht nuk duan të pranojnë dështimin.

    Ata vazhdojnë të kërkojnë qetësim, janë të verbër ndaj keqbërjes së Beogradit”, shkruan ndër të tjera Server në blogun e tij.

  • Zhvlerësohet sërish valuta ruse

    Zhvlerësohet sërish valuta ruse

    Rubla ruse është dobësuar sërish kundrejt dollarit amerikan në fillim të muajit tetor, pavarësisht një përmirësimi të lehtë të martën.

    Tregtimi i një dollari amerikan me më shumë se 100 rubla në muajin gusht, e pati nxitur Bankën Qendrore të Rusisë që ta rrisë normën e interesit në 13 për qind.

    Në mëngjesin e së martës, një dollarë amerikan është tregtuar me 99.41 rubla ruse, ndërsa një euro me 104.11 rubla.

    Valuta ruse përballet me luhatje të mëdha çdo fillim të muajit, pas humbjes së një periudhe të favorshme tatimore, që përcillej me konvertim të të ardhurave të eksportuesve, për t’i kryer detyrimet financiare

    Këshilltarët ekonomikë të presidentit rus, Vladimir Putin e kanë kritikuar Bankën Qendrore për politika jo të duhura për gjendjen aktuale të rublës.

    Rubla e ka përjetuar goditjen e madhe qysh prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Atë periudhë është shënuar rekord i tregtimit të valutës, pasi një dollarë amerikan është tregtuar për 120 rubla ruse.

    Rënia e eksporteve, sanksionet e Perëndimit dhe ndryshimi i kahes së tregtisë botërore, janë disa prej shkaktarëve të dobësimit të valutës ruse.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

  • ​Gjendet një person i vdekur në Mitrovicë

    ​Gjendet një person i vdekur në Mitrovicë

    Një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Vllahi të Mitrovicës.

    Rasti u raportua dje, ku njësiti relevantë dhe ekipi mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar vdekja e viktimës.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Dyshohet se përdori sasi të tepruar të barnave, vdes një grua në QKUK

    Dyshohet se përdori sasi të tepruar të barnave, vdes një grua në QKUK

    Një femër kosovare ka ndërruar jetë dje në QKUK, pasi që e njëjta dyshohet se ka përdorur sasi të tepruar të barnave.

    “Fsh. Novosellë – Kamenicë.  02.10.2023 – 10:25. Viktima femër kosovare ka ndërruare jete në QKUK pasi që e njëjta dyshohet se ka përdorur sasi të tepruar të barnave”, njoftoi Policia.

    Tutje, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

     

  • ​Sulmoi vëllain, arrestohet një serb në Partesh

    ​Sulmoi vëllain, arrestohet një serb në Partesh

    Një serb është shoqëruar në stacionin policor në Partesh, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

    Rasti ka ndodhur dje pasdite, ku viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    Sipas Policisë, edhe në Gjilan është arrestuar një person, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • ​Donjeta Sadiku lufton sot për titullin e kampiones ballkanike

    ​Donjeta Sadiku lufton sot për titullin e kampiones ballkanike

    Boksierja kosovare Donjeta Sadiku do të luftojë sot në finale të Kampionatit Ballkanik që po zhvillohet në Albena të Hungarisë.

    Për ta arritur këtë objektiv të madh, Sadiku duhet ta mposht në ring boksieren nga Ukraina, Dovgal Tetiana, raporton KP.

    Kosova deri më tani ka siguruar katër medalje të bronzta nga Bashkim Bajoku, Shpetim Bajoku, Patriot Behrami dhe Taulant Jakupi.

  • Drenas: Një person gjendet pa shenja jete në një bunar

    Drenas: Një person gjendet pa shenja jete në një bunar

    Policia e Kosovës njofton se një person është gjetur pa shenja jete në një bunar.

    Viktima është gjetur në pyllin e fshatit Abri e Epërme.

    I njëjti ishte larguar nga shtëpia e tij ditë më parë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Haxhiu: Po presim vendimin e Gjykatës për fletë-arrest ndërkombëtar ndaj Radojiçiqit, duhet të gjykohet në Kosovë

    Haxhiu: Po presim vendimin e Gjykatës për fletë-arrest ndërkombëtar ndaj Radojiçiqit, duhet të gjykohet në Kosovë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar ndaj terroristit Milan Radojiçiq. Porsa të merret një vendim i tillë, ajo ka thënë se ministria që ajo drejton do të veprojë pa vonesa.

    Në një prononcim për Ekonomia Online, Haxhiu ka thënë se Kosova është e vendosur ta kërkojë nga Serbia dorëzimin e Radojiçiqit, megjithëse e sheh këtë mjaft sfiduese sepse “vetë Serbia e ka dirigjuar sulmin terrorist”.

    Ajo ka kërkuar edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar për të hetuar bazat ushtarake serbe ku janë trajnuar sulmuesit, ndërsa ka pohuar se institucionet vendëse po bëjnë maksimumin për identifikimin e sulmuesve dhe gjykimin e tyre në Kosovë.

    “Që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist, institucionet e Kosovës, në këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit. Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë, për hir të transparencës, kanë mbajtur konferenca, ku në hollësi kanë shpjeguar se si ka ndodhur sulmi dhe ku janë ndodhur terroristët. Sa i përket procesit gjyqësor, sigurisht që ende nuk ka filluar. Mirëpo, janë ndërmarrë masa paraprake për trajtimin e terroristëve. Disa prej tyre tani janë në paraburgim për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera terroriste”.

    Grupi i madh i sulmuesve, siç tha ajo, ka tentuar që t’i ndikojë edhe serbët lokalë, por ata nuk i janë bashkuar.

    “Ministria e Drejtësisë e ka obligim që t’i adresojë kërkesat e Gjykatës në institucionet tjera. Në këtë rast, kur bëhet fjalë për fletreshtim ndërkombëtar, ne jemi në pritje të Gjykatës që të bëjë kërkesë për fletreshtim ndërkombëtar, dhe menjëherë pa vonesa do të veprojmë në përputhje me kompetencat që i kemi. Do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë sulmuesit të identifikohen, sepse ka qenë një grup i madh i armatosur që ka tentuar ta shtrijë ndikimin edhe te serbët e tjerë. Fatmirësisht, serbët lokalë nuk i janë bashkuar”.

    Tutje, ajo ka thënë se Serbia do të bëjë përpjekje për t’i trajtuar rastet vetë për t’i amnistuar kriminelët. Por, ajo është shprehur e bindur se “krimet e tilla nuk do të amnistohen”.

    “Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiq të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh, pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiq, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të pasurisë së tij që e ka krijuar nga krimi. Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”.

    “Edhe për krimet e luftës, edhe për këtë sulm terrorist, do të ketë përpjekje të Serbisë që ta marrin trajtimin e rasteve atje, kinse të duken se po bëjnë hetime dhe t’i amnistojnë kriminelët. Ne jemi të vendosur që ta kërkojmë dorëzimin e kriminelit Radojiçiq në Kosovë, për të vazhduar pastaj me gjykimin. E kuptoj që është sfiduese sepse vetë Serbia e ka dirigjuar këtë sulm terrorist dhe nuk ka ndodhur vetëm me një individ, siç përpiqej të thoshte avokati i terroristit Radojiçiq, por është Serbia pas këtij sulmi”.

    “Po bëjmë përpjekje maksimale që t’i sjellim kriminelët në Kosovë. Ka një vendosmëri. Krimet e tilla nuk do të amnistohen, krimet e tilla do ta marrin përgjigjen institucionale bazuar në legjislacionin në fuqi”, ka thënë Haxhiu për EO.

    Sulmin e veriut ajo e ka cilësuar terrorist, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit.

    Sulmi që ka ndodhur para një jave në veriun e vendit tonë është sulm terrorist mbi territorin e Republikës, me qëllim të cenimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit, ku si pasojë është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe një tjetër është plagosur.