ATV

Blog

  • Osmani ngushëllon Afganistanin për jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues

    Osmani ngushëllon Afganistanin për jetët e humbura nga tërmeti shkatërrues

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime të përzemërta familjeve që humbën më të dashurit e tyre nga tërmeti i rëndë në Afganistan.

    Në emër të popullit të Kosovës, nga platforma X, presidentja u ka uruar edhe shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve atje.

    ”Ne shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre si pasojë e tërmetit shkatërrues në Afganistan, një tragjedi që ka marrë mijëra jetë. U urojmë shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve dhe forcë për popullin e Afganistanit”.

  • Vuçiq mohon përfshirjen e djalit të tij në sulmin në Banjskë

    Vuçiq mohon përfshirjen e djalit të tij në sulmin në Banjskë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.

    Reagimi i Vuçiqit vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në sulmin në Banjskë mori pjesë Millorad Jevtiq, që sipas tij, “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

    “Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

    Vuçiq përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

    “Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiq, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.

    Sveçla tha se pas sulmit në Banjskë autoritetet gjetën një dokument personal të Jevtiqit, i cili sipas tij, “nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”.

    Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

    Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.
    Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

    Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

    Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

    Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë. /rel

  • ​A do të shtyhet ndeshja Kosovë-Izrael, flasin nga FFK-ja

    ​A do të shtyhet ndeshja Kosovë-Izrael, flasin nga FFK-ja

    Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e planifikuar të zhvillohem ë 15 tetor mund të shtyhet.

    Kjo për shkak të situatës së fundit të krijuar mes Izraelit dhe Palestinës mes të cilave po zhvillohen luftime të ashpra.

    Raportohet se UEFA është duke e shqyrtuar mundësinë e shterjes së të gjitha ndeshjeve të Izraelit, mes të cilave edhe ajo me Kosovën, e vlefshme për kualifikimet për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Asnjë konfirmim mbi këto raportime nuk ka ardhur ende, derisa në Federatën e Futbollit të Kosovës thonë se janë duke e pritur vendimin e UEFA-së.

    “Jemi duke e pritur vendimin e UEFA-s”, ka thënë presidenti i FFK-s, Agim Ademi shkurtimisht për KosovaPress.

  • Rama: Shqipëria qëndron me Izraelin

    Rama: Shqipëria qëndron me Izraelin

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social në facebook, ka shkruar se Shqipëria qëndron me Izraelin.

    Shqipëria qëndron me Izraelin. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave të sulmit mizor terrorist dhe të njerëzve të pafajshëm të marrë peng nga terroristët”, ka shkruar Rama në një postim të bashkangjitur dy foto, me flamurin e Izraelit në ndërtesën e Universitetit Politeknik në Tiranë. /atvlive.tv

  • Shtëpia e Bardhë premton mbështetje shtesë për Izraelin

    Shtëpia e Bardhë premton mbështetje shtesë për Izraelin

    Shtëpia e Bardhë ka premtuar mbështetje shtesë për Izraelin.

    Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden ka “drejtuar mbështetje shtesë”, shkruan BBC.

    “Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë do të mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë izraelitë”, thuhet tutje në deklaratë.

  • Mbërrin në Shqipëri një avion me shqiptarë nga Izraeli

    Mbërrin në Shqipëri një avion me shqiptarë nga Izraeli

    Një operacion për marrjen e shqiptarëve në Izrael është realizuar me sukses nga autoritetet shqiptare. Një avioni i Air Albania kishte mbërritur në Tel Aviv për të marrë nga Izraeli shqiptarët.

    Fluturimi nisi në orën 17:00 nga aeroporti i Tel Avivit dhe avioni u ul në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orës 18:36.

    Nuk dihet sa persona ndodheshin në bordin e avionit.

    Operacioni ishte mbajtur sekret për shkak të rëndësisë së çështjes. Ky vendim u mor pas luftës në Izrael nga sulmi i militantëve të Hamasit.

    Operacione të ngjashme për largimin e shtetasve të huaj nga Izraeli po i kryejnë edhe shtete të tjera. /tvklan.al

  • Stoltenberg: Situata në Kosovë shumë shqetësuese, s’lejojmë të kthehet dhuna e viteve të 90-ta

    Stoltenberg: Situata në Kosovë shumë shqetësuese, s’lejojmë të kthehet dhuna e viteve të 90-ta

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, situatën në Kosovë e ka cilësuar si “shumë shqetësuese” pas ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, teksa ka garantuar se Forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) do ta ruajnë paqen në rajon.

    Kështu është shprehur ai në një intervistë për gazetën gjermane “Welt”.

    Situata në Kosovë është shkak për shqetësim të madh”, tha Stoltenberg disa ditë para takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

    “Dua të them shumë qartë: trupat e NATO-s janë të gatshme të ruajnë paqen në Kosovë. Nuk do të lejojmë që dhuna e viteve 1990 të kthehet”, ka theksuar ai.

    Stoltenberg ka kërkuar që Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

    Kjo është mënyra e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme për të gjitha komunitetet”.

    Si përgjigje ndaj trazirave, Britania e Madhe rriti forcën paqeruajtëse të KFOR-it, e cila udhëhiqet nga NATO që nga viti 1999, nga numri aktual prej rreth 4,500 ushtarësh me 200 trupa ushtarakë.

  • Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

    Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

    “Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

    Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

    Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

    “Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

  • Hovenier për sulmet në Izrael: S’ka asnjë justifikim për terrorizmin

    Hovenier për sulmet në Izrael: S’ka asnjë justifikim për terrorizmin

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier shkroi se SHBA-ja i dënon sulmet e tmerrshme të terroristëve të Hamasit kundër Izraelit.

    Hovenier shkroi në Twitter se “nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin” dhe se solidarizohen me Izraelin.

    “Shtetet e Bashkuara dënojnë pa mëdyshje sulmet e tmerrshme të terroristëve të Hamasit kundër Izraelit, duke përfshirë komunitetet civile. Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin”, shkroi Hovenier.

    “Ne qëndrojmë në solidaritet me Izraelin dhe shprehim ngushëllimet tona për jetët izraelite të humbura në këto sulme”, shtoi ambasadori amerikan.

  • Izraeli shpall zyrtarisht gjendje lufte, shkon në mbi 900 numri i të vrarëve

    Izraeli shpall zyrtarisht gjendje lufte, shkon në mbi 900 numri i të vrarëve

    Më tepër se 600 izraelitë janë vrarë që kur militantët palestinezë të grupit “Hamas” nisën një sulm masiv të shtunën, raporton BBC. Mbi 2000 raportohet se janë lënduar.

    Ndërkohë në Rripin e Gazës, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se 313 janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, e janë lënduar mbi 2000.

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë bërë të ditur se po vazhdon luftimi me militantët palestinezë. Kanë thënë se janë vrarë mbi 400 militantë palestinezë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës e janë arrestuar disa tjerë.

    Ndërkohë “BBC” ka publikuar një video ku shihen forcat izraelite duke shkëmbyer zjarr me militantët palestinezë në rrugën mes Ashdodit dhe kufirit me Gazan. Video pretendohet se është bërë të dielën.

    Kabineti i Sigurisë i Izraelit mbrëmë ka votuar që ta shpallë zyrtarisht gjendjen e luftës dhe për t’i mundësuar “ushtrisë të kryejë aktivitete të mëdha ushtarake”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit të Izraelit.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte thënë të shtunën në mëngjes se shteti i tij është në luftë pasi që militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit.

    Nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit është bërë e ditur se shkollat do të mbesin të mbyllura në të gjithë vendin.