ATV

Blog

  • Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    Kurti për raportet Vuçiq-Radoiçiq: Putini i vogël në Beograd duhet ta ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik

    ryeministri Albin Kurti ka thënë se është vërtetuar në mënyrë të pakundërshtueshme se armët dhe stërvitjet luftarake të serbëve që sulmuan fshatin Banjskë të Zveçanit kanë ardhur nga Serbia.

    Ai në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” ka theksuar se të gjitha armët e konfiskuara janë prodhuar në Serbi, dhe kanë ardhur nga Serbia, dhe sipas tij për nga lloji dhe sasia kanë mjaftuar për një ushtri të tërë.

    “Faktet e lartpërmendura na çojnë në përfundimin se nuk bëhet fjalë vetëm për një bandë kriminale dhe terroriste apo për shtetas të armatosur, por për profesionistë që kanë kryer trajnime serioze, me një lloj arme me origjinë nga Serbia. Serbia, po e përsëris, u ka siguruar pajisje ushtarake, ka kryer stërvitje luftarake, ka përcaktuar qëllime politike dhe ka ofruar mbështetje të plotë logjistike. Më në fund, dihet se ky grup terrorist ka kryer stërvitje në “Livadhet e Pasulit”, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe”.

    “Përgjegjësia e Serbisë është e padiskutueshme edhe për ata që nuk duan ta shohin dhe dëgjojnë. Së dyti, Milan Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe nga Kosova, e cila është krijuar, ndihmuar dhe mbështetur nga Qeveria e Serbisë. Dhe të gjithë janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Serbisë. Më 29 shtator të këtij viti, vetë Vuçiq njoftoi dorëheqjen e Radoiçiqit nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, pas pranimit të Radoiçiqit se ka udhëhequr përgatitjet dhe ka marrë pjesë në sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

    Kurti ka komentuar edhe arrestimin e më pas lirimin e Radoiçoqit nga autoritetet serbe.

    “Arrestimi dhe lirimi i Radoiçiqit të kujton marrëveshjen e Pablo Escobarit me presidentin kolumbian: Escobar në fakt do të pranonte të shkonte në burg me kusht që të vendosej në burgun e tij, të ndërtuar në mënyrë të pavarur, në të cilin do të kontrollonte komandantët dhe jo anasjelltas; mirë, gjoja do ta vuante dënimin atje”.

    “Marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Radoiçiqit nuk është origjinale; e kemi parë tashmë shumë herë. Putini i vogël në Beograd duhet të ketë Prigozhinin e tij të vogël në Kopaonik. Ose, nëse kthehemi pak më tej në të kaluarën, del një paralele: Sloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë Kurti.

    Ai duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit, ka thënë se nëse ky akt i Serbisë nuk do të ndëshkohet, Serbia do ta përsëris atë.

    “Është e qartë se sulmi terrorist në Banjskë në Zveçan kërcënoi integritetin tonë territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë”.

    “Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, ka thënë Kurti.

  • ​Mbyllet për medie seanca ku po gjykohet ministrja Hajdari

    ​Mbyllet për medie seanca ku po gjykohet ministrja Hajdari

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nis seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku kishte goditur me veturë një fëmijë.

    Me kërkesë të avokatit të ministres, Shemdi Bunjaku, seanca po vazhdon të mbahet e mbyllur për media, pasi sipas tij kjo seancë ka të bëjë me rastin e aksidentit me të mitur.

    “Në bazë të ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, neni 39 paragrafi 4, kemi detyrim ligjor që kjo seancë të mbahet e mbyllur. Përveç kësaj me deklarimin e palës së dëmtuar nga i autorizuari i saj dëklarimi të cilin u dëgjua në këtë seancë është kundërthënës mes veti nga fillimi deri në përfundimin e saj. Prandaj, kërkoj nga Gjykata ta respektojë ligjin për mbrojtjen e fëmijëve”, tha ai.

    Ndonëse me këtë kërkesë nuk u pajtua avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti. Teksa shtoi se kjo lëndë është zvarritur për shqyrtim.

    “Konsiderojmë se duke pasur parasysh që kjo lëndë ishte zvarritur për nëntë muaj për nxjerrjen e ekspertizës, rrjedhimisht kërkesa për mbylljen e seancës nuk është e bazuar dhe kërkojmë që kur të administrohet ajo mund të bëhet vetëm në pjesën kur do të administrohet si provë audioincizimit, sepse vetëm në atë pjesë shihet fëmija i mitur. Krahas asaj kërkojmë nga Gjykata që të nxjerr vendim që në raport me ligjin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, neni 5 dhe Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale neni 3 të merr vendim në ndalimin e publikimit të videos dhe detyrimit e tërheqjes nga portalet dhe personat fizik që kanë bërë publikimin e saj në mënyrë të paautorizuar, e si rrjedhojë janë cenuar, sepse e njëjta është në kundërshtim me ligjet e cekura më lartë, për të cilën nga pala është njoftuar edhe Prokuroria, e rrjedhimisht do të njoftohet edhe Agjencioni për Informim dhe Privatësi dhe organet tjera kompetente”, tha Shaqiri.

    Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia./KP/

  • UEFA del me njoftim për ndeshjen Kosovë-Izrael

    UEFA del me njoftim për ndeshjen Kosovë-Izrael

    UEFA ka vendosur të shtyjë të gjitha ndeshjet e planifikuara në Izrael gjatë dy javëve të ardhshme me data të reja që do të konfirmohen më vonë.

    Izraeli shpalli luftë të dielën, pas një sulmi nga militantët e Hamasit që vrau qindra persona.

    Ndeshja kualifikuese për Evropianin mes Izraelit në Zvicër më 10 tetor është ndër ndeshjet që janë shtyrë.

    Pas Zvicrës, Izraeli do të ballafaqohej, sipas planifikimeve, me Kosovën në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropina të vitit të ardhshëm, por edhe kjo ndeshje mund të shtyhet dhe se UEFA është duke u marrë me kërtë situatë.

    Në njoftimin e UEFA-s thuhet se do të pritet edhe disa ditë për të vlerësuar nëse ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Izraelit mund të luhet në datën e planifikuar më 15 tetor apo do të duhet të shtyhet, përcjellë KosovaPress.

    UEFA shtoi se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe do të qëndrojë në kontakt me të gjitha ekipet e përfshira përpara se të marrë vendime për datat e reja dhe për ndryshimet e mundshme në ndeshjet e tjera të ardhshme.

  • Nebojsha Radosheviq në Speciale pyetet për fotografitë e Ibrahim Rugovës dhe Millosheviqit

    Nebojsha Radosheviq në Speciale pyetet për fotografitë e Ibrahim Rugovës dhe Millosheviqit

    Nebojsha Radosheviç, në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë dëshmisë së tij ai fillimisht ka theksuar se është malazez, por ka nënshtetësi serbe.

    Gjatë prezantimit të tij nga trupi gjykues u tha se ai ka qenë gazetar i Tanjugut që në fillimet e vitit 1996, teksa në vitin 1998 ai ishte ndaluar së bashku me kameramanin në një pikë të kontrollit nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    “Me 18 tetor të vitit 1998, kur ai po udhëtonte me një automjet me një fotograf të Tanjugut, i quajtur Vladimir Dobrojçiç dhe u ndaluan në një pikë kontrolli të UÇK-së janë mbajtur të ndaluar në katër vende për një periudhe kohore 41 ditore përfshirë edhe një vend në Slledarë dhe gjatë kësaj një anëtar të UCK-së i ka vendosur një armë në gojë dhe i ka thënë të identifikohet me logon e UÇK-së”.

    Radesoviç dhe Dobrojçiç, janë dënuar sepse u tha se kanë udhëtuar në territorin e UÇK-së pa leje dhe pa një identifikim që ishin anëtarë të shtypit në automjetin e tyre dhe u dënuan me 60 ditë burgim, të njëjtit ishin liruar më 27 nëntor 1998 dhe u thanë që ishte bërë amnisti me rastin e Ditës së Flamurit.

    Dëshmia e Radosheviç pritet të zgjasë rreth 9 orë.

    Gazetari dhe kameramani i Tanjug-ut, ishin liruar për festen e flamurit kombëtar më 1998.

    Ndalimi i tij ishte temë diskutimi edhe në seancat ku dëshmoi hulumtuesi i Human Right Whatch, Fredrick Abrahams.

    Një pjesë e intervistimit të Nebojsha Radosheviç.

    Avokati: A keni dijeni lidhur me ndonjë gjë tjetër përveç aspekteve politike që e kanë marrë në pyetje zotërin Dobrojçiç?

    Radesoviç: Unë i kam treguar se çfarë më kishin pyetur mua dhe më pas çfarë ata e kishin pyetur atë. E po ashtu e kishin pyetur edhe lidhur me fotografitë që kishte marrë duke e pyetur se si ka mundësi që ai ka fotografi të Sllobodan Millosheviç-it, një fotografi të tij me Millosheviç. Por, ai kishte edhe një fotografi të tij me zotëri Ibrahim Rugova”.

    Avokati: A keni pyetur ju nëse do të mbahet një gjykim?

    Radesoviç: U informuam ditën e pesë apo të gjashtën. Folëm për gjysmë orë për cështje politike, ne kemi bërë një pyetje të ngjashme se kur do të fillonte ky gjyq a do të ishim të pranishëm dhe më thanë se gjyqi do të ishte i drejtë dhe s’do të kishte asnjë lloj shqetësimi dhe kaq di lidhur me gjykimin. Deri në momentin kur u tha se vendimi ishte se ishim dënuar me 60 ditë burg.

    Avokati që po interviston Nebojsha Radosheviç.
    Avokati: A keni kërkuar ndonjëherë të bisedoni me ndonjë avokat ose rreth mundësive që janë për të biseduar me një avokat?

    Radesoviç: Jo s’kemi kërkuar. Neve s’na janë dukur personat kompetente për t’u kërkuar për të caktuar ndonjë avokat pasi na thanë se do të na lironin shpejtë ne menduam që do të na lironin në darkë, pasi që nuk na liruan ne filluam një grevë urie.

    Avokati: A e keni diskutuar me njëri me tjetrin se çfarë u kishte ndodhur juve kur ishit mbajtur të ndaluar veçmas gjatë asaj periudhe?

    Radesoviç: Po, patjetër.

    Avokati: A e pyetet zotëri Dobrojçiç, nëse e kishte marrë në pyetje UÇK?

    Radesoviç: Po patjetër që e pyeten sepse kishin shkuar në dhomën e tij dhe fillimisht kishin vizituar atë, pastaj mua.

    Avokati: A e pyete se sa herë e kishin marrë në pyetje?

    Radesoviç: Ai foli për një rast dëshmia kishte zgjatur 10 minuta. Mua më pyetën për një periudhë gjysmë ore ose 40 minuta kurse atë e kishin marrë në pyetje për një periudhë më të shkurtë.

    Ne akuzoheshim për spiunazhe sepse nuk kishim një dokumente që na identifikonte si media.

  • Gjuriq: Kurti e akuzon djalin e presidentit tonë, dëshiron që serbët të largohen nga Kosova

    Gjuriq: Kurti e akuzon djalin e presidentit tonë, dëshiron që serbët të largohen nga Kosova

    Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, ka thënë se akuzat e Prishtinës ndaj djalit të presidentit serb, Danillo Vuçiq, tregojnë “se konflikti i rrezikshëm hibrid i Albin Kurtit me Serbinë nuk ka pushim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga SHBA dhe BE”.

    “Në një seri tjetër lëvizjesh të regjimit të Albin Kurtit në shkallët përshkallëzuese – zyrtarët më të lartë të regjimit vunë në shënjestër Danillo Vuçiqin, djalin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke bërë akuza të ashpra “të rreme” me qëllim të denigrimit të mëtejshëm të Serbisë dhe delegjitimimit të qeverisë së saj”, ka shkruar Gjuriq në rrjetin social “X”.

    Ai ka pretenduar se, në të njëjtën kohë, “sundimi i terrorit vazhdon çdo ditë në terren”.

    “Sot, forcat e Kurtit e sulmuan një auto-ambulancë dhe penguan dërgimin e mjeteve jetike në një objekt mjekësor. Dje kanë kryer fluturime stërvitore të dronëve vrasës mbi Gjakovë, duke vazhduar kështu grumbullimin e paparë të forcave speciale të Kurtit në veri të Kosovës, në kundërshtim me nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit”, pretendon Gjuriq.

    Ai gjithashtu ka pretenduar se Kurti i demonstron gjithë botës ditë për ditë, muaj pas muaji, se “nuk është partner për normalizim, se asnjëherë nuk planifikon të përmbushë obligimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” dhe se “ai dëshiron që të gjithë serbët të largohen nga Kosova”.

  • Ndeshja me Kosovën, Izraeli anulon rezervimin e hotelit në Prishtinë

    Ndeshja me Kosovën, Izraeli anulon rezervimin e hotelit në Prishtinë

    Kombëtarja e Izraelit në futboll ka anuluar rezervimin e hotelit në Prishtinë.

    Ndeshja me Kosovën e planifikuar të zhvillohet te dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” pritet të shtyhet, shkruan gazetari Arlind Sadiku, transmeton Klankosova.tv.

    Megjithatë, UEFA në lidhje për ndeshjen që Izraeli do ta zhvillojë në Prishtinë ndaj Kosovës, nuk ka marrë vendim.

    “UEFA do të presë edhe disa ditë për të vlerësuar nëse ndeshja kualifikuese evropiane 2024 mund të zhvillohet në datën 15/10 të planifikuar fillimisht ose kërkon shtyrje”, thuhet në njoftim.

    “UEFA do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe do të qëndrojë në kontakt me të gjitha ekipet e përfshira përpara se të marrë vendime për datat e reja dhe për ndryshimet e mundshme në ndeshjet e tjera të ardhshme”.

  • Sulmoi fizikisht tri gra, arrestohet burri

    Sulmoi fizikisht tri gra, arrestohet burri

    Një person është arrestuar në Malishevë, pasi i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht tri gra.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të tri grave u është ofruar ndihma mjekësore.

    I dyshuari është arrestuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • ​Humbi jetën pasi rrokulliset me traktor

    ​Humbi jetën pasi rrokulliset me traktor

    Një person është rrokullisur me traktorin e tij në një fushë-arë dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    Rasti ka ndodhur dje në Rahovec, ku lidhur me rastin vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime.

  • Inteligjenca egjiptiane thotë se Izraeli ka injoruar paralajmërimet e përsëritura për “diçka të madhe”

    Inteligjenca egjiptiane thotë se Izraeli ka injoruar paralajmërimet e përsëritura për “diçka të madhe”

    Një zyrtar egjiptian i inteligjencës thotë se Egjipti, i cili shpesh shërben si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit, kishte folur vazhdimisht me izraelitët për “diçka të madhe”, pa elaboruar.

    Ai thotë se zyrtarët izraelitë ishin të fokusuar në Bregun Perëndimor dhe minimizuan kërcënimin nga Gaza.

    Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press”.

    Qeveria e Netanyahu-t përbëhet nga mbështetës të kolonëve hebrenj të Bregut Perëndimor, të cilët kanë kërkuar një goditje të sigurisë përballë një valë në rritje të dhunës atje gjatë 18 muajve të fundit.

    “Ne i kemi paralajmëruar se një shpërthim i situatës po vjen, dhe shumë shpejt, dhe do të ishte i madh. Por ata i nënvlerësuan paralajmërimet e tilla”, thotë zyrtari, i cili flet në kushte anonimiteti, sepse nuk është i autorizuar të diskutojë përmbajtjen e diskutimeve të ndjeshme të inteligjencës me mediat.

  • Nis seanca gjyqësore ndaj ministres Rozeta Hajdari

    Nis seanca gjyqësore ndaj ministres Rozeta Hajdari

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nis seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për rastin e aksidentit, e cila kishte goditur me veturë një fëmijë.

    Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.