ATV

Blog

  • Vdes në QKUK një person që ishte lënduar në një aksident trafiku

    Vdes në QKUK një person që ishte lënduar në një aksident trafiku

    Ka vdekur një person i cili ishte lënduar në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 5 tetor në Gjakovë.

    Viktima ishte duke u trajtuar në QKUK, ku aty ka ndërruar jetë, njofton raporti 24 orësh i policisë.

    Ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë i është dërguar familjarëve për ceremoni mortore.

  • Kush është Hezbollahu?

    Kush është Hezbollahu?

    Grupi i armatosur, Hezbollah, mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe artileri në fermat Sheba, të pushtuara nga Izraeli, duke thënë se është “në solidaritet” me popullin palestinez.

    Izraeli, i cili u godit më 7 tetor nga një sulm i papritur prej Hamasit, u përgjigj me zjarr artilerie në Libanin jugor.

    Kur u formua Hezbollahu?

    I themeluar në vitin 1982 nga Garda Revolucionare e Iranit dhe i klasifikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollahu është grupi më i fuqishëm në Liban, për shkak të një milicie të armatosur rëndë, që luftoi disa luftëra me Izraelin.

    Hezbollahu është lëvizje politike dhe ushtri guerile, e cila mbështetet nga popullata shiite e Libanit.

    Arsenali i tij është shkak i mosmarrëveshjeve të shpeshta në këtë vend. Grupi thotë se armët i nevojiten për ta penguar Izraelin. Por, kundërshtarët e tij thonë se ai e minon shtetin, duke marrë vendime për luftën dhe paqen, që e prekin të gjithë kombin.

    Pjesëtarë të Hezbollahut duke mbajtur flamurin e tyre në dorë. Fotografi nga arkivi.

    Roli në Liban

    Grupi ka ministra në qeveri dhe ligjvënës në parlament. Ai i ka treguar muskujt edhe në rrugë.

    Në vitin 2008, një luftë për pushtet me kundërshtarët libanezë të mbështetur nga Perëndimi dhe Arabia Saudite, është shndërruar në konflikt të shkurtër.

    Luftëtarët e Hezbollahut kanë pushtuar disa pjesë të Bejrutit, pasi qeveria është zotuar se do të ndërmarrë veprime kundër rrjetit të komunikimit ushtarak të grupit.

    Në vitin 2016, politikani i krishterë aleat i Hezbollahut, Michel Aoun, është bërë president. Dy vjet më vonë, Hezbollahu dhe aleatët e tij kanë fituar shumicën parlamentare. Kjo shumicë ka humbur në vitin 2022, por grupi ka vazhduar të ushtrojë ndikim të madh.

    Grupi ka bërë fushatë edhe kundër një gjyqtari që ka hetuar shpërthimin në port të Bejrutit në vitin 2020, pasi ai ka kërkuar marrjen në pyetje të aleatëve të tij. Përplasja ka shkaktuar përleshje vdekjeprurëse në Bejrut në vitin 2021.

    Klasifikimi terrorist

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Britania, Argjentina dhe Hondurasi, si dhe nga Këshilli i Bashkëpunimit i Gjirit Mysliman – aleat i Shteteve të Bashkuara – i cili përfshin Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin.

    Bashkimi Evropian e klasifikon krahun ushtarak të Hezbollahut si grup terrorist, por jo edhe krahun e tij politik.

    Qeveria e Kosovës.

    Grupet që zyrtarët libanezë të sigurisë dhe inteligjenca perëndimore kanë thënë se kanë qenë të lidhura me Hezbollahun, kanë kryer sulme vetëvrasëse ndaj ambasadave dhe objektivave perëndimore dhe kanë rrëmbyer qytetarë perëndimorë në vitet 1980.

    Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollahun përgjegjës për një sulm vetëvrasës që ka shkatërruar selinë e marinës amerikane në Bejrut, në vitin 1983, duke vrarë 241 ushtarë.

    Një sulm vetëvrasës ka goditur edhe një kazermë franceze në Bejrut, në vitin 1983, duke vrarë 58 parashutistë francezë.

    Duke iu referuar atyre sulmeve dhe marrjes së pengjeve, udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, ka thënë në një intervistë në vitin 2022 se ato janë kryer nga grupe të vogla, që nuk kanë qenë të lidhura me Hezbollahun.

    Argjentina e ka fajësuar Hezbollahun dhe Iranin për bombardimin e vitit 1994 në një qendër të komunitetit hebraik në Buenos Aires, ku kanë mbetur të vrarë 85 persona, si dhe për një sulm në vitin 1992 në Ambasadën e Izraelit në Buenos Aires, ku janë vranë 29 persona. Por, të dyja vendet e kanë mohuar përgjegjësinë.

  • E pazakontë: Rrahu babain dhe e postoi në portalin e tij, arrestohet gazetari nga Shkodra

    E pazakontë: Rrahu babain dhe e postoi në portalin e tij, arrestohet gazetari nga Shkodra

    Një 37 vjeçar, me profesion gazetar është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Mësohet se 37 vjeçari ka nën administrim portalin ShkodraNews.

    Arrestimi i gazetarit u krye pas raportimit të babait se e kishte kërcënuar dhe dhunuar ndërkohë që kishte marrë urdhër mbrojtjeje nga ai.

    Policia kreu kontrolle në banesën e tij, ku gjetën një armë imituese të armës së zjarrit.

    Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se nga verifikimet ka rezultuar se gazetari me inicialet R.S, në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publik.

  • Javën që vjen nis vaksinimi kundër gripit në Kosovë

    Javën që vjen nis vaksinimi kundër gripit në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se prej javës së ardhshme do të fillojë vaksinimi kundër gripit.

    “Vaksinimi është mënyra më e thjeshtë dhe më efektive për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve serioze infektive. Po ashtu, pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për të zbutur dhe ndaluar epidemitë dhe pandemitë e ndryshme. Nga java që vjen, në Kosovë fillon vaksinimi kundër Gripit.”

    Në njoftim thuhet se fillimisht duhet të vaksinohen oersonat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar.

    “Tre vaksina të tjera: kundër Human Papilloma Virusit; Vaksina kundër Pneumokokut dhe Vaksina kundër Rotavirusit janë pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit (2023/2024) në Kosovë.”

  • Bushati kërkon unitet politik në Shqipëri për Kosovën: Sulmi i 24 shtatorit kambanë e fortë alarmi

    Bushati kërkon unitet politik në Shqipëri për Kosovën: Sulmi i 24 shtatorit kambanë e fortë alarmi

    Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka kritikuar se në Shqipëri ende politika nuk gjen gjuhë të përbashkët për ta miratuar një rezolutë për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës më 24 shtator.

    Bushati, ka thënë se bota demokratike, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, me të drejtë ka dënuar sulmi terrorist të Hamasit të shtunën kundër Izraelit.

    Por, tha se në spektrin politik të Shqipërisë nuk po arrihet një unitet edhe për ta dënuar sulmin ndaj Kosovës më 24 shtator.

    “Ndërkohë që kanë kaluar dy javë prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Kosovë, të njëjtët krahë të politikës nuk gjejnë ende gjuhën e përbashkët për miratimin e një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, për dënimin e sulmit terrorist ndaj Kosovës dhe denoncimin me emër të inspiruesve dhe autorëve të sulmit, të cilët, i morën jetën në krye të detyrës policit Afrim Bunjaku. Në memorien time do të mbetet gjithnjë e pashlyer seanca e Kuvendit të Shqipërisë, e 22 korrikut 2010. Teksa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpallte në mënyrë solemne vendimin e saj për përputhshmërinë me të drejtën ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, në Kuvendin e Shqipërisë u shfaq një ekran i madh, ku deputetët pa përjashtim ndoqën me emocion seancën maratonë të Gjykatës së Hagës. Nuk kishte ngjarje më të rëndësishme për kombin. Ndaj, seanca parlamentare e 22 korrikut 2010 ishte në lartësinë që kërkonte ndërgjegjja kombëtare. Politika shqiptare dëshmoi dinjitet. Nuk kishte kalendar, program apo agjendë parlamentare të planfikuar që mund ta konkurronte atë ngjarje historike. Simbolika e seancës parlamentare ishte e qartë: çështja kombëtare ka përparësi ndaj politikës të ditës”, ka shkruar Bushati në Facebook.

    Bushati ka thënë se “s’mund të lejohet që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës”. Ai tha se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës më nuk është çështje politike, por është çështje serioze e sigurisë për rajoni dhe për të ardhmen evropiane.

    “13 vjet më pas, sherret banale, gara me projekt-rezoluta dhe kërkesa për interpelancë, përçojnë mesazhin e papranueshëm se politika e vuvuzelave ka parakaluar çështjen kombëtare. Kjo nuk është në dinjitetin e politikës dhe as në nivelin e pritshmërisë së shoqërisë shqiptare. Kosova nuk është temë e politikës së jashtme dhe nuk mund të trajtohet as si temë e debatit të brendshëm politik. Kosova meriton të ketë vendin e saj të paprekshëm, pavarësisht rrethanave që prodhon politika e ditës. Nuk duhet të lejojmë që mungesa e vendosmërisë nga ana e Shqipërisë të trimërojë apo nxisë shtete ose grupime që kërkojnë zhbërjen e Kosovës. Në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në Europë sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj Kosovës është një kambanë e fortë alarmi. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Europës. Zgjedhja nuk është më mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës. Kjo e fundit ka të ngjarë të ndodhë nëse tolerohet roli i Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal”, ka thënë Bushati.

    Bushati ka thënë se politika në Shqipëri duhet të ngrihet në lartësinë e kërkesave të shoqërisë shqiptare dhe të miratojë njëzëri një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë.

    “Kuvendi i Shqipërisë ka plot burra e gra me dije dhe eksperiencë shtetërore që mund të hartojnë një dokument përbashkues që t’i qëndrojë stuhive të kohës. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të dënojë sulmet dhe provokimet e inspiruara nga Serbia kundër Kosovës, dhe të kërkojë bashkëpunimin e Serbisë me Kosovën, duke nisur nga dorëzimi i autorëve të sulmit dhe pranimi i një hetimi ndërkombëtar. Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria shqiptare duhet të angazhohen në një përpjekje të mirëfilltë diplomatike për miratimin e një rezolute në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe emërimin e reporterevë të pavarur për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje. Duke pasur parasysh misionin dhe fushën e përgjegjësisë së Këshillit të Europës, praktikën e konsoliduar me trajtimin e rasteve të tilla, por edhe faktin që Rusia nuk është më pjesë e kësaj organizate pan-europiane në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut, Shqipëria duhet të kanalizojë enerigjitë politiko-diplomatike në funksion të përmbushjes së këtij objektivi. Në të njëjtën kohë, Shqipëria duhet t’i lehtësojë Kosovës paraqitjen e provave dhe fakteve në forumet dhe organizatat ndërkombëtare, ku Kosova nuk ka qasje, në lidhje me veprimtarinë e ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve të sulmit terrorist”, ka thënë Bushati.

    Ai ka thënë se rezoluta e dalë nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbështesë punën e gjitha institucioneve të Kosovës në funksionin e zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës.

    “Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të mbështesë punën e të gjitha institucioneve të Kosovës në funksion të zbatimit të ligjit, rendit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të Kosovës, e të nxisë bashkërendimin e ngushtë të institucioneve të zgjedhura të Kosovës me partnerët strategjikë: SHBA-të, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të riafirmojë angazhimin e palëkundur të vendit tonë si anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, në mbrojtjen dhe promovimin e arkitekturës së sigurisë rajonale, të mbështetur nga SHBA, NATO dhe BE, qysh prej rënies së perdes së hekurt, e cila bazohet në mosndryshimin e kufijve, bashkëjetesën ndëretnike, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut me fokus te pakicat, dhe pranimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kontekst, partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen euro-atlantike. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet të denoncojë politikën e revizionimit të historisë dhe glorifikimit të kriminelevë të luftës dhe akteve terroriste nga Serbia, si pengesë për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë Europiane të rajonit”, tha Bushati.

    Ai ka thënë se rezoluta po ashtu duhet të mbështesë angazhimin e aleatëve në NATO për shtimin e trupave në KFOR, si garanci për paprekshmërinë e perimetrit të sigurisë së Kosovës. E po ashtu ka thënë se me këtë rezolutë duhet t’u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende se kanë njohur Kosovën ta njohin atë.

    “Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së, katër prej të cilave anëtare të NATO-s, që të njohin pavarësinë e Kosovës si kontribut për besueshmërinë e BE-së si ndërmjetësuese; zbatimin e planeve europiane për rajonin; dhe në të njëjtën kohë, si mesazh ndaj Serbisë për të pranuar realitetin e pasluftës në ish Jugosllavi dhe për të ecur në drejtim të rrugës europiane. Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë duhet t’i bëjë thirrje vendeve anëtare të NATO-s për të përfshirë sa më shpejt Kosovën në Programin e Partneritetit për Paqe; dhe vendeve anëtare të BE-së për të filluar shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE”, ka shkruar Bushati.

  • Arrestohet një 16 vjeçar në Pejë, dyshohet se planifikonte vrasjen e nxënësve në klasën e tij

    Arrestohet një 16 vjeçar në Pejë, dyshohet se planifikonte vrasjen e nxënësve në klasën e tij

    Një operacion i gjerë kontrolli është zhvilluar dje në rajonin e Pejës, ka rezultuar me arrestimin e një 16 vjeçari në Pejë.

    Burime brenda Prokurorisë kanë thënë se i dyshuari kishte plane për të kryer një sulm vrasës ndaj nxënësve në klasën e tij.

    Mësohet se rasti ishte nisur të hetohej nga Prokuroria e Pejës, por për shkak të ndjeshmërisë ai është bartur në Prokurorinë Speciale.

    Prokurori Ersan Qavolli ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti është bartur tek Prokuroria Speciale.

  • Mbi 400 militantë palestinezë të vrarë – thotë ushtria izraelite

    Mbi 400 militantë palestinezë të vrarë – thotë ushtria izraelite

    Më shumë se 400 militantë palestinezë janë vrarë në jug të Izraelit dhe në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë kapur.

    Kështu ka thënë zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Daniel Hagari, për Times of Israel.

    “Që nga ky moment, ka forca që luftojnë në [Kibbutz] Kfar Aza, ka kërkime në një numër të madh qytetesh. Ka forca të Izraelit në të gjitha qytetet, nuk ka qytet që nuk ka një forcë IDF në të”, citohet të ketë thënë ai, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Një raport i mëparshëm nga agjencia e lajmeve Reuters tha se qindra persona të armatosur palestinezë ishin vrarë që kur Hamasi filloi sulmin të shtunën.

    11:04 – Netanyahu mban një takim të sigurisë me zyrtarë të lartë

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po mban një takim për vlerësimin e sigurisë në selinë ushtarake në Tel Aviv, sipas mediave lokale.

    Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe Herzi Halevi, shefi i shtabit të ushtrisë, po marrin pjesë në takim mes zyrtarëve të tjerë të lartë, thanë mediat.

    Nga luftimet numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në 313, prej tyre deri më tani raportohen se 20 janë fëmijë.

    Ndërsa numri i izraelitëve të vrarëve është 300, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

    Të plagosur mbetën 2000 palestinezë, ndërsa 120 prej tyre janë të mitur.

    Kurse, në Izrael 2 mijë persona po trajtohen në spitale, 19 prej tyre janë në gjendje kritike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    10:46 – Hamas: Nuk po i sulmojmë civilët

    Hamasi nuk po i sulmon civilët, tha zëdhënësi i lartë i këtij grupi, Osama Hamdan.

    Kjo deklaratë e Hamdan për Al Jazeera, erdhi pasi grupet e të drejtave si Amnesty International kanë theksuar se civilët izrealitë ishin vrarë nga Hamasi.

    Ai shtoi se duhet bërë dallimi mes siç tha “kolonëve dhe civilëve”, sipas tij kolonët sulmuan palestinezët.

    10:21 – Konflikti izraelito-palestinez: Mbi 600 të vrarë

    Numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në 313, prej tyre deri më tani raportohen se 20 janë fëmijë.

    Ndërsa numri i izraelitëve të vrarëve është 300, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

    Të plagosur mbetën 2000 palestinezë, ndërsa 120 prej tyre janë të mitur.

    Kurse, në Izrael 2 mijë persona po trajtohen në spitale, 19 prej tyre janë në gjendje kritike, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    09:40 – Shtëpitë e liderëve të Hamasit mes 150 objektivave të goditura nga sulmet izraelite

    Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur 150 objektiva që nga fillimi i sulmeve, një burim palestinez i sigurisë i tha BBC-së.

    Aty janë të përfshira disa komplekse ku besohej se banonin liderët e Hamasit, transmeton Klankosova.tv

    Në mesin e këtyre është raportuar më parë se ishte sulmuar edhe shtëpia e shefit të inteligjencës së Hamasit.

    09:26 – Izraeli godet shtëpinë e shefit të inteligjencës së Hamasit

    Ushtria izraelite ka goditur shtëpinë e shefit të inteligjencës të Hamasit në Rripin e Gazës.

    Shtëpia u përdor si një infrastrukturë ushtarake nga grupi, sipas deklaratës së ushtrisë në X (ish-Twitter).

    Ushtria vazhdon të kryejë sulme në të gjithë Gazën, thuhet në deklaratë, raporton Al Jazeera, transmeton Klankosova.tv.

    08:55 – 100 civilë dhe ushtarë izraelitë të rrëmbyer, thotë ambasada në SHBA

    Ambasada izraelite në Shtetet e Bashkuara ka thënë se 100 civilë dhe ushtarë janë rrëmbyer

    Në një postim në X, dikur Tëitter, thuhet gjithashtu se më shumë se 300 izraelitë janë vrarë dhe mbi 1800 janë plagosur, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Këto shifra nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Izraeli.

    08:40 – Izraeli kryen sulme në territorin libanez

    Izraeli raportohet se ka qëlluar në territorin libanez në përgjigje të sulmit me mortaja nga atje.

    Ndërsa, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se të shtënat u realizuan në zonën e malit Dov, një pjesë toke e pretenduar nga Izraeli, Libani dhe Siria pranë kryqëzimit të tre vendeve.

    Kurse, Izraeli ka paralajmëruar lëvizjen militante të Hezbollahut të Libanit që të mos përfshihet në luftime, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

    08:34 – Shkon në 300 numri i izrealitëve të vrarë, ndërsa i palestinezëve në 256

    Numri i izraelitëve të vrarë ka shkuar në 300, ndërsa i palestinezëve në 256.

    Izrealitet janë vrarë në sulmin e Hamasit në Izrael.

    Kurse, palestinezët u vranë në Rripin e rrethuar të Gazës, raporton Al Jazeera.

  • Ministri Murati panelist në takimet vjetore të FMN-së në Marok

    Ministri Murati panelist në takimet vjetore të FMN-së në Marok

    Ministri i Financave, Hekuran Murati do të udhëtojë për Marrakech të Marokut për të marrë pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat këtë vit do të mbahen nga 9 deri më 15 tetor.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave në këtë ngjarje, ministri Murati është ftuar nga FMN-ja si panelist për të prezantuar të arriturat e Kosovës në zbatimin e Programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri, program ky i dakorduar me FMN-në në fillim të këtij viti.

    “Ministri Murati gjatë vizitës së tij gjithashtu do të takohet me drejtues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, me të cilët do të diskutojë rreth zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, projektet në proces dhe projektet e reja, si dhe politikat e Qeverisë për zhvillim ekonomik e rritje të mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në njoftim.

    Takimet e vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore janë takime të rëndësishme të Komunitetit Ndërkombëtar Financiar, ku bashkohen figurat kryesore të fushës, ministra të financave dhe zhvillimit, guvernatorë të bankave qendrore, përfaqësues nga sektori privat, shoqëria civile, institucionet akademike dhe media; nga 189 shtete anëtare të organizatave në fjalë, përfshirë Republikën e Kosovës.

    Kujtojmë se më 9 Maj 2023 është nënshkruar Programi i ri në mes të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke e bërë Kosovën vendin e parë në Evropë që përfiton nga Programi i ri FMN “Fondi për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri”.

  • I riu imiton komentartorët e futbollit në mënyrë fantastike, moderatori nuk ndalet së qeshuri

    I riu imiton komentartorët e futbollit në mënyrë fantastike, moderatori nuk ndalet së qeshuri

    Mani Aliu, një djalosh i cili ka talent të jashtëzakonshëm në komentimin e ndeshjeve të futbollit, njëherësh edhe imitimin e komentatorëve më të njohur shqiptar, ishte i ftuar në emisionin A PLAY në ATV.

    Ai, në këtë emision ka treguar se komentimin e ka nisur rastësisht, me një video të cilën e kishte publikuar në rrjetet sociale, e cila ishte bërë virale.

    “Futbollin, kur kam qenë më i ri e kam luajt. Këtë punën e komentimit e kam nisë rusisht. Kam qenë duke luajtur Sony në shtëpi, e kam bërë një video, e kam postu dhe u bë virale. Më pas, është një turnir në një fshat të Suharekës, i cili mbahet për çdo vit, edhe po më ftojnë orgaizatorët, a mundësh me ardhë vetëm një lojë me e komentu, pranova, e më pas nuk kishte kush të më heq prej aty”, tregon Mani.

    Në këtë emision, ai imitoi disa nga komentatorët më të njohur nga Kosova dhe Shqipëria.

    Këto momente interesante i gjeni në videon më poshtë:

  • Reshtiaj: Ftesa e Zybes dhe Dellovës super e merituar, FFK-ja është dashur t’i rrijë gati edhe Edvin Kuç

    Reshtiaj: Ftesa e Zybes dhe Dellovës super e merituar, FFK-ja është dashur t’i rrijë gati edhe Edvin Kuç

    Gazetari Kushtrim Reshtiaj, në emisionin A PLAY në ATV, tha se ftesa nga kombëtarja e Kosovës për Zyben dhe Delloven, edhe pse e vonuar, ka qenë super meritore.

    “Unë kam qenë promotor i vazhdueshëm i këtyre futbollistëve me kaq shumë klasë që i ka Kosova dhe specifikisht Ballkani që këta është dashtë gjithsesi të kenë ftesën e Përfaqësueses së Kosovës. Ne që përcjellim futboll që një kohë të gjatë, i kemi pa kualitetet e lojtarëve të Ballkanit dhe disa të tjerëve në disa klube të Kosovës. Nuk janë aspak më të ulëta se ata që po e bartin fanellën e Kosovës. Ftesa për Zybën dhe Dellovën, sado që është e vonuar, është super meritore për shkak se të dy jo vetëm që duhet të jenë brenda reprezentacionit të Kosovës, por që të dy janë edhe në llupën e shumë klubeve jashta kufijve tanë, jo vetëm në rajon, por edhe të disa klubeve evropiane, sepse kualiteti i tyre po shihet nga ndeshja në ndeshje, as më tepër kur po përballen me klube siç janë këto të fortat si Pollsen, Dinamo Zagreb, apo vitin e kaluar që ishte Sllavia e Pragës, Kluzhi i Rumanisë. Ka shumë kualitet në Kosovë, prandaj është dashur që me kohë të ftohen këta futbollistë”, tha Reshtiaj.

    Ai komentoi edhe ftesën nga Maqedonia e Veriut për lojarin Edvin Kuç, për të cilin tha se FFK-ja është dashur t’i rrijë gati, pasi që pozita ku luan ky i fundit, në përfaqësuesen e Kosovës është shumë e zbehtë.

    “Sa i përket Edvin Kuç, kualitet e tij i kemi parë që një kohë të gjatë të gjithë. Është një futbollistë i rrallë në pozitën ku ai luan. Fatkeqësisht, në përfaqësuesen e Kosovës, pozita ku luan Edvin Kuç, është goxha e zbehtë me kualitet të zbehtë të futbollistëve që e luajnë atë rol, në të shumtën e rasteve është improvizim i trajnerit sepse nuk ka lojtar kyç. Mendoj që është dashtë që FFK-ja t’i rrijë pak gati”, tha Reshtiaj. /atvlive.tv

    Për më shumë, shikoni emisionin A PLAY në videon më poshtë: