ATV

Blog

  • Gazetari serb dëshmon kundër krerëve të UÇK-së në Hagë

    Gazetari serb dëshmon kundër krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Gjykatën Speciale ka vazhduar dëshminë dëshmitari i radhës kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmitari i radhës është një gazetar i Tanjugut serb që pretendonte se është ndaluar e keqtrajtuar nga UÇK-ja.

    I njëjti pretendon se është “dënuar” nga UÇK-ja vetëm se ka kaluar në “territorin” e tyre pa mjet identifikimi.

    “Ka qenë gazetar i Tanjugut që në fillim të 1996. Më 18 tetor 1998 kur po udhëtonte, u ndalua në një pikë kontrolli të UÇK, është mbajtur i ndaluar në 4 vende, përfshirë edhe një vend që ai pretendon se është Kleçkë. Gjatë kësaj kohe, një anëtar i UÇK-së i ka vendosur një armë në gojë. Ai thotë se është kërcënuar me thikë. Ata janë dënuar sepse kanë udhëtuar në zonën e UÇK-së”, tha në fillim të seancës, Prokuroria e Specializuar.

  • Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet

    Një luftë e re në tetor. Mbi 1.000 njerëz të vrarë në dy ditë, të plagosur, pengje e shkatërrime gjithandej.

    “Sulmi më i keq kundër Izraelit që nga Lufta Yom Kipur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke iu referuar luftës arabo-izraelite të vitit 1973, e njohur po ashtu si Lufta e Tetorit.

    E gjitha filloi më 7 tetor, kur militantët palestinezë të Hamasit sulmuan papritur Izraelin nga Rripi i Gazës.

    Mijëra raketa u hodhën në lagje të banueshme, luftëtarët hynë brenda komuniteteve, vranë banorë dhe morën pengje.

    Në përgjigje, ushtria e Izraelit nisi sulmet nga ajri në Rripin e Gazës, ndërsa Qeveria e vendit shpalli zyrtarisht luftë kundër Hamasit.

    “Izraeli do t’i hakmerret fuqishëm Hamasit. Kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të dielën e 8 tetorit.

    Arsyet e sakta të sulmit të Hamasit nuk janë të qarta, por dhuna mes dy palëve ka qenë në rritje prej muajsh.

    Komandanti i Hamasit, Mohammed Deif, u bëri thirrje palestinezëve dhe arabëve të tjerë që t’i bashkohen operacionit të grupit kundër Izraelit.

    Por, është e paqartë nëse palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor apo gjetkë në rajon, do ta dëgjojnë thirrjen e tij.

    Askush “nuk dëshiron të shohë ndonjë përshkallëzim rajonal”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.

    Ai tha se Hamasi dhe mbështetësit e tij janë “plotësisht përgjegjës për aktin e tmerrshëm të terrorit” në Izrael, për “vrasjen e civilëve dhe rrëmbimin e njerëzve të pafajshëm”.

    Kush mund të përfshihet?

    Një skenar i keq do të ishte përfshirja e grupit të fuqishëm militant libanez, Hezbollah.

    I parë si kërcënim i madh nga Izraeli, grupi mbështetet prej vitesh nga Irani dhe ka lidhje të ngushta me Hamasin.

    Të dielën në mëngjes, Hezbollahu lëshoi një numër raketash dhe predhash në veri të Izraelit, por pa shkaktuar viktima.

    “Nëse Izraeli dërgon trupa tokësore në Gazë ose bën diçka tjetër drastike, atëherë Hezbollahu mund të hapë një front në Liban dhe ta mbrojë vendimin e tij duke thënë se nuk ka zgjidhje, duhet ta mbrojë Palestinën”, tha për France24 Hussein Ibish, nga Instituti i Shteteve Arabe të Gjirit.

    “Do të mund ta shohim Izraelin në një luftë me shumë fronte, me grupe të ndryshme të rezistencës – shumica e tyre nën kontrollin e Iranit”, tha ai.

    Sulmi i papritur palestinez ngjall frikë për “një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme”, shkroi Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.

    “Irani është, sigurisht, mbrojtës i Hezbollahut [si dhe i grupeve të tjera militante palestineze]. Ekziston një rrezik gjithnjë e më i madh për një konflikt me dy fronte, i cili do të shkatërronte pjesë të Izraelit dhe një pjesë të madhe të Libanit, ku është i bazuar Hezbollahu. Ekziston rreziku i përshkallëzimit”, vlerësoi instituti me seli në Nju Jork.

    Irani, armik i betuar i Izraelit, ishte ndër vendet e para që mirëpriti ofensivën e Hamasit kundër Izraelit.

    Izraeli, prej vitesh, e akuzon atë për furnizimin e grupeve militante me armë dhe me inteligjencë.

    Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha se vendi i tij e mbështet mbrojtjen legjitime të kombit palestinez, duke shtuar se Izraeli dhe mbështetësit e tij “janë përgjegjës për paqëndrueshmërinë në rajon” dhe se ata “duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë çështje”. Ai u bëri thirrje qeverive myslimane që “ta mbështesin kombin palestinez”.

    Sipas një analize të Këshillit Atlantik, nëse Hezbollahu përfshihet në konflikt, “Izraeli do të përballet me një luftë mbarëkombëtare që nuk e ka përjetuar tash e sa dekada”.

    “Ditët dhe javët e ardhshme ka të ngjarë që të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e sigurisë së Izraelit, por ato mund të përcaktojnë edhe të ardhmen e pozitës së tij në rajon”, thuhet në këtë analizë.

    Hezbollahu, sipas gazetës Financial Times, ka një arsenal raketash shumë më të madh dhe më të sofistikuar se Hamasi, i cili tenton të mbështetet në raketat e bëra vetë.

    “Përfshirja e tij në konflikt do të kërcënonte ta mposhtte sistemin mbrojtës të Kupolës së Hekurt të Izraelit”.

    “Hezbollahu ia përgjaku hundën Izraelit gjatë konfliktit njëmujor në vitin 2006 dhe ai fitoi përvojë në fushëbetejë, pasi ndërhyri në luftën civile të Sirisë për ta mbështetur presidentin Bashar al-Assad”, shkroi Financial Times.

    Sky News kujtoi se marrëveshja e paqes midis Arabisë Saudite dhe Izraelit dukej se ishte afër, por “ajo që do të ndodhë gjatë ditëve në vijim, mund ta vërë atë në dyshim”. “Ndoshta ky është qëllimi i Hamasit”, shkroi mediumi britanik.

    Sipas tij, ky nuk është rund i zakonshëm i dhunës – “është shumë më serioze se kaq” dhe “inkursioni tokësor nuk përjashtohet”.

    “Përgjigjja e Izraelit ndaj sulmeve ka të ngjarë të jetë e një shkalle të tillë që do t’i frenojë përpjekjet e SHBA-së për normalizimin saudito-izraelit, nëse jo t’i silurojë ato krejtësisht”, shkroi në platformën X Amberin Zaman, analiste në Al-Monitor, një ueb-faqe që mbulon Lindjen e Mesme, me bazë në Uashington.

    Ushtria izraelite urdhëroi një përforcim masiv të trupave, ndërsa tubime për të shprehur mbështetje për Hamasin, u mbajtën në të gjithë Lindjen e Mesme.

    Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor, në një demonstrim mbështetjeje për të, pas sulmit të Hamasit.

    Ai tha se SHBA-ja do të ofrojë edhe municione për Izraelin, ndërsa do t’i shtojë avionët luftarakë në rajon.

    Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?

    Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin.

    Ai luftoi me të në Gazë katër herë dhe kreu shumë operacione të tjera, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.

    Militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë.

    Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që kërcënojnë kufijtë e tij.

    Hamasi dhe mbështetësit e tij, në anën tjetër, e akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

    Ai udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007.

    Hamasi në tërësi – ose në disa raste krahu i tij ushtarak – cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera. /rel

  • Shqiptarja: Në Izrael çdo shtëpi ka një dhomë të blinduar, ruhemi nga sulmet

    Shqiptarja: Në Izrael çdo shtëpi ka një dhomë të blinduar, ruhemi nga sulmet

    Bilanci i luftës në Izrael për fat të keq sa vjen dhe bëhet edhe më tragjik. Të dhënat e mbrëmshme nga mediat izraelite flasin për mbi 2000 te plagosur dhe mbi 700 te vrarë.

    Ndërkohë shqiptarja Irena Steinova, që jeton në Izrael foli për tmerrin që po përjetojnë.

    Ajo theksoi se Izraeli para 25 vitesh dha urdhër që në çdo ndërtim që bëhet, apartamentet apo shtëpitë të kenë një dhomë të blinduar.

    Më tej nënvizoi se ajo nuk ka një dhomë të blinduar, por ama të gjithë shtëpitë që janë ndërtuar 25 vitet e fundit e kanë.

    “Gati 25 vite më parë Izraeli dha urdhër që kur të ndërtohen godinat, çdo shtëpi të ketë dhomën e blinduar dhe njerëzit futen në dhoma. Unë nuk kam, por të gjithë shtëpitë që janë ndërtuar 25 vitet e fundit, kanë dhoma të blinduara”, tha ajo në Euronews Albania.

  • Në Parlamentin e Këshillit të Evropës diskutohet sot për tensionet në veri të Kosovës

    Në Parlamentin e Këshillit të Evropës diskutohet sot për tensionet në veri të Kosovës

    Në seancën e rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot pritet të diskutohet për situatën në Kosovë.

    Sesioni duhet të diskutojë gjithashtu situatën në Izrael dhe Nagorno-Karabakh.

    Seanca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbahet pas orës 16:00.

    Më 24 shtator, një grup terroristësh sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

    Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

    Kosova ka fajësuar për këtë sulm terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Në BE disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

  • Sulmi kundër Izraelit: Kush është “koka” që organizoi sulmin e Hamasit?

    Sulmi kundër Izraelit: Kush është “koka” që organizoi sulmin e Hamasit?

    Operacioni i Hamasit që kapi Izraelin në befasi nuk mund të organizohej pa një person që të organizonte personat e armatosur dhe rolet e tyre dhe të kishte një bazë ideologjike.

    Ai person u shfaq në hije në një video të publikuar mesditën e së shtunës kur nisi operacioni. Zëri në video i përket (ose pretendohet se i përket) Mohammed Deif, komandantit të krahut ushtarak të grupit militant palestinez.

    Në artikullin e Financial Times flitet për përparimin e Deifit drejt niveleve më të larta të Hamasit, madje duke lënë në hije kundërshtarët e tij në Fatah, fraksioni më i moderuar.

    Por shumë pak dihet për të. Ata që e njihnin në vitet 1980 thonë se edhe atëherë ai quhej Deif, ndërsa të tjerë thanë se e njihnin me emrin e tij të vërtetë, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, raporton abcnews.al.

    Deri më sot ka vetëm një fotografi të tij.

    Një “fëmijë” i kampit të refugjatëve Han Younis, ku ai lindi në vitet 1960, Dave kishte një dajë dhe baba që kishin marrë pjesë në bastisjet e viteve 1950 nga palestinezë të armatosur.

    Tani i rritur, në vitet 1980, ai iu bashkua Hamasit dhe si shumë të tjerë kaloi pjesën më të madhe të jetës në burgje. Ata që e kanë njohur e quajnë një njëri të qetë, i cili nuk është i interesuar për rivalitetet e brendshme të fraksioneve palestineze, por po zhvillon taktikat e tij.

    Por në të njëjtën kohë, ai nuk është i bindur se konflikti izraelito-arab do të zgjidhet me dhunë. Ashtu si të tjerët në Hamas, Dief e sheh Marrëveshjen e Oslos, e cila në fund të viteve 1990 premtoi një zgjidhje paqeje, si një tradhti të rezistencës palestineze.

    Nofka e tij ushtarake është “Vizitori “, duke iu referuar zakonit të palestinezëve të paligjshëm për të kaluar çdo natë në një shtëpi të ndryshme për të shmangur inteligjncën izraelite.

    Gjithashtu 20 vjet më parë, pasi një sulmi ajror izraelit, Dief humbi krahun dhe këmbën duke qëndruar në karrige me rrota. Por, pavarësisht nga paaftësia e tij, ai arrin t’u shmanget izraelitëve dhe të planifikojë operacione.

    Aksioni i “Vizitorit” është i përgjakshëm.

    Izraeli e konsideron atë përgjegjës për vdekjen e dhjetëra njerëzve në sulme vetëvrasëse.

    Dief dikur ndërtonte bomba ndërsa ishte arkitekt i një programi dhjetëvjeçar për të gërmuar një rrjet tunelesh nën Gaza. Thuhet se ai ka studiuar nën Yahya Agias, një bombardues me nofkën “Inxhinieri” i cili u vra nga Izraeli në vitin 1996 me një telefon celular të mbushur me eksploziv, raporton abcnews.al.

    Figura e tij ka frymëzuar besim dhe respekt brenda Hamasit dhe ndoshta më shumë tek të rinjtë. Operacioni i fundit ndoshta do të rrisë reputacionin e tij.

    Ai beson se tani “nuk do të ketë armëpushim” me Izraelin, “vetëm hakmarrje”.

  • Shqetësim për konflikt masiv në Lindjen e Mesme, pas sulmit ndaj Izraelit

    Shqetësim për konflikt masiv në Lindjen e Mesme, pas sulmit ndaj Izraelit

    Kabineti i sigurisë i Izraelit deklaroi zyrtarisht gjendjen e luftës ndërsa ushtarët izraelitë vazhduan betejën me luftëtarët e Hamasit në rrugët e pjesës jugore të vendit dhe bombardimet ndaj Gazës, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të pashembullt të grupit militant palestinez brenda territorit izraelit.

    Zyrtarët izraelitë thonë se numri i të vrarëve në Izrael ka arritur në të paktën 600 persona. Goditjet ajrore izraelite goditën blloqe godinash banimi, tunele, një xhami dhe shtëpitë e zyrtarëve të Hamasit në Gaza, duke shkaktuar vdekjen e mbi 370 vetëve.

    Ushtarët izraelitë vazhduan luftimet kundër militantëve të Hamasit në rrugët e Izraelit jugor të dielën dhe ndërmorën sulme kundërpërgjigjëse që rrafshuan ndërtesa në Gaza. Në Izraelin verior një shkëmbim i shkurtër sulmesh me militantët e Hezbollahut të Libanit përshkallëzoi frikën për zgjerimin e konfliktit.

    Luftimet po vazhdojnë më shumë se 24 orë pas një sulmi të pashembullt nga palestinezët, në të cilin militantët e Hamasit, të mbështetur nga mijëra raketa, depërtuan përmes barrierës së sigurisë së Izraelit. Ata morën robër të cilët i dërguan në Gaza, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët do të përpiqen t’i shkëmbejnë me mijëra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.

    Numri i lartë i vdekjeve, të burgosurit e shumtë dhe një reagim i ngadaltë ndaj sulmit treguan për një dështim të madh të inteligjencës dhe lëkundën përshtypjen e mbajtur prej kohësh se Izraeli ka sy dhe veshë kudo në Gaza, territorin e vogël dhe me popullsi të dendur që e ka kontrolluar për dekada.

    Pyetja kryesore tani është nëse Izraeli do të nisë një sulm tokësor në Gaza, një lëvizje që në të kaluarën ka sjellë viktima të shumta. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua se Hamasi “do të paguajë një çmim të paprecedentë”. Por ai paralajmëroi se “kjo luftë do të marrë kohë. Do të jetë e vështirë”.

    Televizionet izraelite transmetuan një mori lutjesh për ndihmë nga të afërmit e izraelitëve të marrë peng ose të zhdukur. Në Gaza, banorët u larguan nga shtëpitë pranë kufirit për t’i shpëtuar sulmeve izraelite, duke ikur më thellë brenda territorit pas paralajmërimeve në arabisht nga ushtria izraelite.

    Në Egjiptin fqinj, një polic qëlloi për vdekje dy turistë izraelitë dhe një egjiptian në një vend turistik në Aleksandri, tha Ministria e Brendshme. Egjipti arriti një marrëveshje paqeje me Izraelin dekada më parë, por ndjenjat anti-izraelite janë të larta në vend, veçanërisht gjatë periudhave të dhunës izraelito-palestineze.

    Sulmet në kufirin verior të Izraelit me Libanin kërcënojnë gjithashtu të tërheqin në betejë Hezbollahun, një armik të ashpër të Izraelit, i cili mbështetet nga Irani dhe vlerësohet të ketë dhjetëra mijëra raketa në dispozicion. Hezbollahu lëshoi dhjetëra raketa dhe predha të dielën në tre pozicione izraelite në një zonë përgjatë kufirit dhe ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke përdorur dronë të armatosur. Dy fëmijë u plagosën lehtë nga xhami i thyer në anën libaneze, sipas një spitali të zonës.

    Admirali Daniel Hagari, një zyrtar ushtarak izraelit, u tha gazetarëve se situata në kufirin verior ishte e qetë pas shkëmbimit të zjarrit me Hezbollahun. Por ai tha se luftimet po vazhdonin në jug dhe ku ka ende situata pengjesh.

    Ai tha se trupat kishin shkuar tek çdo lagje pranë kufirit të Gazës, ku ata planifikonin të evakuonin të gjithë civilët dhe të pastronin zonën nga militantët.

    “Ne do të shkojmë në çdo komunitet derisa të vrasim çdo terrorist që është në territorin izraelit”, tha ai. Në Gaza, “çdo terrorist që gjendet nëpër shtëpi, të gjithë komandantët, do të goditen nga zjarri izraelit. Kjo do të vazhdojë të përshkallëzohet në orët në vijim”.

    Hamasi tha se gjatë natës kishte vazhduar të dërgonte forca dhe pajisje në “disa vendndodhje brenda territoreve tona të okupuara”, duke iu referuar Izraelit. Mediat e lidhura me Hamasin raportuan se djali i Nizar Awadallahut, një zyrtar i lartë politik, u vra. Grupi militant islamik nuk ka raportuar për ndonjë anëtar të lartë të kapur, vrarë apo plagosur.

    Sulmi i befasishëm i së shtunës ishte më vdekjeprurësi në Izrael në dekada. Gjatë sulmit që kapi Izraelin në befasi, persona të armatosur të Hamasit përdorën eksplozivë për të thyer gardhin kufitar që rrethonte Gazën, më pas kaluan në Izrael me motoçikleta, kamionçina, parashuta dhe varka të shpejta në bregdet.

    Ata u futën deri në 22 zona mëngjesin e të shtunës, në qytete dhe komunitete të ndryshme deri në 24 kilometra nga kufiri i Gazës, ndërsa Hamasi lëshoi mijëra raketa në qytetet izraelite.

    Luftëtarët e Hamasit morën një numër të panjohur civilësh dhe ushtarësh robër në Gaza. Një mori izraelitësh, të afërm me të zhdukurit, shkuan nëpër rajone policie në Izraelin qendror për të furnizuar hetuesit me mostra të ADN-së dhe mjete të tjera që do mund të ndihmonin në identifikimin e anëtarëve të familjes së tyre.

    Izraeli goditi 426 objektiva në Gaza, sipas ushtrisë izraelite.

    UNRWA, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Palestinezët, tha se më shumë se 20,000 palestinezë u larguan nga rajoni kufitar i Gazës për të shkuar më tej brenda territorit dhe për t’u strehuar në shkollat e OKB-së.

    Në një fjalim televiziv të shtunën mbrëma, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria do të përdorë të gjitha forcat e saj për të shkatërruar aftësitë e Hamasit.

    Në Gaza, pjesa më e madhe e popullsisë u la në errësirë të shtunën në mbrëmje pasi Izraeli ndërpreu energjinë elektrike dhe tha se nuk do të furnizonte më me energji, karburant ose mallra të tjera këtë territor.

    Hamasi tha se kishte planifikuar për një luftë të gjatë. “Ne jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë luftën në të gjitha frontet”, tha zëvendëskryetari i byrosë politike të Hamasit, Saleh al-Arouri për televizionin “Al-Jazeera”.

    Një zyrtar egjiptian tha se Izraeli ka kërkuar ndihmë nga Kajro për të garantuar sigurinë e pengjeve dhe se shefi i inteligjencës egjiptiane kishte kontaktuar Hamasin dhe grupin më të vogël por më radikal të Xhihadit Islamik, i cili gjithashtu mori pjesë në sulmin e të shtunës, për të kërkuar informacion. Egjipti ka ndërmjetësuar shpesh mes dy palëve në të kaluarën.

    Zyrtari tha se udhëheqësit palestinezë pretenduan se nuk kanë ende një “version të plotë” sa u përket pengjeve, por tha se ata që u sollën në Gaza u dërguan në “vendndodhje të sigurta” në të gjithë territorin.

    “Është e qartë se ata kanë një numër të madh – disa dhjetëra”, tha zyrtari, i cili kërkoi të mos identifikohej sepse nuk ishte i autorizuar të informonte mediat.

    Egjipti foli gjithashtu me të dyja palët për një armëpushim të mundshëm, por zyrtari tha se Izraeli nuk ishte i hapur për një armëpushim “në këtë fazë”.

    Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden përsëriti mbështetjen e fortë dhe të palëkundur të Uashingtonit për Izraelin.

    “Në bisedën me Kryeministrin Netanyahu, i thashë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Izraelit përballë këtyre sulmeve terroriste. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Nuk ka kurrë justifikim për sulmet terroriste”, tha Presidenti Biden.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi ashpër sulmet e Hamasit dhe tha se ishte “tmerruar” nga sulmet kundër popullsisë civile dhe rrëmbimi i tyre. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre, ndërsa bëri thirrje për përpjekje diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë.

    Këshilli i Sigurimit i të Kombeve të Bashkaura do të mblidhet të dielën pasdite në një seancë urgjente me dyer të mbyllura për t’u informuar mbi situatën.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

    Trupi gjykues do të dalë përpara ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte në Kosovë.

    Akoma nuk është bërë e ditur nëse seanca e sotme do të jetë e hapur apo e mbyllur për publikun.

  • Pse Serbia i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kur flet për Kosovën?

    Pse Serbia i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kur flet për Kosovën?

    Në diskutimet për Kosovën, autoritetet serbe nuk mungojnë asnjëherë t’i referohen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar më 10 qershor 1999, e cila zyrtarizoi autoritetin e OKB-së mbi Kosovën. Edhe pse thelbësisht katastrofike për Serbinë, Rezoluta ruante zyrtarisht sovranitetin e saj mbi Kosovën.

    Një ditë para miratimit të Rezolutës 1244, presidenti i RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi Marrëveshjen e Kumanovës, e cila i dha fund bombardimeve tre mujore të NATO-s mbi RFJ-në.

    Rezoluta 1244 konfirmoi praninë ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Republikën Federale të Jugosllavisë dhe themelimin e Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Edhe pse Jugosllavia humbi kontrollin e drejtpërdrejtë mbi Kosovën me Rezolutën e Republikës Federale të Jugosllavisë, ajo ruajti kontrollin formal dhe ligjor, në atë mënyrë që OKB-ja deklaroi se Kosova është pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë.

    “Vendosja e një administrate të përkohshme për Kosovën si pjesë e pranisë civile ndërkombëtare nën të cilën populli i Kosovës do të mund të gëzojë autonomi thelbësore brenda RF të Jugosllavisë, e cila do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Administrata e përkohshme duhet të sigurojë një administratë kalimtare , dhe në të njëjtën kohë të themelojë dhe mbikëqyrë zhvillimin e institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse demokratike me qëllim të sigurimit të kushteve për një jetë të qetë dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës”, thuhet në Rezolutë.

    Institucionet e përkohshme të Kosovës

    Institucioneve të OKB-së iu dha detyra që të formojnë institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, kuvendin, presidentin, qeverinë dhe sistemin gjyqësor, gjë që është bërë ndërkohë.

    Ishte Kuvendi i Kosovës në vitin 2008, që miratoi Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës, të cilën Serbia, si “trashëgimtare juridike e RF të Jugosllavisë”, nuk e pranoi. Në të njëjtin vit, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Deri më sot, mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Në anën tjetër, Rezoluta 1244 përcaktonte se zgjidhjet politike për krizën në Kosovë duhet të bazohen në parimin e lartpërmendur të “autonomisë thelbësore” brenda RF të Jugosllavisë. Pavarësia nuk përmendet në këtë kuptim dhe prandaj Serbia sot përdor Rezolutën 1244 si argument në të gjitha negociatat me palën kosovare.

    Mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

    Me rastin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi një mendim këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pyetjen në vijim: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes? në Kosovë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konkludoi në opinionin e saj këshillues se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, rezolutën 1244 të OKB-së, apo rendin juridik ndërkombëtar në Kosovë. Në fund u konstatua se institucionet e përkohshme në Kosovë formalisht dhe juridikisht nuk e kanë sjellë Deklaratën dhe as nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare, por se liderët e shqiptarëve nga Kosova kanë sjellë një dokument jodetyrues.

    Edhe pse Deklaratën e sollën përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës dhe të cilët në atë moment ishin në sallën e Kuvendit, ajo nuk u soll formalisht nga vetë Kuvendi i Kosovës.

    “Gjykata ka dëgjuar tashmë se shpallja e pavarësisë nuk është lëshuar nga autoritetet e përkohshme dhe as ka hyrë në fuqi në rendin juridik në të cilin funksionojnë ato institucione të Përkohshme”.

    Nëse nuk do të ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata nuk do të mund të konstatonte as shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në realitetin politik, Deklarata nisi një ortek të njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera, gjë e cila është ndalur ndërkohë nga lobimi i Serbisë, pjesërisht me argumentet e lartpërmendura.

  • Opozita: Nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin

    Opozita: Nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin

    Punësimet përmes lidhjeve familjare apo përkatësisë partiake vazhdojnë të jenë shqetësim për qytetarët në Kosovë. Disa nga qytetarët e pyetur për këtë çështje thonë se asgjë nuk ndryshoi në këtë drejtim dhe kjo është një ndër arsyeje pse ata po vazhdojnë të dalin jashtë vendit.

    Ndërkohë, partia në pushtet e mohon një gjë të tillë ndërsa deputetë nga opozita thonë se nepotizmi dhe korrupsioni është bërë normalitet për pushtetin.

    “Ka nuk janë ndalë secilën qeveri ka, njësoj kurfar përmirësimi ska… për qata po ikin nëse ska punë duhet me ikë”, tha një qytetar.

    “Po jo mor nepotizmi është n’gjak është kulturë e jona është e njejtë s’ka ndryshu kurgjo. Ka ndryshu rrotacioni i pushtetit, por jo njerëzit”, tha një qytetar.

    “Mu nisë vet nga organet e drejtësisë ka intervenime, ka lidhje, ka korrupsion, ka keqpërdorime…”, tha një tjetër qytetar.

    Përkundër se qytetarët pasqyrojnë një realitet tjetër, partia në pushtet thotë se qeveria aktuale po e lufton nepotizmin nëpër institucionet publike.

    “Po pa dyshim që po, nuk mund të themi që është zhdukë por nuk mund të bëjmë krahasim me vitet e kaluara nuk është në atë masë që ka qenë”, tha Fjolla Ujkani, deputete e LVV-së për RTV 21.

    Pretendimet e LVV-së për çrrënjosje të nepotizmit, i hedh poshtë partia më e madhe opozitare PDK, e cila po ashtu është kritikuar për këtë fenomen gjatë kohës sa ishte në pushtet.

    Deputetja Ganimete Musliu, thotë se LVV-ja jo vetëm që nuk po e lufton nepotizmin, por siç shprehet ajo, korrupsioni dhe nepotizmi janë kthyer në normë për këtë qeveri.

    “Fatkeqësisht nepotizmi ka kalu në një shkallë tjetër de nivel tjetër si nepotizmi edhe korrupsioni ka kalu në formë tjetër nëse në të kaluarën na kanë akuzu pa bazë për nepotizëm në njëfar forme u skuqshim ose u distancojshim ndërsa sot përveç që ka shënu rritje nepotizmi sot partia në pushtet e mbështetë atë dhe sulmon të gjithë ata që e bajnë transparente ato raste.. këta skishin as marre e asnjë fije të përgjegjësisë dhe në mënyrë të organizume i mbështesin qoftë nepotizimin qoftë korrupsionin”, tha Musliu për RTV21.

    Edhe sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, nepotizmi është thelluar dhe më shumë me qeverinë aktuale.

    “Sa i përket nepotzimit mendoj që kjo qeveri edhe pse ka premtuar që do ta bëjë një gjë të tillë do ta luftoj nepotizmin ajo tashmë e ka përforcu në çdo pore të institucioneve me nje fjalë është thellu edhe më tëpër nepotizmi”, tha Lekaj.

    Njohësi i çështjeve të ekonomisë Safet Gërxhaliu, thotë se nepotzimi është kthyer në një fenomen shqetësuese dhe demotivues për të rinjtë.

    Sipas hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare, mungesa e mundësive për punësim, nepotizmi dhe korrupsioni, mbeten tri sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë.

  • Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

    Mbi 1.000 të vrarë nga përleshjet mes Izraelit dhe Hamasit

    Mbi 1.000 persona janë vrarë në Izrael dhe Rripin e Gazës, pasi militantët palestinezë të Hamasit, kryen një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, që nxiti kundërpërgjigje nga forcat izraelite.

    Autoritetet në Izrael kanë thënë se të paktën 600 persona janë vrarë gjatë dhunës, ndërkaq numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në 413.

    Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, në mesin e viktimave janë 78 fëmijë dhe 2.300 persona janë plagosur.

    Këto shifra vijnë teksa për të dytën ditë me radhë, forcat izraelite dhe militantët e Hamasit kanë vazhduar përleshjet në jug të Izraelit.

    Më herët gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit shpalli gjendje lufte. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shteti u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.

    “Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.

    Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.

    Ndërkaq, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë tha se 74.000 persona në Rripin e Gazës janë strehuar në disa shkolla, pasi Izraeli u bëri thirrje banorëve që jetojnë rreth Gazës që brenda 24 orëve të evakuohen.

    Kjo agjenci po ashtu konfirmoi se një prej shkollave që ajo drejton në këtë zonë ishte cak i një sulmi të dielën, por tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur viktima si pasojë e sulmit.

    Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.

    Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.

    Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të artilerisë në Liban dhe përmes një sulmi me dron ndaj një pike të kontrollit të Hezbillahut pranë kufirit, tha ushtria. Nuk ka raportime për viktima nga këto sulme.

    Inkursioni nga Gaza në jug të Izraelit – që është më i madhi në dekada – mund të minojë përpjekjet që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara për bashkimin e rajonit sa i përket sigurisë dhe mund të kërcënojë aspiratat palestineze për shtetësi dhe ambiciet e mbështetësit kryesor të Hamasit, Iranit.

    Luftëtarët e Hamasit nisën sulmin e tyre mëngjesin e 7 tetorit duke goditur me breshëri raketash jugun e Izraelit. Sulmet me raketa iu mundësuan luftëtarëve të grupit të infiltrohen në Izrael nga Gaza – një rrip toke që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

    “Ne do të hakmerremi për këtë ditë”, tha të shtunën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

    Ai po ashtu ka paralajmëruar se i pret një “luftë e gjatë dhe e vështirë” kundër Hamasit.

    Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha më herët gjatë të dielës se operacionet po vazhdojnë të dielën në tetë zona përreth Gazës, ndërkaq televizioni Al Hadath citoi Gjysmëhënën e Kuqe palestineze të ketë thënë se 18 persona janë vrarë pasi Izraeli shënjestroi dy shtëpi në qarkun Beit Hanun të Gazës.

    Në veri, Hezbollahu – që mbështetet nga Irani – tha përmes një deklarate se kreu një sulm me raketë dhe artileri në tri caqe, përfshirë një pikë ku ishte vendosur një radar në fermat Sheba të pushtuar nga Izraeli. Kjo copë toke është pushtuar nga Izraeli më 1967 dhe Libani pretendon se i përket atij.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulm artilerie në jug të Libanit.

    Lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se sulmi që nisi në Gaza do të përhapet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. Banorët në Gaza po përballen qe 16 vjet me një bllokadë izraelite.

    Gjatë fjalimit, Haniyeh përmendi kërcënimet ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, bllokadën e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe normalizimin e raporteve mes Izraelit dhe shteteve të rajonit.

    “Sa herë iu kemi paralajmëruar se populli palestinez po jeton në kampe të refugjatëve për 75 vjet, dhe ju keni refuzuar që të njihni të drejtat e popullit tonë?”, tha ai.

    Zyra e Netanyahut tha se kabineti i tij i sigurisë ka miratuar hapat për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe Xhihadit Islamik – një tjetër grup militant – “për vite të tëra” përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike, furnizimeve me karburante dhe dërgimin e mallrave për në Gaza.

    Autoriteti Palestinez të dielën dorëzoi kërkesë për një mbledhje urgjente të ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe.

    Kërkesa për mbledhje vjen në kohën e “agresionit të vazhdueshëm dhe brutal të Izraelit kundër popullit palestinez, përfshirë edhe përshkallëzimin nga hyrja në xhaminë Al-Aksa të mijëra kolonëve”, tha Muhannad Al Alkouk, ambasador në Ligën Arabe.

    Pas nisjes së sulmit masiv të Hamasit, shtetet në mbarë botën i ofruan mbështetje Izraelit dhe theksuan se ai ka të drejtë të mbrojë veten. Presidenti amerikan, Joe Biden, po ashtu paralajmëroi shtetet e tjera që janë “palë armiqësore e Izraelit” që të mos tentojnë që të shfrytëzojnë situatën.

    “Bota po shikon”, tha Biden gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë.

    Në mbarë Lindjen e Mesme ka pasur edhe demonstrata në mbështetje të Hamasit, me flamujt e Izraelit dhe SHBA-së që janë djegur në Irak, Liban, Siri dhe Jemen. Ndërkaq, Irani dhe Hezbollahu kanë përgëzuar Hamasin për sulmin.

    Zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Arouri, tha se grupi ka kapur një numër të madh robërish izraelitë, përfshirë zyrtarë të lartë. Ai tha se Hamasi ka mjaft pengje sa të detyrojë Izraelin që të lirojë të gjithë palestinezët që janë në burgje.

    Hamasi ka argumentuar se sulmi është kryer për shkak të, siç ka thënë, përshkallëzimit të sulmeve izraelite ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem. /rel