ATV

Blog

  • ​“Termokos” fillon matjen në bazë të konsumit

    ​“Termokos” fillon matjen në bazë të konsumit

    Kryesuesi i bordit të drejtorëve të NP “Termokos”, Visar Vokrri me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Fisnik Osmani kanë zhvilluar një takim me bordin e ZRRE-së, të kryesuar nga Ymer Fejzullahu, për të diskutuar modalitetet për fillimin e fazës testuese për metodën e re të faturimit sipas konsumit.

    Sipas një komunikate, në këtë takim janë shqyrtuar rekomandimet e ekspertëve dhe mbikëqyrësve të pavarur sa i përket kalimit nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit.

    “Instalimi i njehsorëve, alokatorëve të ngrohjes, termokokave dhe valvolave balancuese tek 15 mijë konsumatorë të ndërmarrjes, në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” i ka hapur rrugë transformimit të metodës së faturimit. Bazuar në rekomandimet e ekspertëve, ju informojmë se sezona ngrohëse 2023/2024 do të jetë fazë testuese e metodës së faturimit sipas konsumit. Kjo fazë do t’u mundësojë NP “Termokos” dhe ZRRE-së, që të realizojnë të gjitha analizat teknike, financiare dhe softuerike për të mundësuar një tranzicion sa më të sigurtë në metodën e re të faturimit. Ndërkohë, kjo fazë testuese do të shoqërohet edhe me një fushatë vetëdijësimi dhe informimi për mënyrat e përdorimit të pajisjeve të instaluara dhe mundësinë e kontrollimit të shpenzimeve të tyre për ngrohje. NP “Termokos” apelon tek të gjithë konsumatorët për bashkëpunim të ngushtë, që duke përcjellë rekomandimet për përdorimin e këtyre pajisjeve të fillojnë kontrollimin e shpenzimeve të tyre për ngrohje, gjë që do të ndihmojë realizimin e plotë të kësaj faze testuese dhe kalimin nga metoda e faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse në metodën e re sipas konsumit”, thuhet në komunikatë.

  • Asnjë rast me ethe hemorragjike nuk është shënuar në Malishevë

    Asnjë rast me ethe hemorragjike nuk është shënuar në Malishevë

    Në territorin e Komunës së Malishevës, ka kaluar edhe një sezon që mund të quhet i suksesshëm, sa i përket endemisë me EHKK (Ethet Hemorragjike Krime Kongo), pasi edh këtë vit, deri më tani edhe kur ka përfunduar shkalla e rrezikshmërisë, nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me këtë virus.

    “Lirisht mund të konsiderohet vit i suksesshëm, pasi edhe këtë vit, nuk kemi të regjistruar asnjë rast të infektimit me EHKK, e aq më pak të vdekjeve eventuale. Për këtë i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e EHKK”, ka thënë sot, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Hajdin Berisha.

    “Gjatë sezonit që konsiderohet i rrezikshëm, si komunë kemi qenë të angazhuar, së bashku me stafin e profesionistëve shëndetësorë në Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë”, ka thënë Berisha.

    Gjatë këtij vitit, Komuna e Malishevës dhe QKMF në Malishevë, kanë mbajtur ligjërata vetëdijesuese nëpër shkolla, si dhe është vazhduar me spërkatjen apo dezinsektimin, kundër rriqrave si bartës të virusit të EHKK, që është pjesë e kompetencave të nivelit lokal, në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

  • Rasti i 16-vjeçarit në Pejë, sociologu Brajshori u bënë thirrje prindërve t’i edukojnë fëmijët e tyre që të mos i bullizojnë të tjerët

    Rasti i 16-vjeçarit në Pejë, sociologu Brajshori u bënë thirrje prindërve t’i edukojnë fëmijët e tyre që të mos i bullizojnë të tjerët

    Për muaj me radhë, po bënte plan se si t’i vriste nxënësit e klasës së tij në një shkollë në Pejë. Por plani i B.M, 16 vjeçar u parandalua të shtunën nga Policia e Kosovës që e hetoi dhe e prangosi. Me rastin tani po merret prokuroria speciale.

    Ky incident ka nxitur një debat më të gjerë për çështjen kritike të bullizmit dhe pasojat e tij tek të rinjtë tanë.

    Në një intervistë të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, sociologu Jeton Brajshori ndau pikëpamjet e tij për këtë ngjarje shqetësuese.

    “Realisht ky është një lajm shumë i tmerrshëm, pra të cilin e kemi marrë këto ditëve të fundit, ndërsa fatmirësisht akti nuk është kryer. Pra, ky është një plus i madh, sepse ka arritur që të ketë preventivë sa i përket këtij rasti. Ajo çfarë mund të them në start është që ne realisht kemi dështu si prindër, kemi dështu si familje, kemi dështuar si shkollë, kemi dështuar komplet si shoqëri. Nuk e them këtë në rastin e personit i cili ka dashur ta bëjë aktin, por për personat të cilët e kanë pruar një vendim të tillë që ta bëjë ky. Pra, personat të cilët kanë bullizuar në vazhdimësi, kanë shkaktuar dëme ndoshta të pariparueshme te ky i ri, për arsye se nuk është lehtë për një person, i cili me siguri se ndoshta është edhe tip introvert, për arsye se tipat introvertë janë ata të cilët atakohen më shumë nga bullizuesit. Pra, thjesht ka qenë një diçka që ka qenë e paimagjinueshme për ne deri më sot. Ne kemi pa mes shutit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kemi pasur rastin në Serbi që ka ndodhë, mirëpo edhe atë qysh atëherë është shtruar pyetja se a mund të ndodhë tek ne. Fatmirësisht, pra po them, është parandaluar diçka, mirëpo si shoqëri kemi dështuar totalisht”, tha Brajshori.

    Ai përmendi edhe rolin që mund të kenë video lojërat tek të rinjtë, për të ndërmarrë akte të tilla.

    “Zakonisht personat të cilët kanë probleme familjare, shohin dhunë në familje, kanë probleme të ndryshme socio ekonomike janë të prirur që të bëhen bullizues apo e kundërta. Siç duket, ne ende jemi në fazën fillestare të hetimeve dhe nuk e dimë saktë se si ka rrjedhur gjërat më herët, pra si ka si e ka pasur statusin në familje personi, a i ka prind të divorcuam, po prapëseprapë kjo nuk e ç’bënë atë që personat nuk duhet të bullizojnë. Me siguri se personi ka qenë i bullizuar, qoftë në mënyrë verbale, qoftë në mënyrë fizike apo përmes rrjeteve sociale dhe në këtë mënyrë kur e marrim parasysh edhe siguria tek ne, çalon shumë dhe ka shumë armë pa leje, atëherë ka pasur edhe të le që të sigurojë armë me pra dhe të bëjë plane që ta kryejë aktin. Po ashtu, edhe ndikim në këtë të mendosh, pra një mënyrë të tillë për të bërë një vrasje masive ndikojnë edhe video-lojëra të shumta, si PUBG, Counter Strike dhe gjëra të cilat pra i luajnë vazhdimisht të tinxherët tanë”, vlerësoi Brajshori.

    Ai tha se prindërit duhet të kenë më shumë komunikim me fëmijët e tyre, në mënyrë që ata të jenë më të edukur kur dalin nga shtëpia.

    “Secili prind duhtet të flasë me fëmijët e tyre qysh në fëmijërinë e hershme, pra të mësohet që secili person ka të drejtë në familjen e vet, për brenda familjes të bëjë disa probleme të vogla, mirëpo në rrugë, në shkollë, atëhere ndryshojnë rregullat, duhet të jemi të edukur, duhet të jemi të rrespektuar dhe në këtë mënyrë, të mos shkaktojmë lëndime qoftë fizike, qoftë psiqike te personat e tjerë, për arsye se askush nga ne nuk dëshiron që të na ndodhë një gjë e tillë. Pra, prindërit duhet në konsultim me mësimdhënësit dhe psikologin e shkollës të krijojnë atë trekëndëshin e dijes dhe të parandalimit dhe të flitet vazhdimisht për dukuritë negative, sepse këta persona më vonë pra merren me sjellje delikuente, ndërsa duhet të cekim edhe atë që prindërit duhet t’i dëgjojnë shumë fëmijët e tyre, të diskutoj të tyre të bëjnë gjëra të tilla pa dëshirën e tyre dhe në këtë mënyrë besoj që në një të ardhme të afërt duhet të bëhen edhe hulumtime empirike, atëherë do të dalim me rezultate më të sakta”, tha Brajshori. /atvlive.tv

  • ​Osmani dhe admirali i NATO-s flasin për parandalimin e përsëritjes së agrersionit serb

    ​Osmani dhe admirali i NATO-s flasin për parandalimin e përsëritjes së agrersionit serb

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, ku theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandar Vuçiq.

    Ajo e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon, pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist të Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator.

    Sipas një komunikate të Presidencës, Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandar Vuçiq.

    Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheq trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën, pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon.

    Osmani vlerësoi angazhimin e shtuar të KFOR-it dhe NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi dhe e konsideroi atë si veprim të nevojshëm për ta parandaluar përsëritjen e aktit të ndodhur më 24 shtator.

    Në takim, u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë në mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të NATO-s, në ballafaqimin me sfidat e sigurisë në vend dhe rajon.

  • ​Kuvendi me komision hetimor për rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje

    ​Kuvendi me komision hetimor për rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje

    Është konstituar sot Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje. I njëjti ka qëllim të hetojë rastet e gjykuara dhe në gjykim të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami tha pas hetimeve komisioni do të dalë me një rekomandim për institucionet sesi duhet trajtuar rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

    “Dhuna ndaj grave është një ndër format më të përhapura të dhunës dhe shkeljeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Republikën e Kosovës. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë dhe kemi parë raste monstruoze që kanë marrë vëmendjen tonë, por për fat të keq vetëm kur ato kanë përfunduar me fatalitet ne kemi mësuar për dhunën e ushtruar ndaj këtyre viktimave por edhe për shkeljet dhe lëshimet e bëra nga institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për parandalimin, menaxhimin dhe dënimin e dhunuesve”, tha ai.

    Ky komision është themeluar në muajin qershor të këtij viti me nënshkrimin e 42 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Në konstituimin e këtij komision sot munguan deputetët nga radhët opozitarë./KP/

  • MSH për ATV-në: Janë siguruar përmes UNICEF-it të gjitha vaksinat e gripit sezonal

    MSH për ATV-në: Janë siguruar përmes UNICEF-it të gjitha vaksinat e gripit sezonal

    Sot ka filluar vaksinimi në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në vend.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE nga qendra kryesore e mjekësisë familjarë në Prishtinë, gazetarja e ATV-së, Sara Shehu, njoftoi se ekipi mjekësor i vaksinimit ka filluar me kohë ofrimin e vaksinave qysh në orët e para të mëngjesit.

    “Deri më tani sipas menaxhmentit drejtues të QKMF-së, numri i të interesuarve ka arritur mbi pesëdhjetë. E në vaksinimin kundër gripit sezonal, prioritet janë moshat mbi gjashtëdhjetë e pesë vjet, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët me imunitet të dobët. Ndërkohë, sipas të dhënave të QKMF-së në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare apo njësitë e siç i quajmë ne, në komuna ka filluar vaksinimi me kohë”, tregoi ajo.

    Po ashtu, gazetarja thotë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur për ATV-në se kanë arritur t’i sigurojnë të gjitha vaksinat përmes UNICEF-it ku numri i tyre shkon mbi 85 mijë vaksina.

    Ndërkohë, IKSHPK-ja vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që vaksinimi të kryhet me kohë, në mënyrë që të shmanget edhe gripi sezonal. /atvlive.tv

  • 200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë britanikë arrijnë në Kosovë si përforcim i KFOR-it

    200 ushtarë të ushtrisë britanike kanë arritur në Kosovë si përforcim i KFOR-it.

    Kështu ka bërë të ditur Shtabi Suprem i Fuqive Aleate në Evropë përmes një postimi në “X”.

    “Dyqind ushtarë të Ushtrisë Britanike po mbërrijnë në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë “, thuhet në njoftim.

    “Nën komandën e NATO-s, forcat do të jenë të disponueshme për të kryer operacione në përputhje me mandatin e KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt e të qetë, dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.

    Ndërsa, mbrëmë Rumania ka sjellë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u lëndua një polic tjetër.

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar një video ku shihen trupat rumun të KFOR-it duke hyrë në Kosovë nga kufiri me Maqedoninë.

  • Drenicaku konvertohet në fenë katolike, e ndërron emrin në Martin

    Drenicaku konvertohet në fenë katolike, e ndërron emrin në Martin

    Nasuf Krasniqi, një burrë nga fshati Negroc i Drenasitn është konvertuar në fenë katolike të dielën.

    Sipas një postimi në rrjetin social ‘X’, në Kishën ‘Shën Abrahami’ në Llapushnik burri nga Negroci është konvertuar nga feja myslimane në fenë katolike.

    Konvertimi ka ndodhur në festën e ‘Shën Abrahamit’ e cila është shënuar të dielën në Kishën e Llapushnikut.

    “Sot, për festën e Shën Abrahamit në Llapushnik, një Drenicak nga Negroci i Drenasit ka vendosur t’u kthehet rrënjëve të tij katolike dhe është pagëzuar duke zgjedhur emrin Martin”, ka thënë një përdorues në rrjetin social ‘X’.

    Sipas postimit, 11 drenicakë të tjerë u pagëzuan pak ditë më parë dhe “qindra të tjerë do të pagëzohen këtë muaj”.

    Nasuf Krasniqi, i pagëzuar të dielën, ka marrë emrin e ri ‘Martin’, ka bërë të ditur Famullia “Shën Abrahami” në Llapushnik, në një postim në rrjetet sociale të dielën.

    “Pagëzimi i Nasuf – Martin Krasniqit”, thuhet në postim.

  • ​Zhegrova në dyshim për ndeshjen ndaj Andorrës

    ​Zhegrova në dyshim për ndeshjen ndaj Andorrës

    Edon Zhegrova është në dyshim serioz për ndeshjen që Kosova do të zhvillojë në udhëtim kundër Andorrës më 12 tetor në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

    Kështu ka bërë të ditur menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala në konferencë për media, transmeton KosovaPress.

    Shala ka theksuar se lojtari ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit me skuadrën e Lille dhe është duke kryer ekzaminimet mjekësore para se të merret një vendim final.

    Ndërkohë listës së Kosovës do t’i shtohet anësori Mërgim Vojvoda, ka bërë të ditur Shala.

    Sa i përket ndeshjes ndaj Andorrës, trajneri Primozh Gliha ka thënë se Andorra është ekip shumë i vështirë për të luajtur kundër tyre sepse luajnë me stil shumë të ngjeshur në mbrojtje, por pret që futbollistët e Kosovës të tregojnë kualitetet e tyre, sidomos ata që janë ftuar nga Superliga e Kosovës.

    Sa i përket ndeshjes së 15 tetorit ndaj Izraelit, menaxheri Shala ka thënë se janë duke pritur vendimin e Uefa-s, por që gjasat më të mëdha janë që ajo të mos zhvillohet.

  • Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, pritet të diskutohet për ecuritë e ekonomike

    Guvernatori i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së, pritet të diskutohet për ecuritë e ekonomike

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Kosovës, i kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bordit, Bashkim Nurboja dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Mbikëqyrjes Bankare, Blerim Terziqi po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Marakesh të Marokut.

    BQK njofton se delegacioni i udhëhequr nga guvernatori Ismaili, do të ketë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi ecuritë e ekonomike e financiare gjatë vitit 2023 si dhe pritjet për vitin 2024 e tutje.

    Në këto takime, Guvernatori Ismaili do të prezantojë prioritetet e tij për sektorin financiar dhe do të kërkojë mbështetje të këtyre dy institucioneve për zbatimin e tyre. Këto prioritete synojnë forcimin tutje të kapaciteteve dhe sistemeve të BQK-së, si parakusht për një sektor të shëndoshë financiar dhe përkrahës ndaj sektorit privat dhe ekonomive familjare.

    Gjatë qëndrimit të tij në Marakesh, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë me Bankën Botërore marrëveshjen për anëtarësim të BQK në programin e Thesarit të Bankës Botërore i quajtur “Reserve Advisory & Management Partnership” (RAMP).

    RAMP është program që merret me kapitalin njerëzor dhe ofron shërbime për menaxhimin e aseteve dhe rezervave, ku pjesëmarrës janë një numër i madh i bankave qendrore nga e gjithë bota.

    Po ashtu, Guvernatori Ismaili do të marrë pjesë në Sesionin Plenar ku Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva dhe Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga do t’iu drejtohen guvernatorëve të bankave qendrore dhe ministrave të financave nga e gjithë bota. Në këtë forum do të diskutohet mbi çështjet që lidhen me sfidat botërore dhe veprimet që duhet koordinuar së bashku për t’i adresuar ato.

    Në takimet që do të zhvillohen deri më 14 tetor, mbledhin bankierë qendrorë, ministra të financave dhe të ekonomisë, deputetë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues nga organizata të

    shoqërisë civile dhe akademikë për të diskutuar çështje me rëndësi botërore, si perspektiva ekonomike, zhdukja e varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.