ATV

Blog

  • Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në shtatë lokacione në veri të vendit që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku janë gjendur armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake.

    Në njoftim thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

    Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.

    Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.

    Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:

    • 87 copë eksploziv të tipit TM 100
    • 3 granata hedhës dore (zola)
    • 1 armë automatike AK-47
    • 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
    • 14 karikatorë
    • Municion të kalibrave të ndryshëm
    • 63 detonatorë elektrik
    • 23 detonatorë mekanik
    • 1 orë për aktivizim
    • 1 granatë dore M79
    • 3 tuba fitila ndezës
    • Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.
  • Ushtria izraelite thotë se vrau liderin e lartë të Hamasit

    Ushtria izraelite thotë se vrau liderin e lartë të Hamasit

    Ushtria izraelite të shtunën pretendoi se kishte vrarë një udhëheqës të lartë të Hamasit, i cili tha se udhëhoqi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor.

    “Ali Qadi udhëhoqi masakrën çnjerëzore, barbare të 7 tetorit të civilëve në Izrael”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.

    Nuk ka pasur ende asnjë koment nga pala palestineze mbi pretendimin.

    Ushtria izraelite shpërndau gjithashtu pamjet e sulmit ajror në të cilin thuhet se u vra Qadi.

    Mediat izraelite raportuan gjithashtu se gjatë sulmit të 7 tetorit, Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, shkatërruan një helikopter ushtarak izraelit pranë Rripit të Gazës.

    Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, një javë më parë forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

    Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood” kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

    Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

    Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

    Përgjigjja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim të madh që nga viti 2007.

    Mbi 3.500 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor, duke përfshirë 2.215 palestinezë dhe 1.400 izraelitë./AA

  • Deputetja britanike: Dy javë që kur Radoiçiq pranoi fajin për sulmin, ende s’ka pasoja për Serbinë

    Deputetja britanike: Dy javë që kur Radoiçiq pranoi fajin për sulmin, ende s’ka pasoja për Serbinë

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se janë bërë dy javë që kur Milan Radoiçiq e ka pranuar fajin për sulmin e 24 shtatorit ku u vra një polic i Kosovës, ndërkohë që s’ka pasur pasoja për Serbinë.

    Kearns thotë se kjo po ndodh edhe përkundër glorifikimit që Serbia ua ka bërë terroristëve me shpalljen e ditës së zisë, veprim që politikania britanike e konsideron “akt të qartë përshkallëzimi”.

    “Tashmë kemi dy javë që kur Radoiçiq e pranoi fajin për sulmin në Kosovë, ku u vra një oficer policie.Ai mbetet i lirë në Serbi.Nuk ka pasur pasoja për Serbinë pavarësisht glorifikimit të terroristëve me një ditë zie – një akt i qartë përshkallëzimi”, ka shkruar ajo.

  • Sylvinho ndryshon listën e Kombëtares para ndeshjes me Bullgarinë

    Sylvinho ndryshon listën e Kombëtares para ndeshjes me Bullgarinë

    Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho e ka ndryshuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjen miqësore me Bullgarinë.

    Pas fitores së madhe 3:0 ndaj Çekisë, Shqipëria të martën i rikthehet sërish aksionit në “Air Albania”, ku e pret në shtëpi Bullgarinë, raporton KosovaPress.

    Lista e Kombëtares tani ka pësuar ndryshime pas largimit të Keidi Bares dhe Mirlind Dakut, ku për miqësoren me Bullgarinë është ftuar për herë të parë Marvin Çuni.

    Çuni, që aktivizohet me skuadrën e Frosinones në Serie A, do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë sot, dhe nesër e zhvillon seancën e parë stërvitore me lojtarët e tjerë të grumbulluar.

    Marvin Çuni ka përfaqësuar Shqipërinë në grupmoshat U19, ku në gjashtë paraqitje ka shënuar dy gola.

    Miqësorja mes Shqipërisë dhe Bullgarisë luhet të martën në “Air Albania” me fillim nga ora 18:00.

  • ​Partia Kombëtare e Zelandës së Re kryeson ndaj partisë në pushtet

    ​Partia Kombëtare e Zelandës së Re kryeson ndaj partisë në pushtet

    Me 88% të votave të numëruara, Partia Kombëtare opozitare e Zelandës së Re ka siguruar një epërsi të konsiderueshme ndaj Partisë Laburiste në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të së shtunës.

    Sipas Komisionit Zgjedhor të vendit, deri më tani Partia Kombëtare ka siguruar 50 vende në Parlamentin që ka gjithsej 121 vende, e ndjekur nga Laburistët me 34 vende.

    Deri më tani, Partia e Gjelbër ka fituar 13 vende, ACT Zelanda e Re 12, Partia e Parë e Zelandës së Re 8, dhe partia e të drejtave indigjene ‘Te Pati Maori’ 4 vende.

    Një mandat iu shtua vetëm pak ditë më parë Parlamentit nga 120 mandatet e tij normale pas vdekjes së papritur të njërit prej kandidatëve. Një zgjedhje e pjesshme do të zgjedhë anëtarin e 121-të./AA

  • ​Vitia: Helmimi në Malishevë, në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë

    ​Vitia: Helmimi në Malishevë, në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur se mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuan për rastin e helmimit të 100 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së kanë vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit.

    “Gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile. Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka thënë Vitia.

  • 100 persona të helmuar në Malishevë, AUV: Në lokal janë gjendur produkte pa origjinë

    100 persona të helmuar në Malishevë, AUV: Në lokal janë gjendur produkte pa origjinë

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se numri i të helmuarve në një lokal në komunën e Malishevës ka shkuar në 100, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij nga inspektimet që janë bërë në atë lokal është vërejtur që gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenik ka qenë në nivelin jo të mirë si dhe janë gjendur produkte që nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre.

    Ai tha se ky është rasti i dytë që është duke ndodhur brenda një javë dhe sipas tij AUV do të filloj  një aksion në të gjithë territorin e Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë do të inspektohen.

    “Ekipi inspektues i AUV ka ndihmuar edhe prokurorin në rast në marrjen e të gjitha dëshmive për tu gjurmuar të gjitha dëshmitë dhe për tu lidhur të gjitha faktet e nevojshme qe të dimë saktë se si ka ndodh apo cili ka qenë shkaktari i cili ka ardhur deri tekë ky helmim. Deri më tani nga informata që i kemi nga mekanizmat shëndetësor janë rreth 100 persona që kanë kërkuar shërbime mjekësore qoftë në Qendrën Klinike Familjare në Malishevë, në spitalin regjional në Prizren dhe në QKUK”.

    “Tani që është rasti i dytë që po ndodh brenda një javë është alarmuar ministri dhe drejtori ekzekutiv, të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion të gjithë mbarshëm në gjithë territorin e republikës së Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë, këto që gatuajnë dhe shërbejnë ushqime të shpejta ti nënshtrohen kontrollit të detajuar. Pjesa më e madhe e helmimeve ka ndodhur tek kjo kategori e lokaleve. Dhe në dëshirojmë që kjo të mos ndodhë më. Numri i inspektorëve është i kufizuar”.

    “Gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenike ka qenë në nivelin jo të mirë, kjo është bërë nga vlerësimi i ekipit inspektues. E dyta nuk kanë pas libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet të ketë. Aty janë gjetur disa produkte që në i quajmë pa origjinë apo nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre”, tha ai.

    Ndërkohë që Policia e Kosovës në raportin e publikuar sot ka bërë me dije se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Rreth 50 gjoba të shqiptuara për zhurmën në lokalet e Prishtinës

    Rreth 50 gjoba të shqiptuara për zhurmën në lokalet e Prishtinës

    Janë rreth 50 gjoba që ka shqiptuar Inspektorati i Punës që nga hyrja në fuqi e rregullores për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë. Në këtë drejtim, inspektorati i kryeqytetit po ndërmerr masa kundër zhurmës dhe thonë se në masë të madhe kanë arritur ta evitojnë bezdisjen në zonat e kryeqytet.

    Kështu bëri të ditur për KosovaPress, drejtori i inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi. Kurse, nga Shoqata e Gastronomisë kërkon që kjo rregullore të përmirësohet në mënyrë që mos të ketë intervenime nga Policia.

    Drejtori i inspektorëve, Florian Dushi tha se ende ka lokale që nuk kanë aplikuar fare që të pajisen, porse po mundohen t’i inspektojnë të gjitha.

    “Kemi arritur të sjellim në kryeqytet qetësinë e munguar, të evitojmë atë bezdisjen që kemi pasur në zonat e banimit në masë të madhe… Nga ana e gastronomëve ka disa vërejtje sa i përket funksionimit të këtij sistemi, por të them të vërtetën mbi bazën e sqarimeve që ka ofruar kompania në këtë rast, më tepër po i konsideroj si disa justifikime për rastet të cilat po ndodhin… Pjesa dërmuese është pajisur me matësit e zhurmës, gjatë inspektimit tona, natyrisht që shohim nëse eventualisht ka lokale të tilla, dhe mos të them tash vonë kemi rastisur në një lokal, i cili fare nuk ka aplikuar për t’u pajisur dhe po vazhdojnë”, thotë Dushi.

    Dushi derisa tregon punën që po bëjnë në terren, thotë se janë shqiptuar rreth 20 vërejtje për ata që nuk po respektojnë vendimin e komunës, e po ashtu edhe rreth 50 gjoba.

    “Sa i përket numrit të gjobave, janë tre kategori, është paralajmërimi si fazë e parë, gjobat që pastaj varësisht nga përsëritja e shkeljes apo tejkalimit, variojnë nga 1000 deri në 3000 euro, dhe masa e fundit e më e rënda që konsideroj ndëshkimore që parashihet në rregulloren e re, është mbyllja deri në tetë ditë të lokalit. Deri më tani kemi pasur mbi 20 paralajmërime apo vërejtje që janë dërguar për lokalet, ndërsa ka rreth 50 gjoba të vlerave të ndryshme që janë shqiptuar lokaleve në kryeqytet … Zhurma e decibelëve dallon varësisht nga zona në cilën funksionojnë këto lokale, por përgjithësisht në pjesën qendrore të Prishtinës, është 60 decibel. Ky decibel nuk vlen për koncertet që mbahen, por parashihet edhe për ato. Drejtoria e Shërbimeve Publike në secilin rast që ofron pëlqim për mbajtjen e një festivali apo koncerti, duhet t’ua përcaktojë edhe nivelin e decibelëve të cilët ata janë të detyruar ta respektojnë”, shton Dushi.

    Ndërkaq, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica ka adresuar ankesa sa i përket kompanive që i rregullojnë këto çështje. Sipas tij, ky vendim është i mirëkuptueshëm deri te pjesa ku nuk dëmtohen bizneset, por jo edhe në mënyrë të padrejtë.

    “Ne vet kemi qenë si palë propozuese që të rregullohet përmes senzorëve akustik pjesa e ndotjes akustike në sektorin e gastronomisë … Është e mirëkuptueshme deri me një pikë, ku nuk dëmtohen bizneset. Të gjitha bizneset janë obliguar që duhet të pajisen me senzora akustik deri me një datë të caktuar, por ka raportime të ndryshme që bizneset edhe pse kanë bërë kërkesa për me u pajisë me senzora, ende kompania e cila është e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, nuk e ka përfunduar këtë detyrë në përputhje me atë që është e shkruar në kontratë, e normalisht që kjo është një ankesë për ne”, vijon Vranica.

    Vranica lidhur me zbatimin e rregullorës së re, pati edhe një kërkesë. Sipas tij, duhet që përmes kësaj rregullore të respektohet ligji dhe mos të intervenojnë edhe Policia.

    “Gjatë natës po ka telashe që po evidentohen në raste të caktuara, po ka shqetësime që po dëmtohen bizneset nga dëmtimi apo nga zhurma e cila emetohet, po vjen nga një lokal tjetër apo nga vende tjera të jashtme, normalisht ne po i mirëkuptojmë këto, por në rastet kur po ka intervenime nga ana e institucioneve të Policisë së Kosovës, atëherë kjo po bie në kundërshtim me ne, dhe po ka dëme të vazhdueshme sepse Policia e Kosovës po bazohet në ligjin për rend dhe qetësi publike, ndërsa ne përmes kësaj rregullore kemi ardhur në mënyrë që të suplementojmë rolin dhe detyrën e institucioneve që merren me zbatimin e ligjit. Në këtë rast vetëm inspektorati komunal, dhe këtu po interferohet edhe Policia e Kosovës, gjë që po e bën këtë rregullore shqetësuese në aspektin e zbatimit të saj, përndryshe si ide është shumë e mirë dhe po presim që të vazhdojnë hapat e plotë për këtë rregullore …06:18 Kërkesa jonë është që të harmonizohet, që përmes kësaj rregullore të respektohet ligji për rendin në qetësinë publike, ligji për zhurmën, sepse për këtë arsye është ardhë kjo rregullore në fuqi”, përfundoi Vranica.

    Projekti i mbrojtjes nga ndotja akustike po implementimet përmes instalimit të matësve të zhurmës në bizneset e gastronomisë. Me këtë rregullore përcaktohet orari i punës për subjektet afariste në sektorin e gastronomisë, si dhe parandalimi dhe shmangia e efekteve të dëmshme, përfshirë bezdisjen e qytetarëve si rezultat i ekspozimit të zhurmës të krijuar nga sektori i gastronomisë. Zonat në të cilat mund të ushtrohet veprimtari sipas orarit të përcaktuar në këtë rregullore përfshijnë zonën urbane, industriale dhe zonën rurale.

  • NATO-ja konfirmon mbërritjen e mbi 130 ushtarëve rumunë në KFOR

    NATO-ja konfirmon mbërritjen e mbi 130 ushtarëve rumunë në KFOR

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është përforcuar edhe me 130 trupa shtesë nga Rumania të cilët kanë mbërritur në Kosovë gjatë së premtes.

    Trupat rumunë i bashkohen 200 trupave nga Britania e Madhe që erdhën në fillim të këtij muaji.

    “Më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë mbërritur në Kosovë për të përforcuar më tej misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, në krye të 200 ushtarëve të Britanisë së Madhe të dislokuar në fillim të tetorit”, thuhet në njoftimin e NATO-s të shtunën. Sipas njoftimit, trupat e dislokuar së fundmi do t’i sigurojnë KFOR-it forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e OKB-së.

    NATO-ja vendosi të shtojë trupa shtesë në Kosovë pas parandalimit të sulmit masiv nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Gjermania gjithashtu ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë vitin e ardhshëm. Përveç trupave, te KFOR-i është dërguar edhe armatim më i rëndë.

  • Arrihet marrëveshje për largim të të huajve nga Gaza

    Arrihet marrëveshje për largim të të huajve nga Gaza

    Egjipti, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje për t’iu lejuar të huajt që janë në Gaza, të largohen përmes pikës kufitare Rafah drejt Egjiptit, ka thënë një zyrtar i lartë egjiptian.

    Ky zyrtar ka thënë të shtunën se Izraeli është pajtuar që t’i ndalë sulmet në zonat ku do të kalojnë të huajt, për t’u larguar prej Gazës së rrethuar.

    Ai ka thënë se Katari është përfshirë në negociata dhe që pjesëmarrësit kanë marrë edhe miratim prej grupeve militante palestineze, Hamas dhe Xhihadi Islamik.

    Një zyrtar i dytë në anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah, ka thënë se kanë pranuar “instruksione” për t’u rihapur në pasditen e së shtunës për të huajt që arrijnë aty prej Gazës.

    Zyrtari i parë ka thënë se negociatat janë ende duke u zhvilluar për të lejuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë përmes kësaj pike kufitare.

    Të dy zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti sepse nuk kanë qenë të autorizuar të flasin për mediat, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.

    Izraeli ka urdhëruar evakuime masive të palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës për në jug.

    Atyre u është dhënë afat që të largohen deri në orën 16:00 të së shtunës, sipas orës locale, dhe më pas pritet të ketë ofensivë eventuale ushtarake të Izraelit në Gaza.

    Përshkallëzimi i konfliktit ka ndodhur një javë më parë, kur pjesëtarë të Hamasit kanë kryer sulme të befasishme në Izrael, duke lënë të vdekur mbi 1.000 persona.

    Një shifër e ngjashme viktimash është regjistruar edhe në Gaza, si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Izraelit, i cili i ka shpallur luftë Hamasit dhe është zotuar për ta shkatërruar atë./REL/