ATV

Blog

  • Bogdanoviq: Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet në Kosovë, është sikur Hamasi të kandidojë në Jerusalem

    Bogdanoviq: Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet në Kosovë, është sikur Hamasi të kandidojë në Jerusalem

    Politikani opozitar serb Boban Bogdanoviq, njëherit sekretar i përgjithshëm i Institutit për Strategji Euro-Atlantike, e ka krahasuar Listën Serbe me Hamasin.

    Sipas Bogdanoviq, pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjdhjet në Kosovë, është e njëjta gjë sikur Hamasi të kandidonte për zgjedhje në Jerusalem.

    “Përpiquni të imagjinoni HAMAS-in që kandidon për zgjedhje në Jerusalem. Është njësoj sikur Lista Serbe të shkojë në 🇽🇰 zgjedhjet! Ky do të ishte një provokim i pastër dhe i rrezikshëm terrorist me pasoja të pallogaritshme! Komuniteti serb do të jetë sërish në kthetrat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka shkruar Bogdanoviq.

  • Nga toka dhe ajri, Policia e Kosovës siguron kufirin në veri

    Nga toka dhe ajri, Policia e Kosovës siguron kufirin në veri

    Ndonëse e pranon që e ka të vështirë ta kontrollojë kufirin verior me Serbinë, Policia e Kosovës ka intensifikuar patrullimet.

    Kjo, për të ndaluar hyrjet e njerëzve dhe mallrave përmes rrugëve ilegale.

    Përmes këtyre rrugëve, kishte hyrë edhe armatimi që u përdor në sulmin kundër policisë në shtator.

  • Rama: Kosova duhet të këmbëngulë për Planin Franko-Gjerman, për të arritur njohjen përfundimtare – po e humb avantazhin ndaj Serbisë

    Rama: Kosova duhet të këmbëngulë për Planin Franko-Gjerman, për të arritur njohjen përfundimtare – po e humb avantazhin ndaj Serbisë

    Në intervistën e tij në podkastin Inside Albania me gazetaren Alice Taylor, Kryeministri Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.

    “Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë,” deklaroi Rama.

    I vënë përballë kritikave të shumta nga klasa politike në Prishtinën zyrtare, përfshieë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për idetë e tij për të ngritur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel konference si dhe propozimin e tij për Bashkësinë e Komunave Serbe, Rama kishte një përgjigje të gjatë por të qartë.

    “Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën,” u shpreh kryeministri shqiptar.

    Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.

    “Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur. Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë,” sqaroi Kryeministri.

    Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.

    “Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar,” deklaroi Rama.

    I pyetur nga gazetarja Alice Taylor nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Rama u përgjigj kështu:

    “Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri. Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit. Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar,” përfundoi Rama.

  • Kurti beson se Kosova po përparon nën qeverisjen e tij, përmbledh në një tabelë disa raporte ndërkombëtare

    Kurti beson se Kosova po përparon nën qeverisjen e tij, përmbledh në një tabelë disa raporte ndërkombëtare

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah.

    Sipas tij, nuk ka asnjë raport ndërkombëtar kredibil, i cili nuk e ka njohur përparimin e Qeverisë Kurti në demokraci, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit e qeverisje të mirë, përcjell teve1.info

    “Dy vjet e gjysmë qeverisje, përmes objektivit ndërkombëtar. Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah. Nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin tonë në demokraci, në të drejtat e njeriut, luftim të korrupsionit, sundim të ligjit, dhe qeverisje të mirë këto dy vjet e gjysmë. Fillimisht, Raporti i BE-së për Vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani. Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Tutje, kreu i Ekzekutivit ka renditur edhe disa raporte të tjera ndërkombëtare, ndër të tjerash matjet e Balkan Barometer 2023, sipas të cilëve Qeveria Kurti “gëzon besimin më të lartin në mesin e të gjithë qeverive të Ballkanit Perëndimor”.

    Postimi i tij i plotë:

  • Arifi: Kurti e varrosi apiratën për bashkim të Luginës me Kosovën

    Arifi: Kurti e varrosi apiratën për bashkim të Luginës me Kosovën

    Kreu i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për neglizhencë dhe mos-dhënien e mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginë.

    Temë e diskutimit në emisionin “Review” në Euronews Albania ishte axhenda e spastrimit etnik në Luginën e Preshevës, ku 10 mijë shqiptarë janë hequr nga adresat e banesave të tyre.

    Arifi e quajti Kurtin tradhëtar të kombit, pasi sipas tij, me Marrëveshjen e Ohrit varrosi aspiratën e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën.

    “Prishtina e ka obligim politiko-moral që brenda procesit të dialogut të kujdeset njësoj si Serbia kujdeset për serbët në Kosovë”.

    ‘E kemi në një anë një Kosovë e cila minoritetin e saj në anën e Serbisë e neglizhon totalisht. Tre viteve të fundit mundohet të përçajë në vazhdimësi me ato raporte në Luginën e Preshevës që pak më parë i patët në emision. Nga ana tjetër kemi një Serbi që për serbët në Kosovë investon rreth 800 milionë dollarë në 20 vitet e fundit. Investon t’i mbajë aty dhe të mbështesë tezën e saj që Kosova është Serbi”.

    “Gjatë 20 viteve të fundit Kosova ka treguar jo vetëm neglizhencë por edhe një diletantizëm politik, duke patur obligimin moralo-politik për shqiptarët në anën tjetër të kufirit”.

    “Unë nuk e njoh një politikan që ka bërë më shumë kompromise vitet e fundit, ka pranuar Asocacionin që e ka luftuar 10 vitet e fundit, ka pranuar që Lugina mos të përfshihet në marrëveshjen e Ohrit dhe ka hequr dorë nga reciprociteti”, vazhdoi Arifi, fajësimin e kryeministrit aktualië të Kosovës.

    “Për ne në Luginën e Preshevës Albin Kurti është tradhtar kombëtar, pasi ka varrosur me marrrëveshjen e Ohrit që ne të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, tha Arifi.

  • 332 raste të reja me kancer të gjirit këtë vit, Kurtishi: Për 24 orë i trajtojmë deri në 500 persona

    332 raste të reja me kancer të gjirit këtë vit, Kurtishi: Për 24 orë i trajtojmë deri në 500 persona

    332 raste të reja me kancer të gjirit te femrat janë regjistruar në nëntëmujorin e parë të vitit 2023, teksa ky numër mund të rritet deri në fund të këtij viti. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

    Ndërsa numri i rasteve që i trajton Klinika e Onkologjisë, kalon shifrën e 500 personave. Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi ka thënë se në tri vitet e fundit ka një rritje të rasteve të reja prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake.

    Ndonëse rastet e shënuara në Kosovë janë më pak se vendet e rajonit, Kurtishi sheh rrezik se mund t’i ofrohen këtyre vende.

    “Rritja këtë vit, kemi identifikuar dhe regjistruar në Klinikën tonë rreth 332 raste femra dhe katër meshkuj me kancer të gjirit të stadeve të ndryshme, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar është afër 10 për qind më shumë se nëntëmujori i parë i vitit të kaluar dhe deri në fund të vitit ky numër mund të kalojë shifrën mbi 420 dhe është numër i rasteve te femrat në Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Mal të Zi. Ata kanë gati dyfish më shumë se ne por me përdorimin e metodave apo identifikimin më të hershëm dhe me faktin që jemi popullatë e re, të gjitha këto ndikojnë që ne të kemi më pak sëmundje malinje se vendet e rajonit, mirëpo trendi i sëmundjeve është në ngritje dhe shumë shpejtë ne do të mbërrimë me numër të femrave të sëmura me kancer të gjirit që do të mund t’u ofrohet edhe vendeve tjera”, ka thënë Kurtishi, teksa tregon edhe moshën e femrave të prekur me sëmundje malinje.

    “Rastet e reja rriten nga viti në vit dhe në tri vitet e fundit kemi një rritje prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake, përpos vitit pandemik kur kemi pas një rënie të këtyre rasteve dhe këto të dhëna në kancerregjistrin e Klinikës, i kemi përpunuar këto të dhëna dhe jemi në fazën e filtrimit dhe i kemi të dhëna të sakta se cila moshë është më e prekura. Nga kjo del se më shumë kemi femra të prekura prej moshës 55 deri në 59 vjeç, dominon Komuna e Prishtinës e kështu më radhë”, u shpreh Kurtishi.

    Ai foli edhe për numrin e pacientëve që frekuentojnë këtë klinikë. Aktualisht, Klinika e Onkologjisë i trajton deri në 500 persona, duke tejkaluar edhe Klinikën Emergjente në QKUK.

    “Brenda një dite të zakonshme të punës ne në shërbimin e kimioterapisë ofrojmë shërbime për mbi 250 deri në 300 pacientë, pra në format të ndryshme të mjekimit, kryekëput është mjekim ambulator me kimioterapi dhe me forma të ndryshme të dhënies së këtyre ilaçeve. Në të njëjtën kohë në shërbimin e radioterapisë rrezatojmë brenda një dite kemi mbërri numër maksimal me rreth 160 pacientë në dy aparatet i rrezatojmë dhe në të njëjtën kohë shërbimin Brakiterapisë. Pra klinika brenda 24 orëve mund të trajtojë nga 450 deri në 500 persona që i bie të jetë klinika më e frekuentuar dhe me ngarkesën më të madhe se të gjitha klinikat në QKUK. Pra kryen kontrolle dhe trajtime më shumë se sa që bën edhe Klinika Emergjente në QKUK”, u shpreh tutje ai.

    Ndonëse jo në mase të madhe edhe Onkologjia është prekur nga migrimi i stafit. Kurtishi ka thënë se duke e parë trendin e rritjes së rasteve, kjo klinikë do të ketë nevojë edhe më shumë për staf të mesëm.

    “Me staf të mjekëve jemi të mbuluar relativisht mirë, kemi edhe katër specializantë, ndërsa me stafin infermieror këto dy, tre muajt e fundit i kemi marrë shtesë, të cilët e përmbushin në një far forme edhe pse me këtë trend të sëmundjeve malinje, viteve në vazhdim ne do të kemi nevojë edhe për staf të mesëm, meqenëse ka një numër të vogël por ka edhe lëvizje të stafit të mesëm të cilët e lëshojnë Kosovën. Shumë pak jemi prekur, dy apo tre infermierë por megjithatë ajo ka impakt në punën tonë të përditshme”, u shpreh Kurtishi.

  • 60 pjesëtarë e lanë Policinë – Zeqiri: Dorëheqjet do të vazhdojnë, pas pensionimit marrin vetëm 100 €

    60 pjesëtarë e lanë Policinë – Zeqiri: Dorëheqjet do të vazhdojnë, pas pensionimit marrin vetëm 100 €

    Dorëheqjet vullnetar nga Policia e Kosovës (PK) po shihen si fenomen shqetësues dhe po kërkohet që të merren hapa të menjëhershëm për parandalimin e këtij fenomene. Vetëm nga fillimi i këtij viti janë 60 dorëheqje nga ky institucion, ka konfirmuar për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovë, Imer Zeqiri.

    Ai ka shtuar se këto dorëheqje mund të ndalen vetëm atëherë kur pushteti merr hapa për përmirësimin e mirëqenies se PK-së dhe plotëson kërkesat e kamotshme të tyre.

    Zeqiri tha se PK-ja përveç kërkesës për shtesat e rrezikshmërisë ka kërkuar që të hartohet edhe Ligji për pensionimin e hershëm në të cilën parashihet rregullimin i pensionit, pasi sipas tij, policët pas pensionimit marrin vetëm 100 euro të cilat nuk dalin as për ilaçe.

    “Policia e Kosovës do të duheshin që t’i plotësoheshin disa kushte shumë më herët jo vetëm pse ndodhi rasti i fundit, po në realitet PK ka treguar rezultatet dhe suksese në vazhdimësi që nga themelimi. Mirëpo kur jemi të mirëqenia definitivisht është për keqardhje që mungojnë shumë gjëra, jo vetëm shtesa për rrezikshmëri e cila kjo tani më nuk po ekzekutohet që nga implementimi i ligjit të pagave. Ne kemi pasur kërkesa të tjera shumë më prioritet një institucion i sigurisë në vend pa sigurim shëndetësor dhe jetësorë. Është e pa kuptim pse nuk punohet dhe nuk është punuar deri më tani për sigurimin shëndetësorë dhe jetësorë. Kemi pas kërkesa konkrete drejtuar qeverisë, kemi pas edhe plan konkret se si mund të bëhet ajo, vetëm duheshin mjetet. Kjo nuk po ndodh”, tha ai.

    “Kemi edhe ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare shpesh herë po përmendet që nuk është ligj i parakohshëm është ligj në moshën 55 vjeçare. Ky ligj në këtë moshë në shumicën e shteteve të botës polici pensionohet në këtë moshë. Polici për punën që e kryen, e kanë paraparë edhe ekspert të ndryshëm që deri në moshën 55 vjeçare mund të jetë i freskët që të ju dal zot të gjitha atyre autorizimeve ligjore dhe detyrat që i kryen një policë. Në këtë ligj nuk është vetëm kjo, por zyrtari policor pas përfundimit të karrierës arritjes së moshës 65 vjeçare atëherë kur pensionohet është pa pension, merr një pension prej 100 eurove që nuk është as ndihmë sociale që nuk i mjafton ndoshta shumicës prej tyre as për barna për ilaçe. Është vërtet tepër nënçmuese në fund të karrierës pas gjithë këtyre sfidave me 100 euro”, tha ai.

    E për shkak të gjitha këtyre kërkesave dhe mos realizimit të tyre, kryetari i kësaj Sindikate ka thënë se dorëheqjet vullnetar të policëve nuk janë duke u ndalur, sipas tij, nga fillimi i këtij viti deri më tani janë bërë 60 dorëheqje.

    Ai ka theksuar se parandalimi i këtyre dorëheqjeve mund të ndalet vetëm me përmirësimin e mirëqenies se PK-së dhe realizimit të kërkesave të tyre.

    “Dorëheqje ka pasur vazhdimisht, çdo vit ka pasur dorëheqje, që nga themelimi i policisë kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, mirëpo e irritoj pak, e rriti pakënaqësinë të PK-ja kur u hoq edhe shtesa për rrezikshmëri, duke i pasur parasysh edhe shumë kushte të tjera dhe kemi ardhur në atë pik që kemi dorëheqje diku deri më tani rreth 60 dorëheqje vetëm për këtë vit dhe kemi paralajmërime për dorëheqje. Ndoshta gati për çdo ditë kemi nga një dorëheqje që është e tepërt dhe i vetmi parandalim i dorëheqjeve vullnetare është përmirësimi i mirëqenies se PK-së. Dorëheqjet janë bërë shqetësuese, zyrtarët policore janë të dëshmuar me përvojë dhe profesionalizëm. Prandaj po dëmtohemi, jo vetëm polici por po dëmtohet edhe vetë shteti”, tha ai.

    Zeqiri ka folur edhe në lidhje me raportimet për mungesë të veshmbathjeve të PK-së, ku sipas tij, ka mungesë dhe se PK-ja nuk qëndron mirë më veshmbathje.

    Ai ka thënë se kjo është duke ndodhur për shkak të mos funksionimit për një kohë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe për shkak të tenderëve, raporton EO.

    “Në realitet shkaku i ngecjeve të disa tenderëve të cilët në njëfarë faze kanë pas kryer të gjitha procedurat e tenderimit po një kohë të gjatë, gati rreth një vit nuk ka funksionuar Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe deri në polici kemi pasur 24 projekte dhe ato kanë ngecur për shkaka se nuk funksion bordi i OShP-së mandej, kur filloj të funksionoj disa janë kthyere në pikën zero disa kanë filluar që të përmirësohen. Ka mungesa, ende nuk jemi mirë me veshmbathje, me uniforma të Policëve të rendit, mos të marrim pesën e njësive speciale të cilët janë të kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Por pjesa tjetër që janë shumica e zyrtarëve policor ka mungesa të veshmbathjeve e krejt është shkaku i këtyre disa tenderëve që po rikthehen po refuzohen, s’po ka ofertor kualitativ e shumë probleme të tjera që nuk i dijë detajet” tha ai për EO.

  • Gjykimi në mungesë për krimet e luftës – Blakaj: Të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim, humb kohë e resurse

    Gjykimi në mungesë për krimet e luftës – Blakaj: Të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim, humb kohë e resurse

    Gjykimi në mungesë në rastet e krimeve të luftës po vlerësohet se do të jenë me shumë sfida dhe që nuk do të kenë efektin e duhur nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas tyre, kjo formë bien në ndesh me të drejtat e të akuzuarve që të mbroj vetveten, pavarësisht se ai përfaqësohet nga një avokat. Sipas këtij Fondi, edhe nëse dikush dënohet në mungesë sipas ligjit në momentin që ai arrestohet për të vuajtur dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkojë rigjykim.

    Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Fondi që nga fillimi nuk ka përkrahur gjykimet në mungesë, kjo pasi sipas tij, kjo formë ka edhe probleme në praktikë.

    Ai tha se kjo formë nuk do të jap efektin e duhur sepse edhe nëse ata dënohen në mungesë, përgjegjësit nuk e mbajnë dënimin.

    “Që në fillim Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk e ka përkrah gjykimin në mungesë për shumë arsye. Janë ato arsye sepse bien në ndesh me të drejtat e të akuzuarve me mbrojt vetveten, pra me qenë prezent në gjykatë. Nga ana tjetër ka edhe probleme praktike me ato që janë ballafaquar edhe prokuroritë në Kroaci të cilat në fakt kanë ngritur aktakuza, janë zhvilluar gjykimet në mungesë edhe shumë prej tyre kanë përfunduar para Gjykatës Evropiane për të drejta e njeriut dhe shteti i Kroacisë i ka humbur ato. Nuk besoj që do të ketë një efekt të duhur tek e fundit edhe në rast se prokurori sjell prova të mjaftueshme edhe në mënyrë meritore të pandehurit dënohen në mungesë prapë ata nuk janë që përgjigjen para drejtësisë, respektivisht nuk e mbajnë dënimin e tyre edhe pse në fillim do të duket si lehtësim për familjet e viktimave”, tha ai.

    Sipas Blakajt ndër sfidat që do ta përcjellin këtë proces janë mos dhënia e deklaratave të të pandehurit.

    Sipas tij, ligji parasheh që në çfarë do rrethane nëse dikush dënohet në mungesë në momentin që ai arrestohet ka të drejtë automatikisht që të kërkoj rigjykim, e kjo do të konsumonte kohë, resurse dhe mund të sjell probleme.

    “Sfidat e para me të cilat do të ndeshtë gjyqësore është se nuk mund ta marrin një deklaratë nga të pandehurit, pra nuk do të japin deklaratën ata vetë. Nuk do të kenë mundësi as të deklarohet të fajshëm apo të pa fajshëm. Nga ana tjetër ndoshta Prokuroria do ta ketë të lehët të sjell dëshmitarë të ndryshëm të cilët nuk do të sfidohen nga mbrojtja e të pandehurve edhe pse ata do të kenë një avokat në detyrë zyrtare, mirëpo sigurisht mbrojtja efektive nuk është e njëjtë me avokatë sipas detyrës zyrtare. Përfundimisht të pandehurit nuk mund të parashtrojnë pyetje, as të ofrojnë alibi në këtë proces”.

    “Çështja tjetër është se ligji e parasheh që në çfarë do rrethane nëse dikush dënohet në mungesë në momentin që arrestohet për me mirëmbajt dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkoj rigjykim. Pra do të zhvillohet gjykimi nga fillimi. Konsumohet tepër kohë edhe resurse dhe kjo mund të sjell probleme. Përfundimisht nëse aktgjykimi në prezent të akuzuarve përsëritet procesi do të jetë i ndryshëm më atë në mungesë atëherë kjo do të tregojë që ekziston mundësia që dikush të dënohet edhe pa qenë fajtor”, tha ai.

    Ai tha se deri më tani nga Prokuroria Speciale janë dorëzuar gjashtë aktakuza ku sipas tij, shumica dërrmuese prej të akuzuarve janë shtetas serb, raporton EO.

    “Nëse nuk gaboj deri më tani janë të dorëzuar gjashtë aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës në atë Dhomën Speciale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, pra gjashtë aktakuza nëse nuk gaboj bëhet fjalë për gjashtë persona. Ne nuk e dimë saktësisht identitetin e tyre sepse ende janë me iniciale mirëpo po supozojmë që shumica dërrmuese prej tyre janë serbë”, tha ai.

  • Policia dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt kanë rritur numrin e sigurimit në shkolla

    Policia dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt kanë rritur numrin e sigurimit në shkolla

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Therje me thika, rrahje e vjedhje janë disa nga rastet e shënuara në raportet e Policisë, vitin e kaluar, në disa shkolla në Ferizaj.

    Me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative mes nxënësve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, në bashkëpunim me Policinë, kanë dyfishuar numrin e sigurimit fizik.

    “Duke e parë të nevojshme dhe duke analizuar situatën nëpër shkolla, ne kemi rritur numrin e sigurimit fizik dhe kjo po ndikon pozitivisht, pasi po ndalohet edhe futja brenda e personave të panjohur, nuk munden as në oborr me hy”, tha drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani.

    Ndikim pozitiv në zvogëlimin e numrit të incidente pati në shkollën “Zenel Hajdini”.

    “Ka ndikuar mjaft shumë se edhe numri i incidenteve të mundshme është zvogëluar, përveç konflikteve verbale që mund të ndodhin prej keqkuptimeve të nxënësve”, tha Abdulllah Imeri, drejtor në shkollën “Zenel Hajdini”.

    Mirëpo, në disa shkolla tjera, sipas prindërve, niveli i sigurisë duhet përmirësuar.

    “Në shkollën këtu mbrapa ka shumë parregullsi, nxënësit e shkollave tjera hyjnë e dalin, oborri shfrytëzohet madje si park…”, tha një prind.

    Sipas qytetarëve, pajisja e nxënësve me uniforma, do ta lehtësonte edhe më shumë identifikimin e nxënësve të shkollës përkatëse, pasi shumica e shkollave në Ferizaj nuk kanë.

    “Mungojnë uniformat për t’i dalluar nxënësit, mos me hy në shkollë nxënësit të cilët nuk janë të asaj shkolle, kishte ndihmuar shumë edhe kjo”, tha një tjetër prind.

    Përveç shtimit të sigurimit fizik në shkolla, Policia e Kosovës po mban ligjërata për vetëdijesimin e nxënësve në parandalimin e rreziqeve të mundshme në objekte shkollore.

  • Pacientët ende po trajtohen në kushte të këqija në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës

    Pacientët ende po trajtohen në kushte të këqija në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, vazhdon ofrimi i shërbimeve mjekësore në kushte të vështira. Hapësira e ngushtë dhe infrastruktura e dobët janë problemet kryesore që po e rëndojnë punën në këtë repart.

    E që nga viti 2021 ekziston një projekt për ndërtimin e një reparti të ri të hemodializës, por që asnjëherë nuk është realizuar.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Hilmi Shala tha se nëse institucionet më të larta shëndetësore, japin dritën jeshile për nisjen e ndërtimit të objektit të ri, pacientët në dializë do të obligohen që këtë shërbim ta marrin në Qendrën e Hemodializës në Rahovec, deri në përfundimin e punimeve.

    “Kemi një plan për rregullimin e objektit të ri, por që i kalon mundësitë tona buxhetore. Nëse institucionet vendosin që të ndërtohet ky objekt, atëherë gjatë kohës së ndërtimit, pacientët duhet ta marrin dializën në qendrën e hemodializës në Rahovec. Aktualisht kemi 68 pacientë në dializë, përfshirë 9 nga Shqipëria”, tha Shala.

    Megjithatë, disa nga pacientët që i drejtohen spitalit për t’iu nënshtruar dializës, thonë se nuk kanë mundësi financiare të udhëtojnë deri në Rahovec.

    “Spitali i ka fajet se u dashtë me këqyr ma herët, qe 20 e diçka vjet. Plus transportin me siguru, dikush s’ka kerr. Ss pensioni s’po m’del, 160 pension i luftës m’del po s’mjafton. boll shqetësuese për këta që s’kanë e ai që s’ka vdes, s’ka qysh shkon”, tha Avdyl Kastrati, pacient.

    “Duhet m’u ba zgjidhje, me u ba dializa këtu e jo me shku në Rahovec me marr. Është larg për neve të sëmurët. Është problematike”, tha një tjetër pacient.

    Nga ana tjetër, Hemodializa në Rahovec, aktualisht është jashtë funksionit për shkak të punimeve që pritet të zgjasin deri në fund të muajit tetor.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, nëse do të bëjnë një zgjidhje për ta lehtësuar trajtimin mjekësor për pacientët në dializë në Gjakovë, por askush nuk ka kthyer përgjigje.

    Në Hemodializë të Spitalit të Gjakovës punojnë 11 infermierë dhe 1 mjek.