ATV

Blog

  • ​Sulmi në Banjskë, policia vazhdon kërkimin për armë në veri

    ​Sulmi në Banjskë, policia vazhdon kërkimin për armë në veri

    Një sërë kontrolle e bastisje janë kryer nga Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, pas sulmit të 24 shtatorit që ndodhi në Banjskë të Komunës së Zveçanit, bastisje këto që po vazhdojnë edhe sot.

    Zëvendësdrejtori i policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani i ka thënë KosovaPress-it, se deri tash nuk ka të arrestuar.

    “Rreth orës 10:00 kemi nis bastisje në veri të Kosovë, me qëllim të identifikimit dhe sekuestrimit të armëve dhe deri tash nuk ka të arrestuar. Ndërsa, lidhur me atë se çka është gjetur në këto bastisje, do të iu informojmë më vonë”, tha ai.

    Ai nuk dha detaje se ku aktualisht po kryhen këto bastisje. Ditëve të kaluara u kryen bastisje të tjera në lokacione të ndryshme, e që të gjitha ato u kryen nën dyshimet se ka ndërlidhje me sulmin në Banjskë, më 24 shtator kur edhe u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku e plagos një koleg i tij.

  • Moisiu: Në Banjskë duket qartë se është përfshirë kokë e këmbë edhe shteti serb

    Moisiu: Në Banjskë duket qartë se është përfshirë kokë e këmbë edhe shteti serb

    Ish-presidenti Shqipërisë, Alfred Moisiu ka kritikuar qasjen e Serbisë karshi Kosovës. I njëjti ka kërkuar që Ballkani Perëndimor të bëhet me i sigurtë.

    Moisiu është shprehur i shqetësuar nga sulmet e fundit që ndodhën në Banjskë të Zveçanit. Sipas tij, në atë sulm duket qartë se është përfshirë Serbia.

    Ai tha se duhet të vazhdohen përpjekjet që palët të ulen në bisedime, porse ndaj Serbisë duhet kërkohet më shumë.

    “Dihet që në fillim duhet të bëjmë Ballkanin Perëndimor më të sigurtë dhe pastaj të flasim për integrim. Pasi gjithë jemi të shqetësuar për pasigurinë e krijuar në vazhdimësi. Këto situata të cilat mund të mendohet se mund të shkohet me zgjidhje të gjata, duhet marrë më seriozisht si nga ne, ashtu edhe nga ata që mbajnë përgjegjësinë për ruajtjen e paqes në Evropë….Më 24 shtator në Banjskë, jo vetme plasi por ndodhën disa gjëra të pakuptueshme, Beogradi jo vetëm që nuk u dënua, por u shpall një dite zie për ata që u vranë…Pra, duket qartë se këtu është përfshirë kokë e këmbë edhe shteti serb”, tha Moisiu.

  • ​Ahmeti optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

    ​Ahmeti optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, është optimist se Kosova mund të anëtarësohet vitin e ardhshëm në Këshill të Evropës. Sipas tij, institucionet kosovare po punojnë aktivisht me shtetet anëtare dhe se kanë siguruar mbështetjen e mbi dy të tretave të nevojshme për anëtarësim. Ai thekson se do të ishte sinjal jashtëzakonisht i mirë për Këshillin e Evropës që në kuadër të 75 vjetorit të themelimit të zgjerohet.

    I dyti i MPJD-së për KosovaPress, flet edhe për dialogun me Serbinë, sanksionet ndaj shtetit fqinj, njohjet e reja dhe fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet aleate.

    Ahmeti është i bindur se raporti i dy juristëve eminentë të KiE-së, që qëndruan në Kosovë javë më parë do të jetë pozitiv, pasi Kosova qëndron shumë më mirë se disa vende anëtare sa i përket të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve etnike dhe përputhshmërisë të Kushtetutës dhe legjislacionit në raport me standardet dhe Konventat e Evropës.

    Ai shton pas kësaj do të bëhet edhe një raport nga raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila do të ketë si bazë raportin e juristëve eminentë.

    “Besoj se do të jetë pozitiv, në fakt e kam edhe bindje këtë pasi Republika e Kosovës qëndron më mirë se shumë vende tashmë anëtare të Këshillit të Evropës. Kushtetuta jonë është progresive për të drejtat e komuniteteve, veçanërisht për komunitetet etnike. Ne tashmë kemi të adaptuar një numër të njëanshme një numër konventash të Këshillit të Evropës edhe pse nuk jemi palë në to, si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventën për të Drejtat e Komuniteteve dhe Konventa e Stambollit me të gjitha protokollet e saj. Këta juristë eminentë që kanë qenë këtu, do të bëjnë raportin për dy çështje. E para është përputhshmëria e kushtetues dhe legjislacionit tonë me standardet dhe konventat e Evropës, pra qëndrojmë mirë dhe për të drejtat e minoriteteve ku gjithashtu qëndrojmë mirë. Prandaj, jam i bindur që do të jetë një raport pozitiv. Raportuesi i dytë që do të bëhet nga raportuesja për Kosovën, do të bëhet brenda kornizave të raportit të parë”, thotë ai.

    Ai është optimist se ky raport mund të votohet në Asamblenë e Përgjithshme në seancat e radhës plenare.

    “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, do të ketë para ministerialit të vitit të ardhshëm edhe dy sesione plenare, një në janar dhe një në prill. Këto janë si mundësi që të shfrytëzohen për t’u vendosur për votim. Unë nuk mund të zotohem tash se në cilin sesion apo kur do të kemi këtë votim. Por ajo çka mund të them është se mbështetja është e madhe në Asamblenë Parlamentare…Votat janë aty dhe do të kemi edhe më shumë sesa dy të tretat e nevojshme…Do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i mirë për Këshillin e Evropës që mos të tkurret si organizatë por të zgjerohet me rastin e 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës që është vitin e ardhshëm. Ne po punojmë dhe angazhohemi në baza ditore që kjo të ndodh”, thekson Ahmeti.

    Duke folur për sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator, Ahmeti bënë të ditur se i kanë njoftuar të gjithë partnerët se Serbia qëndron prapa atij.

    Andej ai nënvizon se bashkësia ndërkombëtare duhet ta dënojë Serbinë për aktin e agresionit ndaj Kosovës.

    “Ajo çka ndodhi me 24 shtator, sulmi terrorist si formë e agresionit nga Serbia ishte ajo çka kishim paralajmëruar se do të mund të ndodhte. Sigurisht se ne që nga ajo ditë kemi njoftuar në baza të rregullta të gjithë partnerët dhe të gjitha vendet ku kemi përfaqësim, qoftë primar apo sekondar përmes misioneve diplomatike apo konsullore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne me kohë e kemi bërë të qartë se për çfarë po bëhet fjalë. Për një sulm të tillë, për një agresion të tillë duhet personel, armatim dhe planifikim”, thotë ai.

    Sipas tij, dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë njëjtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    “Nuk mund të themi që situata është e njëjtë dhe që mund të vazhdojë të sillemi sikurse nuk ka ndodhur sulmi terrorist, pasi në atë mënyrë do të normalizonim atë dhe ky është rreziku. Sa më pak që të ketë pasoja Serbia aq më shumë ka mundësi për sulme dhe sa më shumë që të ketë sulme aq më pak do të lihet mundësi për dialog. Prandaj është thelbësore që të kemi pasoja dhe sanksione ndaj Serbisë në këtë rast”, deklaron Ahmeti.

    Në anën tjetër, Ahmeti thotë se po punojnë vazhdimisht me pesë vendet e Bashkimit Evropian jonjohëse të Kosovës.

    Ai përmend në veçanti raportet me Greqinë, të cilat sipas tij, po thellohen ani pse s’ka njohje formale.

    “Kemi ngritur statusin e zyrës sonë në Athinë e cila nuk është vetëm çështje formale por ka krijuar edhe përmbajtësish mundësi që të kemi raporte zyrtare me Greqinë. Kemi nënshkruar dokumente me Greqinë. Është e vërtet se Greqia ende nuk e ka deklaruar njohjen, por raportet me to po thellohen. Nuk jemi në pikën e një vendi që nuk pranon të ketë komunikim zyrtar apo të nënshkruajë dokumente”, thotë Ahmeti.

    Krahas kësaj Ahmeti thotë se po punojnë edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare.

    Ndërkaq, duke folur për Procesin e Berlinit, thotë se samiti i 16 tetorit në Tiranë, synon konsolidimin e tregut të përbashkët rajonal dhe përafrimin e tij me tregun e Bashkimit Evropian.

  • Franca e rrit nivelin e sigurisë pas sulmit me thikë në shkollë

    Franca e rrit nivelin e sigurisë pas sulmit me thikë në shkollë

    Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne e ka rritur alarmin shtetëror kundër terrorizmit në nivelin më të lartë, pasi një sulmues e ka vrarë me thikë një mësues, dhe i ka plagosur dy persona tjerë.

    Dëshmitarët kanë thënë se sulmuesi ka bërtitur “Zoti është më i madhi”, gjatë sulmit në një shkollë në Aras, në veri të Francës.

    Sulmuesi tani është në mbajtje.

    Rritja e nivelit të alarmit është praktikuar edhe në rastet tjera në të kaluarën, që janë lidhur me kundër-terrorizëm.

    Me këtë vendim, mund të rritet numri i zyrtarëve të sigurisë dhe të ketë më shumë paralajmërime publike.

    Sulmi i së premtes është regjistruar në rritje e sipër të tensioneve mes komuniteteve hebreje dhe myslimane në Francë, për shkak të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

    Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, ka thënë se “nuk ka dyshim” për lidhjen mes sulmit në Aras dhe konfliktit Izrael – Hamas.

    Sulmuesi, i identifikuar si Mohamed Mogouchkov, 20-vjeçar, me shtetësi ruse, është me origjinë çeçene dhe i njohur për shërbimet e sigurisë për përfshirje në ekstremizëm islamik.

    Policia i ka arrestuar edhe disa pjesëtarë të familjes së sulmuesit.

    Presidenti francez Emmanuel Macron, e ka vizituar shkollën dhe e ka dënuar “barbarizmin e terrorizmit islamik”.

    Ai i ka bërë thirrje popullit francez që të jetë i bashkuar në momente si këto.

    Franca është përballur me disa sulmeve islamike në vjetët e fundit.

    Më i rëndi është regjistruar në nëntor të vitit 2015, kur një sulmues dhe bombarduesit vetëvrasës e patën sulmuar një zonë në Paris, duke i lënë të vdekur 130 persona.

    Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik./REL/

  • Ferizaj: Burri raporton se bashkëshortja e tij është zhdukur

    Ferizaj: Burri raporton se bashkëshortja e tij është zhdukur

    Të enjten një grua ka dalë nga shtëpia e saj në Ferizaj dhe nuk është kthyer më.

    Rastin në polici e ka raportuar bashkëshorti i saj.

    “Ferizaj 12.10.2023-19:00. Me 13.10.2023 ankuesi kosovar ka raportuar se bashkëshortja e tij, për motive të panjohura ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

  • Abuzohet dhe dhunohet një e mitur nga disa persona në Gjakovë

    Abuzohet dhe dhunohet një e mitur nga disa persona në Gjakovë

    Një vajzë e mitur është abuzuar dhe dhunuar nga disa persona të panjohur, në lokacione të ndryshme.

    E mitura është deklaruar dje në Policinë e Kosovës në prezencë të aktereve të nevojshëm ku ka treguar për abuzimin dhe dhunimin që i është bërë nga disa persona.

    Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se lidhur me rastin janë arrestuar një burrë dhe grua.

    Raportohet se gruaja e arrestuar është nëna e të miturës, ndaj së cilës është iniciuar rasti “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit të shtetit të dy të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje, ndërsa rasti është iniciuar edhe “Dhunim”.

    “Me datën 13.10.2023 rreth orës 09:00 viktima, femër (fëmijë), gjatë dëgjimit policor në prezencën e akterëve të nevojshëm ka treguar se ishte abuzuar dhe dhunuar nga persona të panjohur në lokacione të ndryshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, një femër dhe një mashkull të moshës madhore, mbi dyshimin se janë të përfshirë në rast. Veprimet e nevojshme hetimore janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit janë ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe “Dhunim”, tha Elezaj.

  • Koordinatori i parë i UNMIK-ut, Wulffen: Kurti duhet t’i përmbahet marrëveshjes me Serbinë

    Koordinatori i parë i UNMIK-ut, Wulffen: Kurti duhet t’i përmbahet marrëveshjes me Serbinë

    Diplomati gjerman dhe ish-koordinatori për administratën civile në Kosovë, Bernd Wulffen flet për DW për gjendjen në Kosovë dhe zhvillimet e fundit. Ai ka publikuar së fundi edhe një libër për Kosovën.

    DW: I nderuar zoti Wulffen, disa politikanë gjermanë, së fundmi edhe ministri i Bujqësisë Cem Ozdemir gjatë vizitës së tij në Kosovë, duke iu referuar ngjarjeve të viteve nëntëdhjetë në këtë vend, flasin për gjenocidin ndaj popullatës shqiptare prej palës serbe. A e ndani ju këtë mendim?

    Wulffen: Kam dëgjuar shumë gjëra të tmerrshme, madje dhe kam parë disa nga varrezat masive që vizitoheshin rregullisht nga të afërmit. Duhet të ketë pasur ngjarje të tmerrshme, duke përfshirë rastet kur kosovarët janë futur me forcë në shtëpi dhe më pas janë hedhur në erë. Krime të tilla kanë ndodhur. Megjithatë, është e vështirë për mua ta quaj këtë gjenocid, sepse përkufizimi im për gjenocidin është ndoshta pak më i gjerë.

    DW: Politikanët gjermanë ndihmuan në ndërtimin e strukturave demokratike në Kosovë para se Kosova të bëhej e pavarur. A mendoni se këto struktura demokratike funksionojnë sot në Kosovën e pavarur?

    Wulffen: Gjatë kohës sime në Kosovë, gjithçka drejtohej përmes UNMIK-ut, Kombet e Bashkuara funksiononin si një lloj qeverie në realitet. Kosova nuk kishte në fillim parlamentin e vet. Jemi përpjekur që gradualisht të ndërtojmë struktura dhe të përfshijmë kosovarët në përgjegjësinë qeverisëse. Sot, Kosova ka qeverinë dhe parlamentin e saj funksional – edhe pse me vështirësi.

    DW: Prishtina zyrtare ka pohuar vazhdimisht se serbët në enklavat në Kosovë jetojnë mirë, dhe se vetëm serbët në veri të Kosovës po shkaktojnë probleme. A jeni dakord me këtë?

    Wulffen: Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, shumica e serbëve në enklava ndjeheshin të kërcënuar. Pati sulme të përsëritura, duke përfshirë djegien e manastireve dhe shtëpive. Ata u ndjenë të kërcënuar, por askush nuk më tha, se donin të emigronin. Gjithmonë e kemi theksuar, se Kosovën e shohim në tërësi, duke përfshirë edhe enklavat serbe që ishin në gjendje të vështirë.

    DW: Në disa raste keni bërë të ditur se jeni kundërshtar i rreptë i shkëmbimit të territoreve, që disa e shohin si zgjidhje të mosmarrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pse?

    Wulffen: Unë nuk jam një kundërshtar i rreptë, por shoh rreziqet që lidhen me këtë çështje. Shkëmbimet territoriale mund të shkaktojnë një ortek, duke tërhequr zona të tjera në konflikt, gjë që mund të kërcënojë stabilitetin politik të Ballkanit Perëndimor. Kjo është arsyeja pse unë këshilloj të braktiset kjo ide.

    DW: Ju me siguri ndiqni negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat janë sërish në një fazë të vështirë. A e shihni daljen?

    Wulffen: Mendoj se duhet të jemi të durueshëm dhe të vazhdojmë praninë tonë në Ballkanin Perëndimor. Lufta e Ukrainës e ka vonuar deri diku procesin, por nëse Putini bie në plan të dytë, me disa politikanë në Ballkan si Vuçiq, do të hapet hapësira për BE-në.

    DW: Shumë e fajësojnë Albin Kurtin për problemet e fundit në procesin e afrimit me BE. A jeni dakord me këto akuza?

    Wulffen: Mendoj se është e rëndësishme t’u përmbahemi marrëveshjeve. Ka një marrëveshje për përfaqësimin e serbëve nga veriu i Kosovës, e Kurti nuk i përmbahet kësaj. Kjo është e papranueshme. Bashkimi Evropian duhet të jetë i vendosur këtu dhe të insistojë në këtë marrëveshje. Ky është një simbol i rëndësishëm për serbët.

    DW: Në të kaluarën, kur keni qenë në Kosovë, Rusia ka luajtur një rol relativisht konstruktiv. Kjo ka ndryshuar. Si e shpjegoni këtë?

    Wulffen: Para së gjithash, atëherë ne kishim Jelcinin si president të Rusisë, i cili, për shembull, kishte marrëdhënie të mira me kancelarin e atëhershëm Helmut Kohl. Rusët ishin të gatshëm të negocionin, megjithëse, me sa më kujtohet, ata nuk gjetën gjithmonë shumë mbështetje në Moskë. Kishte edhe forca të vijës së ashpër që nuk e mbështetën rolin ndërmjetësues dhe pajtues që kishte Rusia në atë kohë. Për shembull, marrja e aeroportit në Prishtinë nga rusët në atë kohë ishte ndoshta një lëshim për këta të vijës së ashpër, të cilët insistonin në vendosjen më të fortë të interesave ruse në Kosovë.

    Bernd Wulffen ishte koordinatori i parë për administratën civile në Kosovë në periudhën e pasluftës nga viti 1999 deri në vitin 2000. Gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, ai ka shërbyer edhe si ambasador i Gjermanisë në Kubë. Sapo është botuar libri i tij “Kosova – fillimi i viteve 1999/2000”.

  • Masat e BE-së dhe agresioni në veri “trembin” investitorët e huaj

    Masat e BE-së dhe agresioni në veri “trembin” investitorët e huaj

    Janë bërë më shumë se tre muaj kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos reagimit për uljen e tensioneve në veri. Këto masa po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik, duke shënuar rënie të investimeve të huaja në vend.

    Por edhe sulmi fundit nga agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator në Banjskë, ka ndikuar te investimet e huaja në Kosovë.

    Kryetari i Odës Ekonomike, Lulëzim Rafuna thotë për KosovaPress, se të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në veri të vendit, kanë shkaktuar te ardhja e investimeve të reja në Kosovë.

    Rafuna derisa thotë se duhet që të dërgohen sa më shumë mesazhe që Kosova është një vend i sigurtë për të investuar, shton se Qeveria duhet të marrë më shumë veprime në freskimin e politikave fiskale.

    “Pas sulmit terrorist që kishim më 24 shtator, që fatkeqësisht patëm një humbje të jetës së policit tonë që ra hero, e që situata u menaxhua shumë mirë nga PK. Padyshim se të gjitha këto ngjarje nuk janë imazhe të mira, të investitorët paraqesin një hezitim për të ardhë të investojnë në Kosovë, për shkak situatës së krijuar dhe për shkak paraqitjes mediale jo vetëm në Kosovë, rajon, Evropë por edhe në mediat botërore, ku investitorët hezitojnë me ardhë, dhe e kanë atë periudhën që presin që situata të qetësohet… Në këtë periudhe kohore, ne nuk mund të presim investime, edhe pse Kosova ka një ambient të mirë të të berit biznes, duke filluar nga infrastruktura. Duhen më shumë të merren veprime, sidomos në freskimin e politikave fiskale, por edhe në fushën e arsimit, shëndetësi, sundimin e ligjit”, thotë Rafuna.

    Rafuna kërkon nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë të ndërmarrë hapa në këtë drejtim.

    “Ka shumë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, për arsyeje se imazhi jonë është e gjitha për shkak tensioneve, dhe ne nuk kemi kohë që të presim që mënyrë të natyrshme, pas një apo dy vite të qetësohet situata dhe të vinë investitorët. Duhet me urgjencë të merren hapa për të ndryshuar imazhin e vendit tonë, për të përçuar mesazhe të mira”, shton Rafuna.

    Se po bie imazhi i Kosovës nga masat e BE-së dhe sulmet në veri, e thotë edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

    Sipas tij, bizneset e huaja po hezitojnë të vinë të investojnë në Kosovë nga situata e fundit në veri të vendit.

    “Vet fakti që kemi masa, ka ulje të imazhit të Kosovës. Aq më shumë Serbia me anë të propagandës bënë një punë edhe më të madhe në dëm të Kosovës, dhe në këtë drejtim Kosova edhe pak autoritet dhe atë njohjen sa më të mirë nga ana e bizneseve të jashtme që kanë pa që në Kosovë mund të bëjnë biznes, mund të ketë aktivitete ekonomike, tashmë këto masa do të jetë një pikë e zezë për Kosovën, të cilat bizneset e huaja do të hezitojnë që të investojnë në Kosovë, ku do të ndikojë në bruto produkt, në mirëqenie, në punësim, dhe si rezultat do të kemi një imazh jo të mirë për ekonominë e vendit”, thotë Kadriaj.

    Edhe njohësi për çështje të ekonomisë, Safet Gërxhaliu vlerëson se masat e vëna nga Bashkimi Evropian, po e dëmtojnë Kosovën në çdo aspekt.

    “Me e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës në këto vitet e pasluftës janë këto masa nga BE. Nuk dua të paragjykoj fajtorin, mirëpo vet fakti se masa të tilla ka pasur Serbia, ka Rusia, Bjellorusia, Irani, dhe në atë rang futet edhe Kosova, është dënimi më i madh që mund t’i bëhet Kosovës, jo vetëm në aspektin ekonomikë, politikë, gjeostrategjik por edhe emocional …07:39 Këto masa e dëmtojnë Kosovën në aspektin politik, në ngadalësimin e proceseve integruese, ekonomikë, sepse askush nuk do të vijë të investojë në një shtet i cili është nën masa të BE-së, dhe vet fakti që në Kosovë nuk kemi investime të huaja, por edhe bizneset kosovare po ikin dhe po investojnë në vendet tjera evropiane, është mjerimi më i madh. Prandaj, stabiliteti politik Kosovës i duhet si kurrë më parë”, thotë Gërxhaliu.

    Ndërkaq, pas gjithë këtyre zhvillimeve, partia në pushtet ka kërkuar që masa ndëshkuese t’i vendosen Serbisë, dhe t’i hiqen Kosovës.

    Sipas partisë në pushtet, BE-ja duhet të vendosë masa ndaj Serbisë që po shkel vlerat e demokracisë dhe jo ndaj Kosovës që po punon për ligjshmëri dhe vlera mbi të cilat vet Bashkimi Evropian është krijuar.

    Edhe investimet e huaja direkte në tre mujorin e dytë 2023, kanë shënuar rënie prej 12.5 për qind në Kosovë. Sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023”, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023, rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.

  • Mbi 60 persona helmohen në Malishevë

    Mbi 60 persona helmohen në Malishevë

    Mbi 60 persona janë helmuar dje në Malishevë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Siç thuhet në njoftim nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e ditës së djeshme e deri në mesnatë, ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë.

    Sipas Policisë, tre prej tyre janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.

    Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ​Policia jep detaje për vdekjen e 4-vjeçarit

    ​Policia jep detaje për vdekjen e 4-vjeçarit

    Policia e Kosovës dje ka pranuar informata lidhur me dyshimet për rënien në lumë të një fëmije rreth katër vjeçar.

    Rasti u raportua në fshatin Raskovë të Obiliqit, ku në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilat kanë marrë të gjitha veprimet e mundshme për të gjetur fëmijën.

    “Janë informuar institucionet përkatëse, si njësitë brenda policisë për kërkim shpëtim, FSK dhe në vendin e ngjarjes ka qenë edhe ndihma e shpejtë. Rreth orës 20:30 në lumin Llap është gjetur viktima pa shenja jete. Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML –Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftimin e Policisë.