ATV

Blog

  • Nisin hetimet për helmimet në Malishevë, AUV gjen produkte “pa origjinë”

    Nisin hetimet për helmimet në Malishevë, AUV gjen produkte “pa origjinë”

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Brenda një javë më shumë se 100 qytetarë nga dy komuna të Kosovës u helmuan si pasojë e ushqimit që konsumuan.

    Të dy lokalet ai në Mitrovicë si dhe në Malishevë janë mbyllur menjëherë pas kontrollit të kryer nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Mungesa e higjienës e shumë faktorë të tjerë vlerësohet të jenë shkaktar i helmimit të qytetarëve.

    Konsideruar këto raste, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do të fillojë të kryejë kontrolle më të rrepta ndaj lokaleve të gastronomisë në tërë territorin.

    “Është alarmuar drejtori dhe ministri të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion në gjithë territorin ku të gjitha lokalet e gastronomisë ti nënshtrohen kontrollin e detajuar sepse nga historiku pjesa më e madhe ka ndodh te kjo kategori e lokale”, tha Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është institucioni i vetëm përgjegjës për inspektimin e sigurisë ushqimore në vend. Megjithatë ballafaqohet me numër të vogël të inspektorëve.

    “Numri I inspektorëve është shumë I ulët e kemi thënë tash e disa vite, e derisa kjo është gjendja sigurisht që edhe frekuenca e kontrolleve është më e ulët sepse nuk arrijmë fizikisht. Pa dashur të ankohemi ne do të organizojmë aksion të përgjithshëm dhe kudo që gjejmë shkelje do të ketë tolerancë zero”, tha Thaçi.

    Në anën tjetër sipas Afrim Hamidit, profesor i Teknologjisë Ushqimore rreziku nga produktet ushqimore nuk varet në të gjitha rastet vetëm nga cilësia e tyre.

    “Duhet të shikohet problemi në zanafillë jo vetëm në kontrollim. Duhet të shikohen licencat, a kanë ndonjë ngritje profesionale ata që merren me ushqimin etj…”, tha Hamidi.

    Në Kosovë nga viti 2022, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Ushqim, i cili parasheh sigurinë e përgjithshme të produkteve, sipas standardeve të BE-së. Bazuar në këtë ligj gjobat për operatorët ekonomikë për shkelje të dispozitave përfshirë vendosjen e ushqimeve të pasigurta në treg fillojnë prej 500 deri në 20 mijë euro.

  • Mbi 140 persona janë helmuar nga ushqimi në Malishevë

    Mbi 140 persona janë helmuar nga ushqimi në Malishevë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Mishi që po largohet nga ky lokal prej inspektorëve të ushqimit, dyshohet të ishte arsyeja që mbi 100 qytetarë të Malishevës, të helmohen e të kërkojnë ndihmë mjekësore.

    Njëri prej tyre është edhe Fatmir Hoti me bashkëshorten e tij.

    “Para dy ditë i kemi marrë dy donerë, aty gjithmonë kemi marrë donera nuk kemi pasë problem. Gruan e kam që 3 ditë në spital me këto simptoma barkqitje, ethe e që të njëjtat simptoma i ka edhe gruaja”, tha Fatmir Hoti, qytetar.

    Edhe Skënder Shala dyshohet të jetë helmuar nga konsumimi i ushqimit në këtë lokal. Trajtimin mjekësor ai po e merr në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Malishevë.

    “Para tre dite kom hëngër bukë në këtë lokal, kam pasë bark qitje, dhimbje, temperaturë, ethe. Edhe dje e kam marrë një infuzion në mëngjes herët, gjithashtu edhe sot, pra ka shumë qytetarë që kanë konsumuar ushqim aty dhe janë këtu bashkë me mu, pra tani edhe simptomë tjetër e kam edhe lodhje”, tha Shala.

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë trajtim kanë marrë rreth 70 persona.

    “Kemi pasë një numër të shtuar të pacientëve me helmim, qendra kryesore e mjekësisë familjare nuk është klinikë universitare dhe nuk mban pacientë në trajtim të vazhdueshëm dhe më pasë dërgohet në shtëpi”, tha drejtori QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi.

    Ndërkaq, 12 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore edhe në Klinikën Infektive të QKUK-së, derisa gjendja e tyre shëndetësore sipas drejtorit të kësaj klinike, është stabile.

    “Gjendja e tyre e përgjithshme është stabile, stafi i Klinikës Infektive ka marrë masat për trajtim të shpejtë dhe profesional, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po bëjmë çmos që sa më parë të rikuperohen dhe të lëshohen”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe ka mbyllur lokalin.

    “Kemi marrë masa parandaluese për përhapjen e mëtejshme të helmimeve, kemi marrë të gjitha masat që duhet konform ligjit të fuqi dhe është bërë mbyllja e lokalit deri në një vendim të ardhshëm dhe janë marrë mostrat”, tha Durak Zyraku, koordinator i Zyrës Rajonale të AUVK-ut në Prizren.

    Përpos inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit të cilët morën mostrat, në lokal erdhi edhe pronari i lokalit ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit.

    Për rastin është deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia ka përmendur vetëm 68 qytetarë të helmuar duke shtuar se përpos QKUK-së edhe 9 persona po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

  • Ndonëse jo në emër të tij, shteti mund ta konfiskojë pasurinë ‘luksoze’ të Radojiçiqit

    Ndonëse jo në emër të tij, shteti mund ta konfiskojë pasurinë ‘luksoze’ të Radojiçiqit

    Përgatiti: N. Luta & A. Hajdaraj

    Kjo vilë buzë liqenit të Ujmanit është vetëm një ndër pasuritë e evidentuara të ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Milan Radojiçiq.

    Por më shumë së dy javë pas sulmit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, e u plagos Alban Rashiti, në hyrje të saj nuk ndodhen më rojet e sigurimit.

    Radojiçiqdyshohet se ka edhe prona e pasuri të tjera, por të cilat nuk janë në pronësi të tij.

    Të paktën në Serbi, sipas Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, Radojiçiqua transferoi 40 % të pronësisë vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

    Megjithatë, sipas ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pasuria e tij në Kosovë mund të konfiskohet nga autoritetet kosovare, pasi mund të provohet në mënyra të ndryshme se ish-nënkryetari i Listës Serbe është pronar.

    “Prona mund të provohet në mënyra të ndryshme se ai është pronar, pasi është I përfshirë në vepra penale… Barrën e mjaftueshme…”, tha Shyqyri Syla, ish-kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Procedura e konfiskimit bëhet edhe më e lehtë kur objektet janë të ndërtuara në pronë publike, që sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë e juristëve i mundëson shtetit, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës, t’i marrë në shfrytëzim.

    “Nëse ato prona janë të ndërtuara në pronë publike dhe pa leje, dhe janë sekuestruar përkohësisht, do të jetë proces gjyqësor. Dhe pas vendimit të formës së prerë, institucionet kanë të drejtë t’i destinojnë”, tha ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

    “Ai ka mundur që mjetet/pasurinë ta vendosë në emër të gruas, fëmijëve apo kujtdo, pavarësisht në emër të kujt është, është subjekt i njëjtë, sepse ajo është pasuri e sekuestruar dhe e paligjshme dhe është fitu mbi bazën e kryerjes së veprave penale”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.

    Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale deri tash janë sekuestruar përkohësisht vila buzë liqenit të Ujmanit, një “penthouse” dhe një lokal.

    Këto objekte ishin bastisur pesë ditë pas sulmit të 24 shtatorit nga një grup i armatosur, i udhëhequr nga Milan Radojicic, gjatë një aksioni të gjerë të Policisë, në koordinim me PSRK-në e EULEX-n. Ndërkohë, PSRK-ja është duke i vazhduar hetimet, teksa tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhen në paraburgim.

  • Gjykata në Ferizaj ka përpiluar me shkrim aktgjykimin e shqiptuar më 4 gusht ndaj Krivaqës

    Gjykata në Ferizaj ka përpiluar me shkrim aktgjykimin e shqiptuar më 4 gusht ndaj Krivaqës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Gati tre muaj pasi dha verdiktin, Gjykata Themelore në Ferizaj ka përpiluar Aktgjykimin në plot 88 faqe për dy të dënuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Sipas arsyetimit të Trupit Gjykues i cili vrasjen e Marigonës e ka konsideruar makabre, motivi për vrasje u konstatua të ishte xhelozia e paarsyeshme nga tashmë i dënuari me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqës.

    Në aktgjykim thuhet se rendësi më e veçantë ju dha dëshmisë së prindërve të viktimës dhe konkluzioneve të ekspertit të mjekësisë ligjore të cilat u dëshmuan edhe me prova materiale.

    “E ndjera ka pasur lëndime përreth syrit të majte, të djathte, përgjatë fytyrës dhe mjekrës, gjoksit, nënsqetullës, për gjatë abdomenit, kofshës se majte dhe te djathte, për gjate krahut te majte dhe te djathte, në nofullën e poshtme, ka pasur thyerje te unazës se pare dhe të dyte te qafës ne mes tyre edhe këputje parciale e palcës se qafës dëmtime në zgavrën e gojës kah nofulla e poshtme e thyer ne dy vende”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Sa i përket të dënuarit tjetër me 15 vjet burgim, Arbër Sjediu në aktgjykim thuhet se deklarata e tij e dhënë në gjykatë nuk ishte e besueshme meqë në video incizim shihet qartë se ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale.

    Në aktvendim gjykata nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese për të dënuarin kryesor derisa si rrethana rënduese, gjykata mori parasysh, moshën e re të viktimës dhe mënyrën si u vra.

    “Veprën penale i akuzuari e ka kryer me paramendim, moshën e re të të ndjerës, e cila veç sa e kishte arritur moshën 18-vjeçare. Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale- në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur”, thuhet më tej në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Për vrasjen e Marigona Osmanit, Krivaqa e Sejdiu u dënuan më 4 gusht të këtij viti.

  • Gjenden armë dhe mjete eksploduese gjatë bastisjeve në veri

    Gjenden armë dhe mjete eksploduese gjatë bastisjeve në veri

    Përgatiti: Arton Hamit

    Arsenalit të armëve të sekuestrua që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës, të premten ua shtoi edhe një sasi tjetër të municionit dhe pajisjeve ushtarake.

    Me urdhër të gjykatës, Policia bastisi shtatë lokacione, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

    Pjesë e municionit të sekuestruar ishte edhe një minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, me llojin e së cilës dyshohet se u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e veriut, bastisjet si kjo e së shtunës, janë në kuadër të hetimeve për sulmin në Banjskë.

    Në lokacionet e bastisjeve janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEXI-it. Ndërkaq, në lidhje me armatimin e sekuestruar deri më tani nuk ka të arrestuar.

  • Ahmeti: Dialogu nuk mund të vazhdojë njëjtë

    Ahmeti: Dialogu nuk mund të vazhdojë njëjtë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti duke komentuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator deklaroi se autoritetet kosovare tashmë i kanë njoftuar të gjithë partnerët se Serbia qëndron prapa tij.

    “Ajo çka ndodhi me 24 shtator, sulmi terrorist si formë e agresionit nga Serbia ishte ajo çka kishim paralajmëruar se do të mund të ndodhte. Sigurisht se ne që nga ajo ditë kemi njoftuar në baza të rregullta të gjithë partnerët dhe të gjitha vendet ku kemi përfaqësim, qoftë primar apo sekondar përmes misioneve diplomatike apo konsullore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne me kohë e kemi bërë të qartë se për çfarë po bëhet fjalë. Për një sulm të tillë, për një agresion të tillë duhet personel, armatim dhe planifikim”, tha Ahmeti.

    Ahmeti, përsëriti qëndrimin e Qeverisë se për këtë akt të agresionit, Serbia duhet të ndëshkohet derisa konsideron se dialogu për normalizim të raporteve me këtë shtet nuk mund të vazhdojë njëjtë.

    “Sa më pak që të ketë pasoja Serbia aq më shumë ka mundësi për sulme dhe sa më shumë që të ketë sulme aq më pak do të lihet mundësi për dialog. Prandaj është thelbësore që të kemi pasoja dhe sanksione ndaj Serbisë në këtë rast”, tha Ahmeti.

    Në anën tjetër, shtoi se Ministria e jashtme është duke punuar vazhdimisht me pesë vendet e Bashkimit Evropian jonjohëse të Kosovës. Ai përmend në veçanti raportet me Greqinë, të cilat sipas tij, po thellohen ani pse s’ka njohje formale.

  • Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pasi Lista Serbe, në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndryshoi qëndrim dhe kërkoi mbajtje të zgjedhjeve në veri, duke premtuar pjesëmarrje, Qeveria e Kosovës insiston se mbajtja e tyre, do të bëhet vetëm përmes udhëzimit administrativ.

    Duke ofruar mbështetje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ekzekutivi shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve serb të katër komunat veriore është jashtëzakonisht e rëndësishme.

    “Ne kemi ofruar kornizën ligjore që mundëson zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit. Udhëzimi administrativ është edhe rezultat i zotimeve tona për deeskalim të situatës por edhe reflektim i bindjes sonë se zgjedhjet e reja atje duhet të nxiten nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit, në krye më deri atëherë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq na ka rikujtuar rëndësinë jetike të ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
    Në rast se kryetarët e tanishëm nuk japin dorëheqje duke pritur inicim të peticionit nga qytetarët, për opinionistin Bekim Kabashi, mbajtja e zgjedhjeve është larg.

    Sidoqoftë, pjesëmarrja eventuale e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, pas sulmit të 24 shtatorit, për të cilin mori përgjegjësinë ish-nënkryetari i këtij subjekti, Milan Radojiçiq, po shihet me sy kritik.

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale me 23 prill.
    Qytetarët serb kundërshtuan hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve në ndërtesat komunale, duke sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

  • ​Franca mobilizon 7000 ushtarë pas vrasjes së një mësuesi: “Sulm i motivuar nga lufta në Izrael”

    ​Franca mobilizon 7000 ushtarë pas vrasjes së një mësuesi: “Sulm i motivuar nga lufta në Izrael”

    Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka urdhëruar mobilizimin e shtatë mijë trupave shtesë për të forcuar patrullat e sigurisë, tha zyra e tij sot, një ditë pasi një mësues u vra me thikë në një sulm islamik.

    Franca ka qenë në gatishmëri të lartë që nga e premtja pasi një 20-vjeçar vrau me thikë një mësues dhe plagosi rëndë dy të tjerë në qytetin verior francez të Arras.

    Zyra e Macron njoftoi se ushtarët do të mobilizohen deri në njoftimin e mëtejshëm si pjesë e një operacioni ekzistues për të patrulluar qytetet e mëdha dhe destinacionet turistike.

    Muzeu i Luvrit u evakuua dhe u mbyll sot pasi u raportua për një bombë, njoftoi zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Camille Chaize, duke shtuar se ishin kryer kontrolle për t’u siguruar që nuk kishte rrezik.

    Siguria në Francë është rritur përpara Kupës Botërore të Ragbit në vend, më pak se një vit para fillimit të Lojërave Olimpike, e cila do të përfshijë një ceremoni hapjeje jashtë stadiumit dhe një paradë poshtë lumit Sena.

    Chaize tha se masat e sigurisë në stadiumet për ndeshjet e ragbit janë tashmë në nivelin më të lartë, por rreth tyre do të vendosen patrulla shtesë dhe e njëjta gjë do të jetë edhe në qendër të Parisit. Franca ka qenë shënjestër e sulmeve islamike prej vitesh, më i keqi prej të cilëve ishte ai i nëntorit 2015 kur sulmuesit sulmuan një sallë koncertesh dhe kafene në Paris.

    Ministria njoftoi se një takim të shtunën pasdite do të diskutojë nëse nevojiten masa shtesë, tha Chaize. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha sot se sulmi në Arras është i lidhur me ngjarjet në Lindjen e Mesme ku Izraeli po kryen një ofensivë ushtarake kundër Hamasit.

  • ​“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i njërës nga 100 pacientët e helmuar në Malishevë

    ​“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i njërës nga 100 pacientët e helmuar në Malishevë

    Rasti i djeshëm i helmimit të 63 personave nga një lokal ushqimi në Malishevë, deri më sot ka arritur me mbi 100 të helmuar, derisa një nga të helmuarat me ushqim, e cila tashmë është e shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë tregon se nga ushqimi që ka marrë në lokalin më Malishevë i janë paraqitur simptomat me vjellje menjëherë, asaj dhe personave të cilat kanë ngrënë bashkë. Përderisa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se kanë asgjësuar 64 kilogramë mish në lokalin ku u helmuan qytetarët.

    Pacientja, e cila nuk deshi të identifikohej, ka thënë për KosovaPress se lokali në fjalë ka pasur mungesë të pastërtisë adekuate për ushqim, derisa shton se gjendja e saj shëndetësore sot është më stabile.

    “Të mërkurën e kam ngrënë një doner në ora 19:00. Simptomat janë bërë në ora 23:00 të natës. Prej të mërkurës jam kështu, mbrëmë kam qenë më keq, ethe, temperaturë, vjellje, bark qitje… kështu. Vetëm aty jemi helmuar pronari im, një punëtor dhe një punëtore që kemi ngrënë, të tretë dhe jemi helmuar. Nuk e di, vetëm doner, se çka ka pasur nuk e di. Si e kemi ngrënë atë jemi helmuar, kemi vjellë, tri orë, nuk ka zgjatë më shumë. As bukë, as asgjë nuk kam ngrënë vetëm ujë. Lokal që është midis rruge krejt pluhur bagerat. Ai nuk është lokal. Krejt pluhur në gojë e futim, nuk e di dje jam kanë më keq sot pak më mirë”, tha pacientja.

    Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj konfirmoi se deri më tash janë hospitalizuar 12 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, të cilin e kanë marrë në lokalin në Malishevë. Ai tha se ekipi mjekësor ka intervenuar me masa të shpejta dhe gjendja e tyre tashmë është jashtë rrezikut.

    “Për momentin në Klinikën Infektive gjithsej të hospitalizuar i kemi gjithsej 12 pacientë. Mosha e tyre është 8-vjeç deri në moshën 43-vjeçare. Mosha mesatare është 21-vjeçare. Dje kanë ardhur një gjithsej 11 pacientë, të cilat kanë manifestuar sëmundje në formë të vjelljes, heqjeve të barkut, dhembjeve të barkut, dhe në aspektin e anamnezës 6 deri në 72 orë më parë kanë konsumuar ushqim në një lokal dhe kanë ardhur në manifestime të tilla, të cilët kanë pasur indikacion që të hospitalizohen në Klinikën Infektive. Pasojë e dehidrimit dhe ndryshimeve të vlerave të lehta është e mundur që ndonjëri të ketë manifestime të tilla, por në përgjithësi gjendja është stabile. Janë jashtë rrezikut për jetë dhe po bëjmë çmos që sa më parë të rikuperohen dhe të lëshohen. Në bazë të dhënave klinike bëhet fjalë për një salmanellozë, por rezultatet përfundimtare vijnë nga Instituti Kombëtar dhe me kohë do të informojmë”, tha Vishaj.

    Ai u shpreh se Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme për pacientë me raste të tilla, por shpreson që nuk do të përsëritet një gjendje e tillë.

    “Janë simptoma që nënkupton dehidrim dhe ne jemi duke koordinuar terapi dehidruese. Gjendja e përgjithshme është stabile. Janë duke marrë trajtime me kohë dhe shpresojmë në një rikuperim të gjendjes së shpejt të tyre. Klinika Infektive ka kapacitet 125 shtretër, por nuk mendojmë që do të ndodhë një situatë e tillë që të kemi numër më të madh. Deri më tash kemi 12 pacientë të hospitalizuar”, tha Vishaj.

    Ndërsa, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi tha se i janë përgjigjur rastit menjëherë dhe bashkë me policinë kanë filluar inspektimin te lokali ku janë shërbyer klientët në të cilin kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mos dezinfektim, si dhe produkte pa origjinë.

    “Bashkë me policinë kemi filluar inspektimin dhe kontrollin te lokali i dyshuar ku janë shërbyer, me dyshime. Aty është zhvilluar një inspektim i detajuar përpos kontrolleve teknike sanitare, higjienike të gjitha, hapësirës dhe mjeteve të punës ka vazhduar ende marrja e mostrave të produkteve ushqimore, të cilat kanë qenë prezent aty. Pas mbledhjes së dëshmive që është arritur të sigurohet deri në orën e mesnatës lokali ka qëndruar i mbyllur, i bllombuar dhe inspektimi ka vazhduar edhe sot. 06:25 E para thash se gjendja përgjithshme teknike sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur dezinfektim, deratizimin dhe dezinsektimin që përsëri është kriter që kërkohet që të kryhet. Po ashtu, aty janë gjetur edhe disa produktet që ne i quajmë “pa origjinë”. Ato nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës. Ka pasur produktet që janë gatuar brenda saj kuzhine dhe këtu të gjitha janë fakte do të evidentojmë”, tha Thaçi.

    Sipas tij, janë marrë pesë mostra të produkteve ushqimore, dy mostra nga sosat, një mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar, qoftë të papërpunuar dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

    “Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative dhe janë nisur për laboratorin e IKSHP-së në Prishtinë, ku edhe janë testuar në disa parametra. Ndërsa, pas përfundimit të mostrimit, produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar. Sasia totale, 64 kg, kryesisht mish produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, tha ai.

    Përndryshe, siç raportojnë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, janë mbi 100 persona që janë helmuar në këtë lokale, e të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /KosovaPress/

  • Gold Ag arrestohet nga policia greke

    Gold Ag arrestohet nga policia greke

    Këngëtari Arian Agushi, përmes një postimi ka bërë të ditur se mbrëmë është arrestuar në Athinë.

    Agushi ka thënë se në kontrollën e pasaportave u ndalova nga policia greke dhe më mbajtën të mbyllur deri në mëngjesin e sotëm.

    “Mbrëmë rreth orës 1:00 pas mesnate arrita në Athinë. Në kontrollën e pasaportave u ndalova nga policia greke dhe më mbajtën të mbyllur deri në mëngjesin e sotëm. Arsyeja e vetme ishin këngët e mia dhe ma bënë ndalesë hyrjen në atë vend“, tha ai.

    Postimi i plotë:

    Lajmërim për shqiptarët në Greqi

    Mbrëm rreth orës 1:00 pas mesnate arrita në Athinë.Në kontrollën e pasaportave u ndalova nga policia greke dhe më mbajtën të mbyllur deri në mëngjesin e sotëm.Arsyeja e vetme ishin këngët e mia dhe ma bënë ndalesë hyrjen në atë vend.Ju kërkoj falje krejt atyre dashamirëve që do të ishin sonte e nesër prezent në koncertet e mia.Shpresoj që shihemi herav tjera.Kushdo që ka spiunu dua ti them me pak fjalë: Jemi burgos historikisht, kemi vdekë nga rrahjet e torturat ,por emra nuk kemi qit.E tash pa na rreh kërkush e qesim njëri tjetrin në gracka për fitime personale.Jam mësuar se kam s’pari kështu, dhe do vazhdoj se …

    S’JAM FAJTOR SE JAM SHQIPTAR