ATV

Blog

  • ​Kuvendi mirëpret rezolutën e PE-së për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë

    ​Kuvendi mirëpret rezolutën e PE-së për dënimin e sulmit terrorist në Banjskë

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mirëpritur miratimin e rezolutës së Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

    Në seancën e sotme plenare, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, tha se rezoluta e PE-së duhet të jetë një pikë kthesë për institucionet e Bashkimit Evropian për të parë se Serbia dëshiron vetëm destabilizimin e rajonit.

    “Sot Parlamenti Evropian miratoi rezolutën për dënimit e sulmit në Banjskë pasi askush në familjen evropiane nuk ka luksin të merret edhe me një Putin në rajon dhe kjo rezolutë uroj të jetë një pikë definuese se në cilën karrige dëshiron Serbia të ulet”, tha ajo.

    Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga institucionet e Kosovës që të shfrytëzojnë momentumin e krijuar dhe të nxjerrë në pah të vërtetën se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit.

    Madje ai kërkoi nga kryeministri Kurti që të koordinohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që Këshilli i Sigurimit të ketë një seancë të veçantë në lidhje me këtë temë.

    “Dua të falënderoj dhe përgëzoj Parlamentin Evropian për miratimin e një rezolute jashtëzakonisht domethënëse për vendin tonë. Sot, PE-ja miratoi rezolutën ku shpreh shqetësime dhe dënon ashpër sulmin terrorist, i cili ndodhi në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator. Është e rëndësishme që ne së bashku të kemi një angazhim më të madh në nxjerrjen në pah rreth këtij sulmi dhe rreth të vërtetës për sulmin terrorist të sponsorizuar nga Serbia. Tashmë janë shtuar zërat mbështetës edhe nga BE-ja që të kërkohet një hetim ndërkombëtar për këtë çështje…Kryeministri jonë do të duhej t’i kërkonte Republikës së Shqipërisë, e cila është anëtare e përkohshme dhe kryesuese e Këshillit të Sigurimit, që së bashku me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të angazhohet dhe të kemi një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, foli për samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë më 16 tetor.

    Ai pyeti kryeministrin Kurti se çfarë investime konkrete ka sjellë nga ky samit, ndërkaq përmendi edhe deklarimin e presidentit francez Emmanuel Macron se Kurti dhe Osmani nuk po mbajnë fjalën e dhënë.

    “Në një fjali presidenti Macron nuk u keqinterpretua. Ai tha se Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë. A ka mundësi kryeministri i Kosovës të vijë dhe t’ju tregojë qytetarëve se për çfarë premtimi iu ka dhënë liderëve evropianë dhe për çka është zotuar si udhëheqës dhe për çka nuk po e mban fjalën”, tha ai.

    Krahas kësaj në seancën e sot me plenare mazhoranca abstenoi që në rend të ditës të futet votimi i Rezolutës për Policinë e Kosovës, mirëpo kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca votoi pro saj./KP/

  • “PJ Talk me Teuta Krasniqin”, nga kjo e shtunë në ATV

    “PJ Talk me Teuta Krasniqin”, nga kjo e shtunë në ATV

    Aktorja e njohur kosovare, Teuta Krasniqi, përveç rolit të saj në serialin “Tre Vllaznit”, së fundmi ka nisur një emision televiziv.

    Bëhet fjalë për emisionin “PJ Talk me Teuta Krasniqin”, i cili do të transmetohet në ATV çdo të shtunë nga ora 22:30.

    Këtë të shtunë do të jepet emisioni i saj i parë, ku mysafire do të jetë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

    Në kanalin zyrtar të ATV-së në Youtube është publikuar edhe promo e emisionit, të cilën ju ftojmë ta shikoni në videon më poshtë.

  • Tahiri pyet se për çka është zotuar Kurti, pasi Macron tha se Kosova s’po e mban fjalën e dhënë

    Tahiri pyet se për çka është zotuar Kurti, pasi Macron tha se Kosova s’po e mban fjalën e dhënë

    Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, foli për deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave, i cili tha se Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë.

    Në lidhje me këtë, Tahiri tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket të tregojë se çfarë premtimi u ka dhënë liderëve evropian, për çka është zotuar, dhe siç tha ai, për çka nuk po e mbanë fjalën.

    “Macron tha se Kosova nuk po e mbanë fjalën e dhënë, a ka mundësi Kryeministri i Kosovës me ardh me i tregu Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës, çfarë premtimi u ka dhënë liderëve evropian, për çka është zotuar si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës dhe për çka nuk është duke e mbajtur fjalën”.

  • Pesëshja perëndimore vijnë në Prishtinë dhe Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Pesëshja perëndimore vijnë në Prishtinë dhe Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se regjimi i Millosheviqit përdori aktin e dhunës seksuale si mjet të frikësimit dhe demoralizimit. Osmani u shpreh se lufta në Kosovë është testament i vlerave, por edhe dëshmi e përkushtimit që tmerret e luftës nuk mund të njollosin asnjëherë dinjitetin njerëzor. Në adresimin e saj në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë, kryetarja e shtetit ka cituar një deklaratë të një viktime të dhunës seksuale nga Kosova, teksa rrëfen për torturat e tmerrshme të forcave serbe. Në takimin e posaçëm të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit, Osmani përmendi edhe Vasfije Krasniqi Goodman, gruan e parë që foli publikisht për aktin makabër.

    Ajo në një adresim virtual deklaroi se sa herë takon një të mbijetuar të dhunës seksuale, kupton nivelin e dhimbjes dhe fuqinë transformuese të qëndrueshmërisë së tyre. Osmani shtoi se viktimat e dhunës seksuale zgjedhin të lulëzojnë dhe luftojnë për drejtësi.

    “Gjatë viteve 1998-1999, Kosova ishte shënjestër e një lufte brutale dhe gjenocidiale të kryer nga regjimi i Millosheviqit. Mes tingujve shurdhues të artilerisë dhe heshtjes së dhimbshme të pasojave të luftës, u shfaq realiteti tronditës i mijërave të mbijetuar të dhunës seksuale dhe luftës. Prandaj sot, teksa ju drejtohem të gjithëve, ndjej përgjegjësi të madhe dhe mbaj një barrë të rëndë mbi supet e mia, ndërsa përpiqem të jap drejtësi për këto heroina të përditshme që jetojnë me një dhimbje të përjetshme dhe torturuese dhe ndërsa unë kërkoj me zjarr që akte të tilla tmerri të mos përsëriten kurrë më. Dhuna seksuale e lidhur me konfliktin ka vazhduar për një kohë të gjatë në trajektoren e historisë njerëzore. Ajo godet në zemër të njerëzimit. Ajo i kapërcen kufijtë dhe është kthyer në një nga çështjet më urgjente globale që kërkojnë vëmendjen tonë të menjëhershme. Prandaj është përgjegjësia jonë kolektive që të veprojmë me vendosmëri dhe të veprojmë me zgjuarsi. Qysh kur jam angazhuar në politikë, duhet të pranoj se takimet që lënë një impakt të përhershëm janë takimet me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe luftës”, deklaroi ajo.

    Osmani ka ndarë edhe një deklaratë të mbijetuare, e cila kishte rrëfyer për aktin makabër të dhunimit seksuale nga forcat serbe.

    “Për të kuptuar më mirë atë që po them, ju lutemi kushtojini vëmendje deklaratës së mëposhtme të një të mbijetuare. Kjo është ajo që ajo ndau me ne dhe atë që ajo donte që unë të ndaja me ju: “Po mundohesha të fshihesha nën karrige. Mbylla sytë dhe veshët me duar, duke u përpjekur të mos dëgjoja britmat dhe ulërimat e grave te tjera. Çfarë u bën grave te tjera, në shkollën ku jemi dërguar me dhunë, nuk kam parë kurrë gjëra kaq të tmerrshme. Në atë moment një djalë më tërhoqi zvarrë nga këmba ime, më hodhi në tokë dhe më hoqi me forcë pantallonat. Unë isha si e paralizuar. Nuk i ndjeja këmbët dhe kisha gjakderdhje të rëndë. Isha vetëm nëntë vjeç. Ajo ishte vetëm nëntë vjeç. E tmerrshme dhe shkatërruese. … Ata nuk ndalen para asgjëje. Ata shkatërrojnë jetë. Ata jo vetëm që duan të shkatërrojnë kombe apo vende, por duan të shkatërrojnë besimin tonë te njerëzimi. Ata duan të dehumanizojnë njerëzit. Dhimbja që ata shkaktojnë mbi viktimat e tyre mbetet e gdhendur në strukturën e qenieve të tyre gjatë gjithë jetës. Megjithatë, është e jashtëzakonshme se si, nga hiri i vuajtjes së tyre, lind një qëndrueshmëri frymëzuese”, tregoi kryetarja e shtetit.

    Tutje, e para e vendit deklaroi se është gjithmonë e mahnitur kur sheh vendosmërinë e palëkundur të të mbijetuarave për të refuzuar të përkufizohen nga e kaluara.

    “Pas luftës në Kosovë dolën në dritë kaq shumë raste të dhunës seksuale. Këto raste na ndihmuan të hedhim dritë mbi taktikat brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviqit. Raporte të shumta dokumentuan përdhunime dhe tortura seksuale të shumta. Aktet e tilla të tmerrshme të dhunës seksuale u përdorën si mjete të frikësimit dhe demoralizimit, por në të njëjtën mënyrë si mjete të spastrimit etnik dhe gjenocidit, duke synuar dëbimin e popullatës së Kosovës nga shtëpitë e tyre. Në Kosovë, çdo vit që kalon, ne ishim dëshmitarë të qëndresës dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme të grave dhe burrave kosovarë, të cilët refuzojnë të heshtin nga luftërat që kaluan. Lufta e tyre kundër stigmës dhe kërkimi i tyre për drejtësi janë shembullore”, u shpreh Osmani.

    Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, kryetarja e Kosovës përmendi edhe gruan e parë që rrëfeu publikisht për tmerrin që përjetoi. Ajo tha se Vasfije Krasniqi Goodman është bërë simbol i kërkimit për drejtësi.

    “Duke qenë një nga të parat që doli përpara për t’u përballur me publikun, zonja Vasfije Krasniqi Goodman, e cila foli publikisht në tetor të vitit 2018, ajo u sigurua që bota të njihej me një heroinë, një Vasfije Krasniqi e ndjeshme, por me një vendosmëri të madhe, e mbijetuara e parë e dhunës seksuale gjatë luftës që foli publikisht. Duke vepruar kështu, ajo u përball me vuajtjet e tmerrit të mbi mijëra e mijëra të mbijetuarve. Ajo u bë fytyra e luftës së tyre dhe simboli i kërkimit të tyre për drejtësi dhe vendosmërisë së tyre të pashoqe për ta kthyer pikëllimin në shpresë”, deklaroi Osmani ndër tjerash.

    Përdorimi i dhunës seksuale si një armë lufte, Osmani tha se është përpjekje e qëllimshme për t’i zhveshur individëve dinjitetin, shpresën por edhe vet identitetin e tyre.

    “Lufta jonë është një testament i vlerave që ne i vlerësojmë: drejtësia, dhembshuria dhe barazia. Vendosmëria jonë për të çrrënjosur këtë praktikë të neveritshme nuk është vetëm imperativi i politikës, por është një detyrë morale, një dëshmi e përkushtimit tonë ndaj botës ku tmerret e luftës nuk mund të njollosin kurrë dinjitetin njerëzor”, përfundoi ajo.

    Rreth 20 mijë gra e burra nga Kosova janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Për këtë krim, gjykatat vendore kanë dënuar vetëm një person me dhjetë vjet burgim.

  • Konjufca voto pro, VV-ja abstenon që Rezoluta për Policinë të hyjnë në rend dite në seancën e rregullt

    Konjufca voto pro, VV-ja abstenon që Rezoluta për Policinë të hyjnë në rend dite në seancën e rregullt

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca ka votuar pro që në rend ditë në seancën ë rregullt të futet votimi i Rezolutës për Policinë e Kosovës, raporton EO.

    Përderisa deputetët e VV-së kanë abstenuar. Konjufca tha se 70 deputet kanë marr pjesë, 32 kanë votuar për plotësimin e rendit të ditës dhe 38 abstenuan.

    Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj, tha se duke marr parasysh që në seancë janë kthyer deputet e VV-së, ka të votohet Rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    “Duke parë që në seancë kanë ardhur edhe deputet e VV-së të vendoset si pikë e rendit të ditës edhe votimi i projekt rezolutës për Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”, tha ai.

  • ​NASA bëri fotografi të pabesueshme të botës me më shumë vullkane në sistemin diellor

    ​NASA bëri fotografi të pabesueshme të botës me më shumë vullkane në sistemin diellor

    Sonda Juno e NASA-s kapi foto të reja të trupit më aktiv vullkanik në Sistemin Diellor.

    Më 15 tetor, anija kozmike fluturoi përtej hënës së Jupiterit, Io, duke iu afruar asaj vetëm 11,680 kilometra larg.

    Në imazhet e reja, ne mund të shohim rajonin polar verior të Hënës, si dhe retë vullkanike që vareshin mbi shpërthimet.

    Io është një trup jashtëzakonisht aktiv vullkanik, shkencëtarët vlerësojnë se rreth 150 nga 400 vullkanet e njohur shpërthejnë në të në çdo kohë të caktuar. Këto foto të fundit janë pamja më e detajuar e sipërfaqes së Io që nga sonda Galileo e Jupiterit, e cila studioi gjigantin e gazit dhe hënat e tij midis 1995 dhe 2003.

    Një botë e mbushur me vullkane

    Io është një objekt magjepsës. Ajo është vetëm pak më e madhe se Hëna e Tokës dhe është plotësisht e mbushur me vullkane. Në imazhet me rreze infra të kuqe (imazhi më poshtë), mund të shihet se si materiali i shkrirë pushton sipërfaqen dhe krijon liqene të mëdha llave, shkruan Science Alert.

    Ky aktivitet i theksuar vullkanik është pasojë e orbitës specifike të Ija-s. Domethënë, orbita e saj është në formën e një elipsi, që do të thotë se ajo ndryshon ndikimin gravitacional të Jupiterit, duke ndryshuar formën e vetë hënës. Ky trup hapësinor është gjithashtu i ndikuar gravitacionalisht nga hënat e tjera të Jupiterit – Callista, Europa dhe Ganymede; që ngroh më tej hënën e vogël dhe stimulon aktivitetin vullkanik.

    Io krijon aurorat ultravjollcë në Jupiter

    Forcat gravitacionale kanë një efekt të jashtëzakonshëm. Një rrjedhë e vazhdueshme e gazit të dyoksidit të squfurit që shpërthen nga Io hyn në orbitën e Jupiterit, ku formon një rrymë të madhe plazme që lëviz vazhdimisht dhe përshpejtohet përgjatë linjave të fushës magnetike të planetit gjigant. Kur arrin në pole, materiali bie në atmosferën e Jupiterit dhe krijon aurora të përhershme ultravjollcë, të padukshme për syrin e lirë.

    Në fotot e reja, ne mund të shohim detajet e rajonit polar verior në Io, i cili është shtëpia e maleve jo vullkanike që arrijnë një lartësi deri në 6.000 metra. Të paktën dy re vullkanike u regjistruan në skajet e saj.

    Juno nuk ka mbaruar ende me punën e tij. Në muajt e ardhshëm, sonda do të fluturojë jashtëzakonisht afër Ije dhe do të arrijë në një distancë prej vetëm 1.500 kilometrash. Ndaj na presin foto të tjera mahnitëse.

  • ​Studimi: Dielli do të bëhet burimi më i rëndësishëm i energjisë, por ka katër pengesa

    ​Studimi: Dielli do të bëhet burimi më i rëndësishëm i energjisë, por ka katër pengesa

    Dielli ka të ngjarë të bëhet burimi më i rëndësishëm i energjisë në botë deri në vitin 2050, thonë shkencëtarët britanikë në një studim të publikuar së fundmi.

    Sektori i energjisë mund të ketë arritur një pikë kthese ku ka një sinergji midis përdorimit të teknologjisë diellore dhe procesit të të mësuarit të kompanive për ta bërë atë më të përballueshëm, thanë shkencëtarët nga Universiteti i Exeter dhe Kolegji Universitar Londër.

    “Përparimet në burimet e rinovueshme nënkuptojnë se parashikimet e dominuara nga karburantet fosile nuk janë më realiste,” tha në një deklaratë për shtyp drejtuesi i studimit Femke Nijsse nga Instituti Global i Sistemeve të Exeter.

    Ekziston një besim në rritje se kostoja e reduktuar në mënyrë dramatike e energjisë së rinovueshme do të lehtësojë ndjeshëm reduktimin e karbonit në vendet në zhvillim, thuhet në deklaratë.

    Ndërsa rruga që energjia diellore të bëhet burimi më i rëndësishëm i energjisë duket i vendosur, edhe pa mbështetjen e politikave më ambicioze të klimës, shkencëtarët paralajmërojnë se “pengesat” ende mund ta parandalojnë atë.

    Katër pengesa për dominimin e energjisë diellore

    Shkencëtarët identifikuan katër fusha që mund të parandalonin kalimin drejt dominimit diellor: disponueshmëria e rrjeteve të qëndrueshme të energjisë elektrike, financimi diellor në vendet në zhvillim, kapaciteti i zinxhirit të furnizimit dhe rezistenca politike në rajonet ku shumë vende pune janë të lidhura me industritë e karburanteve fosile.

    Prandaj, qeveritë duhet të fokusohen më pak në kalimin në vetë energjinë diellore dhe më shumë në heqjen e këtyre katër barrierave, rekomandojnë shkencëtarët.

    Kjo përfshin sigurimin e furnizimit me energji kur dielli nuk është i pranishëm, për shembull përmes fermave të erës dhe linjave të transmetimit ndërmjet rajoneve.

    Vendet afrikane në veçanti do të kishin nevojë për qasje në financim për të menaxhuar kalimin në energjinë diellore. Zinxhirët e furnizimit duhet të forcohen, veçanërisht për lëndët e para kritike si litiumi dhe bakri i nevojshëm për prodhimin e baterive.

    Humbjet e vendeve të punës në karburantet fosile dhe industritë e lidhura me to, nga të cilat varen rreth 13 milionë njerëz në mbarë botën, duhet të zbuten, thanë shkencëtarët.

  • ​Suedia po prezanton një ndryshim drastik për emigrantët që punojnë

    ​Suedia po prezanton një ndryshim drastik për emigrantët që punojnë

    Denise de Valencia dhe burri i saj banojnë ligjërisht në Suedi për gjashtë vjet. Të dy janë të punësuar, paguajnë taksa, kanë marrë një apartament me qira në Stokholm, kanë blerë një makinë, kanë marrë leje drejtimi suedez dhe nuk kanë shkelur kurrë ligjin.

    Megjithatë, pas disa muajsh ai ndoshta do të duhet të largohet nga Suedia dhe të ndërtojë ekzistencën e tij nga e para në një vend tjetër. Dhe nuk janë të vetmit, mijëra qytetarë suedezë që banojnë ligjërisht në vend në bazë të lejeve të përkohshme të punës janë nën sulm.

    Domethënë, nga 1 nëntori, Suedia dyfishon pagën minimale bruto që duhet të fitojnë shtetasit e huaj për të mbajtur lejet e punës. Tani e tutje, kërkohen të paktën 27.360 SEK në muaj (rreth 2.400 euro), ose 80 për qind e pagës mesatare në vend, në vend të 13.000 SEK të mëparshme (rreth 1.150 euro).

    Ky ndryshim vlen jo vetëm për emigrantët e rinj që punojnë, por edhe për ata ekzistues, me kusht që të mos kenë një leje të përhershme pune. Nga rregullat e reja përjashtohen edhe qytetarët e anëtarëve të Bashkimit Evropian, punëtorët sezonalë, sportistët dhe trajnerët profesionistë, kujdestarët e fëmijëve dhe disa kategori të tjera emigrantësh.

    “Që kur kemi ardhur në Suedi nuk kemi bërë asnjë krim. Pse më detyrojnë të largohem nga Suedia? A jam kriminel se punoj pastruese? A jam bërë kërcënim për shtetin?”, tha Denise de Valencia për uebsajtin local.se.

    Sipas interpretimit të Agjencisë Suedeze të Migracionit, arsyeja zyrtare e këtij ndryshimi drastik është rregullimi dhe përmirësimi i kushteve të punës për emigrantët.

    “Një kërkesë më e lartë për jetesë do të forcojë pozicionin e punëtorëve emigrantë në tregun e punës, do të parandalojë uljen e pagave për punëtorët emigrantë dhe do të dekurajojë konkurrencën me paga të ulëta,” thuhet në faqen e internetit të Agjencisë së Migracionit, e cila vlerëson se 10 deri në 20 për qind e aplikimeve të ardhshme do të refuzohen sipas rregulloreve të reja.

    Punëdhënësit protestojnë

    Kushtet më të rrepta për emigrantët që punojnë janë rezultat i një marrëveshjeje midis koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë dhe demokratëve të Suedisë së ekstremit të djathtë, por edhe qeveria e mëparshme socialdemokrate njoftoi një lëvizje në këtë drejtim.

    Nuk ka dyshim se motivimi i ndryshimit ishte dëshira për të reduktuar ardhjen e të huajve më pak të arsimuar, si dhe për të hapur më shumë mundësi për qytetarët suedezë të papunë. Megjithatë, siç tha një punëdhënës suedez: “Nuk ka shumë suedezë që duan të punojnë në punë pastrimi”.

    Kjo rritje shkaktoi më së shumti protesta te punëdhënësit. Ata besojnë se pagat e punonjësve nuk duhet të përcaktohen nga shteti, por nga gjendja e tregut dhe produktiviteti dhe ekspertiza e punonjësve. Ata paralajmërojnë se të gjithë sektorë të biznesit si industritë e shërbimeve, shtëpitë për të moshuarit dhe të pafuqishmit, shitja me pakicë, bujqësia, pylltaria dhe pastrimi dhe rehabilitimi mund të mbeten pa një fuqi punëtore të përshtatshme.

    Shoqata Suedeze e Punëdhënësve porositi së fundmi një studim mbi imigracionin për fuqinë punëtore në Suedi nga viti 2015 deri në vitin 2020 dhe u zbulua se kompanitë që punësojnë punëtorë të huaj sot kanë një rritje 10 për qind më të lartë të qarkullimit sesa kompanitë e krahasueshme që menaxhonin tregun vendas të punës.

    “Imigrimi i fuqisë punëtore ka një efekt pozitiv në rritjen ekonomike. Nëse ata nuk mund të gjejnë punonjës me aftësitë e duhura, punëdhënësit duhet të përmbahen nga zgjerimi i biznesit të tyre. Mendoj se qeveria suedeze e qëlloi veten në këmbë me këtë ndryshim,” thotë Karin Johansson, nënkryetar i Shoqatës Suedeze të Punëdhënësve.

    Ministrja e Emigracionit Maria Malmer Stenergard nuk i pranon argumentet e punëdhënësve dhe thotë se shteti nuk do të ndërhyjë në negociatat kolektive mes punëdhënësve dhe sindikatave, por punonjësit e huaj do të duhet të lidhin një kontratë pune me shumën e përmendur për të marrë leje pune.

    “Kjo kërkesë do të prekë kryesisht njerëzit që punojnë në industrinë e pastrimit, restorantet e ushqimit të shpejtë dhe shërbimet e kujdesit në shtëpi. Mendoj se është e arsyeshme që këto punë të merren nga punonjës që janë tashmë në Suedi,” shpjegoi Stenergard.

    Teza se shtetasit suedezë duhet të punësohen në vend të emigrantëve që punojnë nuk është e pabazë kur merret parasysh shkalla relativisht e lartë e papunësisë në gusht në Suedi prej 7.6 për qind (6.9 për qind në Kroaci).

    Megjithatë, Suedia në të njëjtën kohë ka shkallën e tretë më të lartë të punësimit në Bashkimin Evropian – deri në 69 për qind e qytetarëve (54.9 për qind në Kroaci) të moshës 15 deri në 74-vjeç punojnë të paktën disa orë në javë, që do të thotë se ndoshta vërtet shumë njerëz janë të gatshëm të pranojnë çdo punë kudo në Suedi.

    Shumica e kundërshtimeve ndaj rregullave të reja erdhën nga sektorët e shëndetësisë dhe të mirëqenies sociale. Gjegjësisht, frikësohet se mungesa e personelit mjekësor dhe punonjësve të shtëpive për kujdes të ndryshëm do të arrijë në nivele kritike.

    Pagat në kujdesin shëndetësor suedez janë mjaft konkurruese, por vetëm pasi mjekët dhe infermierët emigrantë marrin një licencë suedeze për të punuar. Gjatë përshtatjes, arsimimit dhe mësimit të gjuhës, ata kanë dukshëm më pak të ardhura dhe një situatë e tillë mund të zgjasë me muaj.

    “Kjo do të sjellë vështirësi në gjetjen e stafit për të gjithë sektorin shëndetësor dhe social. Do të bëjmë gjithçka për të aktivizuar personat që janë aktualisht jashtë tregut të punës, por nuk do të mjaftojë. Duhet të kemi modele që lehtësojnë situatën, jo propozime që krijojnë pengesa”, tha presidenti i Asociacionit të Komunave dhe Rajoneve Suedeze Anders Henriksson.

    Absurditeti i dispozitës

    Veçanërisht problematike për shkak të mungesës së fuqisë punëtore mund të jetë veriu i Suedisë, ku në 10 vjetët e ardhshëm 100.000 banorë të rinj duhet të lëvizin (ose të lindin, gjë që është joreale) për të ruajtur standardin aktual dhe për të përmbushur nevojat e punës. Gjatë vitit 2022 kanë mbërritur vetëm 2000 prej tyre.

    Absurditeti i dhënies së pagave të qeverisë për punëtorët emigrantë u ekspozua më së miri nga sindikatat në veri të Suedisë. Sindikata e shërbimeve në qytetin e Umea në bregdetin e Gjirit të Bothnisë ka vendosur të marrë pagën bruto minimale prej 27.360 SEK dhe tani po e kërkon atë shumë si bazë për të gjithë anëtarët e saj.

    “Qeveria ka vendosur një shumë që garanton një jetesë të mirë. Kështu që ne duhet të veprojmë në përputhje me rrethanat. Disa nga anëtarët tanë paguhen në mënyrë të turpshme. Unë po thërras autoritetet lokale në tryezën e negociatave për të rritur pagat fillestare për anëtarët tanë,” tha shefi i sindikatës Ethel Henriksson.

  • Panairi i Agrobiznesit/ Ndërmarrësja prezanton mjaltin natyral për çiftet që kanë probleme me lindjen e fëmijëve

    Panairi i Agrobiznesit/ Ndërmarrësja prezanton mjaltin natyral për çiftet që kanë probleme me lindjen e fëmijëve

    Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, është duke u mbajtur edicioni i 23-të i Panairit Ndërkombëtarë të Agrobiznesit dhe Ushqimit, panair i cili mbledh së bashku bizneset për të ekspozuar produktet e tyre, me ç’rast i promovojnë edhe ofertat e tyre.

    Ekipi i ATV-së ishte sot në sallën “1 Tetori” për të parë nga afër punimet që janë duke u bërë në këtë panair dhe për të biseduar me disa ndërmarrës që kanë ardhur për të prezantuar produktet e tyre.

    Ajo që ra më shumë në sy, ishte një ndërmarrëse e cila në këtë panair është prezantuar me përpunime të ndryshme të mjaltave.

    Ajo thotë se është biologe me profesion dhe se përpunimin e mjaltave e bën vetë.

    “Unë sot jam duke promovuar këto punimet e dorës që i punojmë unë dhe motra ime. Edhe përpunimet e mjaltave që i përpunoj unë vet, që jam biologe edhe i kemi mjaltë për çiftet që kanë probleme me lindje të fëmijëve, për femrat dhe meshkujt. Kemi mjaltë për kurimin e zemrës, kemi mjaltë për kurimin e gurëve në veshka dhe në fshikëzën urinare edhe shumë mjalta tjera”, shprehet ndërmarrësja. /atvlive.tv

    Për të mësuar më shumë, shikoni videon më poshtë:

  • S’ka kuorum, nuk vihet në votim rezoluta për Policinë e Kosovës

    S’ka kuorum, nuk vihet në votim rezoluta për Policinë e Kosovës

    Për shkak të mungesës së kuorumit, rezoluta për Policinë e Kosovës sërish nuk është vënë në votim.

    Ndërsa, në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata nga kabineti qeveritar.

    Ndërkohë pritet të fillojë seanca e re plenare ku në rend dite janë planifikuar të jenë 19 pika.