ATV

Blog

  • Apelon IKShPK-ja: Uji nga Badoci të mos përdoret për pije dhe gatim

    Apelon IKShPK-ja: Uji nga Badoci të mos përdoret për pije dhe gatim

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit që të mos e përdorin atë për pije dhe përgatitje të ushqimit.

    Ky institut tha se bazuar në rezultatet laboratorike, në ujë janë gjetur vlera të shtuara të manganit, një element kimik që është metal i ngurtë.

    Nëse ky element kimik gjendet në ujë, mund të shkaktojë erë dhe shije të keqe dhe po ashtu shkakton telashe në sistemin e kanalizimit.

    IKShPK-ja ka listuar të gjitha zonat që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit në Badoc.

  • AAK-ja mban sot konferencë për media

    AAK-ja mban sot konferencë për media

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet nga , shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

    “Sot, më datë 20 tetor, në ora 12:00, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri mban konferencë për media. Konferenca mbahet në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Deputetja britanike, Alica Kearns viziton Kosovën

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca do të pret në takim deputeten britanike Alicia Kearns.

    Takimi do të fillojë prej orës 13:00.

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila është ndër zërat më të fuqishëm britanikë në mbrojtje të ligjshmërisë së Kosovës në pjesën veriore, që në muajin korrik kishte publikuar disa të dhëna shumë shqetësuese në lidhje me kriminalitetin serb në këtë pjesë të vendit.

    Kearns kishte thënë se Ushtria Britanike e angazhuar në KFOR ka siguruar të dhëna se Kisha Ortodokse serbe po furnizohet me armatim nga Serbia, dhe këtë po e bën përmes auto-ambulancave.

    “Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i quajmë ashtu siç janë milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët (Regjimenti Mbretëror, shën.red.) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona marrin vesh këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që merret leja – çfarë befasie – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, tha Alicia Kearns, deputete në Palamentin e Britanisë.

  • Katër të dyshuarve lidhur me tenderin milionësh në MPB iu zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Katër të dyshuarve lidhur me tenderin milionësh në MPB iu zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh të dyshuarve Adem Sopa, Bardhyl Behluli, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Marrje e dhënie ryshfeti”.

    Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve A.S, B.B, N.S dhe G.H iu është ndërprerë dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, konfirmoi Gashi.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë me 4 korrik 2023, kishte parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Adem Sopës, Bardhyl Behlulit, Naim Selmanit dhe Gëzim Hotit nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe dhënje ryshfeti.

    Të njëjtën, Themelorja e kishte aprovuar, duke ua caktuar nga 30 ditë paraburgim katër të dyshuarve të lartcekur. E njëjta masë të dyshuarve më 2 gusht 2023, iu vazhdua edhe për dy muaj.

    Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se të arrestuarit Adem Sopa dhe Bardhyl Behluli dyshohen për kryerjen e veprave “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “Marrje ryshfeti, ndërkaq, Naim Selmani dhe Gëzim Hoti për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

    Gjithnjë sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit e përpiluar nga prokurori Zejnulla Gashi thuhet se i dyshuari Adem Sopa në cilësi të zyrtarit të prokurimit në Ministrin e Punëve të Brendshme (MPB) ka keqpërdorur informata për ndërtimin e objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK).

    Sipas kësaj kërkese, thuhet se i dyshuari Adem Sopa ka ndihmuar të dyshuarin tjetër Naim Selmani për ta bërë plotësimin e dokumentacioneve dhe aplikimin për ndërtimin e AKK-së, duke i përshtatur specifikat për të cilat operatorët tjerë ekonomikë nuk kishin dijeni.

    Tutje, thuhet se pasi që janë përshtatur specifikat për kompaninë “Arbëri” me pronar të dyshuarin tjetër Naim Selmani, e njëjta edhe fiton tenderin në vlerën prej 2 milionë e 193 mijë e 504 euro e 85 centë dhe krejt kjo pasi Adem Sopa ka raport shoqëror me pronarin Naim Selmani, ku ky raport dëshmohet me fotot dhe raportet e policisë.

    Për të pandehurin e dytë Bardhyl Behluli, në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se, në cilësinë e menaxherit të kontratës për ndërtimin e objektit të AKK-së ka pranuar shumën prej 2 mijë eurosh nga i dyshuari tjetër Gëzim Hoti.

    Këto 2 mijë euro, sipas kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se i dyshuari Gëzim Hoti i ka marrë nga i dyshuari Naim Selmani për t’ia dërguar pikërisht të dyshuarit Bardhyl Behlulit.

    Gjithashtu për të dyshuarin Bardhyl Behluli, del se më 12 janar 2023, ka udhëtuar për pushime në qytetin e Stambollit së bashku me të dyshuarin Gëzim Hoti, Admir Selmanin dhe Refik Bajramin dhe që shpenzimet del se janë paguar nga i pandehuri Naim Selmani. I gjithë ky favor sipas Prokurorisë dyshohet se i është bërë të dyshuarit Bardhyl Behlulit që t’ia mundësojë pronarit të kompanisë “Arbëri” Selmani të bëjë ndryshime në kundërshtim me masën e projektit konkretisht të pjesë së izolimeve.

    Për të pandehurin Naim Selmai, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësi të pronarit të kompanisë “Arbëri” përmes të dyshuarit tjetër Gëzim Hoti ka dërguar shumën prej 2 mijë eurosh menaxherit të kontratës të dyshuarit tjetër Bardhyl Behluli.

    Tutje, i dyshuari Naim Smajli thuhet se vazhdimisht prej muajit dhjetor të 2022-ës e deri në janar të vitit 2023 ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve, duke u dakorduar me të njëjtat kompani për lëshim të faturave fiktive.

    Kurse, për të dyshuarin Gëzim Hoti në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se në cilësinë e punonjësit në kompaninë “Arbëri” ka pranuar t’i marrë të hollat nga Naim Selmani dhe t’ia dërgojë të dyshuarit tjetër Brdhyl Behlulit.

    Tutje, për të dyshuarin Gëzim Hoti thuhet se vazhdimisht nga muaji dhjetor 2022 e deri në janar 2023, sikurse i dyshuari tjetër Selmani ka kontaktuar me firma të ndryshme të ndërtimit dhe pompa të derivateve për lëshimin e faturave fiktive.

    Andaj, mbi këto baza prokurori përpilues i kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit Zejnulla Gashi ka propozuar që t’iu caktohet katër të dyshuarve paraburgimit prej një muaj, që të mund të zhvillohet një proces i rregullt dhe pa pengesa.

  • Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë nesër në Kosovë

    Emisarët evropianë dhe amerikanë, pritet të vijnë të shtunën në Kosovë, ndërsa në fokus të takimeve do të kenë planin që palët t’i rikthejnë në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Njohësit e çështjeve politike në Kosovë thonë se ardhja e tyre ka të bëjë edhe me ndryshimin e formatit të dialogut, derisa theksojnë se BE-ja duhet të ketë veprime të qarta kundrejt Serbisë.

    Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, pritet që pesëshja e madhe të vijë të shtunën në Kosovë, më pas edhe në Serbi, me përpjekjet e tyre për rifillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

    E analistët në Kosovë, thonë se përpjekjet e tyre duhet të kenë një ndikim më të madh, pasi siç theksojnë, formati i deritanishëm i dialogut nuk ka prodhuar asgjë.

    Analistja Arta Tahiri tha se arsyeja e ardhjes së tyre ka të bëjë pikërisht me mënyrën se si do të ndryshojë formati i dialogut.

    “Në mënyrë kronologjike nëse i shohim ngjarjet, jo vetëm në Kosovë, por në çdo vend të botës, kur dialogu i formatit të zbatuar deri më tani nuk ka prodhuar sukses, gjithmonë ka ardhur një fazë tjetër kur është kërkuar me ngulm një format “merre ose lëre”, që është përdorur si shprehje për dy vende, në mënyrë që pastaj ajo marrëveshje që serviret në tavolinë të jetë e zbatueshme patjetër për të dyja palët. Nëse vazhdon kjo frymë e negociatave, ku kërkohet lëshim nga ana e Kosovës, por gjithashtu një qasje tjetër nga Serbia, atëherë kjo do të shkojë në pafundësi dhe nuk do të sjellë rezultate konkrete. Prandaj, mendoj që kohët e fundit me situatën e krijuar dhe me qasjen e udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës duhet patjetër që të vihen pikat mbi “I” për të kuptuar se cili do të jetë ky format dhe cila do të jetë forma e prerë nëse duan zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve fqinje siç janë Kosova dhe Serbia”, tha ajo.

    Ndërsa, profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se emisarët nuk kanë se çfarë kërkojnë në Kosovë, përderisa nuk tregojnë veprimet e qarta kundrejt Serbisë.

    “Serbia është dëshmuar e përfshirë drejtpërdrejt në një akt, i cili synimin e ka pasur rrënimin e sistemit politik të Kosovës. Pra, një akt agresioni e që Serbia qëndron prapa grupeve terroriste, pra është e përfshirë, Serbia është grupi terrorist. E nëse Bashkimi Evropian e kapërcen këtë sikur nuk ka ndodhur asgjë, unë besoj fuqimisht se ata thjesht nuk janë të interesuar për marrëveshje, por janë të interesuar për menaxhim krize. Fatkeqësia është se ata po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    Ditë më parë, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

    Ai ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan për herë të fundit më 14 shtator, takim i cili dështoi për t’u pajtuar me plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve./rtk

  • Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet

    Ministri i Financave, Hekuran Murati do të raportojë sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

    Sipas njoftimit, raportimi i ministrit do të nisë nga ora 14:00 në sallën C-203 të Kuvendit të Kosovës.

  • PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    PDK dorëzon sot një lëndë në Kushtetuese

    Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës do të dorëzojnë sot edhe një lëndë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

    Kështu kanë njoftuar nga kjo parti përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky dorëzim do të bëhet në ora në ora 11:00.

    Teksa pas kësaj, do të ketë edhe prononcim për media.

    “Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, nesër (e premte), nga ora 11:00, do të dorëzojnë edhe një lëndë tjetër për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të ketë edhe prononcim për media”, thuhet në njoftim.

  • ​Si duhet ta dini se çfarë rroge duhet të kërkoni?

    ​Si duhet ta dini se çfarë rroge duhet të kërkoni?

    Gjithmonë lind pyetja gjatë procesit të kërkimit të një pune: Cilat janë pritshmëritë tuaja për pagën? Natyrisht, përgjigja e saktë është paga më e lartë që dikush mund të ketë. Por në fakt mos e thuaj këtë me zë të lartë.

    Pra, çfarë duhet të thoni?

    Në fund të fundit, derisa nuk doni të dukeni si dikush që është vazhdimisht i pangopur, gjithashtu nuk dëshironi të zvogëloni atë që kërkoni dhe të përfundoni me më pak rrogë sesa mund të kishit marrë.

    Fatkeqësisht, nuk ka përgjigje të lehtë kur bëhet fjalë për t’iu përgjigjur pyetjes, “Cila është rroga që duhet të kërkoj?” Por kur një punëdhënës në fund pyet se sa para do të dëshironit, AkademiPune ju jep disa këshilla se si duhet të përmblidhni përgjigjen tuaj.

    Së pari, kuptoni se sa para ju nevojiten

    Ekspertja Deb Harrison rekomandon që kushdo që kërkon punë duhet së pari të bëjë buxhetin e tij mujor. Mund të duket si një gjë e lehtë për të bërë, por nëse jeni i ri në skenën e kërkimit të punës, mund të jetë e lehtë të harroni atë komponent kyç: Të kuptoni se sa duhet të fitoni.

    Ju nuk dëshironi të gaboni në një punë, duke pranuar një rrogë që tingëllon shumë e mirë, por në fakt me të nuk mund të arrini të paguani të gjitha faturat tuaja. Shikimi i buxhetit tuaj do të ndihmojë gjithashtunë vlerësimin përtej asaj që ofron një kompani, siç është paketa e kujdesit shëndetësor.

    “Individët duhet të jenë të sigurt për të parë të gjithë paketën. Ndoshta një kompani po paguan një pagë më të ulët se sa pritej, për shembull, por po paguan 100% të përfitimeve mjekësore ose bonuse të ndryshme. Këto duhet të merren parasysh kur vlerësohet kompensimi, jo vetëm paga bazë”, ka thënë ajo.

    Hulumtoni se si paguhen kolegët tu për pozitën e njëjtë

    Nëse keni dyshim atëherë është shumë e lehtë si ta kuptoni këtë nëpërmjet platformës Rroga të KosovaJob. Pra, pasi të dini se çfarë keni nevojë ose çfarë dëshironi realisht për një pagë, duhet të filloni të hulumtoni se çfarë paguan ky lloj pozicioni, thotë Harrison.

    Ajo shton se duhet të keni parasysh se ku ndodhet puna, pasi pozicionet shpesh paguajnë pak a shumë në varësi të kostos së jetesës në zonë dhe numrit të viteve të përvojës që keni. Punët e nivelit fillestar padyshim do të paguajnë shumë më pak se punët e nivelit të lartë të destinuara për dikë me përvojë.

    Keni dy numra në mendje kur intervistoni

    Pasi të keni kuptuar se si sillen pagat për atë pozicion, nuk duhet të hyni kurrë në ndonjë bisedë pagash pa pasur dy numra në mendje, thotë Tim Toterhi, një oficer i burimeve njerëzore dhe trajner karriere.

    Ato shifra, thotë Toterhi, janë kompensimi juaj i dëshiruar dhe “shifra juaj e largimit”, që do të ishte numri më i ulët që do të pranoni.

    “Shkrimi i këtyre shifrave do t’ju lidh me logjikën gjatë një momenti emocional,” thotë Toterhi.

    Ai ka një pikë të mirë. Nëse dëshironi një punë të caktuar, mund të tundoheni të thoni po, edhe nëse paga është e vogël. Dhe një pagë e tillë mund të jetë në rregull për ju nëse vërtet do ta pëlqenit këtë pozicion, por kjo kthehet në të kuptuarit se sa para ju nevojiten absolutisht për të qenë në gjendje të paguani faturat tuaja dhe të hiqni para për një fond emergjence dhe dalje në pension dhe të ju mbetet diçka pak për gjërat argëtuese, si për shembull të shkoni në darkë me miqtë dhe ndoshta të bëni një pushim.

    Çfarë të thoni nëse nuk dini çfarë të thoni

    Ndonjëherë mund të keni pyetjen “Cilat janë pritshmëritë tuaja për pagën?” përpara se të keni bërë ndonjë kërkim apo menduar thellë për të. Nëse kjo ju ndodh, Jeff Altman ka një përgjigje të gatshme. Vetëm ji i sinqertë, thotë ai. Tregojuni atyre se nuk jeni vërtet të sigurt, gjë që është veçanërisht e arsyeshme nëse për shembull keni nxituar të vini në këtë proces të intervistës.

    Altman thotë se ju gjithashtu mund të jepni një përgjigje si kjo më poshtë: “Unë nuk e kam takuar menaxherin tim të ardhshëm ose ekipin, nuk kam dëgjuar se për çfarë është puna dhe nuk kam një ndjenjë kohore dhe pritshmërish. A mund t’i përgjigjem kësaj pasi të flas me menaxherin ose ekipin?”, shprehet ai.

    Nëse shtypeni për të dhënë një numër, Altman thotë se duhet, por duhet të thoni edhe diçka të tillë: “Mund t’ju jap një numër, por dua që ju të kuptoni se kjo mund të ndryshojë më lart ose më poshtë pasi të mësoj më shumë”, shprehet ai.

    Si të negocioni një pagë më të mirë?

    Nuk është e lehtë, por sa më shumë të dhëna të keni, aq më të lehta do të jenë negociatat. Kjo është arsyeja pse hulumtimi që nga fillimi se sa duhet të paguajë ky pozicion është i rëndësishëm. Ai jo vetëm që ju jep informacion në mënyrë që të mund të kërkoni pagën që përputhet me pozicionin, po ashtu ju lejon të jeni më të informuar nëse përfundoni duke negociuar.

    “Në mendjen time, qëllimi i negociatave është gjithmonë të sigurohemi që paguheni drejt dhe tregu i paguar për pozitën tuaj. Nuk duhet të jetë për të marrë më shumë vetëm sepse doni më shumë ose keni një mënyrë jetese të shtrenjtë dhe për këtë arsye keni nevojë për më shumë.” thotë Amy Spurling, themeluesja dhe CEO e Compt, një softuer i burimeve njerëzore për punëdhënësit.

    Ajo shton: “Ka mënyra për të negociuar pa u ndjerë konfrontuese ose duke kërkuar drejtpërdrejt më shumë pa justifikim”.

    Pra, si e bëni këtë? Spurling thotë se pasi t’i keni marrë të gjitha informatat, duhet të jeni në gjendje të justifikoni atë që dëshironi, bazuar në përvojën tuaj. Ju duhet të kërkoni të paguheni në mënyrën e drejtë. Nëse paga që ju kërkoni nuk u ofrohet atëherë kërkoni kompensime shtesë, si sigurimi shëndetësor dhe flekisbilitet./AkademiPune

  • Biden e krahason Hamasin me Putinin: Nuk do t’i lejojmë të fitojnë

    Biden e krahason Hamasin me Putinin: Nuk do t’i lejojmë të fitojnë

    Presidenti amerikan, Joe Biden po e krahason grupin e Hamasit me presidentin rus Vladimir Putin. Në një adresim për popullin amerikan, ai ka thënë se nuk do të lëjojë që Hamas dhe Putin të fitojnë.

    “Hamasi dhe Putin përfaqësojnë kërcënime të ndryshme, por ata e ndajnë këtë të përbashkët: të dy duan të asgjësojnë plotësisht një demokraci fqinje”.

    “Putini mohon se Ukraina ka, ose ka pasur ndonjëherë, shtetësi të vërtetë”, tha Biden, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Biden i drejtohet drejtpërdrejt popullit amerikan: “Unë e di që këto konflikte duken të largëta – dhe është e natyrshme të pyesim, pse kjo ka rëndësi për amerikanët?”

    “Duke siguruar që Izraeli dhe Ukraina të kenë sukses, është jetike për sigurinë kombëtare të Amerikës.”

    “Nëse nuk e ndalojmë oreksin e Putinit për pushtet dhe kontroll në Ukrainë, ai nuk do të kufizohet vetëm në Ukrainë.”

    Biden e përfundon fjalimin e tij duke folur për udhëtimin e tij të fshehtë në Ukrainë nëpërmjet Polonisë, të cilin e bëri në fillim të këtij viti për të treguar mbështetje për Zelenskyn dhe Ukrainën.

    “Ne jemi më të fortë se kurrë më parë. Amerika është ende një fener për botën. Megjithatë.”

    “Ne nuk mund të lejojmë që politikat e vogla partizane dhe të zemëruara të pengojnë përgjegjësinë tonë si një komb i madh.”

    “Nuk do të lejoj që Hamasi dhe Putini të fitojnë”, thotë ai.

  • Pas tetë muajve në arrest shtëpiak, Dejan Pantic lirohet me dorëzani

    Pas tetë muajve në arrest shtëpiak, Dejan Pantic lirohet me dorëzani

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për kryerjen e veprës penale terrorizëm, ndodhet në liri.

    Pantiqit i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 6 shtator, pasi Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës më atë të dorëzanisë, duke paguar shumën prej 30 mijë eurosh.

    “Me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit Ljubomir Pantovic, Gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, në mënyrë që me datën 05.09.2023 Gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK-ja ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P., të zëvendësohet me masën e dorëzanisë, sipas nenit 177, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022, në pikën kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe kishte qëndruar në paraburgim tri javë.

    Prokuroria Speciale nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës, megjithatë, sipas avokatit Ljubomir Pantoviç, hetimet ndaj tij janë duke vazhduar.

    “Sipas meje, është rast unik që arresti shtëpiak të zgjatë 8 muaj. Dejan Pantiq e ka respektuar me përpikëri këtë masë, askund nuk lëvizte pa përcjellje të policisë. Dy herë iu lejua të shkonte te mjeku pa përcjellje. Sidoqoftë gjykata e ka pranuar kërkesën tonë dhe u lirua me kaucion, meqë procedura ndaj tij vazhdon ende. Është i qasshëm tani për gjykatën e prokurorinë e të gjitha palët relevante”, tha Pantoviç.

    Pantiq dyshohet edhe për sulm ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri.

    Zyra, e cila vazhdon edhe pas më shumë se tetë muajve të jetë e demoluar, ishte sulmuar në prag të organizimit të zgjedhjeve në 4 komunat veriore të Kosovës, të cilat ishin kundërshtuar nga qytetarët serbët, e bojkotuar nga Lista Serbe.

    Sulmi i armatosur kishte ndodhur në kohën kur aty është dashur të vendosen anëtarët e KQZ-së për të kryer detyrat e tyre zyrtare.

    Katër ditë pas, ishte arrestuar Dejan Pantiq. Arrestimi i tij kishte shkaktuar pakënaqësi te banorët lokalë serbë, të cilët bllokuan për 19 ditë rrugët në veri.

    Ndërsa, në fund të dhjetorit për shkak të gjendjes shëndetësore, i ishte zëvendësuar masa e paraburgimit në arrest shtëpiak.