ATV

Blog

  • ​Rusia rrit furnizimin me naftë në Kinë me 25% në vitin 2023

    ​Rusia rrit furnizimin me naftë në Kinë me 25% në vitin 2023

    Eksportet e naftës të Rusisë në Kinë u rritën me 25% në më shumë se 75 milionë tonë në vitin 2023, tha të enjten shefi ekzekutiv i gjigantit rus të naftës, Rosneft, Igor Sechin.

    Rusia e kaloi Arabinë Saudite për t’u bërë furnizuesi kryesor i Kinës me naftë në tetë muajt e parë të këtij viti, sipas Igor Sechin.

    Rritja e këtij viti ndjek në mënyrë të ngjashme të njëjtin model të vendosur në vitin 2022, kur eksportet ruse të naftës u rritën nga viti në vit me 28% në 89 milionë tonë.

    Sechin pohoi se pavarësisht nga përshkallëzimi i armiqësive midis Palestinës dhe Izraelit në Lindjen e Mesme, të cilat po rrezikojnë transportin me cisterna përmes Ngushticës së Hormuzit ose Kanalit të Suezit, furnizimet ruse në Kinë po transportohen në mënyrë të sigurt përmes tubacionit Siberi Lindore – Oqean Paqësor.

    “Është një rrugë shumë më e sigurt në krahasim me transportin me cisternë përmes ngushticës së Hormuzit ose kanalit të Suezit,” tha ai. /AA

  • Të paktën 3.785 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën 3.785 palestinezë të vrarë në sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze të enjten.

    Një deklaratë e ministrisë tha se mbi 12.000 njerëz janë plagosur gjithashtu në sulm.

    Ministria tha se numri i të vdekurve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar mbërrin në 69, ndërsa 1.300 të tjerë u plagosën.

    Izraeli ka nisur sulme ajrore pa ndalesë në Rripin e Gazës pasi Hamasi sulmoi qytetet kufitare izraelite.

    Më shumë se 1.400 izraelitë u vranë në sulmin e Hamasit. Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

    Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet njerëzore”. /AA

  • Pulmologu Hoxha tregon rreziqet që shkaktohen nga cigaret elektronike

    Pulmologu Hoxha tregon rreziqet që shkaktohen nga cigaret elektronike

    Rrezikshmëria që vjen nga konsumi i cigareve elektronike është i lartë, shumë afër me rrezikun e njëjtë që e përmban cigarja normale. Lidhur me këtë temë, pulmologu Musa Hoxha, në emisionin “A LIVE”, ka folur për demet kryesore që i shkaktohen mushkërive nga përdorimi i cigareve elektronike, por jo vetëm.

    “Siç e dimë që duhanpirja shkakton dëme në sistemin respirator dhe atë kardiovaskular, për shkak se një cigare kur ndizet lirohen mbi 7000 kimikate, prej të cilave rreth 260 janë toksise e nga ato 50 janë kancerogjene. Prandaj në aspektin afatgjatë këto shkaktojnë kancerin në mushkëri”, tha ai.

    “Po ashtu sa i përket cigareve elektronike që është bërë trend kohëve të fundit te moshat e reja, janë parë rezultate që për shkak të funksionimit, ndikojnë njëjtë sikurse cigarja tradicionale, pra shkakton dëme në sistemin respirator por edhe atë kardiak dhe nervor-qendor, direkt në tru”, shtoi ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Haradinaj falënderon Ramën për kujdesin ndaj Kosovës

    Haradinaj falënderon Ramën për kujdesin ndaj Kosovës

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj po qëndron në Tiranë.

    Ai është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni.

    Takimin e ka bërë publikë Haradinaj nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në facebook.

    “Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.

    Ish-krtyeministri i Kosovës, ka thënë t’i ketë kërkuar Ramës, që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj.

    “Falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova’, ka shkruar Haradinaj.

  • 14 filma sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023

    14 filma sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë do të shfaqen në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023

    Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të organizojë edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2023, i cili do të mbahet më 20 dhe 21 tetor 2023 në Kinemanë ABC në Prishtinë.

    Do të jenë gjithsej tetë filma sportivë vendorë të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë, të cilët pasqyrojnë vlerat olimpike dhe paralimpike, sportistë, ish-sportistë, trajnerë dhe kontribues të sportit të Kosovës.

    Në ceremoninë e hapjes (e premte), do të shfaqet premiera e filmit “Mija”, nga autorja Vjosa Maqedonci – Osmani, që i kushtohet legjendës së basketbollit, Resmije Juniku dhe klubit të basketbollit Universiteti. Filmi shfaqet prej orës 19:00.

    Të premten, me fillim prej orës 18:15, bëhet edhe ceremonia hapjes.

    Të njëjtën ditë, seria e filmave do të hapet me storjen “Kryemjeshtri”, të realizuar nga KOK-u dhe që i dedikohet trajnerit me tri medalje të arta olimpike, Driton Kuka.

    Filmi “Pa vend”, i autorit Samir Karahoda, do të shfaqet prej orës 18:45, që për tematikë ka dy pingpongistë, të cilët enden nga një vend i panjohur në tjetrin me pronën e vetme të klubit, tavolinën.

    Dy storje për sportistët paralimpistë, “Vrapuesi që humbi një dorë, synon Lojërat Paralimpike Paris 2024”, me autor Amir Rama dhe “Storja inspiruese për futbollistin Enis Xhemajli”, të autorit Dilaver Polisi, do të shfaqen po ashtu të premten.

    Të shtunën janë rezervuar dy dokumentarë vendorë nga futbolli ynë.

    “Një ikonë si Fadil Vokrri”, e autorit Emanuell Syla, shfaqet prej orës 19:30, ndërsa para tij është dokumentari “Heroi i heshtur”, i autorit Kastriot Saqipi, që i kushtohet menaxherit të parë shqiptar të FIFA-s, Hasan Kadriu.

    Të njëjtën ditë do të ketë edhe filma tjerë ndërkombëtarë, që për tematikë kanë olimpizmin, futbollin, alpinizmin dhe zhanre të tjera, ndërsa Festivali do të mbyllet me dokumentarin për “Sekretet e dopingut: Si i bënë Rusia fituesit e saj”!

    Pesë filma vendorë do të jenë në garë për çmime në finalen e madhe të filmit sportivë që mbahet në Milano të Italisë muajin e ardhshëm dhe që organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë Sportive (FICTS).

    Hyrja në Kino ABC është falas.

  • Stano: Pesë diplomatë perëndimorë po shkojnë në Prishtinë e Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Stano: Pesë diplomatë perëndimorë po shkojnë në Prishtinë e Beograd për të bërë përparim të prekshëm

    Të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së, si dhe këshilltarët e sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të vijnë në Prishtinë dhe Beograd të shtunën me qëllim të “bërjes së përparimit të prekshëm” në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve, veçanërisht pas ngjarjet në Banjskë në veri të Kosovës.

    Kështu i tha agjencisë së lajmeve Beta zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.

    Stano tha se Miroslav Lajcak, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e sigurisë së presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Italisë, Emmanuel Bon, Jens Pletner dhe Francesco Talo, do të shkojnë në bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq “me pritshmëri të qarta se të dyja palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe do të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte”.

    “Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë”, tha zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell.

    Sepse, sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë parasysh se Bashkimi Evropian, anëtarët e tij dhe SHBA-të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fuqishme për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmes evropiane të gjithë rajonit.

    Në të njëjtën kohë, burime diplomatike evropiane i thanë Beta-s se zyrtarë të lartë të vendeve kryesore perëndimore po shkojnë në Prishtinë dhe Beograd me kërkesën që jo vetëm të ndalet përshkallëzimi në Kosovë, por edhe “fjalë për fjalë, sa më shpejt të jetë e mundur, të organizohen zgjedhjet komunale në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe konkretisht të fillojë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për Themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”.

    Diplomatët në selinë e BE-së theksuan veçanërisht se pesë zyrtarët e lartë perëndimorë po kërkojnë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti që të organizojë sa më parë zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, mënyra më e lehtë të jetë dorëheqja e kryetarëve aktualë dhe pa kushte, si dhe ti pranojnë obligimin për themelimin e Asociacionit

    Beogradi, në të njëjtën kohë, duhet të dëshmojë se nuk ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në ngjarjet në Banjskë, “dhe deri më tani nuk ka asnjë provë se autoritetet serbe ishin, por as nuk dinin se çfarë po përgatitej atje”, bënë të ditur burime në Bruksel.

    “Vuçiq duhet ta bëjë shpejt, sepse nuk ka durim të pafund në Bashkimin Evropian dhe disa masa tashmë po diskutohen në qarqet evropiane në rast se Beogradi nuk e bën atë që pritet”, thanë burime diplomatike evropiane.

  • Parlamenti Evropian miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Parlamenti Evropian miraton rezolutën që dënon sulmin terrorist në Banjskë

    Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën për ngjarjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë.

    Në këtë rezolutë, PE do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse vërtetohet lidhja me sulmin terrorist ku u vra Afrim Bunjaku.

    Për miratimin e kësaj rezolute ka njoftuar edhe eurodeputeti Vladimír Bilčík, i cili është raportues për Serbinë në PE.

    “Parlamenti Europian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë. Ne kemi nevojë për një hetim të plotë të sulmit në Banjska dhe dhënien e drejtësisë. Beogradi dhe Prishtina duhet gjithashtu të kthehen në një dialog paqësor dhe konstruktiv të lehtësuar nga BE”, ka shkruar ai.

  • ​Edhe një tjetër kompeticion i UEFA-s i besohet FSHF-s

    ​Edhe një tjetër kompeticion i UEFA-s i besohet FSHF-s

    UEFA, qeveria evropiane e futbollit i beson organizmin e një tjetër turneu të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit! Në muajin tetor, FSHF do të organizojë sfidat kualifikuese të grupit A7, të vlefshme për Kampionatin Europian U-19 për vajza, e ku marrin pjesë përfaqësueset e Serbisë, Bjellorusisë, Skocisë e Islandës.

    Ndeshjet do të luhen në stadiumet ‘Air Albania’ dhe ‘Elbasan Arena’ në datat 24, 27 dhe 30 tetor të këtij viti. UEFA ka vendosur që këto ndeshje të luhen në Shqipëri, duke ia besuar FSHF-së organizimin e këtij raundi të parë të kualifikueseve të kampionatit evropian për këtë grupmosh.

    Të gjitha skuadrat do të akomodohen në Durrës dhe do të stërviten në vendin tonë përgjatë periudhës së përcaktuar nga UEFA.

    Ky është turneu i 7-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, ndërsa duhet theksuar se institucioni i futbollit shqiptar ka organizuar edhe shumë ndeshje miqësore të grupmoshave të ndryshme përgjatë këtij viti futbollistik.

  • ​PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

    ​PDK kërkon miratimin e rezolutës për Policinë e Kosovës

    Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e Vetëvendosjes, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj gjatë prezantimit të rezolutës, tha se miratimi i saj është dëshmia më e mirë e përkushtimit për mbështetjen e Policisë së Kosovës në kohën kur puna profesionale e tyre i bënë krenar të gjithë.

    Përmes kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat për rrezikshmëri, të kenë policia me sigurim shëndetësor dhe t’u mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

    Qalaj derisa ka prezantuar Rezolutën tha se kjo parti bashkë me opozitën, të vetmin qëllim kanë të mbështesin Policinë.

    “Të vetëdijshëm për rolin kyç të PK-së, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës, duhet të veprojnë të gjithë njerëzit përballë domosdoshmërisë për të mbështetur përveç moralisht edhe financiarisht nevojat që kanë zyrtarët e saj. Për këtë qëllim PDK ka iniciuar një draft rezolutë e mbështetur nga gjithë deputetet e opozitës dhe deputetë tjerë që janë në këtë parlament, dhe mendoj se sot është dita më e mirë që përveç të diskutojmë edhe të miratojmë rezolutën në fjalë. Është dëshmia e përkushtimit për mbështetjen e PK-së në kohën kur puna profesionale e tyre na bënë krenar të gjithëve. PDK por edhe opozita të vetmin qëllim kanë që me ketë Rezolutë ta mbështesin PK-në.”, tha Qalaj.

    Deputeti Qalaj përmendi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, dhe suksesin e policisë në përballje me terroristët serbë.

    “Me 24 shtator shteti i Serbisë tentoi aneksimin e një pjese të Kosovës, ajo shkeli integritetin territorial të Republikës së Kosovës duke futur në Kosovë nëpërmjet rrugëve ilegale një formacion paraushtarak. Ky formacion kreu një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ky formacion i stërvitur në Serbi, i mbështetur me logjistikë, i financuar nga shteti serb, padyshim se ishte i sponsorizuar nga shteti i Serbisë. Terroristët u zbuluan, u penguan, luftuan dhe u munden nga Policia e Kosovës, disa ua rreshtuan, disa u eliminuan e disa të tjerë arritën të ikin nga Kosova. Ishin Policët e Kosovës ata që me përkushtim të pashoqë, me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, me një guxim të madh, e një profesionalizëm të rrallë, i dolën përballë këtij formacioni paraushtarak terrorist. Në mbrojtje ra heroi i Kosovës, Afrim Bunajku dhe u plagos një polic tjetër. Të tillë kanë qenë PK që nga themelimi. Të kujtojmë operacionin e PK-së në veri të vendit në vitin 2011, të kujtojmë daljen e futjes se trenit serb në Kosovë, të kujtojmë shumë e shumë raste tjera të luftës kundër narkotikëve e krimit të organizuar, të kujtojmë edhe policët që dhanë jetën duke ofruar siguri popullit të Kosovës”, vijoi Qalaj.

    Qalaj ka shprehur sërish shqetësimin e tij lidhur me mosekzekutimin e shtesave të rrezikshmërisë.

    “Fatkeqësisht nga hyrja në fuqi me 5 shkurt 2023 e ligjit për paga në sektorin publik, zyrtari policor i është ndaluar shtesa e rrezikshmërisë, shtesë kjo që gjithmonë e kanë marrë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre e të familjes, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave për rrezikshmëri që kanë marrë PK ka qenë 16 milion në vit, që nëse ndajmë në muaj i bie mbi 1 milion e 300 mijë. Që nga fillimi i ndalimit të kësaj shtese ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtura nga zyrtaret qeveritar. PK është në pritje të ekzekutimit të kësaj pengese”, shtoi Qalaj.

    Ndërkaq, në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

  • Scholz: Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani

    Scholz: Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani

    Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të veprohet ashpër kundër antisemitizmit në Gjermani dhe glorifikimit të dhunës.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të ketë veprime energjike dhe konsekuente të autoriteteve gjermane kundër antisemitizmit dhe glorifikimit të dhunës. Autoritetet nuk duhet të lejojnë demonstrata, në të cilat bërtiten parulla antisemitiste dhe bëhet thirrje për dhunë, tha kancelari Scholz në një deklaratë qeveritare në Bundestag. “Këtu kërkohet një qëndrim i qartë dhe ne e tregojmë këtë së bashku në Gjermani”, tha Scholz. “Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani.” Do të bëjmë gjithçka që të ngrihemi kundër tij, siguroi Scholz. Kjo vlen si për qytetaret e qytetarët, ashtu si edhe për ata me përgjegjësi politike. Bëhet fjalë që të respektohen ligjet dhe rregullat.

    Scholz: Hamas të lirojë pengjet gjermane

    Kancelari gjerman është shprehur edhe për qytetarët gjermanë të marrë peng nga organizata terroriste e Hamasit në Izrael dhe janë dërguar në Rripin e Gazës. Ai kërkoi edhe njëherë lirimin e menjëhershëm të tyre. Mesazhi ndaj Hamasit është i qartë. “Ata duhet të lirohen pa kushte .” Në plenumin e Bundestagut qëndronin të ulur të afërm të pengjeve.

    Të mërkurën në mbrëmje në Berlin-Neukölln pati përplasje të dhunshme me policinë, pasi demonstruesit injoruan ndalimin e një mitingu pro-palestinez. Sipas të dhënave të policisë kundër forcave të tyre janë hedhur shishe dhe gurë si edhe mjete proteknike. Po natën e së mërkurës dy të panjohur kanë hedhur molotov në drejtim të sinagogës Kahal Adas Jisroel në Berlin. Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani bëri fjalë për një “atentat terrorist”, aty krahas sinagogës gjendet edhe një kopsht fëmijësh dhe shkollë hebreje. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të enjten, se ka filluar hetimet për përpjekjen për atentat ndaj sinagogës në Berlin. Autoritetet e argumentuan këtë me tensionimin e gjendjes së sigurisë për shkak të protestave propalestineze në kuadër të luftës mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit.

    Egjipti vendos të hapë kalimin kufitar me Rripin e Gazës

    Ndërkohë Egjipti është treguar i gatshëm të lejojë kamionët me ndihma humanitare në Rripin e Gazës. “Për fillimin”, kreu i shtetit egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi ka premtuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Joe Biden do të lejohen 20 kamionë me ndihma që të kalojnë pikën kufitare në Rafah. Më pas mund të pasojnë furnizime të tjera me ndihma. Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara do të merren me shpërndarjen e ndihmave. Presidenti amerikan, Joe Biden ka theksuar, se nëse organizata terroriste Hamas do të konfiskojë ndihmat, atëherë “ato do të ndalen”./DW