ATV

Blog

  • Shënjestrohet një rast i ri për shpërlarje të parave, sekuestrohen rreth 20 milionë euro ndërsa arrestohen 3 persona

    Shënjestrohet një rast i ri për shpërlarje të parave, sekuestrohen rreth 20 milionë euro ndërsa arrestohen 3 persona

    Prokuroria Speciale njoftoi se kanë shënjestruar një rast të ri.

    Sipas një komunikate dërguar mediave thuhet se ky rast është shënjestruar për “Shpëlarja e parave”, si dhe vepra të tjera penale.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku kanë shënjestruar një (1) rast të ri. Prokuroria Speciale njofton se rasti është shënjestruar për “Shpëlarja e parave”, si dhe vepra të tjera penale”, thuhet në  komunikatë.

    Tutje, bëhet e ditur se në kuadër të hetimeve janë sekuestruar dhe konfiskuar sasi e madhe e armatimit të llojit të ndryshëm, rreth tridhjetë (30) vetura, si dhe pasuri të paluajtshme rreth njëzet milion (20.000.000) euro.

    Prokuroria Speciale njoftoi se lidhur me këtë rast janë të ndaluar tre persona dhe të njëjtit sipas vendimit të gjykatës janë nën masën e paraburgimit.

     

  • Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Njohësit e çështjeve ligjore vlerësojnë se të vetmit hapa që KPK-ja mund t’i ndjekë janë: rinisja e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ose zvarritja për kohë të pacaktuar e rinisjes së këtij procesi.

    Presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor, ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.

    Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

    E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

    KPK-ja ende nuk ka vendosur për hapat e ardhshëm

    Këshillit Prokurorial i Kosovës është pyetur se cilët mund të jenë hapat ligjorë që mund t’i ndjekë, pas mosdekretimit të kryeprokurorit nga ana e presidentes Osmani.

    Në një përgjigje me shkrim, KPK-ja i është referuar komunikatës së saj për media, të së martës, ku është thënë se ky këshill do të mbajë një takim për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë.

    Por, sipas KPK-së, ai nuk është mbajtur ende dhe opinioni do të njoftohet me kohë se kur do të mbahet.

    KPK-ja, të martën, i ka cilësuar si “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

    Hapat e mëtejshëm

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se pas vendimit të presidentes Osmani, hapi që do të duhej ta ndiqte Këshilli Prokurorial i Kosovës, është nisja e procesit të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Por fillimisht, sipas tij, duhet të bëhet plotësimi i kornizës ligjore.

    Kjo, thotë Miftaraj, nënkupton rregullimin e udhëzuesit me pyetjet për kandidatët për kryeprokuror. Udhëzuesi është pjesë e rregullores për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të tjerë.

    “Ka gabime, të cilat nuk mund të sigurojnë një proces të drejtë”, thotë Miftaraj, duke iu referuar udhëzuesit aktual, mbi bazën e të cilit KPK-ja ka përzgjedhur dhe propozuar Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas tij, udhëzuesi ka pyetje lidhur me ligje, të cilat sot nuk janë të aplikueshme në Kosovë.

    “Për shembull, ky udhëzues ende ka fusha që lidhen me kohën kur Kryeprokurori i Shtetit ka qenë edhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast, tash, Kryeprokurori i Shtetit është vetëm anëtar i Këshillit, por jo edhe kryesues i KPK-së”, thotë Miftaraj.

    Mangësitë e ngjashme, sipas tij, do të mund të adresoheshin brenda një muaji, në rast se ka vullnet brenda KPK-së.

    Hap i radhës, shton ai, do të ishte hapja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili duhet të qëndrojë i hapur 15 ditë. Ndërkaq, procedurat e intervistimit, do të zgjasnin një muaj.

    “Nëse KPK-ja do të kishte vullnet politik që t’i bënte këto në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund të rezultonte me kryeprokuror të dekretuar nga Zyra e Presidentes”, thotë Miftaraj.

    BE-ja kërkon proces transparent dhe të drejtë

    Lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, të mërkurën ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Duke i kushtuar vëmendje deklaratës së saj, ai ka theksuar në platformën X “nevojën e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe i drejtë, brenda sistemit juridik”.

    “U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’iu përmbahen parimeve dhe standardeve më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Szunyog.

    Çka nëse KPK-ja vendos ta zvarrisë procesin?

    Thirrjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Miftaraj e sheh si thirrje ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës që ta nisë menjëherë procesin e ri.

    Por, Miftaraj thekson se, në rast se KPK-së i mungon vullneti për një gjë të tillë, procesi mund të zvarritet.

    Siç thotë ai, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe nuk ekzistojnë instrumente dhe mekanizma ligjorë e kushtetues që mund ta detyrojnë të shpejtojë në rinisjen procesit.

    “Mund të jetë kjo edhe tre muaj, edhe një vit. S’ke çfarë i bën. Nuk ke mekanizma. Do të thotë (KPK-ja) është shtet brenda shtetit”, thotë Miftaraj.

    Vitin e kaluar, kur KPK-ja ka përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.

    Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.

    Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /rel

  • Hoti: Pozita s’e voton rezolutën për Policinë sepse nuk do që opozita t’i marrë meritat

    Hoti: Pozita s’e voton rezolutën për Policinë sepse nuk do që opozita t’i marrë meritat

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron që të marrë pjesë e as të votojë rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës, sepse nuk dëshiron që opozita t’i marrë meritat, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se kjo pikë nuk duhet të ishte çështje ballafaqimi midis pozitës dhe opozitës. Sipas Hotit, shtesat e rrezikshmërisë, sigurimi shëndetësor dhe pensionimi i parakohshëm nuk do të duhej të refuzoheshin.

    “Është çështje ekzistenciale për 7,000 familje të policëve. Qysh ia shpjegon këtë policit që e çon në veri dhe shtesën nuk ia qet. Nuk ka kuptim kjo sjellje. Është shqetësuese që hyni në vitin e katërt të qeverisjes dhe keni menaxhuar me 8.63 miliardë. Ku kanë shkuar këto para?”.

    “Seanca e sotme jep një pasqyrë jo të mirë për vendin, një seancë e thirrur nga opozita. Kjo nuk ka kuptim për ballafaqimin parlamentar. Nëse e shihni me kujdes, rezoluta e propozuar nga opozita është shumë parimore. Janë tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe parimore të propozuara nga opozita. Por, ju nuk doni që opozita t’i marrë këto kredi – thënë në aspektin politik”.

    Mazhoranca edhe herën e kaluar e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.

  • LV nuk merr pjesë në seancën për policinë

    LV nuk merr pjesë në seancën për policinë

    Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, ku po shqyrtohet një projektrezolutë për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

    Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga partitë opozitare. Edhe një tjetër seancë për këtë çështje ishte thirrur më 12 tetor, por dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit, pasi deputetët e LVV-së e bojkotuan atë.

    Rashit Qalaj deputet nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, tha se Policia e Kosovës është duke punuar në kushte të rënda dhe kjo sipas tij nuk duhet lejuar.

    “Nga hyrja në fuqi, më 5 shkurt 2023, e Ligjit për paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre dhe të familjeve, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave që kanë marrë policët e Kosovës ka qenë 16 milionë euro, ose 1.3 milion euro në muaj”, tha ai.

    Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

    Në bazë të Ligjit, pagat për zyrtarë të policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje policia e ka quajtur minimale.

    Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

    Zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, javën e kaluar kanë thënë se tendenca e PDK-se, nuk ka të bëjë më gjendjen e policisë, por synim i tyre, është “pushteti dhe jo interesi i shtetit”.

  • ​Kapitenja e Kosovës U17 në hendboll synon Botërorin

    ​Kapitenja e Kosovës U17 në hendboll synon Botërorin

    Sara Gjergjaj është shpallur lojtarja më e mirë e IHF Trophy për zonën evropiane në grupmoshën U17. Sara tashmë është edhe kapitene e Kombëtares U17, ndërsa synimi i ardhshëm i saj është që me Kosovën të kualifikohet në Botëror. Për këtë Kosovës U17 i duhet që ta fitojë fazën interkontinentale të IHF Trophy që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

    Kosova U17 fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, që të dielën përfundoi në Prishtinë. Kështu u kualifikua për fazën ndërkontinentale.

    “Dëshiroj që të kualifikohemi në Kampionat Botëror me Kombëtaren U17. Momentalisht i gjithë fokusi dhe dëshira ime, por edhe i gjithë Kombëtares, është që të arrijmë në Kampionatin Botëror me U17. Pastaj, padyshim që ëndërr e imja është që një ditë të luaj në Kombëtaren A, të jap gjithë potencialin tim dhe të ndihmoj Kombëtaren që të arrijmë suksese”, ka thënë Sara Gjergjaj në një bisedë për sajtin zyrtar të FHK-së.

    Ajo jeton dhe luan në Zvicër, ndërsa është krenare që përfaqëson Kosovën.

    “Titulli MVP është nder i madh. Ndihem krenare me këtë të arritur. Dëshmon se përpjekjet dhe pasioni im për hendbollin janë vlerësuar. Pa dyshim që ky çmim më jep edhe më shumë motiv për të vazhduar punën de përpjekjet, që të zhvillohem dhe të kontribuoj për Kombëtaren. Suksesi im është rezultat i punës së madhe ekipore. Jam shumë falënderuese ndaj bashkëlojtareve dhe trajnerëve që kanë pasur besim në mua”, ka thënë Gjergjaj.

    Ajo ndihet mirë që u zgjodh kapitene, por e di se me këtë ka edhe përgjegjësi shtesë. Sara përpiqet të jetë shembull i mirë për ekipin, që të motivojë dhe ndihmojë bashkëlojtaret dhe që atmosfera të jetë shembullore.

  • Senatorët amerikanë thonë se Izraeli nuk shkaktoi shpërthimin në spitalin e Gazës

    Senatorët amerikanë thonë se Izraeli nuk shkaktoi shpërthimin në spitalin e Gazës

    Senatorët amerikanë që kanë marrë pjesë në një informim të klasifikuar nga zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane, janë informuar se Izraeli nuk ka qenë përgjegjës për shpërthimin në një spital në Qytetin e Gazës.

    Shpërthimi ndodhi më 17 tetor dhe besohet se ka lënë të vdekur qindra persona. Në spitalin Al-Ahli, që u godit nga shpërthimi i fuqishëm, ishin të strehuar palestinezë dhe po trajtoheshin palestinezë të plagosur.

    Izraeli për këtë sulm ka fajësuar grupin palestinez, Xhihadi Islamik, por ai ka mohuar përgjegjësinë.

    “Vlerësimi i komunitetit të inteligjencës është se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin në spitalin në Gazë”, tha senatori Chuck Schumer, pasi doli nga ky takim. “Ata besojnë se ishte një raketë e lëshuar nga terroristët në Gazë”.

    Senatori demokrat, Chris Murphy, tha se inteligjenca “është e vendosur” se ky nuk ishte një operacion izraelit.

    Më vonë, përmes një deklarate të përbashkët, kryetari i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, Mark Warner, senatori Marc Rubio, thanë se pasi kanë shqyrtuar vlerësimin e inteligjencës janë “të bindur se shpërthimi ishte rezultat i një lëshimi të dështuar të një rakete nga militantët terroristë dhe nuk ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit”.

    Militantët e Hamasit nisën sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që çoi në një përgjigje të ashpër nga autoritetet izraelite, që kanë bombarduar pareshtur Rripin e Gazës.

    Më 18 tetor, Izraeli, pas kërkesës së SHBA-së, është pajtuar që të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare nga një pikëkalim që lidh Gazën me Egjiptin, për palestinezët në këtë territor.

  • Pse kivi duhet ngrënë me gjithë lëkurë?

    Pse kivi duhet ngrënë me gjithë lëkurë?

    Shumica e frutave duhet të qërohen përpara se të konsumohen, por ka disa fruta që mjafton t’i lani dhe mund t’i hani me gjithë lëkurë. Mund t’ju vijnë ndër mend fruta si molla pjeshka apo rrushi, por do të habiteni kur të mësoni se në këtë list përfshihet dhe kivi.

    Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se lëkura e kivit duhet ngrënë pasi na siguron më shumë vitamina dhe vlera ushqyese sesa vetë tuli. Lëkura e ashpër është problemi dhe arsyeja kryesore pse njerëzit e qërojnë këtë frut, por shkencëtarët pohojnë se ka disa mënyra si të pastroni pushin e lëkurës së kivit dhe më pas të përfitoni prej saj.

    Cilat janë përfitimet e të ngrënit kivi me gjithë lëkurë?

    Kaliumi që gjendet me shumicë tek lëkura e kivit mund të rregullojë nivelin e hormoneve, presionin e gjakut dhe funksionin e enëve të gjakut

    Kivi dhe lëkura e tij është e pasur me antioksidantë të fuqishëm, flavonoids të cilat janë substanca kimike që gjenden tek frutat me ngjyra të gjalla dhe kanë veti anti-alergjike, anti-kancer dhe anti-inflamatore.

    Lëkura e kivit mund të përmirësojë shëndetin kardiovaskular dhe është e pasur me vitamina A, C dhe E.

    Nëse ju duket e pamundur të hani lëkurën e kivit, mënyra më e mirë është që frutin ta shtrydhni me lëkurë. Epo nuk ju mbetet më asgjë tjetër veçse ta provoni një herë.

  • Qalaj prezanton Rezolutën: Për 15 ditë të paguhet rrezikshmëria, për 60 ditë të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm

    Qalaj prezanton Rezolutën: Për 15 ditë të paguhet rrezikshmëria, për 60 ditë të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë rezolutën e propozuar nga ta për përmirësimin e kushteve në Policinë.

    Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat, të bëhen me sigurim shëndetësor dhe të mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

    Ai ka përmendur aksionin e 24 shtatorit dhe suksesin e policëve në përballje me terroristët serbë. Ndaj sipas fjalët që janë thënë për këtë suksese, duhet të kthehen në vepra.

    “Miratimi i saj do të ishte dëshmia më e mirë për përkushtimin ndaj policisë, kur puna e tyre na bënë krenarë të gjithëve”.

  • Nis seanca për Policinë, të pranishëm vetëm deputetët e opozitës

    Nis seanca për Policinë, të pranishëm vetëm deputetët e opozitës

    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Fillimisht deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka prezantuar propozim Rezolutën për Policinë e Kosovës.

    Në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

  • A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    Nënkryetari i Kuvendit dhe ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Context”, në ATV foli për ecurinë e procesit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

    Derisa foli për Gjykatën në Hagë, Hoxhaj përmendi edhe vizitën e tyre si parti (PDK), pas kthimit të Hysni Gucatit në Kosovë, në të cilën i pranishëm ishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    “Sot ishim te Gucati si parti, ishte ngjarje e bukur dhe veçantë për secilin prej nesh, por e pa plotë, pa të tjerët, ata të cilët janë në Hagë. Unë jam i sigurt se kjo do të jetë fitore e pashmangshme, sepse po ata mbahen në mënyrë të padrejtë, atje. Procesi do të mbyllet shpejt dhe mirë. Unë besoj se ata do të triumfojnë përsëri. Sot vizita te Gucati ishte një ngjarje gëzimi, e cila ishte e plotë që Endriti ishte me neve, por që nuk ishte fare e plotë që babai i Endritit, Hashimi nuk ishte aty, dhe po ashtu pa Veselin, Baci Jakup, Rexhën, Nasimin, Calin e të gjithë të tjerët”, tha Hoxhaj.

    I pyetur nëse Endriti do të angazhohet në politikë, Hoxhaj tha se ai do të jetë i mirëseardhur kurdo, derisa shtoi se pjesëmarrja e tij te Gucati, ishte më shumë gjest individual se sa qëndrim politik.

    “Sot vizita atje, ka qenë më shumë kapacitet individual, si djali i Hashimit, që ne e shohim si me qenë vëllai ynë i vogël por është i mirëseardhur kurdo dhe është vendimi i tij, ai është që e bënë hapin e duhur. Mendoj që kur dikush vendosë që të angazhohet politikisht, dhe është vendim e merr në një moment të duhur, kurdo që ia merr mendja”, shtoi tutje ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: