ATV

Blog

  • Supremja u jep të drejtë policëve për pagën e 13-të

    Supremja u jep të drejtë policëve për pagën e 13-të

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pesë zyrtarë policorë, pas më shumë se 4 viteve procedura gjyqësore, i kanë marrë pagat e 13 për katër vite.

    Pagat për vitet, 2018, 2019, 2020 dhe 2021, ata i morën këto duke ndjekur rrugën ligjore, gjegjësisht duke paditur Qeverinë, pasi Gjykata konstatoi se Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës, nuk u zbatua.

    Rrugën e njëjtë, janë duke e ndjekur edhe afro 6 mijë policë të tjerë, të cilët në grupe të madhësive të ndryshme, tashmë e kanë paditur Qeverinë.

    Ndërkohë e drejta policëve është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme. Në një mendim juridik, të lëshuar para pak ditësh, të cilin e ka siguruar ATV-ja, listohen disa privilegje që u takojnë policëve.

    Në këto privilejge, përfshihet paga e 13-të, paga jubilare me rastin e pensionimit dhe shtesat sipas përgatitjes shkollore. Në të njëjtin është refuzuar kërkesa për kompensim të shujtave për shkak.

    Mendimi i Gjykatës Supreme, cilësohet si shumë rëndësishëm:
    “Mendimet e kësaj Gjykata janë shumë të rëndeshe, dhe kanë një ndikim të lartë edhe tek instancat e tjera në këtë raste të gjykatave..”, tha Eranda Zeka nga IKD.

    Që nga miratimi i ligjit për paga, në muajin shkurt, Polica nuk ka marr asnjë shtesë të rrezikshmërisë. Policët kosovarë nuk kanë as sigurim jetësor e shëndetësor dhe gjtë vitit është raportuar edhe për kushte të vështira të punës dhe mungesë të pajisjeve.

  • Parlamenti evropian miraton rezulutën, dënon sulmin e 24 shtatorit

    Parlamenti evropian miraton rezulutën, dënon sulmin e 24 shtatorit

    Përgatiti: Armand Hoti

    Parlamenti Evropian miratoi rezolutën që dënon sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

    Rezoluta kërkon të merren masa ndaj shtetit serb, nëse vërtetohet që shteti kishte gisht në organizimin e sulmit.

    “PE-ja i bën thirrje Komisionit dhe Këshillit që të marrin masa kundër Qeverisë së Serbisë, nëse hetimet zbulojnë se shteti serb ishte i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin terrorist në Banjskë, ose në sulmet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës, në maj të vitit 2023, ose nëse autoritetet serbe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë plotësisht”, thuhet në rezolutën e PE-së.

    Me këtë rezolutë, Parlamenti Evropian, po ashtu, kërkoi nga Bashkimi Evropian t’i mbështesë hetimet e autoriteteve kosovare lidhur më 24 shtatorin. Përpos që propozohet heqja e masave për Prishtinën, megjithatë kërkohet vazhdimi i dialogut.

    Përmbajtja e rezolutës, sipas njohësve të rrethanave, ishte e favorshme për Kosovën.

    “Është një thirrje për organet e tjera vendimmarrëse siç është Komisioni dhe Këshilli i Ministrave që të marrin vendime për dënimin e Serbisë për agresionin që ndodhi në veri”, tha politologu Fidan Ukaj.

    “Dihet se s’ka shumë ndikim të madh Parlamenti Evropian, por ka ndikim në formimin e opinionit publik dhe kjo është një konfirmim që opinioni publik kërkon që të ketë një reagim nga BE-ja”, tha profesori Seb Bytyqi.

    Me këtë rezolutë eurodeputetët, po ashtu, kërkuan që të mos vihet në dyshim liberalizimi i vizave për Kosovën dhe kjo çështje të mos lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

  • Pa kuorum, dështon rezoluta e PDK-së për policinë

    Pa kuorum, dështon rezoluta e PDK-së për policinë

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Rezoluta për Policinë e Kosovës e propozuar nga PDK-ja, përmes së cilës kërkohet pagesa e shtesave të rrezikshmërisë, pagesa e sigurimit shëndetësor, si dhe pensionimi i parakohshëm për policët, sërish nuk u hodh në votim në Kuvendin e Kosovës.

    Për të dytën herë me radhë që kjo pikë ishte në rend dite, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar nuk ishin fare prezent në sallë, duke pamundësuar kuorumin që propozim-rezoluta të votohet.

    Pas diskutimit që u bë për këtë rezolutë, në seancën e dytë e cila ishte e rregullt, deputetët e pushtetit erdhën në sallë.

    Edhe në këtë seancë u kërkua plotësim-ndryshimi i rendit të ditës, në mënyrë që të mundësohet hedhja në votim e rezolutës.

    “Meqë tashmë janë deputetët në sallë, propozoj që të hidhet në votim rezoluta”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

    Megjithatë, sërish nuk u arritën votat e mjaftueshme.

    32 votuan pro plotësim-ndryshimit të rendit të ditës, përfshirë këtu edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ndërsa 38 abstenuan.

    Debati vazhdoi për çështje tjera, kryesisht për rezolutën e Parlamentit Evropian, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, si dhe për vendimin e presidentes Vjosa Osmani për mos dekretim të Blerim Isufajt për kryeprokuror tw shtetit, të cilin opozita e quajti antikushtetues.

  • Ministria e bujqësisë do të bëhet me objekt të ri

    Ministria e bujqësisë do të bëhet me objekt të ri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Ministria e Bujqësisë, mbase jo edhe shumë gjatë, do të paguajë qira për objektin që e shfrytëzon aktualisht.

    Kjo ministri do ta ketë objektin e saj në tokë të saj.

    Siç merr vesh televizioni, tashmë është nënshkruar kontrata me projektuesin për ndërtimin e objektit, si fazë fillestare që i hap rrugë më pas tenderimit për kompanitë ofertuese.

    Në fakt, Ministria këtë plan e kishte qysh herët pasi që nga fillimi i vitit kishte në dispozicion plot 1 milion euro për këtë projekt, por që ende nuk e ka shpenzuar asnjë cent.

    Sidoqoftë, lokacioni ku tashmë pritet të nisë të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë, është vendi i njohur si zona ekonomike.

    Megjithatë, përgjatë kësaj rruge ka një sërë objektesh të ndërtuara në pronë të kësaj ministrie, por asnjëra nga to nuk do të shfrytëzohet si objekt i Ministrisë, edhe pse Ministria ka kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre.

    “Është një numër i madh, disa janë objekte, disa janë toka, e disa janë lokale të ndërtuara, një numër i konsiderueshëm i tyre janë në rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë. Ne si Ministri jemi me qira, ndërsa asetet tona shfrytëzohen nga grupe të caktuara të interesit, që nuk e dimë se kush janë”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

    Ndërkaq, për aq kohë sa do të qëndrojnë në objektin aktual, kjo Ministri do të vazhdojë të paguajë goxha shumë para për qira.

    Hapësira që ka në shfrytëzim është në sipërfaqe prej 1560 metra katrorë, teksa pagesa për metër katror llogaritet të jetë rreth 18 euro, apo 28 mijë euro qira mujore.

    Ndërkohë për një vit, Ministria e Bujqësisë llogaritet se vetëm për qira paguan rreth 337 mijë euro.

  • Kosova pret mesazhet e emisarëve për rrugën përpara

    Kosova pret mesazhet e emisarëve për rrugën përpara

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në prag të vizitës në Prishtinë të pesë emisarëve për dialogun, Qeveria nuk ka konfirmuar nëse qëndrimi i saj për mosshkuarje në dialog deri në ndëshkimin ndërkombëtar të Serbisë, është përfundimtar ose jo.

    Kosova shpreson, që të shtunën nga emisarët që përfaqësojnë BE-në, SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, të marrë zotime dhe garanci për këtë, si dhe ndryshimin e qasjes ndërkombëtare ndaj Serbisë, pas 24 Shtatorit.

    Edhe pse e vlerësojnë sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë përbën pikë ndryshimi, opinionistët theksojnë se dialogu është i pa-alternativë.

    “Është qëndrim i drejtë i Qeverisë së Kosovës, por Qeveria duhet të mos shihet si fajtor, si pengues i dialogut, sepse në një fazë të caktuar jemi parë (si të tillë) dhe për këtë jemi të sanksionuar. Nëse e humbim këtë mundësi, pozicionin që e kemi fitu më 24 Shtator, atëherë është rrezik që të ndëshkohemi edhe më shumë, përveç tjerash dihet që masat ndëshkuese do t’i kenë efektet në vitin 2024, nëse vazhdojnë deri në vitin e ardhshëm, atëherë ne mund t’i humbin 500 milionë euro fonde të BE-së”, tha Bekim Kabashi, opinionist.
    Krahas konstatimit se 24 Shtatori zbuloi fytyrën e vërtetë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, opinionisti Fitim Mulolli thekson se Kosova nuk duhet të heqë dorë nga dialogu, por të ndërtojë argumente mbi aktin e agresionit në Banjskë.

    “Eventi i 24 Shtatorit nuk zhvesh Kosovën nga obligimet e saj që i ka për m’i zbatu marrëveshjet, sepse është krijuar një përshtypje e tillë në publik dhe shpesh e kemi parë edhe te zyrtarët qeveritar dhe politik. Duhet taktizim i mirë, që të rikonfirmohet gatishmëria jonë për bashkëpunim dhe dialog, mirëpo në anën tjetër që të ketë masa shumë të ashpra ndaj Serbisë dhe që të rishikohet pozicioni i krejt komunitetit ndërkombëtar përballë Serbisë, pas 24 shtatorit”, tha Mulolli.

    Një skenar mospajtimi për vazhdimin e dialogut, sipas Kabashit, rrezikon ta fusë procesin në një cikël vonesash të reja për të cilat është e interesuar Serbia.

    “Mendoj se nuk është e rastësishme edhe shpallja e zgjedhjeve, sepse ka një qëllim, një tendencë për të prolonguar, mos me i dhënë një definim të qartë dialogut, pra procesit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ky është interes i parë i Serbisë, shkaku edhe i luftës në Ukrainë ku Serbia pret që atje të dihet se si po përfundon, pastaj të veprohet me Kosovën”, tha Kabashi.

    Krahas kërkesës për veprime brenda javësh për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, nga Kosova dhe Serbia, të martën, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, listoi në radhë veprimet që, sipas tij, duhen ndërmarrë.

  • Një grua bie nga një ndërtesë në Fushë-Kosovë, Policia nis hetimet

    Një grua bie nga një ndërtesë në Fushë-Kosovë, Policia nis hetimet

    Sot një grua ka rënë nga një ndërtesë në rrugën “Arbëria” në Fushë-Kosovë.

    Lajmin për ATV-në e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.

    “Sot rreth 14:20, kemi pranuar informatën se në rrugë “Arbëria” në Fushë Kosovë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Personi i lënduar (femër), menjëherë është dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha Ahmeti.

  • Rohde mirëpret rezolutën e PE-së për Kosovën

    Rohde mirëpret rezolutën e PE-së për Kosovën

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka shkruar edhe njëherë për kërkesat që kanë ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, pas miratimit të një rezolute për këtë ngjarje nga Parlamenti Europian.

    “Rezoluta e PE për situatën në Kosovë pas sulmit terrorist më 24.9. në Banjska. Siç tha kancelari Scholz, ne kërkojmë hetime intensive dhe kërkojmë nga Serbia të bashkëpunojë në hetimet e udhëhequra nga autoritetet e Kosovës. Ai gjithashtu nënvizoi nevojën urgjente që të dyja palët të zgjidhin konfliktin”, ka shkruar Rohde, duke shpërndarë një postim në X nga eurodeputetja Viola von Cramon për këtë rezolutë.

    Ajo tha se rezoluta kërkon nga BE dënimin më të ashpër të mundshëm të sulmit ndaj policisë së Kosovës nga paraushtarakët e udhëhequr nga Milan Radoiçiq; hetimin e sulmit në Banjska nga autoritetet e Kosovës me mbështetjen e BE-së; Serbia të bashkëpunojë pa kushte në hetim; plani i kontrollit të KFOR’it për veriun, duke përfshirë përforcimin dhe shtimin; de-përshkallëzimi në veri dhe kthimi në dialogun e udhëhequr nga BE-ja; Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të kaluara, përfshirë Asociacionin.

  • Në veri nis ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së

    Në veri nis ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar të enjten se ka nisur ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së në komunat veriore të Kosovës.

    Në Facebook, Krasniqi ka shkruar se bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishin në fshatrat Cerajë e Bistricë të Leposaviqit ku ka nisur ndërtimi i shtëpive për disa familje përfituese.

    “Në veriun e Republikës së Kosovës ka filluar ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive. Me Ministrin Xhelal Sveçla, në Leposaviq vizituam familjen e Hajriz Aliut dhe familjen e Bashkim Ibrahimit nga Fshati Cerajë. Ndërsa në Bistricë ishim tek familja e Muharrem Muharremit dhe familja e Artan Imerit. Banorët e Leposaviqit tashmë kanë infrastruktur rrugore më të mirë për arsye të rrugës së asfaltuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

    “Projekti për ndërtimin e shtëpive nga MAPL është një nga projektet qeveritare për ndërtimin e shtëpive duke pas parasysh edhe shtëpitë të cilat do të ndërtohen në lagjen Kroi i Vitakut nga MMPHI”, ka shkruar tutje ai.

  • ​Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

    ​Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

    Banka Botërore vlerëson se në Kosovë rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) u ngadalësua gjatë këtij viti, por parashikimet e kësaj banke janë se aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023.

    Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, ka thënë se rritja ekonomike në Mal të Zi dhe Shqipëri ishte më e fortë seç pritej në vitin 2023, e nxitur nga një sezon i fortë turistik, ndër faktorët e tjerë, dhe mund të ngadalësohet pak në vitin 2024. Por sipas tij, rritja në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi parashikohet të përshpejtohet në vitin 2024, e mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve.

    Sipas Paolucci, për Kosovën është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal.

    “Për Kosovën, është i domosdoshëm zbatimi në kohë dhe efektiv i Strategjisë së re të Energjisë duke ruajtur stabilitetin fiskal, krahas nevojës për të reduktuar hendekun që Kosova ka në infrastrukturën e sektorit të ujërave, mbeturinave dhe ndërlidhjes [transportit ndërkombëtar]”, citohet në komunikatë Paolucci.

    Ai ka shtuar se rritja e shkallës së investimeve në kapital njerëzor dhe përfshirja më e madhe e grave joaktive në tregun e punës, duke reduktuar barrierat për pjesëmarrje, gjithashtu duke rritur qasjen në shërbimet e kujdesit për fëmijë, janë një parakusht për të çliruar potencialin për rritje më të lartë ekonomike.

    “Në Kosovë, si kudo në Ballkanin Perëndimor, përballë kushteve të jashtme sfiduese, rritja reale e BPV-së u ngadalësua, por mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të zgjerohet me 3.2 për qind gjatë vitit 2023. Inflacioni ka qenë në rënie të vazhdueshme nga kulmi i tij prej 14.2 për qind në korrik 2022, por presionet mbi çmime mbeten të larta. Perspektiva afatmesme mbetet pozitive, në kontekstin e një pasigurie të lartë. Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike pritet të jetë më i lartë në periudhën 2024-2025, i mbështetur nga rritja e investimeve në infrastrukturë publike, përfshirë këtu edhe projektet me financimit të jashtëm, si dhe investimet më të larta publike dhe private në kapacitete prodhuese dhe në efiçiencë të energjisë”, thuhet në raportin e ri Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

    Sipas Bankës Botërore, shkalla e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët seç ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill.

    Projeksioni i rritjes për vitin 2025 është mbajtur i pandryshuar në 3.5 për qind.

  • ​Belgjikë-Suedi, vjen vendimi i UEFA-s

    ​Belgjikë-Suedi, vjen vendimi i UEFA-s

    UEFA e ka konfirmuar që ndeshja kualifikuese në kuadër të Euro 2024 mes Belgjikës dhe Suedisë nuk do të përsëritet pasi që u pezullua pas përfundimit të pjesës së parë.

    Ndeshja u ndal me përfundim të pjesës së parë mbrëmjen e së hënës për çështje sigurie, pasi dy burra, të cilët thuhet se kanë qenë në fanella të Suedisë, u qëlluan për vdekje në qytet, raporton KosovaPress.

    Një tjetër tifoz u lëndua rëndë gjatë sulmit, me të tre viktimat që ishin në 60-at dhe 70-at e tyre.

    Në atë kohë, ishte bërë e ditur se i dyshuari ishte në arrati, dhe Brukseli ishte i alarmuar për terrorizëm.

    Pasi që ndeshja nuk u vazhdua, tifozëve iu kërkua të qëndronin brenda stadiumit “King Baudouin”, dhe mbetën aty për orë të tëra para se të evakuoheshin.

    Gjatë gjithë natës i dyshuari ishte në arrati, ndërsa ai u qëllua për vdekje të nesërmen nga policia belge në një kafe.

    Kapiteni i Suedisë dhe mbrojtësi i Manchester United, Victor Lindelof e konfirmoi që lojtarët morën vendimin për të mos e vazhduar ndeshjen.

    Sulmi ndodhi gjatë orës 19:00, por lojtarët u informuan vetëm pas pjesës së parë.

    Ish-sulmuesi i Coventryt, Victor Gyokeres kaloi Suedinë në epërsi në minutën e 15’, para se Romelu Lukaku të barazonte shifrat në 1:1 për Belgjikën.

    UEFA tani ka njoftuar se ndeshja nuk do të rifillojë apo përsëritet dhe rezultati i pjesës së parë 1:1 do të qëndrojë.

    Në një deklaratë zyrtare, UEFA tha se federatat e futbollit të Belgjikës dhe Suedisë shprehën publikisht dëshirën e tyre për të mos luajtur kohën e mbetur të ndeshjes dhe për të marrë në konsideratë rezultatin në intervalin e pjesës së parë (1:1).

    Një tjetër pikë e konsideruar nga UEFA ishte se rezultati i ndeshjes nuk do të ndikonte në asnjërën palë, pasi Belgjika tashmë është kualifikuar dhe Suedia është eliminuar matematikisht.