ATV

Blog

  • KE miraton paketën e zgjerimit: Rruga e Kosovës ndikohet nga dialogu me Serbinë

    KE miraton paketën e zgjerimit: Rruga e Kosovës ndikohet nga dialogu me Serbinë

    Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Ukrainën, ndërsa rekomandoi gjithashtu hapjen e bisedimeve me Moldavinë, pasi t’i përmbushë kushtet përfundimtare.

    Për Gjeorgjinë, shtoi KE-ja në një deklaratë më 8 nëntor, iu rekomandua dhënia e statusit zyrtar të kandidatit, nëse i plotëson kushtet e mbetura të përcaktuara nga blloku.

    Komisioni Evropian rekomandoi edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnje e Hercegovinës me BE-në, kur të arrihet shkalla e nevojshme e pajtueshmërisë me kriteret për anëtarësim. Komisioni do t’i raportojë Këshillit deri në mars 2024 për çdo progres.

    Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

    Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit nga këto dhjetë vende.

    Zyrtarët evropianë thanë të mërkurën se dialogu me Serbinë është rruga përpara për Kosovën drejt BE-së.

    Në konferencën për media në Bruksel, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

    “Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha ajo, shkruan REL.

    Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.

    “Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, tha ai.

    “Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, shtoi Varhelyi.

    Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

    Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

    Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

    Për herë të parë, raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete që janë në këtë proces. Raportet u miratuan për gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi – dhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.

  • Raporti i Komisionit Evropian përmend sulmin në Banjskë: Policia u sulmua nga individë të armatosur rëndë

    Raporti i Komisionit Evropian përmend sulmin në Banjskë: Policia u sulmua nga individë të armatosur rëndë

    Raporti për Kosovën nga Komisioni Evropian e ka përmendur edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

    “Periudha e raportimit u shënua me kriza të shumëfishta dhe incidente të dhunshme në veri të Kosovës”, thuhet në Raport.

    “Kriza më serioze gjatë periudhës së raportimit ngjau më 24 shtator të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët qenë zënë në befasi midis një operacioni madhor të kontrabandës, duke lënë një polic të vdekur dhe tre lënduar”.

    “Gjatë operacionit, sulmuesit i kishin marrë pengje disa pelegrinë duke e barrikaduar veten në Manastirin Ortodoks Serb të Banjskës, duke i lënë pas kur ikën”.

  • 14% e punonjësve në Polici janë gra – Hovenier kërkon angazhim për përmirësimin e gjendjes së tyre

    14% e punonjësve në Polici janë gra – Hovenier kërkon angazhim për përmirësimin e gjendjes së tyre

    Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës ka shënuar 10-vjetorin e themelimit, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tha se gratë në polici kanë arritur shumë rezultatet, por që duhet ende punë për përmirësimin e gjendjes së tyre.

    Përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë, Edward Anderson, pati fjalë të mëdha për gratë police, për çka tha se ato përkujdesen për fëmijët e tij, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme.

    Përderisa drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha tha se gratë police janë shembull i punës së suksesshme në rajon.

    Ai sqaroi se në Polici janë 14% gra police, duke thënë se ky është numër i pamjaftueshëm.

  • Raporti i Brukselit për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz

    Raporti i Brukselit për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz

    “Pavarësisht disa përparimeve, lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, mbetet një shqetësim serioz”. Ky është vlerësimi i raportit për Shqipërinë, i cili pritet të miratohet sot në Bruksel. Sipas dokumentit, vendi “ka njëfarë niveli përgatitjeje” në luftën kundër këtij fenomeni, i cili shihet “i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, ndërkohë që “masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorë të cenueshëm të cilët “kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara”. Raporti vë në dukje hetimet e Prokurorisë së Posaçme në disa raste të nivelit të lartë, por megjithatë Komisioni europian thekson se “rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë”.

    Të njëjtat vlerësime, për “njëfarë niveli përgatitje”, janë dhe për luftën kundër krimit të organizuar, ku kërkohen “më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme, duke përfshirë edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve të zbatimit të ligjit”. Shqipëria ka miratuar ligjin për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industrial. Për këtë, asaj i kërkohet që “të sigurojë se ekzistojnë mekanizma për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e kanabisit në përdorim të paqëllimshëm”. Sipas raportit “progresi që është arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë”. Nga ana tjetër vlerësohet se “lufta kundër krimit kibernetik, pastrimi i parave dhe parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore mbeten fusha në të cilat nevojiten rezultate shtesë. Të dhënat mbi rastet e pastrimit të parave dhe korrupsionit të nivelit të lartë mbeten të pamjaftueshme dhe hetimet financiare duhet të zhvillohen më tej”.

    Me një nivel më të mirë përgatitjeje, i vlerësuar si “mesatar”, konsiderohet funksionimi i gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vijoi, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i çështjeve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së parë. Shqipëria duhet të sigurojë që procedurat penale të nisin sistematikisht kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i verifikimit të të cilëve zbuloi element penalë”, vë në dukje raporti.

    Këto çështje janë pjesë e grupkapitullit të parë me të cilin Shqipëria do të duhet të përballet në momentin e uljes në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sikundër dhe ato që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike dhe administrate publike, apo dhe kriteret ekonomike, prokurimi public, statistikat dhe kontrolli financiar.

    Lidhur me kriteret politike, raporti vlerëson se “skena politike vijon të shënjohet nga polarizim politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare” dhe se “mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar”. Ndërsa sa i takon qeverisë, raporti vë në dukje se “ndërkohë që i vendos reformat në lidhje me BE-në në qendër të planifikimit të saj legjislativ dhe të politikave, qeveria duhet të përmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së. Qeveria gjithashtu duhet të angazhohet në një komunikim më të fortë publik mbi procesin e anëtarësimit në BE”.

    Lidhur me administratën publike “Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur. Strategjitë e reja për reformën e administratës publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike ende nuk janë përgatitur dhe miratuar”, thekson raporti. Ndërsa sa i takon të drejtave themelore, “përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen”.

    Raporti flet për një “përparim të kufizuar” në fushën e lirisë së shprehjes, ku vlerësohet se “Shqipëria ndodhet mes njëfarë niveli dhe një shkalle mesatare përgatitjeje”. Shqetësimet mbeten të njejta me të kaluarën, ndërsa theksohet se “ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar”.

    Kolegji i komisionerëve pritet të miratojë sot, përveç raporteve të veçanta për secilin vend, edhe dokumentin mbi strategjinë e zgjerimit si dhe planin e ri të rritjes të paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen./VOA/

  • Inspektorati i Tregut edhe sot ia “mësyjnë” mobishopëve

    Inspektorati i Tregut edhe sot ia “mësyjnë” mobishopëve

    Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në bashkëpunim me inspektorët e Tregut nga MINT, kanë vazhduar aksionin ndaj mobilshopëve edhe ditën e sotme, raporton ATV.

    Në videon e siguruar nga ATV, veturat e inspektorëve të tregut janë parë pranë mobilëshopëve në qendër të Prishtinës.

    Aksioni u zhvillua edhe dje, që rezultoi me bastisjen e 31 lokaleve /mobilshopve dhe janë konfiskuar telefona e paisje tjera tekonologjike.

    “Operacioni ka rezultuar si në vijim: (31) lokacione, lokale/Mobile Shop) janë kontrolluar, në Prishtinë, (118) Telefona të mençur (Smart Phone) janë sekuestruar, (3) Tablet (IPod), (11) Airpods, (1) lokal është mbyllur nga Inspektorati në mungesë të dokumentacioneve (biznes i pa regjistruar), (1) lokal është bllombuar nga Inspektorati, pasi që ka qenë i mbyllur dhe nuk është
    hapur deri në përfundim të operacionit.”, thuhet në njoftim. /atvlive.tv

  • Efektet e dëmshme të përdorimit të mediave sociale në shëndetin mendor

    Efektet e dëmshme të përdorimit të mediave sociale në shëndetin mendor

    Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj imazheve të modifikuara në mediat sociale ,me kujdes dhe presioni për t’u përshtatur me standardet shoqërore të bukurisë mund t’i shtyjë njerëzit të krahasojnë pamjen e tyre me të tjerët, gjë që ndikon mjaft shumë në psikikën e njeriut.

    Ky krahasim mund të ushqejë vetë-perceptim negative dhe vetëbesim të ulët.
    Studimet tregojnë se ky krahasim social mund të çojë në ndjesi të përhershme të pasuksesit dhe dobësisë emocionale.

    Platformat e mediave sociale shpesh shfaqin imazhe të njerëzve me fytyra dhe trupa në dukje të përsosur, shpesh duke përdorur filtra dhe mjete për modifikimin e fotografive për të përmirësuar pamjen e tyre.

    Sipas një hulumtimi të vitit 2018 disa kirurgë plastikë kanë treguar se kanë hasur njerëz që kërkojnë të duken si një foto me filtra në Snapchat.

    Shumë njerëz postojnë vetëm fotot e tyre më të mira, të cilat mund të mos jenë aq të përafërta me pamjen e tyre të përditshme.

    Si për burrat ashtu edhe për gratë, kjo mund të kontribuojë në imazhin negativ të trupit dhe madje të çojë në probleme të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi.

    Bullizmi kibernetik do të thotë kur individët sulmohen për madhësinë e trupit, formën ose pamjen e tyre.

    Një sondazh i Qendrës Kërkimore Pew 2018 zbuloi se 59% e adoleshentëve amerikanë kanë përjetuar personalisht ngacmime kibernetike rreth pamjes së tyre fizike.

    Mediat sociale mund të bëjnë pothuajse këdo të ndihet sikur nuk duket mjaftueshëm mirë, por është edhe më i dëmshëm për njerëzit me çrregullime të të ngrënit ose të imazhit të trupit, siç është çrregullimi dismorfik i trupit (BDD). Sipas Fondacionit Ndërkombëtar të OCD ,kjo është një gjendje serioze që prek rreth një në 50 njerëz në Shtetet e Bashkuara.

    Njerëzit që jetojnë me BDD zakonisht janë të preokupuar me pamjen e tyre fizike dhe përjetojnë ndjenja negative për veten, sa që kontrollohen më shumë se dy herë në pasqyrë. Simptomat mund të përkeqësohen së tepërmi nga mediat sociale.

    50% të adoleshentëve dhe të rinjëve që reduktuan përdorimin e tyre të mediave sociale për vetëm disa javë, panë përmirësime të ndjeshme në mënyrën se si ndiheshin për peshën dhe pamjen e tyre të përgjithshme në krahasim me bashkëmoshatarët që përdornin vazhdimisht mediat sociale., sipas hulumtimit.

    Bazuar në përgjigjet e disa fëmijëve të moshave 10 deri në 17 vjec, 1 në 2 kanë pranuar se mediat sociale kanë një ndikim në gjendjen emocionale të tyre.

    Hulumtimet kanë treguar se faqe të ndryshme në rrjete sociale kinse me përmbajtje të dietave të shëndetshme apo postimet që janë pro-çrregullimit të të ngrënit, në mënyrë direkte ose indirekte inkurajojnë ushqimin e çrregullt.

    Postime të tilla promovojnë manipulimin të trupit të dikujt, duke përdorur thënie të tilla si “asgjë nuk shijon aq mirë sa ndjesia e të qenit kaq e hollë”.

    Sipas psikologëve, këto postime ofrojnë një ndjenjë të rreme, duke i lejuar përdoruesit të lidhen me një qëllim të përbashkët për të humbur peshë, për të ndryshuar pamjen e njëri tjetrit.

  • Kosova me shtatë boksierë në turneun ndërkombëtar “Gongu i Artë”

    Kosova me shtatë boksierë në turneun ndërkombëtar “Gongu i Artë”

    Ekipi i Kosovës në boks do të merr pjesë në turneun ndërkombëtar “Gongu i Artë”.

    Shtatë boksierë do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë turne ndërkombëtar që mbahet në Shkup nga data 11 deri më 12 nëntor, raporton KosovaPress.

    Trajnerët, Shemsedin Tahiri dhe Hajdar Thaqi kanë udhëtuar gjithashtu me ekipin, së bashku me referin, Agim Tahiraj.

    Ekipin e Kosovës e gjeni më poshtë.

    Jeton Berisha (kategoria deri në 51 kilogramë)

    Lorent Murati (kategoria deri në 60 kilogramë)

    Drilon Arifi (kategoria deri në 63.50 kilogramë)

    Shpetim Bajoku (kategoria deri në 67 kilogramë)

    Venhar Haziri (kategoria deri 71 kilogramë)

    Jozef Rrasi (kategoria deri në 75 kilogramë)

    Shpejtim Shabani (kategoria deri në 92 kilogramë)

  • Tetë këshilla për ata që punojnë para kompjuterit

    Tetë këshilla për ata që punojnë para kompjuterit

    Kompjuteri tashmë është një pajisje teknologjike e cila është e lidhur ngushtë me punën në kohët e sotme.

    Përdorimi i tij shpesh sjell probleme të ndryshme shëndetësore

    Është e rëndësishme që të kujdesemi në mënyrë që të shmangim dhimbjet e qafës, problemet e syve dhe një mori çështjesh të tjera, përpiquni të bëni këto tetë ndryshime të lehta në rutinën tuaj.

    Disa nga këshillat që ju vijnë në ndihmë të gjithë përdoruesve të kompjuterit janë:

    Mbani kontakt të mirë kompjuter-sy: Mbani paralelisht sytë me ekranin e kompjuterit ndërkohë që punoni, kjo do të evitojë lodhjen e syve.

    Qëndroni të hidratuar: Pirja e ujit është thelbësore për shëndet të mirë, transmeton Telegrafi. Përveçse ndihmon në rënien në peshë, për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe për të fituar më shumë energji, konsumimi i ujit do t’ju detyrojë të çoheni nga karrigia për të mbushur gotën ose për të vajtur në tualet.

    Vendosni alarm: Sa herë që bie alarmi, kujtohuni të ecni pak nëpër zyrë, si një mënyrë për të pushuar.

    Shmangni ashensorin: Përpiquni të përdorni shkallët në vend të ashensorit. Parkoni makinën sa më larg të jetë e mundur, në mënyrë që të keni mundësi të ecni çdo ditë.

    Qëndroni pak minuta jashtë tavolinës: Kryerja e disa ushtrimeve të thjeshta mund të jetë çelësi për t’u relaksuar e për të vazhduar punën me më shumë efikasitet.

    Rrisni madhësinë e shkronjave në kompjuter: Shpesh shkronjat e vogla mund të jenë shkaktarë të dhimbjes së kokës.

    Hapni dhe mbyllni sytë shpesh herë: Përpiquni të ndiqni rregullin 20:20:­20 të shikimit të ekranit, i cili nënkupton që çdo 20 minuta para ekranit, shikoni një objekt që është 20 këmbë (6 metra larg) për 20 sekonda.

  • Aksident në Sllatinë, shkaktohen kolona të gjata në drejtim të Fushë Kosovës

    Aksident në Sllatinë, shkaktohen kolona të gjata në drejtim të Fushë Kosovës

    Një aksident trafiku mes dy veturave ka ndodhur në fshatin Sllatinë, nga i cili janë shkaktuar kolona të gjata në drejtim të Fushë Kosovës, raporton ATV.

    Gazetarja e ATV-në, Jeta Selmanaj, në një lidhje të drejtpërdrejt në A LIVE nga vendi i ngjarjes thotë se ka mbi 30 minuta që kanë mbetur të bllokuar në rrugë, për shkak të këtij aksidenti.

    “Ne realisht kemi qenë në një terren në komunën e Malishevës dhe gjatë rrugës e kemi parë se sa shumë tullovish krijuar nga moti i lig. Aktualisht jemi në fshatin Sllatinë, pak para se të hyjmë, domethënë në komunën e Fushë Kosovës. Jemi këtu diku qe 30 minuta, kemi pa që ka ndodhur një aksident rrugor, janë ndeshur dy makina. Siç edhe po shihet kolona është shumë e gjatë. Ka diku 30 minuta që jemi këtu dhe për shkak të aksidentit edhe pothuajse është bllokuar rruga”, tregon gazetarja.

    Ajo thotë se, edhe pse nuk kanë mundur të ndalen që të shohin nëse nga ky aksident ka të lënduar, janë parë dy ambulanca në vendin e ngjarjes. /atvlive.tv

    Më shume detaje i gjeni në A LIVE në videon e më poshtme:

  • A është reale gjithçka që shfaqet në rrjete sociale?

    A është reale gjithçka që shfaqet në rrjete sociale?

    Rrjetet sociale në mënyrë të pamatshme janë bërë pjesë  përditshmërisë për secilin prej nesh. Këtë e dëshmojnë (edhe) të dhënat e muajit të fundit (tetor 2023) që ishin 4.95 miliardë përdorues të rrjeteve sociale në mbarë botën, që barazohet me 61.4 për qind të popullsisë totale globale.

    Për të diskutuar për përdorimin e rrjeteve sociale dhe vërtetësinë e jetës së njerëzve që pasqyrohet nëpërmjet tyre, në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar gazetarë të cilët njëkohshëm janë edhe shumë aktivë në rrjetet e tyre sociale.

    Ndër ta, prezantuesi Argjend Rraci tha se ai vetë nuk është real në rrjete sociale dhe se jeta e përditshme me atë që shfaqet në këto rrjete – dallon dukshëm.

     “…Unë nuk jam real në rrjete sociale, nuk tregoj gjithçka nga jeta ime. Njerëzit mendojnë se unë bëj një jetë luksoze, duke u bazuar në postimet që i bëj, në vendet të cilat shkoj një herë në muaj, ndërkohë në përditshmëri ushqehem si të  gjithë të tjerët edhe me një hamburger…”, shtoi Argjendi.

    Sa i përket realitetit që ofrohet në rrjete sociale, gazetarja nga Shkupi Anita Latifi tha se është reale në rrjete sociale dhe se nuk është penduar për këtë gjë, sepse sinqeriteti i ndihmon asaj në ngritjen e kauzave në të cilat beson.

    Vlen të ceket se përdorimi i rrjeteve sociale mund ketë efekte të dëmshme në shëndetin mendor.

    Shumë studiues përmendin pasojat negative që shkaktojnë rrjetet sociale në shëndetin mendor. Ata shohin një rritje të rrezikut të depresionit, vetëbesimit të ulët, ankthit dhe vetmisë.

    Për ta dëgjuar në detaje diskutimin në lidhje me këtë temë, klikoni në linkun e mëposhtëm: